Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 September 2024Main stream

Turizmi ‘u zbeh’ gjatë verës/ Gushti me rritje më të vogël të hyrjeve. Shqiptarët ikën jashtë

25 September 2024 at 13:46

Nga Gazeta ‘SI’ – Në Shqipëri kanë hyrë 3.1 mln shtetas gjatë muajit gusht 2024, me rritje 9% nga një vit më parë. Rreth 940 mijë ishin shtetas shqiptarë me rritje 14% dhe pjesa tjetër të huaj me rritje 7.2%. Shifrat tregojnë se turizmi nuk po “shkëlqen” siç ishte parashikuar dhe as si një vit më parë.  Gushtin e 2023-shit rritja e hyrjeve raportohej me 17% dhe atyre të huajve me 20.6%.

Në 8 muaj në Shqipëri kanë hyrë 13.8 mln shtetas, nga të cilat 8.5 mln janë të huaj.

96% e shtetasve të huaj vinin nga Europa, raporton INSTAT.

Në 99% të rasteve, hyrjet n Shqipëri ishin me qëllime personale, pra pushime apo vizita tek të afërm. Ky tregues është rritur me 10.4% nga gushti i shkuar. Rritje të ndjeshme kanë pasur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime Biznesi dhe profesionale, me 49.4%.

Edhe numri i shqiptarëve të larguar nga Shqipëria gjatë të njëjtin muaj është rritur me 9.2% nga  gushti i shkuar, mbi 901 mijë. “Sabotimi” nga turistët shqiptarët u raportua dhe në numrin e netë qëndrimeve në subjektet turistike të vendit.

Referuar muajit korrik 2024, INSTAT tregoi se edhe pse në mes të sezonit, numri i netëve të kaluara në një hotel apo të ngjashme pati rritjen më të vogël në më shumë se 1 vit. Treguesi u rrit vetëm 16%, në total pak mbi 1.2 mln netë qëndrime. Korrikun e 2023-shit, ky tregues ishte mbi 48%.

The post Turizmi ‘u zbeh’ gjatë verës/ Gushti me rritje më të vogël të hyrjeve. Shqiptarët ikën jashtë appeared first on Gazeta Si.

Dyshimet për pastrim parash dhe llogari offshore, Tatimet do të krijojnë një regjistër për pasanikët e Shqipërisë

25 September 2024 at 10:53

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria parashikon të krijojë një regjistër me të gjithë individët e pasur në Shqipëri, njohur ndryshe si 10 përqindëshi.

Në Strategjinë Afatmesëm 2024-2027, thuhet se regjistri do të ketë 12.800 takspagues, që cilësohen si të pasur.

Qëllimi i këtij regjistri është shmangia e evazionit fiskal dhe verifikimin e pasurisë reale me atë të deklaruar. Që Administrata Tatimore të bëjë analizat e përputhshmërisë i duhet fillimisht regjistri.

“Akumulimi i pasurive të pajustifikuara – ku të ardhurat e deklaruara dhe burimet e fondeve janë qartësisht të pamjaftueshme për të financuar stilin e jetës dhe aseteve – është një faktor kryesor në minimizimin e besimit në sistemin tatimor”, shkruhet në dokumentin e Strategjisë.

Në 3 vitet e ardhshme, qeveria synon të përfundojë ngritjen e regjistrit dhe plotësimin e tij, përdorimin e të dhënave nga palë të treta, fatura, automjete etj. Kryerja e procedurave të auditimit për mbi 200 tatimpaguesit e përzgjedhur, bazuar në vlerësimin e riskut brenda viti 2026. Kryerja e të paktën 500 analizave hetimore brenda qershor 2027, bazuar në planet vjetore të AT. Si edhe shkëmbimi i këtij informacioni me administratat e huaja.

Drafti thekson se Tatimet do të kryejnë dhe analiza periodike mbi rastet e evazionit tatimor në lidhje me juridiksionet offshore. DPT ka hartuar një rregullore të brendshme që përcakton mënyrën e rrjedhjes së informacionit në DPT, si dhe mënyrën e monitorimit të bankave mbi zbatimin e verifikimit të duhur.

Aktualisht, DPT po ndërmerr një projekt pilot me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë për të krahasuar individët që zotërojnë makina luksoze me deklarimin e tyre të të ardhurave personale, (DIVA) si fazë e parë e këtij projekti dhe në të ardhmen për të zgjeruar shkëmbimin e informacionit në asetet e tjera të tatimpaguesit. Gjithashtu, po konsiderohen edhe individët subjekt sanksionesh në përputhje me marrëveshjen që vendi ynë ka me organizatat ndërkombëtare.

The post Dyshimet për pastrim parash dhe llogari offshore, Tatimet do të krijojnë një regjistër për pasanikët e Shqipërisë appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 24 September 2024Main stream

Muzika e Diddy-t po dëgjohet më shumë pas skandalit seksual

24 September 2024 at 18:02

Katalogu i gjerë muzikor i reperit Sean “Diddy” Combs ka përjetuar një rritje të dukshme që prej arrestimit të tij javën e shkuar.

Të dhënat nga industria e muzikës tregojnë se këngët me firmën e P.Diddy u luajtën 18.3% më shumë në platformat online, gjatë javës së arrestimit të tij krahasuar me javën paraardhëse.

George Howard, një profesor i menaxhimit të biznesit muzikor në kolegjin e Berklee, tha se për ë rritja nuk është surprizë. Ai thotë se të dëgjosh një këngë është sikur ta kërkosh atë në Google, për të shuar kuriozitetin.

“Muzika është një copëz tjetër informacioni ndërkohë që njerëzit mundohen të kuptojnë skandalin. Pra ata mendojnë se çfarë muzike mund të prodhojë dikush që është i aftë të bëjë gjëra të tilla”, tha Howard.

Combs ka patur shumë eksperienca dhe në biznes, nga prodhimet televizive tek vodka dhe shumë njerëz e kanë njohur më parë si biznesmen e jo si muzikant. “Është njësoj sikur të kalosh pranë një aksidenti me makinë, ti do kthesh kokën”.

Rritja e klikimeve në mes të një situate kontroverse nuk është e pazakontë. Pasi doli dokumentari i këngëtarit R.Kelly që akuzohej për marrëdhënie me vajza të mitura, klikimet e tij u dyfishuan.

Combs akuzohet për trafik seksual dhe shantazh federal dhe akuzat që datojnë që nga viti 2008, e akuzon atë për abuzim, kërcënim dhe shtrëngim të grave për vite me radhë “për të përmbushur dëshirat e tij seksuale, për të mbrojtur reputacionin e tij dhe për të fshehur sjelljen e tij”.

Ai ka mohuar të gjitha akuzat./The Guardian

The post Muzika e Diddy-t po dëgjohet më shumë pas skandalit seksual appeared first on Gazeta Si.

Liria ekonomike, Shqipëria humb pikë. Probleme në qeveri dhe drejtësi

24 September 2024 at 15:44

Nga Gazeta ‘SI’ – Liria ekonomike në Shqipëri për vitin 2024 është ulur nga një vit më parë, tregon indeksi i publikuar nga “Heritage Foundation”.

Shqipëria vlerësohet me 64.8 pikë, ndërsa një vit më parë vlerësohej me 65.3 pikë. Në rang rajonal Shqipëria mban vendin e 27-të, ndërsa në rang botëror vendin e 48-të.

Sipas fushave që raporti analizon për të matur lirinë ekonomike, ngërç për Shqipërinë është integriteti i qeverisë, që mat nivelin e korrupsionit, nepotizmin dhe burokracinë në shërbimet publike dhe vlerësohet me 36.6 pikë, ndjekur nga sistemi ligjor dhe liria financiare, të dyja me 50 pikë.

Vlerësimin më të lartë vendi jonë e merr në matësin e “barrës fiskale”, ku vlerësohet me 88.8 pikë.

Sipas standardit të indeksit, ekonomia e Shqipërisë konsiderohet nga raporti si vend “mesatarisht e lirë”.

Sipas shpjegimit që jep Indeksi, liria ekonomike e një shteti përcakton autonominë individuale: lirinë e zgjedhjes që gëzojnë individët në marrjen dhe përdorimin e mallrave dhe burimeve ekonomike, pa ndërhyrjen e qeverisë.

The post Liria ekonomike, Shqipëria humb pikë. Probleme në qeveri dhe drejtësi appeared first on Gazeta Si.

Konkursi i shkrepjeve më të bukura të zogjve, fotot fituese

24 September 2024 at 14:25

Shkrepja e Patricia Homonylo që trego zogj të vrarë nga përplasja me xhamat ka fituar çmimin e parë në konkursin e fotografit më të mirë të zogjve për këtë vit. Në total ishin 23.000 aplikime, por këtu janë shkrepjet fituese./TheGuardian

The post Konkursi i shkrepjeve më të bukura të zogjve, fotot fituese appeared first on Gazeta Si.

Mbetjet, inceneratorët trajtuan vetëm 4.6% të tyre. Landfillet, depozitat kryesore të plehrave

24 September 2024 at 13:43

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë vitit 2023, vetëm 4.55% e mbetjeve u trajtuan në incenerator nga 4.39% në vitin 2022, raporton INSTAT.

Sipas metodave të trajtimit të mbetjeve në vend, depozitimi në landfille mbetet më e përdorura duke menaxhuar 75.5% të mbetjeve në total për vitin 2023. 18.8% e mbetjeve u ricikluan. Të dy treguesit e fundit kanë një rënie të lehtë nga viti 2022, respektivisht me 0.1 pikë përqindje dhe 0.08 p.p.

Por në total INSTAT raporton se në 2023-shin u menaxhuan më shumë mbetje se në 2022-shin, rreth 22 mijë tonë. Instituti nuk raporton të dhënat e mbetjeve kg/ban për 2023 duke theksuar do të plotësohen sapo të publikohen vlerësimet e Popullsisë vjetore për vitet sipas Cens 2023.

Mbetjet organike vazhdojnë të dominojnë menaxhimin e mbetjeve urbane. Kjo kategori zë peshën më të madhe të mbetjeve urbane të menaxhuara, me një peshë që ka mbetur relativisht e qëndrueshme, 57-58 %, në tre vitet e fundit.

Ndiqen nga mbetjet plastike dhe materialet prej letre ose kartoni me 9.27% dhe 9% respektivisht. Inertet pasojnë në renditje me një peshë prej 5.91%. Në të kundërt, peshën më të vogël e zënë mbetjet spitalore me 0.06% të totalit.

The post Mbetjet, inceneratorët trajtuan vetëm 4.6% të tyre. Landfillet, depozitat kryesore të plehrave appeared first on Gazeta Si.

Rregullorja e re, çmimi i sigurimit të makinës do të përcaktohet sipas riskut që ka mjeti

24 September 2024 at 13:11

Nga Gazeta ‘SI’ – Sigurimi i mjeteve do të ndryshojë nga 2025-a dhe jo të gjithë do të paguajnë njësoj.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar një rregullore të re që i përcakton tarifat e sigurimeve të detyrueshme të mjetit sipas një liste faktorësh që përcaktojnë rrezikun për dëme.

Pra, për të vendosur tarifën e një police sigurimi kompanitë duhet të kenë parasysh faktorët e riskut si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo

Po ashtu kompanitë mund të shënojnë aty më shumë faktorë risku, sipas analizës së tyre.

Shoqëritë e sigurimit do t’i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas metodologjisë së përcaktuar, por janë të detyruara të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.

Së bashku me njoftimin për aplikimin e tarifave të reja të primit, shoqëritë e sigurimit duhet të depozitojnë pranë Autoritetit bazën teknike të të dhënave, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e primeve të sigurimit, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë, të paraqitur në formën e një raporti me shkrim.

Kompanitë nuk mund t’i ndryshojnë tarifat më shumë se dy herë brenda një viti kalenderik dhe duhet të publikojnë në faqen e internetit gjatë gjithë periudhës së zbatimit, koeficientët e faktorëve të riskut, shoqëruar me raste të zbatimit të tyre në praktikë, si dhe primet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit.

Shoqëritë e sigurimit gjithashtu duhet të mbajnë të afishuara në çdo pikë shitjeje tabelat me primet e sigurimit, të miratuara gjatë periudhës së zbatimit të tyre.

Rregullorja e re do të hyjë në fuqi në 1 janar 2025.

The post Rregullorja e re, çmimi i sigurimit të makinës do të përcaktohet sipas riskut që ka mjeti appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Komuniteti Mysliman kundërshton krijimin e një shteti Bektashi në Shqipëri: Precedent i rrezikshëm

23 September 2024 at 19:29

Nga Gazeta ’SI’ – Deklarata e bërë nga kryeministri Edi Rama në një intervistë për “New York Times” për themelimin e një shteti Bektashi brenda Shqipërisë duke sjellë shembull Vatikanin, ka krijuar debate të forta në opinionin publik.

Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar edhe Komuniteti Mysliman Shqiptar, i cili e ka cilësuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Deklarata e plotë:

Nisur nga interesi i lartë i besimtarëve, mediave dhe opinionit publik, lidhur me hapjen e diskutimit për themelimin e “Sovranitetit të Urdhërit Bektashi” në Tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë deklarohet sa më poshtë vijon:

Komuniteti Myliman i Shqipërisë është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri.

Feja jonë ka tre komponentë themelorë mbi të cilët ushtron veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërisë për mbi një shekull, të cilët janë:

1-Kurani Famëlartë, fjala e Zotit të Gjithësisë,

2-Tradita Profetike,

3-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Në këtë kontekst, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me deklaratat publike ku flitet për “Islam modern” apo “Islam shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë.

Këto terma nuk kanë asnjë lidhje me Islamin si fe, e cila është fe universale dhe bazohet mbi Kuranin dhe Traditën Profetike dhe respekton kushtetutat e ligjet në çdo vend ku bën pjesë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni nën obrellën e të cilit kanë qenë dhe do të vijojnë të jetë të përfaqësuara të gjitha tarikatet derivate.

Ky ka qenë edhe qëllimi i dijetarëve mylimanë të cilët kanë punuar për një Shqipëri të pavarur, laike dhe multi fetare.

Komuniteti Mysliman është mazhoritar në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend.

Ky komunitet nuk e ka cilësuar kurrë harmoninë e dialogun si “domain” të tijin, pasi kjo vlerë e jashtëzakonshme që ekziston në vendin tonë është kontribut i secilit dhe i të gjithëve bashkë.

Në këtë kuptim, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Të gjitha fetë abrahamike në thelbin e tyre kanë si qëllim t’i shërbejnë rrugës së Zotit dhe të japin kontributin e tyre në shoqëri, siç bëjnë prej mijëra vitesh.

Kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Sa më lart sqaruam, ne sigurojmë besimtarët myslimanë në Republikën e Shqipërisë se do t’i përfaqësojmë ata dhe çdo besimtar të cilit do tarikat, ashtu siç kemi bërë deri më sot, edhe në vijim.

Ne do të vijojmë ta ndjekim me vëmendje këtë çëshjte dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë.

The post Komuniteti Mysliman kundërshton krijimin e një shteti Bektashi në Shqipëri: Precedent i rrezikshëm appeared first on Gazeta Si.

Peleshi: Korçës mund t’i hiqet një mandat për zgjedhjet e 2025-s dhe t’i kalojë Tiranës

23 September 2024 at 18:49

Nga Gazeta ‘SI’ – Drejtuesi politik i PS për qarkun e Korçës, Niko Peleshi tha se qarku i Korçës mund të ketë një mandat më pak në zgjedhjet e ardhshme parlamentare 2025.

Nga vizita e tij në Kolonjë sot Peleshi theksoi se ky mandat mund t’i kalojë Tiranës, për shkak të rritjes së numrit të popullsinë së kryeqytet.

Nga 11 mandate që qarku i Korçës ka pasur deri në zgjedhjet e 2021, numri i ligjvënësve që mund të zgjedhë do të jetë 10, ndërsa Peleshi thekson se synimi i partisë socialiste është të fitojnë zgjedhjet dhe të anëtarësojnë Shqipërinë në BE.

“Ka mundësi që për shkak të rritjes së numrit të votuesve të popullsisë në Tiranë, qarku i Korçës mund të ketë një mandat më pak, ndonëse Korça si bashki dhe qark ishte zona me uljen më të vogël të popullsisë. Objektivi ynë vazhdon të jetë i njëjti, ne do të marrim minimalisht 6 deputetë, me një diferencë prej të paktën 2 deputetësh nga PD, por duke patur parasysh dhe potencialin e ri që i ofrohet politikës me kodin e ri të ndryshuar zgjedhor, që është vota e Diasporës, objektivat dhe mund të rriten sepse ka një potencial të madh në Diasporë. Pra ne mund të kemi votues në Diasporë po aq sa edhe në Shqipëri. Një nga pikat e takimit në çdo asamble të Ps në bashkitë e qarkut është organizimi për votën e Diasporës.

Nëse do të jenë 10 deputetë do jenë 3 mandate të mbyllura në qarkun e Korçës, nëse do të jenë 11 deputetë do të jenë 4 mandate të mbyllura. Këtu nuk është çështja e emrave, as e emrit tim, as e ndonjë emri tjetër. Objektivat janë me numra jo me emra, ne duam të mbajmë minimalisht 6 deputetë në qark”, tha Peleshi.

The post Peleshi: Korçës mund t’i hiqet një mandat për zgjedhjet e 2025-s dhe t’i kalojë Tiranës appeared first on Gazeta Si.

Plagoset shqiptari në Athinë

23 September 2024 at 18:38

Nga Gazeta ‘SI’ – Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e sotme në Greqi, ku si pasojë është plagosur një person.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Omonias, në qendër të Athinës. Sipas mediave greke, i plagosuri është shqiptar.

Ai po trajtohet në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e cila ka shkuar në vendngjarje ka gjetur shtatë gëzhoja, ndërkohë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

The post Plagoset shqiptari në Athinë appeared first on Gazeta Si.

Euro në të kuqe, këmbehet me 99.08 lekë

23 September 2024 at 15:20

Nga Gazeta ‘SI’ – Euro ka nisur javën me një rekord të ri minimal në këmbim me lekun.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, këtë të hënë një euro këmbehet me 99.08 lekë, vlera më e ulët e regjistruar ndonjëherë.

Valutat e tjera kryesore shënuan një rritje të lehtë ditën e hënë, por duke qëndruar sidoqoftë pranë niveleve të ulëta shumëvjeçare. Dollari amerikan këmbehej me 89.22 lekë.

Në 30 ditët e fundit, kursi i këmbimit të euros ka rënë me 1.4%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 6.9%. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë për herë të fundit në kursin e këmbimit valutor në fillim të muajit gusht.

Në kulmin e sezonit veror, kur pritej goditje e fortë e euros, pati një stabilizim të kursit të këmbimit, por shtatori riktheu rënien.

Sipas BSH flukset e mëdha të euros nga turistët, investimet e huaja dhe eksportet po ushtrojnë presion mbi monedhën europiane. Vetë guvernatorit Genti Sejko i bëri thirrje qeverisë për bashkëpunim, pasi Banka e vetme nuk mban dot kursin.

Sejko ripërsëriti rolin e parasë informale në zhvendosjen e kursit të këmbimit dhe theksoi se në një vit monedha europiane është zhvlerësuar me 20% kundrejt lekut.

“Vjet kemi pasur 6 miliardë euro të hyra formale, por sidoqoftë ne nuk e kemi mohuar kurrë edhe prezencën e parasë informale përsa kohë kemi nivel të lartë informalitetin në ekonomi. Për këtë arsye ekziston edhe paraja informale që mund të vijë nga burimet kriminale, evazioni fiskal ose edhe të tjera,” deklaroi ai.

The post Euro në të kuqe, këmbehet me 99.08 lekë appeared first on Gazeta Si.

Bitcoin arrin vlerën më të lartë në një muaj. Investitorët shpresojnë për ulje të normave të interesit

23 September 2024 at 15:16

Çmimi i Bitcoin u rrit këtë të hënë duke prekur vlerën më të lartë në një muaj.

Kriptomonedha më e madhe në botë tregtohet me 63.9 mijë dollarë, me një rritje 1.3% nga fundjava, pas një entuziazmi midis investitorëve që presin ulje të normës së interesit nga Banka Federale e SHBA-së.

Bitcoin ndikoi në të gjithë tregun e kriptove edhe pse tregu shfaqet ende i brishtë. Përtej SHBA-së edhe bankat në vendet europiane jashtë BE-së po presin ulje të normës së interesit.

Normat më të ulëta janë sinjal i mirë për Bitcoin, duke pasur parasysh se ato çlirojnë likuiditet për t’u investuar në asete me rrezik si kripto.  Por fitimet e përgjithshme në Bitcoin janë ende të kufizuara, duke pasur parasysh se banka Federale sinjalizoi se normat mund të mos bien shumë në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Tregjet e kriptove gjithashtu duhet të përballen me një mjedis rregullator të pasigurt, veçanërisht përballë një gare të ngushtë zgjedhore të vitit 2024 në SHBA.

Sinjalet e fundit nga Banka e Japonisë kufizuan gjithashtu përparimin e Bitcoin, megjithëse BOJ pritet të përballet me rezistencë të shtuar ndaj rritjeve të ardhshme të normave të interesit nga një ndryshim i udhëheqjes në qeverinë japoneze.

Tregjet më të gjera të kriptomonedhave ishin të përziera, me kriptomonedhën nr.2 në botë, Ethereum, që u rrit me 2.9% në 2,657.20 dollarë.

SOL dhe XRP ranë përkatësisht 0.9% dhe 0.5%.

The post Bitcoin arrin vlerën më të lartë në një muaj. Investitorët shpresojnë për ulje të normave të interesit appeared first on Gazeta Si.

Drogë dhe orgji/ Brenda festave ‘të bardha’ të reperit Diddy (fotot)

23 September 2024 at 15:06

Një shpërndarës droge mbeti i shokuar nga Sean “Diddy” Combs dhe festat e tij të çmendura ku pa dy persona të famshëm duke kryer marrëdhënie me njëri-tjetrin.

Shpërndarësi tha se Diddy i hapi atij derën i veshur vetëm me një peshqir dhe e futi në vilën e tij në Hampton për të bërë pazarin e kokainës.

“Po ndodhnin gjëra mjaft të çuditshme. Djem të famshëm që kryenin marrëdhënie me njëri-tjetrin. Aty kishte dhoma të fshehta, si një vend i shenjtë.

P Diddy i fotografuar në një nga festat në vilën e tij. Ai po mbahet në burg teksa i është refuzuar lirimi me kusht për 50 mln dollarë.
Ilustrim grafik i reperit gjatë seancës dëgjimore në Gjykatën e Manhatanit më 18 shtator 2024.
Diddy duke hedhur shampanjë mbi dy gra pothuajse të zhveshura në një nga festat e tij në vitin 1998.

“Pashë njerëz që nuk e beson kurrë se do të bënin gjëra të tilla, reperë, kjo më shokoi më shumë”, tha shitësi për The Post. “Unë nuk do i them emrat e tyre por unë e humba menjëherë respektin që kisha për to dhe nuk mund t’i marr më seriozisht”.

Ai shtoi se djemtë dhe vajzat e famshme që ishin në festë ishin të droguar me ketaminë dhe GHB, lloj anti-depresanti.

Vila e Diddyt në Hampton, ku kanë ndodhur ngjarjet shokuese.
Leonardo DiCaprio ishte një nga të ftuarit e Diddyt në festën e tij.
Diddy me Paris Hilton dhe Kim Kardashian gjatë një feste në vilën e tij.
Nga e majta, Howard Stern, Kelly Osbourne, Beth Ostrosky, ish-gruaja e ndjerë e Diddyt në “Festën e Bardhë”

Vila gjigande e Diddy-t në Hampton është skena ku kanë ndodhur shumë shthurje midis reperevëe e këngëtarëve të profilit të lartë të cilët drogoheshin dhe kryenin marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin.

Shtëpia e Diddy njihet për eventin e “Festave të Bardha”, që ishin një magnet për VIP-at në vitet 2000. Jay Z, Leonardo DiCaprio, Mariah Carey etj janë ndër emrat që vizitonin shpesh festat e reperit që është tashmë nën arrest.

Sipas padisë federale kundër Diddy-t, festat e shthurura përmbanin performanca seksuale të organizuara dhe menaxhuara nga vetë Diddy dhe shpesh herë ai i regjistronte ato në video dhe masturbonte ndërkohë.

Mariah Carey dhe Diddy në një nga festat në vilë, 2007

Diddy tha se është i pafajshëm, por ai vazhdon të mbahet në burgun e Manhatan deri në gjyqin e ardhshëm. Lirimi me kusht i është mohuar dy herë.

Aktakuza flet për kontroll të plotë të Combs ndaj viktimave të tij me dhunë fizike, premtime për ngjitje në karrierë, mbështetje financiare dhe forma të tjera, përfshirë drogimin e tyre.

Reperi është akuzuar nga shumë persona për dhunë seksuale, përfshirë ish-partneren e tij Cassie Ventura.

Padia e saj pretendonte se Combs e futi këngëtaren në “mënyrën e tij të jetesës, me ritme të shpejta dhe të mbushura me drogë” jo shumë kohë pasi ajo e takoi atë, dhe e firmosi atë në kompaninë e tij në 2005 kur ajo ishte vetëm 19 vjeç dhe ai ishte 37.

Ventura tha se modeli i abuzimit filloi sapo filloi lidhja e tyre dhe se, ndërsa ajo po përpiqej t’i jepte fund në 2018, ai u fut me forcë në shtëpinë e saj në Los Angeles dhe e përdhunoi.

Më 17 maj, pamjet e vëzhgimit të marra nga CNN treguan një incident që dukej se vërtetonte pjesë të padisw së Venturës. Videoja nga marsi 2016 tregoi Combs duke e ndjekur atë nëpër korridorin e një hoteli në Los Anxhelos dhe duke vazhduar ta godiste me grusht dhe shkelm jashtë një ashensori.

Diddy mohoi të gjitha akuzat.

Diddy dhe Cassie në ceremoninë e Met Gala 2017.

Producenti Rodney “Lil’ Rod” Jones, është një ndër paditësit po ashtu, i cili ka shprehur se Diddy e ka ngacmuar seksualisht dhe e ka detyruar të kryejë performanca seksuale.

Ai tha se kishte prova video dhe audio të Combs, stafit të tij dhe të tjerëve “të përfshirë në aktivitete serioze të paligjshme”. Padia identifikoi ish të dashurën e reperit 50 Cent dhe nënën e një prej fëmijëve të tij, Daphne Joy, si një nga punonjëset e dyshuara të seksit.

Padia pretendon gjithashtu se Combs organizonte rregullisht “festa të trafikimit seksual” me vajza të mitura dhe droga të paligjshme, dhe nënkupton se drejtuesit e kompanive diskografike përfituan financiarisht nga aksesi tek të famshëm dhe personalitete, duke përfshirë princin britanik Harry.

Princi Harry nuk akuzohet për ndonjë krim.

Avokatët e tij kanë mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat për reperin. /NewYorkPost, Independent

The post Drogë dhe orgji/ Brenda festave ‘të bardha’ të reperit Diddy (fotot) appeared first on Gazeta Si.

Çfarë duhet të dini për injektimet në buzë dhe procesin e shkrirjes së tyre

23 September 2024 at 13:27

Të presësh flokët, të ndryshosh formën e vetullës apo të bësh një filler për buzët (mbushje me acid hialuronik për efekt më të plotë), janë vendim që duhet pak vendosmëri, pasi rezultati final mund të mos jetë gjithmonë ai që keni imagjinuar.

Në këtë rast, mbushja e buzëve është më e sigurta, pasi nëse nuk të pëlqen ke opsionin e shkrirjes.

“Filler-at e buzëve janë me bazë acidi hialuronik, që mund të shkrihet me një enzimë të njohur si hialuronidazë”, thotë kirurgu plastic i certifikuar, Jimmy C. Sung.
Por par se të bëni shkrirjen e buzëve të mbushura, duhet të analizoni se pse po shkoni dhe çfarë opsionesh keni.

Arsyet për të shkrirë buzët

Migrimi i filler-it: Kjo ndodh kur filler-i shpërndahet në zona të tjera përreth zonës ku është injektuar. “Kjo ndodh zakonisht në zonën e faqeve, buzëve dhe pranë syve, por mund të ndodhë në çdo vend ku është injektuar”, thotë kirurgu plastic Michael Horn.

Kokrrizat dhe asimetria: Krijimi i disa kokrrizave apo gjendrave rreth zonës së injektuar është një tjetër arsye për të shkrirë mbushësit. Për doktor Michael Bassiri-Tehrani, kjo ndodh kur mbushësit nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë poshtë lëkurës.

Dhimbje, parehati dhe reaksione: Këto nuk janë simptoma të zakonshme, por nëse ndjen dhimbje, apo çrregullim të ngjyrave në zonën e injektuar, atëherë duhet ta shkrish filler-in. “E radhë, por kështë rast urgjent kur duhet të ndodhë shkrirja”, thotë dr.Bassiri-Tehrani.

Si shkrihet mbushësi i buzës?

Vetëm mbushësit e acidit hialuronik – si Juvederm, Restylane dhe Belotero – mund të treten. Zakonisht procesi i tretjes së tyre shkon pak a shumë kështu: mjeku ose estetisti juaj do të mpijë zonën me një krem ​​mpirës përpara se të përdorë një gjilpërë të vogël për të injektuar enzimën në buzët tuaja. “Ne vendosim një pako akulli në buzë për dhjetë deri në 15 minuta për të reduktuar shqetësimin dhe ënjtjen,” shpjegon Dr. Sung. Në shumicën e rasteve, do të filloni t’i shihni rezultatet menjëherë, megjithëse disa njerëz nuk do ta shohin rezultatin përfundimtar deri në një javë.

Thënë kështu, mbushësit jo-acid hialuronik si ato të përbëra nga kalciumi, yndyra ose silikoni mund të jenë më të vështirë për t’u tretur. “Yndyra dhe substancat sintetike nuk mund të treten kurrë vetë”, thotë Dr. Bassiri-Tehrani. “Edhe nëse i tretshëm, produkti mund të ngjitet më gjatë se sa është menduar, veçanërisht kur vendoset në zona të caktuara të fytyrës, si rreth syve. Zakonisht zonat me më shumë lëvizje dhe rrjedhje gjaku treten më shpejt.”

Sa kohë duhet që mbushësi i buzëve të tretet?

Sipas Dr. Sung, hialuronidaza fillon të shpërbëjë mbushësin sapo injektohet, por sa kohë mund të marrë për t’u tretur varet nga dy gjëra, e para është përbërja e mbushësit. “Nëse mbushësi është i ndërlidhur – një proces prodhimi që rrit jetëgjatësinë e produktit – do të duhen më shumë seanca dhe më shumë,” shton Dr. Sung. Faktori tjetër kryesor është metabolizmi i trupit tuaj. “Enzima shpërbërëse mund të shpërbëjë produktet, por trupi juaj duhet të thithë dhe eliminojë mbetjet e mbushësit,” thotë ai.

Dr. Bassiri-Tehrani shton se ndërsa filleri zakonisht mund të shpërndahet në vetëm një seancë, mund të kërkohen seanca të shumta nëse mbushësi është veçanërisht i dendur ose nëse fillimisht është injektuar një zonë e madhe.

Çfarë të prisni pasi të shkrihet filler-i?

“Pacientët mund të presin dhimbje dhe ënjtje të lehta deri në mesatare për disa ditë pas trajtimit të tretjes,” thotë Dr. Sung. Është e mundur të përjetoni efekte anësore si reaksione alergjike, mavijosje, dhimbje, njollë të lëkurës dhe ënjtje.

Buzët tuaja gjithashtu mund të duken pak të zbrazëta pasi të tretet mbushësi, pasi mund të duhet pak kohë që acidi hialuronik natyral i trupit tuaj të kthehet, thotë Dr. Bassiri-Tehrani. “Ato mund të duken të shfryrë ose të rrudhur menjëherë pas procedurës, por zakonisht kthehen në pamjen e tyre natyrale me kalimin e kohës,” thotë ai.

Për të minimizuar rrezikun e ënjtjes, mavijosjes ose shqetësimit, ofruesi juaj duhet të masazhojë zonën direkt pasi të keni marrë injeksionet – por vini re se duhet të shmangni prekjen ose fërkimin e zonës në ditët pas trajtimit për t’i dhënë enzimës një shans për të punuar .

A mund të bëni përsëri filler pas shkrirjes?

Përgjigja është po, por ndoshta duhet të prisni derisa buzët tuaja të shërohen për të marrë një trajtim tjetër.

“Përgjithësisht rekomandohet të prisni të paktën disa javë pas shpërbërjes së mbushësit për të lejuar që buzët të shërohen plotësisht dhe të kthehen në gjendjen e tyre natyrore”, thotë Dr. Bassiri-Tehrani. “Gjithashtu, enzima është aktive deri në dy javë, kështu që shtimi i hershëm i mbushësit mund të shkaktojë që ajo të shpërndahet.”/Women’sHealth

The post Çfarë duhet të dini për injektimet në buzë dhe procesin e shkrirjes së tyre appeared first on Gazeta Si.

Shteti sovran Bektashi / Salianji pyet ministrin e Brendshëm: Do të ketë polici më vete? Meqë këtu s’ka autoritet, të ketë atje

23 September 2024 at 11:46

Nga Gazeta ‘SI’ – Ideja e krijimit të një shteti Bektashi brenda Shqipërisë është debatuar edhe në komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku po raportonte ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.

Deputeti demokrat Ervin Salianji pyeti Ministrin Hoxha nëse do të ketë autoritet tek shteti i ri sovran, pasi në territorin e Shqipërisë mungon.

“Të kërkuarit në vend që t’i gjeni ju, ju gjejnë ata ju, ose gjejnë njëri-tjetrin dhe e vrasin. Ju jeni këtu, tritoli kërcet në Shkodër. Ju nuk dilni, por ju paguheni për të dalë. Tritol atje, vrasje këtu, bëjnë ça ju do qejfi atyre. Ndonjë amendim të ri do të ketë policia apo do të jetë sovrane? Doni një mbështetje apo jo? Që të ketë autoritet te ky shteti i ri Policia e Shtetit. Meqenëse nuk ka autoritet në territor, të ketë autoritet tek shteti i ri…”, tha me ironi Salianji.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha gjatë komisionit të Sigurisë./Shtator 2024

Pyetja nuk mori një përgjigje nga ministri i sapoemëruar Hoxha, i cili tha: “Jam si përgjegjës i ministrisë së Brendshme. S’jam as gazetar, as deputet. Jam këtu me një mision të caktuar brenda kornizave që më lejon ligji. I përgjigjem pyetjeve me korrektësi”.

The post Shteti sovran Bektashi / Salianji pyet ministrin e Brendshëm: Do të ketë polici më vete? Meqë këtu s’ka autoritet, të ketë atje appeared first on Gazeta Si.

Monitorim të listëpagesave dhe kontrolle ‘blitz’. Strategjia e qeverisë për të ndaluar informalitetin në punë

23 September 2024 at 11:19

Nga Gazeta ‘SI’ – Informaliteti është një nga sfidat që qeveria ka vendosur të luftojë në 3 vitet e ardhshme, sipas draftit të Strategjisë 2024-2027.

Administrata Tatimore në bashkëpunim me Institutin e Sigurimeve Shoqërore do të monitorojnë dhe analizojnë të gjitha grupet e pagamarrësve, nga ata që deklarojnë një pagë minimale tek individët që kanë detyrim të plotësojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave, DIVA.

Nën monitorim do të jenë edhe të punësuarit me turne, orët e punës, ditët e punës në javë dhe deklarimi i saktë i profesionit të punonjësit nga ana e biznesit.

Institucionet do të kontrollojnë të gjitha listëpagesat sipas databazës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, mbi të cilat do të ndërtohen “Modulet e Riskut”.  Po ashtu do të ketë edhe kontrolle “blitz” nëpër sektorët ku ka dyshime për nën-deklarim pagash.

 “Zhvillimi i një fushate të gjerë ndërgjegjësimi, duke garantuar konfidencialitetin e të dhënave të individit, dhe rritjen  e ndërgjegjësimit se raportimi i punës së pa deklaruar dhe nëndeklarimet e pagës, janë një përfitim jo vetëm për shtetin por mbi të gjitha për individin”, thuhet në dokument.

Qeveria parashikon që me goditjen e informalitetit, të ardhurat nga tatimi mbi pagën do të rriten deri në rreth 5 mld lekë në 4 vite.

The post Monitorim të listëpagesave dhe kontrolle ‘blitz’. Strategjia e qeverisë për të ndaluar informalitetin në punë appeared first on Gazeta Si.

Banka e Shqipërisë: Rritja e shpejtë e kredisë cënon stabilitetin financiar të vendit. Kujdes me kredinë për banesa!

23 September 2024 at 11:18

Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e shpejtë e kreditimit ka nevojë për monitorim, thekson Banka e Shqipërisë.

Siç analizon në raportin e Stabilitetit Financiar, BSH thekson se periudha të rritjes së fortë të kredisë sjellin rreziqe për sistemin bankar dhe vetë individët. Nëse nuk kontrollohen, këto faktorë cënojnë stabilitetin financiar të vendit.

“..këto periudha mund të sjellin edhe fillimin e rreziqeve të lidhura me rënien e standardeve të kreditimit, rritjen e përqendrimit të kredisë në sektorë ose tregje të caktuara, rritjen e niveleve të borxhit të bizneseve dhe individëve përtej niveleve të shëndetshme, rritjen e stokut të kredive me probleme etj. Nëse nuk kontrollohen, këto situata mund ta bëjnë ekonominë dhe sistemin financiar më të ndjeshëm ndaj goditjeve të ndryshme, duke cenuar stabilitetin financiar të vendit. Për këto arsye, nevojitet përdorimi i instrumenteve makroprudenciale që veprojnë në mënyrë kundërciklike, parandalojnë përhapjen e pakontrolluar të këtyre rreziqeve dhe rrisin rezistencën e bankave ndaj mundësisë së materializimit të tyre”.

Banka e Shqipërisë përmend specifikisht kredinë për sektorin e pasurive të paluajtshme që prej kohësh është shqetësim për autoritetin dhe tashmë listohet si faktor risku për sistemin bankar.

Bankat kanë perceptuar si një rrezik të ri atë të “paqëndrueshmërisë së vlerave të pasurive të paluajtshme”, por vlerësimi për të ka mbetur i pandryshuar gjatë periudhës dhe ky rrezik nuk renditet midis pesë rreziqeve kryesore sistemike.

Ndërkohë, bankat kanë vijuar të mbështesin këtë sektor, por kanë shtrënguar standardet.

Në fund të gjashtëmujorit, teprica e kredisë për këtë segment shënoi vlerën 180 miliardë lekë, duke u rritur me 7% dhe 13% në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë. Kushtet dhe termat e kreditimit të bankave për blerjen e banesave shfaqën një shtrëngim të lehtë në formën e normave më të larta të interesit dhe kërkesave më të larta për kolateral.

The post Banka e Shqipërisë: Rritja e shpejtë e kredisë cënon stabilitetin financiar të vendit. Kujdes me kredinë për banesa! appeared first on Gazeta Si.

Plani i qeverisë: Rikthehet tatim-fitimi për biznesin e vogël. Rishikohet TVSH-ja 6% për hotelet

22 September 2024 at 13:36

Nga Gazeta ‘SI’- Qeveria do të rishikojë të gjithë politikën tatimore të vendit, duke theksuar se buxheti i shtetit po arkëton pak para për shkak të përjashtimeve apo fashave të taksimit.

Në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, theksohet se për shkak të parave të munguara, qeveria konsideron të rikthejë tatim-fitimin tek biznesi i vogël.

“Rishikimi i skemës së taksimit të bizneseve me të ardhura të ulta, duke aplikuar skema të thjeshta taksim mbi fitimin neto nëpërmjet një niveli të caktuar të shpenzimeve të supozuara në përqindje mbi të ardhurat bruto”, thuhet në dokument.

Subjektet turistike nuk do të shijojnë më fashën minimale të TVSH-së prej 6%, shkruhet në draft.

“Në bazë të të dhënave rezulton se për subjektet deklarues deklaratë TVSH që janë në sektorët “Akomodim” dhe “Aktivitetet e shërbimit të ushqimit dhe pijeve”, të cilët kanë më shumë se 100.000 lekë shitje të tatueshme me 6 %, rezulton të ketë rritje në numrin e tatimpaguesve deklarues TVSH-je në këto fasha ndër vite, rritje me 8% në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, dhe me 17% në 2023 krahasuar me vitin 2022.

Gjithashtu, rezulton me rritje edhe TVSH-ja e paguar ndër vite, 40% rritje në 2022 krahasuar me 2021, dhe 40% rritje në 2023 krahasuar me vitin 2022. Në bazë të analizave, ka potencial për të rritur përputhshmërinë në këtë sektor. Fokusi kryesor i tij do të jetë TVSh-ja, ndjekur nga tatimin mbi fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat biznesore, si dhe problematikat që kanë të bëjnë me deklarimin e punonjësve”, thuhet në strategji.

Në analizën e bërë nga ministria e Financave thuhet se Shqipëria arkëton nga taksat deri në 50% pak se vendet e BE-së për shkak të normave të ulëta tatimore, përjashtimet dhe informaliteti tek bizneset dhe të punësuarit.

The post Plani i qeverisë: Rikthehet tatim-fitimi për biznesin e vogël. Rishikohet TVSH-ja 6% për hotelet appeared first on Gazeta Si.

Tregu i telefonisë vendase me ecuri negative. Bie numri i përdoruesve

22 September 2024 at 11:41

Nga Gazeta ‘SI’ – Tregu i telekomunikacionit në vend, po përjeton një rënie të aktivitetit, ndikuar nga ulja e numrit të përdoruesve.

Sipas të dhënave që ofron Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, tregu celular po mbështetet tashmë vetëm tek shërbimet e internetit.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit, përdoruesit e telefonisë celulare u pakësuan me 8% nga një vit më parë duke rënë në numrin e 2.5 mln përdoruesve aktivë.

AKEP tregon se për të njëjtën periudhë edhe përdoruesit e internetit kanë rënë me 5%. Numri i thirrjeve ceulare është reduktuar me 13%.

Për tre muajt e dytë të vitit, u përdor në total 55 million Giga byte dhe një përdorues ka konsumuar mesatarisht 8.78 GB internet në një muaj, rreth 20% më shumë se një vit më parë.

Në tërësi, numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM është reduktuar me 2.8% nga një vit më parë, në 3.698.394 karta SIM.

Rrjeti i telefonisë fikse ka përjetuar një rënie vjetore prej 5%, por numri i pajtimtarëve të internetit është rritur me 7%. AKEP thotë se numri i abonentëve me shërbime të intengruara ranë në 296 mijë, 1.7% më pak se një vit më parë. 23% e tyre kanë paketa me të gjitha shërbimet.

The post Tregu i telefonisë vendase me ecuri negative. Bie numri i përdoruesve appeared first on Gazeta Si.

❌
❌