Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 October 2024Main stream

‘Jam në turne’, dokumentar me materiale të rralla për ‘Artistin e Popullit’ Pandi Raidhi

2 October 2024 at 12:11

”Jam në Turne” titullohet filmi dokumentar kushtuar aktorit Pandi Raidhi, Artist i Popullit, që u shfaq në Qendrën për Hapje dhe Dialog, COD.

Ky film nxjerr në pah figurën e papërsëritshme të aktorit, që qëndron në piedestalin e skenës dhe të ekranit shqiptar. Përmes materialeve të rralla, regjistrimeve filmike, intervistave nga kolegët e familjarët, dokumentari tenton të sjellë historinë e jetës, një histori triumfi, talenti, pune të palodhur dhe përkushtimi në skenë dhe në ekran.

Pandi Raidhi diti të ishte dhe të mbetet në kujtesën e kolegëve një njeri i mirë, një bashkëpunëtor komod dhe me shumë humor, i pasionuar dhe i vendosur për të përmbushur me shpirt rolet, karakteret, personazhet, ato përfaqësime kinematografike që e kanë vendosur atë në kolonën e korifenjve të artit tonë skenik.

Disa prej filmave më të spikatur ku ai ka interpretuar janë: “Yjet e netëve të gjata”, “Përballimi”, “Krevati i Perandorit”, “Zonja nga qyteti”, “Një shoqe nga fshati”, “Beni ecën vetë”, “Rrugicat që kërkonin diell” etj.

Pandi Raidhi lindi më 14 prill 1921 në qytetin e Korçës. Ai e nisi karrierën e tij artistike në vitin 1937 me shfaqen teatrale “Dasma korçare”, ku fitoi menjëherë simpatinë e publikut korçar.

Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në radhët e Rinisë Antifashiste. Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme u fut në punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ku interpretoi dramën “Dasma korçare”. Në vitin 1950 u kthye në teatrin “A. Z. Çajupi” të Korçës ku do të interpretonte me dhjetëra role.

Pandi Raidhi u nda nga jeta më 18 korrik 1999. (ATA)

The post ‘Jam në turne’, dokumentar me materiale të rralla për ‘Artistin e Popullit’ Pandi Raidhi appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Zjarri i opozitës, Kuvendi: Karriget e djegura do të paguhen nga deputetët përgjegjës

1 October 2024 at 13:18

Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar me një deklaratë zyrtare pas kaosit të shkaktuar në seancën e një dite më parë, ku deputetët e opozitës i vunë zjarrin karrigeve.

Në deklaratë thuhet se aktet e së hënës janë të dënueshme në aspektin e legjislacionit shqiptar dhe absolutisht të papranueshme në çdo aspekt tjetër.

Po ashtu, theksohet se është ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar.

“Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni më i rëndësishëm kushtetues që mishëron vullnetin e popullit nëpërmjet të zgjedhurve të vet, u sulmua dje si kurrë më parë dhe u përball me akte të rënda, deri në zjarrvënie, të dënueshme në aspektin e legjislacionit shqiptar dhe absolutisht të papranueshme në çdo aspekt tjetër.

Veprimet e ndërmarra nga deputetët e përfshirë, përmes goditjes me sende të forta ndaj personave të tjerë dhe djegies, shkatërrimit dhe dëmtimit të pajisjeve në sallën e seancave plenare, kanë shkaktuar përveç veprave penale edhe dëmtime të rënda të pronës publike.

Kuvendi i Shqipërisë, ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë.

Kuvendi i Shqipërisë u kujton të gjithëve se ky institucion është besimi dhe vullneti i popullit dhe populli nuk është një karrige që digjet, po është Sovrani që shërbehet deri në fund nga Kuvendi për besimin dhe vullnetin e Tij”, thuhet në deklaratën e Kuvendit.

The post Zjarri i opozitës, Kuvendi: Karriget e djegura do të paguhen nga deputetët përgjegjës appeared first on Gazeta Si.

Noka mbledh Federatën e Opozitës: Luftojmë deri në fund. Shqiptarë, bashkohuni në mosbindje civile në 7 tetor

1 October 2024 at 12:52

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka deklaroi në mbledhjen e Federatës së Opozitës se kjo qeveri ka burgosur politikisht tre figura, Sali Berishën, Fredi Belerin dhe Ervin Salianjin si edhe ka tundur prangat për Mediun dhe Metën.

Ndaj sipas tij aksioni i nisur nuk ka kthim.

“Berishës i faturuan firmat e Ramës dhe duke sajuar gjera të paqena, por që në fakt konkludio se ishte një flluskë sapuni dhe kjo dosje është dekoratë nderi për Sali Berishës, pasi në 30 vjet që ju bë vettingu nuk iu gjet asnjë shkelje

Vazhdoi me burgosjen e Fredi Belerit si një opozitar që po i merrte bashkinë ku ai kishte projekte për të vjedhure prona. Beleri ishte pengesë që pronat të vidheshin nga Rama. Beleri u burgos politikisht.

Ju tundën prangat kreut të PL vetëm se ky artikulonte dhe nxirrte të vërtetat në shesh.

Vazhdoi sulmet duke i tundur prangat  kreut të PR, Fatmir Mediut.

Dashuria e Ramës me Fatmir Xhafës kërkonte një kurban dhe kurbani në ëndrrat e tyre ishte përcaktuar, duhet të ishte Ervin Salianji. Sepse deputetit Salianji vendosi ti thoshte shqiptarëve të vërtetën për një trafikant që fshihej pas pushtetit të vëllait të tij ministër. Ky ishte një vendim i marrë nga Rama dhe Fatmir Xhafa”, tha Noka.

Ai bëri thirrje që në 7 tetor të gjithë të bashkohen në protestën e opozitës.  

“Ndaj ne jemi në këmbë dhe të vendosur që t’i bëjmë ballë dhe të luftojmë deri në fund për kauzën tonë.

Kauza e çdo shqiptari sot është qeveria teknike për t’i dhënë zgjedhje të lira çdo shqiptari dhe që Shqipëria, më në fund pas 12 vitesh me zgjedhje të vjedhura dhe të dhunuara, pas 12 vitesh me narkoregjim, të kthehet në një shoqëri demokratike dhe pluraliste dhe në një shoqëri që zhvillohet dhe ecën drejt Europës. Rrugë tjetër për ne nuk ka”, përfundoi Noka.

The post Noka mbledh Federatën e Opozitës: Luftojmë deri në fund. Shqiptarë, bashkohuni në mosbindje civile në 7 tetor appeared first on Gazeta Si.

SHBA kundër dhunës në Parlament: Jemi thellësisht të shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur. Palët të angazhohen në dialog konstruktiv

1 October 2024 at 12:35

Pas ambasadorit të BE, edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dënoi dhunën e një dite më parë në sallën e parlamentit dhe i apeloi palëve që të angazhohen në dialog konstruktiv.

“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë”, thuhet në Deklaratën e Ambasadës Amerikane.

“Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike”, përfundon deklarata.

The post SHBA kundër dhunës në Parlament: Jemi thellësisht të shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur. Palët të angazhohen në dialog konstruktiv appeared first on Gazeta Si.

‘Dhuna s’është zgjidhje’. Reagimi Ambasadorit të BE pas djegies së karrigeve nga PD në Kuvend: Për të ardhur keq

1 October 2024 at 11:58

Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato ka reaguar pas incidenteve të ndodhura në Kuvend një ditë më parë, ku deputetët e PD dogjën në oborr karriget, ndërsa në sallë nuk munguan përplasjet dhe konfrontimet edhe me gardën dhe deputetët e PS.

Teksa u shpreh se ajo që ndodhi ishte për të ardhur keq, Gonzato bëri thirrje që të ulen tensionet dhe të shmangen sulme të tilla.

Në një demokraci funksionale si Shqipëria tha ai, pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoret dhunë.

“Është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në kuvend. Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin.

Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin, deputetët e kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë“, tha ambasadori i BE-së në një reagim për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit.

The post ‘Dhuna s’është zgjidhje’. Reagimi Ambasadorit të BE pas djegies së karrigeve nga PD në Kuvend: Për të ardhur keq appeared first on Gazeta Si.

Aksioni pas dënimit me burg të Salianjit, PD bojkoton Komisionin e Ligjeve dhe Sterilizimin. Peleshi udhëzon deputetët e PS: Vijoni punën normalisht

30 September 2024 at 11:52

Opozita nuk ka marrë pjesë në Komisionin e Ligjeve që u mblodh këtë të hënë.

Deputetët demokratë nuk morën pjesë edhe në Komisionin e Posaçëm të Sterilizimit dhe Check Up-it.

Opozita e ka nisur sot aksionin pas dënimit me burg të deputetit Ervin Salianji për veprën penale kallëzim i rremë.

“Nesër nuk marrim pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare, me përjashtim të Palokës dhe Joridës që me porosi të Kryetarit të Partisë që do të jenë tek integrimi për të shprehur qëndrimin e PD për hapjen e negociatave me BE. Ndërkohë rikujtesë për mbledhjen e Grupit Parlamentar nesër në seli në orën 15:00” shkruhej në njoftimin e një dite më parë që u mbërriti të gjithë deputetëve të PD-së.

Ndërkohë deputetët e Partisë Socialiste do të vijojnë të marrin pjesë rregullisht në komisionet parlamentare, pavarësisht bojkotit të njoftuar nga ana e opozitës, pas dënimit të deputetit Ervin Salianji.

Burime brenda mbledhjes së grupit parlamentar të PS bëjnë të ditur se kreu i grupit, Niko Peleshi, i ka udhëzuar deputetët që pavarësisht aksionit të PD, puna e tyre duhet të vazhdojë si në komisione dhe në Parlament. 

“Ne do ta vazhdojmë jetën parlamentare, është zgjedhja e opozitës nëse do të marrë pjesë apo jo. Deri tani nuk ka qenë e nevojshme për mbledhje online”, tha Peleshi për gazetarët. I pyetur për reagimin e opozitës pas dënimit të Ervin Salianjit, Peleshi tha: “Nuk e kemi kuptuar çfarë do të bëjë opozita, çfarë do të thotë bojkot”.

I vetmi komision në të cilin opozita mori pjesë është ai i integrimit europian, ku morën pjesë vetëm deputetët e PD, Jorida Tabaku dhe Edi Paloka, duke debatuar me socialistët.

The post Aksioni pas dënimit me burg të Salianjit, PD bojkoton Komisionin e Ligjeve dhe Sterilizimin. Peleshi udhëzon deputetët e PS: Vijoni punën normalisht appeared first on Gazeta Si.

Çmimet e edicionit të 22 të Tirana International Film Festival

30 September 2024 at 11:40

Edicioni i 22-të i Tirana International Film Festival i solli kryeqytetit nga data 22-28 shtator shumë prej filmave më të rinj të prodhuar anembanë globit. Mbi 200 filma u shfaqën në disa prej kinemave të Tiranës, një pjesë e madhe e të cilëve premiera kombëtare e botërore.

Në një ceremoni emocionuese, çmimi “Bufi i artë” iu dha regjisorit Mika Gustafson për filmin e tij “Paradise is burning”, një bashkëprodhim suedez, danez, finlandez e italian prej 108 minutash.

Në motivacionin për çmimin thuhej: “U mahnitëm duke ndjekur personazhet e këtij filmi. Regjia e tij na udhëhoqi me mjeshtëri në çdo kthesë emocionale, duke zbuluar nuancat delikate të tyre, shpirtra të plagosur teksa kërkonin identitetin, mbijetesën, gëzimin dhe vullnetin e tyre për të jetuar.”

Nga seksioni PerspecTIFF u zgjodh filmi “Goodbye Julia” nga Mohamed Kordofani, i cili eksploron në thellësi ndjenjat njerëzore duke na mësuar si të tejkalojmë urrejtjen dhe intolerancën, duke arritur tek paqja me vetveten. “Goodbye Julia” është një film nga Sudani.

Çmimin për regjinë më të mirë e mori Dorka Vermes nga Hungaria, ndërsa skenari më i mirë i festivalit u shpall ai i Isa Qoses, i cili u prezantua në TIFF me “Lejlekun”.

Filmi më i mirë i shkurtër për të cilin TIFF ka të drejtën ta kualifikojë për konkurrim në çmimet Oscar, u shpall “Dreams like paper boats”, i regjisorit Samuel Suffren nga Haiti.

Ndërsa çmimi BEST EUROPEAN SHORT FILM u shpall “On the way” nga Samir Karadoha, një prodhim kosovar prej 15 minutash. Me këtë fitore, filmi arrin të kualifikohet për të qenë kandidat në European Film Awards 2024.

Çmimi i audiencës shkoi për filmin “Parthenope”, me regji nga italiani Paolo Sorrentino.

“Parthenope” është një film dramë /fantazi i vitit 2024, shkruar, prodhuar dhe drejtuar nga Paolo Sorrentino. Një bashkëprodhim ndërkombëtar midis Italisë dhe Francës, në film luajnë Celeste Dalla Porta, Stefania Sandrelli, Gary Oldman, Silvio Orlando, Luisa Ranieri, Peppe Lanzetta dhe Isabella Ferrari.

“Parthenope” u zgjodh për të konkurruar për Palmën e Artë në Festivalin e 77-të të Filmit në Kanë, ku u shfaq premierë më 21 maj 2024. Është planifikuar të dalë në kinema në Itali nga PiperFilm më 24 tetor 2024. (ATA)

The post Çmimet e edicionit të 22 të Tirana International Film Festival appeared first on Gazeta Si.

Vangjel Tavo betohet si kryebashkiak: Do të jem shërbëtor i parë i Himarës

30 September 2024 at 11:07

Vangjel Tavo bëri sot betimin si kryetar i bashkisë së Himarës, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 4 gushtit.

Ceremonia e marrjes së detyrës u zhvillua në një mbledhje të këshillit bashkiak të Himarës.

Pas betimit, Tavo garantoi se nuk do të jetë një qytetar i parë, por do të jetë një shërbëtor i parë i Himarës dhe do të punojë për përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj bashkie.

“I privilegjuar të qëndroj para jush si kryetar i bashkisë së Himarës, i nderuar që do t’u shërbej banorëve në çdo njësi e fshat. Unë betohem se nuk do të jem qytetar i parë, por shërbëtor i parë i Himarës. Do të punoj në të mirë të banorëve për përmirësimin e jetës”, tha ai.

Tavo siguroi se bashkia nën drejtimin e tij do të jetë një qendër komunitare që kujdeset për nevojat e banorëve.

“Kjo bashki do të jetë e juaja. Zyra ime do të jetë e hapur për banorët e thjeshtë. Do të jenë të hapura dyert dhe për ide për secilin që kërkon të kontribuojë në të mirën e Himarës”, u shpreh ai.

Tavo u zgjodh kryetari i ri i bashkisë Himarë gjatë zgjedhjeve të pjesshme që u mbajtën në këtë bashki në 4 gusht.

Vangjel Tavo i PS fitoi me 58,62 % të votave, ndërsa rivali politik i tij, Petro Gjikuria i koalicionit “Bashkë Fitojmë” mori 41,38 % të votave.

The post Vangjel Tavo betohet si kryebashkiak: Do të jem shërbëtor i parë i Himarës appeared first on Gazeta Si.

Partia e ekstremit të djathtë fiton zgjedhjet parlamentare në Austri por nuk e formon dot e vetme qeverinë

30 September 2024 at 09:47

Partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë (FPO), e udhëhequr nga Herbert Kickl, ka fituar zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Austri të dielën, sipas projeksioneve fillestare. Rezultati zgjedhor potencialisht e vendos këtë parti në vendin e parë për të formuar Qeverinë, për herë të parë në historinë e pasluftës.

Sipas projeksioneve, FPO-ja ka dalë e para, por nuk ka fituar shumicën absolute. Kjo nënkupton se partisë i duhet të gjejë një partner koalicioni në Parlament për të formuar një Qeveri stabile, nëse presidenti Alexander Van der Bellen e fton këtë parti për të formuar ekzekutivin e ri.

Cilat janë opsionet e udhëheqësit të partisë?

E vetmja parti që e ka lënë mundësinë e hapur për koalicion me FPO-në është partia konservatore në pushtet, Partia Popullore Austriake (OVP). Por, udhëheqësi i OVP-së, kancelari Karl Nehammer, e ka përjashtuar mundësinë e formimit të një ekzekutivi ku do të merrte pjesë edhe Kickl.

Përveç kësaj, janë edhe rezervat e Van der Bellen lidhur me Kickl. Të gjitha këto kanë shtuar pikëpyetjet lidhur me atë nëse Kickl do të largohet dhe do të lë ndonjë anëtar tjetër të partisë së tij që të bëhet kancelar.

Duke pasur parasysh se sa ashpër ai dhe partia e tij kanë bërë fushatë me idenë që Kickl duhet të bëhet “volkskanzler” apo kancelari i popullit, ky opsion aktualisht duket i pamundur.

FPO-OVP

Nëse FPO-ja ftohet që të formojë një koalicion qeverisës, e vetmja parti me të cilën mund të formojë një shumicë është OVP-ja.

Dy partitë kanë qëndrime të ndryshme në shumë fusha kyçe, veçmas sa i përket vendosjes së rregullave më të ashpra për imigrimin.

Por, këto dy subjekte mbështesin shkurtimin e taksave për të rritur ekonominë, e cila po tkurret qe dy vjet radhazi.

Negociatat, megjithatë, do të mund të ndërlikoheshin për shkak të raportit jo të mirë mes Kickl dhe Nehammer. Gjatë fushatës, Nehammer e ka përshkruar Kickl si person që merret me teori konspirative dhe si një person që nuk është i kualifikuar që të qeverisë.

Roli i OVP-së

OVP-ja është partia në pushtet. Ka qenë në çdo qeveri, përveç në ekzekutivin jetëshkurtër në detyrë që ishte Qeveria e parë e përbërë nga tri parti në 37 vjetët e fundit.

Përderisa shumë mendojnë se OVP-ja është partia më e afërt me FPO-në në aspektin ideologjik, OVP-ja të paktën në parim duhet të ketë një alternativë sa i përket një koalicioni me FPO-në: një aleancë trepalëshe me partinë që ka dalë e treta në zgjedhje, Partia Socialdemokrate dhe me një nga dy partitë që kanë marrë më pak se 10 për qind të votave, liberalët e Neos apo të Gjelbërit e krahut të majtë.

Në një skenar të tillë, OVP-ja do të ishte partia më e madhe, që nënkupton se Nehammer do të mund të vazhdonte të mbante postin e kancelarit. Një skenar i tillë do të ishte më i lakmueshëm sesa një ku OVP-ja do të ishte partnerja më e vogël e koalicionit qeverisës.

Pengesa presidenciale

Presidenti Van der Bellen, ish-udhëheqës i të Gjelbërve, kishte bërë betimin së bashku me ministrat nga FPO-ja, përfshirë Kickl, kur partia e tij formoi një koalicion me OVP-në më 2017. Koalicioni pati kolaps pas një skandali në 2019-ën.

Van der Bellen po ashtu kishte miratuar vendimin për shkarkimin e Kickl nga Qeveria me kërkesën e kancelarit të atëhershëm, Sebastian Kurz, nga OVP-ja, disa ditë para se Parlamenti të rrëzonte ekzekutivin.

Presidenti austriak ka shprehur rezerva lidhur me Kickl, duke lënë të kuptohet se ai ose nuk do ta lejojë atë që të bëhet kancelar, ose nuk do t’i kërkojë FPO-së që të tentojë të formojë Qeverinë nëse del partia e parë.

Megjithatë, margjina e fitores së FPO-së është paraparë që të jetë më e madhe sesa projeksionet e para, duke e vendosur në një pozicion më të mirë Kickl.

Edhe pse është një praktikë që presidenti t’i kërkojë partisë së parë që të formojë Qeverinë, Van der Bellen nuk është i obliguar të veprojë kështu.

“Kjo është një praktikë, por me sa e di ky rregull nuk është në Kushtetutë”, tha Van der Bellen vitin e kaluar.

“Ajo çfarë është në Kushtetutë është se unë e emëroj kancelarin… Është një nga pikat e pakta ku presidenti i ka duart plotësisht të lira”.

Pra, Van der Bellen mund të vendosë që të ndërmarrë një qasje krejtësisht të re.

The post Partia e ekstremit të djathtë fiton zgjedhjet parlamentare në Austri por nuk e formon dot e vetme qeverinë appeared first on Gazeta Si.

❌
❌