Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 October 2024Main stream

JAPONI – Ishiba shpërndan Dhomën e Ulët, zgjedhjet e parakohshme caktohen më 27 tetor

9 October 2024 at 14:42

TOKIO, 9 tetor /ATSH-DPA/- Kryeministri i ri i Japonisë Shigeru Ishiba shpërndau sot Dhomën e Përfaqësuesve, duke i hapur rrugën zgjedhjeve për Dhomën e Ulët të parlamentit më vonë këtë muaj.

Ishiba mori detyrën më 1 tetor, duke pasuar Fumio Kishida dhe shpreson të sigurojë një mandat për administratën e tij nga votuesit.

67-vjeçari i vuri vetes synimin për të rindërtuar imazhin e Partisë së tij qeverisëse Liberal Demokratike, e cila është tronditur nga skandalet korruptive.

Zgjedhjet do të organizohen më 27 tetor, duke shkaktuar kritika nga opozita e fragmentuar e vendit, e cila tha se fushata e shkurtër lë shumë pak kohë për debat.

Ishiba ka pasur një karrierë të gjatë politike, duke përfshirë postet si ministër i Mbrojtjes nga 2007-2008 dhe si ministër i Bujqësisë. //a.i/

The post JAPONI – Ishiba shpërndan Dhomën e Ulët, zgjedhjet e parakohshme caktohen më 27 tetor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Treshja e studiuesve të proteinave fitojnë çmimin Nobel në Kimi

9 October 2024 at 14:01

STOKHOLM, 9 tetor /ATSH-DPA/- Një treshe studiuesish të proteinave, duke përfshirë dy drejtues të degës së inteligjencës artificiale të “Google”, “DeepMind”, kanë fituar çmimin Nobel në Kimi, njoftoi sot Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, në Stokholm.

Themeluesi i “DeepMind” Demis Hassabis nga Britania e Madhe dhe shkencëtari amerikan John Jumper njihen për punën e tyre në strukturën e proteinave, së bashku me kimistin amerikan David Baker për kërkimin e tij për projektimin e proteinave kompjuterike.

Hassabis dhe Jumper krijuan së bashku “AlphaFold”, një program i IA-së që parashikonte strukturën – e pothuajse të gjitha proteinave të njohura.

“Për të kuptuar se si funksionon jeta, së pari duhet të kuptojmë formën e proteinave”, tha profesor Heiner Linke – anëtar i Komitetit Nobel për Kimi në Stokholm.

“Për disa dekada, kjo konsiderohej e pamundur, por puna e “DeepMind” bëri të mundur për të parashikuar strukturën komplekse – në thelb – të çdo proteine ​​të njohur në natyrë”, tha Linke.

Vitin e kaluar, çmimi iu dha Moungi Bawendi, Louis Brus dhe Alexei Ekimov për punën e tyre në grimcat gjysmëpërçuese me përmasa nanometër të njohura si pika kuantike. //a.i/

The post Treshja e studiuesve të proteinave fitojnë çmimin Nobel në Kimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STRASBURG – Von der Leyen kritikon Orban për qëndrimin e tij ndaj migracionit

9 October 2024 at 12:25

STRASBURG, 9 tetor /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen kritikoi sot Viktor Orban në Parlamentin Evropian, pasi kryeministri hungarez mbajti një qëndrim të ashpër ndaj migracionit në bllok.

Duke synuar qasjen e Orbanit ndaj migracionit, Von der Leyen e pyeti kryeministrin hungarez se pse ai liroi para kohe më shumë se 1 000 kontrabandistë të dënuar dhe trafikantë njerëzish.

“Kjo nuk po lufton migracionin e paligjshëm në Evropë”, tha Von der Leyen në fjalimin e saj.

“Kjo thjesht i hedh problemet në gardhin e fqinjit tuaj”, shtoi ajo.

Orban ishte në qytetin francez të Strasburgut për t’iu drejtuar legjislativit të BE-së dhe për të përshkruar prioritetet e presidencës hungareze të Këshillit të BE-së.

Kryeministri hungarez bëri thirrje për samite të rregullta për të trajtuar migracionin dhe që kërkesat për azil të administroheshin në rajone jashtë Bashkimit Evropian.

“Ne mund të lejojmë vetëm ata që janë në territorin e BE-së që kanë marrë më parë autorizimin për ta bërë këtë”, tha ai, sipas përkthimit të parlamentit.

“Çdo zgjidhje tjetër është, sinqerisht, një iluzion”, theksoi Orban.

Budapesti është përplasur shpesh me institucionet e BE-së lidhur me keqpërdorimin e supozuar të fondeve të BE-së dhe çështjet e ligjit të së drejtës.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka gjobitur Hungarinë me miliona euro për shkelje të ligjit të BE-së.

Hungaria, e parë si e afërt me Rusinë, është lënë gjithashtu e izoluar për shkak të bllokadës së përsëritur të politikave të BE-së në mbështetje të Ukrainës.

Udhëheqës të shumtë të grupeve të Parlamentit Evropian nga e gjithë legjislatura e BE-së e kritikuan drejtpërdrejt Orbanin për politikën e qeverisë së tij në BE, afërsinë me Rusinë dhe akuzat për korrupsion.

Von der Leyen kritikoi gjithashtu politikën e Hungarisë për lëshimin e vizave për shtetasit rusë pa kontrolle më të plota të historikut në krahasim me shtetasit e tjerë. //a.i/

The post STRASBURG – Von der Leyen kritikon Orban për qëndrimin e tij ndaj migracionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Kievi: Samiti i Dytë i Paqes nuk do të zhvillohet në nëntor 2024

9 October 2024 at 11:50

KIEV, 9 tetor /ATSH-DPA/- Samiti i Dytë i Paqes nuk do të zhvillohet në nëntor 2024, tha dje në mbrëmje zyra e presidentit Volodymyr Zelensky.

“Ukraina nuk parashikon që një samit i dytë i planifikuar i paqes të zhvillohet përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor”, sipas deklaratës.

Zyra presidenciale e udhëhequr nga Andriy Yermak është përgjegjëse për përgatitjen e mbledhjes – e cila synon të bashkojë përfaqësuesit e qeverisë dhe organizatat nga e gjithë bota – për të diskutuar planin e presidentit Zelensky – që synon t’i japë fund më shumë se dy vjet e gjysmë lufte me Rusinë.

Fillimisht, Ukraina kishte shpresuar për një konferencë të dytë të tillë – që do të mbahej përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA, të cilat mund të shihnin kthimin e republikanit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Por një këshilltar i Yermak tha dje se plani nuk ishte më i realizueshëm.

“Përgatitjet për mbledhjen megjithatë do të vazhdojnë”, tha Daria Zarivna për gazetën “Telegraf”.

“Aktualisht janë zhvilluar konferenca mbi aspektet individuale të planit të paqes të Zelensky – duke përfshirë takimin përfundimtar për çështjet humanitare si shkëmbimi i robërve të luftës – që do të zhvillohet më 30 tetor dhe 31 tetor”, shkroi ajo në Telegram.

“Çështja e datës për samitin e dytë të paqes do të vendoset pas përfundimit të konferencave tematike”, tha ajo.

Rreth 100 vende dhe organizata morën pjesë në samitin e parë të paqes në Ukrainë të organizuar në Zvicër në qershor, me mungesë të theksuar të Rusisë.

Moska refuzoi kategorikisht pjesëmarrjen dhe për këtë arsye nuk ishte ftuar. //a.i/

The post UKRAINË – Kievi: Samiti i Dytë i Paqes nuk do të zhvillohet në nëntor 2024 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Koreja e Veriut ndërpret të gjitha lidhjet rrugore dhe hekurudhore me Korenë e Jugut

9 October 2024 at 10:11

SEUL, 9 tetor /ATSH-DPA/- Ushtria e Koresë së Veriut ka njoftuar planet për të ndërprerë të gjitha lidhjet rrugore dhe hekurudhore me Korenë e Jugut, njoftoi sot media shtetërore e Phenianit , KCNA.

Shtabi i përgjithshëm i Koresë së Veriut tha se kufiri do të përforcohet gjithashtu me “struktura të forta mbrojtëse” dhe masat do të hyjnë në fuqi menjëherë.

“Këto masa kanë për qëllim ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe parandalimin e luftës”, tha Koreja e Veriut.

Media shtetërore raportoi se ushtria e Koresë së Veriut kishte njoftuar në orën 9:45 të mëngjesit me një mesazh telefonik forcat amerikane – për të shmangur çdo keqkuptim ose konflikt aksidental mbi procesin e fortifikimit.

Ushtria e Koresë së Jugut tha se në muajt e fundit, Koreja e Veriut kishte vendosur dhjetëra mijëra mina tokësore përgjatë kufirit.

Mbyllja e lidhjeve të mbetura rrugore dhe hekurudhore nga Koreja e Veriut konsiderohet kryesisht simbolike, pasi nuk ka pasur shkëmbim të drejtpërdrejtë përtej kufirit të militarizuar midis dy vendeve për disa vite.

Gjatë një periudhe të shkurtër afrimi në fillim të viteve 2000, Koreja e Veriut hapi zonën speciale Kaesong, ku kompanitë koreano-jugore punësuan punonjës koreano-veriorë për të prodhuar mallra si tekstile.

Koreja e Veriut mirëpriti gjithashtu mijëra turistë të Koresë së Jugut në malet piktoreske Kumgang.

Situata ka ndryshuar që atëherë. Në një takim të Partisë së Punëtorëve në pushtet në fund të vitit 2023, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un i përshkroi marrëdhëniet ndërkoreane midis dy shteteve si ndërluftuese.

Ai gjithashtu bëri thirrje që Koreja e Jugut të caktohet si armiku kryesor në kushtetutën socialiste të vendit. //a.i/

 

The post FOKUS – Koreja e Veriut ndërpret të gjitha lidhjet rrugore dhe hekurudhore me Korenë e Jugut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Media spanjolle “La Vanguardia”: Vizitoni Shqipërinë, destinacionin e ri që synon të pushtojë evropianët

9 October 2024 at 09:52

TIRANË, 9 tetor /ATSH-DPA/- Shqipëria është një destinacion në zhvillim me një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore, shkruan Carmen Giró në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “La Vanguardia”.

Pas pandemisë së vitit 2020, Shqipëria përjetoi një bum turistik që e ka shndërruar në një vend shumë të vizituar.

Historia unike, trashëgimia kulturore dhe natyra e pacënuar, padyshim kontribuojnë në tërheqjen e turistëve.

Shqipëria është ende një vend relativisht i lirë për të udhëtuar, me një gamë të gjerë hotelesh dhe opsionesh ngrënieje – me ushqime të shijshme dhe të bollshme – me çmime shumë më të përballueshme se destinacionet e tjera evropiane.

Gjatë udhëtimit në Shqipëri do të përjetoni një ndërthurje unike midis stilit të jetesës mesdhetare dhe asaj orientale.

Vendndodhja gjeografike e bën atë një udhëkryq mes Lindjes, kulturës ortodokse, grekëve të lashtë, italianëve modernë dhe fqinjëve sllavë të Ballkanit.

Kishat, xhamitë dhe shtëpitë e stilit osman

Shqipëria ka një të kaluar që luhatet mes Lindjes dhe Perëndimit dhe kjo mund të shihet në vendet e saj më emblematike dhe turistike.

Pjesë e Perandorisë Osmane, pjesë e Greqisë së madhe, fqinji historik i Italisë – Shqiperia ofron një ndërthurje që përjetohet në çdo hap.

Qyteti i Beratit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është një nga xhevahiret e vendit.

I njohur si qyteti i një mbi një dritareve, shtëpitë e stilit osman zvarriten poshtë faqeve të kodrave, duke ofruar një labirint rrugësh të ngushta ku vështrohen minaret dhe kambanoret.

Me mbi 2400 vjet histori, qyteti kurorëzohet nga kështjella në majë, një zonë e banuar ende, me pamje nga ansambli monumental.

Gjirokastra është një tjetër vend që vizitorët nuk duhet ta humbasin.

Gjithashtu një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, qyteti shquhet për shtëpitë e tij të stilit osman, të cilat i japin atij një karakter të fortë, të dominuar nga një kala dhe një pazar i bukur.

Gjirokastra është vendlindja e diktatorit Enver Hoxha. Gjithashtu, këtu lindi dhe filloi të shkruante intelektuali dhe disidenti Ismail Kadare.

Në qytet mund të vizitoni shtëpi të ndryshme te stilit osman – për të parë se si ishte jeta e përditshme në këto pallate të fortifikuara.

Arkitektura e Perandorisë Osmane, e cila shtrihej nga Danubi në Gjirin Persik, përvetësoi nuanca indigjene, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Bizanti dhe ateizmi shtetëror

Shqipëria u shpall zyrtarisht një vend ateist nga regjimi i Hoxhës në vitin 1967, i cili preku të gjitha objektet e kultit, duke u ripërdorur si magazina.

Megjithatë, besimet e njerëzve nuk mund të fshiheshin brenda natës. Kur ra diktatura, shumë tempuj të të gjitha besimeve fetare u restauruan.

Për më tepër, disa monumente apo tempuj historikë u respektuan – pasi disa nga anëtarët e lartë të partisë kishin lindur atje ose kishin një marrëdhënie sentimentale dhe e dinin vlerën e vendit dhe rëndësinë e mbrojtjes së tij nga shkatërrimi.

Vizitorët mund të eksplorojnë xhamitë myslimane, kishat ortodokse, katedralet katolike dhe afresket bizantine te muzeve.

Qyteti i Korçës njihej si “Parisi i Shqipërisë”, pasi ishte një nga qytetet më kozmopolite me një përqendrim të lartë intelektualësh në fillim të shekullit XX.

Është shtëpia e një prej muzeve më të rëndësishme të vendit, kushtuar artit mesjetar – që strehon mijëra ikona bizantine.

Në afërsi të Korçës, fshati Voskopojë, dikur një udhëkryq në luginën midis Lindjes dhe Perëndimit, është shtëpia e një morie kishash dhe muzeve të zbukuruara me afreske bizantine.

Plazhet dhe rrënojat arkeologjike

Bregdeti i Shqipërisë gjithashtu është promovuar gjerësisht – duke tërhequr një numër të madh turistësh.

Peizazhi, veçanërisht i plazheve që ndodhen në jug të vendit, është spektakolar, me ujëra të pastra kristal dhe shkëmbinj që i kornizojnë ato.

Atmosfera muzikore dhe festive në plazhin e Ksamilit – të kujton plazhet e Ibizës.

Gjithashtu, ju mund të gjeni çmime më të përballueshme dhe një atmosferë më miqësore për familjen në plazhin e Himarës – një qytet i vjetër i mrekullueshëm me një kështjellë të rrënuar në majë të një kodre.

Vendi arkeologjik i Butrintit mbledh dëshmi gjurmëve të grekëve, bizantinëve dhe venecianëve

Vendi arkeologjik i Butrintit, i vendosur në jug të vendit, ofron dëshmi të pranisë së grekëve, bizantinëve dhe venecianëve në zonë.

Rrënojat arkeologjike, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, janë ruajtur shumë mirë.

Ato shfaqen sikur të ishin sfondi i një teatri – dhe nga kompleksi arkeologjik ka një pamje panoramike të detit Mesdhe dhe lagunës së Butrintit.

Tirana, modernitet

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është një qytet dinamik ku shumica e investimeve janë përqendruar për të ndërtuar një vend të ri, modern në përputhje me çdo kryeqytet perëndimor.

Është një mekë për çdo arkitekt, me rrokaqiejt e shumta dhe komplekset urbane të projektuara nga kompanitë më të mira globale që konkurrojnë me njëra-tjetrën për të ndihmuar këtë qytet të rritet.

Sheshi Skënderbej është zemra e qytetit, në të cilin kalon gjithçka dhe të gjithë.

Në njërën anë, ndodhet xhamia historike – e cila duket e vogël për shkak të rrokaqiejve të lartë që janë rritur në hijen e saj.

Qyteti ofron një kombinim të monumenteve historike të ruajtura mirë, objekteve turistike dhe mbetjeve të epokës komuniste që kujtojnë të kaluarën më të afërt.

Më i shquari është Bunk’Art, një muze i vendosur në një pjesë të galerive të strehimoreve që kalojnë në nëntokën e qytetit.

I projektuar si një bunker shtetëror në pritje të një sulmi bërthamor, ai strehon një muze që tregon mizoritë dhe shtypjen e përjetuar gjatë diktaturës komuniste.

Vizitorët mund të lexojnë dokumente të shumta historike, të shohin qelitë e paraburgimit, objektet e vëzhgimit të përdorura mbi popullatën dhe dhomat e kontrollit të qeverisë.

Natyra e egër

Shqipëria është një vend malor. Kudo që të hedhësh sytë gjen male.

Ka ende shumë natyrë të paprekur, ku mund të ecësh për kilometra të tëra pa hasur asgjë veç një fshati të largët, duke kaluar nëpër shtigje apo ura të stilit osman.

Rrugët më spektakolare ofrohen në ato që quhen “Alpet Shqiptare”, në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, që ndodhet në kufi me Malin e Zi dhe Kosovën.

Një nga udhëtimet më të njohura është itinerari midis fshatrave Valbonë dhe Theth.

Ai mbulon rreth 15 kilometra rrugë me pjerrësi – që mund të përfundojnë në rreth 7 orë, duke ofruar një përvojë të re dhe peizazhe dhe ndjesi të paharrueshme.

Në të gjithë veriun, mund të gjeni ende kullat e izoluara – të njohura si kulla të të persekutuarve sipas Kanunit, kodit të lashtë të sjelljes shqiptare që ishte mbi ligjet.

Në juglindje, Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli është edhe më i izoluar dhe më i largët.

Fshatrat malore si Përmeti ju ofrojnë të shijoni festivalet verore me muzikë popullore.

Burimet e nxehta të Benjës dëshmojnë për aktivitetin njerëzor në mes të një lugine, me një urë të stilit osman, në të cilën vendasit lahen në pishina termale natyrore.

Në çdo rast, ka shumë vende në të gjithë vendin ku mund të ngjitesh në male, të eksplorosh burimet karstike që formojnë “Syrin e Kaltër”, të ecësh për të zbuluar një ujëvarat e larta malore, të vizitoni Kanionet dhe bëni rafting, të lundroni në liqenin e madh të Ohrit, liqeni më i thellë në vend dhe në kufi me Maqedoninë e Veriut.

Përveç atraksioneve turistike, turistët mund të shijojnë veçanërisht një nga kënaqësitë më të mëdha të udhëtimit: të bisedojnë me njerëzit vendas. //a.i/

https://www.lavanguardia.com/mediterranean/20241008/10006132/worth-visiting-albania-inexpensive-destination-europe-tourism-vacation-travel-tirana-heritage-destination-berat-korce-beach-landscape-butrint-valbone.html

 

 

 

 

 

The post Media spanjolle “La Vanguardia”: Vizitoni Shqipërinë, destinacionin e ri që synon të pushtojë evropianët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 October 2024Main stream

PARIS – Franca do të dërgojë avionë “Mirage” në Ukrainë

8 October 2024 at 17:09

PARIS, 8 tetor /ATSH-DPA/- Franca do të dorëzojë avionët luftarakë “Mirage” në Ukrainë në tremujorin e parë të vitit 2025, tha sot ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu.

Lecornu tha se avionët e premtuar, aktualisht janë duke u pajisur me pajisje të reja, duke përfshirë pajisjet luftarake ajër-tokë për të kryer sulme ajrore dhe pajisjet elektronike të mbrojtjes për të kundërshtuar sinjalet ruse të bllokimit.

“Trajnimi për pilotët dhe mekanikët ukrainas në Francë do të vazhdojë”, tha ministri francez.

Lecornu nuk e specifikoi numrin e avionëve “Mirage” që Franca dhe vendet e tjera do të dërgojnë në Ukrainë si pjesë e një nisme të përbashkët.

Presidenti francez, Emmanuel Macron premtoi në fillim të qershorit të dërgonte avionin në Ukrainë, e cila është mbrojtur kundër pushtimit të plotë të Rusisë që nga shkurti i vitit 2022.

Avionët luftarakë “Mirage 2000-5” janë projektuar kryesisht për mbrojtjen ajrore dhe mund të përdoren për të vendosur raketat franceze-britanike Scalp/Storm Shadow, të cilat tashmë janë dorëzuar në Ukrainë. //a.i/

 

The post PARIS – Franca do të dërgojë avionë “Mirage” në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LIBAN – Hezbollah: I hapur ndaj armëpushimit, por edhe i gatshëm për të vazhduar luftën

8 October 2024 at 15:34

BEJRUT, 8 tetor /ATSH-DPA/- Milicia libaneze e Hezbollahut është shprehur e hapur për një armëpushim me Izraelin, sipas nënkryetarit të organizatës së mbështetur nga Irani, Naim Qassem.

Në një fjalim televiziv, Qassem tha se ai do të mbështeste nismën e kryetarit të parlamentit, Nabih Berri për një armëpushim.

“Nëse armiku vazhdon luftën e tij, fusha do të vendosë. Ne nuk do të lutemi për një zgjidhje. Ne do të vazhdojmë, do të bëjmë sakrifica”, tha ai.

Ai tha se i besonte Berrit, i cili konsiderohet aleat i Hezbollahut, në negociatat për një armëpushim të mundshëm.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet ajrore dhe ofensivën tokësore në Liban.

Gjithashtu, Hezbollahu ka lëshuar dhjetëra raketa në drejtim të Izraelit. //a.i/

The post LIBAN – Hezbollah: I hapur ndaj armëpushimit, por edhe i gatshëm për të vazhduar luftën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM sanksionon trupat ruse për përdorim të armëve kimike në Ukrainë

8 October 2024 at 15:07

LONDËR, 8 tetor /ATSH-DPA/- Britania e Madhe ka sanksionuar trupat ruse duke pretenduar se ato janë të përfshira në vendosjen e armëve kimike në fushën e betejës në Ukrainë.

Trupat e Mbrojtjes Kimike dhe Biologjike Radiologjike të ushtrisë ruse dhe komandanti i tyre Igor Kirillov, do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimeve.

“Kirillov ka qenë gjithashtu një zëdhënës i rëndësishëm për dezinformimin e Kremlinit”, tha Ministria e Jashtme.

Dy nga qendrat shkencore të Ministrisë ruse të Mbrojtjes janë prekur gjithashtu.

“Britania e Madhe nuk do të rrijë duarkryq, ndërkohë që Putini dhe shteti i tij shkel ligjin ndërkombëtar, përfshirë Konventën e Armëve Kimike”, tha sekretari i Jashtëm David Lammy.

“Taktikat mizore dhe çnjerëzore të Rusisë në fushën e betejës janë të urryeshme dhe unë do të përdor arsenalin e plotë të fuqive që kam në dispozicion – për të luftuar aktivitetin keqdashës të Rusisë”, shtoi ai.

“Ne do të vazhdojmë të përdorim sanksione për të kundërshtuar drejtpërdrejt përpjekjet e Kremlinit për të mbjellë frikë, ndarje dhe çrregullim”, tha Lammy.

“Mesazhi ynë për Putinin dhe regjimin e tij është i qartë: ju nuk mund të shkelni ligjin ndërkombëtar pa u përballur me pasojat”, tha sekretari i Mbrojtjes John Healey.

“Ne nuk do të lejojmë që shkelje të tilla flagrante të Konventës së Armëve Kimike dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla të mbeten pa u ndëshkuar”, tha ai.

“Britania e Madhe po godet përgjegjësit e këtyre sulmeve të tmerrshme kimike në Ukrainë. Mbështetja jonë për Ukrainën është e hekurt dhe do të vazhdojë për aq kohë sa të duhet”, theksoi Healey. //a.i/

 

The post LONDËR – BM sanksionon trupat ruse për përdorim të armëve kimike në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – IDF raporton vdekjen e të paktën 20 luftëtarëve palestinezë në Gazë

8 October 2024 at 14:29

TEL AVIV, 8 tetor /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite raportoi sot se kishte vrarë të paktën 20 luftëtarë palestinezë të armatosur në Gazën veriore.

“Në rajonin Jabalia, ku trupat nisën një ofensivë të re tokësore të dielën, u bastisën gjithashtu depot e armëve, me mbështetjen ajrore të ofruar për forcat tokësore”, tha ai.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) gjithashtu raportuan luftime të vazhdueshme në Gazën qendrore dhe jugore. Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Më 7 tetor të vitit të kaluar, militantët e Hamasit islamik dhe grupeve të tjera nga Gaza kryen një masakër brutale në Izrael që shkaktoi vdekjen e më shumë se 1200 personave, kryesisht civilë, dhe pengmarrjen e 250 personave të tjerë.

Si kundërpërgjigje, Izraeli filloi një ofensivë tokësore që synonte shpërbërjen e Hamasit.

Sipas shifrave palestineze dhe të OKB-së, rreth 42 000 njerëz kanë vdekur që atëherë. Këto shifra nuk bëjnë dallime mes luftëtarëve dhe civilëve dhe janë të vështira për t’u verifikuar. //a.i/

The post IZRAEL – IDF raporton vdekjen e të paktën 20 luftëtarëve palestinezë në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BEJRUT – Hezbollahu sulmon me raketa Izraelin verior

8 October 2024 at 12:38

TEL AVIV/BEJRUT /ATSH-DPA/- Milicia islamike Hezbollah tha sot se kishte lëshuar raketa të shumta në Izrael nga Libani.

“Sulmi shënjestroi objektiva të ndryshëm në Izraelin verior”, sipas një deklarate të shpërndarë në Bejrut nga grupi militant, i cili është aleat me Iranin.

Ushtria izraelite tha se alarmet për sulm ajror ishin lëshuar në Kiryat Shmona, Manara dhe Kerem Ben Zimra si dhe në vende të tjera të paspecifikuara pranë kufirit me Libanin.

Fillimisht nuk u dhanë informacione për viktima apo dëme.

Pretendimet nga të dyja palët nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Hezbollahu ka qëlluar kundër Izraelit gjatë vitit të kaluar në atë që ata e përshkruajnë si “solidaritet” me Hamasin në Rripin e Gazës.

Izraeli ka bërë luftë kundër grupit islamik palestinez Hamas në Gaza që nga sulmet terroriste të udhëhequra nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor të vitit të kaluar.

Izraeli në javët e kaluara ka intensifikuar ndjeshëm sulmet ajrore kundër Hezbollahut në Liban, duke vrarë lidershipin e milicisë dhe duke nisur një ofensivë tokësore.

Sipas ushtrisë izraelite, një tjetër komandant i rangut të lartë të Hezbollahut u vra dje në një sulm ajror në Bejrut. //a.i/

The post BEJRUT – Hezbollahu sulmon me raketa Izraelin verior appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Netanyahu rikonfirmon vendosmërinë e Izraelit për të luftuar

8 October 2024 at 10:35

TEL AVIV, 8 tetor /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu rikonfirmoi vendosmërinë e vendit të tij për të luftuar – gjatë përkujtimit zyrtar të përvjetorit të masakrës së 7 tetorit.

“Së bashku do të vazhdojmë të luftojmë dhe së bashku do të triumfojmë”, tha ai në një videomesazh.

Ceremonia u zhvillua në Ofakim, pranë Rripit të Gazës, ku një vit më parë u vranë 40 persona.

Ai deklaroi se 7 tetori, kur lëvizja islamike palestineze Hamas dhe ekstremistët e tjerë vranë rreth 1200 njerëz në Izrael dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë në Rripin e Gazës, ishte një ditë vuajtjesh të papërshkrueshme për vendin.

Politikani konservator theksoi se izraelitët ishin bashkuar për mbrojtjen e vendit.

“Ne i kemi vendosur objektivat e luftës dhe po i arrijmë ato”, tha ai.

Ai tha se këto objektiva ishin të shpërbënin sundimin e Hamasit, të kthenin të gjithë pengjet në shtëpi, të bënin të pamundur çdo kërcënim të ardhshëm nga Rripi i Gazës dhe të siguronin kthimin e sigurt të banorëve nga jugu dhe veriu në shtëpitë e tyre.

Megjithatë, pas një viti lufte me afro 42 000 të vdekur në Rripin e Gazës dhe rritjes së kritikave ndërkombëtare për veprimet e ashpra të Izraelit në brezin bregdetar – së fundmi edhe në Liban – asnjë nga objektivat e luftës të përmendura nga Netanyahu nuk janë arritur plotësisht deri më tani. //a.i/

The post TEL AVIV – Netanyahu rikonfirmon vendosmërinë e Izraelit për të luftuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky bën thirrje për më shumë armë përpara takimit në Ramstein

8 October 2024 at 10:03

KIEV, 8 tetor /ATSH-DPA/- Përpara takimit të nivelit të lartë të Grupit të Kontaktit të Ukrainës në bazën ajrore amerikane në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve të vendit për më shumë dërgesa armësh.

Ai tha në një videomesazh dje në mbrëmje se dërgesat e mjaftueshme për vijën e parë, pajisjet për brigadat dhe armët me rreze të gjatë do të ishin të nevojshme në muajt e ardhshëm për të ndaluar Rusinë dhe për ta detyruar atë drejt paqes.

“Ne do të përpiqemi të bindim partnerët tanë në takimin e ardhshëm në Ramstein për nevojën urgjente për përforcim të konsiderueshëm të aftësive dhe pozicioneve tona pikërisht tani, gjatë këtyre muajve të vjeshtës”, tha Zelensky.

“Ne i ftojmë partnerët tanë të përcaktojnë se si e parashikojnë fundin e kësaj lufte, vendin e Ukrainës në arkitekturën globale të sigurisë dhe hapat e përbashkët që mund ta drejtojnë këtë luftë drejt fundit”, tha Zelensky.

Për herë të parë, liderët e vendeve që mbështesin Ukrainën planifikojnë të takohen në Ramstein, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, i cili ka planifikuar të vizitojë Gjermaninë në fund të kësaj jave.

Në të kaluarën, baza ajrore amerikane në shtetin Rheinland-Pfalz ishte kryesisht vendi i takimit për ministrat e Mbrojtjes të vendeve.

Zelensky tha se mbledhja duhej të fokusohej gjithashtu në investimet në prodhimin e armëve ukrainase, kryesisht në prodhimin e dronëve dhe sistemeve të luftës elektronike.

Ai gjithashtu njoftoi se ai do të paraqiste “planin e tij të fitores” në takim për ato vende që mund të forcojnë Ukrainën dhe të afrojnë paqen.

Deri më tani, plani, të cilin Zelensky e ka promovuar vazhdimisht prej disa muajsh, nuk dihet publikisht, por është e qartë se vendi pret, ndër të tjera, leje për të përdorur armë me rreze të gjatë brenda territorit rus dhe një ftesë për anëtarësim në NATO nga perëndimi. //a.i/

The post KIEV – Zelensky bën thirrje për më shumë armë përpara takimit në Ramstein appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – IDF vret një tjetër komandant të lartë të Hezbollahut në Bejrut

8 October 2024 at 09:30

TEL AVIV, 8 tetor /ATSH-DPA/- Forcat Ajrore izraelite kanë vrarë edhe një herë një komandant të lartë të Hezbollahut në një sulm në kryeqytetin libanez Bejrut – këtë herë kreun e selisë së milicisë islamike, Suhail Hussein Husseini.

“Husseini u vra dje gjatë një sulmi të shënjestruar”, njoftuan sot në mëngjes Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).

“Ai ishte gjithashtu anëtar i Këshillit të Xhihadit të Hezbollahut, organi suprem ushtarak i organizatës ekstremiste shiite të mbështetur nga Irani”, tha IDF.

“Husseini luajti një rol vendimtar në transferimin e armëve midis Iranit dhe Hezbollahut”, tha IDF në një deklaratë.

Ai ishte gjithashtu përgjegjës për shpërndarjen e armëve të avancuara midis njësive të grupit shiit dhe për buxhetimin dhe menaxhimin logjistik të projekteve më të ndjeshme të Hezbollahut”.

Këto përfshinin planifikimin e luftës dhe operacionet speciale kundër Izraelit nga Libani dhe Siria. //a.i/

The post IZRAEL – IDF vret një tjetër komandant të lartë të Hezbollahut në Bejrut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Travel and Tour World”: Bumi turistik i Përmetit! Dyfishim i vizitorëve në atraksionet gjatë gjithë vitit

8 October 2024 at 08:40

TIRANË, 8 tetor /ATSH/- Përmeti, një qytet i njohur për atraksionet e tij të shumta, është shndërruar në një destinacion turistik jo vetëm për turistët e verës, por edhe për vizitorët gjatë gjithë vitit, sipas një artikulli të botuar në “Travel and Tour World” (TTW).

Përmeti është një qytet i vogël në rrugën e re mes Gjirokastrës dhe Korçës. Është vendi ideal për një udhëtim nga bregu drejt liqenit të Ohrit.

I vendosur në lumin Vjosa në periferi të Parkut Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli, Përmeti njihet si ‘qyteti më i gjelbër’ i Shqipërisë.

Është porta për në lumin e fundit të egër të Evropës dhe një destinacion në zhvillim ekoturizmi.

Në periferi të qytetit do të gjeni kishën spektakolare ortodokse të Leusës – kisha më e bukur në Shqipëri – si dhe burimet e famshme termale të Benjës dhe burimet më pak të njohura termale të Sarandaporit.

Kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha, theksoi bashkëpunimin e fortë mes qeverisë, autoriteteve vendore, bizneseve dhe komunitetit për të promovuar turizmin gjatë gjithë vitit.

“Turizmi është fokusi ynë parësor. Ndërsa fillimisht synuam ta poziciononim Përmetin si një destinacion turistik europian, sot me krenari mund të themi se e ka arritur këtë status”, tha Hoxha.

“Përpjekjet tona janë të orientuara drejt garantimit të turizmit të qëndrueshëm dhe gjatë gjithë vitit. Përmeti mbetet një nga qytetet më të vizituara”, theksoi ajo.

Kryebashkiakja vuri në dukje gjithashtu një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve krahasuar me një vit më parë.

“Deri në fund të gushtit të këtij viti, rreth 100 mijë turistë vizituan Përmetin. Është zgjeruar edhe disponueshmëria e akomodimeve”, shtoi ajo.

Sezoni veror i vitit 2024 parashtroi disa sfida, të cilat çuan në një sukses më të madh në sektorin e turizmit, duke e pozicionuar Përmetin dhe zonat përreth tij si destinacione tërheqëse gjatë gjithë vitit. //a.i/

https://www.travelandtourworld.com/news/article/permets-tourism-boom-visitor-numbers-double-as-year-round-attractions-shine/

 

 

 

The post “Travel and Tour World”: Bumi turistik i Përmetit! Dyfishim i vizitorëve në atraksionet gjatë gjithë vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

BRUKSEL – BE koordinon ndihmën emergjente pas përmbytjeve shkatërruese në Bosnjë-Hercegovinë

7 October 2024 at 15:54

BRUKSEL, 7 tetor /ATSH-DPA/- Dymbëdhjetë vende të BE-së kanë dërguar furnizime emergjente dhe kanë vendosur ekipe kërkim-shpëtimi në Bosnjë-Hercegovinë pas përmbytjeve vdekjeprurëse, tha sot Komisioni Evropian.

Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç falënderoi pjesëmarrësit për ndihmën në Bosnjë-Hercegovinës pas përmbytjeve në vend.

Mbështetja emergjente është siguruar nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, një platformë për koordinimin dhe ndarjen e burimeve të emergjencës. Bosnjë-Hercegovina kërkoi ndihmën të shtunën.

Shqipëria, Turqia, Hungaria, Mali i Zi dhe Rumania kanë dërguar komplete strehimi ndërsa Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Serbia kanë dislokuar tashmë ekipe të kërkim-shpëtimit.

Fshati malor Jabllanicë, afërsisht 30 kilometra në veri të qytetit të Mostarit, ishte më i prekuri. //a.i/

 

 

 

The post BRUKSEL – BE koordinon ndihmën emergjente pas përmbytjeve shkatërruese në Bosnjë-Hercegovinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli rrit numrin e trupave tokësore në jug të Libanit

7 October 2024 at 15:47

BEJRUT, 10 tetor /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite njoftoi sot se ka dërguar më shumë trupa tokësore nga Divizioni i saj 91, në jug të Libanit.

Ushtria publikoi një video që tregonte ushtarët e saj në territorin libanez.

Izraeli nuk ka dhënë një numër të saktë të trupave të tij në Liban, as të atyre që marrin pjesë në operacionet e tij të vazhdueshme në Rripin e Gazës, por një divizion i ushtrisë izraelite mund të përbëhet nga disa mijëra ushtarë.

Ushtria izraelite duket se po përqendrohet në një zonë pranë qyteteve Udaissa dhe Kafr Kila në juglindje të Libanit dhe rreth Bint Jubayl në jug.

Në këto zona janë raportuar përleshje të tjera mes luftëtarëve të Hezbollahut dhe ushtarëve izraelitë.

Hezbollahu tha sot se kishte nisur një sulm me raketa ndaj një grupi ushtarësh në qytetin kufitar Maroun al-Ras. //a.i/

The post TEL AVIV – Izraeli rrit numrin e trupave tokësore në jug të Libanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Sulmi kibernetik ndërpret shërbimin e televizionit shtetëror rus

7 October 2024 at 14:40

MOSKË, 7 tetor /ATSH-DPA/- Një sulm kibernetik çoi në ndërprerje të transmetuesit shtetëror rus VGTRK të hënën, sipas raporteve të mediave.

“Gazeta ruse online “Gazeta.Ru” raportoi se një grup hakerësh pro-ukrainas i quajtur “sudo rm -RF” ishte përgjegjës për sulmin”, duke cituar zyrtarë të shërbimeve sekrete ruse.

“Sulmi preku transmetimin në internet të programit, shërbimet e brendshme dhe madje edhe lidhjet e internetit dhe telefonit të kompanisë”, tha Gazeta.Ru.

Kanali i lajmeve Rusi-24 nuk ishte i disponueshëm në internet të hënën në mëngjes.

Raporte të ndryshme thanë se serverët ishin jashtë funksionit dhe se informacione të rëndësishme ishin fshirë. Ata thanë gjithashtu se do të duhet shumë kohë për të rivendosur shërbimin.

Televizioni shtetëror nuk ka komentuar ende raportet. //a.i/

The post MOSKË – Sulmi kibernetik ndërpret shërbimin e televizionit shtetëror rus appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy shkencëtarë amerikanë fitojnë çmimin Nobel në Mjekësi për zbulimin e mikroRNA

7 October 2024 at 12:50

STOKHOLM, 7 tetor /ATSH-DPA/- Shkencëtarët amerikanë Victor Ambros dhe Gary Ruvkun kanë fituar çmimin Nobel të këtij viti në Mjekësi për zbulimin e microRNA – një klasë e re e molekulave të vogla të ARN-së – që luajnë një rol vendimtar në rregullimin e gjeneve, njoftoi sot Instituti Karolinska i Suedisë.

“Çmimi Nobel i këtij viti nderon dy shkencëtarë për zbulimin e tyre të një parimi themelor që rregullon mënyrën se si rregullohet aktiviteti i gjeneve”, tha instituti në një deklaratë për shtyp.

“Victor Ambros dhe Gary Ruvkun ishin të interesuar se si zhvillohen llojet e ndryshme të qelizave”, tha instituti.

Zbulimi i tyre “novator” i microRNA zbuloi një parim krejtësisht të ri të rregullimit të gjeneve që doli të ishte thelbësor për organizmat shumëqelizorë, përfshirë njerëzit.

“Tani dihet se gjenomi njerëzor kodon mbi një mijë mikroARN”, thanë Ambros dhe Ruvku.

Rregullimi i gjeneve siguron që çdo qelizë në trup, e cila përmban të gjitha informacionet identike gjenetike, të “aktivizojë” vetëm informacionin që është i rëndësishëm për llojin e saj.

Kjo është arsyeja pse qelizat kanë karakteristika të ndryshme, për shembull qelizat muskulore dhe nervore, edhe pse ato përmbajnë të njëjtat kromozome.

I lindur në vitin 1953, Ambros punon në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Masaçusets, ndërsa Ruvkun, i lindur në 1952, punon në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusets. //a.i/

The post Dy shkencëtarë amerikanë fitojnë çmimin Nobel në Mjekësi për zbulimin e mikroRNA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Herzog i bën thirrje botës për mbështetje në luftën kundër armiqve

7 October 2024 at 12:21

TEL AVIV, 7 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti izraelit Isaac Herzog i bëri thirrje botës të mbështesë Izraelin në luftën kundër armiqve të tij, gjatë një fjalimi në ceremoninë e përkujtimit të viktimave të sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor.

“Kjo është një mbresë mbi njerëzimin. Kjo është një mbresë në faqen e Tokës”, tha ai sot në vendin e festivalit muzikor Nova 2023, pranë kufirit të Gazës.

Terroristët nga grupi islamik palestinez Hamas dhe grupe të tjera ekstremiste sulmuan përtej kufirit saktësisht një vit më parë, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 njerëz të tjerë – në komunitetet izraelite jugore dhe në festival.

“Bota duhet të kuptojë se për të ndryshuar rrjedhën e historisë dhe për të sjellë paqe, një të ardhme më të mirë në rajon, ajo duhet të mbështesë Izraelin në betejën e tij kundër armiqve të ti”, tha Herzog.

“Ne po luftojmë betejën e botës së lirë”, tha Herzog.

Sulmi provokoi bombardimet izraelite dhe pushtimin e Rripit të Gazës.

Tensionet që atëherë janë rritur dhe e kanë sjellë rajonin e Lindjes së Mesme në prag të një konflikti më të gjerë. //a.i/

The post IZRAEL – Herzog i bën thirrje botës për mbështetje në luftën kundër armiqve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌