Atletika në kërkim të një bilete tjetër për në Olimpiadë


Nga GENTI  SPIRI

Nis sot Kampionati Europian i Atletikës. Luiza Gega, Klodiana Shala, Adriatik Hoxha dhe Dorian Çollaku në garë për Shqipërinë

 

Adriatik Hoxha         Hedhje gjyle  27/6

Dorian Çollaku         Hedhje çekiçi            28/6

Klodiana Shala         200 metra      29/6

Luiza Gega    1500 metra    30/6

 

Kampionati Europian i Atletikës është etapa e fundit e sportit të “mbretëreshës” drejt Lojërave Olimpik “Londër 2012”, një veprimtari që përcakton dhe sportistët e fundit që do të shkojnë në Olimpiadë.

Pasi ka siguruar dy bileta, me Luiza Gegën në 1500 metra dhe Klodiana Shalën në 200 metra, Shqipëria do të kërkojë të sigurojë edhe ndonjë biletë tjetër dhe vëmendja është përqendruar te atleti i Teutës, Adriatik Hoxha.

Ai do të garojë në disiplinën e hedhjes së gjyles, ku pak kohë më parë vendosi rekord të ri kombëtar. Por në listën e publikuar dje nga Federata Europiane e Atletikës figuron edhe atleti Dorian Çollaku, sportist i hedhjes së çekiçit, që duket se do të provojë të arrijë edhe ai normën olimpike.

Prej vitesh Çollaku ka jetuar dhe është stërvitur në Finlandë, ndaj ai mund të jetë një shpresë më shumë për t’u kualifikuar. Ky Europian zhvillohet më datat 27 qershor-1 korrik, në Helsinki të Finlandës.

Garat e atletëve tanë do të nisin sot, së bashku me startin e Europianit dhe i pari që do të zbresë në pistë është pikërisht Adriatik Hoxha. Rreth orës 10.00 ai do të nisë garën e tij në hedhjen e gjyles, me shpresë që të arrijë distancën e 20 metrave, që është edhe norma e lejuar për të shkuar në Olimpiadë. Rekordi i tij personal është 18.18 metra, distancë vendosur 2 javë më parë në Kampionatin Kombëtar të Atletikës.

Më pas, në pistë do të zbresë Dorian Çollaku, gjithnjë nëse konfirmohet prania e tij. Në fund do të zbresin dy atletet femra, Klodiana Shala në garën e 200 metrave (garon ditën e premte, ora 14.00) dhe Luiza Gega në garën e 1500 metrave (ditën e shtunë, ora 12.10). Të pranishëm në këtë turne edhe trajnerët e sportistëve pjesëmarrës.

Olimpiada e Londrës është veprimtaria më e rëndësishme sportive e këtij viti dhe deri më tani vendi ynë ka siguruar 11 bileta. Pesë të kualifikuar direkt kanë ardhur nga sporti i peshëngritjes, ndërsa dy nga sporti i atletikës. E kualifikuar është edhe xhudistja Majlinda Kelmendi.

Më pas janë edhe ftesat që mbërrijnë në adresë të Federata shqiptare të sportit, ku dy prej tyre janë në sportin e notit dhe një në atë të qitjes. Nuk dihet ende nëse atletika ka ftesa, pas kualifikimit të dy atleteve. 

Asnje koment

    Komento

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *