Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 15 September 2024Main stream

Autostrada Biennale hyn në dekadën e dytë të veprimtarisë si qendër e fuqizuar e artit bashkëkohor

15 September 2024 at 13:32

Autostrada Biennale në Prizren, të shtunën mbrëma, ka shënuar 10-vjetorin e themelimit, me inaugurimin e hapësirave të reja të saj, si Hangar II, Rezidenca për Artistët dhe Teatri i Hapur, në brendi të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve.

Në këtë ceremoni, është vlerësuar puna dhjetëvjeçare e kësaj organizate për krijimin e një qendre të artit bashkëkohor në Kosovë, që krahas aktiviteteve të ndryshme kreative mundëson edhe shkëmbime kulturore me artistët botërorë.

Drejtorët themelues të Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço kanë paraqitur aspektet e ndryshme të zhvillimit të vizionit të tyre në dekadën e parë të veprimtarisë.

“Autostrada Biennale në vitin 2014 ka filluar si një ide e guximshme. Në fillim ka pas skepticizëm nëse në një qytet pa galeri do të ketë audiencë për artin bashkëkohor. Ne kemi qenë shumë insistues, konsistent dhe të bindur se me qasjen e duhur me involvim të komunitetit edhe audiencat krijohen, sepse janë aty”, ka thënë Vatra Abrashi.

Sipas saj në mungesë të galerisë janë gjetur alternativa tjera, duke nxitur kështu edhe procesin kreativ.

“Motoja që na ka përcjellë përgjatë dhjetë viteve ka qenë arti tek njerëzit, dhe jo njerëzit tek arti. Kështu që megjithëse nuk ka pasur galeri kemi gjetur alternativa të ndryshme për me shndërrua qytetin në një muze të hapur, me hapësira publike, shtëpi të vjetra, Stacionin e Autobusëve, Kalanë e Prizrenit, objektet e trashëgimisë kulturore dhe e gjitha kjo na ka bërë me kreativ”, është shprehur Abrashi.

Leutrim Fishekqiu ka pohuar se Hangar II, Rezidenca për Artistët dhe Teatri i Hapur nuk janë vetëm hapësira fizike, por hapësira që mundësojnë thellimin e bashkëpunimit me komunitetin, me partnerët, me artistët vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Në epokën kur bota po sheh luftëra, kur bashkëpunimet po janë në nivel më të ulët, ne po tregojmë një shembull të madh në Kosovë që ish baza ushtarake është shndërruar në ITP dhe po krijohen hapësira për edukim, prodhim dhe art e kulturë”, ka thënë Fishekqiu, duke shtuar se në këtë formë Autostrada Biennale ofron kontribut për zhvillimin e vendit dhe emancipimin e gjeneratave të reja.

Barış Karamuço ka theksuar se njëra prej synimeve të Autostrada Biennales është që të rinjtë të shohin perspektivën edhe në vendin e tyre.

“Autostrada Biennale ka shtyrë përpara vizionin për të treguar se të rinjtë e Prizrenit mund të krijojnë një qendër për art bashkëkohor, që mund të jenë shembull për Kosovën dhe se mund të krijohet këtu”, ka thënë Karamuço.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka vlerësuar partneritetin e deritanishëm me Autostrada Biennalen.

“Autostrada Biennale është një koncept i avancuar i shfrytëzimit të kreativitetit të gjeneratës së re në drejtim të promovimit të artit, kulturës, për me dhënë një kontribut në ngritjen e cilësisë së jetës jo vetëm në Prizren por edhe më gjerë”, ka thënë Totaj, duke shtuar se Prizreni do ta ketë edhe galerinë e qytetit.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde ka pohuar se Autostrada Biennale është dëshmuar me kreativitetin frymëzues.

“Në vitet e fundit kam parë se si Autostrada Biennale ka krijuar hapësira kreative dhe ka vazhduar që të zhvillohet, dhe ky është një tregim i mrekullueshëm që duhet të tregohet”, është shprehur ai.

Ndërsa Jennifer Lawson nga ambasada e ShBA-së në Kosovë ka theksuar bashkëpunimin shumëvjeçar të Autostrada Biennales me ambasadën, si dhe me profesionistët dhe krijuesit amerikanë.

“Tani Autostrada Biennale është rritur në një qendër të njohur dhe inovative me burime për të promovuar artin, kulturën dhe industrinë kreative. Puna juaj është në linjë me qëllimet e ambasadës së ShBA-së në Kosovë. Programet e juaja përshpejtojnë zhvillimin e kapitalit njerëzor në Kosovë, që përkthehet në prosperitet e mirëqenie për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Lawson.

Shënimi i dekadës së parë të veprimtarisë së Autostrada Biennale vazhdon të dielën dhe të hënën me Programin e Samitit në bashkëpunim me partnerët e Rrjetit të Qendrave të Fondacionit Allianz.

Në këtë Samit do të ketë diskutime mbi restaurimin, bashkëpunimin dhe qëndrueshmërinë kulturore, pastaj punëtori kreative që përziejnë artin e kuzhinës me shprehjen artistike, po ashtu sesione mbi riciklimin e artit dhe përqafimin e praktikave të qëndrueshme, si dhe muzikë.  /Telegrafi/

The post Autostrada Biennale hyn në dekadën e dytë të veprimtarisë si qendër e fuqizuar e artit bashkëkohor appeared first on Telegrafi.

❌
❌