Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Asfaltohet rruga që lidh fshatrat Limjan e Vrenjt në Dibër

Rruga që lidh fshatrat Limjan e Vrenjt të njësisë administrative Kastriot në Dibër është asfaltuar. Edhe pse ishte një premtim i kryebashkiakut Rahim Spahiu, investimi nuk është kryer nga Bashkia e Dibrës, por nga një kompania private. Banorë të zonës i thanë Faktoje se asfaltimi i saj ka krijuar lehtësira për fermerët.

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, një prej premtimeve të kryebashkiakut socialist, Rahim Spahiu ishte edhe asfaltimi i rrugës në fshatrat Limjan e Vrenjt të njësisë administrative Kastriot.

“Në #Limjan e #Vrenjt të njësisë administrative Kastriot, e shumëkërkuar nga banorët, më vjen mirë që ndava me ta edhe lajmin se së shpejti do të nisë puna për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës”-shkroi në Facebook, kryetari i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu.

Postimi i kryebashkiakut Spahiu në rrjetet sociale, 27 prill 2023

Nisur nga ky premtim i zotit Spahiu, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Dibrës. Ne e pyetëm këtë institucion mbi ecurinë e punimeve, por edhe kostot e rrugës. Mirëpo, Bashkia Dibër tha për Faktoje se nuk disponojnë informacion për këtë rrugë, pasi është financim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

“Sa u përket projekteve për asfaltimin e rrugëve të fshatrave Limjan dhe Vrenjt të Njësisë Administrative Kastriot, ato janë projekte me financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe nuk disponojmë informacion”, njofton Bashkia.

Por dhe pas një kërkese për informacion dërguar FSHZH-së, përgjigja që erdhi ishte se ky projekt nuk ishte zbatuar nga ky institucion.

“Ju bëjmë me dije se Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka në zbatim ndonjë projekt në Bashkinë Dibër për shtrimin e rrugëve Limjan dhe Vrenjt në Njësinë Administrative Kastriot”, bëri të ditur FSHZH-ja.

Faktoje bëri një verifikim në terren më 29 gusht në këtë rrugë, ku konstatuam se kishin përfunduar punimet për asfaltimin e saj. Ndërsa “enigma” rreth financuesit të këtij investimi, u zgjidh nga tabela e punimeve e cila ishte ende në hyrje të rrugës. Investimi nuk i përket as Bashkisë, e as FSHZH-së, por rezulton të jetë kryer nga kompania private KNAUF, dhe siç e kërkon procedura, leja nuk mund të ishte dhënë veçse nga Bashkia Dibër.

Tabela e punimeve, 29 gusht 2024

Rruga është rreth 6 km dhe sipas banorëve të fshatit, punimet kanë përfunduar në muajin qershor të këtij viti.

“Është një rrugë shumë e rëndësishme, sepse lidh 3 fshatra, Limjan, Vrenjt dhe Volezë. Janë diku te 200 familje në të tre fshatrat”, na tregon Miftari, banor i fshatit Vrenjt.

Ndërsa për Arturin, i cili ka një pemëtore në anë të rrugës thotë se asfaltimi i saj i ka krijuar shumë lehtësi.

“Rruga është zhvillim për të gjithë njerëzit dhe këtë vit për fatin e mirë kjo u realizua dhe ne si fermerë kemi shumë avantazh, sepse vijmë më shpejt te parcelat, makina nuk dëmtohet dhe prodhimi nuk na dëmtohet, sepse shumë vite kishim pluhur dynjanë dhe merrnin rendiment pothuajse zero.

Kjo është një rrugë me standard, shumë e mirë dhe shpresojmë që si kjo rrugë të bëhen të gjitha rrugët rurale të Shqipërisë”, shprehet Arturi.

Nisur nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për asfaltimin e rrugës në Limjan e Vrenjt të njësisë administrative Kastriot, do ta kategorizojmë të pambajtur nga kreu i bashkisë Dibër.

The post Asfaltohet rruga që lidh fshatrat Limjan e Vrenjt në Dibër appeared first on Faktoje.al.

Dibër/Fshati që prej 30 vitesh pret asfaltimin e rrugës 

Rruga e fshatit Rreth Kale në Dibër ende nuk është asfaltuar, pavarësisht premtimit të kryebashkiakut socialist Rahim Spahiu gjatë fushatës zgjedhore të një viti më parë. Banorët e fshatit i thanë Faktoje se në 30 vite askush nuk ka vënë dorë për rregullimin e rrugës.

Në 4 maj 2023, kreu i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu premtoi asfaltimin e rrugës në fshatin Rreth Kale të njësisë administrative Muhurr. Ai e njoftoi këtë në një postim të tij në Facebook, ku përshkruante takimin me banorët e fshatit Rreth kale. Spahiu theksoi se asfaltimi i rrugës ishte prioritet për zonën dhe shumë shpejt do të niste puna në terren.

“Takim me banorët në fshatin Rreth Kale të njësisë administrative Muhurr për punët e kryera dhe projektet e së ardhmes”, shkroi në Facebook, Spahiu.

Postimi i Rahim Spahiut në Facebook

Faktoje bëri një verifikim në rrugën Rreth-Kale të Njësinë Administrative Muhurr më datë 29 gusht, ku konstatuam se nuk kishte nisur asnjë ndërhyrje në këtë rrugë.

“Ka 30 vjet që nuk është vënë dorë në këtë rrugë. Na kanë thënë që brenda këtij viti do të shtrohet. Është afërsisht rreth 2 km deri te xhamia”, tregon Xhaferri, banor i zonës.  

Më tej ai shton se e kanë ngritur si shqetësim në strukturat përkatëse, pasi janë rreth 100 shtëpi rreth e rrotull kësaj rruge.

“E kemi ngritur si shqetësim, e kemi diskutuar disa herë dhe tani po shpresojmë të na e rregullojnë. Vështirë shumë të kalohet në këtë rrugë, si në dimër, ashtu edhe në verë”, shton ai.

Në lidhje me këtë zotim të kryebashkiakut Spahiu, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Dibrës. Zyrtarisht, ky institucion bën të ditur se është bërë procedura e tenderimit, por janë në pritje të lidhjes së kontratës, duke mos dhënë një datë kur pritet të nisin punimet.

“Sa u përket punimeve për asfaltimin e rrugës Rreth – Kale në Njësinë Administrative Muhurr, procedura e tenderimit është bërë dhe jemi në pritje të lidhjes së kontratës për fillimin e punimeve. Vlera e investimit është 8.333.333 lekë, pa TVSH”, njofton Bashkia Dibër. 

Të dhënat nga “Open Procurement” tregojnë se punimet përfundojnë për 2 muaj, por nuk ka një datë të nisjes së tyre. Operatori ekonomik kontraktues është “Selami’ dhe shpallja e fituesit është bërë në datë 14 gusht 2024.

Nisur nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për asfaltimin e rrugës në fshatin Rreth Kale të njësisë administrative Muhurr, do ta kategorizojmë të pambajtur.

The post Dibër/Fshati që prej 30 vitesh pret asfaltimin e rrugës  appeared first on Faktoje.al.

❌