Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 September 2024Main stream

Kosova pretendon se nuk është tërhequr/ Ç’po ndodh me letrën e Bërnabiçit

By: user 11
20 September 2024 at 09:03

Çështja e tërheqjes ose jo të një letre që Serbia ia ka dërguar Bashkimit Evropian lidhur me Kosovën, është mbështjellë me mister, pas deklaratave kundërthënëse të bëra së voni nga blloku evropian dhe nga autoritetet kosovare, përderisa udhëheqja serbe nuk ka bërë asnjë koment konkret.

Më 6 shtator, pas një takimi në Prishtinë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, deklaroi se Serbia e ka tërhequr letrën e kryeministres së atëhershme, Ana Bërnabiq.

Nëpërmjet kësaj letre, dërguar në Bruksel në dhjetorin e vitit 2023, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe për Aneksin e zbatimit të saj, që BE-ja i sheh si marrëveshje historike në procesin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Por, pas takimeve me Lajçakun, Bislimi tha më 17 shtator se ka kuptuar që letra, në të vërtetë, s’është tërhequr.

“Ajo që ka dashur ai të thotë në Prishtinë është se, po punohet me Serbinë që letra të tërhiqet. Letra nuk është tërhequr dhe as nuk ka kërkesë për tërheqjen e saj nga ana e Serbisë ende”, deklaroi Bislimi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se Brukseli nuk i komenton deklaratat e asnjërës palë, duke shtuar se është Serbia ajo që duhet të pyetet lidhur me veprimet e saj.

“Ne presim që palët më në fund të përqendrohen te zbatimi [i Marrëveshjes] dhe të mos humbin kohë në taktika devijuese”, tha Stano.

Burime të Radios Evropa e Lirë në BE thanë se askush në Bruksel nuk ka deklaruar se letra është tërhequr, përveç Lajçakut. Stano më herët kishte deklaruar se nuk kishte çfarë t’i shtonte asaj që kishte thënë Lajçak në kryeqytetin kosovar.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, as nuk ka mohuar, e as pohuar se shteti i tij e ka tërhequr këtë letër.

Rëndësia e letrës

Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel tha për Radion Evropa e Lirë se letra e Bërnabiqit gjithmonë ka qenë “pak e mistershme”.

Ai vlerësoi se edhe dërgimi i saj ishte i pazakontë, pasi Bërnabiq ia dorëzoi atë një zyrtari të nivelit të mesëm të Shërbimit për Veprim të Jashtëm të BE-së, gjë që, sipas tij, është edhe shkelje e protokollit.

“Duke pasur parasysh faktin se BE-ja atëbotë nuk njoftoi për këtë letër, është jashtëzakonisht e pazakonshme që tani të njoftojë për tërheqjen e saj”, vlerësoi Vogel.

Sipas tij, njoftimi për një tërheqje të tillë do të duhej të bëhej nga Qeveria e Serbisë.

“Duke njoftuar për këtë tërheqje të pretenduar, edhe nëse del të jetë e vërtetë, Lajçaku u shndërrua në zëdhënës të Qeverisë së Serbisë. Nëse asgjë tjetër, kjo e vë në pikëpyetje gjykimin politik të Lajçakut”, tha Vogel.

Nikolla Burazer nga Qendra për Politikë Bashkëkohore në Beograd tha për Radion Evropa e Lirë se BE-ja ua ka bërë të qartë palëve se duhet ta zbatojnë pa kushte Marrëveshjen, nga e cila varet edhe rruga evropiane e dy vendeve.

Për Serbinë, marrëveshja është pjesë e kapitullit 35 të kornizës negociuese për anëtarësim në BE.

Burazer vlerësoi se BE-ja “nuk e merr seriozisht” letrën e Bërnabiqit dhe rezervat e shprehura përmes saj nga Beogradi.

“Pavarësisht nëse [letra] është tërhequr apo jo, ajo në asnjë mënyrë nuk ndikon në obligimin e palëve. BE-ja e sheh [Marrëveshjen] si zotim që palët duhet ta përmbushin, nëse duan të ecin përpara në integrimin evropian”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një vit më parë vendosi tri kushte për angazhim në nivelin politik të dialogut. Një nga to ishte edhe tërheqja e letrës.

A ka interesim për normalizim?

Në letër, Bërnabiq ka thënë se Marrëveshja është e pranueshme për Serbinë vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës. Aty, po ashtu, thuhet se Beogradi nuk pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara apo në mekanizma dhe në agjenci që ekzistojnë në kuadër të OKB-së.

Për Vogelin, njoftimi i Lajçakut për një tërheqje të letrës së Bërnabiqit tregon se Perëndimi me çdo kusht po tenton të tregojë se dialogu po vazhdon.

“Ata në mënyrë të dëshpëruar duan ndonjë lajm të mirë, sikurse na e dëshmoi edhe tërheqja e pretenduar e letrës së Bërnabiqit, si dëshmi se dialogu po jep rezultate, se marrëveshjet e Brukselit/Ohrit janë të vlefshme, dhe se qasja e Perëndimit më në favor të Serbisë dhe ndëshkuese për Kosovën është duke funksionuar”, tha ai.

Si Vogel, ashtu edhe Burazer, pajtohen se Kosova dhe Serbia aktualisht nuk janë të interesuara për normalizim, por se duan që “të blejnë kohë”, para se t’i zbatojnë zotimet e procesit që nisi më 2011.

Ndërkaq, Lajçaku kishte deklaruar për REL-in se shoqëritë në Kosovë dhe Serbi nuk janë gati për normalizim.

Sa i përket të ardhmes së dialogut, Burazer nuk pret ndryshime në format dhe në qasje, kurse Vogel kërkon model të ri, në mënyrë që procesi të ketë sukses./ REL

The post Kosova pretendon se nuk është tërhequr/ Ç’po ndodh me letrën e Bërnabiçit appeared first on Lapsi.al.

Before yesterdayMain stream

Loja me letrën e Brnabiqit, u tërhoq Serbia nga Marrëveshja e Ohrit apo jo?

18 September 2024 at 21:03
Deklaratat e ndryshme në Prishtinë e Bruksel të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, rreth letrës së ish-kryeministres serbe Ana Brnabiq kundër marrëveshjes së Ohrit, po vlerësohen si njëanshmëri e pastër në favor të Serbisë. Njohës të procesit të dialogut kritikojnë diplomatin sllovak dhe tërë BE-në, duke thënë se veprime të tilla vetëm sa i largojnë palët nga njëra-tjetra.

“Kushtëzimin nga Serbia që e ka pranuar ndërmjetësi Lajçak e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësues”, tha kryeministri Albin Kurti më 14 shtator të vitit 2023.

Ky është një nga jo pak rastet kur kryeministri Kurti ka akuzuar Bashkimin Evropian për njëanshmëri në favor të Serbisë gjatë ndërmjetësimit të dialogut.

Megjithatë, qeveria e udhëhequr nga Kurti nuk e ka thënë saktësisht nëse njëanshmëri përbën edhe moskonsistenca e emisarit në dialog, Miroslav Lajçak rreth letrës së ish-kryeministres serbe Ana Brnabiq kundër marrëveshjes së Ohrit.

Para një jave kur vizitoi Prishtinën, diplomati sllovak tha se kjo letër është tërhequr mbrapsht nga Serbia.

Por pak ditë pas hollësi rreth kësaj çështje refuzoi të jap zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Situata mori kthesë të kundërt të martën, kur Bislimi deklaroi se pas takimit me Lajçakun në Bruksel, ai ia konfirmoi se Serbia nuk ke ka tërhequr letrën.

Pas kësaj deklarate, Dukagjini ka pyetur BE-në për pretendimin e Bislimit, mirëpo zëdhënësi Stano nuk ka kthyer përgjigje.

Kjo situatë, sipas profesorit në kolegjin “King’s” të Londrës Andi Hoxhaj, është haptazi njëanshmëri e BE-së në favor të Serbisë.

“Kjo është goxha shqetësuese sepse tregon që Lajçak është jo konsistent në deklaratat që ai bën dhe gjithashtu ai e ka humbur besimin në dialogun që ka kryesuar këto kohë, sepse kjo jokonsistencë që ka dhe që e prezanton, vetëm e dënon dhe deri diku i bën palët të jenë shumë herë më larg sepse nuk mund t’i besosh kur mban qëndrime të tilla”, tha Andi Hoxhaj, profesor në “King’s College London”.

Hoxhaj shpreson që ky të jetë takimi i fundit që ndërmjetëson Lajcak, dhe mandatin ta marrë udhëheqësja e re dialogut Kaja Kallas.

Vlerësim të ngjashëm ka edhe profesori tjetër në Londër, Seb Bytyçi.

“Tregon joseriozitet, tregon gjithashtu edhe njëanshmëri sepse vazhdimisht nga emisari Lajçak por edhe nga përfaqësuesi i lartë Borrell ka pasur përpjekje që të mbulohen veprimet apo sjelljet sabotuese e zvarritëse të Serbisë, ose është tentuar të shpërndahet faji te të dyja palët ose t’i lihet faji Kosovës për çfarëdo dështimi”, Seb Bytyçi, profesor në Londër.

Përmes letrës së dërguar në Bruksel gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, Serbia tërhiqet nga zbatimi i shumicës së neneve të marrëveshjes së Ohrit, specifikisht atyre që parashohin njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia. /Dukagjini/

The post Loja me letrën e Brnabiqit, u tërhoq Serbia nga Marrëveshja e Ohrit apo jo? appeared first on Telegrafi.

❌
❌