Njihuni me mësuesin më të mirë në botë për vitin 2019
Një mësues matematike dhe fizike në një shkollë të mesme në një fshat të thellë të Kenias, është shpallur mësuesi më i mirë në botë për 2019-ën dhe ylli i Hollivudit, Hjug Xhekman i ka dorëzuar atij në një ceremoni në Dubai, cekun prej 1 milionë dollarësh që shoqëronte vlerësimin.
Peter Tabichi ka dhënë shumicën e të ardhurave të tij për nxënësit e varfër por tani duket se është shpërblyer. Ai jep mësim në një fshat gjysmë të braktisur në Pvani, ku thuajse një e treta e fëmijëve janë jetimë ose kanë vetëm një prind dhe ku etja dhe uria janë të kudondodhura.
Tabichi u zgjodh si mësuesi më i mirë mes 10 mijë aplikantëve për çmimin global të mësimdhënësve, pasi pavarësisht pengesave, ai i ka inkurajuar nxënësit e tij të vazhdojnë shkollimin dhe të kualifikohen për gara ndërkombëtare në shkencë e inxhinieri, si edhe të shkojnë në kolegj.
Çmimi jepet nga fondacioni Varkey çdo vit. Fituesi zgjidhet nga komisione të përbëra nga mësues, ekspertë të arsimit, gazetarë, sipërmarrës, biznesmenë dhe shkencëtarë nga e gjithë bota. Vitin e shkuar, ishte një mësuese britanike e artit, ajo që u vlerësua për punën e saj.
