Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Kemi vuajtur paragjykime nga bota”, Rama në New York: Shqipëria, sot krenare në skenën botërore. S’duam mërira nacionaliste në rajon

By: xhir jeta

“Shqipëria qëndron sot në skenën botërore krenare pas kalimit nga një e shkuar e errët diktatoriale në një rrugëtim të gjatë tranzicioni, gjatë të cilit kemi vuajtur shumë paragjykime nga bota jashtë nën damkën e kriminelëve të varfër.” -kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në takimin e organizuar në Neë York, ku vendi yne u vlerësua për ndihmën e dhënë ndaj hebrenjve.

“Transformimi i vendit tonë përmes një reforme rrënjësisht të fortë por të nevojshme të drejtësisë dhe lulëzimit të turizmit, me nivelin tonë të lartë të sigurisë dhe rolet tona në Këshillin e Sigurimit, në krye të OSBE-së dhe në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, flet vetë.
Ne kemi gjetur zërin tonë në rajon – një zë të cilin fuqitë e mëdha e dëgjojnë dhe e besojnë. Por meraku im është të sigurojmë që ky pozicion i ri i Shqipërisë të bëhet i pakthyeshëm.
Ne duam miqësi më të forta me të gjithë miqtë tanë të natyrshëm. Aleatët tanë strategjikë janë ShBA-ja dhe BE-ja, e cila është bekimi i rajonit tonë, që, në të kundërt, do të duhej ta harronte shtetndërtimin demokratik dhe prosperitetin.

Ne kemi partneritete strategjike me Italinë, Turqinë dhe Greqinë. Ne duam lidhje më të forta me Izraelin. Ne duam partneritete më të forta me botën arabe dhe kemi forcuar shumë partneritetin tona me Emiratet e Bashkuara Arabe, një vend mjaft frymëzues me një udhëheqës progresiv vizionar paqedashës që vjen vetëm njëherë në jetë dhe, po ashtu, me Arabinë Saudite, shtysa për reforma e së cilës dhe kërkimi i progresit nën drejtimin e një udhëheqësi tjetër vizionar na ka afruar shumë më tepër se më parë. Ne nuk duam konflikte apo mërira nacionaliste në rajon.
Ne synojmë të promovojmë jo vetëm me fjalë, por me shembullin tonë, vetëm paqen, bashkëpunimin rajonal dhe gjithnjë dialogun në vend të shfaqjes së muskujve.” pëfundoi Rama.

SHBA, vlerësohet ndihma e Shqipërisë ndaj hebrenjve/ Rama: Ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta jetojnë sërish

By: xhir jeta

Gjatë vizitës në SHBA, Kryeministrit Edi Rama mori pjesë në në aktivitetin e organizuar për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrotjen e Hebrenjve.

“Është nder i jashtëzakonshëm të qëndroj këtu përpara jush, drejtuesve të Komunitetit Ndërkombëtar Hebre, mes të cilëve shoh miq të çmuar të mitë dhe të vendit tim.

Për ata prej jush që nuk kanë qenë kurrë në Tiranë, atje ka një bunker të nëndheshëm në qendrën e qytetit. U ndërtua për t’i bërë ballë sulmit të NATO-s. Sot, është transformuar në një hapësirë kushtuar viktimave të atyre që e ndërtuan.

Bunkeri të kujton një ngjasim modest të Yad Vashemit: Brenda shkallëve, poshtë fotografive të mijëra shqiptarëve të vrarë nga regjimi ynë i stilit koeanoverior në mes të Europës, disa shkronja neoni formojnë fjalët e Primo Levit, “ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta jetojnë sërish”.

Po e përmend këtu jo për të hequr ndonjë paralelizëm të pamundur midis shfarosjes së tmerrshme masive të miliona hebrenjve nga regjimi nazist dhe vdekjeve tragjike që regjimi ynë komunist u solli mijëra të pafajshmëve që u shpallën armiq të popullit, por thjesht për t’ju thënë të gjithëve ju se ne, shqiptarët, e njohim si dhimbjen e pashembullt të plagëve të mëdha të historisë, ashtu edhe nevojën e pakrahasueshme për të mos i harruar kurrë shkaqet e tyre.

Ne jemi dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm. Meqë ra fjala, u gëzova shumë kur mora vesh se popullata hebreje në Izrael arriti në 10 milionë banorë, sepse besoj që çdo hebre i porsalindur është bekim jo vetëm për Izraelin, po për mbarë botën, borxhi i së cilës ndaj hebrenjve nuk mund të fshihet kurrë.

Sidoqoftë, duke iu kthyer madhështisë së shpirtit të kombeve tona, më duhet të citoj mikun tim të madh, të ndjerin Shimon Peres, i cili thoshte, “Shpirti nuk mund të digjet në furra”. Po, shpirti triumfon ngaherë.

Me lini t’ju rrëfej bindjen time të patundur se shpirtrat tanë mund të përballen me sprova, të vogla a të mëdha, kohë pas kohe, me kundërshtitë e historisë sonë të tashme dhe të ardhme, por, në fund të gjithçkaje, ata do të triumfojnë ngaherë dhe kombet tona të vogla do dalin më të forta nga çdo sprovë.” -tha Rama.

❌