Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 27 September 2024Main stream

Konferenca që çoi në burg Ervin Salianjin (VIDEO)

By: user 4
27 September 2024 at 19:07

Kur nisesh për hakmarrje përgatit dy varre, njërin për vete. Ky citim i stërpërdorur në publik duket se nuk pati vlerë në rastin e skafistit Albert Veliu që i shpëtoi telasheve dhe iku jashtë vendit, mbasi denoncoi ish-shokun e tij të trafiqeve Geron/Agron Xhafajn, për t’u hakmarrë ndaj shpërfilljes që iu bë në ditët e tij më të këqia, kur mbeti burgjeve, pa një telefonatë. Por kusuret e Veliut iu kthyen Ervin Salianjit. Me pak fjalë, deputeti i opozitës e shpjegoi si hakmarrje personale të Fatmir Xhagajt dënimin e ashpër që mori nga gjykatat.

“Fatmir Xhafaj fliste gjithandej se do ta këmbej burgun me burg. Kjo është çështje e jonë personale. Ka bërë ai një vit burg, vëllai vet atje. “Do bëjë një vit ky këtu”. Ai është dënuar atje me 7 vjet burg për trafik droge, kurse unë se e kam denoncuar këtë” tha ai në emisionin Top Story.

Në fakt, Salianji nuk rezulton ketë marrë pjesë në përgjimin që u bë në Vlorë. Atje ishte vetëm gazetari Jetmir Olldashi dhe skafisti Albert Veliu. Por faji i Salianjit ishte se doli në konferencë nga selia e Partisë Demokratike dhe denoncoi publikisht Fatmir Xhafajn dhe vëllain e tij, bazuar në përgjimet që i sollën Olldashi dhe Veliu.

Para se të paraqitej në polici, ai ktheu edhe një herë një pjesë nga konferenca e 14 Majit 2018, kur në krahun e tij të djathtë ishte Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi.

Konferenca në PD, 14 maj 2018

Denoncimi i Geron/Agron Xhafajt nga selia e PD, Ervin Salianji duke publikuar pergjimin qe i solli Albert Veliu
Denoncimi i Geron/Agron Xhafajt nga selia e PD, Ervin Salianji duke publikuar pergjimin qe i solli Albert Veliu

Në konferencën e majit të vitit 2018, Ervin Salianji ka publikuar audio-përgjimin që i solli gazetari Jetmir Olldashi dhe Albert Veliu. Këtë e bëri nëpërmjet ekranit që kishte në krah, kur e prezantoi të ashtuquajturin “Babale” si Dëshmitari X, ose ndryshe personi që futi në kurth vëllain e ministrit të brendshëm.

Sipas Partisë Demokratike, Ministri I Brendshëm i asaj kohe Fatmir Xhafaj kishte bërë disa manovra që vëllai i tij ta shmangte burgun në Itali, ndërkohë që drejtonte një rrjet të trafikut të drogës nga Vlora drejt Italisë.

“Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka shfrytëzuar postin publik dhe pushtetin politik për t’i siguruar paprekshmëri nga ligji vëllait Agron Xhafaj, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge me 7 vjet e 2 muaj burg” dëgjohet të thotë Salianji, duke vazhduar të shtjellojë më pas mbrojtjen që i është garantuar Geron/Agron Xhafajt në Shqipëri. (Konferenca e plotë në fund)

Sipas Salianjit, Fatmir Xhafaj pengonte verifikimin e identitetit të Agron Xhafajt, nuk njofton italianët që e kishin dënuar dhe as e arreston të vëllain që ishte i dënuar në Itali. Në konferencë, Salianji hodhi poshtë deklaratën e Fatmir Xhafajt që “e ka ndihmuar vëllanë t’i rikthehet jetës normale, pa asnjë rekord negativ përballë ligjit”.

Gjyqtarët kamikazë

Ndëshkimi për Salianjin nuk do të realizohej dot pa disa gjykatës kamikazë. Në shkallën e parë, Salianji ka drejtuar gishtin ndaj Artan Gjermenit, gjykatësi që i shpëtoi vetingut me dorëheqje. Sipas Salianjit, Gjermeni del në përgjimet e SKY ECC dhe është i përfshirë në manipulimin e çështjes së Toyota Auris, ku ka shpëtuar nga dënimi Taulant Ballën.

Gjyqtari Artan Gjermeni
Gjyqtari Artan Gjermeni

Ndërkohë deputeti ka denoncuar në publik dy prej gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit që lanë në fuqi vendimin për ta dënuar me burg, Ilbiba Bezat dhe Gentian Shala.

Për të parën, Salianji tha se ishte kunata e motrës së zv.kryeministres Belinda Balluku.

Ilbiba Bezat
Ilbiba Bezat

“Ilbiba Bezat, kunatë e zv.kryeministres, kunata e motrës. Njeri i afërt i zv.kryeministres, për të cilën po ju citoj vendimin e DSIK, që është Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, e cila thotë që “DSIK bazuar në nenin 39 pika 2 e ligjit 2016, me anë të raportimit për kontrollin efigurës për subjektin e rivlerësimit, Ilbiba Bezat konstaton se duhet të jetë e papërshtatshme për të vazhduar detyrën e gjyqtarit për subjektin e rivlerësimit Ilbiba Bezati” tha Salianji.

Gjyqtari i dytë i Apelit quhet Gentian Shala dhe ka qenë përfaqësues i Partisë Socialiste në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Sipas Salianjit, gjyqtarit Shala i është premtuar promovimi në Gjykatën e Lartë dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt si shpërblim për vendimin e dhënë.

Gentian Shala
Gentian Shala

Gjyqtari tjetër Gentian Shala ka thënë në çdo vend të mundshëm që “Unë vras për të shkuar në Gjykatën e Lartë. Këta më kanë ofruar mundësinë që po të dënosh Salianjin do të shkosh në Gjykatën e Lartë”. Këtu do jeni. Edhe unë, aty ku do jem. Do ta shihni që ky vend i është premtuar këtij zotërie për të qenë në gjykatë të lartë. është ish përfaqësues i Partisë Socialiste në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Motra e vet, është zv.kryetare e bashkisë Shkodër. Ta marrim ta akuzojmë Ramën pse merr ajër. Po t’ja japësh dy demokratëve, e dënojnë” u shpreh Salianji për të.

Burg për “kallëzim publik”

Pas dënimit ndaj Ervin Salianjit, dënoncimet publike kufizohen ndjeshëm nga një vije e kuqe, që shton rrezikun e burgosjes së denoncuesit. Kushdo që denoncon një skandal korrupsioni, krimi apo gjithfarë që lidhet me funksionarë publikë duhet të llogarisë se mund të përfundojë në burg, njësoj si Ervin Salianji.

Ligji parashikon dënimin me gjobë ose burg për kallëzim të rremë, por nuk parashikon burg për kallëzim publik, siç është rasti i deputetit të Partisë Demokratike.

Salianji vërtet ka artikuluar akuza të forta publike ndaj Fatmir Xhafajt gjatë kohës që ky ishte Ministër i Brendshëm, por ai nuk i është drejtuar asnjë autoriteti shtetëror me asnjë një kallëzim. Nuk ka asnjë dokument të firmosur prej tij, të dorëzuar ndaj një oficeri të policisë gjyqësore apo ndaj një prokurori për këtë çështje.

Faji i tij qëndron thjesht në faktin se doli në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike.

Deklarata e plotë Maj 2018

TRE FAKTET KUNDËR MINISTRIT TË BRENDSHËM FATMIR XHAFAJ

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka shfrytëzuar postin publik dhe pushtetin politik për t’i siguruar paprekshmëri nga ligji vëllait Agron Xhafaj, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge me 7 vjet e 2 muaj burg.

Janë 3 fakte të rëndësishme sesi Fatmir Xhafaj, në detyrën e Ministrit të Brendshëm shkeli ligjin duke penguar cdo veprim për ekstradimin e të vëllait.

1. Agron Xhafaj nuk e vuan dënimin, nuk bën asnjë ditë burg, sepse Fatmir Xhafaj nuk përmbush përgjegjësitë ligjore të Ministrit të Brendshëm:

• Për të verifikuar dhe identifikuar identitetin e ri të Agron Xhafajt
• Për të njoftuar autoritetet italiane për vendndodhjen e tij në Shqipëri
• Për arrestimin dhe burgosjen e tij.

2. Fatmir Xhafaj nga pozicioni i tij si Kryetar i Komisionit të Ligjeve fallsifikoi dokumentet zyrtare për të pamundësuar me ligj ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj.

Fallsikimi pamundësoi edhe vuajtjen e dënimit në Shqipëri dhe Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vjet e dy muaj për trafik ndërkombëtar droge, nuk bën asnjë ditë burg.

3. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton Ligjin Antimafia dhe pengon që ligji të veprojë ndaj tij dhe Agron Xhafajt. Aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm e bën, automatikisht, subjekt të ligjit vetë Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.

II. AGRON XHAFAJ, VËLLAI I MINISTRIT TË BRENDSHËM VAZHDON TRAFIKUN E DROGËS

Me 7 Tetor 2010 Fatmir Xhafaj deklaroi se “e ka ndihmuar vëllanë t’i rikthehet jetës normale, pa asnjë rekord negativ përballë ligjit”.

Kjo është gënjeshtër.

Kjo është e pamundur përsa kohë Fatmir Xhafaj siguron nga posti i tij që Agron Xhafaj të mos bëjë asnjë ditë burg nga dënimi dhe të vazhdojë të jetojë me paratë e drogës, pasuri e cila nuk është sekuestruar sic kërkon ligji Antimafia.

Dje e pyetëm Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj:

A e vazhdon Agron Xhafaj aktivitetin kriminal të trafikut të drogës?

Kanë kaluar 24 orë dhe Fatmir Xhafaj nuk ka kthyer përgjigje.

Ne i dimë arsyet përse ai hesht.

Arsyet janë se i vëllai i Ministrit të Brendshëm nuk bën një jetë normale, siç garanton Fatmir Xhafaj.

Ai është një nga bosët më të fuqishëm të trafikut të drogës në Shqipëri, që drejton dhe koordinon një grup kriminal me bazë në qytetin e Vlorës.

Partia Demokratike publikon sot një material audio që tregon se Agron Xhafaj e kryen aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës edhe gjatë kohës që vëllai drejton Ministrinë e Brendshme.

Ndjekim materialin.

[PUBLIKOHET VIDEO]

Ta ndjekim edhe njëherë.

[RI-PUBLIKOHET VIDEO]

III. Qëndrim përmbyllës

Kjo që dëgjuam është e vërteta dhe realiteti.

Agron Xhafaj është bos i drogës në Shqipëri, por i pa prekshëm përsa kohë është vëllai i Ministrit të Brendshëm.

Fatmir Xhafaj është mbrojtja e Agron Xhafajt.

Fatmir Xhafaj i siguron vëllait trafikant droge mbështetjen e Policisë së Shtetit.

Ky është realiteti i qeverisjes së Edi Ramës:

Ministrat e tij të brendshëm mbështesin dhe lehtësojnë trafikun e drogës.

Pushteti i Edi Ramës e ka lidhur fatin e vet me atë të krimit të organizuar.

The post Konferenca që çoi në burg Ervin Salianjin (VIDEO) appeared first on Lapsi.al.

❌
❌