Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Europiani me Serbinë, politika dhe akuzat: Duka rrëfehet në Kosovë dhe tregon prapaskenën me Ademin

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ndërhyri me një lidhje live mbrëmjen e djeshme në emision sportiv “AS” në Radio Televizionin Kombëtar të Kosovës. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar komentoi kandidimin për organizimin e UEFA EURO U21 2027 së bashku me Federatën Serbe të Futbollit, duke nënvizuar se është vetëm një event sportiv dhe nga ky organizim Shqipëria përfiton shumë.

“Ashtu siç dihet, ne kemi aplikuar për të organizuar Kampionatin Europian U-21 2027 në Shqipëri – nisi shpjegimin Duka për temën më të nxehtë të momentit -. Kemi aplikuar si Federatë e vetme dhe pastaj duke parë dhe aplikuesit kemi bashkuar kandidaturën bashkë me Federatën Serbe të futbollit për të organizuar Kampionatin Europian”. Presidenti i FSHF-së ka tentuar edhe të japë arsyet e bashkëpunimit me një Federatë tjetër. Më kryesori është mungesa e infrastrukturës për të mbuluar të gjithë Europianin. “Serbia ishte shteti më i mundshëm që mund t’i plotësonte këto kritere, pasi në garë ishin vetëm katër federata, ajo Shqiptare, Serbe, Turke dhe e Belgjikës”.

A është anashkaluar Kosova apo jo në këtë situatë delikate, Duka përgjigjet pa hezitim: “Diskutimi i parë jo vetëm në këtë rast, që padyshim është një çështje sensitive ka qenë me Federatën e Kosovës me Agim Ademin, gjithashtu edhe me Federatën e Maqedonisë së Veriut, pastaj kemi vazhduar më tej. Më janë përgjigjur që nuk mund të jemi pjesë e projektit për arsye të kushteve, padyshim që ato pastaj nuk mund të vendosin për vendimet e Federatës Shqiptare të Futbollit”.

PËRFITIMET E SHQIPËRISË

E në këtë rast, sipas kreut të FSHF-së Duka, vendimi i marrë nga Federata Shqiptare do të sjellë shumë favore për Shqipërinë: “Për ne është vërtetë një ngjarje e madhe sportive, organizimi i Kampionatit Europain U-21 që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Benefitet për Shqipërinë janë të shumta, përveç imazhit të vendit është promovimi i futbollit në Shqipëri. Gjithashtu nëpërmjet këtij organizimi Kombëtarja shqiptare U-21 merr pjesë në finalet e Europianit si vend organizator dhe futbollistët tanë kanë mundësinë të shprehin aftësitë e tyre në një kompeticion të rëndësishëm që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë. Infrastruktura e vendit merr një zhvillim të madh, padyshim edhe nga Kampionati Europian U-17 që do të zhvillohet në vendin tonë në vitin 2025. Unë e shoh vetëm si një event sportiv”, tha Duka.

Lexo më tej: Asnjë shqiptar në organikë, asnjë problem: FSHF miraton rregullin absurd të të huajve pa limit

“NUK AMNISTOHET AJO QË KA NDODHUR”

E duke qenë se është vetëm sportiv, reagimet për organizimin e Kampionatit Europian U-21 2027 me Serbinë kanë qenë deri diku të pritshme për Dukën: “Është normale që të ketë mendime të ndryshme duke pasur parasysh edhe historinë. Unë nuk mendoj dhe nuk jam nisur asnjëherë, jo vetëm unë, por as Federata dhe shteti shqiptar që organizimi i Kampionatit Europian do të amnistojë atë çfarë ka ndodhur. Projekti është sportiv dhe ne kemi benefitet sportive dhe po bashkëpunojmë me Federatën Serbe të futbollit, jo me politikën dhe as me policinë apo shtetin serb”.

The post Europiani me Serbinë, politika dhe akuzat: Duka rrëfehet në Kosovë dhe tregon prapaskenën me Ademin appeared first on Lapsi.al.

❌