Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Karriget në flakë/ Mediat e huaja, jehonë kaosit në kuvendin shqiptar

Ngjarjet e kësaj të hëne brenda në Kuvendin e Shqipërisë dhe jashtë tij kanë marrë vëmendjen e agjencive prestigjioze të lajmeve “Reuters”. Në një shkrim të saj thuhet se kjo ishte një formë proteste për burgosjen e një kolegu të tyre.

“Politikanët shqiptarë të opozitës i vunë zjarrin një grumbulli karrigesh prej druri jashtë parlamentit të hënën për të protestuar kundër burgosjes së një kolegu. Në fillim të seancës së rregullt parlamentare, deputetët e opozitës bartën karriget nga salla e Kuvendit dhe u vunë flakën në shkallët e godinës. Rojet e sigurisë shuan me shpejtësi zjarrin.

Të premten, gjykata e apelit e Shqipërisë la në fuqi një vendim të gjykatës më të ulët për të dënuar Ervin Salianjin, një anëtar i Partisë Demokratike të opozitës, me një vit burg. Gjykata Shkallës së Parë e shpalli Salianjin fajtor për një “kallëzim të rremë” ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Salianji ka mohuar çdo shkelje dhe e ka cilësuar gjyqin si të motivuar politikisht” – citohet në shkrim.

Agjencia e lajmeve shkruan se në fillim të këtij muaji, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ishte në arrest shtëpie që nga dhjetori, u padit me akuza për korrupsion për veprime që ai kreu kur ishte kryeministër. “Edhe Berisha mohon çdo keqbërje. Partia opozitare ka bërë thirrje për një protestë të madhe në kryeqytetin Tiranë më 7 tetor” – thuhet në shkrimin e Reuters.

“Washington Post” shkruan se ligjvënësit shqiptarë të opozitës ndërprenë me dhunë një seancë të Kuvendit të hënën për të protestuar ndaj burgosjes së një kolegu ligjvënës, i cili u dërgua në burg me akuzën për shpifje.

Agjencia e njohur e lajmeve Associated Press i ka kushtuar gjithashtu vëmendje asaj që ndodhi në Kuvend pasditen e së hënës.

“Deputetët shqiptarë të opozitës ndërprenë me dhunë të hënën një seancë të Kuvendit për të protestuar ndaj burgosjes së një kolegu ligjvënës, i cili u dërgua në burg me akuzën për shpifje. Partia konservatore Demokratike e Shqipërisë ka akuzuar prej kohësh Partinë Socialiste në pushtet për uzurpim të të gjitha pushteteve, përfshirë drejtësinë dhe ka organizuar protesta të dhunshme kundër qeverisë që nga viti 2013.

Demokratët hoqën mikrofonat nga tavolinat, hodhën objekte në vendet e kryetares së Kuvendit dhe ministrave të qeverisë dhe dogjën karriget, duke thënë se dënimi me burg i Ervin Salianjit ishte i motivuar politikisht. Ata kanë bërë thirrje gjithashtu për protesta dhe thonë se do të bllokojnë kryeqytetin, Tiranë, duke filluar nga java e ardhshme.

Në vitin 2018, Salianji kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm të atëhershëm të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, pas publikimit të një videoje ku dy burra pretendonin se vëllai i tij ishte përfshirë në aktivitete të paligjshme. Dokumentet dhe regjistrimet që ata ofruan rezultuan të fabrikuara dhe që atëherë ata janë larguar nga vendi” – shkruan Associated Press.

Agjencia citon kreun e demokratëve, Sali Berisha, “i cili është në arrest shtëpie për akuzat e korrupsionit, tha se protesta ishte fillimi i betejës së opozitës për të rimarrë pushtetin përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.

“Qeveria teknike. Zgjedhje të lira. Rrotacion. Fitore e opozitës”, – tha Berisha, duke përmendur kërkesat e partisë së tij teksa fliste nga dritarja e banesës së tij në qendër të Tiranës, ku një grup i vogël mbështetësish mblidhen çdo natë” – shkruan AP.

“Opozita është shpërndarë pasi Berishës dhe anëtarëve të familjes së tij iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe në Mbretërinë e Bashkuar në korrik 2022 për shkak të përfshirjes së dyshuar në korrupsion. Deputeti i opozitës i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke thënë se pas tyre qëndron kryeministri Edi Rama, pa dhënë prova.

Socialistët kanë 73 ligjvënës në dhomën prej 140 anëtarësh dhe kalojnë lehtësisht pothuajse të gjitha projektligjet. Shqipëria postkomuniste po përpiqet të luftojë korrupsionin, i cili ka penguar zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të vendit. Shqipëria ka nisur negociatat e anëtarësimit të plotë me Bashkimin Evropian në vitin 2020” – citon shkrimi.

Tension në Kuvendin e Shqipërisë, shkruan e përditshmja italiane “La Repubblica” ku deputetët e opozitës së qendrës së djathtë të kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha u vunë flakën karrigeve në shkallët kryesore në hyrje të sallës.

“Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur interesin tonë personal, por interesin publik. Nëse ata që e bëjnë këtë janë të burgosur, atëherë asgjë nuk ka më kuptim”, – citon gazeta italiane deklaroi kreun e grupit të PD-së Gazment Bardhi që iu referua dënimit me 1 vit burg të zëvendësit të tij Ervin Salianji.

“La Stampa” kujton se Gjykata e Apelit e shpalli fajtor Salianjin për “kallëzim të rremë” për publikimin në vitin 2018 të një audio-përgjimi, që implikonte vëllain e ministrit të Brendshëm të atëhershëm socialist Fatmir Xhafaj, në një episod të trafikut të marijuanës drejt Italisë. “Hetimet e mëvonshme zbuluan në vend të kësaj se do të kishte qenë një inskenim “i organizuar nga Salianji për të diskretuar politikisht ministrin Xhafaj”, siç pretendohet nga prokuroria” – citon “La Stampa”.

Jehonë ka pasur edhe në mediat spanjolle. E përditshmja “20minutos” shkruan se PD vlerëson se deputeti i saj Ervin Salianji është dënuar në një proces politik dhe ka njoftuar se po prish marrëdhëniet me qeverinë e drejtuar nga Edi Rama.

“Konkretisht, Salianji u shpall fajtor për manipulimin e një regjistrimi për të bërë të duket se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafikun e drogës” – thuhet në shkrim.

Edhe agjencia malazeze e lajmeve “Vijesti” ka pasqyruar në faqen e tyre aksionin opozitar të opozitës në parlament. Shkrimi i tyre mban titullin “Shqipëri: Politikanët e opozitës u vunë flakën karrigeve para parlamentit për të protestuar për arrestimin e kolegut të tyre”. ©LAPSI.al

The post Karriget në flakë/ Mediat e huaja, jehonë kaosit në kuvendin shqiptar appeared first on Lapsi.al.

❌