Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Sulmet ajrore izraelite vrasin 16 njerëz në Gaza, thonë zyrtarët palestinezë

Zyrtarët palestinezë kanë thënë se sulmet ajrore izraelite i kanë vrarë 16 njerëz në Rripin e Gazës të hënën, përfshirë pesë gra dhe katër fëmijë.

Një sulm ajror e bëri rrafsh me tokën një shtëpi në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore, duke i vrarë së paku 10 njerëz në të, përfshirë katër gra dhe dy fëmijë.

Spitali Awda, i cili i pranoi trupat e viktimave, e konfirmoi lajmin dhe shtoi se 13 njerëz të tjerë u plagosën nga ai sulm.

Sipas të dhënave të spitalit, në mesin e të vdekurve ishte një nënë dhe fëmija i saj, si dhe pesë motra e vëllezër të saj.

Një sulm tjetër në një shtëpi në Qytetin e Gazës i vrau gjashtë njerëz, përfshirë një grua dhe dy fëmijë, sipas Mbrojtjes Civile, mjekëve emergjentë të cilët punojnë nën udhëheqjen e qeverisë së Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Izraeli thotë se në shënjestër i vë vetëm militantët dhe e akuzon Hamasin dhe grupet e tjera të armatosura se po i rrezikojnë civilët duke vepruar në zonat e banimit.

Ushtria izraelite rrallëherë i komenton sulmet individuale, në të cilat shpesh vriten gra dhe fëmijë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se më shumë se 41.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej se sulmi i 7 tetorit nga Hamasi në Izrael e nxiti luftën mes tyre. Ministria nuk bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve në llogaritjen e numrit të të vdekurve në këtë luftë, por thotë se mbi gjysma e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.

Izraeli thotë se i ka vrarë mbi 17.000 militantë, pa dhënë dëshmi për këtë.

Lufta ka shkaktuar rrënim të madh dhe i ka zhvendosur mbi 90 për qind të banorëve të Gazës prej 2.3 milionë.

Lufta nisi kur Hamasi kreu një sulm më 7 tetor në jug të Izraelit, ku vrau rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbeu mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Sulmet ajrore izraelite vrasin 16 njerëz në Gaza, thonë zyrtarët palestinezë appeared first on Euronews Albania.

❌