Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 September 2024Main stream

Hezbollahu vazhdon të jetë objektiv i shpërthimit të mjeteve të komunikimit

By: lia rda
19 September 2024 at 17:49

Një valë e re shpërthimesh, këtë herë tek radiot e dorës që përdorin anëtarët e grupit Hezbollah në Liban për të komunikuar me njeri tjetrin, ka shkaktuar të paktën 20 të vrarë dhe 450 të plagosur të mërkurën. Grupi militant fajësoi Izraelin për sulmet e së martës dhe mërkurës. Izraeli nuk ka komentuar megjithëse ekspertët në Lindjen e Mesme dhe Shtetet e Bashkuara thonë se shpërthimet e së martës, të pajisjeve të komunikimit ‘pager’, ishte vepër e agjencisë izraelite të zbulimit, Mossad. Burimet thanë se radiot e dorës ishin blerë nga Hezbollahu pesë muaj më parë, pothuajse në të njëjtën kohë që u blenë pajisjet ‘pager’. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, nga Jeruzalemi, Hezbollahu është zotuar të hakmerret për sulmet tejet të sofistikuara me pajisjet e komunikimit.

Megjithëse Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin e pajisjeve të komunikimit me mesazhe ‘pager’ të martën, mendohet gjerësisht se operacioni është kryer nga organet izraelite të zbulimit. Ekspertë izraelitë të sigurisë thonë se në pajisjet e komunikimit ishin vendosur lëndë shpërthyese para se ato t’i merrnin anëtarët e Hezbollahut.

“Për të siguruar dëmtime të kësaj shkalle nevojiten deri dy gramë eksploziv, çka nuk përbën problem teknologjik. Thjesht, duhet ta hapësh pajisjen dhe të vendosësh kartën e komunikimit dhe një lloj eksplozivi që funksionon me telekomandë. Mesazhi dërgohet nga një antenë komunikimi dhe përhapet në të gjitha pajisjet”, thotë Eyal Pinko, ish punonjës i agjencive izraelite të zbulimit.

Hezbollahu i porositi pajisjet nga kompania tajvaneze “Gold Apollo”. Një drejtues i saj tha se pajisjet ‘pager’ ishin prodhuar në fakt nga firma hungareze “BAC”.

Ish agjenti izraelit, Eyal Pinko, thotë se kërkohet shumë kohë për planifikimin e operacioneve të tilla.

“Ishte një operacion zbulimi i planifikuar shumë mirë për më shumë se një vit e gjysmë”.

Izraeli po përgatitet përballë kërcënimeve të Hezbollahut për hakmarrje, ndërsa disa kompani kanë anuluar fluturimet. Sidoqoftë, në Izrael nuk ka shenja paniku, ndërsa shkollat dhe institucionet vazhdojnë punën rregullisht.

Analistët izraelitë thonë se një konflikt i drejtpërdrejtë mes Izraelit dhe Hezbollahut mund të shndërrohet në një luftë rajonale, çka do të detyronte Izraelin të kërkonte ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Orna Mizrahi është hulumtuese në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

“Mund të përballemi me sulme nga Iraku, nga grupi Huthi, madje edhe me sulme të drejtpërdrejta nga Irani, dhe ndoshta edhe nga Siria. Kjo do të shkaktonte një konflikt në shkallë të gjerë dhe ne kemi nevojë për ndihmën amerikane”.

Zyrtarët amerikanë thanë se nuk kishin dijeni paraprake për operacionin e supozuar izraelit dhe se po përpiqen të gjejnë një rrugëdalje diplomatike nga konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Izraeli thotë se dëshiron kthimin në shtëpitë e tyre të 60 mijë banorëve të evakuuar nga zonat përgjatë kufirit me Libanin./voa

Pronat pasurojnë gjirokastritët/ Shtëpitë në disa lagje shiten deri në 800 mijë euro

By: lia rda
19 September 2024 at 15:26

Zhvillimi i turizmit dhe kërkesat e larta për të investuar, kanë rritur tepër çmimet e shtëpive në Gjirokastër.

Pranë zonës muzeale banesat karakteristike shiten nga 60 mijë deri në 800 mijë euro.

Por çmimet në rritje nuk po i pengojnë të huajt të zgjedhin qytetin e gurtë për të investuar në pasuri të patundshme.

Maurrizzio Masimo Frezza nga Italia është njëri prej tyre. Në një pjesë të shtëpisë do të jetojë vetë e në tjetrën do të presë turistë që sic beson pas hapjes se aeroportit do të jenë më të shumë në Gjirokastër.

Shtetasit italiane dhe ata polake jane me te interesuarit per të pasur një pronë në Gjirokastër por kërkesa ka pasur edhe nga shtetasit gjermane./abcnews.al

“Rritja ekonomike, optimiste”/ Banka e Shqipërisë: Do vijojë dhe në pjesën e mbetur të 2024

By: lia rda
19 September 2024 at 15:18

Ecuria ekonomike në vend vlerësohet  pozitive nga Banka e Shqipërisë.Në raportin e fundit të raportit të Stabilitetit Financiar për 6 mujorin e parë  theksohet se gjendja financiare e familjeve dhe e bizneseve është përmirësuar  dhe kjo ecuri do vijoj përgjatë vitit. Faktorët që kanë ndikuar janë investimet por edhe sektori i turizmit.

Banka e Shqipërisë vlerëson gjithashtu se kreditimi ka pasur rritje sidomos për   blerjen e pasurive të paluajtshme. Ndërsa huatë e këqia vlerësohen të qëndrueshme.

Gjashtëmujori i parë i vitit është karakterizuar nga një rënie e shpejtë e normës së inflacionit. Kjo ecuri ka reflektuar efektin e normalizimit të politikës monetare, mbiçmimin e monedhës vendase dhe rënien e inflacionit të importuar./abcnews.al

 

“U zgjova i sëmurë dhe dhashë shfaqje pa i treguar askujt”, tenori tregon fillimet në Rumani: Më ndihmuan shokët me gjuhën

By: lia rda
19 September 2024 at 10:43

Tenori nga Korça, Gjergji Mani është ndalur te një moment kritik që ka kaluar përpara një shfaqje të rëndësishme.

Ai ka zbuluar në emisionin “Pas Mesnate”, se atë ditë u zgjua i sëmurë dhe me zë të ngjirur, mirëpo me besim te Zoti nuk njoftoi askënd dhe gjithçka shkoi shumë mirë.

“Lavdi zotit mund të them që nuk më kanë tradhtuar kordat zanore, edhe pse kam qene i ngjirur me zërin, edhe kam bërë Berberin e Seviljes që është një rol shumë i vështirë për t’u luajtur dhe kur je mirë me zë, jo duke qene i ngjirur dhe unë kam dalë shumë mirë. Kam pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Nuk mund të flisja. Por kam dalë shumë mirë. As unë nuk arrij ta besoj po të rri ta mendoj tani, aq besim pata te vetja dhe te Zoti, sa nuk lajmërova që unë zgjova në mëngjes dhe jam i sëmurë. Nuk lajmërova fare. Isha me një vendosmëri, që unë do ta bëj dhe pikë”.

Më tej, Gjergji u ndal dhe te vitet kur nisi studimet në Rumani, duke thënë se në asnjë moment nuk është hasur me paragjykime. Madje, ai ka theksuar se shokët e kanë ndihmuar shumë, veçanërisht me gjuhën, përfshirë këtu dhe bashkëshorten e tij rumune.

“Nuk e kam ndjerë asnjëherë peshën e paragjykimit. Që kur fillova studimet në konservator në Universitetin e Arteve i kam ndjerë shumë pranë kolegët, më kanë ndihmuar dhe me gjuhën, sepse vështirësitë janë fillim. Shokët më kanë qendruar shumë afër dhe më kanë ndihmuar jo vetëm me gjuhën, por dhe me shumë gjëra të tjera. Një ndër këta shokë, është dhe bashkëshortja ime sot”./abcnews.al

Sindikata më e madhe në SHBA nuk do të mbështesë asnjë nga kandidatët presidencialë

By: lia rda
18 September 2024 at 22:49

Sindikata amerikane me ndikim Teamsters nuk do të mbështesë asnjë nga kandidatët në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, për herë të parë që nga viti 1996, raportoi Reuters.

“Pas rishikimit të sondazheve të mbledhura në të gjithë vendin për gjashtë muaj dhe gati një vit pas intervistave në tryezë të rrumbullakët me të gjithë kandidatët kryesorë presidencialë, sindikata nuk ka marrë një vendim për të mbështetur ish-presidentin Donald Trump ose zëvendëspresidenten Kamala Harris”, tha sindikata në një njoftim.

Teamsters është sindikata më e madhe e Amerikës, me rreth 1.3 milionë anëtarë në SHBA dhe Kanada, dhe anëtarët e të cilit janë kryesisht shoferë kamioni dhe punëtorë depoje.

Sindikata ka tradicionalisht lidhje më të mira me Partinë Demokratike, por pavarësisht kësaj, presidenti i sindikatës Sean O’Brien së fundmi e ka afruar sindikatën me Partinë Republikane dhe është presidenti i parë i sindikatës që foli në Konventën Kombëtare Republikane në korrik./abcnews.al

 

Galant: Konflikti në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë të re

By: lia rda
18 September 2024 at 22:25

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Galant tha se lufta në Lindjen e Mesme po hyn në një “fazë të re”, pas valës së dytë të shpërthimeve të pajisjeve elektronike në Liban, në të cilat u vranë pothuajse 20 njerëz dhe disa mijëra u  plagosën.

“Gjatë bisedës me personelin e Forcave Ajrore në bazën Ramat David theksova: Po hapim një fazë të re në luftë”, tha Galant.

Ai deklaroi se “qendra e gravitetit” e operacionit po ridrejtohet në veri të Izraelit, pasi forcat dhe burimet tani po grumbullohen në atë pjesë të territorit.

Më shumë se 2,000 njerëz në të gjithë Libanin, duke përfshirë anëtarë të grupit paraushtarak libanez Hezbollah dhe mjekë, u plagosën të martën kur pajisjet e përdorura nga militantët e Hezbollahut për të komunikuar shpërthyen në të gjithë vendin./abcnews.al

Yesterday — 18 September 2024Main stream

Kina thirrje Shteteve të Bashkuara të heqin dorë nga vendosja e raketave në territorin e Japonisë

By: lia rda
18 September 2024 at 21:35

Kina i bën thirrje SHBA-së që të heqë dorë nga synimi i saj për të vazhduar vendosjen e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër në territorin e Japonisë, njoftoi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Lin Jien.

I pyetur në një konferencë shtypi për të komentuar synimin e SHBA-së për të vendosur raketa në Japoni, Lin tha se SHBA ka punuar në vendosjen e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër në rajonin Azi-Paqësor vitet e fundit.

Një veprim i tillë do të intensifikojë trendin e garës së armëve, do të rrisë seriozisht tensionet në rajon, do të kërcënojë paqen dhe sigurinë rajonale dhe do të minojë ekuilibrin dhe stabilitetin strategjik global. Kina ka shprehur në mënyrë të përsëritur kundërshtimin e fortë ndaj saj”, tha Lin.

Ai theksoi se Kina propozon që është e nevojshme të ruhet paqja dhe stabiliteti rajonal dhe ndërkombëtar me veprime praktike.

“Kina do të monitorojë nga afër zhvillimin e situatës dhe do të mbrojë me vendosmëri interesat e saj të sigurisë”, përfundoi zëdhënësi./abcnews.al

Rezerva Federale ul normën e interesit, sinjal për fundin e luftës ndaj inflacionit

By: lia rda
18 September 2024 at 21:16

Rezerva Federale uli të mërkurën normën e interesit me një nivel të pazakontë prej 0,5%. Ky është një ndryshim dramatik pas gati dy vitesh nivelesh të larta të normës së interesit, për të ndihmuar për zbutjen e inflacionit. Norma e lartë e interesit e bëri gjithashtu shumë të shtrenjtë huamarrjen për konsumatorët amerikanë.

Kjo është ulja e parë e normës së interesit në mbi katër vite dhe reflekton përqëndrimin e Rezervës Federale tek forcimi i tregut të punës, që ka treguar shenja të qarta ngadalësimi. Ky vendim i marrë vetëm disa javë përpara zgjedhjeve presidenciale, mbart gjithashtu mundësinë e trazimit të panoramës ekonomike në periudhën gjatë së cilës amerikanët përgatiten të hedhin votën e tyre.

Vendimi i bankës qendrore e ul normën në 4.8%, nga niveli 5.3% që ishte niveli më i lartë rekord i dy dekadave të fundit dhe që zgjati për 14 muaj me radhë, i projektuar për të zbutur nivelin më të keq të inflacionit që pati goditur Shtetet e Bashkuara në katër dekadat e fundit. Jo larg objektivit të përcaktuar nga Rezerva Federale, inflacioni arriti në gusht në 2.5%, nga kulmi që pati arritur në mesin e vitit 2022, në 9.1%.

Drejtuesit e bankës qendrore sinjalizuan gjithashtu se mund të vendosin ta ulin sërish me 0.5% normën e interesit gjatë dy takimeve të fundit të këtij viti, që do të mbahen në nëntor dhe në dhjetor.

Megjithëse banka qendrore beson tashmë se është fituar përgjithësisht lufta ndaj inflacionit, shumë amerikanë vazhdojnë të ndihen të zhgënjyer me çmimet e larta të ushqimeve, karburantit, qirave dhe aspekteve të tjera themelore të jetesës.

Ulja e normës së interesit pritet që me kalimin e kohës të ulë kostot e huamarrjes për blerjen e shtëpive, makinave dhe marrjen e kartave të kreditit, duke forcuar kështu gjendjen financiare të amerikanëve dhe duke rritur fuqinë e tyre blerëse dhe nivelin e tyre të përgjithshëm ekonomik./voa

“Loja është bërë më keqdashëse”, Hazizaj për mandatin e Xhaçkës: Ka dy rrugë, kërkesa do ketë përsëri të njëjtën përgjigje

By: lia rda
18 September 2024 at 20:58

Avokati Sokol Hazizaj ka treguar lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka se ka dy rrugë që mund të ndiqen.

Në një lidhje me Skype për “Real Story”, ai ka thënë se sot loja është bërë më e sofistikuar dhe më keqdashëse. Mirëpo, sipas Hazizajt, kërkesa që duhet të vijë nga një grup deputetësh, përsëri do të ketë të njëjtën përgjigje, vendimmarrje politike.

“Po ta shihnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka dy kërkesa, të cilat janë pushuar prej Gjykatës Kushtetuese, sepse vendimi i parë ishte ezdaurues. Këtu është çështje e vullnetit politik. A duhet për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që Kuvendi ta çoj? Nëse duan që t’i japin kredibilitetet, të respektojnë Gjykatën Kushtetuese në kushtetutën e republikës, unë do të thosha që këta duhet ta çojnë dhe pa vendimin e Komisionit të Venecias. Nuk ka fare rendësi Komisioni i Venecias, sepse ashtu siç e rrotullon fjalën do t’ia lërë në dorë përsëri kuvendit. Kjo do të ishte rruga e parë. Për mua kuvendi duhet ta çojë.

Momenti i dytë është kërkesa për të interpretuar nenin 70. Kjo kërkesë duhet të vijë përsëri nga një grup deputetësh dhe përsëri do të ketë të njëjtën përgjigje, vendimmarrje politike. Sepse kushtetuta e ’98 nuk e ka konsideruar ashpërsinë e lojës politike në Kuvend deri në këtë farë shkalle, që të mos besoj kuvendi te produkti i vetë që është gjykata kushtetuese për të sjellë një vendimmarrje që vjen në përputhje me vetë përmbajtjen e saj. Sot loja është bërë më e sofistikuar dhe më keqdashëse”, u shpreh avokati./abcnews.al

“Çmenduri dhe guxim”, Zakharova reagon për deklaratat e Stoltenberg për linjat e kuqe me Rusinë

By: lia rda
18 September 2024 at 19:40

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, vlerësoi se deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se leja për të lëshuar sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi thellë në Rusi, nuk do të jetë një vijë e kuqe në përshkallëzimin e marrëdhënieve mes NATO-s dhe Rusisë mund të quhet “mendje e dobët dhe e guximshme”.

“Ekziston një shprehje: “çmenduri dhe guxim”. Problemi, në të vërtetë, nuk janë linjat famëkeqe të kuqe dhe linjat e tjera me ngjyra. Është çështje e sensit të shëndoshë,” tha ajo.

Ndërsa, Stoltenberg deklaroi të hënën se Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk do të bëhet pjesë e konfliktit nëse vendet e NATO-s lejojnë Ukrainën të kryejë sulme me armët e saj në territorin rus.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e quajti deklaratën për vijat e kuqe provokuese dhe të rrezikshme.

Sipas tij, “dëshira e dukshme për të mos marrë seriozisht fjalët e presidentit rus Vladimir Putin për këtë temë është një hap absolutisht dritëshkurtër dhe joprofesional”./abcnews.al

Erdogan: Izraeli po përpiqet të zgjerojë konfliktin në rajon

By: lia rda
18 September 2024 at 19:16

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Izraeli po përpiqet të zgjerojë konfliktin në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

Përpjekjet e Izraelit për të zgjeruar konfliktet në rajon janë jashtëzakonisht të rrezikshme… përpjekjet për të ndaluar agresionin izraelit do të vazhdojnë,” tha Erdogan gjatë një bisede telefonike me kryeministrin libanez Nejib Mikati, tha Zyra e Bashkëpunimit Mediatik të Presidentit turk.

Udhëheqësi turk shprehu ngushëllimet e tij për “ngjarjet e fundit në Liban, humbjen e jetës” dhe u uroi të plagosurve “shërim të shpejtë”.

Më shumë se 2,000 njerëz në të gjithë Libanin, duke përfshirë anëtarë të grupit paraushtarak libanez Hezbollah dhe mjekë, u plagosën të martën kur pejgerët e përdorur nga militantët e Hezbollahut për të komunikuar shpërthyen në të gjithë vendin.

Pejgerët që u shpërthyen ishin të modelit më të fundit dhe Hezbollahu i kishte marrë ato muajt e fundit.

Ushtria izraelite refuzoi të komentojë përfshirjen në shpërthime./abcnews.al

Shkon në 23 numri i viktimave nga përmbytjet në Evropën Qendrore dhe Lindore

By: lia rda
18 September 2024 at 17:24

Numri i viktimave nga përmbytjet e shkaktuara nga cikloni Boris, që goditi Evropën Qendrore dhe Lindore, ka shkuar në 23, pasi autoritetet çeke njoftuan vdekjen e një personi të katërt në atë vend.

Mediat çeke raportuan se viktima e fundit ishte një 70-vjeçare nga një fshat afër Jeseník, e cila u gjet 20 metra larg shtëpisë së saj, dhe në atë vend nivelet e ujit janë përgjithësisht në rënie, megjithëse lumenjtë ende regjistrojnë nivele të larta të ujit në disa pjesë të Bohemisë Jugore.

Sipas të dhënave të Reuters, shtatë persona vdiqën në Rumani, shtatë në Poloni dhe pesë në Austri.

Ministria e Mbrojtjes e Polonisë tha se më shumë se 14,000 trupa u vendosën në zonat e goditura nga përmbytjet, duke përfshirë Wronclaw, dhe forcat e armatosura po përdorin helikopterë për të evakuuar njerëzit dhe për të forcuar mbrojtjen nga përmbytjet.

Në Budapest, nivelet e ujit të Danubit pritet të arrijnë kulmin të premten ose të shtunën dhe kryeministri Viktor Orbán vizitoi fshatin Kismaros, në veri të Budapestit në bregun e Danubit, ku mbikëqyri përgatitjet për përmbytjet./abcnews.al

Blinken: Sulmet befasuese i kërcënojnë bisedimet për armëpushim në Gaza

By: lia rda
18 September 2024 at 17:01

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të mërkurën se përshkallëzimet befasuese kërcënojnë dështimin e përpjekjeve për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në Rripin e Gazës.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë duke i vlerësuar shpërthimet e pejxherëve – pajisjeve të telekomunikimit me valë – të martën në Liban, për ta cilat u akuzua Izraeli.

Ai i bëri këto komente në Egjipt, ku ndodhet për bisedime rreth negociatave për armëpushim në Gazë, si dhe për marrëdhëniet SHBA-Egjipt.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Egjiptin, janë duke punuar për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për armëpushim, gati një vit pasi shpërtheu lufta mes Izraelit dhe Hamasit.

Këto vende janë duke bërë përpjekje gjithashtu edhe për t’i ulur tensionet, pasi liderët izraelitë kanë kërcënuar me përshkallëzimin e veprimeve ushtarake kundër Hezbollahut në Liban.

“Vazhdimisht, kur SHBA-ja dhe ndërmjetësit e tjerë ndërkombëtarë besojnë se po shënojnë përparim për arritjen e marrëveshjes për armëpushim për luftën e Izraelit dhe Hamasit në Gazë, ne shohim një ngjarje që e bën përparimin edhe më të vështirë, që mund ta pengojë atë”, tha Blinken, i pyetur për shpërthimet e djeshme në Liban.

Shpërthimet e njëkohshme të pejxherëve – të përdorur nga anëtarët e Hezbollahut në Liban, i vranë 12 njerëz, përfshirë një fëmijë, të martën.

Izraeli nuk ka folur publikisht nëse është përgjegjës apo jo.

Blinkeni foli edhe për vrasjen e gjashtë pengjeve izraelite nga Hamasi në fillim të këtij muaji në Gazë.

Në kohën kur erdhi lajmi për vrasjen e gjashtë pengjeve, negociatorët kishin arritur përparim për kohën dhe hollësitë e një marrëveshjeje këmbimi, sipas të cilës do të liroheshin pengjet në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, tha Blinken.

Blinkeni i përsëriti të mërkurën komentet e administratës së SHBA-ja ende është duke mbledhur informata për rrethanat e sulmeve me pejxherë, duke mos dhënë më shumë hollësi.

Ai mbajti takime me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattaf el-Sissi dhe me ministrin e Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty./rel

Jordania: Izraeli po e shtyn Lindjen e Mesme në prag të luftës rajonale

By: lia rda
18 September 2024 at 15:54

Ministri i Jashtëm jordanez Ayman Safadi tha këtë të mërkurë se Izraeli po e shtyn të gjithë Lindjen e Mesme në prag të konfliktit rajonal duke mbajtur një përshkallëzim të rrezikshëm në disa fronte.

Ai e tha këtë pas takimit të Grupit të Kontaktit të Ministrave të vendeve islamike dhe arabe në Aman, i cili iu kushtua arritjes së armëpushimit në Gaza, raporton Reuters.

Sipas tij, paqja nuk do të mbizotërojë pa një zgjidhje që përfshin dy shtete.

Hezbollah njoftoi se numri i të vdekurve në shpërthimin e pagerit u rrit në 12 pasi tre operativë të tjerë të grupit u nënshtruan plagëve të tyre.

Burime libaneze të paidentifikuara pohojnë se shërbimi i inteligjencës izraelite Mossad vendosi një sasi të vogël eksplozivi në 5000 pagera të prodhuara në Tajvan, të porositura nga grupi libanez Hezbollah disa muaj para shpërthimeve të djeshme, njoftoi agjencia britanike.

Hezbollahu filloi të gjuante raketa dhe dronë në veri të Izraelit pas shpërthimit të konfliktit në Gaza pas një sulmi ndaj Izraelit nga grupi militant palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.

Hezbollahu ka njoftuar se do të ndalojë sulmet nëse arrihet një armëpushim në Gaza, por negociatat disamujore, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, janë në bllokim.

Izraeli i përgjigjet sulmeve të Hezbollahut duke kryer sulme ajrore kundër pozicioneve të Hezbollahut në Liban./abcnews.al

Turistë edhe në vjeshtë/ Elbasan, të huajt shfaqin interes për objektet e kultit

By: lia rda
18 September 2024 at 15:36

Elbasani vazhdon të presë turistë edhe në vjeshtë.

Të huajt, të cilët vijnë nga shtete të ndryshme, dëshirojnë të mësojnë më shumë jo vetëm për historinë por edhe trashëgiminë kulturorë.

Xhamia Mbret është një ndër objektet e kultit më të vizituara nga turistët.

Elementët e arkitekturës por edhe vjetërsia sipas myftiut te Elbasanit, Agim Duka, janë arsyet që kjo xhami tërheq turistët.

Nuk ka të dhëna të sakta por besohet se Xhamia Mbret është ndërtuar në fund të shekullit XV. Ajo ndodhet në distancë të afërt me Portën e Kalasë, ku mendohet se u ndërtua xhamia e parë në Elbasan fill pas pushtimit turk./abcnews.al

Festivali i filmit të shkurtër/ Korçë, në 5 ditë do shfaqen 45 filma nga 22 vende te ndryshme të botës

By: lia rda
18 September 2024 at 15:17

Korça mikpriti për të 11 vit Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër.

Gjatë pesë netëve do të shfaqen për herë të parë në kinemanë e qytetit 45 filma, qw vijnë nga 22 vende të botës.

Mes filmave tē cilët garojnë në kategorinë e filmave ndërkombëtarë, kombëtarë, studentorë dhe dokumentarë, janë edhe 5 produksione të kineastëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Festivali u çel me premierën e filmit Films Palestina, qe vjen si reflektim për situatën që po kalojnë disa vende qē janë në luftë.

Në natën e fundit të Festivalit juria do të vlerësojë filmat më të mire sipas kategorive respektive.

Sondazh: Shumica e vendasve do të votonin sërish për të mbajtur Skocinë në MB

By: lia rda
17 September 2024 at 22:56

Shumica e skocezëve do të votonin sërish që Skocia të mbetet në Mbretërinë e Bashkuar, sipas një sondazhi të publikuar këtë të martë, dhjetë vjet pas referendumit të pavarësisë.

Më 18 shtator 2014, Skocia votoi 55% kundër propozimit të pavarësisë. Më pak se 45% votuan pro.

Një dekadë më vonë, tendenca mbetet e njëjtë, sipas anketuesit YouGov: nga të anketuarit që shprehën një opinion për këtë çështje, 56% do të votonin për të mbajtur status quo-në, krahasuar me 44% që mbështesin pavarësinë.

Rreth 8% e të anketuarve thanë se “nuk e dinë” se si do të votonin nëse një referendum do të mbahej sot.

Rezultati i vitit 2014 ishte një goditje e rëndë për aspiratat e Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) pro-pavarësisë. Dy vjet më vonë, referendumi i Brexit e solli përsëri çështjen në plan të parë, pasi shumica e skocezëve kundërshtuan daljen nga Bashkimi Evropian, Nicola Sturgeon, asokohe kryeministre skoceze dhe udhëheqëse e SNP-së, bëri thirrje për një referendum të ri me argumentin se Brexit ndryshoi faktet.

Lufta për pavarësi, megjithatë, duket se ka arritur në një ngërç. Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar hodhi poshtë në vitin 2022 synimin e Edinburgut për të mbajtur një referendum të ri pa pëlqimin e Londrës. SNP, e udhëhequr tani nga John Sweeney, është kritikuar për vendosjen e tepërt të peshës ndaj pavarësisë në vend që të merret me problemet e përditshme të qytetarëve, si shëndetësia dhe arsimi. SNP pësoi një goditje tjetër në zgjedhjet e përgjithshme të korrikut, pasi zgjodhi vetëm 9 deputetë nga 48 që kishte në Dhomën e Përgjithshme të Komunave.

Sipas sondazhit, votuesit e rinj do të mbështesin pavarësinë, ndërsa vetëm 27% e mbi 65-vjeçëve janë pro. Megjithatë, shumica (70%) nuk duan një referendum të ri brenda 12 muajve të ardhshëm. Pothuajse një në tre (37%) do të donte që një referendum të mbahet brenda pesë viteve të ardhshme dhe 43% brenda dekadës së ardhshme./abcnews.al

❌
❌