INTERVISTA/ Rrëfehet djali i Daut Hoxhës: Si ma vranë babain për të nisur luftën italo-greke në ‘40

Email

Vrasja e një shqiptari të Çamërisë do të bëhej shkëndija që të ndizej lufta italo-greke. Por nuk ishte një shqiptar i thjeshtë, por një kapedan çete, që kishte luftuar kundër grekëve para dhe pas aneksimit të Çamërisë. Bëhet fjalë për Daut Hoxhën, i cili nuk u ndal në luftën e tij, edhe pse për kokën e tij ishte vënë një shumë prej 500 mijë dhrahmish. Daut Hoxha u vra në pritë.

Një vrasje makabre, që të kujton fatin e Ali Pashë Tepelenës. Pas vrasjes iu pre koka dhe kokë e trup, sot prehen në dy varre të ndryshme. Se çfarë ka ndodhur në vitin 1940, e rrëfen i biri, Ibrahimi, që pavarësisht se sot është 95 vjeç, e kujton fare mirë atë ditë.

Në studion e emisionit “Debati në Channel One”, Hoxha tregon për të atin dhe kauzën e tij, vrasjen në pritë, si e shfrytëzoi Italia këtë rast për të filluar luftën me Greqinë dhe pavërtetësinë e njoftimit dhe skicës në revistën “Illustrazione”, sipas së cilës, Daut Hoxha ishte vrarë në gjumë. I biri, Ibrahimi, tregon si qëndron e vërteta. Më poshtë po sjellim një pjesë të intervistës me të birin e Daut Hoxhës.

Nga Roland Qafoku

Kanë kaluar 77 vjet nga vrasja e Daut Hoxhës. Zoti Ibrahim, a jeni informuar saktësisht se çfarë ka ndodhur realisht atë 14 qershor të vitit 1940? Kush e vrau dhe përse u vra babai juaj?

Kam pasur mundësinë të shoh disa dokumente lidhur me vrasjen e babait tim Daut Hoxha, pas viteve ’90, pasi më parë ka qenë e pamundur. Madje kam botuar edhe një libër. Megjithatë, unë nuk kam botuar shumë dokumente dhe të dhëna të tjera që lidhen me këtë vrasje. Vrasja e tim eti nuk ishte rastësi. Kam qenë i informuar që në fillim se çfarë ka ndodhur, por nuk e kam pasur mundësinë as të shprehesha, sepse regjimi i Enver Hoxhës nuk na e ka lejuar këtë.

Si u vra Daut Hoxha, çfarë ju kujtohet, tashmë që kanë kaluar kaq shumë vite? Unë jam i datëlindjes 1922, ai u vra në 1940, pra isha 18 vjeç atëherë dhe tani jam 95 vjeç. Siç e thashë edhe më lart, vrasja e tim eti nuk ishte rastësi. Ajo ishte përgatitur që në vitin 1913. Im atë rridhte nga familja e famshme Bejdeshati, e cila në luftën kundër grekërve kishte flijuar 3 përfaqësues të saj të rëndësishëm dhe të njohur asokohe në të gjithë zonën e Çamërisë. Kjo familje i takonte parësisë së luftimeve ndaj grekërve në Çamëri. Më 18 tetor 1918, ushtria greke u derdh drejt Jugut të Shqipërisë gjoja se po luftonte ndaj sulltanatit osman. Në të vërtetë, sulltanati osman ishte i shkrirë në shumë krahina, por nuk ishte ky qëllimi i tyre. Ata iu derdhën trungut shqiptar për ta grabitur. Kishin bërë edhe tre sulme të tjera, por ishin thyer me humbje të mëdha. Daut Hoxha përfaqësonte luftëtarin e pamposhtur në të gjitha luftimet me grekët.

Dauti kishte çetën e vet?

Po. Natyrisht, në vitin 1913 Dauti krijoi çetën e vet për të zmbrapsur ushtrinë greke, në përbërje të së cilës ishin farë e fis të tij. Pas vitit 1913, grekët hynë në Çamëri dhe e morën. Thanë se nuk kishin të bënin me shqiptarë, por me osmanë. Me të hyrë, vranë dhe prenë me sëpata 101 shqiptarë në Paramithi. Në këtë kohë, Daut Hoxha rrëmbeu pushkët me të vëllezërit dhe disa nga farefisi, doli malit për t’iu përgjigjur grekërve. Atë e zgjodhën kapedan të çetës. Kjo ishte çeta që rezistoi dhe qëndroi më gjatë se të gjitha çetat e tjera të asaj kohe në Çamëri. Studiues të ndryshëm kanë publikuar raporte të Greqisë në këtë kohë, që shkruanin se Daut Hoxha po i sjell vërdallë grekërit nëpër Çamëri. Gjatë këtyre viteve ai u përplas disa herë me ushtrinë greke dhe në këto përpjekje Dauti u plagos dy herë. Por për fat, mjekët e shëruan.

Pas kësaj situate dhe këtij fakti, çfarë bëri Greqia ndaj tij? A e kërkoi për ta kapur apo vrarë?

Po. Greqia në këto momente u angazhua për ta vrarë, për ta arrestuar, për ta eliminuar, pra gjithçka për ta ndaluar Daut Hoxhën dhe bashkë me të, edhe çetën e tij.

A dihet se sa të vrarë u ka shkaktuar grekëve çeta e tij?

Kjo gjë nuk mund të thuhet me saktësi, por anglezi që erdhi në komisionin hetimor bashkë me italianët tha që vetëm brenda një ore, në ato grykat dhe malet që luftonte Dauti me shokë, theri 72 apo 73 ushtarakë grekë.

Si vijuan ngjarjet me ardhjen e Ahmet Zogut në pushtet?

Në 1925, kur Zogu mori pushtetin, nuk donte ngatërresa me Greqinë. Por Dauti nuk hiqte dorë. Edhe pse jetonte tashmë brenda kufijve të Shqipërisë, disa herë ai kapërcente kufirin dhe luftonte. Pikërisht për këtë qëllim autoritetet e Zogut e internuan në Lezhë, Krujë dhe më shumë në Elbasan. Pas disa vitesh e lirojnë nga internimi, e megjithatë Dauti nuk hoqi dorë. Natyrisht, jo në mënyrën e dikurshme të të reaguarit ndaj Greqisë. Ai disa kohë jetoi edhe në Korçë, por më pas vendosi të jetojë në Konispol, në shtëpinë që kishim atje. Megjithatë, shtëpia jonë ishte shumë ndryshe nga të tjerat. Një mik i familjes që vizitoi atë kohë Dautin dhe pa shtëpinë, tha se kishte kujtuar se ishte kazermë ushtarake, aq i armatosur dhe i përgatitur ushtarakisht ishte Dauti dhe njerëzit e tij.

Çfarë kishte në shtëpi?

Nuk ishte vetëm Dauti. Çamët nuk kanë qëndruar duarkryq ndaj pushtetit grek. 10 çemër vinin në shtëpi, 15 iknin. Ata luftonin, por ata duhet të kishin një fuqi qendrore, një bazë. Dhe kjo qendër ishte shtëpia jonë, pra e Daut Hoxhës. Pikërisht, duke shërbyer si bazë, ata e morën shumë seriozisht. Shteti grek vuri një çmim prej gjysmë milioni dhrahmi për të shtënë në dorë Daut Hoxhën.

Çfarë vlere kishte kjo shumë atëherë?

Vlera është e madhe për kohën, por edhe për sot. Mund të blije një qytet të tërë.

A pati një proces gjyqësor legal ndaj Daut Hoxhës?

Në pamundësi të eliminimit të Dautit, por edhe të të tjerëve, pas vitit 1931, Greqia shpalli një amnisti për të gjithë çamët e arratisur dhe që kërkoheshin nga Greqia. Në këtë kohë, shteti i Zogut nënshkroi një traktat për dorëzimin reciprok të keqbërësve në të dy anët e kufirit. Kjo nënkuptonte se të gjithë keqbërësit që ishin arratisur nga Shqipëria në Greqi dhe ata që ishin arratisur nga Greqia në Shqipëri, të dorëzoheshin. Por kishte edhe një kusht, që sipas të cilit çdo i kthyer, duhet të dilte përpara gjyqit politik. Në këtë situatë, im atë u paraqit përpara gjyqit në Gjirokastër. Aty kishte një avokat grek. Duke qenë se kishin menduar se gjyqi politik do ta dorëzonte Dautin, kishin shkuar edhe disa përfaqësues të shtetit grek. Ata mendonin se do ta merrnin me vete Dautin dhe për këtë, kishin ardhur edhe me makinë. Akuzat greke u hodhën poshtë nga vetë autoritetet e gjyqit, sepse nuk përkonin me dokumentet që ata kishin vënë në dispozicion. Sipas gjyqit, vrasjet për të cilat Daut Hoxha ishte akuzuar, kishin karakter patriotik dhe nuk ishin ordinere.

A foli vetë Dauti në gjyq?

Im atë ishte pa shkollë, por kishte disa aftësi natyrale të të menduarit dhe të folurit. Mori fjalën në gjyq dhe tregoi arsyet përse kishte marrë malet. Tregoi në gjyq masakrat greke, dhe sipas tij, kjo e kishte bërë dhe detyruar të rrëmbente armët. “Nëse unë nuk do bëja këto që kam bërë, nuk do kishte as bar në Çamëri. Prandaj ne jemi gjallë sot, por do kishim vdekur të gjithë, do ishim shuar”, tha im atë në gjyq. Kështu, gjyqi vendosi që Daut Hoxha ishte i padorëzueshëm dhe makinat e përfaqësuesve grekë u kthyen nga kishin ardhur.

Ç’ndodhi pas këtij gjyqi?

Shteti grek vijoi ndjekjen e Dautit. Por mendoni se kishin qendra spiunazhi dhe kishin informacione.

A ndërmori Greqia ndonjë hap konkret?

Duke qenë se Dauti ishte i lirë, Greqia bëri një manovër tjetër. Dërgoi ministrin e Flotës Luftarake, zotin Boçari. Nëpërmjet autoriteteve shqiptare ai kërkoi të takohej me tim atë. Im atë në fakt nuk deshi ta takonte. Por autoritetet e shtetit shqiptar ia mbushën mendjen ta bënte takimin. Dikush i tha që pavarësisht se çfarë mendonte, nuk kishte pse të mos e pranonte takimin. Pasi pranoi, im atë i vuri kusht që ta realizonte takimin 10 metra brenda kufirit shqiptar. Takimi u realizua sipas asaj që Dauti vendosi. U takuan brenda kufirit shqiptar. U ulën në bar dhe ai u prezantua. Ai i tha se i siguronte Dautit që të mos kishte asnjë problem dhe se qeveria greke e kishte falur. Madje i propozoi edhe se ku duhet të jetonte në Paramithi apo edhe nëse donte edhe në Athinë, vetëm e vetëm të ikte nga Shqipëria dhe të vinte në Greqi. Ministri ishte me orgjinë shqiptare nga Suli, fqinj me ne, dhe këtë fakt ia tha edhe Dautit. Por Dauti ia preu: “Unë nuk i kam bërë ndonjë gjë qeverisë greke që të më falë. Unë nuk i kam kërkuar, dhe nuk pres falje. Në fakt, qeveria greke duhet të më kërkojë falje mua, sepse më ka vrarë dhe më ka prerë familjen time dhe njerëzit e mi. Më ka marrë mallin dhe më ka zënë edhe vendin”. I dërguari i thotë se duhet t’i linin pas këto, edhe për faktin se ishin të dy shqiptarë. Por Dauti këtu i thotë diçka shumë të rëndësishme: “Koka ime është mësuar të jetojë nën hijen kuq e zi, ndërsa koka jote nën hijet laramane. Mua nën hijen laramane më zihet fryma. Prandaj nuk bëhet kjo punë”.

Si rrodhën ngjarjet pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia?

Ishin momente ekstreme dhe Greqia e kërkonte me çdo kusht. Edhe pse Italia e pushtoi Shqipërinë, Ushtria italiane ende nuk kishte ardhur në zonën e Konispolit. Këtë e shfrytëzuan grekët, të cilët në shumë raste futeshin në thellësi të kufirit shqiptar. Disa herë edhe ushtarakët italianë ndesheshin me grekët. Megjithatë, kaloi disa kohë dhe italianët erdhën edhe në Konispol. Me të mbërritur, ata nxorën një urdhër: Daut Hoxhës i ndalohet rreptësisht mbajtja e armëve të luftës. Sipas italianëve, Dauti mbante armë greke. Në fakt, kjo nuk ishte e vërtetë. Ai mbante armë turke. Gjithsesi, Dauti e priti shumë keq çarmatosjen që Italia u bëri. Ia morën të gjitha armët dhe kjo i krijoi një problem jo të vogël Dautit. Në këtë kohë, Asfalia greke ngarkoi qendrat e veta për t’u organizuar, sepse kishin informacione që Italia do të sulmonte Greqinë. Sipas të dhënave, një nga krerët shqiptarë që do ta mbështeste këtë luftë ishte edhe Daut Hoxha me çetën e tij. Në këtë moment, agjencia sekrete greke vendosi vrasjen e tij.

Po a kishte lidhje Dauti me italianët?

Im atë nuk kishte lidhje fare me italianët.

Po si ia bënte ai në këtë kohë pa armë?

Kaluan disa kohë dhe ai mori një njoftim që të shkonte në Sarandë për të marrë armë. Mendoi që t’i merrte armët që ia konfiskuan. U nis nga Konispoli. Vangjel Pandoja nga Sopiku ishte agjent kryesor i Asfalisë që do të jepte informata për lëvizjet e Dautit. Duke qenë se njihej me tim atë, për shkak se e kishte punësuar disa herë në pronën e tij, ai kishte një lloj miqësie dhe e shfrytëzoi këtë. Ai njoftoi që Dauti po lëvizte nga Konispoli në Sarandë. Çeta greke që u caktua për ta vrarë përbëhej nga 7 veta, 4 korofillakë dhe 3 kriminelë që ishin liruar nga burgjet për të kryer vrasje. Pikërisht në Sheshin e Rrahut, 7 kilometra brenda kufirit shqiptar, në gjysmën e rrugës Konispol- Sarandë, e vranë në pritë. Ekspertiza nxori që nuk ishte vrarë në vendin që u gjet, por në vend tjetër.

Revista italiane “Illustrazione” ka nxjerrë një skicë, sipas së cilës ai është vrarë në gjumë. Si është e vërteta?

Po e di që u dha version që ai ishte vrarë në gjumë. Po mos ishte i çmendur Dauti që të flinte në hijen e goricës? Ai ndiqej nga grekët. Nuk kishte mundësi fare që Dauti të flinte kur për kokën e tij ishin vënë 500 mijë dhrahmi. E kishin vënë në anë të rrugës. Më pas i prenë kokën. Morën dy çobanë dhe ua vunë kokën në torbë dhe i morën me vete. Shkuan në Filat. Tmerri ishte i papërshkrueshëm. Banorët nuk e besonin.

Përse pasi e vranë, i prenë kokën?

Marrja e kokës ishte, së pari, për të bindur autoritetet dhe për t’i thënë popullsisë se kështu do të përfundonin. Për t’i thënë se ne arritëm ta vrasim Daut Hoxhën dhe jo më juve. Dhe e dyta, për të marrë shpërblimin 500 mijë dhrahmi.

Ku e varrosën kokën?

Di që e varrosën, por vendin nuk e kam mësuar. Ndoshta në Athinë, por nuk kemi saktësi.

I bie që Daut Hoxha ka përfunduar si Ali Pashë Tepelena me dy varre, një në Konispol dhe një në Athinë?

Po, tamam kështu. Unë pas vitit 1990 i kam hequr eshtrat nga vendi i parë i varrimit dhe ia kam varrosur eshtrat në varrezat e fshatit.

Si e morët vesh ngjarjen?

Unë isha në arë duke punuar, në Konispol. Isha në fushë, sepse tokat në mal nuk na mbanin. Babai im ishte 44 vjeç kur e vranë. Familja ime përbëhej nga dy prindërit, babai dhe mamaja Adileja, 4 djem dhe dy vajza. Lajmin e mësuam nga një grua. Në fakt, më parë ishte lajmëruar Karabinieria italiane. E varrosën në vend. Grekët kishin spiunë kudo. Gruaja i tha mamasë që u gjet një i vrarë. Dukej që ishte e informuar dhe bëri sikur kaloi rastësisht.

A iu bë ceremoni varrimi?

Jo. Vrasja u lajmërua në karabinieri në darkë. Kufoma ishte masakruar dhe u varros në vendin ku u gjet.

A u kryhen hetime?

Po, edhe u arrestuan dy persona. Sotir Demiri dhe Vangjel Pando u arrestuan, por pas disa ditësh u liruan. Kushdo që të ketë shkrehur armën kundër babait tim, vrasësit e vërtetë janë shqiptarët në funksion të Asfalisë greke. Në fillim hetimet ecën mirë, por habia ishte se u emërua një komandat ushtarak italian për t’i vazhduar më tej. Me të marrë në dorë hetimet, ai i bllokoi ato. Madje liroi dhe dy të arrestuarit. Italianët jo vetëm i liruan të arrestuarit, po i bënë edhe agjentë për llogari të Italisë në Greqi. Por ata ishin të Asfalisë dhe vepronin në mënyrë të dyfishtë.

Çfarë përfaqësonin dy të arrestuarit? Po Sotiri?

Ai ishte një punëtor i tim eti. Priste dru, bënte zjarre.

Domethënë Dautin e ka spiunuar argati i vet?

Po. Kështu.

A kishte mllef dhe inat për t’u hakmarrë?

Vrasja krijoi zemërim të madh në Çamërinë e përtejme.

Po ju vetë personalisht?

Unë? T’i haja të gjallë. Më vranë babanë.

A bëtë ndonjë veprim?

Jo.

Si ecën hetimet?

Kur erdhi komisioni hetimor, një anglez pyeti mamanë time, Adilenë, se kush ia kishte vrarë burrin. Mamaja tha prerë se vrasësit ishin grekërit. “Nga e di ti?”, i tha anglezi. E di i tha mamaja, ata kanë tërë jetën që e kërkonin. Anglezi vazhdoi duke e pyetur si kishte mundësi që ajo nuk e dinte se Dauti kishte vrarë 70 e ca grekë dhe dinte që Dautin e kishin vrarë grekët. Por mamaja ime i tha anglezit. “Kam unë tani një pyetje: Ku i vrau Duati ata, në tokën greke apo në tokën e Dautit? Është tjetër që ata na pushtuan, na morën mallin dhe na vranë. Dauti ishte në tokën dhe në shtëpinë e tij”.

Si e trajtoi Italia vrasjen?

Sulmi ndodhi më pas. Agjencia e lajmeve “Stefani” e dha lajmin. Benito Musolini mori vendimin për të sulmuar Greqinë. Ky ishte dhe shkak, sepse lufta ishte e parashikuar që do të ndodhte. Ata vetëm e shfrytëzuan vrasjen e babait tim si shkak. Edhe Greqia kishte kohë që po merrte masa. Një nga masat ishte edhe dëbimi masiv i çamëve në ujëdhesat e Turqisë. Kjo u bë sepse kështu ata eliminonin një forcë që do ta mbështeste Italinë në këtë sulm.

Ku ishit ju në atë periudhë?

Mua më morën ushtar dhe, për ironi, isha pjesë e sulmit të Italisë ndaj Greqisë.

Sa çamë morën pjesë?

Në luftë morën pjesë dy batalione çame. Këta ishin të përndjekur nga qeveria greke dhe ishin të detyruar të kalonin këtej kufirit.

A luftuan?

Në luftë nuk bëhet kjo pyetje. Unë më vonë dola partizan dhe luftova kundër pushtuesve.


Source: Aktualitet

Albanian Domain
Albanian Domain

You Might Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>