Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Penalltia historike e portierit/ Pritja e dyfishtë e David Raya, “gardiani” spanjoll shkëlqeu në Champions

Është kthyer në një mjeshtër.

David Raya, dikur një portier jo shumë i njohur te Brentford, ku ndante kuadratin me “gardianin” e Kombëtares “kuqezi”, Tomas Strakosha, sot po cilësohet si njëri nga më të mirët e botës.

Përtej mrekullive që ka bërë në Evropë dhe Angli muajt e fundit, në sfidën e radhës në Champions, ai realizoi diçka të jashtëzakonshme, që nuk ka “shoqe” në histori.

Në ndeshjen Atalanta-Arsenal, Raya, bëri një pritje të dyfishte ndaj sulmuesit të Italisë, Matteo Retegui, ku sipas statistikave të probabilitetit, gjuajtja e dytë kishte 97 për qind shanse që të përfundonte në rrjetë.

Agjencia e statistikave, “Opta”, raporton se portieri spanjoll ka ndaluar 4 nga 8 penalltitë e fundit.

Tifozët shqiptarë e mbajnë mend sepse 29-vjeçari luajti titullar në ndeshjen ndaj Shqipërisë në grupet e Evropianit, duke bërë edhe një pritje të madhe ndaj Brojës.

Raya padyshim që ka hyrë në historinë e penalltive të shquara dhe të pritjeve të mëdha në futbollin botëror.

Ai është bashkuar me rekordmenë të tillë si Helmuth Duckadam i Steaua Bucuresti, që priti katër 11-metërsha në finalen e Championsit në 1986 ndaj Barcelonës.

Apo me gjermanin Manuel Neuer, që në gjysmëfinale të Champions League në 2012, ndaloi penalltitë e dy blerjeve më të shtrenjta të futbollit botëror në atë kohë, Cristiano Ronaldo dhe Kaka, i pari 94 milionë euro dhe i dyti 67.

Po ashtu, pritja e tij e dyfishtë rikujton një pritje të tillë dyshe të portierit të Liverpulit, polakut Jerzy Dudek, në finalen e paharrueshme të Champions League ndaj Milanit në 2005, ndonëse ato ishin pritje në aksion, jo me penallti. /i.m /abcnews.al

❌