Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Raporti/ Gjysma e zyrtarëve të lartë që u hetuan nga SPAK u dënuan nga gjykata

By: user 4
25 September 2024 at 14:35

Në një raport monitorimi që Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) publikoi sot mbi punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se numri i çështjeve të reja hetimore për korrupsion gjatë vitit 2023 ka rënë.

Raporti vëren se “numri i rasteve të reja të korrupsionit të paraqitura ka shënuar një ulje të vazhdueshme gjatë viteve, me 40 raste në vitin 2023, krahasuar me 43 raste në vitin 2022, 46 në vitin 2021, dhe një numër të njëjtë prej 40 rastesh në vitin 2020. Kjo tendencë në rënie mund të nënkuptojë se ose numri i rasteve të korrupsionit që janë raportuar është ulur, ose se mund të ketë probleme në mënyrën se si sistemi trajton dhe përpunon këto raste”.

Sipas raportit SPAK shënon gjithsej 447 raste të dyshuara për korrupsion në 2023.

Megjithatë vitin e fundit u regjistrua një shkallë e ulët e ndjekjes penale për korrupsionin, sepse vetëm 38 raste ose 8.5% e çështjeve të korrupsionit u dërguan për gjykim në 2023, krahasuar me 43 raste ose 10.2% në 2022 dhe 33 raste ose 21% në 2020.

Rastet e korrupsionit të dërguara në gjyq shënuan rënie vitin e fundit, e bashkë me to ranë ndjeshëm numrat e të pandehurve nga 208 në 142 persona të dyshuar për korrupsion.

Por nga ana tjetër të pandehurit për korrupsion, që përfundojnë me dënim janë rritur ndjeshëm vitin e kaluar. Dënimet për korrupsion arritën në 174 vetë në 2023, një rritje nga 140 në 2022 dhe vetëm 29 në 2020.

Nga 1 mijë të pandehur, janë hetuar 43 zyrtarë të lartë për korrupsion, prej tyre janë dërguar për gjykim 32 prej tyre si të dyshuar për korrupsion dhe u dënuan për këtë lloj krimi 20 zyrtarë të lartë. Me pak fjalë, nga zyrtarët e lartë që hetohen për korrupsion vetëm gjysma përfundojnë të dënuar nga gjykata.

“Procesi gjyqësor për zyrtarët e lartë përballet me sfida shtesë, siç tregohet nga statistikat e ndjekjes penale. Nga gjithsej 586 të pandehur të dërguar për gjykim në raste korrupsioni, vetëm 32 ishin zyrtarë të lartë, që përbën 5.46% të totalit. Ky numër nënvizon vështirësitë e vazhdueshme në sjelljen e zyrtarëve me pushtet para drejtësisë. Edhe tek dënimet ka sfida të rëndësishme. Nga gjithsej 479 dënime për korrupsion, vetëm 20 prej tyre përfshinin zyrtarë të lartë, që përbën 4.17% të totalit. Kjo sugjeron se ndonëse ka një përpjekje për të sjellë para drejtësisë individët në pozita të larta, numri i dënimeve të dhëna ndaj tyre mbetet dukshëm i ulët, duke lënë kështu të kuptohet se sfidat në adresimin e korrupsionit në nivelet e larta mbeten ende të mëdha” thuhet në raport..

Mes të dënuarve nga 2020 deri në 2023 janë 3 ish gjyqtarë, 1 ish prokuror, 1 ish anëtar i KPA-së, 3 ish kryetarë bashkie, 1 kryetar bashkie, 1 ish nënkryetar bashkie, 1 ish zv.ministër i brendshëm, 1 ish sekretar i përgjithshëm ministrie, dhe 2 ish deputetë.

The post Raporti/ Gjysma e zyrtarëve të lartë që u hetuan nga SPAK u dënuan nga gjykata appeared first on Lapsi.al.

❌
❌