Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Trafiku i kokainës nga Amerika Latine drejt BE-së e Italisë/ Grupi kriminal u godit nga SPAK, Eurojust dhe Europol

By: user 11
26 September 2024 at 09:25

Prej ditësh autoritetet italiane në bashkëpunim me një sërë prokurorish të vendeve të Evropës kanë hyrë në një operacion të gjerë antidrogë. Bëhet fjalë për goditjen e një rrjeti të fuqishëm brenda të cilit gjenden anëtarë të mafies italiane dhe një numër i madh personash të tjerë nga vende të ndryshme.

Por si gjithnjë në këto operacione nuk mungojnë edhe shtetas shqiptarë. Nuk dihet se sa është numri i tyre i arrestuar në operacionet e njëkohshme që janë kryer në një sërë shtetesh, por prej së martës, në Shijak SPAK ka urdhëruar kontrollin e dhjetëra banesave, e për llogari të atij operacioni janë vënë në pranga dy persona.

Bëhet fjalë për Arjanit Malokun dhe Jurgen Kacurrin për të cilët thuhet se kanë marrë pjesë në pastrimin e parave të organizatës kriminale. Në këtë grup dyshohet se përveç italianëve dhe shqiptarëve, janë të përfshirë edhe kinezë. Hetimi ka përfshirë organizatat e trafikut të drogës që siguronin mallin në vendet e Amerikës Latine. Por mediat italiane që shkruajnë prej dy ditësh për operacionin saktësojnë se në fakt baza e këtij rrjeti janë shqiptarët dhe Shqipëria, ndonëse dje u arrestuan vetëm dy persona në vendin tonë.

TË DHËNAT E OPERACIONIT

Prokuroria e Posaçme bëri me dije se një grup i strukturuar kriminal që trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë është shkatërruar gjatë një operacioni të përbashkët ndërkombëtarë të ndërmarrë njëkohësisht në 4 shtete. Grupi kriminal e ushtronte aktivitetin në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër, ku dhe u shtri operacioni në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe policinë italiane. Deri dje janë arrestuar 61 persona, 2 prej tyre janë arrestuar nga SPAK në Durrës. Ndërkohë në Itali mësohet se janë lëshuar urdhërarreste për 17 shqiptarë, pjesë e organizatës. E ndërsa grupi siguronte dhe realizonte transportin e ngarkesave të mëdha me kokainë dhe administronte paratë e fituara nga trafiku, një grup tjetër italo-kineze, mundësonte pastrimin e tyre duke prerë fatura për veprime inekzistente me vlerë mbi 375 milionë euro. Nga hetimi ka rezultuar ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal, i cili ushtronte aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë. Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë euro, tha SPAK.

BAZA NË SHQIPËRI

Sipas autoriteteve të Guardia di Financa, grupi kriminal kishte bazën në Shqipëri dhe degët në Itali. “Në veçanti, grupi kriminal, me bazë në Shqipëri dhe me strukturë të pranishme në Itali, importonte drogë nga Amerika Latine në Europë përmes përdorimit të rrugëve të transportit detar të mallrave. Më pas sillej në Itali me mjete të rënda përmes Spanjës e Holandës”, – informoi Guardia di Financa. SPAK përmes një njoftimi informoi se në Shqipëri janë kryer 21 kontrolle dhe u arrestuan 2 anëtarë të dyshuar të grupit të strukturuar kriminal. Konkretisht, Jurgen Kacurri dhe Arjanit Maloku. “Më datë 25.09.2024, në Republikën e Shqipërisë janë kryer 21 kontrolle banesash dhe ambiente të tjera. Janë arrestuar në flagrancë dy pjesëtarë të grupit kriminal, shtetasit Jurgen Kacurri dhe Arjanit Maloku. Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 mijë euro, 6 mijë paud, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës ‘Rolex’, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale”, – informoi SPAK.

Ndërkohë më herët u mësua se operacionet e kontrollit ishin kryer edhe në Manzë të Durrësit. Organizata kishte 5 baza logjistike operative të identifikuara në zonën e Italisë së veriut, në të cilat dorëzohej droga. Bazat ishin vendosur midis Brescia, Romano di Lombardia dhe Palazzolo sull’Oglio dhe në komuna të tjera në Italinë qendrore-veriore si Varese dhe Piza. Më pas, paratë u pastruan përmes një grupi kinez, rezident në Brescia, i cili dyshohej se kishte “monetizuar” fatura për operacione inekzistente për mbi 375 milionë euro. Paratë u pastruan përmes një grupi kinez, rezident në Brescia, i cili dyshohej se kishte “monetizuar” fatura për operacione inekzistente për mbi 375 milionë euro. Autoriteteve u janë dashur 4 vite hetime. Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 2. 5 milionë euro cash, 5 pistoleta me municionet e tyre, 8 makina dhe 360 kg drogë, e cila nëse do të hidhej në treg, mund të kishte sjellë një fitim rreth 30 milionë euro. Gjithashtu janë vendosur në sekuestro preventive para dhe asete me vlerë 60 milionë euro sipas mediave italiane.

HETIMET

Nga hetimet e deritanishme mësohet se aktiviteti kriminal dhe narkotrafiku kryhej nëpërmjet platformave të koduara në “Sky ECC”. “Aktiviteti hetimor u krye përmes të dhënave të siguruara nga ‘SKY ECC’, të cilat u ballafaquan nga përgjimet telefonike, telematike e mjedisore të kryera paralelisht krahas aktiviteteve hetimore më tradicionale”, – thuhet në njoftimin e Guardia di Finanza. Gjithsej 135 persona janë nën hetim si pjesë e hetimit nga Guardia di Finanza e Brescia-s – e koordinuar nga prokurorët antimafia të Brescia-s, Erica Battaglia dhe Francesco Milanesi – që shkatërroi një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës. Ndërsa mes 61 të arrestuarve është edhe përfaqësuesi i Sacra Corona Unita të Brindisit Vincenzo Bruno dhe arkëtari i klanit të cilit iu sekuestruan gati një milion euro cash. Ata ishin në kontakt me drejtuesit e grupit që jetonin në Shqipëri dhe që shisnin kokainë e cila më pas importohej në Itali nga Holanda dhe Spanja. “Dy grupe të ndryshme dolën dhe u bashkuan: një grup italo-kinez dhe një shqiptar. Ky i fundit menaxhonte drogën dhe i pari pastronte paratë”, shpjegoi komandanti provincial i Brescias i Guardia di Finanza Francesco Maceroni.

ARRESTIMET NË DURRËS

Arjanit Maloku dhe Jurgen Kacurri janë dy personat e arrestuar në Shqipëri nga operacioni ndërkombëtar antidrogë i zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zvicerane, polake, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Maloku dhe Kacurri, pjesëtarë të grupit kriminal që ushtronte aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë, janë arrestuar ditën e sotme gjatë aksionit në vendin tonë, ku janë kryer 21 kontrolle banesash dhe ambiente të tjera. Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë euro. Nga hetimi janë sekuestruar 360 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, të përllogaritura në vlerën prej 60 milion euro cash. SPAK bën me dije se në Shqipëri janë kryer 21 kontrolle banesash dhe ambiente të tjera. Janë arrestuar në flagrancë dy pjesëtarë të grupit kriminal, shtetasit Jurgen Kacuri dhe Arjanit Maloku. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 mijë euro, 6 mijë paud, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës ‘Rolex’, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale./Gazeta Panorama

The post Trafiku i kokainës nga Amerika Latine drejt BE-së e Italisë/ Grupi kriminal u godit nga SPAK, Eurojust dhe Europol appeared first on Lapsi.al.

❌
❌