Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 September 2024Main stream

Zgjedhjet në Austri/ E djathta ekstreme merr shumicën e votave, parashikimet pas mbylljes së votimeve

By: lia rda
29 September 2024 at 18:25

Partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë së Austrisë (FPO) fitoi zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura këtë të diel, pasi fitoi 29.1 për qind të votave, duke i dhënë asaj mundësinë për të formuar një koalicion qeverisës për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, treguan projeksionet.

Në vendin e dytë është Partia Popullore Austriake e kancelarit austriak Karl Nehammer, e cila fitoi 26.2 për qind të votave, ndërsa socialdemokratët morën 20.4 për qind të votave, sipas një projeksioni të bazuar në një sondazh Foresight për transmetuesin ORF.

Ndërsa, NEOS-New Austria ka marrë 8.8% të votave dhe Të Gjelbrit 8.6%.

Votimet janë mbyllur në orën 17:00, shkruan Reuters.

Presidenti i FPO-së Herbert Kickl nuk zbuloi se çfarë hapash mund të ndërmarrë për të siguruar që partia e tij të udhëheqë qeverinë, duke thënë se partitë e tjera austriake nuk duan të bashkëpunojnë me FPO-në./abcnews.al

Danimarka do të investojë rreth 630 milionë dollarë në industrinë e mbrojtjes të Ukrainës

By: lia rda
29 September 2024 at 17:46

Ministria daneze e Mbrojtjes njoftoi këtë të diel se ka lidhur një marrëveshje me Ukrainën për investime në industrinë e mbrojtjes të vendit me vlerë 628 milionë dollarë.

Marrëveshja për synimet për të vazhduar bashkëpunimin me industrinë e mbrojtjes ukrainase u nënshkrua nga ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen, homologu i tij ukrainas Rustem Umerov dhe ministri i Industrisë Strategjike Herman Smetanin.

Sipas deklaratës, fondet daneze do të ndihmojnë armët dhe pajisjet ukrainase për të arritur në front.

Fondet nga asetet e ngrira ruse do të përdoren pjesërisht për këto financa, dhe pjesa tjetër do të sigurohet nga qeveria daneze.

“Kjo forcon aftësinë e Ukrainës për të prodhuar pikërisht armët që i nevojiten”, tha ministri danez./abcnews.al

Tokio/ Mijëra njerëz i japin lamtumirën, dy pandat u kthyen në Kinë për trajtim

By: lia rda
29 September 2024 at 17:25

Dy panda gjigante, të cilat jetuan në një kopsht zoologjik në Tokio për 13 vjet, u kthyen në Kinë për trajtim dhe mijëra njerëz u thanë lamtumirë para nisjes së tyre.

Mashkulli Ri Ri dhe femra Shin Shin, të dy 19 vjeç, mbërritën në kopshtin zoologjik Ueno të Tokios në shkurt të vitit 2011 dhe së fundmi janë trajtuar për presionin e lartë të gjakut në vitet e tyre të avancuara, thanë zyrtarët e qytetit Kyodo.

Pandat u larguan nga shtëpia e tyre e mëparshme herët këtë mëngjes dhe u hipën në një avion për në Kinë, ku do të strehohen në një rezervat të madh pandash në provincën juglindore të Sichuan, ku edhe kanë lindur.

Rreth 2000 njerëz, disa prej të cilëve kanë pritur në radhë gjatë gjithë natës, vizituan kopshtin zoologjik Ueno për të parë për herë të fundit kafshët e tyre shtëpiake dhe për t’i thënë lamtumirë.

Gjatë qëndrimit të saj në Tokio, Shin Shin lindi katër këlyshë./abcnews.al

Kirby: Diplomacia, rruga e duhur për kthimin e sigurt të izraelitëve në veri të vendit

By: lia rda
29 September 2024 at 17:04

Izraeli nuk do të mund t’i kthejë në mënyrë të sigurt qytetarët e vet në shtëpitë e tyre në veri të vendit, në kushtet e një luftë të gjerë me Hezbollahun ose Iranin, tha të dielën zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Izraeli vazhdoi goditjen e objektivave në Liban të dielën, duke vazhduar trysninë ndaj Hezbollahut me sulme të reja pasi vrau udhëheqësin e grupit të mbështetur nga Irani, Sayyed Hassan Nasrallah.

Izraeli ka deklaruar se objektivi i tij është që të mbrojë zonat e tij veriore nga raketat e Hezbollahut dhe të mundësojë kthimin e mijëra banorëve të zhvendosur.

“Një luftë e gjerë me Hezbollahun, aq më tepër me Iranin, nuk është rruga e duhur për ta arritur këtë objektiv. Nëse do t’i kthesh ata njerëz të sigurt në shtëpi, ne besojmë se rruga diplomatike është rruga e duhur,” tha zoti Kirby për rrejtin CNN.

Shtetet e Bashkuara po ndjekin me vëmendje hapat e Hezbollahut për të plotësuar udhëheqjen e vet, pas eliminimit të Nasrallahut dhe figurave të tjera të larta “dhe po vazhdojnë të diskutojnë me izraelitët mbi hapat e ardhshëm të duhur,” tha ai.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se më shumë se 1,000 libanezë janë vrarë dhe 6,000 janë plagosur në dy javët e fundit. Qeveria tha se një milion njerëz – një e pesta e popullsisë – janë larguar nga shtëpitë e tyre./voa

Ukraina sulmon rajonin rus me breshëri dronësh

By: lia rda
29 September 2024 at 16:38

Autoritetet ruse pretendojnë se kanë rrëzuar 125 dronë ukrainas të dielën, gjë që pasqyron përpjekjet e rritura të Kievit për ta kthyer luftën mbi dyvjeçare e gjysmë drejt territorit rus. Ndërkohë, Ukraina raportoi për shumë të plagosur gjatë sulmeve ruse në dhjetë rajone të dielën.

Guvernatori i rajonit jugperëndimor të Rusisë, Belgorod, tha se një burrë është vrarë në qytetin Shebekino, pranë kufirit me Ukrainën.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë la të kuptohet se Ukraina po i përqendron sulmet brenda kufirit rus gjithnjë e më shumë, në rajonin e saj Volgograd, në lindje të rajonit Kursk, ku forcat ukrainase nisën një inkursion të befasishëm në korrik.

Besohet se ato kanë kapur rreth 1.300 kilometra katrorë tokë ruse në Kursk.

Një nga sulmet në Volgograd u raportua pranë një depoje të madhe municioni në Kotluban, e cila ishte shënjestruar edhe në të kaluarën, por nuk është e qartë nëse ka pësuar ndonjë dëm.

Ndërkohë, ushtria e Ukrainës tha se mbrojtja e saj ajrore i ka rrëzuar 15 nga 22 dronë sulmues rusë mbi të paktën katër rajone të vendit gjatë natës dhe tha se pesë dronë të tjerë u zmbrapsën nga masa të tjera “kundërvepruese”.

Kreu i administratës ushtarake të Ukrainës në rajonin jugor të Zaporizhjas, Ivan Fedorov, tha se ndërtesa të larta dhe shtëpi private u goditën gjatë natës dhe se “mund të ketë njerëz nën rrënoja.”

Më vonë, ai tha se një grua u shpëtua nga rrënojat dhe u shtrua në spital.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave tha më vonë se 11 njerëz janë plagosur nga këto sulme.

Në Zaporizhja ka pasur dëme dhe të plagosur pothuajse cdo ditë rishtazi, si pasojë e sulmeve ajrore ruse.

Në Zaporizhja ndodhet termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, i cili është nën pushtimin rus që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më 2022.

Më 28 shtator, zyrtarët ukrainas thanë se gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Leonid Loboyko, u vra në një sulm rus ndaj automjetit të tij ndërsa po dorëzonte ndihma humanitare për banorët e një fshati në rajonin verilindor të Kharkivit.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se rreth një e katërta e 165 luftimeve gjatë 24 orëve të fundit ndodhën në rajonin përreth Pokrovskut, qyteti strategjik në vijën e frontit në rajonin lindor të Donjeckut, ku thuhet se Rusia ka çarë përpara në muajt e fundit.

Radio Evropa e Lirë nuk mund t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur raportimet e asnjërës palë mbi zhvillimet në fushëbetejë, apo viktimat në shumë zona të luftimeve më të ashpra./rel

Tërmeti me magnitudë 4.1 godet Kaliforninë Qendrore

By: lia rda
29 September 2024 at 15:57

Një tërmet me magnitudë 4.1 ballë të shkallës Rihter goditi këtë të dielë pjesën qendrore të shtetit amerikan të Kalifornisë, njoftoi Instituti Sizmologjik Evropian-Mesdhetar (EMSC).

Tërmeti ka ndodhur në një thellësi prej shtatë kilometrash.

Epiqendra ishte 26 kilometra në veri të qytetit të Salinas, i cili ka një popullsi prej rreth 160,000 banorësh.

Nuk ka ende informacione për dëmet e shkaktuara./abcnews.al

Përshkallëzohet konflikti Izrael Hezbollah/ Tel Aviv: Kemi vrarë dy liderë të tjerë në Liban

By: lia rda
29 September 2024 at 15:37

Izraeli shënjestroi këtë të dielë dhjetëra objektiva të grupit militanit Hezbollah në Liban me sulme të vazhdueshme që sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare kanë lënë të vrarë të paktën 8 persona.

Tel Avivi zyrtar deklaroi se kanë vrarë kete te diele dy figura te tjere të lartë të Hezbollah. I pari ësht ështe Nabil Qaouk i cili ishte komandant i Njësisë së Sigurisë Parandaluese të grupit militant Libanez. Qaouk shihej gjithashtu si pasuesi i Hasan Nasrallah, Liderit të Hezbollah i cili pasi qëndroi për 3 dekada në krye të këtij grupi mbeti I vrarë në sulmet Izraelite të së premtes në Bejrut.

Anetari tjeter I Hezbollah  i cili ka mbetur i vrarë është Ali Karki, komandanti I frontit jugor të grupit militant libanez.

Bombarimet Izraelit po vijojnë në lagjen Dahieh në Liban, kjo lagje njihet si vendi ku është vendosur Shtabi kryesor I Hezbollah.

Ministri Libanez per Informacionin deklaroi kete te diele se kabineti qeverises po vijon perpjekjet per nje armepushim te mundshem me Izraelin. Nga ana tjeter zyrtare i larte te Shteteve te Bashkuara thone per CNN  se ekziston nje mundesi qe Izraeli te nis nje inkursion tokesor te kufizuar ne Jug te Libanit.

Kryeministri i Libanit deklaroi se mbi 1 milione qytetare jane zhvendosur nga shtepite e tyre per shkak te luftimeve intensive. ndersa agjencite e ndihmave kane paralajmeruar per nje krize te madhe humanitare.

Që prej përshkallëzimit të tensioneve mes Izraelit dhe Grupit militant Libanez Hezbollah javën e shkuar vlerësohet se mbi 1000 qytetarë kanë mbetur të vrarë në Liban si pasojë e bombardimeve intensive të kryera nga Forcat e Mbrojtjes Izraelite./abcnews.al

Trump fyen Harris/ Kandidati republikan: Kamala është me probleme mendore

By: lia rda
29 September 2024 at 15:18

Kandidati Republikan për Garën Presidenciale të nëntorit ka përdorur retorikën deri më tani kundër emigrantëve të paligjshëm dhe rivales së tij Demokrate Kamala Harris. Nga një tubim në Wisconsin, ish presidenti amerikan i quajti emigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara kafshë që do të pushtonin shtëpitë e amerikanëve.

“Ajo po lejon disa njerëz që të vijnë në Shtetet e Bashkuara, këta njerës do të hyjnë në shtëpitë tuaja dhe do të bëjnë çfarë ata të duan.Këta njerëz janë kafshë. Sot po qëndroj përpara jush për të bërë këtë premtim. Unë do ta çliroj Wisconsin nga ky pushtim masiv i emigrantëve të paligjshëm që janë vrasës, përdhunues,  shpërndarës  droge dhe anëtar të bandave të egra. Ne duhet të çlirojmë vendin tone.”

Trump e quajti Harris një tradhëtare Kombi që nuk ka mbrojtur kufinjtë e Amerikës ndërsa shtoi se kandidatja Demokrate është një person me të meta mendore.

“Kamala është me probleme mendore. Nëse një republikan do të bënte atë që ajo bëri, ai do të fajësohej dhe do të hiqej nga detyre. Një republikan që do të bënte atë që ka bërë Kamala Harris do të vihej përpara drejtësisë për kryerjen e krimeve të rënda.”

Ish presidenti Amerikan shkoi aq larg me ofendimet e tij, sa që tha se në ndryshim nga Joe Biden i cili pëso probleme të shëndetit mendor përgjatë viteve të fundit, Kamala Harris ka lindur me këto probleme të shëndetit mendor.

“Joe Biden u përball me probleme të shëndeti mendor përgjatë jetës së tij, por Kamala Harris ka lindur kështu. Nëse vetëm mendoni për pak, do të kuptoni se vetëm një person me probleme mendore mund ti bënte vendit tone atë që bëri ajo.Nëse Kamala Harrsi vjen në pushtet e gjithë Amerika do të shëndërrohet në një ferr të botës së tretë.”

Në fjalimin e tij në Wisconsin, Trumo ishte I rrethuar nga postera të emigrantëve të paligjshëm në SHBA të cilët janë arrestuar nga organet ligjzbatouse për vrasje dhe krime të tjera të dhunshme. Në këto postera shkruhej “Ndalini Krimet e Kryera nga Emigrantët e Paligjshëm” si dhe “Dëboni Ilegalët tani.”

Përgjatë 4 vjeçarit të administratës Biden në Pushtet, rreth 7 milionë emigrantë të paligjshëm janë arrestuar duke kaluar ilegalisht Kufirin SHBA – Meksikë, një shifër rekord kjo që ka nxitur kritika të ashpra nga republikanët.

Nga kufiri Meksikë – SHBA, Kandidatja Demokrate për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit  Kamala Harris bëri thirrje për kufizime më të forta ndaj emigracionit të paligjshëm dhe u zotua se do të ketë prioritet kryesor të saj ndalimin  e hyrjes së fentalinit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./abcnews.al

Rumania përballet me rrezikun e përmbytjeve

By: lia rda
29 September 2024 at 14:58

Autoritetet rumune shpallën gjendje alarmi të lartë për rrezikun nga përmbytjet në dy rajone në lindje të vendit, si dhe urdhëruan evakuimin e banorëve.

Pjesët e tjera të vendit do të jenë nën vëzhgim të lartë pasi pritet që një shi i rrëmbyeshëm dhe erëra të forta ta godasin vendin më 29 shtator.

Zyrtarët paralajmëruan se rreziqet janë rritur për shkak të bllokimit të rrugëve të ujit dhe dëmtimeve të tjera nga përmbytjet vdekjeprurëse që goditën Rumaninë dhe një pjesë të madhe të Evropës Qendrore më herët këtë muaj, kur stuhia Boris përmbyti zonat e ulëta.

Kontet verilindore të Rumanisë, Galati dhe Vaslui, përgjatë lumit Danub, sërish përballen me rreziqe të mëdha, pasi parashikohet një stuhi e re për këtë javë.

Vendimi i Institutit Kombëtar të Hidrologjisë dhe Menaxhimit të Ujërave (INHGA) për ngritjen e alarmeve do të mbeten në fuqi deri më 1 tetor.

“Asnjë person nuk duhet të qëndrojë në zonat e rrezikut”, njoftoi këshilli bashkiak i Galatit.

“Të gjithë kryetarët e bashkive nga zonat e rrezikuara duhet t’i evakuojnë banorët prej atje. Nuk duhet të kemi më humbje jete”, tha ai.

Këshilli urdhëroi që shkollat dhe ndërtesat e tjera jashtë zonave të rrezikuara të përgatiten për të akomoduar t’i evakuuarit.

“Gjendja është më e keqe se herën e kaluar”, tha Costel Fotea, presidenti i këshillit të kontit të Galatit.

“Rrugët e ujit janë bllokuar në shumë zona, kanalet nuk janë pastruar plotësisht dhe sasia e ujit e parashikuar nga meteorologët është shumë e lartë”, shtoi ai.

Meteorologët parashikuan se reshjet më mëdha do të ndodhin më 29 shtator.

Përmbytjet nga stuhia Boris kanë vrarë gjashtë persona në Galati dhe kanë dëmtuar mijëra shtëpi.

Njëzet njerëz të tjerë kanë humbur jetën në përgjithësi, përfshirë në Republikën Çeke, Poloni dhe vende të tjera./rel

Kostumografia, pasuria kulturore e Lezhës/ Veshjet tradicionale prezantohen në Ditën Botërore të Kulturës

By: lia rda
29 September 2024 at 14:40

Dita e Trashëgimisë Kulturore ne Lezhe iu dedikua veshjeve tradicionale. Vlerat e tyre u prezantuan në një ekspozitë të hapur për publikun.

Restaurimi i këtyre kostumeve ka qene në fokus të ekspertëve vitet e fundit

Me veshjet popullore sipas përgjegjësit të trashëgimisë kulturore në bashkinë e qytetit Lezha është përfaqësuar me dinjitet në aktivitet të ndryshme./abcnews.al

Sulmet ajrore amerikane në Siri vrasin 37 militantë të lidhur me grupe ekstremiste

By: lia rda
29 September 2024 at 14:23

Ushtria amerikane tha të dielën se 37 militantë, të lidhur me grupin ekstremist Shteti Islamik dhe grupin e al-Qaedas, janë vrarë në dy sulme ajrore në Siri.

Dy nga të vrarët ishin militantë të lartë, tha ajo.

Komanda Qendrore e SHBA-së tha se kreu sulme ajrore në veriperëndim të Sirisë ndaj një militanti të lartë nga grupi i lidhur me al-Qaedan, Hurras al-Deen, dhe tetë të tjerëve.

Ajo thotë se ata ishin përgjegjës për udhëheqjen e operacioneve ushtarake.

Ushtria amerikane njoftoi gjithashtu se kreu një sulm më 16 shtator ndaj një kampi stërvitor të Shtetit Islamik në një lokacion të largët të pazbuluar në Sirinë qendrore. Në atë sulm u vranë 28 militantë, përfshirë “së paku katër liderë sirianë”.

“Sulmi ajror do t’ia pamundësojë Shtetit Islamik të kryejë operacione kundër interesave amerikane, si dhe kundër aleatëve dhe partnerëve tanë”, thuhet në njoftim.

Rreth 900 trupave amerikanë ndodhen në Siri, bashkë me një numër të pazbuluar të kontraktuesve, në përpjekje për të mos e lejuar grupin ekstremist Shteti Islamik të rikthehet.

Shteti Islamik kishte bërë kërdi në Irak dhe Siri më 2014, duke marrë nën kontroll pjesë të madhe të territorit.

Forcat amerikane i këshillojnë dhe ndihmojnë aleatët e vet kryesorë në verilindje të Sirisë, Forcat Demokratike të Sirisë të udhëhequra nga kurdët, të cilat ndodhet jo larg zonave strategjike ku grupet militante të mbështetura nga Irani kanë prani./rel

Dita Botërore e Zemrës/ Mjekët e QSUT apel për kontroll qytetarëve mbi 40 vjeç

By: lia rda
29 September 2024 at 14:02

Shumë shqiptarë kanë pak ose aspak kulturë shëndetësore. Shkojnë tek mjeku kur shëndeti iu është rënduar. Në ditën botërore të  zemrës shefi i shërbimit të kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare  “Nënë Tereza”, Altin Veshti tregon rastin e një 45 vjeçari dhe bën thirrje për kontrolle mjekësore.

“Këtë javë që kaloi unë operova një djalë 45 vjeç. Kishte aortë të dilatuar 6 cm, pra erdhi me aortë të çarë, nëqoftë se ky person do kishte ardhur një javë para do e kishim operuar në gjendje shumë më të mirë, jo me rrezikun e lartë që e operuam. Operacioni shkoi mirë, por ishte drejt vdekjes të papritur. Ky është një rast këmbanë që bie, që njerëzit duhet të bëjnë vizita, një analizë gjaku  dhe vizitë zemre”. 

Kapja në kohë e problemit shmang ndërlikimet. Nëse i keni mbushur të 40-at mjeku sugjeron të kryeni të paktën një eko apo një elektrokardiogramë  për të parë gjendjen e zemrës suaj.

“Çdo njeri të paktën duhet të ketë bërë një vizitë midis moshës 40 deri 50 vjeç, e mira është ta bëjnë dhe më parë sepse sot po shohim gjithnjë një ulje të moshës të pacientëve që kanë probleme në zemër dhe unë nuk dua  e nuk do të doja të dëgjoja më njerëz që arrijnë me krenari në moshën 70 vjeçare dhe thonë unë skam bërë  asnjëherë asnjë vizitë, është hera e parë që shkoj tek mjeku. Kjo është diçka që duhet të zhduket nga kultura jonë.  E rithem nga veriu në jug ekzistojnë të gjithë mundësitë në spitalet shtetërore për të bërë vizita për zemrën për të parë në çfarë niveli jemi”.

Trashëgimia, mënyra e jetesës dhe sëmundje si diabeti dhe hipertensioni sipas mjekëve po ndikojnë në shtimin e personave që vuajnë nga zemra.   Ndërsa shqetësime të tilla ata thonë se  nuk duhen neglizhuar.

“Çdo marrje fryme, dhimbje gjoksi  mbi 45- 50 vjeç duhet marrë seriozisht dhe duhet përjashtuar zemra e para. Trashëgimia, sigurisht  faktor rreziku është dhe duhani, diabeti, mosbërja e aktivitetit fizik dhe këtë kulturë se kemi të shpërndarë dhe një dietë jo e bazuar në yndyrë”.

Në mbarë botën zemra zë vendin e parë për sëmundshmërinë, por edhe humbjet e jetës në popullatë. Në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë vetëm vitin e shkuar janë paraqitur 1900 urgjenca kardiake./abcnews.al

EMRI/ Aksident i rëndë në Pukë/ Mjeti përfundon në humnerë, vdes 40-vjeçari

By: lia rda
29 September 2024 at 13:32

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur këtë të diel në fshatin Iballë të Pukës.

Mësohet se një automjet ka përfunduar në humnerë në vendin e njohur si Laku i Qershisë.

Si pasojë, Geg Kola, rreth 40 vjec, drejtues mjeti ka gjetur vdekjen, sipas burimeve policore.

Ndërkohë, grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit./abcnews.al

Rrugorja me masa të rrepta/ 22 të arrestuar dhe mbi 9 mijë gjoba në një javë

By: lia rda
29 September 2024 at 13:19

Policia Rrugore ka vijuar me masa të rrepta edhe këtë javë. Mësohet se janë arrestuar 22 persona për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit. Sakaq, janë gjobitur mbi 9 mijë persona dhe janë bllokuar 11 automjete, përfshirë 4 me targa të huaja.

Njoftimi i Policisë:

Rezultatet javore të Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë (22.09.2024 – 28.09.2024)

Gjatë javës së fundit, janë zbatuar masa të rrepta në ruajtjen e rendit dhe sigurisë rrugore:

22 Arrestime dhe procedime penale:

  • 3 persona për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
  • 5 persona për pa leje drejtimi.
  • 13 persona për shkelje të rregullave të qarkullimit.
  • 1 person për largim nga vendi i aksidentit

Masat administrative:

  • 9.949 masa administrative të vendosura, mesatarisht 1,421 në ditë.
  • 40 masa për xhama të zinj.
  • 552 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara.
  • 271 masa për përdorim celulari gjatë drejtimit.
  • 659 masa për mos vendosjen e rripit të sigurimit.
  • 483 masa për mosdhënie përparësi qytetarëve.
  • 6.827 masa për qëndrim të gabuar.
  •  550 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse/jelekut fosforeshent, neni 169.

Pezullime dhe bllokime:

  • 11 raste pezullim për drejtim nën ndikimin e alkoolit.
  • 20 raste për tejkalim shpejtësie.
  • 37 raste të ndryshme

11 automjete u bllokuan, përfshirë 4 me targa të huaja.

Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor për një udhëtim të sigurt!

Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)

By: lia rda
29 September 2024 at 13:14

Nga Skënder Minxhozi,

Plot 26 vite më parë, në 14 shtator të vitit 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit, përkrahës të opozitës demokrate rrëmbyen dy tanke nga duart e ushtarëve të Gardës në bulevard, gjatë protestës së armatosur para zyrave të Fatos Nanos. Ishte dita kur shteti ra dhe kur kaosi mbizotëroi Tiranën për shumë orë. Pas mbarimit të rrëmujave, opozita i mori dy tanket dhe i vendosi në dyert e selisë së partisë, e cila ndodhej pranë Akademisë së Shkencave, tek Parlamenti. Një lloj hipoteke për t’u ndjerë të sigurt përballë një qeverie e cila në fakt kishte marrë rrugët e kishte lënë Tiranën.

Ambasadat e huaja dhe sidomos OSBE me ambasadorin e kohës Dan Everts hoqën shumë derisa bindën Sali Berishën të kthente tanket në Gardën e Republikës, aty ku u takonte të rrinin ato armë të rënda. Partia me tanke te dera ngjante vërtet keq.

Vite më pas, në një sfidë tjetër jo aq të ngjashme në dukje por po aq flagrante ndaj ligjit e shtetit të së drejtës, qeveria e Berishës e rikthyer në pushtet në 2005, refuzoi të lejonte Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama që të arrestonte disa anëtarë të Gardës pas vrasjeve të 21 janarit 2011.

Ishte një tjetër lloj sfide e kundërshtie nga vendosja e tankeve në derën e selisë, por që të dyja episodet ishin dhe janë ende dëshmi të hapura e të pandëshkuara të antishtetit që gjallon brenda qenies së Partisë Demokratike. Një organizatë parapolitike më shumë sesa një forcë e përgjegjshme që ka mbajtur frenat e shtetit në duar për shumë vite.

E vërteton këtë trajektore edhe sjellja e orëve të fundit kur pritej arrestimi i deputetit Ervin Salianji, e kur eksponentë kryesorë të partisë flirtuan me idenë e çmendur të mbylljes në seli dhe pengimit të vendimit të gjykatës për deputetin.

Ervin Salianji i shpëtoi faqen partisë së tij të premten, pak orë para se të dorëzohej tek forcat e rendit. Shpëtoi në fakt edhe veten, duke mos dëgjuar ekstremizmin “kaps” të kokave të nxehta të partisë së tij. Megjithë stresin dhe presionin e madh në të cilin ndodhej ai u tregua më i kthjellët, më i logjikshëm dhe mbi të gjitha më i përgjegjshëm se ata kolegë që kishte rreth e rrotull, të cilët duke i rrahur shpatullat po tentonin që ta shfrytëzonin burgun e tij për të ndezur një frymë proteste që s’kishin qenë të zotët ta nxisnin vetë për 12 vjet rresht nën qeverisjen e Edi Ramës.

Salianji e kuptoi se ajo që i ofronin jo vetëm i zgjaste burgun, por edhe përbënte një përdorim të ulët të një dënimi që do ta vuante vetëm ai e jo dikush tjetër. E shëmtuar sa më s’ka që PD kërkoi të nxirrte gështenjat nga zjarri duke rënduar zyrtarin e saj, e duke provokuar njëherësh një krizë të rrezikshme e me pasoja të paparashikueshme mes institucioneve të shtetit dhe partisë më të madhe të opozitës.

Një parti e madhe politike që hedh publikisht idenë, me gojën e një ish-ministri drejtësie sot sekretar i përgjithshëm dhe kryetar grupi, se nuk duhet pranuar një vendim gjykate i formës së prerë, është jo e gatshme të drejtojë një vend. Ta drejtojë siç duhet, jo si në 14 shtator apo 21 janar kur shkeli ligjin hapur e me të dyja këmbët. Ta drejtojë e jo ta përdorë shtetin dhe ligjin.

Të kesh qenë ministër drejtësie e të veprosh si Gazmend Bardhi që kërcënon gjyqtarët në prezencë të mediave dhe më pas i bën thirrje kolegut që po shkon në burg që të mbyllet në “kullën e ngujimit” të partisë, do të thotë të mos kesh asnjë gram koshience politike e qytetare në lidhje me atë që përfaqëson përballë shqiptarëve të thjeshtë. Të cilët nuk e kanë luksin (dhe as dëshirën) që të sfidojnë drejtësinë, por i zbatojnë vendimet e gjykatave edhe kur goditen rëndë prej tyre.

Nëse elita politike e këtij vendi vazhdon edhe sot, 33 vjet pas rënies së komunizmit, të japë këtë lloj shembulli në lidhje me respektin për ligjin dhe institucionet e pavarura të shtetit, do të thotë se na duhet një elitë tjetër. Jemi ngopur me fantazmat e viteve ’90, na vret sidomos kur shohim që edhe ata që vetëquhen të rinj sillen si krerët e moshuar që e kanë mbyllur kohën e tyre majë kalit të pushtetit. Për këta të dytët është ilaç koha, kurse të parëve s’ka ilaç që u bën punë. Përveç votës…/abcnews.al

Hallat dhunojnë mbesën në Tiranë, përfundojnë në prangat e policisë

By: lia rda
29 September 2024 at 12:22

Dy halla kanë përfunduar në prangat e policisë në Tiranë, pasi kanë dhunuar mbesën e tyre.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 arrestuan shtetaset 57 vjeçe, 50 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj mbesës së tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, materialet i kaluan Prokurorisë./abcnews.al

Angelina Jolie i ka dhënë fund betejës së saj ligjore dyvjeçare kundër FBI-së

By: lia rda
29 September 2024 at 12:01

Aktorja amerikane Angelina Jolie, pas një beteje ligjore dyvjeçare, hoqi dorë nga padia kundër FBI-së për hetimin e FBI-së për një incident të dyshuar abuzimi mes saj dhe ish-bashkëshortit të saj Brad Pitt.

Jolie paraqiti tërheqjen e padisë më 25 shtator, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six.

Të dyja palët do të jenë përgjegjëse për pagesën e tarifave të tyre ligjore.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Jolie kërkoi informacion në lidhje me hetimin e FBI-së për një grindje të dyshuar me Pitt në një avion privat që përfshinte fëmijët e tyre në vitin 2016.

Hetimi u mbyll më 22 nëntor 2016, pa akuza ndaj Pitt.

Jolie bëri kërkesë për divorc nga aktori disa ditë më vonë. Ajo ngriti një padi kundër FBI-së me pseudonimin “Jane Doe” në prill 2022.

Duke përmendur Ligjin për Lirinë e Informimit, aktorja kërkoi informacione “për hetimin e Agjencisë për një incident të dhunës në familje që ndodhi disa vite më parë, ku fëmijët e saj të mitur ishin përfshirë si viktima dhe dëshmitarë”./abcnews.al

Nis ndërtimi i terminalit të autobusëve te kthesa e Kamzës, Veliaj: 5 herë më i madh se Terminali Lindor

By: lia rda
29 September 2024 at 11:40

Kryetari I Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin e mirë për nisjen e punimeve për ndërtimin e terminalit Veri-Perëndimor të autobusëve, me vendndodhje te kthesa e Kamzës. Gjatë inspektimit në terren, ai tha se problemet me pronësinë, që e mbajtën peng prej 9 vitesh zbatimin e këtij projekti, kanë marrë fund.

“Jam vërtet entuziast sepse kemi 9 vite që e presim këtë ditë. Kemi pasur një sërë gjyqesh dhe kemi provuar në vetë të parë se çfarë do të thotë drama e një gjyqësori, e një sistemi totalisht të shkalafitur të pronave, të zaptuesve, të legalizimit, të hipotekave, por më në fund ia kemi dalë që t’i fitojmë të gjitha betejat. Sot ia kemi dalë që të fillojmë edhe punën, është një fillim i mbarë i një projekti që kemi vite që e presim”, tha Veliaj.

Sipas tij, ky është një nga projektet më jetike për Tiranën, që do t’i japë zgjidhje edhe trafikut. “Tani është puna e dukshme, por puna e padukshme ishin betejat ligjore, administrative. Më në fund fitoi publiku, fitoi e përbashkëta, jo një privat, jo një zaptues, për një tokë që ishte gjithmonë tokë e shtetit, por që gjithmonë i dilnin yçkla, që gjithmonë e kishte dikush një njohje, një taraf, një zgjidhje të shkurtër, për atë që në fakt ishte një nga projektet më të nevojshme, më jetike të Tiranës”, shtoi ai.

Duke dhënë detaje mbi projektin, kryebashkiaku u shpreh se do të jetë i ngjashëm me Terminalin Lindor të Autobusëve, por 5 herë më i madh. Madje, pjesë e këtij terminali do të jetë edhe një lulishte, e cila mund të frekuentohet nga udhëtarët apo banorët e zonës.

“Është shumë i ngjashëm me terminalin lindor të Tiranës, por 5 herë më i madh se ai. Nëse terminali që kemi në Lundër është kryesisht për linjat e juglindjes dhe Greqinë e Veriut, Maqedoninë e Turqinë, këtu bëhet fjalë për linjat e veriut, jugut të Shqipërisë dhe linjat e tjera ndërkombëtare, që shkojnë si nga veriu, edhe nga jugu. Nuk do të jetë i gjithë park autobusësh sepse pjesa më e madhe është lulishte. Kjo do të thotë se banorët e kthesës së Kamzës, të Mëzezit, banorët e Laprakës, fitojnë një lulishte të madhe, e cila ka edhe shërbimin e autobusëve”, tha më tej Veliaj.

“Këtu do të kemi një transport multimodal. Pas atyre pemëve atje, kemi edhe binarët që duken, është stacioni i trenit, i cili do të ndalojë këtu në kthesën e Kamzës. Sigurisht, do të ketë edhe një stacion qytetas, që do të vijë te fillimi i Bulevardit të Ri, por mallrat, kargo, apo ndërrimi nga treni në autobus do të ndodhë tek ky terminal i madh. Përbri rrugës, do të kemi stacionin e autobusëve lokalë, pra ajo që ne e quajmë Urbani”, shtoi ai.

Për efekt pune, në mes të tetorit, Veliaj tha se do të bëhet transferimi i terminalit provizor. “Rreth datës 15 tetor do të bëjmë transferimin e ndërmjetësuar nga Tirana Parking tek ky territor ku jemi tani. Të gjithë autobusët që shkonin në fund, do të vijnë këtu që të ndërtojmë terminalin kryesor. Do të jetë një terminal si në aeroport”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Ndërsa, bëri një rezyme të investimeve të suksesshme të Bashkisë së Tiranës, Veliaj shtoi se të gjitha projektet e mëdha janë sulmuar nga opozita, e cila nuk ia ka dalë dot që t’i bllokojë.

“Fakti që terminali i parë, terminali lindor, prodhoi sukses dhe ka ulur ndjeshëm tensionin e trafikut në rrugën e “Elbasanit”, presim që të shikojmë të njëjtin rezultat tek rrethrrotullimi i “Shqiponjës” dhe lagjja “Rilindja”, e cila ka pësuar një transformim total. Unë e di që të gjitha projektet e mëdha sulmohen, – jo po do kalosh mbi trupin tim, jo po këtu s’kalon, jo po këtu është vijë e kuqe, vijë e verdhë – ndërkohë, e pamë që shkatërrimi i këtyre vijave idiote imagjinare në kokën e disave prodhoi rezultat ekonomik për të gjithë zonën e lagjes “Rilindja”, ku Unaza e Madhe ka çliruar të gjithë atë energji, duke rritur vlerën e apartamenteve”, përfundoi ai./abcnews.al

❌
❌