Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ambasadori Hargreaves dhe kryetari Totaj shqyrtojnë idetë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka shprehur dëshirën që niveli i bashkëpunimit ekonomik me Kosovën të rritet. Idetë për këtë çështje i ka diskutuar të mërkurën me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Pas takimit të zhvilluar në Komunën e Prizrenit, Hargreaves ka theksuar se ky qytet ka potencial për tërheqjen e investitorëve britanikë në turizëm, në sektorin e Teknologjisë Informative, por edhe në fusha tjera, raporton Telegrafi.

“Aktualisht kemi një grup të vogël të biznesmenëve britanikë që po qëndrojnë për vizitë në Kosovë. Sektorët për të cilat ata janë të interesuar më konkretisht janë TI-ja, me ide të sofistikuara për të përdorur TI-në për gjëra të ndryshme që mund të aplikohen në rajon dhe Evropë, por edhe në fushat më tradicionale si prodhimtaria, ndërtimtaria, etj. Shpresoj se mund të rrisim nivelin e tregtisë dhe investimeve ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, që për momentin janë në nivele të ulëta. Këtij grupi dhe të tjerëve do ti them që Prizreni është vend fantastik për investime”, ka thënë Hargreaves.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se sjellja eventuale e investitorëve britanikë është pozitive për imazhin e qytetit, gjithnjë duke marrë parasysh edhe peshën e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) për sektorin e TI-së, raporton Telegrafi.

“Për ato biznese që janë të interesuara për investime në Teknologjinë Informative, i propozova ambasadorit që të vijnë dhe të shkojmë bashkë në ITP, për shkak se aty ka infrastrukturë, ka kushte, lokacioni është i mirë, dhe mënyra se si udhëhiqet ITP-ja është diçka që neve na inkurajon për të ardhmen. Po qe se arrijmë të sjellim investitorë britanikë këtu, duke pasur parasysh fuqinë ekonomike por edhe reputacionin besoj që do të jetë një mesazh shumë i mirë që pastaj të vazhdojnë të vijnë edhe bizneset tjera jo vetëm nga Britania e Madhe”, ka deklaruar Totaj.

Në të njëjtën kohë, Totaj është zotuar se qeverisja lokale në kuadër të kompetencave që është e  gatshme që ta ul në minimum burokracinë për të lehtësuar ardhjen e veprimtarinë e investitorëve britanikë. /Telegrafi/

The post Ambasadori Hargreaves dhe kryetari Totaj shqyrtojnë idetë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik appeared first on Telegrafi.

❌