Kongresi

Pritet një Kongres sa më i vërtetë në Partinë Demokratike. Sepse tradicionalisht nuk mbajmë mend Kongrese ku të ketë pasur debate reale në këtë parti. Influenca dhe mbipushteti i Berishës, objektiv dhe subjektiv, i ka zgjidhur konfliktet dhe polemikat de facto jashtë këtij forumi. I cili nuk ka prodhuar ndonjëherë ngjarje të rëndësishme, sepse kryengjarja ka qenë gjithmonë Berisha. Kështu erdhi për herë të dytë në pushtet kjo parti dhe kështu “rezistoi” deri vitin e shkuar. Berisha është përsëri në linjën e parë. I shëndetshëm dhe politikisht i kthjellët.

Shumë nga anëtarësia, mendon se herët a vonë Kryetari Basha do të ketë një kundërvënie dialektike me Berishën. Mjaft të tjerë e dëshirojnë. Porse talenti i Bashës shfaqet dukshëm në së paku tri drejtime kryesore:

Së pari, përmes zgjerimit të përfaqësisë kongresuale, ai krijon një demokraci direkte më të madhe. Duke i dhënë Kongresit më të fundit të Partisë Demokratike, më shumë probabilitete institucionale. Për më shumë rryma dhe për më shumë fraksione. Kjo e relativizon ndjeshëm autoritetin e tij personal, porse në të njëjtën kohë nënvizon një stil ndryshe dhe të ri. Kolegjialiteti merr kështu një kuptim të ri. Dhe kjo nuk është dëshmi dobësie, por besimi dhe force. Ai, Basha dhe shumëkush në PD e dinë se Kryetari i Ri, di dhe mundet të marketizojë partinë më të madhe të opozitës, më shumë dhe më mirë se kushdo tjetër. Sepse koha, kjo armike e pabesë e miteve, qofshin këto më të vlertat, e ka përzgjedhur Lulzim Bashën për të udhëhequr këtë parti. Në një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë, porse dialektikisht të mundshëm. Paradoksi me çfarë jemi mësuar, është se ish-kryetari Berisha është, ndryshe nga ç’thuhet, i vetëdijshëm për këtë.

Së dyti, Lulëzim Basha, pavarësisht polemikave e përballon mjaft mirë atë që quhet “dikotomia” në udhëheqjen politike. Pra, një pothuajse drejtim i dyzuar i Partisë Demokratike, ndërmjet tij dhe influencës dhe rolit prej protagonist të atit të tij politik, Berishës. Ish-kryetari dhe ish-kryeministri, ngjan hera-herës si një strukturë mbrojtëse, anti-ngricë apo anti-zjarr, për Bashën, padyshim përzgjedhja e tij e apasionuar. Ky rol dhe ky bashkëveprim kryhet për herë të parë në politikën shqiptare, ku atvrasja politike është ritual dominues. Natyra e frenuar e Bashës, ku ambicia politike kalon përmes ca filtrave “holandezë”, bëjnë të mundur përgënjeshtrimin e çarjes apo kundërvënies Basha-Berisha. Duke e shndërruar këtë çarje të përfolur dhe të dëshiruar nga shumëkush, në të kundërtën e vet. Sepse edhe Berisha, edhe Basha e dinë mirë që rrugëtimi opozitar do të jetë teorikisht i gjatë. Dhe kalimi real i stafetës, është edhe ajo, çështje kohe.

Së treti, Basha e di mirë që humbësit që prodhon kjo formulë, e pangjashme por derimë tash funksionuese, do të kenë kundra atë vetë dhe Berishën njëkohësisht. Dhe kjo është një aleancë e dobishme për kryetarin e ri, për të hedhur rrënjë më të thella dhe më të qëndrueshme në një parti, humbëse të zgjedhjeve më të fundit dhe ku shumë nga faktorët e humbjes mbahen me të madh dhe shpesh këndojnë si gjeli majë plehut këngë urrejtjeje për lidershipin e ri.

Idealja do të ishte që ky Kongres të prodhonte korente apo fraksione moderne, mbështetur në ambicien politike, por edhe në doktrina konkuruese alternative.

Por deri më tash, kemi vetëm një vajtje-ardhje ndërmjet dy poleve. Sa te Berisha, sa te Basha. Pa kuptuar që të dy “Polet” veprojnë në instancë të fundit si një Pol i vetëm. Disidentët potencialë, të vendosur kështu në një lloj dare, deri më tash e kanë patur të pamundur të pjellin një lider. E për pasojë, e kanë patur të pamundur të prodhojnë një “Pol” të tretë brenda Partisë Demokratike.

Prandaj edhe nga ky Kongres, ku risitë nuk mungojnë, lajme të rëndësishme dhe shpërthyese nuk se priten. Që do të thotë se strategjia Berisha-Basha është në mirëfunksionim të plotë. Të pakënaqurit ndërkohë, siç dhe thotë populli: “nuk kanë vrimë ku të futen!”.

Sepse dihet, u mungon trimëria e sakrificës politike. Ngase, përveç të tjerave, kanë edhe ankthe të pritshme që lidhen me bëma të ndryshme qeverisëse. Ngase në kështjellën e partisë është më ngrohtë dhe ka më shumë siguri. Dhe kjo, si çdo gjë, ka një çmim. Në këtë rast, vetëm reduktim të ambicieve dhe duartrokitje të zjarrta dhe hipokrite për udhëheqjen e saj.

Albanian Domain
Albanian Domain

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>