Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Izolimi i COVID-19 ka plakur trurin e adoleshentëve para kohe

By: Ela
18 September 2024 at 15:20

Hulumtimet e reja sugjerojnë se izolimet e COVID-19 përshpejtuan plakjen e trurit tek adoleshentët, veçanërisht duke prekur vajzat më shumë se djemtë. Studimi, i publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS), zbuloi se masat kufizuese gjatë pandemisë, si mbyllja e shkollave dhe reduktimi i ndërveprimeve sociale, përshpejtuan plakjen e trurit me një […]

The post Izolimi i COVID-19 ka plakur trurin e adoleshentëve para kohe appeared first on BoldNews.al.

Koreja e Jugut nuk nisi hetimet për nanoteknologjinë në vaksina

17 September 2024 at 14:04

Pretendimi: Koreja e Jugut ka nisur hetimet për nanoteknologjinë e gjetur në miliarda vaksina mRNA.

Verdikti: E paprovuar


Një artikull i portalit mast.al pretendon se Korea e Jugut ka nisur hetimet për “nanoknologjinë ‘gjenocide’ të mRNA-së të gjetur në miliarda vaksina” anti-Covid.

Në brendinë e tij, artikulli nuk jep asnjë referencë apo burim. Ai nuk jep titullin e ndonjë studimi apo ndonjë shkencëtari, duke përdorur thjesht termin “shkencëtarët më me zë koreanë”.

Artikulli pretendon se “shkencëtarët koreanë zbuluan se flakonët e vaksinës mRNA që i përkasin Moderna dhe Pfizer-BioNTech përmbajnë këto nanogrimca vetëmontuese.”

Termi “nanogrimca vetëmontuese” është përdorur më parë nga konspiracionistët anti-vaksinë referuar një studimi me titull “Vetë-montimi në kohë reale i strukturave artificiale të dukshme stereomikroskopike në kampionë të inkubuar të produkteve të mRNA kryesisht nga Pfizer dhe Moderna: Një Studim Gjithëpërfshirës Afatgjatë,” botuar në korrik 2024 në botimin Revista Ndërkombëtare e Teorisë, Praktikës, dhe Hulumtimit të Vaksinave (IJVTPR).

Ky studim, megjithatë, nuk është kryer nga “shkencëtarët më me zë koreanë”, por nga një një gjinekologe nga Korea e Jugut dhe një profesor gjuhësie nga Japonia. Asnjëri prej tyre nuk është ekspert mikrobiologjie apo vaksinash.

Vlen të përmendet se revista IJVTPR është një revistë që doli gjatë pandemisë Covid-19 dhe që nga numri i parë ka botuar artikuj kritikë ndaj vaksinave që po zhvilloheshin kundër Covid-19. Përveç kësaj, bordi i saj editorial përbëhet nga profesionistë të letërsisë, filozofisë, gjuhësisë dhe drejtësisë, ndër të tjera, pra jo specialistë të imunologjisë.

Ekspertë të sëmundje infektive kanë shprehur skepticizëm lidhur me këtë studim. 

Dr. James Lawler nga Divizioni i Sëmundjeve Infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskës tha për Lead Stories se IJVTPR, ku u botua studimi “nuk është revistë e vërtetë.”

“Studimi … duhet të bëhet rast studimor se si të dallojmë dezinformimin. Përmbajtja është dërdëllitje shkencore pa bazë në biologjinë reale apo metodën shkencore. Për të qenë i sinqertë, është një dërdëllitje relativisht amatore, që një person i arsyeshëm me një arsim biologjik të nivelit të shkollës së mesme duhet të jetë në gjendje ta përgënjeshtrojë lehtësisht. 

Seksionet e metodave dhe rezultateve janë të gjera, duke pasqyruar një praktikë të zakonshme në dezinformim dhe propagandë për të trullosur lexuesit me një vëllim të madh proze që tingëllon si shkencore. Por, siç e përmenda, cilësia e përgjithshme është amatore. Nuk sheh çdo ditë vizatime me ngjyra dhjami në një revistë shkencore,” tha Lawler.

Vizatimi në fjalë

Ai theksoi dhe tregues të tjerë që studimi është “propagandë e sajuar”

“Këto përfshijnë faktin se ‘International Journal of Vaccine Theory, Practice, and Research’ nuk është një revistë e vërtetë. Një kërkim i shpejtë në databazën e Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë së ShBA konfirmon se kjo revistë nuk është e kataloguar në revistat shkencore të rishikuara nga kolegët.

Treguesi i dytë është se autorët nuk duket se kanë ndonjë ekspertizë legjitime në këtë fushë. Njëri është një gjinekologe që duket se ka klinikën e saj në Kore, gjë që vështirë se është kualifikim për të qenë ekspert në vaksina, toksikologji ose ‘nanobotë’ (çfarëdo janë ato).

Autori tjetër është një ‘profesor i gjuhësisë së aplikuar’ në Okinawa Christian University. Përsëri, vështirë të kuptohet se si kjo i jep atij ndonjë ekspertizë të aplikueshme. Një vizitë e shpejtë në faqen e internetit të këtij universiteti konfirmon se ata nuk kanë asnjë departament në shkencat e jetës, ose ndonjë shkencë tjetër.

[…]

Struktura e eksperimentit (e përdor këtë term lehtësisht) të diskutuar në studim nuk është shkencërisht e shëndoshë dhe është sinqerisht e çuditshme.

Materialet që ata përshkruajnë se përdorën në ‘eksperimentet’ e tyre përfshijnë birrën soju (një pije e distiluar koreane), spermë dhe një karikues celulari pa tela. Nuk po gënjej.

Ndërsa kjo tingëllon si një natë e çmendur në Seoul, nuk tingëllon vërtet si shkencë e mirë. Sepse nuk është.”

Dr. William Schaffner, profesor i mjekësisë në divizionin e sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt tha se studimi “është shkruar në një mënyrë disi informale, në një revistë jo shumë të spikatur. Nëse ky do të ishte vërtet një zbulim revolucionar i vërtetuar nga të tjerë, virologë molekularë, për shembull… Unë mendoj se do të botohej në një revistë të zakonshme. Kështu që unë jam shumë skeptik.”

Ai theksoi se vendet në mbarë botën kanë sisteme të mbikëqyrjes së sigurisë së vaksinave që mbulojnë miliarda njerëz dhe do të sinjalizonin nëse diçka si “nanorobotët” po gjeheshin tek njerëzit: “Nuk ka patur asnjë shqetësim sigurie në lidhje me, po vendos thonjëza, ‘nanobotët’ në vaksina. Dhe sigurisht, Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe agjenci homologe në vende të tjera nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë se të ashtuquajturit ‘nanobotë’ gjenden ose tek njerëzit ose tek vaksinat mRNA.”
Lawler përfundoi duke thënë se “nuk ka nanobotë apo aditivë të tjerë dashakeqë dhe misterioz në vaksinat anti-Covid të miratuara nga FDA. Kontrolli i cilësisë, kriteret e dokumentacionit dhe kriteret e vlerësimit të pavarur laboratorik të FDA janë më të rreptat në botë. Vaksinat tona kundër Covid-19 kanë profile të shkëlqyera sigurie, u janë administruar miliarda njerëzve në mbarë globin dhe kanë shpëtuar dhjetëra miliona jetë. Ne duhet të festojmë arritjen e mahnitshme në shkencën amerikane që ato përfaqësojnë.”

The post Koreja e Jugut nuk nisi hetimet për nanoteknologjinë në vaksina appeared first on Faktoje.al.

Varianti i ri i Covid që do përhapet me shpejtësi në vjeshtë

By: Ela
15 September 2024 at 09:31

Vjeshta është afër. Që nga prilli 2024, numri i rasteve me Covid është rritur në shumë vende. Kohët e fundit, varianti KP.2 u konsiderua si varianti që përhapet me shpejtësi. Tani është varianti i ri KP.3.1.1 që tregon për një valë që po afrohet. Sipas ekspertëve, thuhet se është edhe më infektues se paraardhësit e […]

The post Varianti i ri i Covid që do përhapet me shpejtësi në vjeshtë appeared first on BoldNews.al.

AstraZeneca publikoi rrezikun nga efektet anësore në vaksina

2 September 2024 at 12:34

Pretendimi: AstraZeneca pranon për herë të parë se vaksinat e saj kanë shkaktuar efektin e rëndë anësor

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————-

Lajmi se kompania farmaceutike AstraZeneca ka pranuar “për herë të parë” se vaksinat anti-Covid të prodhuara prej saj mund të shkaktojnë efekte anësore, specifikisht mpiksje gjaku, po qarkullon sërish në rrjete sociale.

Artikulli i referohet një padie kolektive në Britani kundër kompanisë farmaceutike, sipas së cilës vaksina Vaxveria shkaktoi sëmundje të rënda dhe vdekje në dhjetëra raste. 

Në një letër dërguar avokatëve të njërit prej paditësve në maj 2023 Astrazeneca kishte deklaruar se “nuk e pranojmë që tromboza me trombocitopeni (TTS) shkaktohet nga vaksina në një nivel të përgjithshëm.” Megjithatë, në një dokument ligjor depozituar pranë Gjykatës së Lartë britanike në shkurt 2024, Astrazeneca deklaroi: “është pranuar se vaksina AZ mund, në raste shumë të rralla, të shkaktojë TTS. Mekanizmi shkaktues nuk njihet. Më tej, TTS mund të ndodhë edhe në mungesën e vaksinës AZ (apo çfarëdo vaksine). Shkaktimi në çdo rast individual do të jetë çështje evidentimi nga ekspertët.”

Kështu, duket se Astrazeneca ka mohuar një lidhje shkak-pasojë mes vaksinës dhe TTS në komunikimin me avokatët e një paditësi, por në çastin kur ky mohim do të përbënte një deklaratë ligjore, kompania ka pranuar në gjykatë një lidhje të mundshme.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Astrazeneca e pranon këtë rrezik të mundshëm të vaksinës.

Në një fletëpalosje me të dhënat e produktit që shoqëron vaksinën e Astrazeneca nga prilli 2021, deklarohet se “një kombinim shumë i rrallë dhe serioz i trombozës dhe trombocitopenisë, në disa raste i shoqëruar me gjakderdhje, është vërrejtur pas vaksinimit me vaksinën COVID-19 (ChAdOx1-S [rekombinante]) [Vaksina CoVID-19 AstraZeneca] gjatë përdorimit pas autorizimit.”

mars 2021, Agjencia Europiane e Barnave (EMA), pasi shqyrtoi praninë e mpiksjeve të gjakut tek personat e vaksinuar me Astrazeneca, njoftoi se “vaksina mund të jetë e lidhur me raste shumë të rralla mpiksjesh gjaku të lidhura me trombocitopeninë”. 

Në shtator 2021 Astrazeneca lëshoi një deklaratë për shtyp ku pranonte se “raste të trombozës me trombocitopeni (TTS) janë raportuar në një numër të vogël njerëzish. Diagnostikimi i hershëm lejon trajtim të përshtatshëm për këto raste dhe nuk ka rritje të rrezikut për TTS në dozën e dytë, krahasuar me nivelet e pritura në popullatën e përgjithshme.”

Kështu, ekzistenca e këtij efekti të rrallë anësor ka qenë informacion publik që në 2021, dhe është pranuar nga agjencitë shëndetësore dhe vetë Astrazeneca që në atë kohë.

The post AstraZeneca publikoi rrezikun nga efektet anësore në vaksina appeared first on Faktoje.al.

Qeveria japoneze nuk kërkoi falje për vaksinimin anti-Covid

26 August 2024 at 10:11

Pretendimi: Qeveria japoneze u kërkoi falje qytetarëve të saj për pasojat katastrofike të vaksinave kundër Covid-19.

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————-

Në rrjetet sociale po qarkullon pretendimi se qeveria japoneze u ka kërkuar falje qytetarëve, duke pranuar se “dhënia e vaksinave për COVID-19 ka sjellë pasoja të paparashikueshme dhe katastrofike.”

Artikulli i mësipërm i referohet një deklarate nga “Kazuhiro Haraguchi, ish-ministri i Brendshëm i Japonisë”, i cili “kërkoi falje për cunamin e vdekjeve që ndodhën në mesin e popullsisë së vaksinuar, duke thënë ‘Ju kërkoj falje të gjithëve. Kaq shumë kanë vdekur dhe nuk duhet të kishin ikur’.”

Në fakt, Kazuhiro Haraguchi është pjesëtar i Partisë Kushtetuese Demokratike të Japonisë, partia kryesore opozitare e vendit. Ai ka shërbyer si Ministër i Brendshëm në 2009. Tani, ai nuk mban ndonjë pozicion ekzekutiv dhe nuk ka qenë pjesë e qeverisë gjatë pandemisë Covid-19, sipas biografisë në faqen e tij zyrtare. 

Ai nuk mban ndonjë post drejtues në parti, nuk është pjesë e qeverisë dhe nuk ka pasur asnjë përfshirje në masat për të luftuar pandeminë Covid-19 në vend.

Si rrjedhim, deklaratat e tij nuk pasqyrojnë dhe nuk mund të përshkruhen si pozicioni zyrtar i qeverisë japoneze. Në fakt, Japonia vazhdon të rekomandojë vaksinimin kundër Covid-19.

The post Qeveria japoneze nuk kërkoi falje për vaksinimin anti-Covid appeared first on Faktoje.al.

Shumë pikëpyetje mbi studimin që konfirmon nanorobotët në vaksina

21 August 2024 at 16:06

Pretendimi: Një studim nga Korea e Jugut ka gjetur se vaksinat janë kontaminuar qëllimisht me nanorobotë.

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————-

Në rrjetet sociale po qarkullon lajmi se një studim që vjen nga Korea e Jugut ka konfirmuar praninë e strukturave nanoteknologjike tek vaksinat Pfizer dhe Moderna. Postimi në Facebook-un personal të ish-shefit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Edvin Prifti, është publikuar më tej edhe nga një portal shqiptar.

Studimi në fjalë mban titullin “Vetë-montimi në kohë reale i strukturave artificiale të dukshme stereomikroskopike në kampionë të inkubuar të produkteve të mRNA kryesisht nga Pfizer dhe Moderna: Një Studim Gjithëpërfshirës Afatgjatë,” dhe është botuar në korrik 2024 në botimin Revista Ndërkombëtare e Teorisë, Praktikës, dhe Hulumtimit të Vaksinave (IJVTPR).

Studimi nuk i është nënshtruar procesit të rishikimit nga kolegët (peer review), i cili është një element kyç i çdo studimi shkencor.

Më tej, dy autorët e studimit janë një gjinekologe nga Korea e Jugut dhe një profesor gjuhësie nga Japonia. Asnjëri prej tyre nuk është ekspert mikrobiologjie apo vaksinash.

Vlen të përmendet se revista IJVTPR është një revistë që doli gjatë pandemisë Covid-19 dhe që nga numri i parë ka botuar artikuj kritikë ndaj vaksinave që po zhvilloheshin kundër Covid-19. Përveç kësaj, bordi i saj editorial përbëhet nga profesionistë të letërsisë, filozofisë, gjuhësisë dhe drejtësisë, ndër të tjera, pra jo specialistë të imunologjisë.

Mungesa e ekspertizës së autorëve dhe redaktorëve mund të ketë shkaktuar difektet metodologjike të studimit.

Sipas studimit, kampionet e vëzhguara nga autorët u inkubuan për muaj deri në një vit. Studimi nuk përshkruan ndonjë masë të marrë për të parandaluar zhvillimin e baktereve apo kërpudhave gjatë kësaj kohe, si antibiotikë apo fungicid. Kjo është një procedurë standarde e rritjes së kulturave qelizore.

Struktura e mësipërme është fotografuar në një substancë të lëngshme pas në ditën e 316 të inkubimit në temperaturë dhome. Natyrisht, shpjegimi më i logjikshëm për to është se janë nano-robotë, jo kontaminim mykotik apo kristale kolesteroli, sheqeri apo kripe.

Autorët, bazuar vetëm në vëzhgimin nën stereomikroskop, dalin në përfundimin se vaksinat përmbajnë “komponentë të inxhineruar”. Duke përdorur terminologji jo shkencore, konfuzuese dhe për lexuesin me eksperiencë shkencore, autorët i referohen vaksinave si “platforma të injektueshme mRNA të modifikuar”. Si përfundim, duke mos habitur askënd, ata bëjnë thirrje për “një ndalim të menjëhershëm global” të vaksinave.

Nëse një gjinekologe dhe një gjuhëtar kanë arritur vërtet të gjejnë nano-robotë në vaksina vetëm me anën e një stereomikroskopi, atëherë rezultatet e këtij studimi duhet të jenë lehtësisht të përsëritshëm nga shkencëtarë të fushës me mjete edhe më të specializuara.

Deri atëherë, ky studim nuk mund të përdoret si provë e ekzistencës së qëllimshme të nanobotëve në vaksina.

The post Shumë pikëpyetje mbi studimin që konfirmon nanorobotët në vaksina appeared first on Faktoje.al.

Shuarja e CEO së Youtube jo e lidhur me vaksinat anti-Covid

19 August 2024 at 13:39

Pretendimi: Ish-CEO i Youtube vdiq nga kanceri i shkaktuar nga vaksinat anti-Covid

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————–

Grupet anti-vaksinë në rrjet mbeten të vendosur të lidhin çdo vdekje të bujshme me të ashtuquajturën “vraksinë” anti-Covid. Rasti më i fundit është vdekja e ish-kreut të Youtube Susan Wojcicki, për të cilën aludohet se ishte prekur nga ‘kanceri turbo’, një term që sugjeron tumore me rritje të shpejtë, i shpikur nga skeptikët e vaksinave, si pasojë e vaksinimit kundër Covid-19.

Në të vërtetë,Wojcicki ndërroi jetë më 9 gusht 2024, në moshën 56 vjeçare. Sipas një postimi në Facebook të të shoqit, ajo vdiq “pas 2 vitesh duke jetuar me NSCLC [një lloj kanceri mushkërie].”

NSCLC është lloji më i përhapur i kancerit në mushkëri, duke përbërë 85% të gjithë diagnozave me kancer mushkërie në vit, i hasur kryesisht te duhanpirësit dhe i pamundur për t’u konstatuar paraprakisht nga kontrollet shëndetësore. Kjo e bën atë edhe më të vështirë për t’u trajtuar dhe fatal. 

Përveç pretendimeve të paprovuara të konspiracionistëve, nuk ka asnjë tregues se vdekja e Wojcicki kishte lidhje në ndonjë mënyrë me vaksinën anti-Covid.

Sipas koordinatorit të Konsorciumit të Covid-19 dhe Kancerit, një regjistër përkushtuar mbledhjes së të dhënave mbi personat me kancer dhe Covid-19, “që nga fillimi i vaksinimit, nuk ka prova që vaksinat anti-Covid shkaktojnë kancerin, shkaktojnë rishfaqje të kancerit, apo shkaktojnë përkeqësimin e sëmundjes.”

I njejti pohim u përsërit edhe nga një zëdhënës nga Projekti i Njohurisë së Vaksinave në Universitetin e Oksfordit, i cili tha për Reuters se nuk është gjetur një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe kancerit.

Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe një numër organizatash me fokus kancerin këshillojnë që pacientët me kancer të vaksinohen kundër Covid-19.

The post Shuarja e CEO së Youtube jo e lidhur me vaksinat anti-Covid appeared first on Faktoje.al.

Rrëzimi i avionit në Brazil nuk eleminoi mjekët kundër vaksinave

15 August 2024 at 12:46

Pretendimi: Në avionin që u rrëzua në Brazil ndodheshin 8 doktorë onkologë, të cilët po merreshin me lidhjet midis vaksinës dhe kancerit

Verdikti: E paprovuar

——————————————-

Rrëzimi i fluturimit Voepass 2283 në Brazil më 9 gusht 2024, i cili vrau 62 persona, po përdoret nga konspiracionistët në rrjet për të shpërndarë narrativa antivaksinim.

Një nga pretendimët që po qarkullon në këto rrjete është se doktorët që po udhëtonin në këtë avion ishin onkologë, që po studionin lidhjet mes vaksinave dhe kancerit.

Si zakonisht, pretendimi nuk shoqërohet me asnjë provë, dhe e vetmja referencë është një artikull në gjuhën portugeze, i cili është përkthim i një artikulli të botuar në portalin amerikan The People’s Voice, më parë i quajtur NewsPunch. Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit. Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë lajme të rreme që e kanë zanafillën tek ky portal.

Artikulli i The People’s Voice pretendon se “mjekët ishin rrugës për një konferencë ndërkombëtare në Sao Paolo ku do të prezantonin gjetjet e tyre se vaksinat mRNA dhe Covid-19 janë përgjegjëse për shpërthimin e turbo kancereve dhe sëmundjeve autoimune që po bëjnë kërdinë në mbarë botën sot.”

Pretendime të tilla të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme. Artikulli nuk ofron asnjë provë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Ky pretendim nuk shoqërohet nga ndonjë detaj mbështetës si për shembull emri i konferencës, titulli i studimit që pretendohet se do prezantohej, apo as emrat e mjekëve në fjalë. Sa i përket burimit të këtij pretendimi, artikulli i referohet vetëm si “një koleg.”

Në të vërtetë, 8 nga 62 personat në bord që humbën jetën ishin mjekë. Sipas një deklarate nga Këshilli Mjekësor i Parana, të paktën dy prej tyre ishin duke udhëtuar drejt një konference onkologjie.

Artikulli identifikon gjithashtu si një nga viktimat radiologun Leonel Ferreira. Megjithatë, ky është lajm i rremë. Në listën e viktimave të publikuar nga Voepass nuk përfshihet Ferreira. Më 12 gusht, vetë Ferreira tha për Reuters se ai nuk ishte në avionin që u rrëzua.

Pretendimi se këta mjekë do të ekspozonin lidhjen mes vaksinave dhe kancerit, duket se është një shpikje e konspiracionistëve anti-vaksinë që i është bashkëngjitur një tragjedie të vërtetë për t’i dhënë besueshmëri një pretendimi të pabazë.

The post Rrëzimi i avionit në Brazil nuk eleminoi mjekët kundër vaksinave appeared first on Faktoje.al.

Magneti i lëngshëm asnjë lidhje me grafenin në vaksina

12 August 2024 at 13:58

Pretendimi: Kjo video tregon oksidin e grafenit në vaksinat anti-Covid

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale duket se tregon një masë të zezë magnetike. Konspiracionistët anti-vaksinë po pretendojnë se video tregon “oksidin e grafenit” në vaksinat anti-Covid.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale nga është shkëputur ky klip.

Ajo është botuar në Youtube më 7 nëntor 2016, përpara se jo vetëm vaksinat anti-Covid, por edhe vetë Covid-19 të ekzistonin.

Më tej, video është një udhëzues që tregon si të bësh vetë “llucë magnetike”. Në listën e përbërësve që shënohen në përshkrimin e videos nuk përfshihet ndonjë lloj grafeni.

Përbërësit e llucës magnetike: vinovil, ujë, oksid hekuri, niseshte e lëngshme, magnet neodimiumi

Ekziston gjithashtu edhe një variant i magnetit të lëngshëm që shitet online si lojë për fëmijët. 
Sa i përket grafenit të pretenduar në vaksinat anti-Covid, Faktoje e ka përgënjeshtruar këtë pretendim edhe më parë.

The post Magneti i lëngshëm asnjë lidhje me grafenin në vaksina appeared first on Faktoje.al.

E paprovuar gjetja e virusit kancerogjen në vaksinat anti-Covid

15 July 2024 at 09:59

Pretendimi: Rastet e kancerit po rriten për shkak të një virusi të gjetur në vaksinat anti-Covid.

Verdikti: E paprovuar

————————————————

Një artikull i portalit Mjekësia Bimore Arabe pretendon se rastet e kancerit po rriten për shkak të vaksinave anti-Covid.

Megjithatë, në brendësi të artikullit nuk jepet asnjë shifër, statistikë apo provë tjetër për ta mbështetur këtë pretendim.

Në vend të tyre, shpjegohet se një mikrobiolog me emrin Kevin McKernan ka zbuluar “praninë e promotorëve të virusit Simian (SV40) në vaksinën mRNA të Pfizer.” Artikulli shton se SV40 u zbulua të ishte kancerogjen për kafshët në 1961.

Edhe nëse merren të mirëqena si të vërteta, këto dy pretendime, edhe të marra bashkë, nuk provojnë apo tregojnë se rastet e kancerit po rriten si pasojë e vaksinës anti-Covid.

Vlen të përmendet se Kevin McKernan, së bashku me tre autorë të tjerë, botuan në 2023 një studim të pa-rishikuar nga kolegët, ku dolën në përfundimin se kishin gjetur një sekuencë gjenesh me origjinë nga virusi simian SV40 në vaksinën anti-Covid të Pfizer.

Megjithatë, sic shpjegojnë dhe vetë autorët, një nga kufizimet më domethënëse të këtij ‘studimi’ është se flakonet e testuar ishin me “prejardhje të panjohur”. Sipas autorëve, flakonët u ishin dërguar “në mënyrë anonime me postë dhe pa paketim të ftohtë”, por ishin “të pahapur.” 

Kjo “prejardhje e panjohur” e flakonëve të testuar minon premisën më themelore të studimit, se flakonët në fjalë janë vërtet vaksina mRNA anti-Covid.

Më tej, edhe nëse marrim të mirëqenë që flakonët kanë qenë vërtet vaksina anti-Covid, nuk ka prova se SV40 shkakton kancer tek njerëzit. 

SV40 është një virus që shfaqet edhe tek majmunët edhe tek njerëzit dhe është provuar të shkaktojë kancer tek disa kafshë.

Në vitet 1955-1963, llogaritet se 10-30% e vaksinave të poliomelitit në ShBA ishin kontaminuar me virusin SV40. Një numër studimesh epidemiologjike të mëpasshme kanë studiur popullatën që mori vaksinën e poliomelitit gjatë kësaj periudhe. Ato nuk gjetën ndonjë rrezik të shtuar të kancerit tek këto persona.

Gjithsesi, McKernan pretendon të ketë gjetur vetëm një pjesë të SV40 në flakonet e tij misteriozë, ndërsa rreziku i kancerit, edhe vetëm tek kafshët, lidhet me virusin e plotë. Vetë McKernan tha për Associated Press se “nuk është e njejta gjë si të gjesh të gjithë virusin SV40 në vaksinë.”

The post E paprovuar gjetja e virusit kancerogjen në vaksinat anti-Covid appeared first on Faktoje.al.

Aksidenti me makinë dhe jo vaksina anti-Covid vrau yllin e futbollit amerikan

8 July 2024 at 13:28

Pretendimi: Futbollisti amerikan Khyree Jackson vdiq si pasojë e vaksinës anti-Covid.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————-

Konspiracionistët mbeten të vendosur ta lidhin çdo vdekje të bujshme me vaksinën anti-Covid edhe kur kanë kaluar më shumë se 3 vite nga fushatat e vaksinimit. Më së fundmi, vdekja tragjike e futbollistit amerikan Khyree Jackson po insinuohet se është shkaktuar nga vaksinimi anti-Covid.

Si zakonisht, këto pretendime nuk shoqërohen me asnjë provë apo referencë.

Në fakt, vdekja tragjike e 24-vjeçarit Khyree Jackson, i cili i ishte bashkuar ekipit Minesotta Vikings dy muaj më parë, erdhi si pasojë e një aksidenti me makinë.

Sipas policisë së Maryland, Jackson dhe dy miq të tij, një 23-vjeçar dhe një 24-vjeçar, mbetën të vdekur në aksidentin e shkaktuar kur një makinë tjetër që po tentonte të ndryshonte korsinë me shpejtësi të lartë goditi mjetin e tyre. Ky i fundit doli nga rruga dhe u përplas me disa trungje pemësh. Hetuesit mendojnë se alkoli mund të ketë patur gjithashtu rol në aksident.

Kështu, Khyree Jackson nuk u vra nga vaksina anti-Covid, por nga një aksident rrugor.

The post Aksidenti me makinë dhe jo vaksina anti-Covid vrau yllin e futbollit amerikan appeared first on Faktoje.al.

I pasaktë pretendimi se vaksina anti-Covid rriti shanset e vdekjeve me 73.9 %

5 July 2024 at 10:27

Pretendimi: Vaksina kundër Covid-19 kontribuoi në 73.9% të vdekjeve pas vaksinimit

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se një studim i botuar në korrik 2024 ka treguar se vaksina anti-Covid ka kontribuar në 73.9% të vdekjeve pas vaksinimit.

‘Studimi’ në fjalë mban titullin “Një rishikim sistematik i gjetjeve të autopsive në vdekjet pas vaksinimit Covid-19” dhe analizon raportet nga autopsitë e njerëzve të vaksinuar kundër Covid-19, duke dalë në përfundimin se 73.9% e këtyre vdekjeve ishin “shkaktuar direkt ose kanë patur kontribut domethënës nga vaksinimi Covid-19.”

Një rishikim është një artikull shkencor që përzgjedh, vlerëson dhe përmbledh studime të tjera klinike dhe jep një vështrim të përgjithshëm mbi një temë të caktuar por, ndryshe nga një studim hulumtues, nuk bën zbulime të reja pasi nuk ka të dhëna të reja për t’i treguar komunitetit shkencor. Megjithatë, ai mund të argumentojë dhe të propozojë hetime të mëtejshme për një temë specifike kërkimore. Siç lexohet edhe në përfundimet e rishikimit në fjalë autorët thonë se “duhen hetime të mëtejshme urgjente për të sqaruar rezultatet tona”.

Lista e autorëve përfshin një numër personash që njihen për shpërndarjen e dezinformimit lidhur me Covid-19 dhe vaksinimin, si  Harvey Risch, Roger Hodkinson, dhe William Makis. Një prej tyre është kardiologu Peter McCullough, pretendimet e rreme të së cilit mbi vaksinimin anti-Covid bënë që Bordi Amerikan i Mjekësisë së Brendshme të rekomandonte heqjen e licensës së tij në 2022.

Dr. Peter McCullough ende rekomandon trajtimin e pacientëve me COVID-19 me Hidroksilklorinë dhe Ivermectin, edhe pse të dyja janë treguar se nuk funksionojnë kundër sëmundjes. Ai gjithashtu promovon dhe shet produkte të “detoksifikimit të proteinave thumb” për njerëzit që janë vaksinuar, pavarësisht se nuk ka prova që njerëzit e vaksinuar kanë nevojë për ndonjë detoksifikim të tillë.

Vlen të përmendet se 6 nga 9 autorët kanë lidhje me kompaninë The Wellness Company, ku McCullough është lider shkencor. Kompania shet suplemente që pretendohet se mbrojnë kundër “dëmeve nga vaksina.”

Një vit më parë, në korrik 2023, një version i këtij artikulli u postua në serverin Social Science Research Network (SSRN), që është i lidhur me revistën shkencore mjekësore The Lancet. Një ditë më pas, ai u fshi nga The Lancet sepse “përfundimet nuk mbështeteshin nga metodologjia e studimit.”

Metodologji me defekte

Artikulli deklaron se ka për qëllim të identifikonte marrëdhëniet e mundshme shkak-pasojë mes vaksinimit anti-Covid dhe vdekjes. Për ta bërë këtë, autorët kërkuan studime autopsie tek njerëzit që vdiqën pas vaksinimit. Ata identifikuan 134 studime nga të cilat 44, që përmbanin gjithsej 325 autopsi, plotësonin kriteret për t’u përfshirë. Më pas, tre mjekë shqyrtuan të gjitha rastet për të përcaktuar se cilat vdekje mund t’i atribuohen drejtpërdrejt vaksinimit kundër Covid.

Bazuar në informacionin e disponueshëm, ata arritën në përfundimin se 73.9% (240) e vdekjeve, shumica e tyre që kishin ndodhur brenda një jave pas vaksinimit, “mund t’i atribuoheshin sindromës së dëmtimit fatal nga vaksina”.

Termi “sindroma e dëmtimit nga vaksina” na bën të dyshojmë paanësinë e artikullit. Ndërsa termi “dëme nga vaksina” përdoret ndonjëherë për t’iu referuar efekteve anësore të vaksinimit, “sindroma e dëmtimit nga vaksina” është një term që është shtyrë në mënyrë specifike nga grupet anti-vaksinim për t’iu referuar ngjarjeve të padëshiruara që nuk kanë asnjë lidhje të provuar shkak-pasojë me vaksinimin, si vdekjet e papritura dhe kanceri.

Problemi i dytë është përzgjedhja e studimeve të përfshira në rishikim. Autorët përjashtuan shumicën (90) e studimeve të identifikuara në kërkimin e tyre. Ndërsa 25 prej tyre u përjashtuan sepse nuk kishin kryer autopsi ose nuk raportuan statusin e vaksinimit, 55 studime u përjashtuan pa treguar qartë arsyet se përse. Kjo është e rëndësishme sepse përfshirja ose përjashtimi i një numri kaq të madh studimesh mund të ndryshojë shumë rezultatet, dhe për këtë arsye nuk duhet të bëhet pa justifikim shkencor.

Sipas seksionit ku përshkruhet metodologjia, autorët përfshinë “Të gjitha studimet e autopsisë që përfshijnë vaksinat COVID-19 si një shkak të mundshëm vdekjeje”. Ky përkufizim i paqartë, së bashku me kriteret e paqarta të përjashtimit, ngre pyetjen nëse kishte anshmëri në mënyrën e përzgjedhjes së studimeve. Për shembull, është e paqartë nëse autorët përjashtuan studime të besueshme thjesht sepse përfshirja e tyre do të kishte sjellë rezultate që janë të papajtueshme me pikëpamjet e vetë autorëve mbi sigurinë e vaksinës Covid-19.

Eshtë edhe më shqetësuese kur merr parasysh se tre mjekët që rishikuan autopsitë dhe vendosën se cilat vdekje ishin shkaktuar nga vaksinimi ishin Hodkinson, Makis dhe McCullough. Siç e shpjeguam më lart, të tre kanë përhapur dezinformim mbi Covid-19 dhe vaksinat në të kaluarën, duke vënë në pikëpyetje objektivitetin e analizës së tyre.

Më tej, fakti që një person vdes pas vaksinimit kundër Covid-19 nuk mjafton në vetvete për të nxjerrë përfundime në lidhje me sigurinë e vaksinave. Kjo sepse, ndërsa një lidhje kohore mes vaksinimit dhe vdekjes është e nevojshme për të demonstruar lidhjen shkak-pasojë, ajo nuk është e mjaftueshme në vetvete.

Kjo është arsyeja pse raportet e rasteve janë përgjithësisht të pamjaftueshme në vlerësimin e lidhjeve shkak-pasojë. Për të nxjerrë ndonjë përfundim kuptimplotë, rishikimi së paku do të duhej të krahasonte gjetjet në autopsitë e njerëzve të vaksinuar me një grup kontrolli, të pavaksinuar. Megjithatë, rishikimi nuk përmban asnjë përpjekje për ta bërë këtë.

Në vend të kësaj, rishikimi thjesht spekulon mbi mekanizmat e supozuar me anë të të cilëve vaksinat Covid-19 shkaktojnë dëme, duke u fokusuar në “efektet e dëmshme” të supozuara të proteinës peplomere të induktuar nga vaksinimi.

Disa prova sugjerojnë se proteina peplomere e prodhuar gjatë infeksionit SARS-CoV-2 mund të jetë toksike për organe si zemra. Megjithatë, ky efekt nuk mund të ekstrapolohet drejtpërdrejt tek proteinat peplomere të provokuara nga vaksinat anti-Covid, të cilat janë të ndryshme nga ato të virusit dhe prodhohen në sasi shumë më të vogla. Në fakt, provat e disponueshme tregojnë se proteina peplomere e prodhuar përmes vaksinimit është përgjithësisht e sigurt.

Rishikimi pretendon gjithashtu se “numri i madh i vdekjeve të shkaktuara nga vaksina anti-Covid të vlerësuara në këtë rishikim është në përputhje me artikujt të shumtë që raportojnë vdekshmëri të tepërt pas vaksinimit”.

Në mbështetje të këtij pretendimi, autorët citojnë një studim të tërhequr dhe një artikull jo të rishikuar nga kolegët ose të botuar në një revistë shkencore nga Pantazatos dhe Seligmann që janë kritikuar gjithashtu për të metat e tyre metodologjike.

Ndryshe nga ç’sugjeron artikulli i autopsisë, raportet e vdekjes pas vaksinimit janë të pakta, siç shpjegon Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). Për më tepër, hipoteza se vaksinat anti-Covid shkaktojnë ose rrisin rrezikun e vdekjes nuk është në përputhje me rezultatet nga studimet që tregojnë se njerëzit e vaksinuar nuk vdesin në një shkallë më të lartë se njerëzit e pavaksinuar.

Shumë faktorë të tjerë përveç vaksinimit mund të ndikojnë në rrezikun e vdekjes së një personi. Për shembull, mosha mesatare e vdekjes në autopsitë e vlerësuara në rishikim ishte 70.4 vjeç. Të qenit në moshë më të madhe dhe sëmundjet kronike rrisin rrezikun e vdekjes së një personi pavarësisht nga statusi i vaksinimit. Megjithatë, asnjë nga këta faktorë të mundshëm kompromentues nuk u mor parasysh në analizë.

Të moshuarit gjithashtu kanë shkallën më të lartë të vaksinimit në shumë vende, me norma afër ose mbi 90%. Kështu, është e pritshme që shumica e vdekjeve të ndodhin tek personat e vaksinuar. Por ky fakt nuk do të thotë se shkaku ishin vaksinat.

Shkurtimisht, narrativa e rishikimit bie drejtpërdrejt në kundërshtim me numrin e madh të provave që tregojnë se vaksinat anti-Covid janë të sigurta dhe shkaktojnë efekte anësore serioze shumë rrallë. Ky rrezik potencial është shumë i vogël dhe nuk i tejkalon avantazhet që vijnë nga vaksinimi.

Mathijs Binkhorst, pediatër në Qendrën Mjekësore të Universitetit Radboud, ri-analizoi rezultatet e studimeve të autopsisë të përfshira në artikull. Bazuar në përfundimet e autorëve të studimeve origjinale, Binkhorst zbuloi se vetëm 59 (18,1%) e rasteve ishin ndoshta ose me gjasa të lidhura me vaksinën. Pjesa e mbetur prej 267 rastesh (81,9%) nuk kishin lidhje me vaksinimin. Prandaj, në kundërshtim me atë që pretendohej në artikull, shumica dërrmuese e atyre vdekjeve nuk mund t’i atribuohen vaksinimit.

Binkhorst shpjegoi gjithashtu se këto raste duhen parë në kontekst. Të dhënat e studimeve erdhën nga 14 vende, të cilat administruan më shumë se 200 milionë doza vaksinash në periudhën e mbuluar nga artikulli. Shumica e të vdekurve ishin 70 vjeç e lart dhe kishin probleme të tjera shëndetësore. Këto karakteristika i bënë ata më të prekshëm ndaj komplikimeve nga Covid-19.

The post I pasaktë pretendimi se vaksina anti-Covid rriti shanset e vdekjeve me 73.9 % appeared first on Faktoje.al.

❌
❌