Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 27 September 2024Main stream

Rama në OKB: Dhuna nuk është zgjidhje për Palestinën e Izraelin, mbështesim dialogun

27 September 2024 at 21:58

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme e OKB, New York shprehu mbështetjen e Shqipërisë për gjetjen e dialogut dhe një zgjidhjeje paqësore mes Izraelit dhe Palestinës me dy shtete të pavarura.

Rama u shpreh se Izraeli duhet të mbështet në luftën kundër terrorizmit të Hamasit.

“Dhuna nuk është zgjidhje as për Palestinën as për Izraelin dhe duhet të ndalet, mbështesim dialogun për dy shtete të pavarura. Por Izraeli duhet mbështetur në luftën kundër terrorizmit, ndërkohë që ka ende njerëz që mbahen peng nga kasapët e 7 tetorit”, tha Rama mes të tjerash.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama në OKB: Dhuna nuk është zgjidhje për Palestinën e Izraelin, mbështesim dialogun appeared first on Euronews Albania.

Vjosa më e fortë se Albini në SHBA? Eksperti zbulon prapaskenat

27 September 2024 at 21:29

Artur Meçollari, ish-komandant i Forcave të Armatosura komentoi në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania takimet e krerëve të shtetit të Kosovës, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani në SHBA.

Sipas tij, Kurti mund të duket i lënë mënjanë ose i nënvlerësuar në dukje por me rëndësi është objektivi i arritur nga koordinimi i veprimtarisë së dy liderëve me partnerët ndërkombëtarë, në sajë të të cilëve sot Kosovë është më e sigurt.

“Kurti nuk është i lënë mënjanë, por prezenca e tij nuk është në Asamblenë e OKB ku Kosova përfaqësohet nga presidentja, Kurti ka marrë pjesë vetëm në samitin e së ardhmes me një axhendë plotësisht të përcaktuar dhe si shtojcë e asamblesë. Në një pikëpamje Osmani është thirrur në darkën e Biden si përfaqësuese e delegacionit, asnjëherë nuk thirren të dy. Jemi në një situatë që ka një lloj neglizhence ose nënvlerësimi në dukej të Kurtit gjë që ka ndodhur periodikisht; ai ka qenë nën sanksione nga SHBA dhe BE, port unë nuk shoh retorikën, por objektivat e përbashkëta, në 1 vit pas Banjskës objektivat e Kosovës, SHBA dhe KFOR janë realizuar; Kosova sot është më e sigurt, i janë hequr Serbisë të gjitha mundësitë për të destabilizuar Kosovën. Në këtë situatë, kur palët koordinojnë aksionet, ndërkombëtar nuk do të oksigjenonin destabilizimin në Serbi”, tha Meçollari.

 

The post Vjosa më e fortë se Albini në SHBA? Eksperti zbulon prapaskenat appeared first on Euronews Albania.

Pogradec, drejtuesi i biçikletës humb kontrollin, përfundon në spital

27 September 2024 at 21:24

Një person me biçiklete është plagosur teksa kthehej në banesën e tij në Pogradec mbrëmjen e sotme rreth orës 21:00.

Mësohet se teksa po tentonte të futej nga rruga kryesore për në banesë ai ka humbur kontrollin, është përplasur me bordurën dhe është rrëzuar duke marrë goditje në kokë.

Pas njoftimi i plagosur u transportua për në spitalin e Pogradecit ku po merr ndihmën e mjekëve.

Policia mbërriti në vendngjarje dhe nisi hetimet mbi shkaqet e aksidentit. Pista që po hetohet është edhe mundësia që burri të ketë qenë nën efektin e alkoolit.

Ai është rrëzuar në aks nacional dhe fatmirësisht gjatë rënies nuk ka pasur mjete që kalonin në atë moment, pasi mund të kishte pasoja fatale.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Pogradec, drejtuesi i biçikletës humb kontrollin, përfundon në spital appeared first on Euronews Albania.

Osmani: Kosova është 100% në linjë me SHBA-në për ngjarjet në Lindje të Mesme

27 September 2024 at 21:20

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme ka pasur një diskutim në Council on Foreign Relations, në New York.

Në pjesën më të madhe të fjalimit të saj, ajo ka folur lidhur me raportin me Serbinë dhe tendencat e saj në Kosovë, por edhe për politikën e jashtme të Kosovës

Osmani deklaroi se Kosova është e rreshtuar 100% me politikën e jashtme të SHBA-së, si dhe citoi edhe raportet e BE-së që Kosova është 100% e linjëzuar edhe me atë të BE-së, shkruajnë mediat në Kosovë.

Në këtë drejtim, ajo u pyet nga audienca nëse Kosova qëndron 100% në të njëjtën linjë si të SHBA-së edhe në Lindje të Mesme, ndërsa dikush nga audienca gabimisht deklaroi se Kosova është pjesë e iniciativës së qeverisë kineze “Belt and Road” – një strategji e Kinës e nisur më 2013 për të investuar në më shumë se 150 vende dhe organizata ndërkombëtare.

Osmani tha se Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që s’është pjesë e kësaj iniciative dhe se nuk e ka ndërmend të bëhet, duke thënë se “ne besojmë që ka një influencë malinje” nga Kina dhe se vendet e rajonit nuk kanë prosperuar nga ky ndikim kinez, por përkundrazi.

“Dhe ne absolutisht jemi në një linjë në politikën e jashtme,  si në Lindjen e Mesme (që u bë pyetja më herët), po gjithashtu edhe në pyetjen për Kinën e Rusinë. Kur është në pyetje çështja e rreshtimit kjo llogaritet për BE-në, por ne gjithashtu e rreshtojmë politikën tonë të jashtme me SHBA-në, sidomos kur bëhet fjalë për sanksione. Ne nuk bashkëpunojmë me Kinën. Ne nuk e kemi lejuar Kinën të përdorë ndonjë instrument në politikëbërje, madje edhe në krijimin e opinionit publik. Sigurisht që kanë provuar”.

 

 

The post Osmani: Kosova është 100% në linjë me SHBA-në për ngjarjet në Lindje të Mesme appeared first on Euronews Albania.

Vodafone dhe Intelsat zgjerojnë shërbimet satelitore për sektorin privat dhe publik

27 September 2024 at 20:57

Vodafone dhe Intelsat, operatori i integruar i rrjetit satelitor dhe tokësor, zgjeruan në datë 23 shtator partneritetin e tyre për të ofruar mbulim më të gjerë me shërbime të përkohshme dhe të ashtuquajtura on-the-move, që praktikisht janë sisteme satelitore të komunikimit, të dizajnuara për të ofruar lidhje të vazhdueshme e të besueshme gjatë kohës që jemi në lëvizje. Një teknologji që iu vjen në ndihmë veçanërisht organizatave të cilat operojnë në zona të vështira për t’u arritur ose zona ku ndodhin fatkeqësi.

Marrëveshja do të plotësojë rrjetet tokësore të Vodafone, duke iu ofruar kompanive lidhje me brez të gjerë në zona të largëta e me shërbime të kufizuara. Kjo do të thotë që bizneset, qeveritë dhe organizatat bamirëse mund të përdorin aplikacione të ndryshme, si gjurmimi i ngarkesave të vlefshme, ndërlidhja në vende të reja ose të përkohshme, sigurimi i qëndrueshmërisë shtesë dhe reagimi në situata emergjente.

Shërbimi i Intelsat do të përdoret gjithashtu për të mbështetur degën e bamirësisë së Vodafone, Fondacionin Vodafone, në nismat që kanë lidhje me shëndetin dhe arsimin në të gjithë Evropën dhe Afrikën. Fondacioni Vodafone është gjithashtu në gatishmëri për të ofruar ndihmë për organizatat jofitimprurëse, qeveritë dhe shërbimeve të emergjencës, në mënyrë që ata t’iu përgjigjen më shpejt dhe më mirë emergjencave natyrore e humanitare.

“Marrëveshja e Vodafone me Intelsat-in i shton thellësi dhe gjerësi rrjetit tonë global. Me këto shërbime të reja, ne mund të ofrojmë lidhje dhe qëndrueshmëri shtesë për klientët në disa nga vendet më të vështira për t’u aksesuar, si në rastet kur janë në lëvizje, edhe në rastet kur kanë nevojë të rivendosin kontaktet dhe komunikimin pas fatkeqësive mjedisore ose humanitare”, u shpreh Marika Auramo, CEO i Vodafone Business.

Ndërkohë, Philippe Gillet, drejtori i Medias, Lëvizshmërisë dhe Rrjeteve në Intelsat, shtoi se: “Mirëqenia e komuniteteve dhe qytetarëve të tyre është gjithnjë e më shumë e lidhur me aftësinë për të pasur akses në shërbime të besueshme të lidhjes. “Qëllimi i shërbimeve tona Flex është që ta bëjmë më të lehtë për klientët tanë që të shfrytëzojnë shtrirjen dhe besueshmërinë e rrjetit të Intelsat për të ofruar lidhje kudo që mund të operojnë, qofshin këto iniciativa bamirësie si Fondacioni Vodafone apo lidhje për ndërmarrjet globale, operacionet industriale apo organizatat e reagimit të shpejtë”.

Marrëveshja e Vodafone, gjigandit evropian të teknologjisë dhe komunikimit, me Intelsat-in e pozicionon sërish atë si një kompani inovatore dhe pioniere në teknologjitë më të fundit, siç është në këtë rast Teknologjia e Satelitëve të Orbitës së Ulët të Tokës (LEO).

The post Vodafone dhe Intelsat zgjerojnë shërbimet satelitore për sektorin privat dhe publik appeared first on Euronews Albania.

Ervin Salianji niset drejt burgut të Fierit, gazetarja sjell detajet

27 September 2024 at 19:16

Ervin Salianji është nisur mbrëmjen e së premtes drejt burgut të Fierit ku do të vuajë dënimin me 1 vit burg me akuzën “Kallëzim i rremë”.

Salianji u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pasditen e sotme, aty ku u prit me entuziazëm nga dhjetëra mbështetës.

Gazetarja Sara Demushi raportoi se Salianji qëndroi për rreth 90 minuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë në shoqërinë e avokatëve të tij Marash Logu dhe Ledio Braho.

Një ditë më parë Gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi vendimin për dënimin me 1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji me akuzën “Kallëzim i rremë”.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ervin Salianji niset drejt burgut të Fierit, gazetarja sjell detajet appeared first on Euronews Albania.

Orban: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ishin në BE shumë kohë më parë

27 September 2024 at 18:59

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, vlerësoi sot në Ohër se ishte gabim historik i Brukselit që negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u ndanë dhe ofroi që Budapesti zyrtar të ndërmjetësojë në zgjidhjen e marrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes.

Orban e tha këtë pas mbledhjes së qeverive të dy vendeve në Ohër dhe theksoi se BE-ja nuk sheh arsye për një vendim të tillë.

Ai solli më vëmendje se Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate për anëtarësim që nga viti 2005 dhe së bashku me Kroacinë kanë marrë një opinion pozitiv në vitin 2008. Kroacia, tha ai, tashmë është anëtare e BE-së dhe negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë filluar.

Orban tha se i ka sugjeruar kolegut të tij maqedonas që Hungaria të jetë ndërmjetëse midis Shkupit dhe Sofjes në gjetjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Kam një propozim për një mosmarrëveshje me Bullgarinë. Ne jemi të gatshëm të ndërmjetësojmë në këtë çështje. Hungaria duhet të jetë ndërmjetëse në mosmarrëveshjen midis dy vendeve, për të gjetur një zgjidhje që i përshtatet të dyja palëve”, tha Orban.

 

LEXONI GJITHASHTU:

 

The post Orban: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ishin në BE shumë kohë më parë appeared first on Euronews Albania.

Sezoni i ri turistik në vjeshtë, Pogradeci i rezervuar në masën 80% në tetor

27 September 2024 at 18:08

Akomodimet në Pogradec për pjesën e mbetur të shtatorit dhe gjithë tetorin janë të rezervuara në masën 80%.

Një shifër kjo që ka kënaqur edhe operatorët turistikë në qytet. Ata tregojnë se turistët vijnë kryesisht nga Evropa, por nuk mungojnë edhe turistët nga vende të ndryshme të botës.

Gjermanët, polakët dhe çekët janë turistët që më së shumti takon përgjatë kësaj kohe në qytetin liqenor. Ata zgjedhin të vizitojnë Pogradecin në këtë stinë për shkak të qetësisë që fal.

“Jam nga Republika Çeke. Kemi ardhur me avion, kemi marrë një makinë me qira dhe duam të eksplorojmë Shqipërinë. E kemi nisur nga Pogradeci, pastaj në Tiranë. Kemi ardhur në Pogradec për të parë liqenin dhe bukuritë natyrore. Me pas do të shkojmë në Gjirokastër. Ajo që na tërheq është qetësia dhe gatimi”, thotë një turiste.

Vizitorët e huaj, sipas Gani Bego i cili punon si guidë turistike, kërkojnë më së tepërmi ecjen në natyrë dhe pedalimin me biçikleta.

Sipas të dhënave zyrtare përgjatë periudhës Janar-Gusht 2024 në Pogradec janë akomoduar 95.800 vizitorë, afro 10 mijë vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Sezoni i ri turistik në vjeshtë, Pogradeci i rezervuar në masën 80% në tetor appeared first on Euronews Albania.

Nën thirrjet ‘Rama ik’, i rrethuar nga simpatizantët, Salianji dorëzohet në polici

27 September 2024 at 17:35

Deputeti Ervin Salianji ka lënë selinë e PD për të shkuar drejt Drejtorisë së Policisë ku është vetëdorëzuar tek efektivët e policisë së Tiranës.

Para Drejtorisë së Policisë, Salianji është pritur me ovacione nga mbështetësit e shumtë, të cilët e kanë përgëzuar për guximin dhe e kanë inkurajuar që të bëhet i fortë dhe të mos dorëzohet.

Në një prononcim të shkurtër për mediat dhe mbështetësit e mbledhur para drejtorisë së policisë Salianji tha se përballja me regjimin kërkon edhe sakrifica siç është edhe privimi i lirisë.

“Është një betejë që nuk përfundon, asnjë sakrificë nuk shkon dëm, në përballje me regjimin. Do t’i çmontojmë banditët”, tha Salianji.

Gjykata e Apelit vendosi një ditë më parë të lërë në fuqi dënimin me 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji me akuzën “Kallëzim i rremë”.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Nën thirrjet ‘Rama ik’, i rrethuar nga simpatizantët, Salianji dorëzohet në polici appeared first on Euronews Albania.

Në rritje virozat e stinës, Simaku: Mbi 10 mijë raste në javë

27 September 2024 at 17:11

Nevoja për kujdes mjekësor si pasojë e prekjes nga viroza të stinës dhe infeksionet respiratore ka shtuar numrin e pacientëve që paraqiten çdo ditë në dyert e mjekut të familjes.

Monitorimi javor i kryer nga epidemiologët në ISHP tregon se shifrat kanë kaluar 10 mijë pacientë në javë, ndërsa parashikimet flasin për trend rritës në javët e ardhshme.

Edhe pse në popullatë qarkullon rëndom termi grip, epidemiologët nuk kanë izoluar ende asnjë virus gripal në qarkullim që prej fundit të majit. Për t’i paraprirë sezonit të dimrit, në tetor do të nisë dhe injektimi i vaksinës kundër gripit.

Vaksinat e gripit sipas ekspertëve ndihmojnë në shmangien e formave të rënda të gripit dhe fataliteteve.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Në rritje virozat e stinës, Simaku: Mbi 10 mijë raste në javë appeared first on Euronews Albania.

Pritet të vetëdorëzohet, ku pritet ta kryejë dënimi Ervin Salianji

27 September 2024 at 16:57

Deputeti Ervin Salianji do dërgohet në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin me 1 vit burg të caktuar një ditë më parë nga Gjykata.

Lajmi bëhet me dije nga burime pranë Drejtorisë së Burgjeve për Euronews Albania.

Pas depozitimit të kërkesës së Prokurorisë në Kuvend për vendimin gjyqësor ndaj deputetit Ervin Salianji, është dorëzuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit mesditën e kësaj të premteje edhe kërkesa për ekzekutimin e vendimit.

Gjykata e Apelit që vendosi të lërë në burg deputetin me akuzën “Kallëzim i rremë”, në një prononcim të shkurtër për media bën me dije se vendimi për të pandehurit e çështjes “Babale” u mor me unanimitet të plotë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Pritet të vetëdorëzohet, ku pritet ta kryejë dënimi Ervin Salianji appeared first on Euronews Albania.

Gjykata e lartë prish vendimin e Apelit të GJKKO për 2 ish-drejtorët e bashkisë

27 September 2024 at 15:58

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Posaçëm, që la në fuqi masën “arrest në burg” vendosur ndaj dy ish drejtorëve të Bashkisë Tiranë nga shkalla e parë në 3 maj të këtij viti.

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici vendosën dërgimin e çështjes për rishqyrtim po në këtë gjykatë, por me tjetër trupë gjykuese.

Treshja e gjyqtarëve nuk mbajti të njëjtin qëndrim për Taulant Tushen, i cili ka akuzë më të lehtë se dy ish-drejtorët e tjerë.

Vendimi i Apelit u ankimua në Gjykatë të Lartë nga Redi Molla, Mariglen Qato, të cilët prej muajit mars janë në qelinë e paraburgimit për dosjen “5D”, si dhe nga Taulant Tushe, Julian Zanaj dhe Eglantina Zere.

Pak ditë më parë, SPAK i shtoi një tjetër akuzë Redi Mollës dhe Mariglen Qatos për “pastrim parash”, ndërsa për Taulant Tushen u kërkua zgjatje e veprimeve hetimore me 3 muaj, kërkesë e cila u pranua nga GJKKO.

The post Gjykata e lartë prish vendimin e Apelit të GJKKO për 2 ish-drejtorët e bashkisë appeared first on Euronews Albania.

Salianji drejt dorëzimit, PD mobilizon mbështetësit, zbardhet mesazhi për strukturat

27 September 2024 at 15:45

Deputeti Ervin Salianji do të paraqitet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës rreth orës 16:45. Lajmi është mësuar nga burime brenda PD.

Euronews Albania ka siguruar disa mesazhe të PD në drejtim të strukturave që kërkojnë mobilizim në mbështetje të deputetit Salianji para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

“Përshëndetje, të nderuar miq, ju bëj me dije këtë lajm urgjent.

Ditën e sotme, në orën 17.00 të mblidhemi para Drejtorisë së Policisë( tek Myslym Shyri) në mbrojtje të deputetit Ervin Salianji.

Goditja që i bëhet Salianit është goditje që I bëhet të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

Mirë u takofshim”, thuhet në një nga mesazhet drejtuar strukturave.

Pas depozitimit të kërkesës së Prokurorisë në Kuvend për vendimin gjyqësor ndaj deputetit Ervin Salianji, është dorëzuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit mesditën e kësaj të premteje edhe kërkesa për ekzekutimin e vendimit.

Gjykata e Apelit që vendosi të lërë në burg deputetin me akuzën “Kallëzim i rremë”, në një prononcim të shkurtër për media bën me dije se vendimi për të pandehurit e çështjes “Babale” u mor me unanimitet të plotë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Salianji drejt dorëzimit, PD mobilizon mbështetësit, zbardhet mesazhi për strukturat appeared first on Euronews Albania.

Ndahet nga jeta aktorja Maggie Smith, ikona e kinemasë ishte 89 vjeçe

27 September 2024 at 15:33

Aktorja Dame Maggie Smith, e njohur për rolet e saj në shumë filma, përfshirë Harry Potter dhe Doënton Abbey, ka vdekur në moshën 89-vjeçare, ka thënë familja e saj.

Në një deklaratë nga djemtë e saj Toby Stephens dhe Chris Larkin thuhet mes të tjerash: “Me pikëllim të madh duhet të njoftojmë vdekjen e Dame Maggie Smith. Ajo ndërroi jetë paqësisht në spital herët në mëngjesin e sotëm, e premte 27 shtator dhe ishte me miqtë dhe familjen në fund. Ajo la dy djem dhe pesë nipër e mbesa të cilët janë shkatërruar nga humbja e nënës dhe gjyshes së tyre të jashtëzakonshme”.

 

The post Ndahet nga jeta aktorja Maggie Smith, ikona e kinemasë ishte 89 vjeçe appeared first on Euronews Albania.

Arkeologët danezë zbulojnë 50 skelete nga epoka e vikingëve 

27 September 2024 at 15:20

Arkeologët danezë gjetën 50 skelete të ruajtura jashtëzakonisht mirë gjatë gërmimeve në vendin e një varri të madh të epokës së vikingëve.

Ky zbulim, siç pritej, do të ndihmojë për të mësuar më shumë për jetën e këtij populli nordik të njohur për fushatat e tyre detare në Mesjetë, raportoi sot Reuters.

Skeletet, të gjetura pranë qytetit të tretë më të madh danez, Odense, mbetën të paprekur falë nivelit të lartë të ujit dhe kushteve të favorshme të tokës që penguan dekompozimin e tyre, shpjegoi drejtuesi i ekipit të arkeologëve nga muzeu lokal i qytetit, Michael Bore Lunde.

Ai theksoi se është e mahnitshme se sa mirë janë ruajtur skeletet, gjë që hap një sërë mundësish për zbulime dhe njohuri të reja.

Gërmimet që filluan gjashtë muaj më parë zbuluan gjithashtu objekte të rralla si thika, rruaza qelqi dhe karfica që datojnë midis 850 dhe 970 pas Krishtit.

Sipas Lundes, shumica e objekteve të gjetura në varre tregojnë se shumica e njerëzve të varrosur këtu i përkisnin një komuniteti të vogël fermerësh, megjithëse eshtrat e një gruaje që kishte një status më të lartë shoqëror dhe ishte varrosur me një thikë të zbukuruar me argjend u gjetën gjithashtu.

 

The post Arkeologët danezë zbulojnë 50 skelete nga epoka e vikingëve  appeared first on Euronews Albania.

Biden pret Zelensky-n në Shtëpinë e Bardhë

27 September 2024 at 15:14

Presidenti Joe Biden priti të enjten në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenski për diskutime lidhur me mbështetjen amerikane për luftën e Kievit kundër pushtuesit rus.

Presidenti Biden theksoi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk do të jetë e suksesshme. “Ukraina do t’ja dalë dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush në çdo hap”, tha Presidenti Biden.

Gjatë një takimi të veçantë me zotin Zelenski, Nënpresidentja Kamala Harris, kandidate e Partisë Demokrate për Shtëpinë e Bardhë, përsëriti mbështetjen e qeverisë amerikane në përpjekjet e Kievit kundër agresionit rus, ndërsa theksoi se i takon Ukrainës të vendosë se si do të përfundojë lufta.

Pa përmendur emrin e tij, zonja Harris e kritikoi kandidatin republikan për nënpresident, JD Vance, propozimi i të cilit për t’i dhënë fund luftës do ta linte Ukrainën me territor të gjymtuar dhe larg anëtarësimit në NATO.

“Këto propozime janë të njëjta me ato të Putinit. Që të jemi të qartë, ato nuk janë propozime për paqe”, tha zonja Harris. “Ato janë propozime për t’u dorëzuar, çka është e rrezikshme dhe e papranueshme”.

Në një intervistë të kohëve të fundit, republikani Vance sugjeroi që Ukraina dhe Rusia t’i ndalojnë luftimet dhe të krijojnë një zonë të çmilitarizuar brenda linjave aktuale të betejës. Ai tha se Kievi do të duhet t’i përmbahet një statusi neutral dhe të heq dorë nga kërkesa për anëtarësim në NATO.

Ndërkohë, Presidenti Joe Biden njoftoi të enjten një paketë ndihme ushtarake për Ukrainën që ka një vlerë prej më shumë se 8 miliardë dollarësh.

Udhëheqësi amerikan e shfrytëzoi vizitën e Presidentit Zelenski për të demonstruar mbështetjen amerikane për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.

Ndihma ushtarake përfshin dërgesën e parë të bombave të modelit “Joint Standoff Ëeapon” me rreze veprimi deri në 130 kilometra. Maja e kësaj bombe është pajisur me një udhëzues me rreze lazër ose kamera që dërgon të dhëna në një kompjuter mbi vendndodhjen e objektivit. Pas marrjes së sinjalit, kompjuteri i dërgon komanda bombës e cila shfrytëzon krahët e montuar për të shkuar drejt objektivit.

Këto bomba me rreze të mesme veprimi përmirësojnë aftësitë e Ukrainës për t’i goditur forcat ruse nga një distancë më e sigurte për trupat ukrainase. Hedhja e bombave duhet të bëhet nga avionët luftarakë.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Presidenti Biden nuk do të njoftojë se Uashingtoni do ta lejojë Ukrainën që të përdorë bomba amerikane për të goditur objektiva në thellësi të Rusisë.

Ndërkohë, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, tha të enjten vonë se do të takohet të premten me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski. Ish Presidenti Trump e ka kritikuar udhëheqësin ukrainas gjatë tubimeve të fushatës zgjedhore, duke shprehur dyshime mbi aftësitë e Ukrainës për të fituar luftën e saj me Rusinë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Biden pret Zelensky-n në Shtëpinë e Bardhë appeared first on Euronews Albania.

“Jo protestë kombëtare, radikalizim”, Noka tregon vendimin e Kryesisë së PD

26 September 2024 at 23:03

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha në një komunikim për mediat pas mbledhjes së kryesisë së PD se 6 tetori është dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës.

Noka u shpreh se nuk bëhet fjalë për protestë kombëtare por për radikalizim me bllokim të akseve kryesore.

Ai theksoi se vendimi për burgosjen e deputetit Ervin Salianji është luftë e hapur që pushteti po i shpall opozitës, ndërsa nënvijëzoi se lufta e opozitës do të vijojë edhe në Parlament.

“PD ka vendosur që të përvijojë aksionin e saj, data 6 do të jetë dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës, nuk mund të rrimë duarkryq kur drejtësia e re vepron në shkelje të ligjeve, bëhet marionetë në duart e Ramës dhe regjimit. Nuk bëhet fjalë për protestë kombëtare, por për radikalizim, do jemi në terren në të gjitha akset. Qytetarët janë një hap para opozitës, janë të revoltuar, ky regjim do të rrënohet. Aksioni opozitar do të jetë edhe në parlament, nuk ka më paqe për Ramën dhe regjimin e tij”, tha Noka.

The post “Jo protestë kombëtare, radikalizim”, Noka tregon vendimin e Kryesisë së PD appeared first on Euronews Albania.

Avokati i Salianjit i bindur që ndërkombëtarët do reagojnë për dënimin e deputetit

26 September 2024 at 22:53

Redi Ramaj, avokati i Ervin Salianji u shpreh i bindur se e ndërkombëtarët do të reagojnë lidhur me vendimin e gjykatës për të dënuar me 1 vit burg deputetin e PD.

Në emisionin Now në Euronews Albania u shpreh se çështja e Salianjit është çështje politike pasi kallëzimi i rremë nuk është vepër penale e qenësishme.

“Do të shohim edhe qëndrimin e ndërkombëtarëve për çështjen Salianji se ndërkombëtarët dhe ambasadat janë të informuara për çdo hap të çështjes së deputetit dhe pres të ketë reagim, duke parë edhe kuadrin  e diskutimit të reformës në drejtësi, është një çështje politike, kjo nuk është çështje e drejtësisë tërësisht. Kallëzimi i rremë nuk është vepër penale e qenësishme. Salianji nuk po akuzohet se është kapur në vjedhje apo korrupsion si pushtetar, nuk ka kryer vrasje nuk ka kryer trafik droge. Nuk ka një shtet të BE që të ketë dënuar dikë për kallëzim të rremë”, tha ai.

The post Avokati i Salianjit i bindur që ndërkombëtarët do reagojnë për dënimin e deputetit appeared first on Euronews Albania.

Kryesia e PD merr vendimin: Protesta e parë në 6 tetor

26 September 2024 at 22:43

PD mblodhi mbrëmjen e së enjtes kryesinë ku u diskutuan propozimet lidhur me hapat që do të ndërmarrë opozita pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji.

Gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha zbuloi se një nga vendimet e marra në mbledhjen e sotme është që protesta e parë e opozitës të mbahet në 6 tetor.

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm la në fuqi sot vendimin që e dënon me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

Ky vendim solli reagime të shumta nga të gjitha krahët e politikës. PD e cilësoi vendim politik dhe bëri thirrje për mosbindje civile, ndërsa kryeministri Edi Rama e cilësoi një ditë të mirë për të vërtetën

The post Kryesia e PD merr vendimin: Protesta e parë në 6 tetor appeared first on Euronews Albania.

“Protesta të pandalshme e të qëndrueshme”, zbardhen diskutimet në kryesinë e PD

26 September 2024 at 22:20

PD ka mbledhur kryesinë ku po diskutohen propozimet lidhur me hapat që do të ndërmarrë opozita pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji. Gazetari i Euronews Abania, Ardit Hoxha ka mundur të zbardhë disa nga propozimet në mbledhjen që po zhvillohet me dyer të mbyllura. Deputetja Ina Zhupa mësohet të ketë kërkuar protesta të pandalshme dhe të qëndrueshme deri në arritjen e një qeverie teknike

“Protesta e pandalshme dhe të qëndrueshme është domosdoshmëri. Nuk protestojmë as për Salianjin, as për Sali Berishën, por për çdo qytetar që sot është më i frikësuar se kurrë. Frika mban diktaturat në këmbë dhe sot po mbillet frika te shqiptareve dhe ne kemi mision historik që ta vrasim frikën e qytetarëve, të jemi në krye të revoltës.

Këto fabrikime të tmerrshme, të ngjashme me të Enver Hoxhës janë thika mbi kokat e çdo shqiptari. Deputetët në ballë, në parlament, në rrugë. Ky dënim sot duke krijuar precedentin e parë në vend me burg për kallëzim të rremë tregon qartësisht arrogancën e pushtetit. Arroganca do përballje, do vendosmëri, do qëndresë pa kthim. S’kemi çe duam karrigen po nuk mbrojtëm kushtetutën, të drejtat themelore të qytetarëve.

Sot mesazhet kanë qenë pafund nga qytetarët, nuk duhet llogarisim shifrat që do jenë në protestën e parë e a të dytë por duhet llogarisim të jemi të parët në betejë dhe qytetarët do na bashkohen. Kjo shkon edhe me vendimin tonë politik për një qeveri teknike”, mësohet të jetë shprehur Zhupa.

Agron Gjekmarkaj ka kërkuar që reagimi në mënyrë simbolike i PD të nisë që nesër. Sipas tij nëse do t’i bëhej PS kjo gjë kur ishte ne opozite do kishte reaguar gjithë faktori ndërkombëtar.

“Ne jemi ende shumë të vakët me ndërkombëtarët, më shumë se protestë Ramës i dhemb kur reagojnë gazetat, shtypi, ndërkombëtaret. Ndaj ta përdorimin edhe këtë formë të rëndësishme.

Duhet ta bëjmë një përpjekje të madhe me ndërkombëtaret se dënimi politik, domethënë që nuk funksionon as kjo drejtësia e re”, është shprehur Gjekmarkaj.

 

 

The post “Protesta të pandalshme e të qëndrueshme”, zbardhen diskutimet në kryesinë e PD appeared first on Euronews Albania.

❌
❌