
Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos është njeriu më i pasur në botë, sipas renditjes së publikuar pak ditë më parë nga Forbes. Me një pasuri 131 miliardë dollarë, ai njihet si njeriu më i pasur në historinë moderne. Por, shkruan BBC, ai nuk është njeriu më i pasur i të gjitha kohërave.
Mansa Musa ishte perandor i mbretërisë së Malit në Afrikën perëndimore, në vitet e saj më të arta: 1312-1337. Ai u bë personalitet ndërkombëtarisht i njohur, në vitin 1324 (vit kur vdiq Marco Polo), kur ai bëri pelegrinazhin 3000 milje të gjatë, që zgjati nëntë muaj, drejtë Mekës, i shoqëruar nga 60 mijë hamallë në një karvan prej 80 deveve ku secila mbante 136 kilogramë ari.
“Mansa” do të thotë mbret i mbretërve apo perandor, ndërsa perandoria e Musait shtrihej nga perëndimi i Oqeanit Atlantik deri në lindje të lumit Niger. Ky territor ishte burimi më i madh i kripës dhe arit në atë kohë.
Legjenda e Mansa Musës fillon me një personalitet të zakonshëm: një sundimtar i fuqishëm i bindej mistikës, për të bërë sakrifica të jashtëzakonshme në kohë dhe thesar (shembull tjetër i dikurshëm ishin “tre dijetarët e Biblës”, apo “tre Magët”). Musa, një mysliman i devotshëm, ishte bindur nga parashikuesit që të planifikonte një udhëtim trans-saharian, që tingëllonte atëherë si një udhëtim në planet tjetër. Kjo tregon se dikur afrikanët ishin kureshtarë për botën dhe se ata udhëtonin.