Kush qendron prapa arrestimit te Fullanit?

Edhe në një intervistë më të fundit, si edhe ditë më parë, Sali Berisha u përpoq t’u mbushë mendjen shqiptarëve se është Edi Rama që qëndron prapa arrestimit të ish-guvernatorit Ardian Fullani. Por një analizë më e kujdesshme e interesave dhe synimeve të kampeve politike, të shtyn të besosh se është pikërisht Berisha që ka urdhëruar jo vetëm arrestimin por, paradoksalisht në dukje, edhe dërgimin e tij në shtëpi me ndryshim të masës së arrestit. Është një lojë që ai e zhvilloi me mjeshtëri dhe në rrjetën e së cilës ranë brenda si media ashtu edhe opinioni publik. Janë manipulime sa të poshtra, aq edhe të stërholluara politike, që bëhen të mundura kur një politikan, edhe pse i rënë nga pushteti, ruan ende lidhje të forta në prokurori dhe gjykata.

 

***

Nuk është e para herë që Berisha akuzon të tjerët për ato që ka bërë vetë. Dikur akuzoi Fatos Nanon se kish vrarë Azem Hajdarin. Por deponime të ish-bashkëpunëtorëve të tij të afërt, si dhe logjika e ngjarjeve, harmonizohen në tezën se qe pikërisht Berisha që e yshti vrasjen për ta keqpërdorur politikisht deri në organizimin e një grushti shteti. Ajo që sapo ka ndodhur me ish-guvernatorin shfaq shumë ngjashmërira me ato ndodhi të vitit 1998. Kemi përsëri po Berishën, po në opozitë, që akuzon kryeministrin se ka urdhëruar arrestimin e Fullanit për të realizuar strategjinë e tij të kapjes së institucioneve edhe me Bankën e Shqipërisë. Që në krye të herës shquhet saldimi i dobët që u është bërë pjesëve në këtë akuzë. Ajo hidhet poshtë nga faktet të qarta. Si për shembull që kryeprokurori nuk është njeri i Ramës, por përkundrazi më afër Berishës. Apo që nuk kemi parë asnjë entuziazëm të prokurorisë për të ndjekur deri në fund denoncimet për korrupsion të bëra nga qeveria. Pak javë më parë ajo sapo mbylli dosjen e ish-ministrit Arben Imami. Të gjitha këto flasin se prokuroria nuk është nën urdhrat e Ramës, sikundër pretendon Berisha. Kryeministri Rama vendosi të mbajë një qëndrim haptazi neutral lidhur me vjedhjen e Bankës, edhe pse ligji ia njeh të drejtën qeverisë për pezullimin e guvernatorit. I kompleksuar disi nga akuzat e Berishës për kapjen e Bankës, Rama vendosi të mos e përdorë këtë të drejtë që ia njeh ligji. Ai ia kaloi “topin” prokurorisë. Por si e luajti ajo?

 

***

Kam qenë ndër ata që ka kërkuar dorëheqjen e Fullanit si një urdhër moral. Kur në një institucion si Banka ndodh më e rënda, pra vjedhja e saj, guvernatori sado pa lidhje me krimin, jep dorëheqjen duke vetënjohur përgjegjësinë morale. Me gjithë presionin e opinionit publik, të shoqërisë civile dhe një pjese të politikës, Fullani nuk e ndërmori këtë akt moral. Më pas erdhi arrestimi i tij me një akuzë shumë të dobët të ngritur nga prokuroria. Fillimisht kam menduar se kjo ka qenë një orvatje e prokurorisë për të përmirësuar bilancin e saj tmerrësisht të varfër me arrestimin e një zyrtari të lartë. Por kur shoh Berishën që sokëllin se Fullanin e arrestoi “stalinisti” Rama më shtohet dyshimi se ka qenë pikërisht Berisha që ka urdhëruar prangosjen, duke përdorur besnikët e tij në prokurori. Përse? Linja logjike është kjo: Së pari, për të bërë edhe më të besueshme akuzën e tij se Rama është i vendosur të kapë Bankën e Shqipërisë. Së dyti, dhe kjo është edhe më e rrezikshme, për të ngjallur panik në sistemin bankar dhe pse jo edhe një kolaps të tij. I ndodhur në një pikë dobësie ekstreme, kur e sheh se vështirë të rikthehet në pushtet me votë edhe pas tre vjetësh, një arrivist i pushtetit si Berisha jam i sigurt që lakmon në këto momente një kolaps të një natyre të tillë për ta keqpërdorur politikisht si dikur vrasjen e Hajdarit. Ai mezi e fsheh një dëshirë për t’u punuar “socialistëve” pikërisht atë që ata, sipas psikologjisë së tij hakmarrëse, i punuan dikur gjatë krizës së piramidave financiare që vetë i kish toleruar. Vallë është një rastësi që në mediat pranë Berishës janë shfaqur këto kohë disa artikuj me alarme, në fakt false, për sistemin bankar?

 

***

Këtu e 23 vjet më parë, Berisha mbetet në Shqipëri më i keqi ndër politikanët, por më politikani ndër të këqijtë. Skenarët e tij zhvillohen në disa rrafshe, me disa objektiva njëherësh. Kur nuk arrihet njeri, kapet tjetri. Tronditja e sistemit bankar nuk u arrit por, megjithatë, u akuzua qeveria për arrestimin. Ndërkaq, për të qarë dhe për të qeshur, një pjesë e opinionit publik ra “bulldum” në grackën e Berishës. Ditën e arrestimit të Fullanit, rrjetet sociale u mbushën me hosanara për prokurorin që kish urdhëruar arrestimin e Fullanit. Por kohët provuan, se sikundër kritikuam, ajo ishte një akuzë e qepur keq. Jo vetëm që nuk kish heroizëm në atë që ndodhi por mungesë të dukshme profesionalizmi nga prokuroria. Lufta kundër korrupsionit nuk kërkon vetëm guxim prej të marri për t’i vënë dikujt pranga, por edhe aftësi për të provuar me fakte fajësinë e tij. Ndryshe antikorrupsioni kthehet shumë lehtë në gjueti shtrigash, që i vlen vetëm korruptimit edhe më fatal të një shteti ku sundon padrejtësia. Ndaj një akuzë e paargumentuar, jo vetëm nuk duhet përshëndetur, sikundër mjerisht ndodhi, por duhet kundërshtuar për disa arsye: a) Sepse mund të shërbejë për të arrestuar një të pafajshëm b) si precedent i rrezikshëm për të drejtat e njeriut dhe c) sepse mund të shërbejë për të liruar edhe një të fajshëm. Se cili nga këto dy opsione është rasti “Fullani”, mbetet të provohet. Por për momentin ne kemi një prokurori që s’ka bërë asgjë kundër korrupsionit, por që, megjithatë, mund të krekoset se i vuri prangat guvernatorit të Bankës Qendrore, por se dërgimi i tij në shtëpi është faji i gjykatës. Nga ana tjetër, kemi gjykatën që, edhe pse mund ta ketë marrë vendimin e saj nën ndikimin e politikës (konkretisht të Berishës) të mburrë “pavarësinë” e saj duke argumentuar se e dërgoi Fullanin në shtëpi ngaqë akuza ishte e pafaktuar mirë. Dhe a nuk është detyra e një gjykate që të japë të drejtën, pavarësisht asaj që kërkon prokuroria, politika apo edhe opinioni publik? Një lojë e vjetër pingpongu mes prokurorisë dhe gjykatës, që ka mbi dy dekada që vazhdon në shtetin që kalbëzohet pa shërim nga pandëshkueshmëria e korrupsionit.

Albanian Domain
Albanian Domain

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>