Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 September 2024Main stream

Parkimi në Vlorë, 21 rrugë pritet të bëhen me pagesë, ja ku do të shkojnë të ardhurat

By: Java News
21 September 2024 at 09:56

Parkimet në 21 rrugë të qytetit të Vlorës pritet të bëhen me pagesë. Bashkia e Vlorës nis t’i japë jetë projektit për menaxhimin e parkimeve ndërsa pas vendimit të këshillit bashkiak që pritet të mbahet në datën 26 shtator, do të nis puna për ngritjen e një drejtorie të re si shoqëri aksionere “Vlora Parking”.

Kjo drejtori do jetë në administrim të një bordi dhe administratori të zgjedhur nga bashkia. Këtë të premte u mbajt dëgjesa publike për këtë projekt- vendim, ndërsa në dëgjesë u diskutua vetëm mbi tarifën dhe hapjen e hapësirave të reja për parkime.

Kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha sqaroi funksionimin e kësaj Shoqërie Aksionere ndërsa tha se me këto të ardhura që bashkia do gjenerojë nga parkimet, do ketë investime në infrastrukturë dhe sinjalistikë. 21 rrugët që do bëhen me pagesë janë:

Bulevardi Ismail Qemali
Rruga “Demokracia” (Zona e Sahatit dhe Kapeles)
Rruga “Demokracia” (Rruga e Re)
Rruga “Sulejman Delvina” (gjykata, prefektura)
Rruga “Gjergj Araniti” (Çipajt)
Rruga “Kosova” ( Universiteti)
Rruga “Fejzo Gjomema” dhe “Hektor Shyti” (Rruga e Portit dhe te Pallati i Kulturës)
Rruga “Shaban Demiraj” (Rruga-Ura)
Rruga “Brahim Abdullai” (Hotel Primavera)
Rruga “Duro Shaska” (Ish- marina)
Rruga “Murat Tërbaçi” (Big Scoop)
Rruga “Meno Gjolekaj” ( C-front)
Rruga “Murat Tërbaçi” (Motta)
Rruga “Pavllo Flloko”
Rruga Ëilson (përgjatë lulishtes tek rrapi)
Parkimi tek fushat e Sportit
Rruga Aleksandër Moisiu (nga Rrapi tek Tuneli)
Rruga Gjergj Kastrioti (Transballkanike)
Rruga Hasan Kushta (Albano e Romina)
Rruga Pelivan Leskaj” (nga Skela në Çentrale)
Rruga Veledin Kollozi (tek Rinia)

Vdis të të çmoj

By: Java News
21 September 2024 at 09:48

Nga Çapajev Gjokutaj

Ikja e parakohshme e Gerti Bogdanit ishte me të vërtetë tronditëse: vetëm 44 vjet jetë, maturant e student me medalje ari, politikan që shquhej për qasje qytetare, larg mllefeve, verbërisë dhe mediokritetit të militantëve të zjarrtë që, fatkeqësisht, shpesh bëjnë karrierë e ngjiten në radhët e para të skalioneve politike. Pjesëmarrja e madhe në homazhet funerale dëshmoi se Gerti Bogdani la pas modelin e një njeriu me vlera të larta që çmohet e respektohet gjerë, përetej gardheve partiake.

Gjithsesi, vlerat e njeriut dhe politikanit, të nxjerra më në reliev nga vdekja e papritur dhe shumë e parakohshme, të shtyjnë t’i bashkohesh pyetjes që këto dy ditë është përsëritur shpesh në ekrane dhe në rrjete sociale: pse të gjitha krahët e politikës pritën vdekjen që të shpreheshin me vlerësime të tilla?

Nisur nga ato që tha politika për të ndjerin, shumëkush arsyeton: pse nuk u artikuluan në gjallje këto vlerësime, pse Gerti Bogdani nuk vazhdonte të ishte deputet, madje jo vetëm deputet, por edhe pjesëtar i organeve drejtues në parlament, në partinë e tij etj? I ndjeri iku i vlerësuar masivisht, por reagimi për vdekjen e tij rinxorri në pah pikëpyetje të mëdha për moralin dhe hipokrizinë në politikë e më gjerë.

2.

Rendja për të çmuar e vlerësuar njeriun sidomos pas vdekjes është dukuri e hasur jo vetëm në anët tona, por shumë më gjerë. Nekrologjitë dhe obituarët rrallë, fare rrallë flasin për vese dhe gabime të të ikurit, gjithnjë theksi vihet tek vlerat dhe virtytet. Mesa duket, përballë vdekjes, ikjes, zhdukjes njeriu, qoftë edhe pavetëdijshëm, priret të nxjerrë në pah atë që mbetet, atë që vazhdon të gjallojë, vlerat që i shërbejnë jetës.

Ka studjues që e lidhin këtë qasje a zakon me trazimin emocional që sjell vdekja në publik. Shumica e njerëzve, kur ndeshen me raste vdekjesh, vetëdijshëm apo instiktivisht qoftë, ndjejnë edhe përkohshmërinë e tyre. Përballë vdekjes që herët a vonë do vijë edhe për ty, zbutesh e bëhesh tolerant, ndihesh pjesë e atij epitafit mbi një varr të humbur në një kryqëzim mes askundit: në botën e rrëmujës dhe të vajit, vëllezër faljani vëllait!

Kur ai që vdes është i ri, emocionet doemos janë më të forta, rrallëkush mbetet indiferent para vdekjeve të parakohshme. Veç keqardhjes humane, në raste të tilla njeriu priret të përjetojë një empati të fortë, dmth projekton veten a bijtë e bijat tek i ikuri.

Mund të zgjatesh në përsiatje të tilla, por në fund do të arrish të njëjtin konkluzion: vdekja i shtyn njerëzit të bëhen më tolerantë, por edhe më bujarë në vlerësime e fjalë të mira për atë që mbyll sytë përjetë. Gjasat janë që në anët tona kjo qasje ndaj vdekjes dhe të vdekurit të jetë më e dukshme e më teatrale.

3.

Kjo puna e teatrales të kujton traditën tonë folklorike, vajtimet e grave në dialog me njera-tjetrën në jug dhe sidomos gjamat e burrave në veri, zakone që vajtimi i Gilgameshit për Enkidun apo ai i Akilit për Patroklin dëshmojnë se kanë qenë përdorur në popuj dhe vende të ndryshme dhe që në trevat shqiptare, sidomos në zonat e thella malore, në veri e në jug, mbijetuan deri në vitet ‘60 të shekullit të kaluar. Me sa shihet teatri dhe retorika për vdekjen hyjnë në traditat tona të afërta ndaj dhe ku ta dish që, në një mënyrë a tjetrën nuk vazhdojnë të ndikojnë edhe ligjërimet mortore të sotme.

Prirja për të bërë teatër e për të artikuluar retorikë në vdekjet që shënjohen publikisht bëhet më e dukshme ndër ne edhe nëpërmjet mekanizmit të kontrastit. E kemi bërë thuajse zakon që njerëzit publikë t’i baltosim shumicën e kohës. Kur njeri apo tjetri prej tyre vdes vërshojnë vlerësimet dhe fjalët e mira, vlerësime që duken më të ndezura nga që kontrastojnë me përbaltjen e përditshme e të vazhdueshme. E bardha ngjan lëbyrëse në sfond të zi.

Prirja për retorikë të fryrë e mbivlerësuese ndaj personave publikë që vdesin bëhet më vepruese edhe nga prania e rrjeteve sociale. Në fakt ceremonitë funerale në jetën e përditshme janë shkurtuar e thjeshtëzuar shumë, por e kundërta ka ndodhur e po ndodh në rrjetet sociale. Si rregull postimet që marrin më shumë vemendje, shoqëruar me emoji pikëllimi e formula ngushëllimi janë njoftimet mortore.

Nisur nga ky lloj popullariteti po bëhen super të shpeshta hartimet për vdekje të llojllojshme, hartime që, gjynah mos paça shpesh të krijojnë përshypjen se nuk shkruhen aq për të shprehur dhimbje e vlerësim për të ikurin a të ikurën, po për të ngjallur admirim për atë që shkruan, për ta shtyrë lexuesin të thotë: sa bukur e paska shkruar.

Nuk është e rastit që politikanët janë në personat më aktivë që nxitojnë të shprehen në raste funeralesh e homazhesh publike. Madje rastis të vdesë ndonjë nga radhët e tyre ndodh çudia e çudive: të gjitha palët bien në konsesus, lavdërojnë në kor të ikurin.

Qëndrime të tilla ekstreme të sjellin në mënd atë cinikun që tha: të vdekurit janë shërbëtorë të të gjallëve.

“Maldivet e Evropës”/ “Mirror”: Shqipëria, destinacioni më i kërkuar për pushime nga turistët britanikë

By: Java News
21 September 2024 at 09:40

Shqipëria është ndër destinacionet më të kërkuara për pushime nga turistët britanikë – falë plazheve të saj mahnitëse – të ngjashme me “Maldivet e Evropës” dhe çmimeve të ulëta, sipas një studimi të ri, shkruan Vita Molyneux në të përditshmen britanike “Mirror”.

Pozicioni i Spanjës si një nga vendet më të preferuara për pushime mund të jetë nën kërcënim – pasi Shqipëria po shfaqet si një destinacion i kërkuar nga turistët britanikë që adhurojnë përvojat e reja.

“Dubai Tours and Tickets” e ka vendosur perlën e Evropës Juglindore, Shqipërinë në krye të listës së dëshirave të vizitorëve nga Britania e Madhe.

Sipas një studimi të bazuar në kërkimet e britanikëve në Google – duke përdorur fjalë të tilla si “pushime”, “fluturime” dhe “udhëtime” – në 250 vende gjatë një viti – u zbuloi se ata kishin një kureshtje në rritje për të mësuar më shumë për Shqipërinë.

Me një mesatare mujore mbresëlënëse prej 54,929 kërkimesh, fjalë si “Holiday Albania” (Pushime Shqipëri) ishin kërkuar 37,583 herë – duke lënë në hije kërkimet klasike si Spanja, Portugalia dhe Islanda.

Rritja e interesit për Shqipërinë nuk është aspak tronditëse – duke pasur parasysh joshjen e saj me kosto efektive.

Vizitorët mund të shijojnë një krikëll birrë me 1,5 deri në 2,5 euro; mund të pijnë një filxhan çaj për rreth 1,8 euro – dhe të mbushin karrocat e tyre të blerjeve për gati 40 për qind më pak para – në krahasim me vendin e tyre.

Jo vetëm miqësore me portofolin, por Shqipëria mahnit me pamjet e saj marramendëse, ujërat e kristalta dhe qoshet e izoluara ideale për t’u çlodhur nën diell.

Udhëtimi drejt vendit mesdhetar është i qetë – me fluturimet e përditshme nga Britania e Madhe në Shqipëri – rreth tre orë – ku do të zbuloni një Parajsë që ia vlen ta vendosni në listën tuaj të destinacioneve për pushime.

Ju mund të lundroni në plazhin e Gjipesë përmes Kanionit piktoresk të Gjipesë apo vizitoni çfarëdo vendi tjetër që ju ngacmon kuriozitetin.

Ksamili mahnitës, i vendosur përgjatë Rivierës Shqiptare, po bën bujë në rrjetet sociale, pasi influencuesit e kanë quajtuar atë “Maldivet e Evropës” për shkak të popullaritetit të tij në internet.

Nëse dëshironi të përjetoni sharmin e saj, më mirë nxitoni – përpara se të bëhet po aq e mbipopulluar me turistë sa vetë Maldivet!

“Arsimi profesional, baza e suksesit të Gjermanisë e Zvicrës”, Rama: Paragjykohet nga prindërit, por ofron më shumë mundësi punësimi

By: Java News
21 September 2024 at 09:32

Kryeministri Edi Rama është shprehur se arsimi profesional paragjykohet nga prindërit, po theksohet se nxënësit duhet të shtyhen drejt tij, pasi punësohen më lehtë.

edi rama

Në podkastin “Flasim”, Rama tha se arsimi profesional është baza e suksesit të shumë vende si, Gjermania, Zvicra dhe Austria.

“Arsimi profesional është baza e suksesit të Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë. Por është zonë e paragjykuar nga shumë prindër që mendojnë se ndodh një lloj kategorizimi më i ulët në krahasim me nxënësit që shkojnë në arsimin e përgjithshëm.

Dhe nuk i vendosim faj. Sot nxënësit e arsimit profesional punësohen më lehtë, është gjynah që të mos ketë më shumë shtysë drejt arsimit profesional.

Shumë njerëz, prindër, por edhe nxënës kanë idenë që kur shkon në shkollë profesionale dhe mësimi mbetet aty.

Por kush kalon nga arsimi profesional, ka fituar ndërkohë edhe një informacion dhe aftësi për një zanat. Brenda universitetit ka edhe zanatin, mund të punojë ndërkohë me zanatin dhe fiton të ardhura.

Jo si një student që shkon dhe punon kamerier. Është një zanat i kërkuar me trajnim, jo më thjesht hajde futu, vish këmishën e bardhë”, tha Rama.

Horoskopi për sot, 21 Shtator 2024, ja çfarë parashikojnë yjet

By: Java News
21 September 2024 at 09:25

Dashi-Sot mund të mbështeteni në mbrojtjen e Jupiterit në shenjën tuaj, e cila do t’ju garantojë fatin dhe suksesin e nismave tuaja. Disa pengesa tek të lindurit në Prill, të cilët do të duhet të përballen me situata konflikti apo konkurrence. Megjithatë, kini kujdes nga ndikimi i Hënës në Akrep dhe Uranit në shenjën tuaj, që mund t’ju çojë në situata të papritura ose stresuese, veçanërisht në marrëdhëniet me të tjerët. Mundohuni të mos jeni shumë impulsivë ose rebelë dhe përshtatuni me ndryshimet.

Demi-Çështjet e parave mund t’ju shkaktojnë pak dhimbje koke. Ju mund të ndaheni mes dëshirës për të lënë mënjanë paratë për të ardhmen dhe impulsit për të blerë diçka që e dëshironit prej kohësh. Kurseni më shumë dhe përpiquni të gjeni një çmim të volitshëm për artikullin tuaj. Merrni çdo gjë në konsideratë dhe zgjidheni para se të çmendeni.

Binjakët-Do të takoni një mik të vjetër sot dhe do kaloni një kohë të bukur me të. Për sa i përket financave do të merrni një lajm të mirë, pasi do të dëgjoni këshillat e miqve për disa shpenzime.

Gaforrja-Nëse keni qenë pak të ftohtë me personin e zemrës, sot është momenti i duhur për t’iu afruar dhe për të folur për një ndryshim të mundshëm. Mund të mos merrni përgjigje menjëherë, por duhet që të prisni pak.

Luani-Kjo është një periudhë interesante transformimi, e cila parashikon ndryshime drastike, sa i takon një rrugëtimi, i cili do ju lejojë që të rriteni si për sa i takon pikëpamjes personale edhe asaj profesionale. Ndërkohë mbrëmja do ju gjejë më romantikë dhe të ndjeshëm.

Virgjëresha-Sot do të ndiheni shumë entuziastë dhe plot sens humori dhe do përpiqeni ta transmetoni tek të tjerët , por nuk do ja dilni dot. Nëse keni menduar të bëni plane ky është momenti i duhur për tu nisur.

Peshorja-Komunikimi për hir të shoqërisë do jetë më produktiv gjatë mëngjesit dhe orëve të pasdites. Sot ju mund të shprehni virtytet tuaja të lindura, të rregulloni kontaktet, të njiheni me një rreth të gjerë njerëzish dhe të ndani informacion.

Akrepi-Vlerat tuaja mund të kundërshtojnë ato të një partneri biznesi apo romantik sot. Njëri prej jush mund të jetë tepër pragmatik dhe tjetri shumë idealist. Njëri duket i pashpirt, ndërsa tjetri duket se jeton në një botë ëndrrash. Ky mund të jetë një moment historik në marrëdhënien tuaj nëse trajtohet siç duhet. Nëse nuk mund të krijoni një situatë fituese, ndoshta duhet të rishqyrtoni partneritetin.

Shigjetari-Do të ndjeni shumë konkurrencë sot dhe kjo do të ndikojë tek ju. Në punë do të jeni shumë të ngarkuar, pasi do të merreni për disa projekte të reja. Kjo do të ndikojë pozitivisht dhe në financat tuaja.

Bricjapi-Keni një sens të çuditshëm humori pasi jeni vetë që qeshni me shakatë që bëni. Sot shpirti binjak do t’ju ngacmojë për një çështje të caktuar. Mos i merrni gjërat personale.

Ujori-Kjo nuk është absolutisht dita kur ju këshillohet që të qëndroni në shtëpi, pasi parashikohen mundësi të shumta për të bërë takime të reja. Ky 21 Shtator është mjaft i favorshëm për çështjet e punës dhe biznesit.

Peshqit-Kujdes me fjalët që do të nxirrni nga goja. Nëse gaboni me partnerin do të jetë shumë vonë dhe nuk do të keni mundësi të rikuperoni situatën. Në punë do ndiheni të vlerësuar.

Aksident i trefishtë pranë Elbasanit, përfundojnë në spital katër persona

By: Java News
21 September 2024 at 09:20

Tre automjete janë përfshirë në një aksident në vendin e quajtur “Llixhat” në autostradën Elbasan-Tyneli i Krrabës.

Burime nga vendngjarja bënë me dije se nga përplasja automjetet janë shkatërruar plotësisht në pjesën e përparme. Në këtë aksident janë përfshirë automjeti tip Fiat, një Toyota dhe një Volkswagen me drejtues shtetasi një shtetas turk. Nuk janë të qarta shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë, ndërsa dy gra dhe dy burra janë dërguar në Spital për mjekim dhe kontrolle mjekësore.

Burime spitalore bënë me dije se të katër personat mes të cilëve edhe një shtetas turk gjatë këtij aksidenti kanë pësuar dëmtime të lehta dhe pa pasoja serioze për jetën.

“Në stadium, vetëm me mjet identifikimi!”/ Në mbrëmje derbi Tirana-Partizani, policia me plan masash, ja segmentet ku bllokohet qarkullimi i mjeteve

By: Java News
21 September 2024 at 09:12

Policia e Tiranës ka përgatitur planin e masave për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë derbit të kryeqytetit që luhet sot mes Partizanit dhe Tiranës, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në orën 20:00.

Masat përfshijnë bllokimin e disa segmenteve rrugore për lëvizjen e tifozëve. Bllokimet do të fillojnë nga ora 17:00 dhe do të përfshijnë:

Rrugën “Lek Dukagjini” përreth stadiumit
Rrugën “Dervish Hima”
Rrugën “Gjergj Filipi”
Rrugën “Papa Gjon Pali II” (nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi)
Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”)
Tifozët e Partizanit do të lëvizin nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, ndërsa tifozët e KF Tiranës do të nisen nga sheshi “Skënderbej”.

Policia do të ushtrojë kontrolle për sende të ndaluara, dhe çdo tifoz duhet të ketë me vete dokument identifikimi. Hyrja në stadium do të ndalohet për ata pa dokumente identifikimi dhe për fëmijët nën 16 vjeç pa shoqërimin e prindit.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozëve dhe qytetarëve për të evituar lëvizjet me automjete në segmentet e bllokuara.

Vranësira dhe reshje shiu në mesditë, parashikimi i motit për ditën e sotme

By: Java News
21 September 2024 at 09:04

Këtë fundjavë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Moti do të jetë me alternime vranësirash mesatare deri të dendura, këto të fundit të cilat janë më të theksuara në relievt malore në lindje të vendit. Po ashtu do të kemi intervale të herëpasherëshme me kthjellime.

Vranësirat do të pasohen me reshje lokale dhe të dobta shiu në orët e mesditës dhe pasdites në lindje dhe në jug të vendit. Hera-herës në male do të kemi shtrëngata afatshkurtra të izoluara.

Era do të fryjë e lehtë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi 2-7m/s, hera-herës në lugina, male dhe bregdet fiton shpejtësi 4-11m/s shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2ballë.

Mjegull prezente në orët e para të mëngjesit, kryesisht në zonat luginore.

U shkrumbua bimësia, ekspertët ngrenë alarmin: Rritet rreziku i përmbytjeve pas zjarreve masive të këtij viti!

By: Java News
20 September 2024 at 23:00

Ekspertët e pyjeve dhe studiuesit e natyrës thonë se zjarret masive të këtij viti në Shqipëri pritet të rrisin rrezikun e përmbytjeve gjatë stinës së dimrit.

Zjarret që konsiderohen si më të mëdhatë e dekadës së fundit kanë djegur në shumë zona mbulesën bimore duke përshpejtuar erozionin dhe vërshimin e ujrave.

Sipas ekspertëve qeveritë vendore po tregojnë mangësi të mëdha si në mbrojtjen nga zjarri, në menaxhimin e pyjeve dhe përballimin e emergjencave.

Pamjet me dron në shumë zona të Shqipërisë tregojnë situatën që kanë lënë pas në pyje dhe kullota zjarret masive të këtij viti.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret në Pyje, Shqipëria është përshkuar nga fillimi i këtij viti nga rreth 160 zjarre masive që kanë djegur rreth 46 mijë hektarë me pyje.

Dëmet nga zjarret e këtij viti janë më të mëdhatë e dekadës së fundit, thotë inxhinieri i pyjeve Abdulla Diku.

“Viti 2024 rezulton me numrin më të madh të zjarreve dhe po ashtu me sipërfaqen më të madhe të djegur në Shqipëri, një vit i cili e ka kaluar gati me 3mijë hektarë vitin 2017 që mbahej si viti rekord i zjarreve. Pasoja e parë me të cilën Shqipëria pritet të përballet gjatë këtij viti nga kjo djegie masive e pyjeve është rreziku i përmbytjeve”, thotë zoti Diku.

”Elementi i parë më negativ me të cilin ne përballemi aktualisht është shpyllëzimi i shpateve të pjerrëta. Rezultat i kësaj është degradimi i menjëhershëm i tokës, zhveshja e sipërfaqes së tokës nga bimësia pyjore. Këto janë pasojat të cilat ndihen në pjesën e Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë me përmbytje dhe erozion masiv të tokës bujqësore.”

Studiuesi i shkencave të natyrës Lulëzim Shuka flet për zjarret masive të këtij viti të ndikuara jo vetëm nga ndryshimet globale klimatike, por edhe nga kushtet e veçanta të Shqipërisë.

“Mbulesa bimore është shumë e ulët aq më tepër që mbulesa pyjore është akoma edhe më e ulët, për pasojë toka nuk ruan lagështi, avullimi është shumë herë më i madh dhe sigurisht periudha e verës është tejet e nxehtë. Kjo bëhet shkak për zjarre edhe për shkak të një mbulese bimore të mbledhur në vite si pasojë e mungesës së kullotjes së bagëtive në shumë zona të vendit.”

Rreziku i përmbytjeve rritet në disa rajone të vendit, si pasojë e dëmtimit të mbulesës bimore nga zjarret, thotë më tej zoti Shuka.

“Mungesa e mbulesës bimore nga zjarret bën që ujrat të mbërrijnë më shpejt në lumenj dhe për pasojë në det gjë që shkakton përmbytje të mëdha. Kjo e favorizuar edhe nga zhvillimi i pakontrolluar urban. Ne kemi zënë grykat e lumenjve me ndërtime. Gjirokastra, përshembull jo më kot ishte në shpatet e malit për shkak të këtyre përmbytjeve.”

Si studiuesi i natyrës Shuka edhe inxhinieri i pyjeve Diku flasin për nevojën e menjëhershme, sipas tyre, të ndryshimit të situates nga qeveritë vendore që menaxhojnë pyjet.

“Kërkohet një sjellje tjetër menaxhuese ndaj natyrës dhe ekosistemeve natyrore. Për këtë duhet të planifikohen mbjellje fidanësh. Është dicka specifike që ndodh në Shqipëri: në shumë zona të vendit kemi ecjen lart të disa llojeve halore që mund të shfrytëzohen në kushtet e e klimës së sotme për mbjelljet e reja. Po ashtu qeveritë vendore duhet të mendojnë për shuarjen e zjarreve duke forcuar kapacitetet me mjete dhe burime njerëzore,” thotë zoti Shuka.

“Për fatin e keq nuk është se ka mungesë kapacitetesh, ka mungesë organizimi më shumë. Dua të kujtoj që dhjetë vitet e fundit administrata e bashkive është shtuar me 10 mijë punonjes që do të thotë që duhet të kishim më shumë njerëz në terren për të menaxhuar, për të parandaluar, për të ulur ndikimin negative të zjarreve, por kjo nuk po ndodh”, thotë zoti Diku.

Sipas tij pajisjet teknologjike që janë të nevojshme për zbulimin e zjarreve në kohë mungojnë. Gjithashtu, mjetet për luftimin e zjarreve që nga pompat e thjeshta deri tek mjetet e motorizuara mungojnë. Vëmendje e shtuar, thonë ekspertët, duhet kushtuar edhe trajnimit të stafit që duhet të aganzhohet në terren për shuarjen e zjarreve.

“Mbi të gjitha dua të kujtoj që në shërbimin pyjor shqiptar 75% e të punësuarve nuk janë specialistë pyjesh”, thotë zoti Diku.

Ministria shqiptare e Mjedisit e shpalli vitin 2024 si viti i pyjeve në 101 vjetorin e shërbimit pyjor shqiptar me një program ku përfshihet edhe rritja e sipërfaqeve të mbjella me fidanë pyjorë.

Por ritmet e mbjelljes janë tejet të ulta, në raport me mijëra hektarë që dëmtohen cdo vit . Sipas ekspertëve ato nuk kalojnë as 100 hektarë mbjlleje të reja fidanësh pyjorë në vit.

Një vit më parë një zjarr masiv përshkoi me ditë të tëra rreth 820 hektarë në Zonën e Mbrojtur të Pishë Poro në Fier ku rreth 365 hektarë ishin me pisha të cilat u dogjën plotësisht./VOA

“”Kemi tanke më shumë se 15 shtete bashkë”/ Vuçiç “shet mend” me ushtrinë, nxjerr armatimet dhe avionët

By: Java News
20 September 2024 at 22:53

“Unë njoh 15 vende që së bashku kanë aq tanke sa ka ushtria jonë”. Këtë fjali përdori Presidenti Aleksandër Vuçiç për të glorifikuar forcën e ushtrisë së Serbisë, teksa i drejtohej të pranishmëve që ndoqën stërvitjen e quajtur “Flamuri 2024”, e cila po zhvillohet në Batajnicë me rastin e Ditës së Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar.

“Dua të falënderoj të gjithë të ftuarit dhe të them se jam krenar për ushtrinë dhe gjithçka që kemi bërë. Edhe pse jam dikush që kritikon gjithmonë, është normale që të krenohem për shumë gjëra. Para dhjetë vitesh rroga e një ushtari ishte 330 euro, ndërsa sot është katër herë më e lartë. Sot kemi 4 herë e gjysmë më shumë dronë të shfaqur se herën e kaluar”, tha Vuçiç.

Nga aeroporti ushtarak “Milenko Pavloviç”, ku u ekspozuan armatime dhe pajisje të shumta moderne ushtarake, Vuçiç gjeti momentin të mburrej për numrin e tankeve, duke thënë “jemi të parët ose të dytët në Evropë”.

“Unë njoh 15 vende që së bashku kanë aq tanke sa ne. Unë isha këtu në vitin 2013 dhe as që mund ta ëndërronim këtë. Askush nuk e tregoi HQ-17, kemi radarë të rinj… 50% e prodhimit është në Serbi, dhe kjo na bën një nga ushtritë më të armatosura në Evropë në raport me popullsinë”, deklaroi Vuçiç.

Ndër të tjera në Batajnicë parakaluan pjesëtarë të Brigadës së 72-të të Operacioneve Speciale, Brigada 63 e Parashutistëve, departamenti ‘Cobra’, e po ashtu helikopterë luftarakë Mi-35, të njohur edhe si “tanket fluturuese”, por edhe avionët “MIG 29”.

“Nuk po dështon Republika e Kosovës, por qeveria Kurti”, Haziri: Serbia, faktor destabilizimi! Armët…

By: Java News
20 September 2024 at 22:45

Serbia është burim destabilizimi, dhe po kërkon krijimin e korridoreve etnike në Kosovë. Kështu thotë, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili në një intervistë për A2 CNN, analizon zhvillimet e fundit në vend.

Sipas tij, fajin për dështimin e procesit të dialogut nuk e kanë partnerët, por kryeministri Kurti, i cili sipas tij e ka strategji moskoordinimin.

“Roli i Serbisë nuk ndryshon, mund të sjellë përshtypje në procese e faza politike, por Serbia mbetet faktor i destabilizimit në parimin gjithçka pas pavarësisë së Kosovës. Ky është postulati që ata kanë 15 vite se e kanë rishikuar politikën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe të gjithë udhëheqësit serbë e ruajnë këtë strategji në kuptimin e organizimit të brendshëm politik. Serbia vijon të jetë burim destabilizimi në kolaret diplomatike e nivele të tjera vazhdon me plasu luftën hibride, duke pasur kujdes forcimin e saj në veçanti pas krizave rajonale, sepse Serbia mbetet një nga furnizuesit kryesorë me municione në Ukrainë. Marr e kushtëzuar më SHBA, BE e NATO ka 35 vjet. Serbia ka funksionuar në këtë raport të kushtëzuar se kanë patur marrëdhënie të kushtëzuar. Tani këto po përkthehen në bashkëpunim dhe ky bashkëpunim avancon në partneritet. Nuk po dështon Republika e Kosovës, por qeveria Kurti”, tha ai.

“Ajo do të marrë nën kontroll armët e botës”, Harris i përgjigjet Trump-it: Nëse dikush hyn në shtëpinë time, unë e qëlloj

By: Java News
20 September 2024 at 22:38

Reagime të ndryshme ka shkaktuar në SHBA një deklaratë e kandidates së Partisë Demokratike për presidente, Kamala Harris, ku tregoi në mënyrë origjinale se ajo është pro ligjit që lejon përdorimin e armëve.

Me Donald Trump që e akuzon se ajo “do të marrë nën kontroll armët e botës”, Harris teksa ishte e ftuar tek Oprah Winfrey, deklaroi se do të mbrohej duke qëlluar me armë, në rast se dikush do të hynte në shtëpinë e saj.

“Nëse dikush hyn në shtëpinë time, do ta qëlloj”, tha zv/Presidentja amerikane duke lënë disi të tronditur të pranishmit në sallë.

Në vijim, gjithë siklet Harris qeshi dhe shtoi: “Me siguri nuk duhet ta kisha thënë këtë, por stafi im do të merret më vonë me këtë.”

Harris, megjithë marrëdhënien e saj të diskutueshme me armët, e ka bërë të qartë synimin e saj për të zbatuar një ndalim të pjesshëm të armëve që amerikanët mund të përdorin, duke hequr nga tregu ato sulmuese me precizion të lartë, të cilat ajo i ka përshkruar si “mjete lufte”.

Pavarësisht se kërkon ligje më të rrepta për armët, ajo ka theksuar në vazhdimësi se është një mbështetëse e Amendamentit të Dytë, i cili mbron të drejtën për t’i mbajtur ato.

“Ne nuk do t’i marrim armët askujt. Walsh dhe unë jemi të dy pronarë armësh”, deklaroi më tej Harris si për të hedhur poshtë akuzat e rivalit të saj.

Harris kishte folur edhe më parë për zotërimin e armëve, teksa në vitin 2019 gjatë fushatës së saj të parë presidenciale shprehej: “Unë jam pronare e një arme të cilën e mbaj për të njëjtën arsye që e bëjnë shumë njerëz – për sigurinë personale.”

“If somebody breaks in my house they’re getting shot” ~ Kamala Harris on Oprah Winfrey #GunBan #Hypocrite #GunControl
“Guns for me but not for thee.” pic.twitter.com/9YLJnFBUF5

— We The People Vancouver (@MadC0NSERVATIVE) September 20, 2024

Gerti Bogdani dhe sindroma e “çunit të mirë”

By: Java News
20 September 2024 at 22:30

Nga Ruben Avxhiu

E kanë thënë shumë vetë këto ditë, të tronditjes kombëtare për vdekjen e parakohshme të Gerti Bogdanit dhe paradës përshkruese të virtyteve personale të këtij djali të ri:

“Kur paska qenë kaq i mirë,

Pse nuk e ka përdorur pak më shumë e më mirë shoqëria shqiptare?

Pse nuk i është dhënë më shumë mundësi, më shumë dukshmëri, më shumë rol?

Pse nuk janë njerëzit si ai fytyra e opozitës shqiptare, fytyra e shtetit shqiptar, e institucioneve publike shqiptare?”

Vërtet që politika dhe shoqëria shqiptare u bashkuan në një kor në vlerësimin e këtij njeriu, të provokuar sigurisht nga ikja e pakuptueshme dhe e parakohshme e një djali të ri. Nga që na kujtoi të gjithëve se sa të brishtë jemi. Se sa lehtësisht të thyeshëm e të largueshëm nga kjo jetë.

Do të kishim qenë të gjithë më të qetë po të ishte mbipeshë, apo i tharë nga uria, pijanec abuziv, I çthurrrur në mos i mplakur, me probleme shëndetësore e shenja paralajmëruese. Por, Gerti nuk kishte asnjë nga këto, duke na futur frikën ne të pathyeshmëve e të pamposhturve, neve që e dimë se vdekja është për të tjerët, ata që e meritojnë për mënyrën si jetojnë e si sillen.

Kishte edhe arsye të qarta pse të majtë e të djathtë u bashkuan për ta kujtuar e përcjellë me dhimbje. Nuk ishte më politikan aktiv. Kur kishte qenë nuk e kishte prishur gojën. Nuk ishte treguar harbut. Kur e kishin larguar nuk kishte bërë zhurmë, nuk kishte gjuajtur me gurë miqtë e aleatët. E kishte pranuar mënjanimin me dinjitet. Me qetësinë e atij që ka pasur dhe ende kishte rrugë të tjera në jetë për të kontribuar. Njerëz të tillë mënjanohen e hidhen lehtë. Nuk të vrasin. Nuk marrin hak. Janë të cunguar nga edukata dhe gjerësia e mendjes dhe shpirtit.

Problem është kur i ke miq e të afërm, aleat dhe prijës, se nuk bëjnë favore të pamerituara. Edhe kur i meriton e ka vështirë t’i bëjë se duhet t’u imponohet strukturave, duhet të përleshet me zorzopët dhe servilët, me bullizuesit dhe hakërryesit, me gojëprishurit e barbarët që popullojnë jetën politike në Shqipëri.

Ky lavdërimi “çun i mirë” ka pasur historikisht në Shqipëri edhe ofendimin brenda, madje edhe përbuzjen. Ashtu të nënkuptuar. I atillë nuk është vetëm njeriu i virtytshëm dhe i edukuar, i urtë dhe i kujdesshëm. Është edhe ai, i skartueshmi, i dhunueshmi, i harrueshmi. Ai për të cilin njerëzit me fjalë ia mbajnë anën por jo me vepra. Ai që në fund të gjithë e lënë pas nëse kërcënohen nga “djemtë e këqinj” të çdo kohe.

Në fund, vlera e një shoqërie matet pikërisht nga kapaciteti dhe gatishmëria për t’u bërë vend djemve dhe vajzave të një edukate dhe karakteri si ky që duket se simbolizonte edhe Gerti Bogdani.

Mbase politika nuk është ende fusha ku njerëzit si Bogdani duhet të drejtojnë potencialin e tyre. Por nga ana tjetër, a ka fushë profesionale në Shqipëri, që nuk është vënë në diktatin e panevojshëm dhe grykës të politikës? Nga skenat e koncerteve, te sallat shkencore, politika vigjëlon, shpërblen, dhe ndëshkon. Çuna e goca të mira, të gjithë të mirëseardhur, sa kohë që ulen në cepin që u caktojnë dhe zbukurojnë fasadën, vërtetojnë narrativën, dhe mbeten të përthyeshëm, të zëvendësueshëm, të spostuesshëm. Rinia që po ikën? Truri që po rrjedh jashtë? Janë të gjitha shqetësime të zbrazëta. Ikja e rinisë siguron mungesën e ndryshimit. Për tru, nëse ka një vend ku i dinë të gjitha e nuk kanë nevojë për sqarime është Shqipëria. Përkundrazi, nëse dikush nuk është i qartë për ndonjë temë, pavarësisht se në çfarë fushe, le të shkojë në Shqipëri. Je kudo i rrethuar nga ekspertë.

Është ironi e dhimbshme, por fakt, që vdekja mizore vërtet që ia shkurtoi udhëtimin, ia shkretoi familjen dhe e mori përgjithmonë, mirëpo, për një moment, në sytë e gjithë vendit, ndriçoi mbi Gerti Bogdanin, ashtu si jeta nuk kishte mundur ta bënte në 44 vitet e saj. Tani ceremonitë mbaruan. Do të kthehemi te e përditshmja jonë, ku mijëra të rinj si Gerti çojnë dëm potencialin e tyre në një shoqëri që nuk di çfarë të bëjë me ta. Të cilën ata vetë nuk gjejnë dot si ta ndihmojnë, si ta nxjerrin nga llumi i padrejtësisë dhe akoma më keq nga llumi i banalitetit.

Pse Rusisë i intereson Ballkani? Ish-drejtori i SHISH: Qëllim jo vetëm sabotimi i NATO-s, por…

By: Java News
20 September 2024 at 22:23

Ish-drejtori i SHISH, Visho Ajazi Lika ka shpjeguar në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania qëllimin që ka në thelb politika ruse në raport me Ballkanin.

Sipas tij, zanafilla e kësaj marrëdhënie që ka krijuar Rusia me Ballkanin vjen jo vetëm për shkak të historisë, por edhe faktit që Rusia e ka “shfrytëzuar” Ballkanin sepse ka shërbyer gjithmonë si një urëlidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.

“Fillon historia qysh me perandorinë ruse. Rusia ka pasur gjithmonë një vëmdnej të veçantë për Ballkanin. Arsyeja e parë është se popullsia e këtij vendi është sllavo-folëse dhe gjithashtu e besimit ortodoks. Ballkani ka qenë një urë lidhëse mes perëndimit dhe lindjes, për këtë arsye janë përplasur gjithmonë interesat e fuqive të mëdha. Unë do të thosha që është trajtuar si oborri i mbrapëm i perandorisë ruse,” –u shpreh ish-drejtori i SHISH.

Sipas këndvështrimit të tij, nuk është qëllim vetëm sabotimi NATO-s dhe Perëndimit, por ndikon edhe fakti që Rusia kërkon të mbajë aleancat me vendet e që më parë ka pasur lidhje, në mënyrë që këto vende të mos kalojnë nën influencën e mirëfilltë perëndimore.

Përshkoi rreth 13 km në ndeshjet e fundit, Ylber Ramadani renditet mes lojtarëve që vrapojnë më shumë

By: Java News
20 September 2024 at 22:15

Ylber Ramadani nuk është vetëm futbollisti që ka bërë më shumë kilometra në Euro 2024 në Kombëtaren Shqiptare, por është edhe ndër më të mirët në këtë turne.

Mesfushori i kuqezinjve ka përshkuar mesatarisht 12.51 kilometra për ndeshje sipas raporti teknik të UEFA-s. Ramadani i cili është një pikë e rëndësishme e Shqipërisë së Sylvinhos ka lënë pas në këtë renditje Granit Xhakën e Zvicrës, Declan Ricen e Anglisë apo Joshua Kimmich të Gjermanisë.

Mesataren më të lartë të kilometrave të përshkuara e ka portugezi Bernado Silva, 13.92. UEFA ka përfshirë futbollistë, të cilët kanë luajtur të paktën 3 ndeshje. Shqipëria është e 11 për mestaren e kilometrave të përshkuara si ekip 115.8.

Dhjetëra viktima e qindra të plagosur/ Shpërthimi i pajisjeve të komunikimeve në Liban, Këshilli i Sigurimit të OKB-së mban takim urgjent

By: Java News
20 September 2024 at 22:07

Këshilli i Sigurimit i OKB-së po mban një takim urgjent lidhur me shpërthimet e pagerëve në Liban.

Mediat shtetërore dhe zyrtarët e grupit militant thanë se telekomandat shpërthyen në Bejrut dhe pjesë të tjera të Libanit të mërkurën në një valë të dytë sulmesh që synonin pajisjet një ditë pasi pajierët e përdorur nga Hezbollahu u hodhën në erë, shkruan Sky News.

Të paktën 20 njerëz u vranë dhe më shumë se 450 u plagosën në valën e dytë, tha Ministria e Shëndetësisë.

Sulmet – të cilat besohej gjerësisht se ishin kryer nga Izraeli duke synuar Hezbollahun, por gjithashtu kanë vrarë civilë – kanë ngritur frikën se konflikti i zier i të dy palëve mund të përshkallëzohet në luftë gjithëpërfshirëse.

Yesterday — 20 September 2024Main stream

“Puna, pasaporta më e mirë për Veliajn”, Gogu për zgjedhjet: Synojmë më shumë se 74 mandate

By: Java News
20 September 2024 at 21:59

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Toni Gogu, i zgjedhur edhe anëtar i kryesisë së PS, beson se partia në pushtet do ta fuqizojë pozicionin e saj elektoral në zgjedhjet e ardhshme.

Dikur, një nga bashkëpunëtorët e afërt të kryebashkiakut Veliaj, zoti Gogu e ka ruajtur vlerësimin maksimal për të, pavarësisht hetimeve të SPAK-ut në bashki për çështjen e incineratorëve dhe të kompanisë 5D.

“Kryetari Veliaj është një politikan, që mbrojtjen më të mirë ka punën e tij.”– tha zoti Gogu gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë”.

Ai rrëzoi si të pavërtetë zërat për një dobësim të pozitave të kryebashkiakut Veliaj në parti, pasi funksioni i drejtuesit të PS për qarkun e Tiranës u nda mes tij, Ogerta Manastirliut dhe Elisa Spiropalit.

“Nuk besoj në këtë thashethem. Unë besoj se puna është pasaporta më e mirë e çdo politikani dhe pasaporta e zotit Veliaj, përsa i përket punës, do të këtë mbërritur faqen e fundit, ose ka nisir pasaportë të re, aq shumë faqe pune ka zoti Veliaj. PS, me të njëjtin ritëm pune dhe me të njëjtin solidaritet partiak, do të shkojë përballë votuesit dhe rezultati do të shihet në pranverën e ardhshme. Aktualisht, PS ka 74 mandate, por në zgjedhjet e ardhshme, PS ka objektiv më ambicioz. Të konsolidojmë qeverisjen që na anëtarëson më BE. Nëse sot jemi 74, ne do të donim të kishim atë shumicë që na jep atë forcë parlamentare për të çuar përpara reformat për Shqipërinë 2030”.– u shpreh Toni Gogu në RTSH.

/a.r

I famshëm pa folur asnjë fjalë! Ylli italian i TikTok, Khaby Lame, tashmë me sytë nga Hollywood-i

By: Java News
20 September 2024 at 21:51

Khaby Lame, italiani i njohur në rrjetin TikToker për gjestet e tij të shoqëruara me shprehjet korrespondente të fytyrës, njofton së fundmi se ëndërron një të ardhme në kinema.

“Shpresoj që kjo të jetë puna ime e përhershme sepse kam ëndërruar që i vogël të bëja filma”, thotë Khaby në Milano duke treguar për punët që ka bërë më parë si pastrues dritaresh apo ndihmës-kuzhinier, ndërsa tani nga personazh i TikTok aspiron për aktor filmi.

24-vjeçari italian me origjinë senegaleze mban vendin e parë në aplikacionin TikTok me 162.8 milionë ndjekës. Ai është bërë i njohur me videot e tij të heshtura ku jepen këshilla për gjëra të përditshme me mënyrën e tij të veçantë.

“Përse duhet ta bëjnë më të komplikuar”, komenton ai në video, me gjestin e kthimit të duarve nga qielli dhe ‘buzëqeshjes së dinakërisë.’

“Shenja e parë që më tregoi se po bëhesha i famshëm ishte kur njerë të famshëm në botë si lojtari i Real Madrid, Vinicius Junior po bënte gjestet e mia”, thotë i riu me ngjyrë. Ai nuk heziton të ndalojë për foto me fansat që e njohin në sheshin para katedrales Duomo në Milano.

Lame thotë tashme se do të nisë debutimin në Hollywood me një film të titulluar “00Khaby” – për të cilin thotë se do të xhirohet në Brazil, Indi e në SHBA. Personazhi i Lame do të jetë një shpërndarës ushqimi që rekrutohet nga shërbimet sekrete amerikane.

“Por do të vazhdoj të bëj video në TikTok!” i premton ai ndjekësve.

Presidencialet në SHBA/ Trump “strategji” për të përfituar votat e hebrenjve: Nëse nuk fitoj unë, Izraeli asgjesohet

By: Java News
20 September 2024 at 21:43

Kandidati republikan për president, Donald Trump kritikoi hebrenjtë amerikanë që nuk votuan për të gjatë një fjalimi kundër antisemitizmit të tij të enjten në Uashington.

Trump deklaroi se nëse ai nuk zgjidhet president, Izraeli do të “fshihet nga Toka”.

“Nëse nuk i fitoj këto zgjedhje, populli hebre do të jetë shumë përgjegjës për rezultatin. Me gjithçka që kam bërë për Izraelin, kam marrë vetëm 24 për qind të votave të hebrenjve. Duhet të mendoni me kujdes për kë do të votoni, sepse do të përballeni me një luftë të pafundme, të përgjakshme për të eliminuar shtetin hebre dhe për të dëbuar hebrenjtë nga Toka e Shenjtë”, tha Trump.

Ndër të tjera, Trump tha se Izraeli do të përballet me “asgjësimin total” nëse fiton zgjedhjet e nëntorit nënpresidentja Kamala Harris.

Pa “Venecian”, s’ka vendim për mandatet e deputetëve të PS, Gogu mesazh partnerëve: Kini durim!

By: Java News
20 September 2024 at 21:35

Partia Socialiste nuk do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese asnjë mocion për vlefshmërinë e mandatit të deputetëve derisa Komisioni i Venecias të sjellë opinionin e ekspertëve të tij mbi këtë çështje.

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Toni Gogu, bëri të qartë pozicionin e shumicës gjatë një interviste për emisionin “Pa Censurë”.

“Ne do të presim derisa të jemi të qartë nga përgjigja për të cilën kemi pyetur Komisionin e Venecias”- tha zoti Gogu, duke iu referuar konkretisht edhe rastit të deputetes Olta Xhaçka, edhe të deputetit Vullnet Sinaj.

PS thotë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të detyrojë deputetët sesi të votojnë, siç ka bërë gjykata në vendimin e dytë të saj për çështjen Xhaçka, pasi socialistët refuzuan dy herë t’ia dërgojnë për shqyrtim Kushtetueses.

“Kemi një ndërhyrje në pushtetin legjislativ. Është vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese, duke na thënë “do të votoni në këtë mënyrë, pra na ka përcaktuar vendimarrjen. Kjo cënon parimin e ndarjes së pushteteve dhe diskrecionin tonë si deputetë për të vendosur.”- u shpreh zoti Gogu.

Ai u rezervua të bëjë komente për reagimin kritik të SHBA dhe BE, sipas të cilëve, vendimi i PS nuk ishte në drejtimin e duhur, por zoti Gogu ka një mesazh për partnerët.

“Ne i dëgjojmë shumë mirë partnerët dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm. Në këtë rast u themi “le të durojmë sa të marrim dhe një mendim të specializuar dhe do të marrim vendimarrjen që na ngarkon Kushtetuta”- u shpreh Toni Gogu për emisionin “Pa Censurë”, ku u diskutua edhe rasti i precedentit të deputetit Koço Kokëdhima, një rast i ngjashëm në vendimarrje me atë të deputetes Olta Xhaçka.

Në vitin 2015, PS refuzoi të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit Koço Kokëdhima, por në shkurt 2016, Gjykata Kushtetuese vendosi me një gjuhë të ngjashme si kjo e tanishmja.

Në atë kohë PS e pranoi pa debat këtë vendim ku thuhej se “Kuvendi duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.”

Në fund, Gjykata vendosi për shkeljen e Kushtetutës nga zoti Kokëdhima dhe ia hoqi mandatin e deputetit.

❌
❌