Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 September 2024Main stream

Kaos në Kuvend/ Spiropali mbyll seancën për 20 minuta. Përjashtohet Flamur Noka

30 September 2024 at 17:33

Nga Gazeta ‘SI’- Tensionet dhe përplasjet në Kuvend kanë vijuar edhe pas rinisjes së seancës plenare. Ndërsa po fliste deputeti socialist Petro Koçi, demokrati Flamur Noka, i ka ndaluar fjalën, duke i hequr mikrofonin.

Pas këtij veprimi Spiropali ka njoftuar përjashtimin nga Kuvendi të Flamur Nokës, si dhe ka mbyllur seancën e sotme plenare.

Që në nisje të seancës Noka hodhi bidona dhe sende të tjera të forta në drejtim të Spiropalit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh para kamerave se kjo protestë nuk bëhet për karriget e tyre.

“Rama ia ka vendosur zjarrin Shqipërisë. Kërkon të uzurpojë karriget e deputetëve të opozitës. Nuk jemi këtu për karriget tona. Jemi këtu për të mbrojtur interesin publik. Të vërtetës nuk i mbyllet dot goja”, tha Bardhi.

The post Kaos në Kuvend/ Spiropali mbyll seancën për 20 minuta. Përjashtohet Flamur Noka appeared first on Gazeta Si.

Pamjet/ Tension brenda dhe jashtë Kuvendit. Demokratët djegin karriget

30 September 2024 at 17:24

Ka nisur me tensione dhe incidente seanca e sotme parlamentare, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe disa prej tyre gjuajtën me sende të forta.

Deputetët e Partisë Demokratike, pasi hodhën sende të forta në Kuvend, kanë nxjerrë jashtë godinës karriget e tyre dhe i kanë bërë grumbull në shkallët e Parlamentit, duke i vënë më pas flakën.

Siç shihet edhe nga pamjet, demokratët bënë grumbull karriget në shkallët e Parlamentit dhe i vunë zjarrin.

Grupi i PD kishte paralajmëruar mosbindje në Kuvend dhe për të mos pasur jetë parlamentare normale, pas vendimit për denimin me një vit burg të Ervin Salianjit.

The post Pamjet/ Tension brenda dhe jashtë Kuvendit. Demokratët djegin karriget appeared first on Gazeta Si.

Euro e mbyll shtatorin në nivelin më të ulët në histori. Këmbehet me 98.77 lekë

30 September 2024 at 13:25

Nga Gazeta ‘SI’ – Kursi euro-lekë ka mbyllur shtatorin në nivelin më të ulët në histori.

Në ditën e fundit të muajit, një euro këmbehet me 98.77 lekë, vlerë e paregjistruar më parë. Edhe dollari vazhdon rënien dhe këmbehet me 88.25 lekë, ndërsa paundi britanik me 118.34 lekë.

Euro është zhvlerësuar fort në fund të sezonit turistike, pas një “ngrirje” në vlerën e 100 lekëve, përgjatë sezonit.

 Për autoritetet, flukset e turistëve dhe investimeve të huaja vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi monedhën europiane. Për ekspertët financiarë fluksi formal i euros nuk ka në ekonomi aq peshë sa për të shkaktuar një goditje të tillë, duke sugjeruar se janë flukset informale ato qe e ndikojnë.

Një aktivitet të tillë e konfirmoi dhe vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, duke thënë se paraja e pistë ka ndikim në kursin e këmbimit dhe se është e vështirë për t’u matur.

The post Euro e mbyll shtatorin në nivelin më të ulët në histori. Këmbehet me 98.77 lekë appeared first on Gazeta Si.

Rritja e ekonomisë së Shqipërisë u ngadalësua gjatë 2023-shit

30 September 2024 at 13:09

Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e PBB-së së Shqipërisë u ngadalësua gjatë vitit 2023, raporton INSTAT.

Sipas rishikimit të fundit gjysmëfinal, ekonomia u rrit me 3.94% përgjatë vitit të shkuar (fillimisht ishte raportuar 3.45%), ndërsa në vitin 2022 ajo ishte rritur me 4.83% (para rishikimit 4.86%).

PBB me çmime korrente në vitin 2023 u vlerësua 2.369.906 milion lekë, 2.149.741 milion lekë për vitin 2022.

Shërbimet kishin peshën më të madhe në ekonomi përgjatë 2023-shit, me 47.96% me një rritje prej më shumë se 8%, ndjekur nga industria dhe ndërtimi me 23%, por industria përjetoi një rënie me 2.4%, ndërsa ndërtimi u rrit me 8.3%. Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 16.22% të PBB-së, por raportojnë një rënie rreth 2%.

Sipas PBB-së me metodën e shpenzimeve, konsumi final përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi me 82.25%. Ky komponent u rrit me 8.73% në terma nominalë dhe 3.19% në terma realë.

Konsumi final i popullatës zë 69.64% të konsumit final, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 12,05% dhe konsumi i institucioneve në shërbim të familjeve (NPISH-eng) me 0,57%.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 14.59% në terma nominalë dhe me 9.45% në terma realë, ndërkohë Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 1.72% në terma nominalë dhe me 0.21% në terma realë, krahasuar me vitin 2022.

INSTAT njofton se rishikimi i PBB-së është bërë me anë të metodologjisë së koordinuar me BE-në.

The post Rritja e ekonomisë së Shqipërisë u ngadalësua gjatë 2023-shit appeared first on Gazeta Si.

Daily Mail: Shqiptarët i marrin tregun e drogës vietnamezëve. ‘Kushot’ mësojnë si rriten ‘trëndafilat’

30 September 2024 at 12:28

Të rinj shqiptarë vënë në risk jetën e tyre për të mbërritur në tokën angleze. Me kamionë apo gomone, shumë prej tyre kanë mundur të arrijnë ilegalisht në Britaninë e Madhe, ku mediat vendase i dedikojnë vazhdimisht artikuj mbi kalimet ilegale apo veprimtarinë kriminale të të rinjve shqiptarë atje.

Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) tha se “profesionalizmi i pamëshirshëm” që kanë sjellë shqiptarët në kultivimin e kanabisit, u ka mundësuar atyre të zhvendosin vietnamezët si ofruesit kryesorë vendas të drogës në Britani.

Bandat shqiptare të specializuara më parë për kokainën u transferuan tek kanabisi sepse ishte “me rrezik shumë, shumë më të ulët”.

Kanabisi sjell një fitim të mirë për shkak të kërkesës së lartë. Britanikët konsumojnë 240 ton drogë, me vlerë 2.4 miliardë paund në vit dhe ky aktivitet nuk kërkon transport të rrezikshëm ndërkufitar sepse është një prodhim vendas, sipas NCA.

Ata janë rekrutuar si punëtorë në “fermat” ilegale të kanabisit të ngritura nëpër shtëpi me qira ose ndërtesa industriale të pashfrytëzuara për të prodhuar bimë kanabisi me vlerë deri në 2 milionë paund, të cilat mund të rriten dhe korren në vetëm 12 javë.

Kjo rritje në industrinë e prodhimit të kanabisit është zbuluar nga një investigim i fshehtë në një kanal sekret në shërbimin e koduar të mesazheve, Telegram. Ai përdoret nga më shumë se 700 shqiptarë për të shkëmbyer informacione mbi operacionet e tyre të kanabisit.

Bisedat midis anëtarëve të grupit përqendrohen tek kimikatet më të mira për rritjen e bimëve, mënyrën më efektive për të korrur kanabisin, mënyrën e sigurimit të pronave për prodhimin e drogës dhe madje edhe pse harqet janë më të mira se armët për të mbrojtur të korrat e tyre nga bandat rivale.

Anëtarët e grupit rrëfejnë aty edhe grabitjet ku punëtorëve të “fermës” së kanabisit u janë prerë gishtat dhe pronarëve u kanë kërkuar shumë pesëshifrore të fitimeve.

Rritja e numrit të shqiptarëve që kaluan Kanalin në vitin 2022, kur 12.685 persona arritën në Britaninë e Madhe me varka të vogla, ka siguruar një furnizimin të gatshëm punëtorësh të paligjshëm, të aftë në teknologjinë hidroponike që kërkohet për të rritur bimët në dhomat e errëta të shtëpive ku të gjitha dritaret janë të vulosura.

Kjo ka çuar në rritjen e fokusit të policisë në prodhimin vendas të kanabisit.

Rreth 29 shqiptarë u dënuan vetëm në korrik për prodhim të paligjshëm të drogës. Kjo u pasua nga 24 shqiptarë të tjerë që u paraqitën para gjykatave në gusht. Kjo përfaqëson gati 1 shqiptar në ditë.

Rreth 101 emigrantë shqiptarë të paligjshëm u dënuan me më shumë se 300 vjet burg në 3 muaj e fundit të vitit të kaluar. Tre të katërtat e tyre u dënuan për vepra të lidhura me prodhimin e kanabisit në të gjithë Anglinë dhe Uellsin në “shtëpi bari”.

Shumë nga emigrantët e paligjshëm u rekrutuan nga bandat pasi një aksion i qeverisë kundër punës në të zezë e bëri të vështirë për ta gjetjen e punës.

Gjobat për bosët që punësojnë emigrantë të paligjshëm janë trefishuar deri në 60 mijë £ për punëtor duke i lënë ata jashtë bizneseve.

Policia është e shqetësuar se Telegrami është bërë një platformë e përshtatshme për kriminelët. Ka 900 milionë përdorues, por vetëm rreth 100 punonjës.

Pavel Durov, themeluesi i Telegram me origjinë ruse, u arrestua në Francë këtë verë për dështim e tij për të luftuar përdorimin e platformës së tij për krime, duke përfshirë edhe përhapjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve.

Kanali i shqiptarëve ka emrin “Kusho”, që do të thotë “kushëri” dhe është pseudonimi që shqiptarët përdorin për t’iu drejtuar njëri-tjetrit.

Aktualisht ka 703 anëtarë që ndajnë informacione se si të prodhohet sasia maksimale e kanabisit, nga mbjellja e farave, tek rritja e bimëve.

Postimet në kanal u mblodhën nga një reporter shqiptar i cili u infiltrua në grup. “Të gjithë, ju duhet të dini si të rrisni “trëndafila”, thotë një nga organizatorët e kanalit.

Një tjetër anëtar renditi 6 kimikatet kryesore që kishin rezultuar më efektive për rritje të shpejtë dhe të shëndetshme.

Një video demonstronte mënyrën më të mirë për të prerë gjethet thata nga një bimë kanabisi, ndërsa një anëtar tjetër me pseudonimin “Bushi 06”, ofronte fidanë kanabisi për 5£ dhe mburrej se kishte shitur 700 copë deri më tani.

Në diskutimet mes shqiptarëve se si të mbronin “fermat”, njëri shpjegon se ishte më mirë të shpenzoje 337 £ për një hark me fuqi të lartë sesa për një armë, sepse kapja me një hark kishte një dënim më të vogël. Disa dukeshin më pak të shqetësuar se policia do të zbulonte plantacionet e tyre të paligjshme sesa nga sulmet dhe grabitjet nga bandat rivale.

“Shumica e grabitjeve në shtëpitë e kanabisit po ndodhin në Leicester. I kanë prerë gishtat një punëtori shqiptar”, – thotë një anëtar i grupit. “Policia nuk është problem i madh” – thotë një shqiptar me bazë në Londër duke përdorur pseudonimin “Deni”. “Problemi kryesor janë grabitësit që tani po përdorin dronë për të identifikuar shtëpitë. Ata zbulojnë nxehtësinë e bimëve përmes çative të shtëpive”, shton ai.

Të tjerë ankohen se pronarët po i paguanin pak për përdorimin e pronave të tyre ose kërkonin një ulje të fitimeve.

“Pronarët në Londër po paguajnë 4000 £ në muaj për një shtëpi. Nuk ia vlen fare”, – thotë njëri. Një tjetër shkruan: “Deri më tani kam investuar 31 000 £ në një shtëpi, duke përfshirë 12 mijë për mbylljen e saj dhe 12 mijë për dritat. Nuk e di nëse do m’i kthejë paratë. Agjencia që kam marrë me qira shtëpinë po kërkon 9000 paund kur produkti të jetë gati për korrje.”

Verën e kaluar, policia nisi operacionin “Mille” për të goditur fermat e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar.

Mes të burgosurve ishte Nard Nidri, 34 vjeç, i cili hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022 dhe jetoi në Birmingham.

Më pas u transferua në Swansea, ku punoi në një lavazh makinash, përpara se të rekrutohej në një fermë kanabisi.

Ai ishte një nga 4 “kopshtarët” e burgosur për një total prej 6 vjetësh në gusht, pasi policia i arrestoi në një pronë në Neath, në Uellsin jugor.

Dy dhoma dhe papafingo ishin përshtatur dhe izoluar për të rritur bimë me një vlerë prej 85 000 £. Duke i dënuar ata, gjykatësi Geraint Walters tha se fermat e kanabisit që drejtoheshin nga bandat kriminale shqiptare kishin arritur “nivele epidemike” dhe sipas gjykimit të tij “ishin kthyer në një industri”.

Ai sugjeroi që autoritetet të shikojnë sektorin e banesave me qira, duke vënë në dukje se teksa të ashtuquajturit “fermerë” të kanabisit shpesh paraqiteshin në gjykatë, pronarët dhe të tjerët që merrnin para nga qiraja e pronave që përdoreshin për mbjelljen e bimëve, rrallë e bënin këtë./DailyMail

The post Daily Mail: Shqiptarët i marrin tregun e drogës vietnamezëve. ‘Kushot’ mësojnë si rriten ‘trëndafilat’ appeared first on Gazeta Si.

Depozitat u shtuan gjatë gushtit. Shqiptarët kursejnë eurot dhe shpenzojnë lekët

30 September 2024 at 11:10

Nga Gazeta ‘SI’ – Stoku i depozitave në bankë preku vlerën e 1.33 trilionë lekëve gjatë muajit gusht, me rritje 1.5% nga korriku ose 19 mld lekë më shumë . Kjo është shifra më e lartë e raportuar e depozitave.

Në raport vjetor, kursimet në banka janë shtuar me 3.7%.

Edhe pse valutat nuk kanë pasur një vit të mirë, vazhdojnë të mbajnë pjesën më të madhe të depozitave, mbi 55%. Në gusht kursimet në valutë u shtuan me 2.8% duke arritur 738 mld lekë. Në raport vjetor ato kanë rënë me 0.8%.

Depozitat në lekë ranë lehtë gjatë periudhës, me 0.2%, duke qëndruar në vlerën e 594 mld lekëve. Nga një vit më parë rritja është rreth 10%.

Sipas kategorive, bizneset kanë pasur në rritje të kursimeve të tyre në banka, ndërsa individët kanë “zbrasur” llogaritë.

The post Depozitat u shtuan gjatë gushtit. Shqiptarët kursejnë eurot dhe shpenzojnë lekët appeared first on Gazeta Si.

Shqiptarët janë më pak skeptikë në rajon ndaj medias. Rritet besimi tek portalet

30 September 2024 at 11:09

Nga Gazeta ‘SI’- Besimi i shqiptarëve në media është rritur përgjatë vitit 2024.

Sipas anketës së kryer nga Barometri i Ballkanit, 56% e shqiptarëve të anketuar besojnë informacionet që marrin nga televizioni apo radio (pa përfshirë atë publik). Një vit më parë, ky tregues ishte 50%.

Krahasuar me rajonin, shqiptarët janë më pak skeptikët ndaj medias. Qytetarët e Kosovës kanë normën më të ulët të besimit në media, me 27%.

Anketa tregon një rritje të fortë të besimit ndaj mediave online, portaleve. Gjatë 2023-shit vetëm 25% e të anketuarve i shikonin si të besueshme portalet, ndërsa në 2024-n, përqindja është rritur në 43%. Gjithsesi, më shumë se gjysma, 52% nuk i besojnë portaleve.

Vendet fqinje janë shumë më pak të prirura të besojnë portalet, sipas anketës.

Nga ana tjetër, Barometri tregon një rënie të besimit në median e shkruar, nga 38% një vit më parë në 37% gjatë 2024-s.

Shqiptarët kanë perceptuar më pak “fake news” gjatë këtij viti, 50% e tyre, ndërsa një vit më parë ky tregues ishte 66%.

Shqiptarët kanë një nivel të lartë besueshmërie edhe tek njerëzit që ata ndjekin në mediat sociale dhe 54% e tyre i besojnë informacionet që ato shpërndajnë. Mesatarja e rajonit për këtë tregues është 55%.

The post Shqiptarët janë më pak skeptikë në rajon ndaj medias. Rritet besimi tek portalet appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 29 September 2024Main stream

Protesta e PD-së, Paloka: E nisim nga kryeministria dhe më pas në të gjithë Tiranën

29 September 2024 at 19:45

Nga Gazeta ‘SI’ –Deputeti Edi Paloka ka zbuluar më shumë detaje për protestën e 7 tetorit të Partisë Demokratike, që fillimisht ishte parashikuar të mbahej më 6 tetor.

Paloka tregoi për mediat se protesta do të nisë të hënë në orën 18:00 para kryeministrisë dhe më pas do të shtrihet në të gjithë rrugët e Tiranës.

“Partia Demokratike më 7 tetor, në orën 18:00, fton qytetarët të bëhen bashkë në Tiranë të bashkohet kundër padrejtësive. Mos pajtimi me padrejtësinë dhe më të keqen, fillon nga Kryeministria dhe do të shtrihet në të gjithë rrugët e Tiranës”, tha Paloka.

Këshilli Kombëtar i PD-së u mblodh sot, dy ditë pas dënimit me një vit burg të deputetit demokrat, Ervin Salianji, për kallëzim të rremë. Salianji po vuan dënimin në bugun e Fierit, ndërsa demokratët e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës së Apelit ndaj tij si një proces gjyqësor politik.

VENDIMI I KËSHILLIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Rendi kushtetues ka rënë dhe balanca mes pushteteve është asgjesuar.

Në Shqipëri, një person i vetëm, Kryeministri, ka grumbulluar çdo pushtet në duart e tij.

Ka asgjesuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes bllokimit prej 11 vjtësh të një Reforme Zgjedhore kuptimplotë, duke mos reflektuar asnjë prej Rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Shkelja e barazisë së palëve në zgjedhje dhe mohimi i të drejtës për Qeveri asnjanëse Teknike për zgjedhjet e ardhshme, synojnë deformimin e vullnetit të qytetarëve dhe pengimin me forcë të rotacionit politik.

Edi Rama përdor Parlamentin, drejtësinë dhe mediat për të ruajtur pushtetin e tij personal dhe për të rrënuar ekonomikisht qytetarët shqiptarë.

Maxhoranca në Parlament refuzon me votë të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për dorëzimin e bashkëpunëtorëve të tij përpara drejtësisë.

Lideri i opozitës dhe Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie antikushtetues prej gati një viti përmes një dosje të fabrikuar nga PS, pa fakte, pa dëshmitarë, duke e penguar me forcë dhe pa ligj aktivitetin e tij politik.

Eurodeputeti Fredi Beleri u zgjodh duke qenë në burg, pasi u arrestua dy ditë para zgjedhjeve, pas një fushate publike deniguese nga kryeministri dhe pas një fitorje të pritshme të tij si kryebashkiak. Ndaj tij nuk u paraqit asnjë provë dhe nuk u lejua të betohej pas fitores së zgjedhjeve, sepse kryeministri e sheh Jugun e Shqipërisë si një pronë private për t’u pasururar përmes korrupsionit.

Këtë javë, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD, deputeti Ervin Salianji, u burgos në një proces gjyqësor politik, sepse denoncoi lidhjet e trafikantëve të drogës me qeverinë shqiptare, përkatësisht të vëllait të ministrit të brendshëm. Burgosja e një deputeti pa ligj dhe prova është mesazh politik për heshtjen e opozitës, asgjesimin e saj dhe ekzekutimin e lirisë së shprehjes.

Për këtë arsye, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike:

Ditën e hënë, datë 7 Tetor 2024, ora 18:00, fton qytetarët shqiptarë të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet atë ditë në të gjithë rrugët e Tiranës.

The post Protesta e PD-së, Paloka: E nisim nga kryeministria dhe më pas në të gjithë Tiranën appeared first on Gazeta Si.

Mbledhja e Këshillit të PD-së, Berisha: Me arrestimin e Salianjit, Rama na shpalli luftë. Gati për protestën e 7 tetorit!

29 September 2024 at 19:13

Nga Gazeta ‘SI’ – Dënimi me 1 vit burg i deputetit Ervin Salianji çoi në një mbledhje urgjente të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Kryedemokrati Sali Berisha tha se PD mblidhet në një mbledhje emergjente, të lidhur me fatin e demokracisë, pluralizmit dhe sovranitetit të kombit shqiptar, që janë ndikuar nga vendimi i marr dy ditë më parë nga Apeli për Salianjin.

Lideri i opozitës nënvizoi faktin se karriera politike e Salianjit është shënjuar me të bërit opozitë kundër qeverisjes së Edi Ramës dhe bëri përgjegjës ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj për burgosjen e tij.

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, Berisha u shpreh se në përgjigje të “deklaratave të luftës” nga ana e qeverisë me arrestimin e Ervin Salianjit, demokratët duhet të sulmojnë duke përdorur gjithë mjetet e mosbindjes civile.

 “Kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës, për përgjigjen tonë më 7 tetor”, u shpreh Berisha.

“Dy ditë më parë, një deputet i opozitës, guximtar, Ervin Salianji, një politikan, i cili e ka nisur karrierën e tij politike në opozitë e që nuk ka qenë kurrë në pushtet, që nuk ka pasur kurrë në dorë fonde publike apo qeveritar, u dënua me burg, iu hoq liria. U burgos sepse guxoi të bëjë detyrën e tij. Sepse guxoi të denoncojë publikisht vëllazërinë më të rrezikshme të mafies së drogës të atyre viteve, konkretisht të denoncojë vëllazërinë Xhafaj, Geronin e saj, vëllain e Fatmir Xhafës, për trafik droge. Ervin Salianji pas këtij akti qytetar, pas këtij akti të guximshëm opozitar, pas kësaj mbrojtje që i bëri shtetit ligjor dhe Kushtetutës së vendit, pati si shpërblim hakmarrjen e verbër të vëllazërisë kriminale Xhafaj dhe vëllazërisë Rama, dëbimin dhe burgosjen për kallëzim të rremë”, tha Berisha.

Më tej, ish-kryeministri theksoi se me dërgimin pas hekurave të një ligjëvënësi demokrat, kryeministri Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës përmes një akti terrori.

“Prej denoncimit kurajoz të Ervin Salianjit, Geron Xhafaj sot gjendet prapa hekurave në Itali, pikërisht për trafik droge. Vlora, Shqipëria një kriminel më pak. Por për gjykatën politike personale të Edi Ramës, për gjykatën e sunduar nga krimi i organizuar, me urdhër të partisë, Ervin Salianji shkoi në burg për kallëzim të rremë, bazuar në kallëzimin e Geron Xhafës, si një hakmarrje, si një dëshmi e sundimit të plotë të kodit të mafies të vëllazërive mafioze Rama-Xhafaj në Shqipëri. Me këtë akt, kreu i narkoshtetit shqiptar, Edi Rama nisi zyrtarisht fushatën e tij. Me burgosjen e Ervin Salianjit për denoncimin e tij guximtar, Edi Rama nisi fushatën e hakmarrjes, terrorit ndaj opozitës dhe ndaj shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

The post Mbledhja e Këshillit të PD-së, Berisha: Me arrestimin e Salianjit, Rama na shpalli luftë. Gati për protestën e 7 tetorit! appeared first on Gazeta Si.

Paraja jashtë bankave arriti kulmin gjatë muajit gusht. 404 mld lekë cash

29 September 2024 at 15:09

Nga Gazeta ‘SI’ – Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar ka arritur në një rekord të ri.

Banka e Shqipërisë raporton se gjatë muajit gusht ky tregues ishte 403.8 mld lekë, me një rritje 1.2 mld lekë nga korriku, ose me 0.3%.

Matur me gushtin 2023, rritja është edhe më e fortë, 2.3%, që përkthehet në 9.4 mld lekë më shumë.

Dukurinë e sasisë së madhe të parasë jashtë bankave e pranoi edhe Guvernatori Gent Sejko përballë deputetëve të Kuvendit. Ai tha se flukset e mëdha të cash-it janë të papërballueshme nga Banka e Shqipërisë, edhe nëse ndërhyn në treg, pasi janë miliarda lekë, efekti i të cilave nuk mund të amortizohet dot.

Por sipas planit të qeverisë, shqetësimit të përdorimit masiv të parasë së thatë, do t’i vijë fundi në 2025-n.

Në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë parashikojnë vendosjen e një kufiri të parave cash midis individëve, por edhe midis individëve dhe biznesit. Në kuadër të kësaj mase, qeveria dhe BSH do të ulin tarifat e përdorimit të kartave, për të inkurajuar kështu pagesat në terminalet POS dhe ato online.

Me rritje raportohen dhe treguesit e tjerë të agregatëve monetarë.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në gusht 2024, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është rritur me rreth 8 mld lekë nga korriku dhe raportohet 794 mld lekë.

Agregati M2 (M1 bashkë me depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) është rritur me rreth 3 mld lekë nga korriku duke shkuar në 978 mld lekë.

Agregati M3 (paraja e gjerë përfshin M2 plus depozitat në valutë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) ka pësuar një rritje me rreth 20 mld lekë nga korriku. Në gusht 2024 raportohet 1.736 mld lekë.

The post Paraja jashtë bankave arriti kulmin gjatë muajit gusht. 404 mld lekë cash appeared first on Gazeta Si.

“Rritja e pensioneve, tallje e qeverisë”, Meta: Pensioni rritet me 4%, buka me 15%

29 September 2024 at 14:35

Nga Gazeta ‘SI’ – Një tallje të qeverisë me pensionistët e ka cilësuar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta indeksimin me 4.1% të pensioneve, kur çmimi i bukës sipas tij do të rritet me 15 %. Në një postim në rrjetet sociale, Meta thekson se nga 1 nëntori do të rritet edhe çmimi i energjisë.

“Tallja e Qeverisë me pensionistët: Indeksim 4.1% të pensioneve por shtrenjtim me 15% të bukës, produktit bazë ushqimor të tyre! Nga 1 Nëntori pensionistët e të gjitha kategorive dhe jo vetëm, do të paguajnë 15% më shtrenjtë çmimin e bukës për shkak të shtrenjtimit po aq të çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës në orët e pikut të prodhimit. Ndaj dhe indeksimi i pensioneve në masën 4.1% ose 25 lekë/ditë nuk është gjë tjetër veçse poshtërimi më i madh që ai u bën pensionistëve”.

Meta ka shpalosur në 5 prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë, ku ndër to është dyfishimi i pensioneve.

“Dyfishimi i pensioneve është një nga 5 Prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë. Ne në qeverisje do të bëjmë të mundur: Indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë. Indeksimin e shpeshtë brenda vitit të masës së pensioneve në rastet e krizave apo pandemive për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve. Rritjen e pensioneve me nivelin e rritjes reale ekonomike për ta bërë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse”.

The post “Rritja e pensioneve, tallje e qeverisë”, Meta: Pensioni rritet me 4%, buka me 15% appeared first on Gazeta Si.

Si ndryshon truri i një gruaje gjatë shtatzënisë – Del studimi i parë

29 September 2024 at 13:06

Shtatzënia nxit ndryshime të forta në trupin e një gruaje –  hormonale, kardiovaskulare, respiratore, gastrointestinale, urinare etj. një studim i ri tregon se edhe truri i një gruaje ndryshon gjatë shtatzënisë.

Studiuesit thanë se për herë të parë kanë gjurmuar ndryshimet që pëson truri si përgjigje ndaj shtatzënisë, nisur 3 javë para ngjizjes dhe duke vazhduar në 9 muajt e shtatzënisë dhe më pas 2 vite post lindje.

Studimi tregon për një rënie të fortë të masës gri të trurit, zonës së rrudhosur ku procesohen mendimet, emocionet etj dhe zgjerim të zonës së bardhë  që ndodhet më thellë në tru dhe mundëson transmetimin e sinjaleve në tru.

Të dyja ndryshimet koincidojnë me rritjen e niveleve të hormoneve estradiolit dhe progesteronit.

Zona gri e trurit përfshin qelizat dhe nervat. Zona e bardhë përfshin aksonet e nervave që transmetojnë sinjalet.

“është shokuese që në 2024-n ne kemi shumë pak informacion se ccfarë ndodh në tru gjatë shtatzënisë. Ky studim ngre më shumë pyetje se sa jep përgjigje dhe ne po ngacmojmë vetëm sipërfaqen”, thotë Elizabeth Chrastil, bashkëpunëtore e studimit.

Skanerat tregohnë një reduktim me 4% të zonës gri në 80% të trurit. Pas lindjes, niveli nuk u rrit në normat para shtatzënisë. Skanerat treguan një rritje me 10% të mikrostrukturës së bardhë, matës i shëndetët dhe cilësisë së lidhjes midis rajoneve të trurit dhe rikthim në nivelet e para shtatzënisë, pas lindjes.

“Truri maternal pëson ndryshime dhe më parë ne nuk e kemi dëshmuar asnjëherë këtë” thotë Emily Jacobs, neurologe në universitetin e Kalifornisë.

Për studiuesit, nuk është ende e qartë nëse humbja e masës gri është një gjë e keqe. 

“Ky ndryshim mund të tregojë një rregullim të mirë të qarqeve të trurit, jo ndryshe nga ajo që ndodh me të gjithë të rinjtë ndërsa kalojnë në pubertet dhe truri i tyre bëhet më i specializuar. Disa ndryshime që kemi vërejtur mund të jenë gjithashtu një përgjigje ndaj kërkesave të larta fiziologjike të vetë shtatzënisë duke treguar se sa i përshtatshëm mund të jetë truri”, tha studiuesja e Universitetit të Pensilvanisë dhe autorja kryesore e studimit, Laura Pritschet.

Studiuesit shpresojnë në të ardhmen të shqyrtojnë se si këto ndryshime mund të ndihmojë në parashikimin e fenomeneve të tilla si depresioni pas lindjes dhe sesi preeklampsia, një gjendje serioze e presionit të gjakut që mund të zhvillohet gjatë shtatzënisë, mund të ndikojë në tru.

Chrastil tha se nuk ishte në dijeni gjatë studimit të të dhënave që tregonin ndryshimet e trurit të saj dhe ajo nuk ndihej ndryshe.

“Disa njerëz flasin për “Trurin e mamit” dhe gjëra të tilla,” shtoi Chrastil, duke iu referuar mjegullës mendore që përjetojnë disa gra shtatzëna. “Dhe unë nuk kam përjetuar asgjë nga këto.”/Reuters

The post Si ndryshon truri i një gruaje gjatë shtatzënisë – Del studimi i parë appeared first on Gazeta Si.

Supë në pikturat e Van Gogh, tre të arrestuar

29 September 2024 at 13:04

Tre persona janë arrestuar pasi hodhën supë në dy piktura të Vincent Van Gogh në Galerinë Kombëtare në Londër.

Supë me ngjyrë portokalli u hodh në Sunflowers 1888 dhe Sunflowers 1889 në ekspozitën shumë të mirënjohur Poets and Lovers. Stephen Simpson, 61 vjeç dhe Mary Somerville, 77, të dy nga Bradford, West Yorkshire dhe Phillipa Green, 24 vjeç, nga Penryn, Cornwall, u arrestuan në vendngjarje të premten.

Policia Metropolitane tha se ata tani ishin akuzuar për shkaktimin e dëmit kriminal dhe do të paraqiteshin në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit të hënën.

The post Supë në pikturat e Van Gogh, tre të arrestuar appeared first on Gazeta Si.

Ditë të shkurtra dhe netë të gjata, filmat që duhet të (ri)shikoni këtë vjeshtë

29 September 2024 at 11:57

Moti i freskët është një shenjë që duhet t’i rikthehesh ekranit të televizorit.

Mbështjellë me batanije e shall dhe me një gotë kakao të nxehtë është gjendja e duhur për të parë një film të mirë, ndërkohë që ditët shkurtohen e bëhen më të ftohta.

Vjeshta është sezoni ideal për t’ju dedikuar filmave, atyre klasikë apo atyre që të rikthejnë emocionet e motit të kaftë dhe gjetheve të rëna.

Harry Potter

Tetë filmat e Harry Potter janë zgjedhja perfekte për të riparë ccdo vjeshtë. Pulat e pjekura, kungulleshkat, byrekët me mish janë detaje që të duhen gjatë sezonit. Skena është e mahnitshme po ashtu, me ngjyra të drunjta dhe dimër të bardhë. Pa përmendur më pas edhe nostalgjinë që lidhet me këto filma. Merr batanijen dhe shiko Harry Potter pra!

Gilmore Girls

Kur nisa të shikoj Gilmore Girls për herë të parë gjatë verës, ndalova. Pse? Sepse estetika që kishin skenat nuk ishin për verë, por për vjeshtë. Xhiruar në një qytet me gjethe shumëngjyrëse, karaktere karizmatike dhe pafundësisht filxhanë me kafe, Gilmore Girls ka ngrohtësinë që të duhet gjatë vjeshtës.

Twilight

Edhe pse jo të gjithë e pëlqejnë, Twilight është perfekt për kohën e vjeshtës.

Anne with an E

Anne with an E ka një vend special në zemrën time. Më bën të qaj, por edhe pasqyron në mëmyrë perfekti sezonin e vjeshtës, ëmbëlsirat e ngrohta e të shijshme, motin e ftohtë dhe paletën plot ngjyra të periudhës. Është një serial që ju duhet në listën e “vjeshtës”.

Çdo gjë nga Tim Burton

Jo për t’ju manipuluar, por Tim Burton ka shtruar rrugën për filma me estetikën e vjeshtës, sidomos në filmat e tij me narrative gotike dhe pak të çuditshme. Nga Nusja Kufomë (Corpse Bride) tek Makthi para Krishtlindjeve (Nightmare before Christmas), çdo gjë që mban firmën e Tim Burton është e përsosur për vjeshtën e frikshme.

Shikim të mbarë!

The post Ditë të shkurtra dhe netë të gjata, filmat që duhet të (ri)shikoni këtë vjeshtë appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Shqiptarët më të shqetësuar për çmimet e larta dhe ekonominë, ndërsa fqinjët për problemet sociale

28 September 2024 at 12:15

Nga Gazeta ‘SI’ – Çështjet ekonomike shqetësojnë shqiptarët më shumë se ato sociale.

Sipas anketës nga Barometri i Ballkanit, 57% e shqiptarëve janë të shqetësuar për ekonominë në përgjithësi dhe kjo është norma më e lartë ndër të gjitha vendet e tjera të rajonit. Një vit më parë ky tregues ishte 50%.

Por shqetësim më i fortë për shqiptarët janë çmimet dhe kostot e jetesës, 71%. Vendin e parë e zë Serbia me 73%.

Në tërësi vërehet se shqiptarët vlerësojnë më me rëndësi çështjet ekonomike dhe më pak ato sociale, ndryshe nga shtetet fqinje.

Qytetarët e Shqipërisë janë të merakosur edhe për nivelin e papunësisë në vend duke mbajtur përsëri vendin e parë në rajon, me 40%.

38% e shqiptarëve vlerësojnë si problem korrupsionin dhe 32% emigrimin e trurit, më shumë se në Ballkan.

Por, ndryshe nga fqinjët, shqiptarët nuk konsiderojnë problem serioz për vendin cilësinë e arsimit, 4%, cilësinë e shërbimit shëndetësor, 11% dhe as mungesën e stabilitetit politik, 15%, të treja normat më të ulëta në rajon.

The post Shqiptarët më të shqetësuar për çmimet e larta dhe ekonominë, ndërsa fqinjët për problemet sociale appeared first on Gazeta Si.

Qeveria ia vetëofroi Kushnerit projektin në Sazan. Senati amerikan nis hetim për ‘pazaret’ e familjes Trump në Shqipëri dhe Serbi

27 September 2024 at 13:16

Nga Gazeta ‘SI’ – Kompania “Affinity Partners”, në pronësi të Jared Kushner , dhëndrit të Donald Trump është nën hetim nga Senati Amerikan pasi ka fituar 157 mln dollarë që nga viti 2021, por nuk ka deklaruar asnjë kthim për investitorët.

Këto të dhëna kanë nxitur dyshime brenda Senatit se kompania është vetëm një skemë kompensimi me investitorët e huaj që kërkojnë të “blejnë” ndikim në familjen Trump, në rast të një rikthimi të tij në Shtëpinë e Bardhë.

I shqetësuar për konflikte interesi dhe fshehje të investitorëve, kreu demokrat i komitetit të financave në Senat, Ron Wyden i dërgoi një letër përfaqësuesit ligjor të “Affinity Partners”, Chad Mizelle, duke i kërkuar informacione për të gjitha paqartësitë që lidhen me operimin e kompanisë.

Wyden shkruan se gjetjet e hetimit janë burim shqetësimi se investimi në fondet e Affinity krijon “konflikte të paprecedentë interesi” dhe se paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

Marrëveshja e Jared Kushner me qeverinë shqiptare dhe serbe përmenden në letër si zhvillime jo pozitive.

“Affinity Partners”, ku Kushner deklarohet pronar i vetëm pritet të bëhet zhvilluesi i një resorti ultraluksoz në ishullin e Sazanit në Shqipëri, pas një marrëveshje me qeverinë shqiptare. Projekti që thuhet se kushton 1 mld dollarë krijoi debat në Shqipëri, SHBA dhe në rajon. E njëjta kompani pritet të zhvillojë një hotel luksoz në zemër të Beogradit, aty ku sot qëndron ish-ministria e Brendshme jugosllave, e bombarduar nga NATO.

Shqetësimi i Senatit – Marrëveshja e qeverisë shqiptare dhe serbe me Affinity, për të ndikuar familjen Trump

Projektet në Sazan dhe Beograd shihen me dyshim nga Senati amerikan, duke sugjeruar se marrëveshjet e biznesit mund të shfrytëzohen nga qeveritë e dy vendeve për të ndikuar në familjen e Trump.

“Informacion i ri i marrë nga Komiteti në lidhje me marrëveshjet e pasurive të paluajtshme në Serbi dhe Shqipëri më tej tregon se si qeveritë e huaja mund të kërkojnë partneritet me Affinity në mënyrë që të fitojnë influencë mbi Kushner dhe Ivanka Trump. Raportet publike konfirmojnë se Affinity kërkon të investojë deri në një miliard dollarë në projekte të pasurive të paluajtshme në Beograd dhe zhvillime luksoze në bregdetin shqiptar, megjithatë, pak dihej më parë se si lindën ato marrëveshje të propozuara dhe për natyrën e marrëdhënieve afariste të Affinity me qeverinë serbe dhe shqiptare”, shkruan Wyden në letër.

Projekti i Kushner për Beogradin
Projekti i Kushner për Sazanin

“Një person nga qeveria shqiptare iu afrua Affinity”

Në një nga paragrafët e letrës me 8 faqe thuhet se nuk ishin amerikanët ata që u interesuan për investimin në Sazan, por qeveria shqiptare i ofroi projektin kompanisë Affinity, duke u afruar me njerëz pranë saj.

“Në sqarimin e vet, Affinity i tregoi Komitetit se qeveria serbe dhe ajo shqiptare fillimisht iu afrua individëve të lidhur me Affinity në lidhje me një investim në projektet e ardhshme të pasurive të patundshme. Megjithatë, Affinity nuk pranoi të identifikojë se kush ishin ata persona në qeverinë serbe dhe atë shqiptare që iu afruan të parët Affinity dhe nëse qasja u bë drejtpërdrejt përmes Jared Kushner, Ivanka Trump ose individëve të tjerë të lidhur me Affinity. Sipas raportimeve të fundit publike, Ivanka Trump ka ka qenë e përfshirë personalisht në përpjekjet për të zhvilluar prona luksoze buzë bregdetit në Shqipëri, duke sugjeruar se përfshirja e familjes Trump në këto marrëveshje është më e thellë se sa dihej më parë”, shkruhet në letrën drejtuar përfaqësuesit ligjor të Affinity.

Ndërkohë përfaqësuesit e qeverisë shqiptare përfshirë ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro thanë se Kushner, ashtu si edhe të tjerë të interesuar ka aplikuar për një investim turistik në Sazan dhe pasi kërkesa të shqyrtohet do të merret vendimi.

“Për të dyja zhvillimet e propozuara të pasurive të paluajtshme, qeveria serbe dhe ajo shqiptare duket se zotërojnë tokën dhe kanë diskrecion të gjerë mbi mënyrën se si përdoret. Këto terma lejojnë qeveritë e Serbisë dhe Shqipërisë të nxjerrin lëshime të pazakonta nga Affinity në këtë proces. Për shembull, projekti i Beogradit, në vendin e një ish-bombardimi të NATO-s, do të përfshijë një muze që është përshkruar si një monument për “viktimat e agresionit të NATO-s.” Është krejtësisht e papërshtatshme që çdo qeveri e huaj të kërkojë që një firmë amerikane të marrë pjesë në atë lloj revizionizmi historik antiamerikan, një akt që zbardh spastrimin etnik dhe gjenocidin dhe e riformulon në mënyrë të rreme NATO-n si një antagonist, dhe është skandaloze që një firmë e themeluar dhe në pronësi të familjes së një ish-presidenti të ardhshëm dhe të mundshëm të Shteteve të Bashkuara të pajtohej me të”, vijon kreu i komitetit të financave.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në foto me Jared Kushner, Ivanka Trump dhe Richard Grenell.

Sazani dhe 10 kërkesat e Senatit

Senati amerikan i ka dërguar “Affinity Partners” 10 kërkesa për informacion mbi projektin në Shqipëri, nga bisedat e familjes Trump tek personeli i qeverisë shqiptare.

Për të gjitha investimet që Affinity planifikon të bëjë në Shqipëri, ofroni informacionet e mëposhtme:

1- Një listë me të gjithë individët dhe entitetet që po bashkëpunojnë me Affinity për projektin.

2 – Një listë me të gjitha zonat ku po konsiderohet zhvillimi i projektit dhe një përshkrim të tij për çdo zonë.

3- Vlerën në dollarë të investimit që Affinity do të hedhë në Shqipëri, sipas projekteve dhe shumën që do të hedhë çdo investitor për çdo projekt.

4- Një përshkrim të detajuar të marrëveshjes midis Affinity dhe qeverisë shqiptare mbi projektin. Këtu duhet të përmenden edhe interesat financiare të qeverisë shqiptare, rolin e saj dhe si do të bëhet ndarja e fitimeve.

5- Një listë me të gjitha miratimet rregullore apo lejet që i duhen Affinity dhe partnerëve të saj nga qeveria shqiptare për të operuar me projektin.

6- Sipas raporteve publike, Ivanka Trump ka një rol të drejtpërdrejtë në negociatat me qeverinë shqiptare, përshkruani rolin e Ivanka Trump në këto projekte dhe si ajo u përfshi në to.

7- Ofroni Senatit të gjitha komunikimet midis punonjësve të Affinity dhe të gjithë familjarëve të familjes Trump, përfshirë Ivankën, rreth Shqipërisë.

8- Affinity është shprehur se qeveria shqiptare i është afruar fillimisht për një investim në pasuritë e patundshme në Shqipëri, ofroni një listë te detajuar të personelit të qeverisë shqiptare apo individëve që kanë kontaktuar Affinity për llogari të qeverisë shqiptare lidhur me investimin.

9- Ofroni një listë detajuar të punonjësve apo individëve të lidhur me Affinity, që janë kontaktuar nga qeveria shqiptare.

10- Affinity i tregoi Komitetit se qeveria shqiptare, si pjesë e partneritetit të saj me Affinity, është përgjegjëse për marrjen e të gjitha miratimeve, licencave dhe lejeve të nevojshme në lidhje me çdo investim në pasuri të paluajtshme nga Affinity në Shqipëri. A janë shprehur zyrtarisht këto kushte në ndonjë marrëveshje të negociuar mes Affinity dhe qeverisë shqiptare? Nëse po, jepni Komitetit një kopje të atyre marrëveshjeve.

The post Qeveria ia vetëofroi Kushnerit projektin në Sazan. Senati amerikan nis hetim për ‘pazaret’ e familjes Trump në Shqipëri dhe Serbi appeared first on Gazeta Si.

BERZH rrit parashikimin për ekonominë e Shqipërisë por Kosova ka rritjen më të fortë në rajon

27 September 2024 at 11:59

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rritur parashikimin për ecurinë ekonomike të Shqipërisë.

Në raportin e shtatorit BERZH parashikon rritje ekonomike të Shqipërisë me 3.5% nga 3.3% që parashikonte në maj. Rritja thotë BERZH do të ndikohet nga sezoni i fortë turistik dhe shërbimet, që përveç se në Shqipëri ndikojnë ekonominë e të gjithë rajonit.   

Për 2025-n, ekonomia e vendit do të rritet me 3.7% sipas parashikimit.

Ekonomia e Ballkanit Perëndimor do të rritet me 3.4% për këtë vit dhe 3.7% për 2025-n, thotë BERZH. BERZH nënvizon se zbatimi i mëtejshëm i reformave strukturore, të mbështetura nga Plani i Rritjes Ekonomike për BP mund ta nxisin më tepër rritjen ekonomike.

Kosova pritet të ketë rritjen më të lartë të lartë të ekonomisë në rajon dhe parashikohet të arrijë në 4% këtë vit dhe të ruajë këtë bilanc deri në vitin 2025. Konsumi i lartë dhe investimet e huaja direkte kontribuan në këtë rritje, ndërsa situata gjeopolitike mund të ndikojë flukset tregtare dhe disponueshmërinë e fondeve ndërkombëtare në vijim.

Nga ana tjetër, ekonomia e Serbisë dhe Malit të Zi pritet të kenë një rritje prej 3.8%, ndjekur nga Bosnje Herzegovina me 2.8% dhe Maqedonia e Veriut me rritjen më të vogël prej 2.2%. Sipas BERZH-it, investimet e reja, qëndrueshmëria fiskale dhe monetare në Serbi, si dhe rritja e konsumit në Malin e Zi kanë kontribuar në rritjet përkatëse.

The post BERZH rrit parashikimin për ekonominë e Shqipërisë por Kosova ka rritjen më të fortë në rajon appeared first on Gazeta Si.

Vazhdon rrënimi i euros, këmbehet me 98.91 lekë

26 September 2024 at 13:08

Nga Gazeta ‘SI’ – Euro ka thyer pragun e 99 lekëve dhe këmbehet me 98.91 lekë, të enjten e 26 shtatorit.

Ky është niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, por tendenca tregon se kursi mund të prekë nivele edhe më të ulëta.

Ndërkohë të gjitha monedhat e tjera kryesore kanë shënuar një rritje të lehtë kundrejt lekut, me dollarin që këmbehet me 88.71 dhe paundi britanik me 118.51 lekë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet  e huaja dhe turizmi janë faktorët kryesorë të zhvlerësimit të monedhës europiane, por një përllogaritje e ekspertëve financiare tregon se fluksi formal i euros nuk ka në ekonomi aq peshë sa për të shkaktuar një goditje të tillë, duke sugjeruar se janë flukset informale ato qe e ndikojnë.

Një aktivitet të tillë e konfirmoi dhe vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, duke thënë se paraja e pistë ka ndikim në kursin e këmbimit dhe se është e vështirë për t’u matur.

Gjatë kulmit të sezonit veror, euro krijoi një stabilitet duke qëndruar për disa javë në nivelin e 100 lekëve, që sipas ekspertëve të tregut ndodhi pas ndërhyrjeve të Bankës.

Rrënimi i vazhdueshëm i euros pritet të marrë me vete dhe industrinë e eksporteve, që më shumë se 1 vit raportojnë vetëm humbje. Zhvlerësimi prek drejtëpërdrejtë edhe individët që paguhen në monedhën europiane dhe ul aftësitë e tyre paguese dhe të ardhurat e disponueshme.

Banka e Shqipërisë i kërkoi ndihmë qeverisë për të menaxhuar krizën e euros, por deri më tani nuk ka asnjë njoftim publik për masa amortizimi të kësaj krize.

The post Vazhdon rrënimi i euros, këmbehet me 98.91 lekë appeared first on Gazeta Si.

Çmimet e naftës bien me 2.6% pasi Arabia njoftoi se do rrisë prodhimin. Mbretëria ‘heq dorë’ nga targeti 100$/fuçi

26 September 2024 at 12:26

Çmimet e naftës ranë të enjten, pas lajmit se Arabia Saudite do të heqë dorë nga objektivi i saj për të ulur prodhimin dhe për të rritur çmimet.

Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent ranë me 1.89 dollarë ose 2.57% në 71.57 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor të SHBA ra 1.83 cent ose 2.63% në 67.86 dollarë për fuçi.

Financial Times raporton se Arabia Saudite është gati të braktisë qëllimin e arritjes së çmimit të naftës 100 dollarë/fuçi dhe po përgatitet për një rritje të prodhimit, një shenjë që Mbretëria do të pranojë çmimet e ulëta të naftës.
Eksportuesi më i madh në botë i naftës dhe shtatë anëtarë të tjerë të grupit prodhues të OPEC+ ishin shkak i reduktimeve të gjata të prodhimit nga fillimi i tetorit.

Por një vonesë dy-mujore nxiti spekulimet nëse OPEC do të rriste me të vërtetë prodhimin me naftën Brent që shitej poshtë 70 dollarëve. Gjithsesi, zyrtarët brenda Mbretërisë janë të vendosur për të rritur prodhimin edhe nëse kjo do të thotë çmime më të ulëta, duke nisur nga 1 dhjetori.

Ndryshimi i qëndrimit të Arabisë Saudite është përparim i madh, e cila ka bërë që anëtarët e tjerë të OPEC+ të reduktojnë vazhdimisht prodhimin që nga nëntori 2022 në një përpjekje për të mbajtur çmime të larta. Ministri saudit i Energjisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Sipas një analize nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Arabisë Saudite i duhet një çmim nafte 100 dollarë për fuçi, pasi princi i kurorës Mohammed bin Salman synon të zhvillojë projekte gjigande në kuadër të një reforme ambicioze ekonomike.

Politika e shkurtimit të prodhimit ka qenë qendër debati për SHBA-në dhe Riadin.

The post Çmimet e naftës bien me 2.6% pasi Arabia njoftoi se do rrisë prodhimin. Mbretëria ‘heq dorë’ nga targeti 100$/fuçi appeared first on Gazeta Si.

Subjektet financiare jobanka arkëtuan 1 mld lekë fitim në 6-mujorin e parë. 52% e kredisë iu dha individëve

26 September 2024 at 12:25

Nga Gazeta ‘SI’ – Përveç bankave, edhe subjektet e tjera financiare kanë përjetuar një periudhë pozitive, por jo aq sa të një viti më parë.

Ato që njihen si subjekte jobanka, kanë raportuar një zgjerim të aktivitetit të tyre duke e mbyllur 6-mujorin e parë të 2024-s me një fitim prej 1 mld lekësh, megjithatë më të ulët se niveli i fitimit të raportuar në të njëjtën periudhë të vitit 2023, 1.8 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë tregon se subjektet financiare jobanka, SFJB, kanë financuar sektorin e shërbimit në masën 22%, atë të tregtisë me 18% dhe ndërtimin me 10%. Më shumë se gjysma e stokut të kredisë së këtyre subjekteve, 52% ka shkuar për kredimarrësit individë.

Për të njëjtën periudhë, cilësia e kredisë ka pasur përmirësim. Pra treguesi i kredive të këqija është reduktuar nga 13.3% në 12.8%.

Rreth 76% e kapitalit të paguar të institucioneve jobanka që ushtrojnë veprimtarinë e kreditimit është me kapital vendas.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj sektorit jobankar mbetet i ulët, ndonëse ka shënuar një rritje të lehtë gjatë periudhës, ndërsa ndjeshmëria e sektorit jobankar ndaj veprimtarisë së sektorit bankar mbetet e lartë, por nuk ka shënuar ndryshime gjatë periudhës. Në raport me aktivet e tyre, shoqëritë e sigurimit dhe fondet e pensionit kanë ekspozimin më të madh ndaj sektorit bankar, pasi vendosjet e tyre në banka përbëjnë rreth 34% të aktiveve të tyre.

Aktualisht, në tregun financiar operojnë 40 IFJB, nga të cilat: 25 subjekte janë institucione të kredisë, mikrokredisë, faktoringut, qirasë financiare, blerjes së kredive me probleme etj.; 5 subjekte janë institucione pagesash; dhe 10 janë institucione të parasë elektronike.

Aktivitet kryesor i IFJB-ve është ai kreditues (37%), ndjekur nga shërbimet e pagesave dhe transfertave (31%), si edhe paraja elektronike (20%). Në sistemin financiar operojnë gjithashtu 16 shoqëri të kursim-kreditit (ShKK) dhe një Union, 12 shoqëri sigurimi, 16 fonde investimi dhe 6 fonde pensioni. Peshën kryesore në veprimtarinë e sektorit jobankar e zë aktiviteti i institucioneve financiare jobanka, ndjekur nga fondet e investimit.

The post Subjektet financiare jobanka arkëtuan 1 mld lekë fitim në 6-mujorin e parë. 52% e kredisë iu dha individëve appeared first on Gazeta Si.

❌
❌