Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 October 2024Gazeta Express

Arlind Veliu, “Ylli i Javës” në Superligë

7 October 2024 at 11:35

Arlind Veliu është zgjedhur “Ylli i Javës” i xhiros së tetë në Superligë.

Ndonëse mbrojtës i krahut, ai e shënoi njërin nga tre golat në fitoren e Malishevës në udhëtim ndaj Suharekës me rezultat 3:1, me ç’rast ekipi i tij e mori primatin në Superligë.

Pasi e mori këtë çmim, Arlindi u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.

“E kemi analizuar ndeshjen me Suharekën, e cila ka pasur një ecuri të mirë, dhe kemi arritur të përmbysim rezultatin. 20 minutat e para nuk ishim të koncentruar dhe Suhareka na krijoi disa raste, por me kalimin e kohës morëm lojën në dorë dhe e kthyem rezultatin. Objektivi ynë është të jemi në Evropë, por kemi lojtarë shumë të mirë dhe mund të dalim kampion. Kemi një ekip shumë stabil, kemi lojtarë të talentuar dhe një përbërje të shkëlqyer. Shpresojmë që të arrijmë objektivin tonë në fund. Jo vetëm unë, por të gjithë ekipi jemi në formë të mirë dhe shpresojmë që të mbajmë këtë formë deri në fund. Ky çmim nuk është vetëm im, por i gjithë bashkëlojtarëve dhe shtabit teknik që më kanë dhënë mundësinë të paraqitem mirë në çdo ndeshje. Shpresoj që të gjithë lojtarët e Malishevës të marrin këtë çmim” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së. /Gazeta Express/

The post Arlind Veliu, “Ylli i Javës” në Superligë appeared first on Gazeta Express.

Vritet kryetari i bashkisë së një qyteti në Meksikë, 6 ditë më parë mori detyrën

7 October 2024 at 11:25

Kryetari i një qyteti meksikan të rrënuar nga dhuna për shkak të drogës, është vrarë më pak se një javë pasi mori detyrën.

Alejandro Arcos u gjet i vdekur të dielën në Chilpancingo, një qytet me rreth 280,000 banorë në shtetin jugperëndimor të Guerreros. Ai ishte kryetar bashkie prej vetëm gjashtë ditësh, raporton BBC.

Guvernatorja e shtetit, Evelyn Salgado, ka thënë se qyteti është në zi për një vrasje që “na mbush me indinjatë”.

Vdekja e tij erdhi tri ditë pasi sekretari i ri i qeverisë së qytetit, Francisco Tapia, u qëllua për vdekje.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të hetimit, apo të dyshuar. Megjithatë, Guerrero është një nga shtetet më të prekura nga dhuna, teksa kartelet e drogës kanë vrarë dhjetëra politikanë në të gjithë vendin.

Ndërkaq, mediat meksikane kanë raportuar se ai është vrarë në mënyrë mizore.

The post Vritet kryetari i bashkisë së një qyteti në Meksikë, 6 ditë më parë mori detyrën appeared first on Gazeta Express.

Çka me përjetu, vizitu, dëgju këtë javë?

7 October 2024 at 11:11

Rekomandimet javore nga Podkasti Suzanne, që emetohet edhe në T7! Sezoni i gripit ja nisi, vaksinohuni, e dilni shlirë nëpër ngjarje të shumta! Plot ekspozita në galeria të Prishtinës, koncert najs në Prizren, një klub leximi, festival filmi dhe party kërcimi.

Pas një vere shumë zhegitëse, erdhi një vjeshtë shumë lagëse e këtë Monday Marks po i bajmë ma s’pari nja dy thirrje shëndetësore: festivali “Shliroj cicat” veç sa mund me i përkujtu gratë lexuese me shku me bo mamografi falas për me parandalu kancerin e gjinit - dhe për lexuesit e krejt gjinive e orientimeve tjera - me marrë vaksinën e gripit që me kursy kohën e kalume smutë n’shpi, për me përjetu edhe ma shumë ngjarje këtë fall/winter season. 

Ndërsa këtë javë ka ekspozita në Galerinë Kombëtare, galerinë Qahili dhe galerinë 17; në Kino Armata mundeni m’i nxanë tre ditët e fundit të Festivalit të filmit frankofon; Kino Lumbardhi po e përfundon serinë e koncerteve Skaj Sessions me një koncert të bendit të njohur shkupjan Blla Blla Blla dhe multi-instrumentalistës portugeze Riga Bragen. Nëse keni qef me lexu dhe me diskutu librat, “Dukagjini” po vazhdon me book clubin e vet e për natë pak ma krejzi e keni një event në AMC hall. Trust me u desht m’i hjek do propozime tjera për me i mbulu ton këto ngjarje! Kënaquni dhe sh’net!

Linku me ngjarjet e plota: https://suzannepodcast.substack.com/p/monday-marks-7-tetor

The post Çka me përjetu, vizitu, dëgju këtë javë? appeared first on Gazeta Express.

Prokuroria në Prizren ngre aktakuzë ndaj një personi, dyshohet se e plagosi dikë për shkak të një borxhi

7 October 2024 at 11:07

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj B.U të dyshuar për “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ai dyshohet se më 17 maj e ka plagosur një person pasi ia kishte kërkuar 2 mijë e 500 euro në formë të borxhit dhe viktima i ka thënë se nuk ka.

“Sipas aktakuzës, i akuzuari B.U., me datë 17.05.2024, rreth orës 17:30 min, në fshatin Nashec të Komunës së Prizrenit, me dashje tenton ta privojë nga jeta personin tjetër, në atë mënyrë që pasi takohet me viktimën J.A., paraprakisht kërkon nga i njëjti t’ia jap një shumë parash prej 2,500.00 € (Dymijë e pesëqind euro) në formë të borxhit dhe pasi viktima i thotë se nuk e posedon një shumë të tillë, i njëjti nxjerr pistoletën dhe nga dritarja e automjetit të markës ‘’ËV Passat CC’’ , e cila ka qenë e hapur,  shkrep në drejtim të viktimës, me ç’rast e plagos në këmbën e tij të djathtë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, si pasojë e lëndimeve të marra, viktima i nënshtrohet tretmanit mjekësor pranë Repartit Kirurgjik të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” sipas KPRK-së.”

“Po ashtu, i akuzuari B.U., mban në pronësi, kontroll dhe posedim armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, dhe me këto veprime ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.”

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cila akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.”

The post Prokuroria në Prizren ngre aktakuzë ndaj një personi, dyshohet se e plagosi dikë për shkak të një borxhi appeared first on Gazeta Express.

Qeveria e Kosovës ende nuk i ka kthyer përgjigje Gjermanisë për CEFTA e Proces të Berlinit, konfirmohet që bisedimet po vazhdojnë

7 October 2024 at 11:03

Ndonëse kanë mbetur edhe një javë nga kur do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, Qeveria e Kosovës ende s’ka ndërruar qëndrim sa i përket kërkesës gjermane rreth zhbllokimit të vendimarrjes në CEFTA dhe heqjes së masës së sigurisë për mallrat serbe që futen në territorin e Republikës së Kosovës. 

Shkruan: Besnik Velija

Zëdhënësi i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Christian Bottcher, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se aktualisht bisedimet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Qeverisë së Gjermanisë janë duke vazhduar. 

“Për momentin, mund t'ju them vetëm se bisedimet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të qeverisë gjermane janë ende në vazhdim”, ka thënë Bottcher për Gazetën Express. 

Sa i përket asaj nëse ka afate kohore brenda të cilës Qeveria e Kosovës duhet të vendos për pranimin ose jo të ofertës së Berlinit zyrtar, zëdhënësi i Ambasadës ka thënë se ka afate që dalin nga rregullat ndërkombëtare dhe procedurat e CEFTA-s dhe trupave të saj. 

“Kur është fjala për pyetjen tuaj në lidhje me afatin kohor, sigurisht që ekzistojnë afate të caktuara që ndodhin në bazë të rregullave dhe procedurave të brendshme të CEFTA-s dhe organeve të saj”, ka përfunduar për Gazetën Expresa zëdhdënësi i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Christian Bottcher. 

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi, Manuel Sarrazin, ka vizituar dy herë radhazi Kosovën gjatë muajit shtator në përpjekjen gjermane për ta bindur Kurtin të pranojë ofertën e Berlinit zyrtar. Pa sukses, Sarrazin është larguar i deshpëruar nga Prishtina, derisa paralajmërimet si nga vetë ai, si nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde, kanë qenë që Kosova rrezikon të mbetet e vetme nëse nuk e pranon kërkesën e Qeverisë Gjermane. /GazetaExpress/

The post Qeveria e Kosovës ende nuk i ka kthyer përgjigje Gjermanisë për CEFTA e Proces të Berlinit, konfirmohet që bisedimet po vazhdojnë appeared first on Gazeta Express.

Ekzekutohet shqiptari në Spanjë, vrasësit e lanë te dera e spitalit

7 October 2024 at 10:56

Një shqiptar është ekzekutuar në Spanjë, ndërsa trupi i tij është braktisur në derën e spitalit.

Ngjarja ka ndodhur në ‘La Selva’ të Gironas, ku një automjet tip “Audi” braktisi në derën e spitalit “Blanes” një person të vdekur. Viktima, i identifikuar më pas si shtetas shqiptar, ishte qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës.

Sipas policisë, mjeti që e braktisi ishte “Audi” ngjyrë e zezë me targa të huaja dhe brenda tij mendohet se kanë qenë 3 persona. Viktima nuk kishte mjet identifikimi me vete dhe autopsia e tij pritet të zhvillohet të hënën.

The post Ekzekutohet shqiptari në Spanjë, vrasësit e lanë te dera e spitalit appeared first on Gazeta Express.

Izraeli e shënon njëvjetorin e sulmit të 7 tetorit, teksa lufta në Liban dhe Gazë po vazhdon

7 October 2024 at 10:47

Izraeli e ka shënuar më 7 tetor njëvjetorin e sulmit shkatërrues të Hamasit ndaj shtetit hebraik, gjatë të cilët militantët i vranë mbi 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Ndërkohë, ushtria izraelite i ka vazhduar bombardimet e ashpra në Bejrut dhe inkursionin në jug të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar grupin militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah.

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, e udhëhoqi një minutë heshtje në orën 6:29, orën kur filloi sulmi, në Kittbutz Reim, vendndodhjen e festivalit muzikor Nova, ku qindra të rinj u vranë nga luftëtarët e Hamasit, grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ushtria izraelite tha se gjatë ceremonisë së udhëhequr nga Herzog u shkrepën katër raketa nga Gaza drejt vendbanimeve të njëjta izraelite që ishin sulmuar në fillim të sulmit të vitit të kaluar.

Ceremonia nuk u pengua, sipas ushtrisë.

Në Jerusalem, të afërmit e rreth 100 pengjeve që ndodhen ende në robërinë e Hamasit, shumë prej të cilëve besohet se janë të vdekur, u mblodhën pranë rezidencës së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe qëndruan në heshtje në shenjë proteste ndaj asaj që të afërmit e quajnë dështim të Qeverisë për t’i liruar më të dashurit e tyre.

Pas sulmit të 7 tetorit, Izraeli nisi një luftë Gazë, ku i ka vrarë afro 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

Ushtria izraelite tha më 7 tetor se gjatë vitit të fundit i ka bombarduar më shumë se 40.000 shënjestra në Gazë, ka zbuluar 4.700 tunele dhe ka shkatërruar 1.000 vende të raketahedhësve.

Konflikti në Gazë është duke u zhvilluar ende, ndërsa Izraeli tani po lufton në një front të dytë në jug të Libanit kundër Hezbollahut.

Mëngjesin e 7 tetorit, Hezbollahu, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, hodhi raketa në qytetet veriore të Izraelit, Haifa dhe Tiberias, duke shkaktuar dëme dhe disa lëndime të lehta, sipas policisë izraelite.

Bashkimi Evropian ka vendosur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo edhe krahun e tij politik, i cili ka ulëse në parlamentin libanez. Në javët e fundit, Izraeli ka bombarduar periferitë jugore të Bejrutit dhe është duke e kryer një inkursion tokësor në jug të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar Hezbollahun.

Fushata e Izraelit kundër Hezbollahut nxiti patronin e grupit, Iranin, të përgjigjet duke sulmuar shtetin hebraik me një breshëri raketash, pjesa dërrmuese e të cilave u shkatërruan nga mbrojtja ajrore izraelite pa shkaktuar dëme të konsiderueshme, por sulmi ringjalli frikën për shpërthimin e një konflikt më të gjerë rajonal.

Më 6 tetor, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, e kërcënoi Iranin se ai mund të përfundojë duke u dukur si Bejruti apo Gaza – të cilat gjithashtu janë shkatërruar gjatë vitit të fundit – nëse Teherani tenton ta dëmtojë më shumë Izraelin.

“Iranianët nuk prekën aftësitë e forcave ajrore. Asnjë avion nuk u dëmtua, asnjë skuadron nuk u nxor jashtë përdorimit”, tha Gallant në lidhje me sulmin raketor iranian, i cili shkaktoi pak lëndime dhe dëme të vogla në dy baza të forcave ajrore.

“Kushdo që mendon se një përpjekje e thjeshtë për të na dëmtuar do të na dekurajojë nga ndërmarrja e veprimeve, duhet të shohë [operacionet e Izraelit] në Gaza dhe Bejrut”, tha ai.

Izraeli tha më herët se kreu një sërë “sulmesh të shënjestruara” ndaj “depove të armëve” dhe infrastrukturës që i përkasin Hezbollahut.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit tha se baza e Hezbollahut në zonë u godit nga më shumë se 30 sulme. Një pikë karburanti dhe një magazinë me pajisje mjekësore u goditën nga sulmet ajrore.

Shumë vëzhgues thanë se këto sulme ishin më të fuqishmet deri më tani nga sulmet ajrore të Izraelit në javët e fundit.

Izraeli ka bombarduar periferitë e Bejrutit për shumë ditë me radhë, duke vrarë liderin e Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, dhe ndoshta pasardhësin e tij të mundshëm, Hashem Safieddine.

Burime të sigurisë kanë thënë se Safieddine nuk është shfaqur prej 4 tetorit, pas një sulmi ajror izraelit afër aeroportit ndërkombëtar të Bejrutit, i cili thuhet se e kishte në shënjestër atë. Hezbollahu nuk ka komentuar për Safieddine.

Izraeli thotë se Nasrallah u vra në një sulm ndaj selisë së komandës qendrore të grupit në Bejrut më 27 shtator.

Dy zyrtarë të lartë iranianë të sigurisë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters më 6 tetor se as nga Ismail Qaani, komandant i Forcës Quds – krahu i jashtëm i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) –nuk është dëgjuar kohët e fundit, prej kur udhëtoi për në Liban.

Deklaratat e 6 tetorit nga Shtetet e Bashkuara – aleati më i rëndësishëm i Tel Avivit – treguan se ka zemërim me shtrirjen e veprimeve ushtarake të Izraelit.

“Trysnia ushtarake mund ta mundësojë në disa raste diplomacinë. Natyrisht, trysnia ushtarake mund të çojë gjithashtu në llogaritje të gabuara. Mund të sjellë pasoja të padëshiruara”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit në një deklaratë.

Zëdhënësi tha se Uashingtoni mbështet veprimet e Izraelit për t’i luftuar elementet ekstremiste, por shtoi se liderët e SHBA-së nuk i mbështesin sulmet ndaj infrastrukturës civile.

Izraeli thotë se sulmet ndaj Hezbollahut kanë për qëllim të mundësojnë kthimin e sigurt të dhjetëra mijëra qytetarëve në shtëpitë e tyre në veriun e Izraelit. /REL/

The post Izraeli e shënon njëvjetorin e sulmit të 7 tetorit, teksa lufta në Liban dhe Gazë po vazhdon appeared first on Gazeta Express.

Protesta e opozitës, dyert e Kryeministrisë sigurohen me mbrojtje metalike

7 October 2024 at 10:46

Dyert e Kryeministrisë janë siguruar me mbrojtje metalike para protestës së opozitës, që fillon në orën 18:00.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama është kthyer në punë pa operacionit dhe vijon agjenda normale.

Në shkresën që Partia Demokratike i ka dërguar policisë, i kërkon 4 orë leje për tubim. Nga ora 18:00 deri në orën 22:00.

Në shkresë kërkohet vetëm leje për zhvillimin e protestës para kryeministrisë, por jo itenerari që do të ndjekin, apo rrugët që do bllokojnë.

The post Protesta e opozitës, dyert e Kryeministrisë sigurohen me mbrojtje metalike appeared first on Gazeta Express.

LeBron James në histori të NBA-së, luan bashkë me djalin e tij

7 October 2024 at 10:40

LeBron James dhe djali i tij më i madh, Bronny James e kanë bërë historinë mbrëmë në NBA pasi luajtën së bashku për herë të parë në fanellën e Los Angeles Lakers.

Dyshja u pa së bashku nga fillimi i çerekut të dytë në fitoren parasezonale me rezultat 118:114 ndaj Phoenix Suns bnë Palm Desert, në lindje të Los Angeles.

Derisa LeBron James impresionoi më 19 pikë në vetëm 16 minuta e 20 sekonda në parket para se të ulej në bankinë në pjesën e dytë, Bronny nuk arriti të shënonte në 13 minuta sa ishte në lojë.

James i ri e bëri vetëm një gjuajtje në kohën sa luajti, shkruan “Yahoo”, përcjell “Gazeta Express”.

“Ishte e bukur për ne të dy, posaçërisht për familjen tonë. Nuk më dukej reale, por ishte e bukur ta shijonim këtë moment”, deklaroi 39 vjeçari pasi luajti me të birin e tij, i cili e festoi ditëlindjen e 20-të pikërisht të dielën.

“Është definitivisht momenti që nuk do ta harrojë kurrë. Për një baba, kjo do të thotë gjithçka. Për dikë si unë që nuk e kishte babanë duke u rritur, të jem në gjendje që ta kem influencën në birin tim, të jem në gjendje të kem momente me birin tim, të punoj me djalin tim... Kjo është njëra prej gjërave më të mira që shpreson një prind që t’i ndodhin”, vazhdoi legjenda e NBA-së.

LeBron James ka thënë se të luajë së bashku me djalin e tij, Bronny ia ka dhënë një ristartim të jetës, derisa ai po hyn në sezonin e 22-të në karrierën e ndritshme.

Bronny James pritet ta kalojë një sezon zhvillimi në G-League, më shpesh sesa që do të luajë në ekipin senior të Lakers.

Këta të fundit do ta hapin sezonin e rregullt 2024-2025 në shtëpi kundër Minnesota Timberwolves më 22 tetor. /Gazeta Express/

The post LeBron James në histori të NBA-së, luan bashkë me djalin e tij appeared first on Gazeta Express.

Javën e kaluar në rajonin e Prishtinës u sekuestruan 10 armë

7 October 2024 at 10:37

​Javën e kaluar janë realizuar 219 urdhëresa të gjykatës në rajonin e Prishtinës.

Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 10 armë zjarri dhe janë shqiptuar 5300 gjoba.

Njoftimi i plotë:

Nga zyrtarët policor të rajonit Prishtinës , gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme e aksione të ndara, janë realizuar  219 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 42 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj.

Konform urdhëresave, pas përfundimit të procedurave policore,  personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.

 ​Ndërkohë që aktivitete policore janë shtrirë  edhe në segmente të tjera të sigurisë.

Gjatë periudhës së njëjtë, janë sekuestruar 10 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

Ndërkaq aktivitetet policore  në sferën e sigurisë në trafikun rrugor.

Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 5300 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor.

The post Javën e kaluar në rajonin e Prishtinës u sekuestruan 10 armë appeared first on Gazeta Express.

Bllokohet trafiki te shtëpia e Ramës, çfarë pritet të ndodhë sot në protestën e opozitës në Shqipëri

7 October 2024 at 10:31

Partia Demokratike ka thirrur sot një protestë kombëtare në atë të cilën e quan si një nisje të një vale protestash deri në arritjen e tre qëllimeve të tyre; zgjedhje të lira, qeveri teknike dhe lirimi i Sali Berishës. Ashtu siç ka deklaruar edhe më herët lideri demokrat Sali Berisha, por edhe eksponentë të tjerë të PD-së, në këtë protestë nuk do të ketë fjalime dhe kryefjala do të jetë mosbindja civile.

Në “Dita Jonë”, gazetari i A2 CNN Anesti Bajramemaj zbuloi disa nga skenarët që priten të ndodhin gjatë protestës së sotme. Sipas tij synimi i demokratëve sot është bllokimi i trafikut dhe ndoshta shkuara në Surrel në shtëpinë e kryeministrit Rama.

“Pika kryesore e protestës është te kryeministria do të grumbullohen e qëndrojnë aty. Një pjesë do të shpërndahen në pikat kryesore të Tiranës; Rruga e Elbasanit, Rruga e Kavajës, Rruga Durrësit, Sheshi i Zogut të Zi, 21 dhjetori dhe pika të tjera për të bllokuar dhe paralizuar qarkullimin e trafikun në qytet. Ky është synimi i demokratëve për bllokim e paralizim të trafikut. Ka patur zëra për të shkuar në surrel te shtëpia e kryeministrit. Sipas demokratëve kryeministri është e keqja e këtij vendi. Dhe duhej shkuar që kur u vendos në arrest shtëpie Berisha. Kjo protestë është pa fjalime qytetarët do të kenë në dorë protestën”, tha ai në Dita jonë.

Kjo protestë që sipas demokratëve është nisja e një vale protestash erdhi pas dënimit me një vit burg të deputetit demokrat Ervin Salianji, i akuzuar për kallëzim të rremë.

Një ditë më parë Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë dhe tha se demokratët janë të betuar për çdo sakrificë.

"Pararendësit e marshit të demokrateve dhe demokratëve, opozitareve dhe opozitarëve, qytetarëve dhe qytetareve drejt fitores. 23 orë na ndajnë nga dita e fillimit të asaj beteje në të cilën çdo demokrate dhe demokrat, çdo opozitar dhe opozitare vendos i betuar, i gatshëm për çdo sakrificë për dinjitetin e tij, për dinjitetin e shqiptarëve, për votën e lirë, për të ardhmen tonë”, tha Berisha. 

Policia njoftoi një ditë më parë se ka marrë të gjitha masat për zhvillimin e kësaj proteste dhe u bëri apel pjesëmarrsve që të distancohen nga çdo akt dhune.

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata që do të marrin pjesë  në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë publike dhe jetën dhe çdo akt dhune ndaj  institucioneve shtetërore, pronës publike e private, ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve”,njofton Policia, shkruan A2.

Sipas policisë do të jenë të paktën 15 akse dhe kryqëzime të të gjithë kryeqytetit që mund të bllokohen nga protestuesit.

“Në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi "Nënë Tereza" dhe në rrugët: "Ukraina e Lirë", "Papa Gjon Pali II" dhe "Ismail Qemali".

Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe disa akse rrugore që lidhen me bulevardin kryesor.

Policia kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Kufizimet në akset e tjera:

Kafe “Europa” - Segmenti "Ushtari i panjohur" deri te 9-katëshet;

Shkolla "1 Maji" - kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit;

Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;

Sheshi “Skënderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës;

Kryqëzimi i Librit Universitar;

Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla "Sabaudin Gabrani";

Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”;

Rrethrrotullimi "Zogu i Zi";

Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit;

Kryqëzimi i urës së Taiëanit;

Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”;

Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”;

Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave;

Rruga "Dritan Hoxha", përpara vendit të quajtur “Kupola”;

Kryqëzimi i pallatit me shigjeta.

The post Bllokohet trafiki te shtëpia e Ramës, çfarë pritet të ndodhë sot në protestën e opozitës në Shqipëri appeared first on Gazeta Express.

Subjekteve politike u kërkohet t’i kenë 50% gra në lista zgjedhore -DnV ua rekomandon modelin “zebër”

7 October 2024 at 10:22

Demokracia në Veprim i është drejtuar me një letër krerëve të subjekteve politike në vend duke iu kërkuar që lista e kandidatëve për deputetë të jetë e ndarë në mënyrë të barabartë për dy gjinitë.

DnV ka përmendur modelin Zebër- çdo i dyti kandidat të jetë i gjinisë tjetër.

“Përkundër që legjislacioni ynë aktual ka një prag të garantuar prej 30% për gjininë më pak të përfaqësuar në listat zgjedhore, kjo nuk do të duhej t’a kufizojë ambicien e subjekteve politike për të përfshirë sa më shumë gra, dhe për të tentuar krijimin e listave sipas modelit ZEBER. Ky model, me renditje të barabartë mes grave dhe burrave – ku çdo i dyti kandidat është i gjinisë tjetër – do të garantonte një përfaqësim më të drejtë gjinor dhe do të siguronte që gratë të kenë një mundësi më të madhe për t’u zgjedhur në Kuvendin e Kosovës.”

DnV thotë se përzgjedhja e këtij modeli do të kontribuojë në promovimin e një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese.

“Modeli “zebër”, që ka filluar të gjejë zbatim edhe në shtetet e rajonit dhe më gjerë duhet parë si masë afirmative dhe praktike për të siguruar përfshirjen e grave, pa kompromentuar vlerën e votës së barabartë. Ky hap përpara do të kontribuojë në promovimin e një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, duke ndikuar pozitivisht në kulturën politike të vendit tonë dhe në vetë demokratizimin e brendshëm të partive.”

DnV shton se barazia gjinore nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një përgjegjësi politike dhe morale.

“Barazia gjinore nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një përgjegjësi politike dhe morale që ne të gjithë duhet të promovojmë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Roli juaj është vendimtar në këtë periudhë, dhe angazhimi juaj do të jetë thelbësor në realizimin e këtij qëllimi. Ne besojmë se miratimi i listave zebra do të përmirësojë jo vetëm përfaqësimin e grave, por edhe besimin e qytetarëve në institucionet tona demokratike.”

The post Subjekteve politike u kërkohet t’i kenë 50% gra në lista zgjedhore -DnV ua rekomandon modelin “zebër” appeared first on Gazeta Express.

Zuckerberg bëhet personi i dytë më i pasur në botë

7 October 2024 at 10:17

Mark Zuckerberg është bërë personi i dytë më i pasur në botë për herë të parë.

Drejtori Ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i Metas ka mposhtur edhe Jeff Bezosin e Amazon pasi aksionet e kompanisë së tij u rritën.

Pasuria neto e 40-vjeçarit tani qëndron në 206.2 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg, duke e vendosur atë 1.1 miliardë paund përpara Bezos, por pothuajse 50 miliardë dollarë pas njeriut më të pasur në botë, Elon Musk të Teslas, shkruan skynews.

Bëhet e ditur se së fundmi vlera e tregut të Metas u rrit për rreth 10% në 1.45 trilion dollarë, pasi aksionet e saj arritën një nivel historik prej 582.77 dollarë.

Rritja u nxit nga zbulimi i prototipit të parë të funksionimit të syzeve AR të quajtura Orion, dhe prezantimi i aftësive të reja me AI.

Ndryshe, në shtator, Meta tha se më shumë se 400 milionë njerëz po përdornin shërbimet e saj me Al çdo muaj.

The post Zuckerberg bëhet personi i dytë më i pasur në botë appeared first on Gazeta Express.

Prishtina nënshkruan kontrata me 24 operatorë privatë-Rama: Nëse s’blejnë autobus të rinj u revokohen licencat

7 October 2024 at 10:13

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontrata me 24 operatorë privatë të transportit publik. Përmes kësaj kontrate, këta operatorë obligohen që të blejnë autobusë të rinj brenda një viti, në të kundërtën atyre mund t’u revokohet licenca.

Kontrata tetëvjeçare, mes tjerash, përcakton që operatorët do të paguhen sipas kilometrave të realizuar.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka thënë se kjo marrëveshje, e cila hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do të krijojë një ekuilibër ndërmjet sektorit publik dhe privat.

Ai ka theksuar se me këto marrëveshje “transformuese” për trafikun urban, standardi ndërmjet sektorëve do të jetë i barabartë, ndërsa nga 1 janari qytetarët do ta blejnë veç një biletë.

“Kjo ditë shënon një transformim të trafikut urban, duke i nënshkruar 24 kontrata me sektorin privat. Prej sot e tutje, kontratat do t’i kenë tetëvjeçare. Këto kontrata u mundësojnë që të investojnë në autobusë të rinj. Kemi punuar shumë që ta krijojmë një sistem të ri dhe në mënyrë që qytetarët ta blejnë veç një biletë. Që nga 1 janari qytetarët do ta blejnë veç një biletë”, ka deklaruar Rama.

“Kjo e krijon një ekuilibër dhe një baras-peshë të shërbimeve që do të ketë një ‘garë’ ndërmjet sektorit privat dhe publik në mënyrë që standardi të jetë i barabartë. Kontrata është njëvjeçare që t’i blejnë autobusët, në të kundërtën do t’u merret licenca”, ka theksuar tutje ai, transmeton EO.

The post Prishtina nënshkruan kontrata me 24 operatorë privatë-Rama: Nëse s’blejnë autobus të rinj u revokohen licencat appeared first on Gazeta Express.

Dyshohet se kanosi dy zyrtarë policorë, arrestohet dhe suspendohet polici në Fushë Kosovë

7 October 2024 at 10:11

IPK ka njoftuar se dje është arrestuar një zyrtar policor në Fushë Kosovë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”.

Ai dyshohet se i ka kanosur dy zyrtarë policorë tjerë.

“Inspektorati Policor kishte pranuar informacione nga Policia e Kosovës se ky zyrtar policor (zyrtar i njësisë për mbrojtje të afërt i cili ishte jashtë detyrës zyrtare) dyshohet se ka kanosur dy zyrtarë policorë  të kanë qenë në detyrë.”

IPK thotë se dyshohet që kanosja ka ndodhur  pas një mosmarrëveshje në komunikacionin rrugor në rrugën “Dardania”, në kryqëzim me rrugën “Hajrullah Zymi”, pranë shkollës “Mihail Grameno” në Fushë Kosovë.

“Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë  kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor  i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar. Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.”

The post Dyshohet se kanosi dy zyrtarë policorë, arrestohet dhe suspendohet polici në Fushë Kosovë appeared first on Gazeta Express.

Elezi, KQZ: Deri më tani 5,571 shtetas u regjistruan për të votuar jashtë Kosovës

7 October 2024 at 10:10

Që nga 29 gushti kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, në këtë instiuticion janë regjistruar suksesshëm 5,571 shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët duan të votojnë në Zgjedhjet për Kuvend.

Këto të dhëna janë bërë të ditura për gazetën online Reporteri.net nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se procesi i regjistrimit do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.

“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 6 tetor 2024, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar 6,069 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 5,571, ndërsa 498 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, tha Elezi.

Sipas të dhënave të prezantuara nga ai, vërehet qartë se regjistrimi për të votuar përmes postës mbetët mënyrë më e preferuar për shtetasit e Kosovës në krahasim me votimin fizikisht në përfaqësitë diplomatike.

“Nga 5,571 aplikime të aprovuara, 1,912 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 651 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 3,008 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, njoftoi Elezi.

Në përgjithësi duke folur për përgatitjet për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, Zëdhënësi i KQZ-së tregoi se janë duke u zhvilluar njëkohësisht një numër i madh i aktiviteteve zgjedhore, të cilat ndërlidhen me votuesit dhe subjektet politike.

“Shumë nga aktivitetet zgjedhore të cilat ndërlidhen me votuesit kanë filluar dhe janë në zhvillim e sipër, siç është periudha për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës (29 gusht – 26 dhjetor 2024); periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës (29 gusht – 26 dhjetor 2024) dhe periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese (29 gusht – 28 dhjetor 2024). Gjithashtu, është duke u zhvilluar edhe periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë (1 shtator – 11 dhjetor 2024)”, tha ai.

The post Elezi, KQZ: Deri më tani 5,571 shtetas u regjistruan për të votuar jashtë Kosovës appeared first on Gazeta Express.

Aksioni i policisë në Pallatin e Rinisë, raportohet se janë arrestuar dy zyrtarë

7 October 2024 at 10:05

Njësitet speciale të policisë kanë nisur një aksion në Pallatin e  Rinisë, pas një urdhri nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Policia po realizon bastisje në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, deri tash dy persona janë arrestuar.

Sipas RTK-së, të arrestuar janë F.R, ish-menaxher i Prokurimit, zv.shef i sigurimit dhe A.Z, ish-ud. kryeshef, tash në zyrën për financa.

Njësitet e krimeve ekonomike po vazhdojnë bastisjet edhe në këto momente.

The post Aksioni i policisë në Pallatin e Rinisë, raportohet se janë arrestuar dy zyrtarë appeared first on Gazeta Express.

Bora Zemani thotë se nuk ka asnjë operacion plastik

7 October 2024 at 09:59

Moderatorja Bora Zemani, një nga personazhet e showbizit e komentuar në lidhje me operacionet plastike ka rrëfyer ndërhyrjet që ka bërë.

Ajo tha se ka bërë një operacion për lindjen e djalit, Arborin dhe një tjetër kur ka hequr apendicitin.

Bora Zemani shprehet se nuk është kundër operacioneve plastike, por thotë se ka frikë nga rezultati, ndaj nuk e ka marrë këtë iniciativë, teksa ka shtuar se vetë ka bërë trajtime, por jo ndërhyrje.

Megjithatë ka theksuar se nuk ka asgjë kundër ndërhyrjeve të tilla.

Po ashtu ajo ka zbuluar se nëse do të bënte një operacion, do të dëshironte të zvogëlonte gjoksin.

The post Bora Zemani thotë se nuk ka asnjë operacion plastik appeared first on Gazeta Express.

Aksion i Prokurorisë Speciale në Ndërmarrjen ‘Pallati i Rinisë’

7 October 2024 at 09:43

Mëngjesin e sotëm njësitet speciale të Policisë zbarkuan në Ndërmarrjen Publike “Pallati i Rinisë” pas një urdhëri nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Dyshimet për keqpërdorim janë arsyet pse një person tashmë është vënë në pranga.

Kallxo ka parë se brenda hapësirave nga ku doli i dyshuari i prangosur janë edhe disa hetues policor.

Dy vetura të policisë janë vendosur nga hyrja kryesore e Pallatit, ndërsa i arrestuari me pranga u fut në një makinë e më pas u transportua për në stacion policor për intervistim.

Brenda hapësirave nga ku i nxor i prangosuri po vazhdojnë të mbesin edhe disa hetues policor.

The post Aksion i Prokurorisë Speciale në Ndërmarrjen ‘Pallati i Rinisë’ appeared first on Gazeta Express.

Foda mban konferencë për shtyp sot në prag të ndeshjeve të tetorit

7 October 2024 at 09:43

Selektori i Kosovës, Franco Foda do të mbajë sot konferencë për shtyp në prag të ndeshjeve të tetorit.

Dardanët do të përballen me Lituaninë në udhëtim më 12 tetor, ndërsa tri ditë më pas, respektivisht më 15 të këtij muaji do ta presin Qipron në stadiumin e rihapur “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Këto ndeshje do të jenë në kuadër të Ligës së Kombeve, shkruan “Gazeta Express”.

Federata e Futbollit të Kosovës njofton se trajneri Foda do ta mbajë konferencën për shtyp sot duke filluar nga ora 12:30 në hotel “Emerald”.

Ndërsa, më pas gjatë ditës do të nisë edhe grumbullimi i ekipit, i cili mund të kompletohet nesër, shkaku i angazhimeve që i kishin dje dhe mbrëmë disa lojtarë të Kombëtares.

Në këtë grumbullim Kosovës do t’i mungojë sulmuesi kryesor, Vedat Muriqi, i cili është i lënduar.

Kosova i ka grumbulluar tri pikë në grup duke humbur muajin e kaluar në shtëpi nga Rumania (0:3) dhe më pas duke e mposhtur Qipron në udhëtim (4:0).

Dardanët synojnë ta mbyllin grupin si liderë në Ligën C, Grupi 2. /Gazeta Express/

The post Foda mban konferencë për shtyp sot në prag të ndeshjeve të tetorit appeared first on Gazeta Express.

❌
❌