“Nuk kisha plan të merrja ndonjë ekip”: Dede anashkalon hakmarrjen e munguar e tregon pse mori Bylis
“Më vjen keq për çunat pasi u paraqitën mirë, me një fragment në pjesën e dytë 50-60 ku Ruçi shpenzoi shumë energji. Filluam të mos kishim qetësinë e duhur në mënyrën se si dilnim përpara. Përgjoni dhe Ruçi nuk po mundeshin më. Gjithsesi, bëmë një ndeshje të mire”. Asnjë fjalë për Elbasanin, hakmarrjen e munguar ndaj klubit që e largoi papritur ende pa nisur kampionati. Nevil Dede përqendrohet vetëm te Bylis, pa komente mbi rivalët.
Pozitat në renditje nuk janë të mira e megjithatë të paktën për momentin Dede nuk është se shqetësohet: “Na rëndon rezultati dhe psikologjikisht lojtarët duhet të rriten, prandaj them se kjo është më e rëndësishmja. Duhet të kenë besim te vetja dhe personalitet – shpjegoi Dede -. Na duhet rezultati dhe vetbesimi për të kuptuar dhe lojtarët se çfarë niveli kanë”.
Pastaj Dede u ndal te zgjedhja e bërë, për të marrë Bylis, ndosht rastësisht përpara ndeshjes me Elbasanin: “Unë nuk kam ardhur të konstatoj gjërat, por për të përmirësuar gjërat dhe të rris nivelin e klubit nëpërmjet lojtarëve. Me pushim e Kombëtareve mendoj se grupi do të jetë i plotë dhe të gjithë do të jenë më të rritur si personalitet – tha tekniku i Bylis -. Nuk e kisha në plan të merrja drejtimin e ndonjë ekipit, por njohja me presidentin e Bylis ndikoi”, e mbylli Dede.
BORDIN: “SOT I GËZOHEMI FITORES”
Tekniku i Elbasanit Roberto Bordin është i kënaqur nga rezultati, që e ngjit tashmë në vendin e tretë vetëm një pikë larg kreut. Tekniku italian mundohet të qendrojë me këmbë në tokë, edhe pse për fatin e mirë po rikuperon të gjithë lojtarët: “Si fillim po kthehen të gjithë lojtarët dhe kjo është gjë e mirë, presim dhe disa të tjerë. Vetëm Azamovic ka pësuar një dëmtim të rëndë dhe shpresojmë të kthehet sa më shpejt. Trajneri është i kënaqur kur ka skuadrën e gatshme dhe vështirësi në zgjidhje. Për objektivat kemi kohë të mendojmë, t’i gëzohemi fitores dhe të shohim ndeshjen e radhës”, tha Bordin.
The post “Nuk kisha plan të merrja ndonjë ekip”: Dede anashkalon hakmarrjen e munguar e tregon pse mori Bylis appeared first on Lapsi.al.