REPORTAZHI/ Një varr, dy amanete dhe zemërim për zhvarrosjen e Ibrahim Kodrës

Nga Lindita Çela

Një makinë e zezë funeralesh dhe një punonjës i ministrisë së Kulturës u shfaqën krejt papritur të enjten e kaluar në fshatin Ishëm të Durrësit, duke trazuar rutinën e banorëve të zonës. Misioni i dërgatës nga Tirana ishte zhvarrimi i eshtrave të Ibrahim Kodrës-piktori i njohur shqiptar me famë ndërkombëtare, por përpjekja u përball me rezistencën e banorëve dhe dështoi.

Ministria e Kulturës tentoi edhe dy herë të tjera të realizonte zhvarrimin, me argumentin se po përmbushte amanetin e Mjeshtrit, por banorët e Ishmit janë të vendosur që të mos i hapin rrugën zhvendosjes së eshtrave drejt Tiranës.

“Më shumë se sa vendimi për ta zhvarrosur Ibrahimin, na irritoi mënyra se si donin të vepronin. Erdhën sikur donin ta grabisnin, me një fugon e ca punonjës të komunales,” thotë në nervozitet e sipër Urim Mezini, njëri prej banorëve protestues.

Rreth 50 burra të Ishmit, protagonistët e kësaj proteste të pazakontë ngulmojnë që eshtrat e Ibrahim Kodrës duhet të qëndrojnë në kodrën e Kalasë -aty ku piktori u varros 10 vjet më parë me një ceremoni shtetërore. Ata janë të irrituar me vendimin që kërkon t’u heqë nga fshati, varrin e birit më të famshëm të Ishmit, ndërsa aludojnë për motive të errëta pas kësaj lëvizjeje.

Në anën tjetër të kësaj beteje qëndron Ministria e Kulturës dhe fondacioni “Ibrahim Kodra”, të cilët kërkojnë që eshtrat e piktorit të prehen në kodrat e liqenit Artificial në Tiranë, përkrah varreve të Faik Konicës dhe vëllezërve Frashëri. Ata kanë përcaktuar 12 shkurtin si datën e ceremonisë për rivarrimin e eshtrave të Ibrahim Kodrës në Tiranë, por plani i tyre është vënë në pikëpyetje nga protesta e banorëve.

Ibrahim Kodra konsiderohet piktori më i njohur shqiptar me famë ndërkombëtare. Ai ka lindur në Ishëm në vitin 1918, por është zhvendosur më pas në Itali, ku jetoi derisa vdiq në vitin 2006 në Milano. Pas vdekjes, trupi i Ibrahim Kodrës u varros në vendlindje, ndërsa autoritetet e kohës organizuan edhe një ceremonial zyrtar.

Amaneti i mjeshtrit u vendos në vend-u tha asokohe. Por dhjetë vjet më vonë, historia e amanetit të piktorit mori një kthesë të papritur duke shkaktuar zemërimin e banorëve të Ishmit dhe debate deri në nivelet e larta të politikës.

Takimi i papritur

Sabri Kodra, 80 vjeç, banor i Ishmit që ka lidhje të afërta gjaku me Ibrahim Kodrën tregon se ishte duke shtyrë ditët e pleqërisë në kushte të mjerueshme kur u thirr me urgjencë nga kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako në fillim të shkurtit.

“U çudita. Nuk kisha takuar kurrë një njeri kaq me pozitë,” tha Kodra për BIRN.

I moshuari tregon se planin për zhvarrosjen e eshtrave të Ibrahim Kodrës e kishte mësuar nga Dako, ndërsa kryebashkiaku i kishte kërkuar edhe një aprovim me shkrim. Sabri Kodra thotë se nuk kishte pranuar të firmoste, pasi Ibrahimi duhet të prehet i qetë në vendin e lindjes.

“Nëse duan të nderojnë, ta bëjnë. por jo ta ngrenë prej varrit,”shton Kodra.

Vangjush Dako pranon takimin me Kodrën, por shton se kjo ishte një inisiativë e tij për të marrë edhe mendimin e familjarëve për zhvendosjen e eshtrave drejt Tiranës. Kryebashkiaku i Durrësit thotë se çështja e varrit të Kodrës nuk është një projekt i bashkisë së tij, ndërsa sqaron se ai u vu në lëvizje pas një shkrese të ministrisë së Kulturës.

“Pasi u vura në dijeni për ceremoninë e varrimit në kodrat e liqenit në Tiranë, unë gjykova se do të ishte e udhës që për këtë çështje të merrnim edhe mendimin e familjarëve,” tha Dako për BIRN.

Ndryshe nga Kodra, Dako pohon se i moshuari ra dakord në tavolinë për zhvendosjen e eshtrave drejt Tiranës, por ndërroi mendje më vonë. Më pas, kryebashkiaku ka mësuar se i gjithë komuniteti i Ishmit ishte kundër vendimit të ministrisë së Kulturës.

Vetë Dako është i dyzuar kur vjen fjala për vendimin më të mirë për eshtrat e Ibrahim Kodrës. Ndërsa u jep të drejtë banorëve të Ishmit, ai përkrah gjithashtu edhe inisiativën e ministrisë për të nderuar siç duhet një figure të rëndësishme të kulturës shqiptare.

Debati mbi amanetin

Gjeneza e debatit për zhvarrimin e eshtrave të piktorit vërtitet rreth emrit të Behxhet Pacollit-politikanit kosovar që kryeson fondacionin”Ibrahim Kodra”. I njohur si një ndër miqtë e piktorit në të gjallë, Pacolli që kërkon sot zhvarrosjen, ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e 10 viteve më parë në Ishëm.

Bilal Kërtusha, banor i Ishmit kujton ceremoninë e parë, që sipas tij u bë me protokoll zyrtar dhe jo rastësisht u vendos të varrosej në vendlindje. Ai mbron idenë se amaneti i piktorit ishte varrosja në Ishëm.

“Ata i referoheshin një testamenti, që njerëzit e afërm të piktorit kishin bërë me dije në atë kohë,” thotë Kërtusha.

Por dhjetë vjet më vonë, Pacolli e quan ceremoninë e varrimit në Ishëm “një problem moskoordinimi”. Më 8 shkurt, Pacolli sqaroi përmes një postimi të gjatë në Facebook arsyet pse kishte kërkuar zhvendosjen e eshtrave të Ibrahim Kodrës nga Ishmi në Tiranë.

Ai tregon se ndodhej në shtëpinë e piktorit të madh, së bashku me një grup miqsh kur ishin njohur me vendimin e qeverisë për zhvendosjen e eshtrave nga Ishmi në drejtim të Tiranës.

“Ibrahim Kodra e ka përcjellë ligjërisht dhe me zë vullnetin e tij të fundit për t’u prehur pas vdekjes në Tiranë. Ne mësuam me kënaqësi të madhe njoftimin për vendimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur amanetin e tij,” shkruan Pacolli.

Edhe ministria e Kulturës jep si argument përmbushjen e amanetit për këtë zhvarrim të kontestueshëm. Përmes një njoftimi për shtyp, ministria sqaroi se kishte marrë një kërkesë nga fondacioni “Ibrahim Kodra” për të plotësuar vullnetin e fundit të mjeshtrit.

“Memoriali në Ishëm do të qëndrojë atje për të nderuar vendin e lindjes së Mjeshtrit. Janë të ftuar të gjithë banorët e Ishmit të nderojnë artistin,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Luan Kërtusha, administrator i Ishmit dhe ndër të parët persona në fshat që u vu në dijeni për zhvendosjen e eshtrave nuk bie dakord me ministrinë e Kulturës. Ai mendon se varri i Ibrahim Kodrës është një vlerë për zonën e tij, ndërsa pohon ekzistencën e disa projekteve për rigjallëzimin turistik të Ishmit.

Kërtusha hedh pikëpyetje gjithashtu mbi ligjshmërinë në urdhrin e zhvarrosjes, ndërsa kërkon që procedurat të bëhen në përputhje me ligjin.

“Është e vërtetë që shteti nuk ka bërë shumë për të nderuar figurën e Ibrahim Kodrës, por banorët janë kujdesuar për varrin e tij. Unë nuk besoj se po ta varrosësh atë në kodrat e Liqenit të Tiranës do të thotë se e nderon më shumë,” përfundon Kërtusha.

BIRN

Source: Kulture

Albanian Domain
Albanian Domain

You Might Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>