Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

LONDËR – BM sanksionon trupat ruse për përdorim të armëve kimike në Ukrainë

LONDËR, 8 tetor /ATSH-DPA/- Britania e Madhe ka sanksionuar trupat ruse duke pretenduar se ato janë të përfshira në vendosjen e armëve kimike në fushën e betejës në Ukrainë.

Trupat e Mbrojtjes Kimike dhe Biologjike Radiologjike të ushtrisë ruse dhe komandanti i tyre Igor Kirillov, do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimeve.

“Kirillov ka qenë gjithashtu një zëdhënës i rëndësishëm për dezinformimin e Kremlinit”, tha Ministria e Jashtme.

Dy nga qendrat shkencore të Ministrisë ruse të Mbrojtjes janë prekur gjithashtu.

“Britania e Madhe nuk do të rrijë duarkryq, ndërkohë që Putini dhe shteti i tij shkel ligjin ndërkombëtar, përfshirë Konventën e Armëve Kimike”, tha sekretari i Jashtëm David Lammy.

“Taktikat mizore dhe çnjerëzore të Rusisë në fushën e betejës janë të urryeshme dhe unë do të përdor arsenalin e plotë të fuqive që kam në dispozicion – për të luftuar aktivitetin keqdashës të Rusisë”, shtoi ai.

“Ne do të vazhdojmë të përdorim sanksione për të kundërshtuar drejtpërdrejt përpjekjet e Kremlinit për të mbjellë frikë, ndarje dhe çrregullim”, tha Lammy.

“Mesazhi ynë për Putinin dhe regjimin e tij është i qartë: ju nuk mund të shkelni ligjin ndërkombëtar pa u përballur me pasojat”, tha sekretari i Mbrojtjes John Healey.

“Ne nuk do të lejojmë që shkelje të tilla flagrante të Konventës së Armëve Kimike dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla të mbeten pa u ndëshkuar”, tha ai.

“Britania e Madhe po godet përgjegjësit e këtyre sulmeve të tmerrshme kimike në Ukrainë. Mbështetja jonë për Ukrainën është e hekurt dhe do të vazhdojë për aq kohë sa të duhet”, theksoi Healey. //a.i/

 

The post LONDËR – BM sanksionon trupat ruse për përdorim të armëve kimike në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌