Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Praktikimi i mirënjohjes mund t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë, sipas një studimi të ri

Në jetën e përditshme, shpesh harrojmë të ndalemi për të shprehur mirënjohje, edhe për gjërat më të vogla. Megjithatë, studimet e fundit tregojnë se mirënjohja ka një ndikim shumë më të madh sesa thjesht përmirësimi i humorit tonë

Një studim i publikuar nga Harvard në shtator 2024 thekson rëndësinë e mirënjohjes, jo vetëm për shëndetin mendor, por edhe për mirëqenien fizike dhe jetëgjatësinë.

Mirënjohja, shëndeti dhe jetëgjatësia

Si mund të ndikojë fuqia e mirënjohjes në jetën tonë? Hulumtimet e fundit tregojnë se mirënjohja sjell një sërë efektesh pozitive për shëndetin, duke përfshirë mirëqenien emocionale dhe shoqërore, rrezik më të ulët të depresionit dhe mund të jetë kontribuues i favorshëm për shëndetin kardiovaskular.

Tashmë, të dhëna të reja nga “Nurses Health Study” tregojnë se mirënjohja mund të zgjasë jetën.

“Mirënjohja ka qenë një nga aktivitetet më të studiuara që kontribuon në mirëqenie, por nuk mundëm të gjenim asnjë studim të mëparshëm që të shqyrtonte efektet e saj mbi vdekshmërinë dhe jetëgjatësinë, për çudi,” – thotë VanderWeele, bashkëautor i kërkimit të ri.

Çfarë shqyrtoi studimi?

I publikuar në korrik 2024 në “JAMA Psychiatry”, studimi i ri u bazua në të dhëna nga 49,275 gra të regjistruara në “Nurses Health Study”. Mosha mesatare e tyre ishte 79 vjeç. Në vitin 2016, pjesëmarrëset plotësuan një pyetësor me gjashtë pyetje mbi mirënjohjen, ku renditën pëlqimin e tyre me deklarata të tilla si: “Kam kaq shumë në jetë për të cilat jam mirënjohëse” dhe “Nëse do të duhej të rendisja gjithçka për të cilën ndihem mirënjohëse, lista do të ishte shumë e gjatë.”

Katër vjet më vonë, studiuesit shqyrtuan të dhënat mjekësore të pjesëmarrëseve për të përcaktuar se kush kishte ndërruar jetë. Kishte 4,608 vdekje nga të gjitha shkaqet, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, kancerin, sëmundjet respiratore, sëmundjet neurodegjenerative, infeksionet dhe dëmtimet. Vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare – një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve te gratë dhe burrat në SHBA- ishin shkaku më i zakonshëm i vdekjeve.

Çfarë zbuluan studiuesit?

Pjesëmarrëset me pikët më të larta të mirënjohjes kishin 9% më pak rrezik për të ndërruar jetë gjatë katër viteve të ardhshme, në krahasim me ato që kishin pikët më të ulëta. Kjo nuk ndryshoi pasi u morën parasysh gjendja fizike, rrethanat ekonomike dhe aspekte të tjera të shëndetit mendor dhe mirëqenies. Mirënjohja dukej se ndihmonte në mbrojtjen nga çdo shkak i vdekjes, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare.

Por çfarë do të thotë kjo në të vërtetë?

“Zvogëlimi prej 9% në rrezikun e vdekshmërisë është domethënës, por jo i jashtëzakonshëm,” – thotë VanderWeele.

“Ajo që është e jashtëzakonshme te mirënjohja është që kushdo mund ta praktikojë atë. Kushdo mund të vërejë atë që ka rreth vetes dhe të shprehë mirënjohje për atë që është e mirë në jetën e tij”, shton ai.

Ndërkohë që studimi nuk arriti të përcaktojë saktësisht pse mirënjohja lidhet me jetëgjatësinë, VanderWeele beson se disa faktorë mund të kontribuojnë.

“Dimë që mirënjohja bën që njerëzit të ndihen më të lumtur. Kjo, në vetvete, ka një efekt sado të vogël mbi rrezikun e vdekshmërisë,” – thotë ai.

“Praktikimi i mirënjohjes mund të bëjë gjithashtu që dikush të jetë më i motivuar për t’u kujdesur për shëndetin e vet. Ndoshta individët që praktikojnë mirënjohjen kanë më shumë gjasa të paraqiten në vizita mjekësore ose të ushtrohen. Mirënjohja mund të ndihmojë gjithashtu në marrëdhënie dhe mbështetje sociale, që dimë se kontribuojnë në shëndet”, shton më tej.

Cilat janë kufizimet dhe anët e forta të studimit?

Studimi ishte vëzhgues, që do të thotë se nuk mund të vërtetojë se mirënjohja ndihmon njerëzit të jetojnë më gjatë, vetëm se ekziston një lidhje. Grupi i analizuar është pika më e fortë, por edhe kufizim më i madh i këtij kërkimi. Të gjitha pjesëmarrëset ishin gra të moshuara me status të lartë ekonomik dhe shumica dërrmuese ishin të së njëjtës ngjyrë lëkure (të bardhë).

“A është ky efekt jetëgjatësie i vlefshëm edhe për burrat, për të rinjtë dhe për ata me burime më të pakta ekonomike?” – pyet VanderWeele. “Këto mbeten pyetje të hapura”, citon Anabel.

Gjashtë pyetje për të nxitur mirënjohjen

Nuk ndiheni veçanërisht mirënjohës/e sot? Ju keni fuqinë për ta ndryshuar këtë. Pyetjet si më poshtë mund të nxisin mirënjohjen:

– Çfarë ndodhi sot që më ndryshoi ditën për mirë?
– Çfarë po e marr si të mirëqenë, për të cilën mund të jem mirënjohës/e?
– Cilët persona në jetën time janë të rëndësishëm për mua?
– Cili libër, film apo video më ka pëlqyer së fundmi dhe pse?
– Për çfarë jam më shumë në pritje këtë javë, muaj dhe vit dhe pse?
– Cila është gjëja më e mirë që dikush ka thënë apo ka bërë kohët e fundit?

Mirënjohja nuk është vetëm një ndjenjë kalimtare, por një praktikë që mund të ndryshojë rrënjësisht shëndetin dhe jetën tuaj. Të qenit të vetëdijshëm për të mirat që kemi në jetë është një nga mënyrat më të thjeshta për të përmirësuar cilësinë e jetës sonë dhe për të zgjatur vitet tona. /Telegrafi/

The post Praktikimi i mirënjohjes mund t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë, sipas një studimi të ri appeared first on Telegrafi.

Këtë vjeshtë nuancën bordo nuk do ta mbajmë vetëm në thonj dhe buzë

Rimelët dhe skuqjet në nuanca burgundy janë gjithçka që duam nga sezoni i ri dhe ja si

Në pamje të parë, këto nuanca mund të duken të komplikuara për t’u aplikuar – rimelët e kuq të errët mund të shkojnë lehtësisht në drejtimin e gabuar.

Nuanca ikonë e Chanel Eros është sigurisht e para në listë dhe thjesht duket shumë më interesante sesa tonet e pritshme të zezë dhe gri, dhe nëse unë mund ta aplikoj, mendoj se çdokush mund ta bëjë.

Pra, nëse po kërkoni një mënyrë për të freskuar pamjen tuaj të përditshme të grimit, hijet e syve dhe lapsat në ngjyrë burgundy mund të jenë zgjedhja e duhur, transmeton Telegrafi.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Hung Vanngo (@hungvanngo)

Maskara për vetulla në këtë nuancë është po aq një zgjedhje e mirë, veçanërisht për ato që tashmë i pëlqejnë rimelët ngjyrë kafe.

Kjo nuancë e thellë e kuqërremtë-vjollcë mund të duket paksa “avangarde” në shikim të parë, por çuditërisht është e aplikueshme.

Burgundy është një alternativë e shkëlqyer për nuancat e zakonshme kafe, bakri dhe ari, të cilat njerëzit i zgjedhin më shpesh, dhe gjithashtu duket mirë në tone të ndryshme lëkure.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Makeup Artist Patrick Ta 🫶🏽 (@patrickta)

Për një pamje gjatë ditës, së bashku me një laps, një shtresë e lehtë e nuancës kremoze në të gjithë kapakët do t’i bëjë sytë të shkëlqejnë, veçanërisht nëse janë të gjelbër ose ngjyrë lajthi. Një nuancë burgundy shumë e pigmentuar në kombinim me një eyeliner të zi është një alternativë e shkëlqyer për një sy ‘smokey’.

Nëse hija e syve në ngjyrë burgundy tingëllon si diçka jashtë zonës suaj të rehatisë, drejtojuni klasikes së provuar (të cilën edhe Hailey Bieber, mbretëresha e grimit me shkëlqim neutral dhe rozë) dhe zgjidhni një nuancë burgundy në buzë.

Pavarësisht nëse zgjidhni një nuancë intensive mat apo një shkëlqim vaji kremoz, efekti me siguri do të vihet re. Përshtatni skuqjen në të njëjtën nuancë dhe jeni gati – shkopi shumëpërdorues për buzët dhe faqet është zgjedhja më e lehtë dhe më elegante.

Ka shumë mënyra për të bërë grimin në ngjyrë burgundy dhe për t’u dukur sensacionale. /Telegrafi/

The post Këtë vjeshtë nuancën bordo nuk do ta mbajmë vetëm në thonj dhe buzë appeared first on Telegrafi.

Pothuajse gjysma e mjekëve ngacmohen seksualisht nga pacientët, thotë studimi më i ri

Thuajse gjysma e mjekëve në mbarë botën janë ngacmuar seksualisht nga pacientët e tyre, zbuloi studimi i ri në rang global, i publikuar në “Internal Medicine Journal”

Anembanë botës, 45% e mjekëve janë përballur me sulme dhe ngacmime të ndryshme seksuale. Më shumë se gjysma, 52.2% e mjekeve (femra) kanë përjetuar ngacmim seksual dhe 34.4% e mjekëve (meshkuj) janë përballur në të njëjtën situatë.

Mjekët vuajnë nga tipologji të ndryshme të ngacmimeve seksuale, duke përfshirë vëmendjen e padëshiruar seksuale, shaka me natyrë seksuale, ftesa nëpër takime, prekje në vende të papërshtatshme, letra dhe mesazhe me përmbajtje romantike dhe seksuale. Gjithashtu, ata kanë dëshmuar se janë përballur edhe me situata ku pacientët u tregojnë organet gjenitale, u tregojnë se janë të eksituar, si dhe kërkojnë ekzaminime dhe analiza të panevojshme.

Rezultatet u morën nga 22 punime të publikuara më parë mbi këtë tematikë, në pjesë të ndryshme të botës. Ato u analizuan nga Dr. Caroline Kamau-Mitchell në Birkbeck College, që është pjesë e Universitetit të Londrës.

Kamau-Mitchell u shpreh se shifrat e larta të ngacmimeve seksuale duhet të shtyjnë spitalet, klinikat dhe ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor që të ndërmarrin masa dhe veprime më efikase për të mbrojtur mjekët karshi sulmeve dhe ngacmimeve të tilla.

“Unë rekomandoj që spitalet dhe klinikat t’i marrin seriozisht këto rezultate dhe t’u sigurojnë mjekëve që punojnë në reparte të izoluara, në turne të natës ose vetëm, mbrojtje nga kamerat dhe alarme paniku,” tha ajo.

Sipas “Royal College of Physicians” (RCP), këto rezultate janë vërtet alarmante. Kolegji Mbretëror miratoi thirrjen e studiuesve dhe tha se mjekët kanë nevojë për mbrojtje nga ngacmimet që vijnë nga pacientët, veçanërisht në rastet kur punojnë vetëm.

Dr Hilary Williams, konsulente onkologe mjekësore dhe nënkryetare e RCP për Uellsin, tha:

“Spitalet gjatë natës mund të jenë të qetë dhe të errët me korridore të gjata dhe për fat të keq, ndërtesat mund të kenë siguri të kufizuar. Shumë shpesh, stafi natën detyrohet të parkojë larg, në qoshe të pandriçuara që nuk ofrojnë siguri.”

“Masat e duhura të sigurisë, si alarmet e panikut dhe kamerat, mund të ofrojnë mbrojtje jetike për mjekët, veçanërisht ata që punojnë vetëm ose në mjedise të izoluara. Por ne duhet të jemi të sigurt që masa të tilla nuk do të pengojnë privatësinë e pacientëve,” shtoi ajo.

istockphoto

Ngacmimi seksual nga pacientët ka bërë që mjekët të ndihen të pasigurt fizikisht gjatë punës dhe në disa raste, të mbyllin derën e zyrës së tyre kur janë vetëm, shtuan autorët. Disa kishin instaluar CCTV (kamera), ose kishin marrë masa të tjera sigurie në shtëpinë e tyre.

Rezultatet thonë: “Duke krahasuar rajone të ndryshme, përqindja e mjekëve dhe mjekeve që kishin përjetuar ngacmime seksuale nga pacientët ishte më e larta në Shtetet e Bashkuara. Vendet e tjera janë: Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Izraeli, Gjermania dhe Malajzia”.

Sipas Williams, ngacmimet e përsëritura me natyrë seksuale, mund të jenë një ndër arsyet pse mjekët vendosin të lënë punën në shërbimin shëndetësor, ndaj duhen gjetur mënyra se si mjekët të mund të raportojnë incidente të tilla dhe se si të mbrohen prej tyre.

“Ka shumë arsye të qarta pse stafi vazhdon të largohet nga shërbimi shëndetësor, duke përfshirë jo vetëm kërkesat dërrmuese me të cilat po luftojnë, por sulmet e dëmshme, të shpeshta dhe serioze, me të cilat përballen shumë mjekë po kontribuojnë drejtpërdrejt në këtë fushë,” tha ajo, citon Anabel.

“Ashtu si shumë forma të ngacmimit, kanalet e raportimit janë të dobëta. Absolutisht me të drejtë ka procese shumë të qarta për pacientët për të raportuar ngacmimet, por ka shumë më pak mbështetje për mjekët për të ngritur shqetësime për sjelljen e pacientit dhe familjes. Për fat të keq, stafi tani është aq i zënë sa shpesh është më e lehtë të vazhdohet dhe të durohet, në mënyrë që të mund të ofrohet me shpejtësi kujdesi për pacientin e ardhshëm”, u shpreh Kamau-Mitchell. /Telegrafi/

The post Pothuajse gjysma e mjekëve ngacmohen seksualisht nga pacientët, thotë studimi më i ri appeared first on Telegrafi.

❌