Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Shqipëria përgatitet për mbledhjen e dytë ndërqeveritare me BE-në

27 September 2024 at 15:24

Ftesa për qeverinë shqiptare për të paraqitur dokumentin për “Pozicionin Negociues për Grupimin e 1 të kapitujve “Themelorët” për negociatat për anëtarësimin në BE” ka ardhur nga Presidenca Hungareza e Këshillit të BE- së nëpërmjet një letre të datës 25 shtator.

Qeveria i ka përcjellë këtë letër Kuvendit duke kërkuar që të angazhohet për të miratuar dokumentin negociues me të cilin ajo do të paraqitet në këtë mbledhje ndërqeveritare.

Letra e qeverisë, të cilën BIRN e ka parë, kërkon shqyrtimin “me prioritet të lartë” me procedurë të përshpejtuar nga komisioni parlamentar për Çështjet Europiane të draft-dokumentit të përgatitur nga Grupi Negociator, në bazë të Raportit Screening të Bashkimit Evropian.

“Në përputhje me procedurat dhe afatet e Bashkimit Evropian, dokumenti (mbas shqyrtimit nga Komisioni dhe miratimi nga Këshilli i Ministrave) pritet të dërgohet pranë Bashkimit Evropian brenda një kohe shumë të shkurtër për t’i hapur rrugë procedurës (me vendet anëtare) për çeljen negociatave për Grupin e I të kapitujve “Themeloret” dhe organizimit se Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, në mundësinë më të parë (indikohet paraprakishi rreth mesit të tetorit 2024)”, thuhet në letrën e qeverisë për Kuvendin.

Një vit më parë Kuvendi miratoi dispozita të reja ligjore që parashikojnë procedura dhe afate për shqyrtimin e pozicioneve negociuese, duke e detyruar ministrin përgjegjës që të mbajë të informuar Kuvendin dhe të marrë në konsideratë çdo rekomandim që i vjen nga komisioni parlamentar mbi pozicionet negociuese.

Kryeministria i tha BIRN-it se “nuk ka komente për momentin” për letrën dhe se çfarë pritet të ndodhë në vijim me procesin e integrimit.

Ndërsa kryetarja e Komisionit parlamentar për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, nuk komentoi mbi letërkëmbimin duke e cilësuar një procedurë konfidenciale, por i tha BIRN-it se Shqipëria është e vonuar në këtë proces për shkak të mosplotësimit të kritereve.

“Është fatkeqësi që Shqipëria ka humbur 10 vite të gjata pritje si rezultat I mosplotësimit të kritereve dhe dy vite të tjera të gjata pritjeje si rezultat I ngritjes së çështjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sepse kjo është edhe arsyeja kryesore sepse dy vitet e fundit Shqipëria nuk ka avancuar dot në këtë proces si rezultat I zbatimit të shtetit të së drejtës”- komentoi ajo për BIRN.

Tabaku shtoi se si përfaqësuese e opozitës kishte mbështetur procesin e Integrimit duke gjykuar që ky hap duhet të kishte ndodhur kohë më para.

“Opozitës I intereson hapja e negociatave sepse do të fillojë pikërisht me kapitullin e parë që lidhen me çështjen e drejtësisë, të antikorrupsionit, të luftës ndaj krimit të organizuar, të të drejtave të njeriut, të drejtat fondamentale ku bëjnë pjesë edhe zgjedhjet, që kanë qenë pengesa kryesore në këtë proces”- tha ajo.

Tabaku pranon se vendimi për të avancuar Shqipëria është duke u marrë me vendimin që Maqedonia e Veriut nuk do të lëvizë me në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare dhe kjo sjell pasoja për rajonin e Ballkanit.

“Nga pikëpamja e Shqipërisë kjo nuk do të ketë ndikim për momentin, por do të ketë ndikim në rajon në përgjithësi sepse do të vazhdojnë të ekzistojnë në hartë pika të zeza të cilat nuk do të lejojnë integrimin e plotë dhe kjo do të nisë që me tregun, me diplomat dhe me shumë element të tjerë të cilët në këtë proces duhet të kishin avancuar të gjithë sëbashku”- përfundon Tabaku.

Nënkryetarja socialiste e komisionit Etilda Gjonaj nuk qe e arritshme për një koment mbi çështjen.

Ekspertët e shohin veçimin e Shqipërisë në procesin e Integrimit si shtim të detyrimeve ndaj vendit tonë për të përmbushur detyrimet që lidhen me çeljen e negociatave për kapitujt themelore.

“Me nisjen e negociatave procesi do të intensifikohet edhe më shumë, dhe do të kërkohet një angazhim shumë i madh i administratës publike për të ndërmarrë e zbatuar reformat e kërkuara, po gjithashtu dhe politikës, grupeve të interesit e shoqërisë civile”, i tha BIRN-it, Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i “European Movement Albania”.

Ai shtoi se edhe “monitorimi i këtyre reformave nga BE do të jetë më intensiv dhe i vazhdueshëm”.

Sipas Gjipalit nëse BE vendos të hap rrugën për mbajtjen e Konferencës së dytë ndërqeveritare dhe nisjen e negociatave për Grupimin e parë të kapitujve të lagjislacionit të BE-së kjo e bën Shqipërinë vendin e tretë në Ballkan me një status të tillë pas Malit të Zi dhe Serbisë.

“Miratimi përfundimtar bëhet nga Këshilli i Ministrave të BE-së, por hapja e drites jeshile me unanimitet nga Ambasadorët tregon që nuk ka më pengesa nga vendet anëtare”- tha ai. /Telegrafi/

The post Shqipëria përgatitet për mbledhjen e dytë ndërqeveritare me BE-në appeared first on Telegrafi.

Salianji në konferencë: Jam i dënuar politik me urdhër të Fatmir Xhafës

27 September 2024 at 13:24

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në një konferencë për mediat, një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi me një vit burg, u shpreh se urdhrin e dha ish-ministri Fatmir Xhafaj.

“Jam i dënuar politik me urdhër të Fatmir Xhafës”, tha Salianji, teksa pritet zbatimi i vendimit të gjykatës për burgosjen e tij.

“Sot unë jam i dënuar politik me urdhër të Fatmir Xhafës dhe porosi të Ramës. Rama, a e paralajmëroi vendimin në seancë? Pse Rama u detyrua të komentonte një vendim gjyqësor? Në çdo deklarim të mëparshëm ka thënë nuk komentoj vendimet. Çfarë e detyroi të shkelte standardin? Që ishte i tërbuar nga një vendim gjyqësor? Kënaqësinë e mori, ndalimin për kandidimin për deputet e arriti”, theksoi Salianji.

“Në 15 maj 2018, dola në këtë foltore me Bardhin e Alibeajn dhe publikuam vendimin në Itali për dënimin e vëllait të Xhafajt. Pas këtij publikimi, si Agron Xhafaj, ashtu edhe vëllai i tij ministër, nuk patën asnjë reagim për tre ditë resht duke u fshehur. Krimi im është që kam denoncuar me emër këdo që i ka rënë në qafë qytetarëve”, shtoi më tej deputeti demokrat. /Telegrafi/

The post Salianji në konferencë: Jam i dënuar politik me urdhër të Fatmir Xhafës appeared first on Telegrafi.

Gjykata e Apelit reagon për dënimin e Salianjit: Vendimi është marrë në unanimitet

27 September 2024 at 11:33

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u dënua të enjten e 16 shtatorit me një vit burg.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm e dënoi deputetin demokrat për “kallëzim të rremë.

Gjykata e Apelit ka reaguar sërish në lidhje me vendimin e dhënë, ku në një prononcim të shkurtër për media bën me dije se vendimi për të pandehurit e çështjes “Babale” u mor me unanimitet të plotë.

“Nisur nga disa kërkesa lidhur me vendimin e djeshëm, çështja ndaj të pandehurve Ervin Salianji, etj…, ju njoftojmë se vendimi është marrë në unanimitet”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata e Apelit vendosi të enjten të lerë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Ervin Salianjin dhe dënimin e tij me 1 vit burg për dosjen e njohur si “Babalja”. Deputeti demokrat u dënua në 2019-ën nga Shkalla e Parë në lidhje me nje audio përgjim, ku pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë ne trafikun e kanabisit.

Në atë kohë, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe shpalli fajtorë të 4 të pandehurit, mes të cilëve Fredi Alizotin, që inskenoi zërin e Geron Xhafës, Albert Veliun, i njohur ndryshe si “Babalja”, gazetarin Jetmir Olldashi, si dhe deputetin Ervin Salianji. Tashmë në bazë të Kushtetutës, i nderpritet menjëherë mandati Salianjit dhe nga ana tjetër ligji i dekriminalizimit i heq të drejtën të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2025 dhe në zgjedhjet e ardhshme.

The post Gjykata e Apelit reagon për dënimin e Salianjit: Vendimi është marrë në unanimitet appeared first on Telegrafi.

Shqipëria në emergjencë për kujdesin ndaj të moshuarve, mungojnë azilet dhe stafet

26 September 2024 at 15:41

Përkujdesi ndaj të moshuarve nga familjarët po zbehet si një traditë në vendin tonë, për Shqipëria në emergjencë për kujdesin ndaj të moshuarve, mungojnë azilet dhe stafet për shkak të emigrimit të lartë të të rinjve dhe uljes së numrit të lindjeve.

Të dhënat e Cens 2023 treguan se gjyma e familjeve kanë persona mbi 60 vjeç, të cilët janë një kontingjent i madh për kujdes në periudhën e afërt.

Nertila Podgorica, nga Departamenti i Shkencës së Infermierisë dhe Gerontologjisë në Universitetin e Shkencave Shëndetësore në Austri, kreu një studim “Vështirësitë dhe sfidat e përjetuara nga infermierët në institucionet e kujdesit të të moshuarve në
Shqipëri”.

Studimi vuri në dukje se në Shqipëri funksionojnë 39 qendra rezidenciale për të moshuarit, nga të cilat 14 ofrojnë shërbime në Qarkun e Tiranës. Krahasuar, 25 të tjerat ofrojnë shërbime në Korçë (6 qendra), Shkodër (5 qendra), Berat (3 qendra), Durrës, Vlorë dhe Elbasan (2 qendra), Lezhë, Dibër, Gjirokastër, Fier dhe Kukës (1 qendër).

Stafi i këtyre qendrave përbëhet kryesisht nga mjekë dhe infermierë. Në të njëjtën kohë, ka vetëm pak punonjës socialë dhe ndihmësinfermiere, edhe pse profesioni i punonjësit social dhe asistentit të infermierit është i parashikuar në strukturën e autorizuar.

Kjo ndodh sepse as kurrikula universitare dhe as institucionet e trajnimit në Shqipëri nuk ofrojnë trajnim adekuat për asistentët e infermierëve dhe punonjësit socialë në kujdesin për të moshuarit.

Infermierët konsiderohen si shtylla kurrizore e sistemit të kujdesit shëndetësor në ofrimin e shërbimeve thelbësore të kujdesit shëndetësor për popullatën. Njohuria, trajnimi, sjellja dhe kujdesi i infermierëve ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e kujdesit, pasi studimet tregojnë se perspektiva e ofruesve të kujdesit ndikon në cilësinë e kujdesit të ofruar për individët e moshuar.

Studimi i bazuar në anketë gjeti se Shqipëri infermierët përballen me probleme dhe vështirësi të ndryshme në institucionet e kujdesit për të moshuarit. Këto sfida lidhen me mjedisin fizik dhe pajisjet teknike të ambienteve, si dhe me nivelin arsimor të infermierëve.

Mungesa e trajnimit të stafit dhe e një mjedisi të përshtatshëm provohet nga faktet se ndikon në cilësinë e kujdesit të ofruar për të moshuarit në ambientet e kujdesit për të moshuarit, vlerësoi studimi..

Gjatë punës në ambientet e azileve, infermierët kujdesen për personat me demencë dhe të moshuar të tjerë me gjendje të ndryshme shëndetësore, të cilët shprehin pasiguri në vendimmarrje në lidhje me terapinë apo vendime të tjera, veçanërisht në fund të jetës së tyre.

Si rezultat i përballjes me dilema të ndryshme morale dhe pamundësisë për të mbrojtur të moshuarit, infermierët ndeshen me probleme të ndryshme emocionale. Këto sfida intensifikohen kur banorët e moshuar shfaqin sjellje agresive në rritje, duke çuar në shqetësime psikologjike tek infermierët, ulje të orarit të punës, largim nga profesioni dhe, në fund të fundit, mungesë infermierësh.

Sipas Cens 2023 në të gjithë vendin u numëruan 755,950 njësi familjare, ku 49% e tyre dominohen nga persona në moshë pensioni. Të dhëna më të detajuara tregojnë se 195 mijë familje kishin persona të grup-moshës 6069 vjeç, të cilët përbëjnë 26 për qind të totalit të njësive familjare dhe është grupi dominues, raporton Monitor. /Telegrafi/

The post Shqipëria në emergjencë për kujdesin ndaj të moshuarve, mungojnë azilet dhe stafet appeared first on Telegrafi.

Zëvendëson Alfred Pezën, Aurora Polo emërohet drejtore e RTSH-së

26 September 2024 at 11:15

Aurora Polo është emëruar si drejtore e komanduar e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH).

Polo ka qenë më parë drejtuese e Albafilm, si dhe zëvendësdrejtore e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar.

Ajo zëvendëson ish drejtorin Alfred Peza që dha dorëheqjen pak kohë më parë. Vetëm 1 vit pasi mori drejtimin e RTSH-së, Peza dha dorëheqjen e parevokueshme në Këshillin Drejtues.

Ai u vendos në qendër të kritikave për shkak të shkarkimeve masive të punonjësve të RTSH-së. /Telegrafi/

The post Zëvendëson Alfred Pezën, Aurora Polo emërohet drejtore e RTSH-së appeared first on Telegrafi.

Berisha: Fëmijët e mi nuk kanë një qindarkë të vetme pasuri nga burime të paqarta

25 September 2024 at 14:54

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, u njohën zyrtarisht këtë të mërkurë me akuzën për çështjen e kompleksit Partizani.

Berisha, nuk u paraqit personalisht në zyrat e SPAK, por mbyllja e hetimeve u firmos nga avokatët e tij.

Sakaq në një konferencë me gazetarët, Berisha hodhi poshtë akuzat për përfitime të paligjshme nga ana e familjarëve të tij. Berisha tha se fëmijët e tij i kanë të gjitha pasuritë e deklaruara dhe nga vetingu 30-vjeçar ka rezultuar se nuk kanë asnjë pasuri nga burime të paqarta.

“Së dyti, po tek vetingu, ndjehem krenar sepse në mënyrë të përsëritur unë jam i vetmi politikan në Shqipëri që kam deklaruar se jam përgjegjës për fëmijët e mi.

Sepse unë atyre në krye të radhës u kisha bërë të qartë se kërkesa ime numër një ndaj tyre ishte vetëm zbatimi i ligjit në raport me pushtetin e babait të tyre.

Çfarë rezulton?

Rezulton se nga ky veting, ata nuk kanë një qindarkë të vetme pasuri nga burime të paqarta.

Rezulton se ata nuk kanë një qindarkë të vetme pasuri nga tendera, prokurime apo burime publike.

Rezulton se pasuria e tyre është e tëra e bazuar në punën që ata kanë bërë në OKB, në punën që ata kanë bërë në universitetet e vendit dhe jashtë vendit, në punën që ata kanë bërë si ekspertë në fushat e tyre.

Dhe mendoj se kjo përbën për mua, por edhe për çdo mik dashamirës, një tranparencë shumë të vyer.

Në këtë veting 30-vjeçar, rezulton se Sali Berishës nuk i ka paguar kush kurrë qoftë edhe një shpenzim të vetëm.

Nuk ka udhëtuar me bileta të paguar nga njeri.

Nuk ka fjetur në hotele 4500 euro të paguara nga të tjera.

Nuk ka ndërtuar vilë 75 metra themelet pa të ardhura.

Nuk ka firmosur kurrë vendime siç ka firmosur Edi Rama për t’i dhënë vëllait të vet 38 mijë metra katrorë”, tha Berisha. /Telegrafi/

The post Berisha: Fëmijët e mi nuk kanë një qindarkë të vetme pasuri nga burime të paqarta appeared first on Telegrafi.

Hasani: Shqipëria, e përkushtuar në luftën kundër ekstremizmit dhe në kërkimin e llogaridhënies për agresionin rus

25 September 2024 at 13:32

Në takimin anësor të bashkëorganizuar nga Shqipëria, për situatën në Sirinë verilindore, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi se institucionet shqiptare kanë adoptuar dhe zbatuar me sukses një model për identifikimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe përhapjes së radikalizmit.

“Shqipëria ka riatdhesuar vullnetarisht shumicën e grave dhe fëmijëve të shtetasve shqiptarë nga kampet siriane dhe irakiane. Kemi hartuar një program që ofron mundësi specifike për riintegrim, duke siguruar strehim, punë, dhe ndihmë për të lehtësuar integrimin e tyre të plotë në shoqëri. Është thelbësore që të vazhdojmë të promovojmë një qasje gjithëpërfshirëse, në respekt të plotë të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore,” tha Hasani.

Në eventin anësor të nivelit të lartë “Llogaridhënie për Ukrainën”, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi se procesi i llogaridhënies duhet të ecë paralelisht me përpjekjet për paqe.

“Shqipëria mbështet plotësisht procesin e mbajtjes së përgjegjësisë për agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës. Krijimi i regjistrit të dëmeve të shkaktuara nga agresioni rus është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një mekanizmi ndërkombëtar kompensimi,” tha kryediplomati shqiptar.

Kryediplomati Hasani u shpreh se Shqipëria mbështet iniciativën e BE-së për konfiskimin e aseteve të ngrira shtetërore ruse dhe përdorimin e tyre për të adresuar pasojat e ndryshme të agresionit rus kundër Ukrainës.

Në qershor 2024, Shqipëria iu bashkua Grupit Bërthamë për llogaridhënien për krimin e agresionit kundër Ukrainës, për ngritjen e një gjykate për ndjekjen penale të krimit të agresionit.

Ministri Igli Hasani ndodhet në Nju-Jork ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si pjesë e delegacionit shqiptar kryesuar nga Kryeministri Edi Rama.

The post Hasani: Shqipëria, e përkushtuar në luftën kundër ekstremizmit dhe në kërkimin e llogaridhënies për agresionin rus appeared first on Telegrafi.

Krijimi i shtetit sovran bektashi, reagon ambasada e BE-së

25 September 2024 at 13:25

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri i është përgjigjur interesimit të A2 për idenë e krijimit të shtetit sovran bektashi.

Delegacioni i BE-së shpreh mbështetjen për tolerancën dhe dialogun ndërfetar.

“Nuk kemi komente në këtë fazë. Liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë është e sanksionuar në nenin 10 të Kartës së BE-së për të drejtat themelore. Në përgjithësi, BE-ja mbështet tolerancën dhe dialogun ndërfetar. BE-ja nuk ka kompetencë për të rregulluar çështjet fetare”, lexohet në reagimin e BE-së.

The post Krijimi i shtetit sovran bektashi, reagon ambasada e BE-së appeared first on Telegrafi.

Avokati Sokol Mëngjesi kërkon lirimin e urdhëruesit të dyshuar të rrahjes së tij

25 September 2024 at 13:21

Avokati Sokol Mëngjesi i cili u dhunua barbarisht në datë 29 maj të këtij viti, përmes një deklarate noteriale i kërkon Gjykatës së Tiranës lirimin nga qelia të Dritan Nano, personit të dyshuar se ka porositur aktin, me argumentin se nuk ka asnjë konflikt as personal dhe as penal me këtë shtetas.

Përmes mbrojtësit ligjor, Mëngjesi, një deklaratë të tillë e depozitoi në seancën e kësaj të mërkure, ku kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë së Nanos.

Trupa e gjykimit nuk e mori parasysh kërkesën, duke lënë në fuqi masën e sigurisë vendosur ndaj Nanos.

Sokol Mëngjesi u dhunua nga tre persona mëngjesin e 29 majit, mbasi la fëmijën në kopësht, në zonën e ish bllokut.

Personat që morën pjesë në këtë konflikt ishin Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku. Ky i fundit nuk mori pjesë në dhunë, por ndihmoi njërin prej autorëve ta largonte nga vendi ngjarjes.

Nga informacionet, mësohet se Sokol Mëngjesi është rikuperuar dhe ka nisur aktivitetin e punës. Shumë shpejt pritet që të marrë pjesë edhe në seancat gjyqsore, për të mbrojtur klientët që ai përfaqëson. /Telegrafi/

The post Avokati Sokol Mëngjesi kërkon lirimin e urdhëruesit të dyshuar të rrahjes së tij appeared first on Telegrafi.

❌
❌