Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rama, kritika kryebashkiakëve për emergjencat/ Eksperti: Kryeministri duhet t’u vendoste afate

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një takim me kryetarët e bashkive të vendit dhe me disa ministra, ku shprehu kritikat për fondet e dhëna për emergjencat civile.

Rama tha se disa bashki djegin fondet ndërsa shprehu pakënaqësi edhe për reagimet ndaj përmbytjeve dhe zjarreve.

Eksperti për pushtetin vendor, Agron Haxhimali komentoi takimin e kryeministrit me kryebashkiakët në një intervistë për “Money Report” teksa tha se duhet t’u vendoste afate.

Duke u ndalur te fondet e emergjencave, ai u shpreh: “Deri në 80 për qind të këtij buxheti ta jep ligji që duhet ta shpenzosh. Jashtë kësaj bëj shkresa, letra dhe drejtoi te Agjencia e Mbrojtjes Civile, por të kesh para, qoftë të qeverisë apo tuajat, të luash me kartat e burokracisë dhe të ecësh me shpejtësinë e breshkës është për t’u konstatuar. Duhet të thoshte se “Merrni masa, po ju lë një afat kaq kohë. Nuk dua ankesë qytetari kur keni para dhe ju e zvarrisni me burokraci”“, u shpreh mes të tjerash Haxhimali./abcnews.al

“Abuzoi seksualisht me ne kur ishim fëmijë”/ Zbardhet dëshmia e dy vëllezërve shqiptarë që vranë kushëririn në Greqi, biseda e fundit mes tyre

Abuzimin që përjetuan nga kushëriri i tyre kur ishin fëmijë të vegjël e përshkruan para autoriteteve dy vëllezërit shqiptar, 17 dhe 19 vjeç, të cilët u dorëzuan të hënën për vrasjen e kushëririt 28 vjeçar në Greqi.

Sipas mediave greke, dy të rinjtë kanë deklaruar se arsyeja e sulmit dhe vrasjes së kushëririt të tyre është se ai i ka abuzuar seksualisht kur ata ishin në moshën 4 dhe 6 vjeç.

Gjatë debatit, 28-vjeçari dyshohet se u ka thënë “kanë kaluar vite që kanë ndodhur këto gjëra, le t’i harrojmë”, ndërsa dy vëllezërit iu përgjigjën: “Nuk harrojmë asgjë, as e kemi kaluar”.

Kur u mor në pyetje, babai i dy vëllezërve ka pohuar se e kishte pyetur 28 vjeçarin nëse janë të vërteta supozimet e djemve të tij. “I pranoi dhe tha se ishin gabime fëmijërie”, ka thënë i ati i dy autorëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës ku 28 vjeçari, siç shihet edhe nga videoja e publikuar nga mediat greke, që sulmohet nga dy kushërinjtë dhe më pas goditet me thikë.

 

Tentoi të dilte nga Shqipëria me 14 mijë euro të padeklaruara, procedohet penalisht 54-vjeçari në Kakavijë

Një 54 vjeçar është proceduar penalisht pasi tentoi të kalonte pikën kufitare të Kakavijës me 14 500 euro të padeklaruara.

Pas një kontrolli të ushtruar në çantën e tij, policia kufitare gjeti sasinë e aurove që ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove./abcnews.al

 

Borrell: Hezbollahu është një kukull e Iranit, problemi është i rrënjosur thellë në Lindjen e Mesme

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell e cilësoi Hezbollahun si një “kukull” të Iranit. Duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, ai tha se historia ka treguar se zgjidhja ushtarake nuk funksionon kur ka një problem të rrënjosur thellë në një rajon si Lindja e Mesme.

Siç theksoi ai, Libani është një vend shumë i paqëndrueshëm, sepse “brenda shtetit ka një shtet tjetër, që është Hezbollahu, i cili është një kukull e Iranit”.

Borrell vuri në dukje se “Hezbollahu ka një krah politik, ka anëtarë në qeverinë libaneze, anëtarë që janë parlamentarë, por ka gjithashtu një krah ushtarak, të cilin ne e klasifikojmë si një organizatë terroriste”.

“Pa një kompromis të fortë, pa reforma politike, brenda shoqërisë libaneze të udhëhequr nga populli dhe aktorët libanez, pa të gjitha këto, asgjë nuk mund të ndodhë. Askush nuk mund t’i zëvendësojë ata dhe të bëjë për ta atë që duhet bërë”, shtoi ai.

Josep Borrell tha gjithashtu se Komisioni ka premtuar se do të sigurojë një miliard euro për rindërtimin e Libanit, por sipas tij duhet të jepet një afat specifik kur të ketë angazhime të tilla./abcnews.al

 

Flakadanë, molotovë dhe bidona me lëndë djegëse, çfarë u sekuestrua nga protesta e dhunshme e opozitës

Policia ka sekuestruar molotovë, flakadanë, çanta me bidona me lëndë djegëse pas protestës së dhunshme të opozitës të hënën, ku mbetën të lënduar disa efektivë dhe protestues.

Për dhunën dhe zjarrin është vënë në pranga një person ndërsa disa të tjerë janë proceduar penalisht. Mes të proceduarve janë edhe Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Ervin Minarolli.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

– 68 mbetje flakadani të plasur;
– 23 copa plastike të shisheve të djegura;
– 3 shishe plastike uji;
– 3 tymuese të plasura;
– 1 shishe 0.5 litër me lëndë djegëse me lëndë piroteknike të paplasur;
– 1 çantë me ngjyrë të zezë me 8 shishe plastike 0.5 litër me lëndë djegëse (molotovë);
– 1 kuti cilindrike bombol;
– 2 çanta me 17 bidonë 0.5 litër me lëndë të dyshuar djegëse bashkëlidhur lëndë piroteknike të paplasur (molotovë).

/abcnews.al

 

Dhunë dhe flakë në protestë/ Policia njoftim zyrtar, mes të proceduarve Noka, Bardhi dhe Minarolli

Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Ervin Minarolli janë në mesin e të proceduarve nga policia e Tiranës në lidhje me protestën e dhunshme të opozitës mbrëmjen e së hënës. Policia thotë se në pranga ka rënë një 57 vjeçar për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”;

Të proceduarit, një 31 vjeçar dhe dy të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, akuzohen për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ndaj Nokës, Bardhit dhe Minarollit rëndojnë akuzat për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Policia thotë se po punohet edhe për kapjen e 9 të tjerëve, të dyshuar për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë të rendit publik”, parashikuar nga nenet 274, 237, 151, 150, 282 dhe 236 të kodit Penal.

Protestuesit u mblodhën në në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Më pas, ata janë zhvendosur te selia e Partisë Socialiste, godina e Ministrisë së Brendshme, godina e Bashkisë Tiranë, Kuvendi i Shqipërisë dhe gjatë rrugëtimit, protestuesit kanë shkatërruar pronën private dhe publike, kanë hedhur lëndë djegëse shpërthyese dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të godinave të institucioneve publike. Gjithashtu kanë dëmtuar tabelat e reklamave dhe kanë djegur kazanët e mbeturinave.

Si pasojë e sulmeve me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov, mbi punonjësit e Policisë dhe godinat e institucioneve shtetërore, u dëmtuan 10 punonjës policie, nga të cilët 7 pas ndihmës mjekësore u larguan në banesë, ndërsa 3 të tjerët po trajtohen në spital dhe janë jashtë rezikut për jetën.

Gjithashtu, në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore dhe 2 shtetas (babë e bijë), të cilët dyshohet se janë dëmtuar me lëndë plasëse (molotovë) dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën./abcnews.al

 

“S”mund ta ndajmë partinë e punës…”, ironizon Rama: Boll kemi parti të ndara në dysh

Kryeministri Edi Rama, në takimin me kryebashkiakët, nuk kurseu ironitë për PD-në.

Duke folur për rritjen pagat në bashkitë e vendit, kreu i qeverisë tha se PS duhet të jetë e unifikuar dhe e ndarë në dysh si PD.

“Ne pagat kishim vendosur t’i rrisnim pak më vonë për bashkitë por duke qenë se kërkesa erdhi nga, dhe nuk po bëj shaka fare, Partia e Punës, ku jemi të gjithë bashkë, atëherë është edhe merita juaj kjo. S’e na ndahet partia e punës në dysh dhe këtë nuk e duam. Boll kemi parti të ndarë në dysh, tresh apo katërsh. Këtë partinë e punës e duam njish.”, u shpreh kryeministri./abcnews.al

 

Izraeli dislokon divizionin e katërt në Libanin jugor, mbi 15 mijë trupa në zonë

Izraeli ka forcuar praninë e tij ushtarake në Libanin jugor, pasi IDF njoftoi se që nga e hëna në mbrëmje ka vendosur një divizion të katërt në rajon për operacionet tokësore kundër Hezbollahut.

Ushtria izraelite njoftoi se divizioni i saj rezervë 146 (këmbësori dhe e blinduar) filloi të veprojë në sektorin perëndimor të Libanit jugor, duke i shtuar tre divizioneve të përhershme – 98-të, 36-të dhe 91-të – që tashmë operojnë në sektorët qendrorë dhe lindorë të distriktit.

Ky veprim shton mijëra trupa në operacionin tokësor të Izraelit, me numrin total të trupave të dislokuara brenda Libanit tani që ka gjasa të kalojë 15,000.

Operacionet tokësore të Izraelit në Libanin jugor janë përshkruar nga IDF si “sulme të kufizuara dhe të synuara”, që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës së Hezbollahut në zonën kufitare, veçanërisht në fshatrat ngjitur me Izraelin, në mënyrë që banorët e Izraelit verior të mund të kthehen në shtëpitë e tyre./abcnews.al

VIDEO/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu në disa zona, si do të jetë moti në ditët në vijim

E marta ka nisur me mot të qëndrueshëm dhe me intervale të gjata me kthjellime. E mërkura do të sjellë zhvillim të vranësirave dhe reshje shiu në disa zona të vendit. Meteorologu Hakil Osmani thotë se e enjtja do të ketë sërish mot të kthjellët por reshjet rikthehen sërish të premten, ndonëse në sasi më të pakta.

“E marta mbetet në mbizotërimin e motit të qëndrueshëm duke bërë që të kemi intervale të gjata me kthjellime, kalime të lehta të vranësirave. Parashikohet që vranësirat të bëhen më të dukshme në pjesën e dytë të ditës dhe gjatë orëve të vonshme të mbrëmjes. Nata sjell zhvillim të vranësirave, duke bërë që në zonat veriperëndimore të kemi prezente reshjet e shiut, herë pas here në formë rrebeshesh. Po ashtu në orët e para të ditës së mërkurë mbetemi në mbizotërimin e vranësirave të dendura, të cilat herë pas here pësojnë zhvillime duke krijuar mundësi për reshje shiu në pothuajse të gjithë Ultësirën Perëndimore por më të fokusuara reshjet e shiut do të jenë edhe në rrebeshe në zonat veriore dhe shumë të pakta në ato jugore. Në orët e mbrëmjes kemi përmirësim gradual të motit. E enjta sjell mot më të qëndrueshëm duke bërë që vranësirat, reshjet të jenë të fokusuara në zonat veriore dhe shumë më pak në ato veri perëndimore ndërsa në ditën e premten, sërish vranësirat do të krijojnë mundësira për reshje shiu por do të jenë në sasi të pakta. Temperaturat e ajrit në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë pësuar rritje, duke bërë që vlerat minimale të jenë në 7 gradë në qytetet e zonave malore, ndërsa maksimalet rreth vlerës 27. Nga e nesërmja dhe në vijim do të kemi rritje graduale të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet në rang territori të ngjiten në vlerën 29 apo 30 gradë. Parametri i erës do të jetë problematik të mërkurën”, u shpreh Osmani.

Edhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të jetë nën mbizotërimin e motit të qëndrueshëm këtë të martë ndërkohë që e mërkura do të sjellë shtim të vranësirave, me rrebeshe shiu në disa zona./abcnews.al

 

 

 

Gruaja shtatzënë lindi në makinë për shkak të protestës, ministrja Koçiu: Nëna dhe vogëlushja gëzojnë shëndet të mirë

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka bërë të ditur se gruaja, e cila solli në jetë fëmijën në makinë për shkak se u bllokua prej protestës së opozitës, gëzon shëndet të plotë bashkë me të bijën. Ministrja falenderon bluzat e bardha që asistuan nënën e cila nuk mbërriti dot në kohë në maternitet.

“Mirënjohje nga zemra për mjekët dhe infermierët e Spitalit Universitar të Traumës, të cilët i erdhën në ndihmë nënës dhe bebit që për shkak të protestës ditën e djeshme nuk arritën të mbërrinin në kohë në maternitet.

Falë ndërhyrjes së tyre të shpejtë dhe më pas kujdesit të ofruar nga stafi i SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, nëna dhe vogëlushja sot gëzojnë shëndet të mirë.”, njofton ministrja.

/abcnews.al

VIDEO/ Momenti ku dy vëllezërit dhunojnë dhe vrasin kushëririn e tyre shqiptar në Greqi

Një kamera sigurie ka regjistruar momentin ku dy vëllezërit shqiptarë, 17 dhe 19 vjeç, sulmuan me thikë kushëririn e tyre 28 vjeçar në Greqi. Në video dy vëllezërit janë regjistruar duke sulmuar 28-vjeçarin, ndërsa ai tentoi të mbrohej dhe të arratisej. Vëllezërit vazhdojnë ta ndjekin dhe ta rrahin.

17-vjeçari ka treguar në polici se ka qenë ai që e ka goditur me thikë 28-vjeçarin, ndërsa 19-vjeçari ka qenë bashkëpunëtor. Sipas informacioneve, dy vëllezërit kishin lënë një takim me 28-vjeçarin, i cili kishte shkuar së fundmi në Greqi. Ata pretendojnë se kur kanë qenë fëmijë, 28-vjeçari i ka abuzuar seksualisht në Shqipëri.

Kur u takuan, ata debatuan për atë që pretendojnë se ka ndodhur në të kaluarën. Viktima ka tentuar t’i qetësojë, por ka ndodhur një sherr, i cili ka sjellë plagosjen fatale të 28-vjeçarit./abcnews.al

Zbardhet vjedhja e dy automjeteve në Elbasan, një i arrestuar dhe një në kërkim

Një person është vënë në pranga nga policia e Elbasanit ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pas zbardhjes së vjedhjes së dy automjeteve. Sipas policisë, 26 vjeçari i arrestuar së bashku me 35 vjeçarin në kërkim kanë vjedhur dy automjete tip Benz dhe BMW brenda pak ditësh.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas, më datë 06.10.2024, kanë vjedhur në lagjen “Shënkoll”, një automjet tip “Benz”. Gjithashtu, ata dyshohen edhe si autorë të vjedhjes së ndodhur më datë 24.09.2024, në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, të një automjeti tip “BMW”.

Automjeti tip “Benz” i vjedhur, u gjet në lagjen “Shënkoll” dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Të 2 autorët, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje/prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike./abcnews.al

 

Protesta e opozitës me flakë dhe molotov/ Një protestues i arrestuar, 3 të proceduar dhe 9 në kërkim. Akuzat që rëndojnë ndaj tyre

Një person është arrestuar, tre po hetohen në gjendje të lirë ndërsa 9 të tjerë janë shpallur në kërkim në lidhje me lidhje me protestën e dhunshme të opozitës mbrëmjen e së hënës.

Akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë shkatërrim i pronës me zjarr, kundërshtim dhe mosbindje të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje e rendit dhe qetësisë publike.

Nga dhuna, flakët dhe molotovët mbetën të plagosur 10 policë dhe dy protestues, që u dërguan në spital. Protesta nisi duke hedhur molotov te kryeministria dhe vijoi më pas duke shkatërruar gjithçka që u dilte para. E kryesuar nga Bardhi dhe Noka, protestuesit shkaktuan shumë dëme.

Pasi qëndruan për disa minuta te ministria e Brendshme, ata u zhvendosën drejt Bashkisë së Tiranës ku hodhën dhe atje bomba molotovë dhe u përplasën me policinë.
Më pas protestuesit marshuan drejt godinës së parlamentit. Gjatë gjithë rrugës dogjën stacione autobusësh, kazane mbeturinash dhe thyen xhamat e reklamave./abcnews.al

Trump: Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit nuk do të kishte ndodhur nëse do të isha president

Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA, Donald Trump deklaroi të hënën se “sulmi i 7 tetorit” ndaj Izraelit nuk do të kishte ndodhur kurr” nëse ai do të ishte president i SHBA.

“Ne nuk duhet të harrojmë kurrë makthin e asaj dite”, tha Trump në një ngjarje në Miami, Florida, për të përkujtuar viktimat e sulmit të paprecedentë të nisur nga Hamasi një vit më parë.

Trump ka bërë deklarata të ngjashme në të kaluarën, jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për luftën e Rusisë në Ukrainë. Në një fjalim në Konventën Kombëtare Republikane korrikun e kaluar në Milwaukee, ai deklaroi:

“Unë do t’i jap fund çdo krize ndërkombëtare të krijuar nga administrata aktuale, duke përfshirë luftën e tmerrshme me Rusinë dhe Ukrainën – e cila kurrë nuk do të kishte shpërthyer nëse do të kisha qenë president – ​​dhe lufta e shkaktuar nga sulmi ndaj Izraelit, që nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të kisha qenë president.”

“Irani nuk kishte asgjë. Irani nuk kishte para. Tani Irani ka 250 miliardë dollarë. Ata i mblodhën gjatë dy viteve e gjysmë të fundit”, tha Trump në atë kohë, duke pretenduar se administrata Biden i kishte dhënë Teheranit “lehtësim” nga sanksionet./abcnews.al

Vritet komandanti i lartë i Hezbollahut në Bejrut, ishte përgjegjës për transportin e armëve

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë një tjetër komandant të Hezbollahut në një sulm në Bejrut të hënën. Suhail Hussein Husseini, kreu i shtabit të logjistikës të grupit në Liban, ishte përgjegjës për transportin e armëve nga Irani dhe shpërndarjen e armëve në njësitë e ndryshme të Hezbollahut.

Ai ishte gjithashtu anëtar i Këshillit të Xhihadit të Hezbollahut, organi më i lartë ushtarak i grupit terrorist.

“Husseini luajti një rol vendimtar në transferimet e armëve midis Iranit dhe Hezbollahut dhe ishte përgjegjës për shpërndarjen e armatimit të avancuar midis njësive të Hezbollahut, duke mbikëqyrur transportin dhe shpërndarjen e këtyre armëve,” tha IDF./abcnews.al

Rusia sulmon një anije në Odessa, një i vdekur dhe disa të plagosur

Një raketë ruse goditi një anije tregtare në portin e Odessa, duke vrarë një ukrainas dhe duke plagosur pesë të huaj. Këtë e ka bërë të ditur guvernatori i rajonit, Oleh Kiper, përmes Telegramit.

Sipas Kiper, Rusia përdori raketa balistike për të goditur objektivat në infrastrukturën e portit.

Ky është sulmi i dytë në një anije në Ukrainën jugore në pak ditë. Më herët, qeveria ukrainase tha se një raketë ruse dëmtoi një anije tregtare të ngarkuar me misër në portin e Pivdenit të dielën./abcnews.al

Vritet 28 vjeçari shqiptar në Greqi, u qëllua me thikë nga dy kushërinjtë e tij

Një 28 vjeçar shqiptar është vrarë me thikë në Greqi. Sipas mediave greke, autorët janë dy kushërinj të tij, vëllezër të moshës 17 dhe 19 vjeç, të cilët kanë pretenduar se viktima i abuzonte.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 22:50 të mbrëmjes së të hënës, kur efektivët e policisë rrugore, gjetën të gjakosur 28 vjeçarin në rrugë. Ai u dërgua në spital por nuk mundi të mbijetojë.

Dy vëllezërit shqiptarë janë paraqitur vetë në komisariat. 17 vjeçari ka deklaruar se ka qenë ai autori i krimit ndërsa 19-vjeçari ka qenë bashkëpunëtor.

Siç pretendojnë dy vëllezërit shqiptar me nënshtetësi greke, 28-vjeçari po i abuzonte./abcnews.al

SHBA, zgjedhjet presidenciale dhe përpjekjet e disa vendeve për të ndërhyrë tek rezultati

Në Shtetet e Bashkuara së shpejti do të mbahen zgjedhjet e do të marrë fund një fushatë e karakterizuar nga atentate, përplasje politike dhe ankth. Për kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara, puna për të ndërhyrë mbi demokracinë amerikane mund të jetë duke hyrë në fazën e saj më kritike.

Gjatë muajve të fundit ka patur rritje të vëmendjes ndaj përpjekjeve për përhapjen e dezinformatave për zgjedhjet e 5 nëntorit. Megjithatë, orët dhe ditët menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve mund t’u ofrojnë kundërshtarëve të huaj si Rusia, Irani dhe Kina ose grupeve ekstremiste vendase, mundësinë më të mirë për të ndërhyrë ndërsa pritet për rezultatin e zgjedhjeve.

Kjo është koha kur amerikanët do të hyjnë në internet për të parë rezultatet më të fundit ose për të ndarë mendimet e tyre ndërsa vazhdon numërimi i votave. Gjatë kësaj kohe, një fotografi me përmbajtje të paqartë apo një video e krijuar me inteligjencë artificiale që nxit një dyshim mbi manipulimin e votave mund të shkaktojë dëm të madh. Përpara se autoritetet të kenë kohë ta hetojnë rastin, dikush mund të vendosë të transferojë zemërimin, nga interneti në botën reale.

Ky është një kërcënim që merret seriozisht nga analistët e inteligjencës, zyrtarët e zgjedhur dhe drejtuesit e firmave të teknologjisë, të cilët thonë se derisa ka pasur përpjekje të vazhdueshme të operacioneve të dezinformimit dhe ndikimit, më e keqja mund të mos ketë ndodhur ende.

“Nuk është se në fund të natës së zgjedhjeve, veçanërisht kur rezultati i zgjedhjeve pritet të jetë i ngushtë, këto përpjekje do të përfundojnë,” tha senatori Mark Warner, demokrat nga Virxhinia që kryeson Komisionin e Senatit për Inteligjencën. “Një nga shqetësimet e mia më të mëdha është niveli i dezinformatave që mund të vijnë nga kundërshtarët tanë pas mbylljes së qendrave të votimit, në fakt mund të jenë po aq të rëndësishme sa çdo gjë që ndodh deri në mbylljen e qendrave të votimit.”

Analistët janë më të drejtpërdrejtë duke paralajmëruar se një informacion me ndikim që përhapet në orët e para pas mbylljes së qendrave të votimit mund të ketë pasoja të tmerrshme për besimin e publikut mbi zgjedhjet. Një informacion mund të ketë ndikim të madh sidomos nëse grupi që përhap dezinformata di si të shpërndajë atë tek një shtet fushëbetejë apo bllok votuesish.

Skenarët e mundshëm përfshijnë ripërpunimin e një imazhi të punonjësve të zgjedhjeve i cili kinse tregon një manipulim votash. Një skenar tjetër mund të jetë një video tërësisht e manipuluar e një prej kandidatëve që kinse e pranon se ka mashtruar.

Kur një pretendim i rremë qarkullon për javë të tëra para zgjedhjeve, zyrtarët e zgjedhjeve, zyrtarët e zbatimit të ligjit apo organizatat mediatike kanë ende kohë që të mbledhin fakte, të korrigjojnë informacionet mashtruese dhe të shpërndajnë lajmin e vërtetë. Mirëpo, nëse dikush e shpërndanë një video apo fotografi të rremë e cila ka qëllim të nxisë një pjesë të madhe të elektoratit të ketë dyshime mbi rezultatin, një ditë pas zgjedhjeve, do të jetë e vështirë apo edhe e pamundur që e vërteta të dal me kohë.

Kjo ka ndodhur para katër vjetësh, kur pretendimet e rreme mbi rezultatet e vitit 2020 nxitën sulmin mbi Kapitolin më 6 janar 2021. Shpesh, ata që arrestohen me akuza për ndërhyrje në zgjedhje kanë përmendur teori të hedhura poshtë mbi zgjedhjet të cilat kanë qarkulluar pas ditës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet që kanë rezultat të ngushtë ku fituesi shpallet i ndikuar nga gara në pak shtete fushëbetejë e rrit rrezikun e tillë. Kjo e bën më të mundshëm që një thashethem si ai mbi valixhet me fleta të paligjshme votimi në shtetin e Xhorxhias, një nga shembujt e vitit 2020, mund të kenë ndikim të madh lidhur me besimin ndaj rezultatit.

Fitorja e Presidentit Joe Biden ndaj rivalit Donald Trump në vitin 2020 nuk ishte edhe aq e ngusht dhe nuk janë gjetur parregullsi të cilat do të kishin ndikimi në rezultat. Megjithatë, pretendimet fallse mbi manipulimin e votave janë besuar në masë të madhe nga shumë mbështetës të zotit Trump, i cili sërish është kandidati i republikanëve për president.

Periudha e gjatë deri në Ditën e Inaugurimit më 20 janar u jep atyre që duan të nxisin dyshime mbi rezultatet kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë.

Shefi i firmës teknologjike Nisos, Ryan LaSalle tha se nuk do të jetë i qetë derisa të bëj betimin një president i ri pa ndonjë problem serioz.

Një tjetër rrezik sipas zyrtarëve dhe firmave të teknologjisë është se Rusia apo ndonjë vend tjetër armik mund të bëjë përpjekje të kryej sulm kibernetik ndaj sistemit zgjedhor të ndonjë shteti, jo me patjetër të ndryshojë rezultatin por si një mënyrë që nxit votuesit të vënë në dyshim sigurinë e sistemit zgjedhor.

“Periudha më e rrezikshme do të jetë ajo e 48 orëve pas mbajtjes së zgjedhjeve”, thotë Presidenti i firmës ‘Microsoft’ Brad Smith para ligjvënësve të Komisionit të Senatit për Inteligjencë, muajin e kaluar.

Dezinformatat mbi zgjedhjet fillimisht u paraqitën si kërcënim në vitin 2016 kur Rusia kreu sulm mbi ekipin e fushatës zgjedhore të kandidates demokrate Hillary Clinton. Kjo çoi deri te krijimi i rrjeteve të shumta me llogari fallso në rrjetet sociale që të rrisin dezinformatat.

Pavarësisht sfidave, zyrtarët e zgjedhjeve sigurojnë amerikanët që sistemi zgjedhor është i papërshkueshëm nga ndonjë sulm i cili ka qëllim të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve. Derisa ka operacione që kanë qëllim të shpërndajnë dezinformata, përmirësimet që janë bërë në sistemin zgjedhor e kanë bërë atë edhe më të fuqishëm se më parë për të përballuar përpjekjet për të ndryshuar rezultatin.

“Individët keqdashës, edhe nëse do të përpiqeshin, nuk mund të kenë një ndikim në rezultatin e zgjedhjeve”, tha për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’ Jen Easterly, drejtore e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës në Shtetet e Bashkuara./VOA

Kthjellime dhe vranësira të lehta kalimtare, parashikimi i motit për sot

Orët e paradites do të dominohen nga moti i kthjellët dhe vranësira të lehta e kalimtare në të gjithë territorin e vendit, ku më të theksuara kthjellimet do të paraqiten përgjatë vijës bregdetare. Parashikohet që pjesa e dytë e ditës të sjellë vranësira disi më të dukshme në të gjithë vendin, por mundësia për reshje është thuajse zero.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në mëngjes por rriten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 7°C vlera më e ulët deri në 27°C vlera maksimale në rang territorit.

Era do të fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi kryesisht jugor duke sjellë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim 3 ballë.

Kosova

Deri në mesditë Republika e Kosovës paraqitet nën ndikimin e motit të qëndrueshëm, duke bërë që të ketë kthjellime dhe vranësira të lehta, por pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira të shpeshta duke sjellë vetëm momente me pika shiu, në zonat veriore – veriperëndimore të Kosovës.

Parashikohet që të njëjtat kushte meteorologjike të vijojnë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në vlerat minimale, por rriten maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga 6°C vlera më e ulët deri në 22°C vlera maksimale në rang territorit. Era do të fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi 55 km/h nga
drejtimi kryesisht jugor.

Maqedonia e Veriut

Republika e MV do të dominohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike duke bërë që kthjellimet të jenë prezente në të gjithë territorin e MV herë pas here priten kalime vranësirash të shpeshta më të theksuara në zonat në kufi me Shqipërinë por nuk priten reshje. Orët e pasdites do të vijojnë nën ndikimin e kthjellimeve dhe vranësirave në pjesën më të madhe të MV. Për sa i përket temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në mëngjes, por rriten në mesditë duke u luhatur nga 6°C vlera më e ulët deri në 24°C vlera maksimale në rang territorit. Era do të fryjë mesatare paradites por forcohet gjatë pasdites duke arritur shpejtesinë maksimale mbi 50 km/h nga drejtimi jugor.

Europa

Gadishulli Apenin dhe Europa qendrore parashikohet të jenë nën ndikimin e vranësirave të shumta të cilat do të gjenerojnë rrebeshe shiu të shoqëruara me stuhi afatshkurtra ere. Gjithashtu me vranësira të dendura dhe reshje shiu paraqitet Britania e Madhe dhe Europa Veriore, ku reshjet herë pas here do të jenë në formë shtrëngate. Ndërsa Europa Lindore dhe pjesa me e madhe e pellgut të Mesdheut priten të jenë nën dominimin e masave ajrore të qëndrueshme, të cilat do të sjellin alternime kthjellimesh dhe kalime vranësirash./abcnews.al

Horoskopi 8 Tetor 2024, çfarë kanë parashikuar yjet për shenjën tuaj

DASHI

Në dashuri ka pak tension, por asgjë që nuk mund të zgjidhet me një dozë të mirë durimi dhe dialogu. Në punë gjërat duket se po ecin ngadalë, por mos u dekurajoni: shumë shpejt do të korrni frytet e angazhimit tuaj. Mos u zemëroni nëse diçka nuk shkon sipas planit.

DEMI

Sipas horoskopit të Paolo Fox, një ditë e favorshme për ndjenjat: ata në çift do të ndjejnë një lidhje të fortë me partnerin, ndërsa beqarët mund të kenë takime interesante. Në punë keni mundësi të merrni projekte që kanë mbetur të papërfunduara. Mos e humbisni këtë mundësi.

BINJAKËT

Në dashuri, përpiquni të shmangni polemikat e panevojshme: keqkuptimet mund të shkaktojnë tension në çift. Në punë, jini më të fokusuar: disa pengesa të vogla mund të ngadalësojnë projektet tuaja, por asgjë e pakapërcyeshme. Qëndroni të qetë dhe gjithçka do të jetë mirë.

GAFORRJA

Dashuria do të jetë protagoniste sot, me momente mirëkuptimi dhe pasioni të fortë. Në punë ndiheni veçanërisht të motivuar dhe krijues. Përfitoni nga kjo energji për të realizuar projektet tuaja me vendosmëri.

LUANI

Sipas horoskopit të Paolo Fox, sot mund të ndiheni pak acaruar, veçanërisht në dashuri: përpiquni të shmangni diskutimet e kota. Në punë keni sfida për t’u përballur, por me vendosmërinë tuaj do të arrini t’i kaloni ato. Qëndroni të qetë dhe mos lejoni që të mbingarkoheni.

VIRGJËRESHA

Në dashuri, dita do të kalojë e qetë, me momente të këndshme për t’i ndarë me partnerin. Në punë është koha e duhur për të propozuar ide të reja: kreativiteti juaj do të vlerësohet dhe mund të merrni shpërblime.

PESHORJA

Në dashuri, përpiquni të mos jeni shumë kërkues me partnerin, sidomos në këtë periudhë stresi. Në punë gjërat po shkojnë më mirë, por nuk ka ardhur ende koha për të ulur vigjilencën: vazhdoni të punoni me përkushtim dhe qëndrueshmëri.

AKREPI

Sipas horoskopit të Paolo Fox, dashuria do t’ju dhurojë momente emocioni dhe qetësie të madhe. Në punë, jeni në një fazë fuqie dhe vendosmërie të madhe: yjet ju favorizojnë, ndaj mos kini frikë të guxoni dhe të shtyni veten përtej kufijve tuaj.

SHIGJETARI

Në dashuri është një ditë pozitive, veçanërisht për beqarët: mund të keni një takim të veçantë. Në punë po hapen mundësi të reja, por do të duhet të jeni gati për t’i kapur shpejt. Fati është në anën tuaj.

BRICJAPI

Në dashuri keni nevojë për qartësi: përpiquni të trajtoni çështjet e pazgjidhura me partnerin tuaj. Në punë, mos u shqetësoni: gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur, edhe nëse rezultatet duken të ngadalta në arritje.

UJORI

Sipas horoskopit të Paolo Fox, dashuria është në plan të parë sot: lëreni veten të udhëhiqeni nga emocionet dhe mos kini frikë të tregoni ndjenjat tuaja. Në punë po përjetoni një moment të madh krijimtarie dhe intuite, që do t’ju lejojë të bëni përparime të rëndësishme.

PESHQIT

Në dashuri, yjet ju buzëqeshin dhe ju ndihmojnë të kapërceni çdo vështirësi në çift. Nëse jeni beqarë, ka shumë mundësi për të pasur një takim të veçantë. Në punë, intuita juaj do t’ju drejtojë drejt zgjedhjeve të duhura, duke ju lejuar të zgjidhni çështje komplekse me lehtësi.

❌