Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Izraeli kryen sulme të reja në Bejrut

Izraeli ka kryer të mërkurën një sërë sulmesh të reja në kryeqytetin e Libanit, Bejrut. Në një postim në platformën X, ushtria tha se caqe të sulmeve ishin “objektivat terroriste”.

Ajo tha se ka lëshuar disa urdhra evakuimi për njerëzit që jetonin në ndërtesat në periferitë jugore të Bejrutit, në orët e para të së mërkurës. Për momentin nuk ka të dhëna për viktima.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit filluan qysh të martën një operacion tokësor kundër objektivave të Hezbollahut – organizatë e cilësuar si terroriste nga SHBA-ja – në Libanin jugor.

Sulmet e reja u kryen disa orë pasi Irani sulmoi me rreth 180 raketa Izraelin, në shenjë hakmarrjeje për, siç tha, vrasjen e aleatëve të tij në Liban.

Irani, gjithashtu, paralajmëroi “sulme shkatërruese” nëse Izraeli përgjigjet.

Përshkallëzimi i vazhdueshëm ka rritur frikën për rrëshqitjen e rajonit në një luftë gjithëpërfshirëse.

The post Izraeli kryen sulme të reja në Bejrut appeared first on Euronews Albania.

Liderët botërorë reagojnë pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit

Liderët botërorë u bënë thirrje Iranit dhe Izraelit të tërhiqen nga përshkallëzimi i situatës, pasi Teherani lëshoi një sërë raketash ndaj rivalit të tij të kahmotshëm më 1 tetor.

Teherani tha se ky sulm, i cili ndodhi në një kohë kur Izraeli kishte lajmëruar për një ofensivë tokësore kundër Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit, ishte një përgjigje ndaj vrasjeve të liderëve militantë që mbështeten nga Irani.

Kjo ishte hera e dytë që Irani e sulmon drejtpërdrejt Izraelin, pas një sulmi me raketa dhe dronë në prill, si hakmarrje për një sulm ajror vdekjeprurës izraelit në konsullatën iraniane në Damask.

Pas sulmit, Izraeli dhe Irani e kërcënuan njëri-tjetrin, ndërsa liderë të ndryshëm botërore bënë thirrje për armëpushim, mes frikës për një konflikt të zgjeruar në Lindjen e Mesme.

OKB-ja kërkon armëpushim

Pas valës së raketave nga Irani, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e dënoi “zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme”

“Kjo situatë duhet të ndalojë. Ne patjetër që kemi nevojë për një armëpushim”, tha Guterres.

Ai shprehu shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe Hezbollahut, në një kohë kur konflikti me Hamasin në Gazë po vazhdonte.

Hezbollahu është e shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë krahun e tij ushtarak, por jo edhe partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez. Ndërsa, grupi palestinezë Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

SHBA: Sulmi, plotësisht i papranueshëm

Ndërsa sulmi po ndodhte, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, urdhëroi ushtrinë amerikane të “ndihmojë mbrojtjen e Izraelit nga sulmet iraniane dhe të rrëzojë raketat që po synonin Izraelin”, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e quajti sulmin “totalisht të papranueshëm” dhe tha se ai duhej të dënohej nga e gjithë bota.

“Raportet e para sugjerojnë se Izraeli, me mbështetje aktive nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë, e ka përballuar me sukses këtë sulm”, tha Blinken për gazetarët.

Ndërsa, këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, paralajmëroi për pasoja për Iranin.

BE-ja kërkon armëpushim rajonal

Bashkimi Evropian (BE) dënoi “në terma të fuqishëm” sulmin me raketa balistike iraniane ndaj Izraelit dhe kërkoi një armëpushim të menjëhershëm në të gjithë Lindjen e Mesme.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, shkroi në platformën X: “Cikli i rrezikshëm i sulmeve dhe hakmarrjeve rrezikon të dalë jashtë kontrollit. Një armëpushim i menjëhershëm në të gjithë rajonin është i nevojshëm”.

Spanja bën thirrje për “vetëpërmbajtje”

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, bëri thirrje për një fund të “spiralës së dhunës” që ka përfshirë Lindjen e Mesme, ndërsa ministri i Jashtëm kërkoi “vetëpërmbajtje” nga palët e përfshira.

“Qeveria spanjolle e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit dhe kërkon që spirala e dhunës të përfundojë”, tha Sanchez në platformën sociale X.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm, Jose Manuel Albares, u shpreh se Madridi po lëshonte “një thirrje të re për të gjithë aktorët, duke përfshirë Izraelin, për të treguar përmbajtje dhe jo përshkallëzim”.

Gjermania: Irani duhet të ndalojë

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, kërkoi që Irani të ndalojë menjëherë sulmin me raketa ndaj Izraelit, duke shkruar në X: “E dënoj sulmin në terma sa më të forta të mundshme”.

“Irani duhet të ndalojë sulmin menjëherë, pasi po e çon rajonin më tej drejt greminës”, shtoi ajo.

Franca: Situata po përkeqësohet në Lindje të Mesme

Kryeministri francez, Michel Barnier, të martën tha se ishte i shqetësuar për përshkallëzimin e situatës.

“Situata po përkeqësohet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, me një përshkallëzim dhe një sulm, dhe duket se një konflikt i drejtpërdrejtë po zhvillohet mes Iranit dhe Izraelit”, i tha Barnier parlamentit, duke e cilësuar situatën “mjaft serioze”.

Britania e Madhe dënon sulmin e Iranit

Kryeministri britanik, Keir Starmer, e dënoi sulmin e Iranit, sipas zyrës së tij, gjatë një bisedë me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu.

Starmer gjithashtu “shprehu angazhimin e palëkundur të Britanisë për sigurinë e Izraelit dhe mbrojtjen e civilëve”, sipas një njoftimi nga zyra e Starmerit./REL

LEXONI GJITHASHTU:

The post Liderët botërorë reagojnë pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit appeared first on Euronews Albania.

“Mos hyni në konflikt me ne”, Presidenti i Iranit paralajmëron Izraelin

Presidenti i Iranit ka lëshuar një deklaratë pas sulmit ndaj Izraelit, duke e quajtur atë një “përgjigje vendimtare” ndaj “agresioneve” të Izraelit, por duke theksuar se Irani nuk dëshiron luftë.

“Ky veprim ishte në mbrojtje të interesave dhe qytetarëve të Iranit,” tha Presidenti Masoud Pezeshkian në një postim në X. “Të dijë Netanyahu se Irani nuk kërkon luftë, por ai qëndron me vendosmëri kundër çdo kërcënimi… Mos hyni në konflikt me Iranin.”

Kujtojmë se pasiten e kësaj të marte Irani ka lëshuar me qindra raketa drejt Izraelit, 40% e të cilave arritën të thyenin mbrojtjen ajrore të vendit.

Sulmi vjen si shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së liderit të Hezbollah, Hassan Nassrallah dhe një sërë sulmesh të tjera izraelite.

Një zyrtar i lartë i Hezbollahut ka thënë për Al Jazeera se sulmi me raketa iraniane ishte një sukses dhe disa baza ushtarake izraelite u goditën siç ishte planifikuar.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, shtoi se shkalla e përgjimit nga sistemet e mbrojtjes raketore të Izraelit ishte “e dobët”, duke theksuar se kishte viktima midis trupave izraelite.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Mos hyni në konflikt me ne”, Presidenti i Iranit paralajmëron Izraelin appeared first on Euronews Albania.

❌