Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 September 2024Main stream

Oltion Bistri rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon kthimin e pasurive të sekuestruara

29 September 2024 at 13:50

TIRANË- Ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri dhe familjarët e tij, të cilëve SPAK u ka sekuestruar pasuritë, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar lirimin e pasurive nga masa e sekuestros.

Prokuroria e Posaçme njoftoi në maj të këtij viti se kishte vendosur në sekuestro pasuri me vlerë 3 milionë euro në pronësi të Oltion Bistri, i arrestuar më herët me akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale.

Sipas SPAK, ndaj Oltian Bistri dhe familjarëve të tij (të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për shtetasin Oltian Bistri), janë sekuestruar pasuri përfshi  22 njësi (dyqane/ambiente biznesi);  10 apartamente; 1 vilë në rezidencën “Green Valley”, 200 metra truall në kryeqytet, një garazh dhe një makinë./abcnews.al

 

Rama ndan fotot: Ka nisur ndërtimi i rrugës së PS-së për Shqipërinë 2030

29 September 2024 at 12:43

TIRANË– Partia Socialiste ka nisur takimet në bazë për t’u përgatitur për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2025.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka shpërndarë foto në rrjetet sociale, ku shfaqen drejtuesit politikë me grupet e punës bashkë me qytetarët.

“Vijon angazhimi kapilar në çdo qark të vendit, ku në komunikim me njerëzit brenda e jashtë partisë, ka nisur ndërtimi i rrugës së PS 2030 për Shqipërinë 2030”, shkruan Rama.

SpaceX nis misionin në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës për astronautët e bllokuar

29 September 2024 at 12:18

Një anije kozmike SpaceX është nisur për në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) me një astronaut amerikan dhe një kozmonautë rusë, duke lënë dy vende bosh për dy astronautët e bllokuar, të cilët nuk ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpi nga ISS për shkak të problemeve teknike.

Astronauti i NASA-s Nick Hague dhe kozmonauti rus Alexander Gorbunov u ngritën të shtunën nga Kepi Canaveral, Florida.

Anija kozmike Dragon, e operuar nga SpaceX, kompania private e themeluar nga miliarderi Elon Musk, pritet të mbërrijë në ISS të dielën.

Fillimisht, astronautët Zena Cardman dhe Stephanie Wilson supozohej të ishin pjesë e misionit të NASA-s SpaceX Crew-9.

3… 2… 1… Liftoff of #Crew9, now soaring to the International @Space_Station. pic.twitter.com/gDRd1VVAV7

— NASA (@NASA) September 28, 2024

Megjithatë, ata hoqën dorë nga vendet e tyre për të akomoduar Suni Williams dhe Barry Wilmore, astronautë të bllokuar në ISS për shkak të problemeve teknike me anijen kozmike Starliner.

Williams dhe Wilmore kishin planifikuar të qëndronin në ISS vetëm për rreth një javë pas mbërritjes së tyre në qershor. Megjithatë, komplikimet me Starliner e shtynë NASA-n të kthejë anijen kozmike në Tokë pa ekuipazh.

Tani, Williams dhe Wilmore pritet të kthehen në shkurt, së bashku me Hague dhe Gorbunov.

Nisja e misionit të NASA-s ishte vonuar me disa ditë për shkak të efekteve të uraganit Helene. Shqetësimet e motit vazhduan deri në minutën e fundit, me shi dhe stuhi që rrezikuan misionin.

Marine Le Pen të hënën del para gjykatës, akuzohet për përvetësim të fondeve të BE-së

29 September 2024 at 11:39

Marine Le Pen dhe zyrtarë të tjerë nga partia franceze e ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar” do të dalin në gjyq të hënën me akuzat për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian.

Edhe pse akuzat datojnë 20 vjet më parë, gjyqi do të monitorohet nga afër nga rivalët politikë të Le Pen, pasi ajo mbetet një pretendente e fortë në garën për të pasuar Emmanuel Macronin kur të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vitin 2027, raporton AP.

“Tubimi Kombëtar” dhe 26 zyrtarë të lartë të tij akuzohen se kanë përdorur paratë e destinuara për ndihmësit e parlamentit të BE-së për të paguar stafin që në vend të kësaj, kanë kryer punë politike për partinë, midis viteve 2004 dhe 2016, duke shkelur rregulloret e bllokut 27-vendesh.

Tubimi Kombëtar në atë kohë quhej Balli Kombëtar. Avokati kryesor Patrick de Maisonneuve që përfaqësonte Parlamentin Evropian ka thënë për AP-në se Le Pen dhe të tjerët abuzuan me sistemin.

“Ajo krijoi një sistem të centralizuar që çoi në keqpërdorimin e fondeve evropiane. Nuk ishin vetëm para aty-këtu, ishte një sistem që u vendos dhe që filloi me babain e Le Pen dhe themeluesin e partisë, Jean-Marie Le Pen dhe vazhdoi me Marine Le Pen për të centralizuar paratë e alokuara nga Parlamenti Evropian”, ka deklaruar ai.

Le Pen, partia e së cilës ka zbutur qëndrimin e saj anti-BE në vitet e fundit, po mohon keqbërjet dhe pretendon se rasti është i drejtuar politikisht.

“Asistentët parlamentarë nuk punojnë në Parlament. Ata janë asistentë politikë të zyrtarëve të zgjedhur, politikë sipas definicionit”, ka argumentuar ajo në mbrojtjen e saj.

Gjyqi pritet të zgjasë nëntë javë. Nëse shpallen fajtore, Le Pen dhe të pandehurit e tjerë mund të përballen me burgim deri në 10 vjet dhe gjoba deri në një milion euro secili.

Mund të caktohen gjithashtu dënime shtesë, si humbja e të drejtave civile ose mospërshtatshmëria për të kandiduar, një skenar që mund të pengojë, madje edhe të shkatërrojë qëllimin e Le Pen për të kandiduar pas përfundimit të mandatit të Macronit.

Izraeli kishte informacione për vendndodhjen e Hassan Nasrallah, disa muaj para se të fillonte sulmi

29 September 2024 at 11:11

Izraeli kishte informacione për vendndodhjen për liderin e Hezbollah, Hassan Nasrallah muaj para se të fillonte sulmin që e vrau atë, kanë bërë të ditur për New York Times, tre zyrtarë të lartë të mbrojtjes izraelite.

Kreu i Hezbollah u vra të premten nga sulmet ajrore izraelite në selinë e këtij grupi militant që ishte vendosur nën tokë në Bejrut. Vendimi për të sulmuar Nasrallah ishte marrë ditëve të fundit, pa përfshirjen e SHBA – sipas mediave izraelite, Jerusalemi frikësohej se “dritarja e mundësisë për ta eliminuar atë do të mbyllej”, tha zyrtarët e paemëruar.

Planifikimi i operacionit filloi pavarësisht se zyrtarët izraelitë ishin të përfshirë në bisedimet me Shtetet e Bashkuara mbi një armëpushim të mundshëm që do t’i hapte rrugës procesit të lirimit të pengjeve – dhe para se kryeministri Benjamin Netanyahu të nisej për në New York ku do të mbante fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Dy zyrtarët thanë se mbi 80 bomba janë hedhur gjatë këtij sulmi, që arriti të rrafshonte gjashtë ndërtesa në jug të Bejrutit.

Në anën tjetër, Hezbollah konfirmoi se Nasrallah është vrarë së bashku me komandantit e frontit jugor Ali Karaki që i kishte mbijetuar një sulmi tjetër një ditë më parë.

Që të tre zyrtarët konfirmuan se Hashem Safieddine, kushëriri i Nasrallah është pasuesi i mundshëm, që nuk ishte në bunkerin nëntokësor në Bejrut që u shënjestrua nga izraelitët.

Zyrtarët e lartë të forcave ajrore izraelite thanë të shtunën se sulmi ka shkuar sipas planit, pa ndonjë problem apo hapje zjarri mbi aeroplanët e tyre nga ana e militantëve të Hezbollah.

Ministri Hasani: Në periudhën janar-shtator janë ofruar 2 600 shërbime konsullore për shqiptarët

29 September 2024 at 10:52

Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në New York, në periudhën janar-shtator 2024 janë ofruar 2 600 shërbime konsullore për shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në SHBA, Meksikë, Panama, Republikë Domenikane, Kosta Rika, Guatemala, Hawai e Bahamas.

Këto të dhëna u bënë publike nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.

Kryediplomati shqiptar thotë se se numërohen 107 mijë shërbime konsullore të kryera gjatë vitit 2024, nga stafet e përkushtuara në 42 poste konsullore në ambasada dhe konsullata të përgjithshme, që mbulojnë thuajse të gjithë botën.

Ai shton se “përgjegjshmëri e prioritet janë lehtësimi dhe modernizimi i procedurave konsullore për t’iu gjendur sa më pranë qytetarëve shqiptarë”/ abcnews.al

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut vranë të paktën 100 persona në Nepal

29 September 2024 at 10:26

NEPAL– Përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e dheut në Nepal kanë vrarë të paktën 100 persona në të gjithë vendin Himalayan, kanë raportuar zyrtarët.

Dhjetëra të tjerë u zhdukën të dielën pas dy ditësh reshjesh intensive, të cilat kanë përmbytur luginën rreth kryeqytetit Katmandu.

Njerëzit kanë mbetur të bllokuar sipër çative, ndërsa ekipet e shpëtimit në kushte të vështira vijojnë përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë. Mijëra shtëpi pranë lumenjve janë përmbytur dhe shumë autostrada janë bllokuar, raporton BBC.

Deri më tani, më shumë se 3,000 njerëz janë shpëtuar sipas një zëdhënësi të qeverisë. Pavarësisht parashikimit të reshjeve që do të vazhdojnë edhe të martën, të dielën ka pasur shenja lehtësimi./ abcnews.al

Izraeli godet pozicionet e Hezbollah në Liban

29 September 2024 at 10:09

Ushtria izraelite deklaroi se kishte sulmuar sërish pozicionet e milicisë së Hezbollahut në Liban gjatë natës.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se forcat ajrore kishin sulmuar “dhjetëra objektiva terroristë” në Liban në orët e fundit.

IDF tha se objektivat përfshinin platforma lëshimi në territorin izraelit, depo armësh dhe infrastrukturë tjetër të lidhur me milicinë shiite pro-iraniane.

Ndërkohë, sirenat u dëgjuan sërish në Izraelin verior gjatë natës, sipas ushtrisë. IDF tha se qindra pozicione të Hezbollahut në të gjithë Libanin ishin në shënjestër gjatë gjithë ditës.

Ushtria izraelite vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah në një sulm ajror në një seli të Hezbollahut në një periferi të Bejrutit të premten, në atë që shënoi një përshkallëzim dramatik në konfliktin midis dy palëve.

Frika se sulmet e ndërsjella midis Izraelit dhe Hezbollahut mund të përshkallëzohen në luftë gjithëpërfshirëse janë rritur që kur Izraeli nisi një fushatë masive ajrore ndaj objektivave të Hezbollahut në të gjithë Libanin të hënën, duke vrarë qindra njerëz deri më tani.

Izraeli tani duket i gatshëm të nisë një inkursion tokësor në Liban, pasi shefi i ushtrisë Herzi Halevi tha të shtunën se forcat e tij ishin të përgatitura për atë që do të vinte dhe banorëve libanezë iu tha të vrapojnë drejt sigurisë.

Ekstradohet shqiptari nga Italia, i akuzuar për përndjekje

29 September 2024 at 09:41

TIRANË- Ekstradohet nga Italia shqiptar i akuzuar për përndjekje. Sipas policisë, 33-vjeçari duke u prezantuar si një shtetas tjetër, kanosi një shtetase, në vitin 2019, që t’i dërgonte video intime.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në korrik të 2023,  i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Përndjekje”.

Hetimet ndërkohë vijojnë për dokumentimin e këtij rasti./abcnews.al

Austri, qytetarët votojnë për të zgjedhur qeverinë e re

29 September 2024 at 09:33

Votuesit në Austri gjatë ditës po hedhin votat e tyre për të zgjedhur qeverinë e re të vendit.

Vendvotimet janë të hapura deri në orën 17:00 me orën lokale, me 6.4 milionë votues me të drejtë vote në një popullsi prej nëntë milionësh të vendosur për të zgjedhur 183 anëtarë të ri të parlamentit.

Nëntë parti dhe tre formacione politike konkurrojnë në zgjedhje, me një prag elektoral prej 4 për qind.

Sondazhet e fundit sugjerojnë se Partia e Lirisë Austriake e ekstremit të djathtë (FPO) kryeson me 27 për qind, e ndjekur nga Partia Popullore Austriake (OVP) e qendrës së djathtë me 25 për qind, dhe Partia Social Demokratike (SPO) me 21 për qind.

Partia e Gjelbër dhe NEOS liberale pritet të sigurojnë secila nga 9 për qind.

Nëse FPO fiton, do të jetë hera e parë që një parti e ekstremit të djathtë siguron pozicionin kryesor në zgjedhjet kombëtare të Austrisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Shpërthim në komunën e Zveçanit, ngjarja pranë një pike karburanti

29 September 2024 at 09:00

Rreth mesnatës në afërsi të një pike karburanti në qendër të Zveçanit është regjistruar një shpërthim i fuqishëm.

Ngjarja është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, nuk ka të lënduar nga ky shpërthim, ndërsa ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi atë.

“Nga ky shpërthim nuk ka të lënduar, ndërsa ka pas dëme materiale në afërsi të karburantit dhe disa vetura në afërsi. Nuk mund të themi ende se çfarë e ka shkaktuar këtë shpërthim, ndërsa njësitet përkatëse janë në vendin e ngjarjes”, tha Elshani, raporton Klan Kosova.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

 

 

 

 

 

FOTO/ Gjithçka e shkatërruar, pasojat që la pas uragani “Helene” në SHBA

29 September 2024 at 08:23

SHBA- Uragani Helene është një nga stuhitë më të fuqishme që ka goditur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara me shpejtësi të erës prej 140 mph (225 km/h) dhe shi të dendur.

Stuhia arriti në Florida gjatë natës të së enjtes si një stuhi e kategorisë së katërt, por u zvogëlua në një stuhi tropikale pasi lëvizi më shumë në brendësi.

Kjo thuhet se ishte stuhia më e fortë në histori që goditi Big Bend të Floridës, dhe u zhvendos në veri në Georgia dhe Karolina.

Si pasojë, të paktën 45 njerëz kanë vdekur dhe miliona njerëz kanë mbetur pa energji elektrike. Dhe institucionet financiare thonë se dëmi i shkaktuar nga stuhia mund të arrijë në miliarda dollarë.

Në fotot e mëposhtme shihen qartë pasojat dramatike nga jugu i SHBA-së, të cilat tregojnë shkallën e shkatërrimit nga uragani Helene.

Rama ndan fotot nga SHBA: Një vizitë krenarie për Shqipërinë

29 September 2024 at 08:13

NEW YORK- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka ndarë foto nga ajo që ai e quan “një vizitë krenarie” për Shqipërinë teksa mori pjesë në Javën e Kombeve të Bashkuara në New York.

Gjatë qëndrimit atje, shefi i qeverisë shqiptare ka zhvilluar takime të rëndësishme me politikanë dhe me bashkëkombës, që jetojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mirëmëngjesi dhe me fotoalbumin e një vizite krenarie për Shqipërinë në Javën e Kombeve të Bashkuara në New York, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama./ abcnews.al

Agjencia franceze e lajmeve “AFP” shënjestër e një sulmi kibernetik

29 September 2024 at 07:54

Agjencia franceze e lajmeve “Agence France-Presse” (AFP) është goditur nga një sulm kibernetik, ka njoftuar agjencia në një deklaratë. Sulmi ndaj sistemit IT të AFP-së, i cili ndikoi pjesërisht në teknologjinë e transmetimit te klientët, u zbulua dje. Nuk dihet se kush qëndron pas sulmit.

“Departamenti teknik i AFP-së, i ndihmuar nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Francës (ANSSI), po merret me hetimin e incidentit”, tha agjencia.

Megjithëse sulmi dëmtoi përkohësisht transmetimin, raportimi i AFP-së në mbarë botën vazhdoi si zakonisht. Sulmi ndaj agjencisë së lajmeve pasoi një incident të madh kibernetik në mars, i cili preku disa ministri dhe institucione shtetërore franceze.

Hakerët pro-rusë morën përgjegjësinë për sulmin, megjithëse autoritetet franceze nuk e konfirmuan këtë në atë kohë.

Franca akuzon Rusinë për rritje të përpjekjeve për destabilizim – që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini në shkurt të vitit 2022.

Agjencia shtetërore polake e lajmeve PAP u hakerua gjithashtu në maj – dhe qeveria në Varshavë fajësoi shërbimet e inteligjencës ruse për incidentin.

Media britanike: Vizitoni vendet mahnitëse të Shqipërisë

29 September 2024 at 07:51

Greqia ka qenë prej kohësh një nga destinacionet e preferuara të pushimeve për turistët britanikë. Çdo vit, ata dynden në Greqi – por pushimet në disa nga zonat më të kërkuara si Mikonos, Kretë dhe Santorini mund të jenë të shtrenjta dhe vitet e fundit, disa vendpushime janë të mbipopulluara me turistë, shkruan Emily Chaplin në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Birmingham Live”.

Pushuesit që planifikojnë arratisjen e tyre të ardhshme jashtë Britanisë së Madhe nuk kanë nevojë të shkojnë në Greqi. Ata mund zgjedhin një alternativë më të lirë me peizazhe po aq mahnitëse, plazhe të qeta, mot me diell dhe fluturime direkte nga aeroporti i Birminghamit për vetëm 22 euro.

Shqipëria është një nga vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë – ku një krikëll birrë vendase shkon rreth 2,5 euro dhe akomodimi në hotele kushton 48 euro për një natë.

Një vakt me tre pjata për dy persona në një restorant të nivelit të mesëm kushton rreth 42 euro.

Vendi më pak i njohur ofron shumë nga të njëjtat cilësi joshëse si fqinji i tij më i famshëm – por ai është shumë më pak i mbushur me vizitorë se Greqia.

Shumë nga peizazhet piktoreske të Shqipërisë, të cilat variojnë nga malet, livadhet dhe deri te bregdeti i thyer, mbeten kryesisht të pazbuluara nga turistët.

E lagur nga detet Adriatik dhe Jon, Shqipëria ndan një kufi prej 175 miljesh të gjatë me Greqinë dhe gjithashtu ndan verën e saj të nxehtë, me temperatura që arrijnë mesataren maksimale prej 34 gradë Celsius.

Edhe në muajin tetor, kryeqyteti i Tiranës shënon rregullisht temperaturën 25 gradë Celsius.

Një nga vendet më të bukura për t’u vizituar në Shqipëri është Plazhi i Gjipesë, një zonë e largët me rërë të bardhë që ndodhet midis Himarës dhe Dhërmiut – dhe e renditur mes 50 plazheve më të mira në botë.

Ujërat e bruztë, limanet shkëmborë dhe limanet e veçuara – të veshura me një sfond malor – nuk janë të vështira për t’u gjetur përgjatë Rivierës Shqiptare.

Plazhet e bardha të fshatit Ksamil shpesh janë konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Maldivet e Evropës”.

Vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati është një nga qytetet e stilit osman më të ruajtura në Evropë – dhe rrugët e tij me kalldrëm fshehin kishat dhe minaret bizantine midis mureve të qytetit të tij të lashtë.

Tirana është një qytet tjetër që ia vlen të vizitohet. Rrugët e saj të shëtitshme, shtëpitë, kafenetë , restorantet – shumë prej të cilave ofrojnë shërbim në ambient të hapur në muajt e verës – dhe jeta e gjallë e natës.

Dajti Ekspres, vetëm 15 minuta nga kryeqyteti, ofron një eksperiencë të paharrueshme nga teleferiku me pamje mahnitëse nga maja e malit.

Tirana është gjithashtu një orë larg me makinë nga plazhet e Durrësit dhe Golemit.

Parashikimi i motit/ Reshje shiu në disa qytete, temperaturat zbresin me disa gradë

29 September 2024 at 07:41

SHQIPËRI- Sipas MeteoAlb, një sistem i fuqishëm vranësirash do të vendoset në territorin shqiptar duke sjellë rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të vendit; më problematike situata do të paraqitet në zonat veriore dhe veriperëndimore ku intensiteti i tyre do të jetë i lartë; kryesisht në qytetet; Pukë, Dibër, Shkodër dhe Lezhë duke sjellë përmbytje lokale në këto zona; herë pas here priten edhe stuhi të forta ere.

Kjo situatë atmosferike do të vijojë deri vonë në mbrëmje kur pritet përmirësim gradual i kushteve të motit. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 10°C vlera më e ulët deri në 26°C vlera më e lartë në rang vendi, e cila do të shënohet në qytetin e Elbasanit.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi mbi 75 km/h nga drejtimi veripërëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 5-6 ballë./ abcnews.al

Lista/ Dhjetë vendet me rritjen më të shpejtë të numrit të të pasurve

29 September 2024 at 07:12

Popullsia e disa vendeve po bën përparim të konsiderueshëm për sa i përket pasurisë për të rritur.

Raporti i Pasurisë Botërore 2024 i publikuar nga Instituti i Kërkimeve Capgemini, ka evidentuar se numri i individëve me vlerë të lartë neto (HNWI) dhe pasuria e tyre është rritur ndjeshëm në vitin 2023, pas një rikthimi në perspektivën ekonomike globale.

Sipas raportit, pasuria globale HNWI u rrit me 4.7 për qind në 2023 duke arritur në 86.8 trilion dollarë, ndërsa popullsia HNWI u rrit me 5.1 për qind në 22.8 milionë globalisht dhe vazhdon të tregojë një potencial të lartë rritjeje pavarësisht paparashikueshmërisë së tregut.

Tutje, raporti ka bërë të ditur se numri i milionerëve në dollarë amerikanë në nivel global është rreth 58 milionë. Kjo përbën 1.5 për qind të popullsisë së rritur globale.

Raporti i pasurisë së UBS tregoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara vijnë në krye me popullsinë më të madhe të milionerëve me rreth 21.95 milionë individë që kanë pasuri në shtatë shifra ose më shumë.

Kina vjen në vendin e dytë me rreth 6.01 milionë milionerë, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (3.06 milionë), Franca (2.87 milionë) dhe Japonia (2.83 milionë).

Globalisht, popullsia e milionerëve pritet të vazhdojë të rritet me një ritëm interesant në pesë vitet e ardhshme, ndërsa kombet vazhdojnë të promovojnë politika të favorshme për të rritur migrimin e milionerëve dhe për të tërhequr më shumë investitorë.

Tajvani kryesoi renditjen e rritjes së milionerëve me një rritje të parashikuar prej 47 për qind të popullsisë së milionerëve të vendit deri në vitin 2028. Raporti parashikon një kërcim të madh në popullsinë e tij milionerësh nga 788,799 në mbi një milion.

Turqia vjen në vendin e dytë me një rritje të parashikuar prej 43 për qind të popullsisë së saj milionere deri në vitin 2028. I vetmi vend afrikan në renditje, Afrika e Jugut vjen në vendin e 17-të. Raporti parashikoi një rritje prej 20 për qind të popullsisë së saj milionere nga 90,595 në 2023, në 108,557 në 2028.

Edhe pse Afrika krenohet me disa nga individët më të pasur në botë, ata kanë humbur nga migrimi i cili aktualisht po gërryen pasurinë e kontinentit. Andrew Amoils, Shefi i Kërkimeve në New World Wealth vëren se rreth 18,700 individë me vlerë të lartë neto janë larguar nga Afrika gjatë dekadës së fundit (2013-2023).

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

29 September 2024 at 07:04

DASHI

Në dashuri është më mirë të sqaroheni dhe të thoni atë që mendoni. Në punë ka përmirësime, por kujdes shpenzimet e shtëpisë: ndoshta janë paksa të tepërta! Do të keni mundësi të shkëlqyera për sukses në çdo fushë.

DEMI

Sipas horoskopit të Paolo Fox, jo gjithçka shkon ashtu siç do të dëshironit, sepse çdo situatë po e përballoni vetëm. Në punë ka disa tensione, por nga java e ardhshme gjithçka do të ndryshojë! Mos u zemëroni nëse diçka nuk shkon sipas planit.

BINJAKËT

Venusi është përballë, por nuk do mungojnë situatat për ata që duan lidhje të herëpashershme. Në punë, përpiquni t’i kushtoni më shumë vëmendje dhe të kuptoni se me kë keni përballë!

GAFORRJA

Në dashuri ka pak pasiguri, kjo ju bën nervoz. Në punë ka stabilitet, por edhe ju jeni pak të lodhur dhe keni nevojë të pushoni! Do të shihni që pak nga pak gjithçka do të jetë mirë. Përveshni mëngët.

LUANI

Sipas horoskopit të Paolo Fox, Hëna është në opozitë, ndaj në dashuri duhet të përpiqeni të ecni përpara: do t’ju duhet të kapërceni pengesat. Në punë duhet të përballeni me disa probleme që duhet ende të zgjidhen! Mos u zemëroni nëse diçka nuk shkon sipas planit.

VIRGJËRESHA

E dashur Virgjëreshë, në dashuri ka pak mërzi, nuk dini çfarë të bëni. Në punë, bezdi të vogla në horizont, ndoshta diçka nuk po shkon ashtu siç do të dëshironit! Mos u zemëroni nëse diçka nuk ju shkon ashtu siç dëshironi, do të ketë mundësi të shkëlqyera për sukses në çdo fushë. Përveshni mëngët dhe do të shihni që pak nga pak gjithçka do të përmirësohet. Mundësi të shkëlqyera për sukses.

PESHORJA

Dashuria nuk po ecën me not, ndoshta ju pëlqen një person që është shumë i larguar nga ju. Dhe ju keni dyshime. Në punë tregohuni të kujdesshëm në diskutimet me kolegët! Do të shihni që shumë shpejt gjithçka do të bjerë në vend dhe do të arrini gjëra të mëdha në çdo fushë.

AKREPI

Sipas horoskopit të Paolo Fox, ju mungon pak përqendrimi në dashuri, por nesër gjithçka do të jetë më mirë. Në punë, situata përmirësohet: tani ka më pak kaos në jetën tuaj!

SHIGJETARI

Dashuria është e mirë, do të duhet ta lini veten të shkojë në emocione të bukura. Në punë nuk mungojnë lajmet: do t’ju duhet të kaloni disa teste në vitin e ardhshëm!

BRICJAPI

Takime të reja të mira, ditë interesante për dashurinë. Mos u zemëroni nëse diçka nuk shkon sipas planit. Në punë, surpriza të këndshme do të vijnë deri në fund të dhjetorit! Së shpejti do të merrni një kënaqësi të madhe.

UJORI

Sipas horoskopit të Paolo Fox , ju dëshironi të kënaqeni me emocione të bukura. Në punë, kur mbyllet një derë, hapet një derë tjetër! Shumë gjëra do të shkojnë mirë së shpejti, mos e fajësoni nëse diçka nuk shkon sipas planit.

PESHQIT

Dashuri e mirë, ju po punoni shumë për karakterin tuaj. Do të shihni që gjithçka funksionon dhe nuk do të zhgënjeheni. Në punë ka disa tensione sepse keni shumë përgjegjësi! Mundësi të shkëlqyera për sukses. Do të shihni që së shpejti gjithçka do të jetë mirë.

Before yesterdayMain stream

“Të ndalet lufta”, Rama në OKB: Dua të kemi paqe mes Ukrainës dhe Rusisë sa më shpejt të jetë e mundur

27 September 2024 at 21:53

SHBA- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës që mbajti në sesionin e 79-të të Asamblesë të Përgjithshme të OKB, apeloi të ndalet menjëherë lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Rusia duhet ta ndalë këtë luftë”, tha kryeministri Edi Rama., edhe ne duam paqe, duam që të kemi paqe mes Ukrainës dhe Rusisë sa më shpejt të jetë e mundur. Kërkojmë paqe të drejtë, dhe të mbështetur në kartën e Kombeve të Bashkuara, në të drejtën ndërkombëtare dhe në rezolutën e OKB. Shqipëria do të qëndrojë në krah të Ukrainës për aq kohë sa do jetë e nevojshme.”, tha Rama.

LIVE- Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së: Më shumë se kurrë kemi nevojë për tolerancë e besim

27 September 2024 at 21:41

SHBA- Kryeministrit i Shqipërisë, Edi Rama po mban fjalën  në sesionin e 79-të të Asamblesë të Përgjithshme të OKB, në New York.

Ai theksoi se perspektivat për një botë të drejtë dhe të barabartë janë të mjegullta dhe sfiduese, ndaj kërkoi që të gjithë të bëjë rolin e vet.

Ai theksoi se Shqipëria dhe populli i saj ka treguar tolerancë dhe mikpritje.

“Perspektivat tona për një botë të drejtë të barabartë janë të mjegullta sot, kohë sfiduese. Kemi paguar çmimin, ky është një tjetër shans që e marrim në trysni për të bërë ndryshimin, ndërsa kohërat në të cilën jetojmë nuk mund të ishin më të zymta. Ne kishim për qëllim të përfaqësonim atë komunitet vendesh që qëndron së bashku. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për tolerancë e besim. Toleranca kërkon të shkojmë përtej zonave tona të rehatisë, të tolerojmë me respekt, jo thjesht duke pranuar ndryshimet e tjetrit, por duke u angazhuar”, tha Rama.

 

 

❌
❌