Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 27 September 2024Main stream

Orban ofrohet si ndërmjetësues mes Shkupit dhe Sofjes

27 September 2024 at 21:42

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, që zhvilloi vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut, tha se ndarja e Shkupit nga Tirana, sa i përket negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, “është një gabim historik”.

Orban, shteti i të cilit udhëheq me Presidencën aktuale të BE-së, u ofrua që personalisht të shërbejë si ndërmjetës mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Një ditë më herë, u bë publike lajmi se BE-ja e ka ftuar Shqipërinë që të hapë kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim. Shkupi dhe Tirana kishin qenë bashkë në procesin e anëtarësimit.

“E kam një propozim të cilin ia shpalosa kryeministrit [maqedonas, Hristijan] Micoski dhe i thash se jam i gatshëm që ta përdor Presidencën e BE-së dhe ta ndërmjetësoj këtë çështje. Nëse palët janë të gatshme ta pranojnë Hungarinë si ndërmjetëse, është çështje e tyre, por ne jemi të gatshëm dhe duam të ndërmjetësojmë”, tha Orban, duke shtuar kjo ka të bëjë me “gjetjen e një zgjidhjeje që iu përshtatet maqedonasve dhe bullgarëve”.

Sipas kryeministrit hungarez, Maqedonia e Veriut duhet të mbajë konferencë ndërqeveritare me BE-në në fund të vitit.

Në korrik të vitit 2022, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbajtën konferencat e para ndërqeveritare me BE-në procesin e pranimit të tyre në BE, por që Shkupi të mbajë konferencën e dytë, duhet të hapë kapituj. Për të hapur kapituj, Maqedonia e Veriut duhet të plotësojë kushtin që të fusë komunitetin bullgar në preambulën e Kushtetutës.

Ndërkaq, kryeministri maqedonas Mickoski, i uroi Shqipërisë dhe popullit të saj për përparimin në rrugën evropiane dhe u bëri thirrje maqedonasve që të mos e humbin shpresën.

“Nuk duhet ta humbim shpresën dhe të zhgënjehemi. Ne do të vazhdojmë të punojmë, të zgjidhim problemet brenda vendit që janë grumbulluar dhe trashëguar nga Qeveria paraprake. Por, është mirë që kemi miq në BE, e një nga ta është kryeministri Viktor Orban”, tha Mickoski.

Qeveria e tij beson se i ashtuquajturi propozim francez, që përfshin kushtin e ndryshimit të Kushtetutës, të respektohet, por pasi që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE.

Orban po ashtu e përdori takimin me Mickoskin për të kritikuar Brukselin sa i përket çështjes së integrimit evropian.

“Njerëzit dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor meritojnë shumë më shumë sesa ajo që u ofron Brukseli. Këto shtete do të duhej që kohë më parë të ishin anëtare të BE-së. Maqedonia e Veriut dhe kroatët morën mendim pozitiv më 2008. Që atëherë, Kroacia është anëtare dhe negociatat me BE-në për anëtarësim nuk kanë nisur me Maqedoninë e Veriut. Ky është gabim i madh i BE-së dhe unë do të thosha se është gabim historik, një gabim që mund të përmirësohet sepse Maqedonia e Veriut duhet të vendoset pas Shqipërisë”, tha Orban.

Më 27 shtator, para takimit kokë më kokë me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, Orban, qëndroi pranë qendrës së shtypit në hotelin e Ohrit, ku mëngjesin e së premtes nisi një konferencë ndërqeveritare.

Orbani piu kafenë e mëngjesit, kreu biseda telefonike dhe lexoi dokumente në tarracën e hotelit, nga ku më pas u nis drejt vilës së kryeministrisë, e cila ndodhet në afërsi.

Ai e nisi vizitën në Maqedoninë e Veriut të enjten dhe prej atëherë janë zhvilluar disa takime dypalëshe në nivel ministror.

Hungaria aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian.

Menjëherë pas formimit të Qeverisë në Shkup në qershor, gjatë samitit të NATO-s në Uashington që u mbajt në gjysmën e parë të korrikut, Mickoski u pajtua me Orbanin që Maqedonia e Veriut të merrte një kredi nga Hungaria në vlerë prej 500 milionë eurosh.

Më 17 shtator, ligji për kredinë hungareze u miratua në Parlamentin maqedonas.

Huaja e Bankës Hungareze të Eksport-Importit, një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, do të merret në një këst, afati i shlyerjes së saj është 15 vjet, duke përfshirë një periudhë mospagimi prej tre vjetësh, dhe norma e interesit është fikse, 3.25 për qind. Ajo do të shlyhet me 24 këste gjashtëmujore, në datat 15 shkurt dhe 15 gusht të çdo viti.

Opozita maqedonase më pas akuzoi se marrëveshja e kredisë ishte lidhur me dyer të mbyllura, me qëllime tejet të dyshimta dhe se ka sjellë pasoja politike dhe ekonomike, duke rritur jashtëzakonisht shumë borxhin publik.

Por, OBRM-PDUKM  thotë se procedura është transparente dhe se për herë të parë ka një kredi për të cilën paraprakisht dihet se për çfarë do të shpenzohet dhe se do t’i ndihmojë komunat dhe ekonominë.

Në vitin 2013, Orban ishte për vizitë zyrtare në vend, kur iu dha Urdhri “8 Shtatori” për merita të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit paqësor ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë. Urdhrin iu dorëzua presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov, ndërsa ai ishte takuar edhe me kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruevski./REL/

 

The post Orban ofrohet si ndërmjetësues mes Shkupit dhe Sofjes appeared first on Telegrafi.

Mjekët amë për ilaçet e reja: Duhet rekomandim nga specialistë

27 September 2024 at 21:24

Është tejkaluar problemi me përshkrimin e dozave të barnave të reja nga lista pozitive. Mjekët amë reaguan për këtë javën e kaluar dhe morën një shkresë nga fondi se mund të përshkruhen doza të tjera, jo vetëm një, siç u tha fillimisht.

“Në praktikë nuk është ashtu, sepse barnatoret kufizohen në dhënien e ilaçeve, japin vetëm një dozë nga ilaçet e përshkruara dhe nuk u japin dozat e tjera pacientëve. Ata me siguri frikësohen nga pasojat e buxhetit në barnatoret e tyre, mendojnë se ato receta nuk do t’ua pranojnë. U munduam edhe ne pacientëve tanë t’u përshkruajmë doza tjera, por prapë nuk ua kanë dhënë në barnatore.”, – deklaroi mjekja amë, Ankica Stanoevska.

Edhe barnat e reja nga lista pozitive mbeten të lidhura me nënshkrimin e një specialisti. Vetëm dy barna nga lista pozitive mund të përshkruhen nga mjeku amë, pjesën tjetër e bartë Fondi.

“Vështirësitë më të mëdha zakonisht janë në ilaçet që zakonisht ua përshkruajmë, p.sh. ne duhet të bëjmë prevenim kardiovaskular, konkretisht ilaçi triglid, fenofibrat, që shpesh e përshkruajmë që pacienti tek ne e bën pasqyrën e gjakut dhe shohim trigliceride të rritura, pastaj e drejtojmë tek internisti.”, – theksoi mjekja amë, Ankica Stanoevska.

Nëse mjekët amë do të mundnin të përshkruajnë terapi kronike, do të reduktoheshin rrëmujat dhe pritjet e gjata para mjekëve specialistë dhe do të ketë më shumë termine për kontrolle.

The post Mjekët amë për ilaçet e reja: Duhet rekomandim nga specialistë appeared first on Telegrafi.

Moti gjatëve të ardhshme në Maqedoni

27 September 2024 at 19:59

DPHM-ja njoftoi se nesër do të mbajë mot me diell dhe i ngrohtë, por pasnesër, të dielën, nën ndikimin e masës ajrore të lagësht dhe të ftohtë nga veriu, do të shfaqet ndryshim i ndjeshëm.

Do të ketë reshje të kohëpaskohshme të shiut me paraqitje lokale të bubullimave dhe erë të fortë.

Të hënën do të mbajë mot me vranësira të pjesshme me periudha me diell, do të fryjë erë e fortë nga veriu, ndërsa temperatura ditore do të ulet ndjeshëm, për 8 deri në 10 gradë. Pastaj, në dy ditët e ardhshme, moti do të jetë me diell dhe temperatura të ulëta, ndërsa ato ditore gradualisht do të rriten.

Në Shkup nesër do të mbajë mot me diell dhe i ngrohtë. Të dielën do të ketë reshje të kohëpaskohshme të shiut, lokalisht me paraqitje të bubullimave të rralla dhe erëra të forta. Të hënën moti do të jetë pjesërisht i vranët dhe më i freskët me mot me diell dhe erë të fortë veriore.

The post Moti gjatëve të ardhshme në Maqedoni appeared first on Telegrafi.

Kryeparlamentari Gashi takoi kryeministrin Orban, bashkëpunimi do të vazhdojë

27 September 2024 at 19:35

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Hungarisë, Viktor Orban, i cili po qëndron për vizitë në vend, kumtoi shërbimi i Kuvendit për shtyp.

Në takim morën pjesë edhe kryetarja e Grupit Parlamentar për bashkëpunim të Kuvendit të RMV-së me Parlamentin e Hungarisë, Eli Panova dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.

Kryetari i Kuvendit e nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë për rrugën e integrimit evropian të vendit, e cila padyshim është rezultat i marrëdhënieve që vendet tona kanë kultivuar që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1994.

Gashi e njoftoi Orbanin për themelimin e Grupit të Bashkëpunimit me Hungarinë në fillim të mandatit dhe i bëri ftesë Kryetarit të Parlamentit hungarez që të vizitojë vendin, duke theksuar se bashkëpunimi midis dy parlamenteve duhet të thellohet dhe zhvillohet në të gjitha nivelet, përmes vizitave të kryetarëve, grupeve të bashkëpunimit, deputetëve dhe nëpunësve. Kryetari Gashi shprehu mirënjohjen për huan nga Hungaria, e cila padyshim paraqet energji të re për ekonominë tonë.

Kryeministri Orban falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe bisedat e hapura me përfaqësuesit e shtetit. Ai theksoi se takimet dhe bashkëpunimi ndërparlamentar është veçanërisht i rëndësishëm për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe se gjithmonë angazhohet dhe mbështet komunikimin dhe bashkëpunimin në të gjitha sferat e shoqërisë, veçanërisht ndërmjet Dhomave Ligjvënëse. Hungaria mbetet mbështetëse e përkushtuar dhe e hapur e anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian dhe vlerëson lart rolin e Maqedonisë së Veriut në sferën e mbrojtjes së kufijve të BE-së, parandalimin e migrimit të paligjshëm në BE dhe për këtë arsye investon burime dhe financa në vend.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se bashkëpunimi në NATO do të vazhdojë dhe do të përmirësohet në drejtim të rivendosjes dhe ruajtjes së paqes në Evropë dhe në botë.

The post Kryeparlamentari Gashi takoi kryeministrin Orban, bashkëpunimi do të vazhdojë appeared first on Telegrafi.

Gjuha ruse do të mësohet në shkollat fillore dhe të mesme të Kumanovës, Dimitrievski takohet me ambasadorin rus

27 September 2024 at 19:11

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski ka njoftuar se ka realizuar takim me ambasadorin e Rusisë në Maqedoninë e Veriut, Segrej Aleksandroviç Bazdnikin.

“Në takim është biseduar për më shumë tema aktuale me theks në mësimin e gjuhës ruse në shkollat fillore dhe të mesme në Kumanovë”, tha mes tjerash Dimitrievski gjatë njoftimin.

Ndryshe, takime me ambasadorin rus ka pasur edhe partia e Dimitar Apasievit.

 

 

The post Gjuha ruse do të mësohet në shkollat fillore dhe të mesme të Kumanovës, Dimitrievski takohet me ambasadorin rus appeared first on Telegrafi.

Kasami: Kodra e Diellit së shpejti me investitor vendas

27 September 2024 at 17:46

Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami ka akuzuar Qeverinë e shkuar se ka mashtruar qytetarët për Kodrën e Diellit. Sipas Kasamit, nuk ka pasur asnjë marrëveshje gojore apo parakontratë me ndonjë firmë për privatizimin e Kodrës së Diellit, apo dhënien e të njëjtës me partneritet publiko- privat, por kanë qenë vetëm fjalë boshe dhe marketing parazgjedhor. Kasami paralajmëron së shpejti marrëveshje me një kompani vendase, e cila sipas tij ka interesim serioz për marrjen nën koncesion të Kodrës së Diellit.

“Fatkeqësisht si shumë mashtrime të tjera të Qeverisë së kaluar, edhe ky është një mashtrim klasik, nuk ka asnjë kontratë të formalizuar. Ka pasur një interesim paraprak të njërit nga ministrat e asaj qeverie, por me largimin e atij ministri përfundoi gjithçka….Jemi në fund të përpilimit dhe miratimit të planit urbanistik që do jetë një stimul i fuqishëm i investimeve private dhe publike në Kodrën e Diellit që përfundimisht ky resort do merr pamjen e një resorti modern. Po ashtu me partnerët e koalicionit, jemi duke biseduar me kompani private të cilat janë të interesuara për të gjet investues për këtë zonë. Pra bëhet fjalë për një kompani me renome ndërkombëtare që vijnë nga Теtova dhe me të cilat kanë nisur kontaktet e para me operator ndërkombëtar për të investuar por jo vetëm , pra edhe për të sjellë turistë”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Deri më tani, edhe përkundër premtimeve të shumta, e vetmja gjë që është bërë në Kodër të Diellit, është asfaltimi i rrugës së vikend shtëpizave. Drejtori i Kodrës së Diellit, Adem Abdullahu përmes telefonit tha se kanë nisur të bëhen parapërgatitjet gjegjësisht kontrollet për sezonin dimëror.

Kodra e Diellit, edhe sivjet do ta nis sezonin me shumë pika kanalizimi që përfundojnë në rrugë duke shkaktuar akull dhe vështirësi kalimi, si dhe papastërti dhe aromë të keqe. Edhe përkundër alaramimit për vite me radhë, këto pika ku është i dëmtuar kanalizimi, asnjëherë nuk u rregulluan siç kërkojnë standardet. /Alsat.mk

The post Kasami: Kodra e Diellit së shpejti me investitor vendas appeared first on Telegrafi.

BDI: Rikthimi i rrahjeve për motive etnike është i papranueshëm dhe absolutisht i dënueshëm

27 September 2024 at 17:19

Pas informacioneve zyrtare lidhur me rrahjen e mbrëmshme, respektivisht sulmin fizik ndaj tre të miturve shqiptarë në Qendër të Shkupit duke përdorur edhe sende të forta, Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin serioz, aq më tepër kur u informuam se sulmi ndaj të miturve ka ndodhur për motive etnike.

BDI vlerëson se ky incident, jo i paprecedent fatkeqësisht, vjen si rezultat i dështimeve të përditshme të Qeverisë për të kultivuar marrëdhënie të mira ndëretnike, gjegjësisht si pasojë e hapjes së shumë çështjeve ndëretnike, si dhe vet nxitja e fjalorit provokues ndaj çështjeve etnike.

“VLEN bashkë me partnerët e tyre VMRO-ZNAM, po na kthen në kohën kur fëmijët shqiptarë sulmoheshin nëpër autobusë, shqiptarët ofendoheshin paturpësisht nëpër çdo stadium në çdo ndeshje sportive, e që BDI një frymë të tillë e kishte ndaluar plotësisht pas një angazhimi të madh në kontinuitet”, thonë nga BDI.

Ata u bëjnë apel policisë që të ndërrmarin të gjitha hapat e duhur për ta zbardhur këtë rast, të dënohen dhunuesit dhe sa më parë të ndërmarrin masa preventive lidhur me ndalimin e zgjerimit të kësaj dukurie./Telegrafi/

The post BDI: Rikthimi i rrahjeve për motive etnike është i papranueshëm dhe absolutisht i dënueshëm appeared first on Telegrafi.

Kallëzim penal për një ish-drejtori të burgut të Strumicës

27 September 2024 at 17:01

Sektori për Punë të Brendshme Strumicë parashtroi kallëzim penal deri te Prokuroria Publike kundër B.C nga Strumica për shkak të dyshimeve se ka kryer veprën penale keqpërdorim të pozitës zyrtare, për periudhën kur ka qenë drejtor në burgun e Strumicës në vitin 2021, 2022 dhe 2023.

Sipas policisë, drejtori ka kërcënuar policët e burgut dhe i ka urdhër që ilegalisht t’i lirojnë nga burgu të dënuarit L.K, Gj.V dhe G.T.

Tre të dyshuarit të cilët nuk kanë qenë në burgun e Strumicës, në librin e evidencës, me urdhër të drejtorit, kanë figuruar se po vuajnë dënimin në burg.

Në librin për hyrje dhe dalje nga burgu, të dënuarit gjithmonë janë regjistruar, por me urdhër nga drejtori, ata janë fshirë me korrektor./Telegrafi/

The post Kallëzim penal për një ish-drejtori të burgut të Strumicës appeared first on Telegrafi.

VLEN: LSDM dhe BDI sillen sikur të ishin 9 vjet në opozitë jo vetëm 90 ditë

27 September 2024 at 15:57

“Nuk ka nënvlerësim më të madh të opinionit se sa të akuzosh Qeverinë e re të OBRM-PDUKM-së dhe VLEN-it për vendimin e BE-së për ndarjen e Shqipërisë. Nëse do t’i kishim nisur ndryshimet kushtetuese atë ditë kur u bë konstituimi i përbërjes së re parlamentare, ato nuk do të ishin përfunduar deri në nëntor, sepse procedura zgjat gjashtë muaj”, thuhet në reagimin e koalicionit VLEN.

“Kjo do të thotë se vendimi i BE-së për ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë është përcaktuar gjatë mandatit të Qeverisë së kaluar të LSDM-së dhe BDI-së, të cilët dështuan të sjellin Gruevskin për t’ju siguruar shumicën e dy të tretave për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Do të ishim shumë të lumtur nëse vendimi i ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për hapjen e kapitullit të parë me Shqipërinë do të zbatohej edhe për Maqedoninë”, vijon reagimi i VLEN-it.

“Progresi ynë drejt anëtarësimit të plotë në BE sërish është ngadalësuar për shkak të çështjeve bilaterale dhe korrupsionit masiv të atyre që me vite e përdornin retorikën evropiane për manipulime të përditshme. Megjithatë, presim që vendimi i BE-së për Shqipërinë të shërbejë si një stimul për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme në kohën më të shkurtër të mundshme, e cila do të ofrojë garancitë e duhura për miratimin e amendamenteve kushtetuese. Koalicioni VLEN mbetet i përkushtuar ndaj përshpejtimit të procesit të integrimit dhe zbatimit të reformave të domosdoshme për t’i përmbushur standardet më të larta evropiane. Koalicioni VLEN nuk do të ndalet derisa Maqedonia të marrë vendin e saj të merituar në Bashkimin Evropian. Do të vazhdojmë të luftojmë për të ardhmen evropiane të vendit, duke i lënë pas manipulimet dhe korrupsionin e së kaluarës. Evropa na pret – dhe ne jemi gati ta realizojmë këtë vizion!”, mbyllet reagimi i VLEN-it.

 

The post VLEN: LSDM dhe BDI sillen sikur të ishin 9 vjet në opozitë jo vetëm 90 ditë appeared first on Telegrafi.

Radev për pengesën e Maqedonisë për në BE: Janë pasoja logjike

27 September 2024 at 15:38

Presidenti bullgar, Rumen Radev në lidhje me vendimin e Bashkimit Evropian që të ndajë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në procesin eurointegrues, thotë se këto janë logjike.

Radev e definon vendimin e BE-së për fillim të negociatave me Shqipërinë, por jo me Maqedoninë e Veriut, si logjike dhe se Shkupi po shkon në drejtim të kundërt të eurointegrimeve.

“Korniza negociuese e vitit 2022 tregon qartë se kur Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat. Bullgarët në Kushtetutë dhe ë pas do të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE”, u shpreh Radev.

Ndryshe, kryeministri Mickoski tha se që kur ka qenë për vizitë në Bruksel është thënë se Shqipëria o të fillojë negociatat dhe do të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/

The post Radev për pengesën e Maqedonisë për në BE: Janë pasoja logjike appeared first on Telegrafi.

LSDM: Mickoski duhet ta pyesë Orbanin pse ambasadori hungarez ka votuar për ndarjen e Maqedonisë dhe Shqipërisë

27 September 2024 at 15:21

Nga LSDM përmes një njoftimi thonë se takimi Mickoski – Orban nuk do të thotë asgjë për qytetarët e Maqedonisë.

Sipas tyre, në këtë vizitë, Mickoski është dashur ta shfrytëzojë mundësinë dhe publikisht ta pyesë Orbanin pse ambasadori i Hungarisë, vend kryesues në BE, ka votuar për ndarjen e Maqedonisë dhe Shqipërisë për në procesin eurointegrues.

“Këtë duhej ta pyesë Mickoski. Pse qytetarët e Maqedonisë, në kryesimin e tij me BE-në, janë në fund për anëtarësim në BE”, thonë nga LSDM.

Ata po ashtu thonë se Mickoski është dashur ta pyesë pse Hungaria nuk ndihmoi si partner strategjik në kohën kur dakordonin kredi me para të dyshuara kineze.

“Mickoski dhe Orban nuk ofruan asgjë për qytetarët, përveç që vendosën ta fusin në borxh vendin për 500 milionë euro”, thonë nga LSDM./Telegrafi/

The post LSDM: Mickoski duhet ta pyesë Orbanin pse ambasadori hungarez ka votuar për ndarjen e Maqedonisë dhe Shqipërisë appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Mexhiti: Do të mbyllet edhe “Megawin”, është procedurë në vete

26 September 2024 at 19:39

Edhe kompania për organizimin e lojërave të fatit online “Megawin” do të mbyllet në seancën e ardhshme të Qeverisë dhe kështu nuk do të mund të organizojë askush lojëra të fatit online në Maqedoninë e Veriut. Kështu njoftoi zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti.

Ai tha se me vendimin e parë të Qeverisë, fillimisht është prishur një kontratë për qirramarje mes Lotarisë dhe objektit të ish restorantit “Festina” në Vizbeg.

Më pas janë shfuqizuar koncesionet të cilat ishin dhënë në mënyrë joligjore për kazinot online dhe vendimi i tretë është për të luftuar organizimin e lojërave të fatit në të zezë.

“Ndërsa “MEGAWIN” është 100% shtetërore që organizon online dhe ka procedurë tjetër. Në mbledhjen e ardhshme të martën do të mbyllet edhe ajo dhe 100% online kazino do të jetë jashtë funksionit në RMV. Në të njëjtën kohë ka një vendim në Qeveri ku i është shpallur luftë e ashpër, sepse ka online kazinot që kanë qenë të organizuara nga ndërmarrja por ka online kazino në të zezë, në të egër që organizojnë biznesin e kazinove për shtetet tjera në rajon, për Turqi, Greqi e Shqipëri. Ka vendim të Qeverisë se do u shpallet luftë e ashpër edhe atyre me të gjitha instrumentet e shtetit”, tha Izet Mexhiti.

 

The post Mexhiti: Do të mbyllet edhe “Megawin”, është procedurë në vete appeared first on Telegrafi.

Siljanovska-Davkova: Aty ku ka veto nuk ka drejtësi, i kemi përmbushur të gjitha detyrimet ndërkombëtare

26 September 2024 at 19:12

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkovka në fjalën e saj në OKB, tha se RMV-ja i ka përmbushur detyrimet ndërkombëtare, por shtoi se anëtarësimi në BE nuk u materializua.

Tutje presidentja theksoi se Maqedonia e Veriut pret mirëkuptim nga fqinjët pa kërcënimin e vetos, pasi që siç shtoi, “ku ka veto nuk ka drejtësi”.

“Emri i ri është formalisht një realitet juridik dhe vendi im, Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e OKB-së dhe NATO-s, i përmbush detyrimet e veta ndërkombëtare, por anëtarësimi në BE nuk është materializuar dhe qytetarët maqedonas i nënshtrohen një tjetër ndryshimi kushtetues, por jo për anëtarësimi, por për fillimin e negociatave, dhe atë për herë të dytë. Si vend i përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë, presim mirëkuptim nga fqinjët tanë pa kërcënimin e vetos, sepse aty ku ka veto nuk ka drejtësi”.

“Ajo demotivon qytetarët maqedonas dhe ngadalëson reformat, destabilizon rajonin dhe lë hapësirë ​​për ndikim nga vende të tjera më të mëdha. Zgjerimi duhet të lidhet me kriteret e Kopenhagës. Ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin, në vend që të bllokojmë. Jemi përballë një sfide të madhe, sikur e drejta të mbetet e drejtë. Nuk ka zgjidhje të thjeshta dhe pa dhimbje”, tha presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkovka.

The post Siljanovska-Davkova: Aty ku ka veto nuk ka drejtësi, i kemi përmbushur të gjitha detyrimet ndërkombëtare appeared first on Telegrafi.

BDI: Koha për hezitim ka mbaruar, ndryshimet kushtetuese të bëhen tani

26 September 2024 at 15:28

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas informacioneve se Shqipëria do të ndahet nga RMV në rrugën drejt BE-së dhe pritet që së shpejti të nis negociatat. Nga BDI thonë se skadimi i afatit për ndryshimet kushtetuese është moment kritik.

“Nuk ka më vend për vonesa, justifikime apo manipulime që do të pengojnë të pashmangshmen. Ndryshimet kushtetuese nuk janë thjesht një detyrim ligjor; ato janë një detyrim moral dhe strategjik që siguron që vendi ynë të mbetet në rrugën e integrimit evropian. BDI gjithmonë ka qenë garantuese e këtij procesi, dhe ne nuk do të lejojmë që bllokadat politike të pengojnë të ardhmen e qytetarëve tanë. Koha për hezitim ka mbaruar.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të tjerë politikë, që të veprojnë me përgjegjësi, pjekuri dhe vendosmëri në interes të qytetarëve dhe shtetit. Kjo përfshin përmbushjen e angazhimeve të përcaktuara në kornizën negociues dhe miratimin e menjëhershëm të ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të nxisin hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit në BE”.

“Është e qartë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është brenda Bashkimit Evropian. Ne duhet të sigurohemi që veprimet tona pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe sakrificat e bëra për dekada për të siguruar një të ardhme demokratike dhe të begatë. Narrativa e frikës dhe politikave ditore duhet rë përfundojë; tani është koha për udhëheqje dhe vizion”, thonë nga BDI.

Më tej shtojnë se ata si parti mbeten të vendosur në pozicionin e tyre që ndryshimet kushtetuese të bëhen tani.

“Përgjegjësia jonë nuk është vetëm ndaj votuesve tanë, por ndaj gjithë vendit. I bëjmë thirrje të gjitha palëve që të vënë interesat e Maqedonisë së Veriut dhe të qytetarëve të saj në radhë të parë dhe të veprojnë në përputhje me aspiratat evropiane që na bashkojnë të gjithëve. Afati ka kaluar, por përgjegjësia mbetet. Koha për përgjigje të qarta dhe veprime vendimtare është tani”, thonë nga BDI./Telegrafi/

The post BDI: Koha për hezitim ka mbaruar, ndryshimet kushtetuese të bëhen tani appeared first on Telegrafi.

Këshilli Gjyqësor: Gjykatat kanë grumbulluar çështje të reja të pazgjidhura

25 September 2024 at 16:56

Puna e gjykatave për tremujorin e dytë cilësohet si joefikase, pasi që nga muaji prill e në vazhdim e kanë shtuar numrin e lëndëve të pazgjidhura që duhej të trajtonin, konstatuan sot anëtarët e këshillit gjyqësor, duke paraqitur raportin për punën dhe numrin e rasteve të gjykatave në vend.

Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit në Shkup janë vlerësuar si të përpikta, ndërsa Gjykata Themelore Penale në Shkup, si dhe Gjykata Themelore Civile në Shkup, janë vlerësuar si jo të përpikta.

“Në nivel të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjykatat në prill të vitit 2024 kanë filluar me 144 507 lëndë të pazgjidhura, kanë pranuar 134 150 lëndë, gjithsej për këtë tremujor kanë pasur 278 657 lëndë. Ata kanë arritur të zgjidhin 132 502 lëndë dhe nuk kanë zgjidhur 146 155 lëndë”.

“Për tremujorin e dytë në nivel të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjykatat nuk arritën ta tejkalojnë fluksin e lëndëve dhe e kanë rritur numrin e lëndëve të pazgjidhura për 1648 lëndë”, deklaroi Pavlina Cërvenkovska, anëtare e këshillit gjyqësor.

The post Këshilli Gjyqësor: Gjykatat kanë grumbulluar çështje të reja të pazgjidhura appeared first on Telegrafi.

Policia me kallëzime penale për “pastrim të parave” dhe “organizimin e lojërave të fatit pa licenca”

25 September 2024 at 16:31

Policia ka ngritur kallëzime penale për “pastrim të parave” dhe “organizimin e lojërave të fatit pa licenca”. Në kallëzime janë përfshirë një person juridik nga Dojrani dhe një 72 vjeçari nga Shkupi, pronarë dhe drejtues i subjektit juridik.

Në kallëzime janë përfshirë edhe tre persona të tjerë gjithashtu për pastrim të parave dhe bashkëveprim në kryerje të veprës penale. Bëhet fjalë për dy të dyshuar nga Dojrani dhe një nga Shkupi.

Sipas policisë të dyshuarit nga viti 2017 deri në vitin 2019 kanë organizuar lojëra të fatit pa pasur licencë, ndërsa tre të dyshuarit për bashkëveprim në vepër penale, paratë e fituara nga lojërat e fatit të organizuara në mënyrë jo ligjore i kanë futur në llogari të 72 vjeçarit me iniciale K.K nga Dojrani.

Ky i fundit paratë i ka paraqitur si huamarrje dhe më pas i ka kthyer në bankë për të paguar kredinë. Shuma e parave të pastruara në këtë mënyrë ka arritur mbi 1.6 milion euro.

The post Policia me kallëzime penale për “pastrim të parave” dhe “organizimin e lojërave të fatit pa licenca” appeared first on Telegrafi.

Kasami në takim me Lazim Destanin, diskutojnë për projektin e stadiumit të ri të Tetovës

25 September 2024 at 14:28

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot zhvilloi takim me pronarin e kompanisë Ecolog, Lazim Destani, ku diskutuan rreth projektit të stadiumit të ri të qytetit të Tetovës.

Siç njoftojnë nga kabineti i Kasasmit, ky projekt përfaqëson një nga iniciativat më të rëndësishme për qytetin dhe është më shumë se një rikonstruim fizik.

“Stadiumi i Tetovës ka qenë për dekada një hapësirë ku qytetarët tanë kanë përjetuar emocione, suksese dhe krenari. Me këtë projekt, synojmë që të krijojmë një ambient modern, që jo vetëm do të përmirësojë kushtet për zhvillimin e sportit, por edhe do të përfaqësojë energjinë dhe pasionin e qytetit tonë. Ky ndërtim është një investim për të ardhmen e rinisë së Tetovës dhe një hap drejt standardeve më të larta për mirëqenien dhe zhvillimin social të qytetit”.

“Projekti i stadiumit të ri përfaqëson gjithashtu një shembull të qartë të bashkëpunimit të frytshëm midis sektorit publik dhe atij privat, ku falë angazhimit të përbashkët, po i japim jetë një projekti të rëndësishëm që do të shërbejë si simbol i bashkimit dhe progresit të komunitetit tonë”.

“Komuna e Tetovës, në bashkëpunim me kompaninë Ecolog, do të vazhdojë të punojë pa ndërprerje për realizimin e këtij projekti, me synim që Tetova të ketë një stadium të denjë për ambiciet dhe potencialin e saj. Kjo iniciativë është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për qytetin tonë dhe për të gjithë qytetarët e Tetovës”, thuhet në njoftimin nga Komuna e Tetovës./Telegrafi/

The post Kasami në takim me Lazim Destanin, diskutojnë për projektin e stadiumit të ri të Tetovës appeared first on Telegrafi.

Nis procesi i rigjykimit për djegien e Spitalit modular në Tetovë, seanca shtyhet për më 5 nëntor

25 September 2024 at 10:33

Sot në Gjykatën Penale në Tetovë ka filluar procesi i rigjykimit për rastin e djegies së spitalit modular, kur më 8 shtator të vitit 2021 jetën e humbën 14 persona dhe 12 të tjerë u lënduan.

Autoritetet njoftuan se seanca e sotme anulohet për më 5 nëntor, pasi mungon njëri prej avokatëve, i cili sipas njoftimit, është në pushim mjekësor.

Ndryshe, vitin e kaluar Gjykata Themelore Penale në Tetovë dënoi Florin Besimi dhe Artan Etemi me 1 vjet e 6 muaj burg me kusht dhe 1 milion denarë dënim me para, ndërsa Boban Vuçevski dhe Klinika e Tetovës si institucion u liruan nga akuzat. Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit në Gostivar ktheu në rigjykim rastin./TV21/

 

The post Nis procesi i rigjykimit për djegien e Spitalit modular në Tetovë, seanca shtyhet për më 5 nëntor appeared first on Telegrafi.

Murtezani në takim me homologun hungarez: Integrimi i Ballkanit Perëndimor është thelbësor për stabilitetin e rajonit

20 September 2024 at 17:43

Ministri i Çështjeve Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, sot në Budapest është takuar me homologun e tij hungarez, Janos Boka.

Siç kumtojnë nga kabineti i Murtezanit, takimi është përqendruar në avancimin e procesit të aderimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, i cili, siç shkruhet, është një nga prioritetet kryesore të Hungarisë në kuadër të kryesimit të saj me Këshillin e BE-së.

“Bashkëbiseduesit konstatuan se realizimi i Agjendës reformuese është e një rëndësie thelbësore për progresin e Maqedonisë së Veriut në procesin e eurointegrimeve dhe rritjen e shpejtë ekonomike. Në takimin në Budapest, siç shkruhet në njoftimin e kabintetit, ministrat kanë shprehur përkushtimin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer”.

“Kanë rënë dakord se gjatë presidencës së Hungarisë të Këshillit të BE-së, do të bëhen përpjekje shtesë për të përshpejtuar procesin e aderimit të Maqedonisë së Veriut dhe për të forcuar nismat rajonale që do të kontribuojnë në stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

The post Murtezani në takim me homologun hungarez: Integrimi i Ballkanit Perëndimor është thelbësor për stabilitetin e rajonit appeared first on Telegrafi.

Toshkovski: Ngjarja në Vrapçisht ishte pjesë e informacioneve që i posedonim për destabilizimin e vendit

20 September 2024 at 15:26

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot deklaroi se MPB nuk do të lejojë që të ketë destabilizim të vendit dhe qytetarët të ndjehen të pasigurt. Ai tha se ngjarja në Komunën e Vrapçishtit me kishën në fshatin Gallatë ka qenë një ndër ngjarjet për të cilat kanë pasur informacion se do të ndodhë.

“MPB do të ndërmerr të gjitha hapat me qëllim që qytetarët të jenë të sigurt, të kemi gjendje normale të sigurisë. Kemi kapacitet për ta bërë këtë”.

“Ajo që ishte në periudhën e kaluar si informacion, fliste se do të ketë tentime, siç ishte shembulli në Komunën e Gostivarit, shpresoj që në të ardhmen nuk do të ketë ngjarje që do të shkaktojnë tensione etnike ose fetare, por nëse ka, sigurisht se do të përgjigjemi”, tha mes tjerash Toshkovski.

Ai foli edhe për projektin e vendosjes së kamerave të sigurisë në trafik, duke thënë se ky projekt duhet të bëhet për të parandaluar viktimat nga aksidentet në komunikacion. Ai gjithashtu bëri thirrje të ngrihet kultura në komunikacion./Telegrafi/

The post Toshkovski: Ngjarja në Vrapçisht ishte pjesë e informacioneve që i posedonim për destabilizimin e vendit appeared first on Telegrafi.

❌
❌