Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 October 2024Main stream

Kryemadhi kërkon 10% të fondeve të Partisë Lirisë, zbulohet lëvizja e fundit

By: Java News
8 October 2024 at 19:55

Deputetja Monika Kryemadhi, e cila aktualisht është në proces divorci me bashkëshortin e saj, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, vijon angazhimet politike dhe partiake. Mësohet se Kryemadhi kërkon ndryshime ligjore që u japin forumeve të grave automatikisht 10% të buxhetit shtetëror për fushatat zgjedhore.    

Bëhet me dije se Kryemadhi ka depozituar në Kuvend një nismë ligjore që synon garantimin e financimit të veçantë të fushatave zgjedhore të kandidateve gra. Në projektligj thuhet se “Të paktën 10% e financimit publik që përfitojnë partitë politike, u kalon në mënyrë të drejtpërdrejtë strukturave te grave brenda partisë politike dhe është i dedikuar për fuqizimin e vajzave dhe grave brenda partisë përkatëse”.

Kryemadhi e sheh këtë si një mënyrë që gratë në politikë të fuqizohen dhe të ecin përpara sipas meritokracisë.

Aksident i rëndë në Berat, përplasen 3 makina! Raportohet për të plagosur

By: Java News
8 October 2024 at 19:46

Një aksident automobilistik ku janë përfshirë tre automjete, ka ndodhur në rrugën kryesore Antipatrea në lagjen muzelae Mangalem, në Berat.

Një automjet, tip Opel, me targa të huaja, ka goditur mjetin, tip volkswagen, i cili ishte në pritje të semaforit. Nga goditja e fortë është edhe një mjet tip Mercedes Benz, i cili ndodhej përpara makinës Volkswagen.

Si pasojë e këtij aksidenti, një nga pasagjerët që ndodheshin në makinën tip Opel është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku bëhet me dije se i plagosuri ka marrë plagë të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë rrugore, që po kryejnë këqyrjen e terrenit për te nxjerrë dhe shkaqet e aksidentit, ku u përfshirë tre automjete.

Ai i vuri flakën PD, ju i bëni gjyq pse dogji dhe PS

By: Java News
8 October 2024 at 19:41

Nga Mero Baze
Shikoj shumë komente serioze pas ditës së djeshme, që e konsiderojnë një ngjarje të rëndë djegien e selisë së Partisë Socialiste nga çeta e Berishës. E konsiderojnë të rëndë, pasi përveçse është e pangjarë ndonjëherë në historinë politike të një vendi, është dhe një shenjë gangsterizmi primitiv, pasi duke tentuar djegien e shtëpisë së kundërshtarit, ke prishur çdo rregull loje.

Por ndaloni, mos nxitoni të gjeni arsye tek Sali Berisha, për t’i përdorur si pengesa në rrugën e tij për pushtet. Nuk ka gjetur ndonjë tjetër para nesh që kërkojmë tani që ai është tetëdhjete vjeç dhe pret në majë të penxheres të nusërojë për herë të tretë.

Për të gjithë ata që janë të shqetësuar pse u dogj selia e PS, ktheni kokën dy vite më pas dhe shikoni si i vuri flakën selisë së PD, selisë së partisë së tij, vetëm se e sfidoi kryetari në detyrë i saj, pasi u shpall “non grata” nga SHBA për korrupsion madhor familjarisht, për minim të demokracisë dhe shantazhim të sistemit të drejtësisë.

Mblodhi banditë, makina të blinduara, shkallë metalike, qysqi dhe vare, molotovë dhe tymuese, dhe ju turr mureve të SHQUP, si osmanët kalasë së Skënderbeut, për ta pushtuar me dhunë.

Në historinë e politikës shqiptare, por as botërore, rrezik se do gjeni një shembull të dytë, që një politikan i cili vet mbahet si themelues dhe baba i asaj partie, edhe duke ikur në botën tjetër, ka rrëmbyer urat e zjarrit për të djegur selinë e partisë së tij vetëm nga makthi se do t’ia merrnin pasardhësit që vet i kishte emëruar

Tani ai nuk mund t’ia linte vetes këtë turp që të hynte në histori si njeriu që ka djegur vetëm selinë e partisë së tij. Së paku e balancoi duke djegur dhe selinë e partisë kundërshtare. Tani së paku është më i qetë.

Ka të tjerë që ankohen se ai mërziti qytetarët, pasi disave u rrezikoi jetën, një gruaje i pamundësoi lindjen normale, një ambulance i zuri rrugën etj.

Po shikoni pak se ç ‘bën me militantët e vet dhe pastaj ankohuni për të tjerët. A e pat se si një protestues i moshuar për pak u përfshi nga flakët e molotovëve që vajza e tij dhe shokët e saj e hodhën mbi policët për t’i djegur të gjallë. Dhe ata në përpjekje për t’u mbrojtur e shtynë dhe desh e dogjën të moshuarin.

E dëgjoni se çfarë thonë nga pas? Akuzojnë policinë që desh e dogji me molotov. A thua policët kishin shkuar aty me molotovë në duar dhe këta me trëndafila, dhe policët u hodhën molotovë. Pikë mëshire nuk kanë pse i rrezikuan jetën atij plakut, por janë të shqetësuar pse molotovi shkoi dëm dhe nuk dogji policin.

I keni parë sot se si policia ka shpall dhjetëra militantë në kërkim dhe disa të tjerë i ka ndaluar dhe janë në komisariate? Do humbasin ditë të tëra aty për të mos thënë muaj, duke u marrë me drejtësinë. Shumë prej tyre mund të jenë dhe hallexhinj të dëshpëruar. Flamur Noka do flejë rehat në një pallat me Shkëlzenin tek Liqeni, ndërsa ata do enden qelive e dyerve të gjykatave.

E si ti kërkosh tani llogari Berishës, pse u prish qetësinë qytetarëve, pse i zë rrugën makinës së gruas shtatzanë, kur ai vet ushtarët e tij që po i keqpërdor, po i lë rrugëve, në mëshirë të fatit.

Dhe në fund kur mendoni vërtet se Berisha ka dashur të poshtërojë PS dhe institucionet, mendoni se çfarë i ka bërë Partisë Demokratike. I ka vënë në krye Flamur Nokën.

Mendoni vetëm një moment se si Tirana apo Shqipëria, të shikojë tek fytyra e Flamur Nokës, të ardhmen e saj, mendoni se si studentët apo të rinjtë shqiptar të shikojnë tek fytyra e tij modelin që duhet të ndjekin, mendoni një moment se si inteligjenca shqiptare të shikojë tek ai shpresën për ta zhvilluar Shqipërinë, ish- të burgosurit politikë ta konsiderojnë dhe atë të burgosur vetëm se ka bashkëbiseduar në vitin 1991 disa javë me operativin e UDB në Prizren dhe e ka rikthyer të vazhdojë jetën në Shqipëri, dhe pastaj nuk ka nevojë të ngrini pyetjen pse një parti me 1 milionë e 200 mijë vota më 1992, u katandis dje më 1200 vetë pas Flamurit.

Po kush mund ta poshtëronte PD më shumë se sa Sali Berisha me këtë akt?

Edhe armiku më i egër i PD, nuk e shkon në mendje ta ketë partinë rivale me një idiot të këtyre përmasave në krye të saj. Mes të tjerash, askush nuk do rivalë kaq idiotë, pasi ul dhe fyen dhe veten duke e pasur rival.

Por Sali Berisha, nën paranojat se ja marrin ende pa vdekur partinë, e ka guximin ta poshtërojë PD përtej ëndrrave të kundërshtarëve të saj, për shkak se ai mbi gjithçka, nuk ka as Shqipërinë, as partinë, por vetëm pushtetin.

Ndaj mos i bëni gjyq se çfarë i bën PS. Shikoni çfarë po i bën PD dhe të vetëve, dhe lëreni të ngrysë jetën si armiku më i madh i PD, dhe aleati më i madh i PS.

Rrezikonin të mbyteshin, anija shqiptare ndihmon emigrantët

By: Java News
8 October 2024 at 19:38

Anija “Oriku”, pjesë e misionit në Detin Egje, në bashkëpunim me Rojën Bregdetare greke dhe turke, i ka ardhur në ndihmë një gomoneje me 19 emigrantë me kombësi të ndryshme nga Lindja e Mesme.

Raportohet se emigrantët u morën nga Roja Bregdetare turke në gjendje të mirë shëndetësore dhe u shoqëruan për procedurat e mëtejshme.

Kjo nuk është hera e parë që anija “Oriku” ka shpëtuar emigrantë të tjerë në Egje, jeta e të cilëve ishte në rrezik.

Programi i Praktikave të Punës, Rama thirrje të rinjve: Shfrytëzojeni këtë mundësi në Administratë

By: Java News
8 October 2024 at 19:31

Në Pallatin e Brigadave në Tiranë, po zhvillohet sot (8 tetor) një aktivitet, ku në fokus është Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, i cili prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë që të fitojnë eksperiencë pune, duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.

Në të mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili foli për eksperiencën 9-vjeçare të praktikave të punës në administratë, konkurset për të cilat theksoi se “nuk janë të shitura” ashtu edhe siç raportohet dhe se ka njerëz profesionistë të aftë, që punojnë prej vitesh në të.

Ai iu drejtua të rinjve që të jenë pjesë e saj, duke theksuar edhe ndryshimin e Shqipërisë edhe në sytë e Botës dhe vendeve Perëndimore.

“Mundësinë për ta pasur këtë eksperiencë shfrytëzoheni deri në fund. Sepse kudo të shkoni, nëse shënoni në përshkrimin tuaj se ‘kam punuar në administratën publike shqiptare’, do ju shohin me respekt. Ky është respekt që deri para ca vitesh nuk na respektonin asnjëherë, konsideronin si komshi që duhet hequr qafe, si një banor me ndërtim pa leje. Kurse sot na shohin me respekt. Të thuash jam nga Shqipëria, je seksi, deri dje ishte qamet”, tha kryeministri ndër të tjera.

Rama theksoi edhe se “nëse konkurset e administratës do ishin false, atëherë do ishin pa fitues, sepse nuk arrin të plotësohen ato kritere të forta që janë”.

Kreu i qeverisë tha se ka shumë punë për të bërë ende në këtë drejtim, por theksoi se “ka njerëz të zotë padiskutim” dhe shprehu bindjen për “ta transformuar më tej administratën publike dhe për ti dhënë një shprehje që se ka pasur më parë”.

“Ka qenë administratë e dhunuar nga presioni politik. Ligji për administratën ka konsoliduar pozicionet e punës nëpunësit civil”, u shpreh ai.

Kryeministri deklaroi sot se “Programi Kombëtar i Praktikave të Punës u bë një urë, një praktikë pune, e cila nuk është thjesht praktikë pune për t’u njohur me një punë të caktuar, por është pikërisht mundësia e krijimit të eksperiencës që brenda kornizës së ligjit i jep mundësi çdonjërit nga ju të konkurrojë”.

Në fjalën e tij në aktivitetin për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, Rama tha se “në këto 11 vite është bërë një punë serioze, e vështirë, pa diskutim, jo e mjaftueshme për të thënë që është një punë e kryer për të transformuar administratën publike dhe për t’i dhënë një forcë aftësish dhe një mundësi të shprehjes se tyre që nuk e ka pasur më parë”.

“Administrata publike më parë ka pasur njerëz të zotë padyshim. Sot ju sapo keni hyrë dhe do të njiheni në ministri apo institucione që mund të jenë në prag pensioni që kanë 30 vjet në administratë, që janë thesar. Po administrata publike nuk ka pasur as mundësi që të ndihet më e motivuar të ndihet e shprehur as aftësinë për ta shprehur atë që i është dashur të bëjë siç bëri në procesin screening sepse ka qenë një administratë e dhunuar nga presioni politik”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se:

“Kam pasur gjithmonë brenda meje, siç kanë të gjithë praktikisht qytetarët shqiptarë mbase jo në nivelin e shumicës së tyre që mendojnë se administrata publike është një territor me shumë hije dhe me pak arsye për të pasur respekt, por gjithsesi një ndjesi pasigurie dhe një ndjesi që kjo do të ishte pjesa më pamundur e misionit tim dhe misionit tonë për ta ngritur administratën publike në një nivel të respektueshëm, të paktën në të gjallët e mi”.

Dhe më tej shtoi se:

“Mirëpo ajo që ka ndodhur është që në procesin e diagnostikimit të Shqipërisë apo siç quhet në gjuhën e Adeas dhe Ulsiut, screening me BE, një skuadër goxha e madhe në numër ka arritur të prodhojë një rezultat që për mua ka qenë befasuese. Nëse do ma thoshte dikush më parë do ta dyshoja fort dhe nëse kam pasur gjithmonë një frikë nga momenti i hapjes së atij procesi duke dëgjuar të tjerë kolegë që e kishin njohur më parë se ç’ është procesi i diagnostikimit të një vendi që futet për të hapur negociatat me BE-në ka qenë si do t’ia dalim ne kësaj”, theksoi Rama.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë, që të fitojnë eksperiencë pune, duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.

“Në 2011 dyert e administratës nuk hapeshin”, Muzhaqi: Mbi 1300 të rinj kanë përfituar nga programi i praktikës së punës

By: Java News
8 October 2024 at 19:22

Bora Muzhaqi, ministre e Rinisë, tha se 1300 të rinj kanë përfituar nga programi kombëtar i praktikës së punës në këto 5 vite.

Muzhaqi tha se të rinjtë dhe të rejat angazhohen në institucionet shtetërore, përfshi Kryeministrinë, ministritë, institucionet e varësisë, bashkitë e vendit, në kuadër të programit të praktikës së punës.

Ministrja tha se të rinjtë dhe të rejat kanë të drejtë të zgjedhin në pozicionet e praktikave të punës, ndërsa shtoi se kjo nuk kërkon as eksperiencë të mëparshme dhe as ekselencë.

Dhe në vijim, këtë praktikën 1 vjeccare, Muzhaqi e konsideroi si trampolinën për të ngjitur hapat e karrierës, bazuar në meritokraci, të të rinjve dhe të rejave në administratën publike shqiptare.

Nisur nga një eksperiencë e saj në vitin 2011, Muzhaqi tha se në atë kohë nuk iu dha mundësia që të kryente praktikën pa pagesë në një institucion shtetëror.

“Që të hapej dera e një institucioni për të kryer praktikën, një punë e papaguar, ishte nderi i jetës. Kjo ndodhte në 2011, ndaj edhe shumë të rinj nuk iu bashkuan administratës, pasi i gjenin dyert e mbyllura”, tha Muzhaqi.

Skenari “LSI 2008”, karta e fundit! PD drejt ngujimit dhe grevës në Parlament?

By: Java News
8 October 2024 at 19:12

Nga Ardit Rada

Kur Flamur Noka publikoi një javë më parë pamjet e Ilir Metës duke u hedhur mbi tryezat e Parlamentit në vitin 2008, shumëkush e cilësoi si gafë. Një pjesë e socialistëve madje u shprehën publikisht se djegia e karrigeve të Kuvendit nuk ka asnjë krahasim me atë që kishtë bërë Meta, e aq më tepër që na të kohë ai përfaësonte LSI-në dhe jo PS-në.

Por me gjasë, video e Nokës ka patur qëllim paralajmërues dhe jo të hiqte një paralele mes kaosit të sotëm dhe të atij të 16 viteve më parë.

Sot ka qenë vetë kreu i Partisë Demokratike që nga arresti shtëpiak ka zbuluar detaje për vijimin e aksionit opozitar. Berisha mbetet arkitekti i të gjitha veprimeve në rrugë apo në Kuvend, pavarësisht izolimit të tij dhe pavarësisht çdo emri që duket ne fasadë se drejton Grupi Parlamentar. Ndaj, para një situate të tillë ai ka dhënë direktivat sesi duhet apo do të vijojë protesta e opozitës, pas shfaqjes së dobët të hënën në mbrëmje.

“Javët që vijnë mosbindja do të çmontojë narkoshtetin. Mbrëmë ishte aksioni i parë, kemi ngujime, greva përpara, bllokime rrugësh, kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do të shkërmoqin narkoshtetin e Ramës. Se mos mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe përfundoi vetëm aty, së shpejti në mosbindje do kesh Shkodrën, Durrësin, Kukësin, mbarë Shqipërinë”, tha sot Sali Berisha para disa gazetarëve.

E lidhur kjo deklaratë me ilustrimet e Flamur Nokës në Instagram, por edhe me dështimin për të siguruar pjesëmarrje masive në terren, duket se Berisha po u ngarkon deputetëtve që e ndjekin verbërisht një barrë të re. Atë te ngujimeve dhe grevave në sallën e Kuvendit, si LSI-ja e vitit 2008.

Nga ana tjetër duke marrë parasysh se ata që spikasin në ‘aksione’ janë përjashtuar me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, skenari i ngujimit duket më i munduri edhe si akt ekstrem për të arritur ‘qeverinë teknike’.

Berisha e ka thënë qartë, tani është çështje kohe se kur do të ndodhë?!

javanews.al

“Të thuash sot jam nga Shqipëria, je ‘sexy’, deri dje….”, Rama batuta në programin me të rinjtë: Për të hyrë në administratë nuk duhet të kesh kushëri Ulsiun

By: Java News
8 October 2024 at 19:10

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, i cili prej 9 vitesh mundëson integrimin e të rinjve në eksperienca pune, në ndërveprim me profesionistë karriere pranë administratës publike

Rama: Kam dëgjuar disa të pavërteta si ‘të hysh në administratën publike duhet të jesh nga Dibra si Ulsiu, ose nga PS’… Nuk e di sa nga ju kanë kushërinj Ulsiun, apo këdo qoftë tjetër, por ajo që di unë është kjo, që në Kryeministri kam takuar personalisht një numër të caktuar si ju më parë, që hyn në praktikën e punës dhe hynë në punë.

Kur kanë aplikuar në konkurs, shumë kanë thënë ‘ne as që nuk e besonim që do e fitonim konkursin, kemi hyrë kot sepse është e pamundur’. Nëse do ishin të shitura, rreth 1 e treta e tyre nuk do dilnin pa fitues. Dalin jo fitues sepse nuk plotësojnë rregullat strikte. Ne shqiptarët nuk jemi humbësa të zotë, nuk dimë të humbin.

Fjala që është gjetur është korrupsion, etj etj.. Fatmirësisht, jo se nuk ka të tilla, po është e vërtetë që mbi 500 si ju, që në tre vitet e fundit janë punësuar pasi kanë bërë konkursin janë në 95% njerëz që nuk kanë ardhur në praktikën e punës si të rekomanduar nga dikush apo kanë mbiemër të njohur. E kanë fituar konkursin falë meritës së tyre. Cilado të jenë pengesat, ju duhet të besoni se atë gjë që doni të arrini do ta arrini dhe duhet të bëni gjithçka për ta arritur.

Hapet të enjten xhamia e Namazgjasë, komuniteti mysliman: U bë realitet falë insistimit të Erdogan dhe vullnetit të Ramës

By: Java News
8 October 2024 at 18:59

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë bëhet gati për të përuruar xhaminë e Namazgjasë. Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në cenermoninë e inaugurimit që do të mbahet të enjten e kesaj jave.

Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve, thuhet në një postim në facebook të këtij komuniteti.

Komuniteti falenderon presidentin Erdogan dhe kryeministrin Edi Rama për realizimin e kësaj xhamie që është ëndrra e kahershme e shqiptarëe.

Mesazhi i plote

Të dashur motra dhe vëllezër, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kënaqësinë t’ju njoftojë për evenimentin e madh që do të mbahet ditën e enjte në Tiranë, siç është inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë.

Kjo xhami është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Presidentit të Republikës së Turqisë, SH.T.Z, Recep Tayyip Erdoğan. Po ashtu Xhamia e madhe e Namazgjasë nuk do ishte bërë sot realitet pa mbështetjen e madhe administrative po edhe financiare të Qeverisë Shqiptare, që falë vullnetit të Kryeministrit Edi Rama i hapi rrugë konsolidimit të pronësisë sonë mbi truallin e Namazgjasë.

Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në cenermoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.

Ne falenderojmë popullin turk dhe presidentin Erdoğan, si edhe kryeministrin e Shqipërisë që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Këtu veçojmë gjithashtu ndërveprimin e shkëlqyer të qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ndërveprim i cili ka qenë deçiziv në realizimin e kësaj vepre madhështore për popullin dhe kryeqytetin shqiptar. Një falenderim vëllazëror u shkon të gjithë atyre që e ndërtuan Xhaminë tonë të Madhe me mendjet e duart e tyre të arta.

Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.

Falenderojmë Zotin që bëri të mundur arritjen e kësaj dite të shënuar!

Inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë do të bëhet ditën e enjte, 10 tetor 2024, thuhet në njoftimin e komunitetit mysliman.

Veliaj pas protestës: Saliu nuk është arsye e fortë për të përçarë një qytet, Tirana e vendosur të ecë përpara

By: Java News
8 October 2024 at 18:52

“Saliu nuk është arsye për të përçarë një qytet, Tirana do të vijojë të ecë përpara”. Kështu u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në deklaratën e tij mbi vendimet e miratuara sot në Këshillin Bashkiak. Ai tha se koha për debat u uzurpua nga ata që vandalizmin e qytetit donin ta sillnin edhe në sallën e Këshillit Bashkiak.

“Është e pamundur të diskutosh me njerëz që u bien tavolinave, që shkatërrojnë karriget dhe pronën publike. Nuk bën dot betejë civile, qytetare. Unë jam shumë i qartë se ata njerëz nuk përfaqësojnë demokratët e vërtetë. Unë kam demokratë komshinj, të gjithë kemi shokë demokratë në vendet e punës, krushqi e kushërinj. Demokratët janë njerëz normalë, nuk janë njerëz të dhunshëm. Këta nuk përfaqësojnë as demokratët, as atë që është pjesa e shëndoshë e një shoqërie, që do të bëjë opozitë për gjëra që i mendon ndryshe nga ata që qeverisin qytetin apo vendin. Ndihem vërtet i keqardhur! Përpara se të hapen kamerat në Këshillin Bashkiak, [këshilltarët e opozitës] janë shend e verë, diskutojnë si qytetarë. Sa ndizet kamera dhe i sheh Saliu, shpërfytyrohen dhe papritur ti nuk e beson që janë të njëjtët njerëz që fillojnë u bien tavolinave, nuk ka rëndësi nëse janë profesorë në universitet apo fëmijët e një pastori të sjellshëm. Në momentin që i shikon Saliu, ata duhet të sillen me pritshmërinë e tij dhe pritshmëria e tij është zjarr, shkatërrim, përçarje, sharje, fyerje”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se Saliu nuk është arsye e fortë për të përçarë një qytet. “Ata [opozita] kanë vendosur të bëjnë këtë teatër për një njeri që është në arrest shtëpie dhe që vetë nuk ia mban, se është frikacak. Mund të kishin votuar sot nëse do kuptonin se ka Shqipëri edhe pa Saliun. Shqipëria do të jetojë përtej moshës, gjithmonë, përtej mandateve, gjithmonë. Për të lënë një emër të mirë për këtë Shqipëri, ju ftoj të bëheni pjesë e një bisede civile, le të jeni në opozitë. Unë nuk besoj se shumica e demokratëve dhe e opozitarëve janë të dhunshëm. Me ose pa ju, Tirana do të vijojë përpara. Saliu nuk është arsye e fortë për të përçarë një qytet që ka vlera”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi faktin se pavarësisht bllokimeve të vazhdueshme të kundërshtarëve politikë, Tirana do të ecë përpara me punët e mira. “Vendimi që kemi marrë të gjithë bashkë është që qyteti do shkojë përpara, Tirana do të ecë përpara. Tirana do të vazhdojë zhvillimin dhe do të duhet të marrë vendime të shpeshta dhe të shumta, siç janë këto vendimet që kemi marrë sot”, përfundoi ai.

Këshilltarët e djathtë tentuan të bllokojnë miratimin e kredive të buta, ndihmën ekonomike dhe një sërë vendimesh të rëndësishme.

Horror në Tetovë/ Burri vret gruan dhe të bijën e mitur, djali 9-vjeçar në gjendje të rëndë

By: Java News
8 October 2024 at 17:57

Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e sotme në Maqedoninë e Veriut, ku një burrë ka vrarë gruan e tij 38-vjeçare dhe vajzën e tyre të mitur, ndërsa djali 9-vjeçar ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në fshatin Sallatinë në Tetovë. Mediat raportojnë se ka qenë nëna e 38-vjeçares e cila ka gjetur pa jetë vajzën dhe mbesën dhe ka njoftuar menjëherë policinë.

Ajo ka shkuar në banesë pasi e bija nuk i kishte hapur telefonin. Ndërkohë është arrestuar autori i krimit.

Policia dhe prokuroria ndodhen në vendngjarje dhe po hetojnë mbi rastin.

Mbillnin dhe trafikonin drogë/ “Çmontohet” banda shqiptaro-marokene, “punonin” me kokainë dhe…

By: Java News
8 October 2024 at 17:52

Një organizatë kriminale shqiptaro-marokene u shpërbë nga Karabinierët e Città di Castello.

Anëtarët e bandës nga 43 deri në 49 vjeç, me origjinë marokene dhe shqiptare, dyshohet se ishin përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike.

Shtatorin e kaluar, në kuadër të të njëjtit aktivitet hetimor të koordinuar nga Prokuroria e Perugias, dy subjekte të tjerë të moshës 24 dhe 23 vjeç, me origjinë marokene, ishin arrestuar me masa paraprake për të njëjtat krime.

Operacioni i Karabinierëve u përqendrua në zonat e pyllëzuara dhe periferike të Umbertide ku ishte organizuar një aktivitet real i tregtimit të sasive të konsiderueshme të drogës, veçanërisht kokainës. Kontrollet e shumta të kryera te blerësit bënë të mundur identifikimin e të paktën 20 personave dhe sekuestrimin e dozave të blera.

Hetimet që çuan në ekzekutimin e urdhrit të parandalimit zgjatën një vit dhe janë rezultat i aktiviteteve në hije dhe hetimore të kryera nga ushtria, përfshirë përdorimin e dronëve. Të arrestuarit akuzohen për posedim dhe trafikim të sasive të mëdha të kokainës.

Zbrit nga ballkoni Sali dhe udhëhiq mosbindjen civile, ndryshe mos u tall me demokratët

By: Java News
8 October 2024 at 17:43

Nga Ergys Mërtiri

Protesta e djeshme e opozitës nuk mund të konsiderohet as mosbindje, as civile.

Mosbindja civile nënkupton një lëvizje ku qytetarët refuzojnë një regjim tiranik dhe, në mënyrë paqësore, rezistojnë ndaj pushtetit të tij duke mos iu bindur institucioneve.

Ndryshe nga kjo, akti i parë i kësaj mosbindjeje civile u zhvillua në mënyrë juridikisht korrekte, me lejë në polici dhe brenda orarit të caktuar. Që këtu, një mosbindje me leje dhe orar, konform një kërkese ligjore tek autoriteti të cilit nuk po i bindesh, prodhon një non sens të thellë.

Por, përveç kësaj, nuk ka kuptim të ftosh popullin në mosbindje civile, kur vetë lideri i mosbindjes, qendron i izoluar në kat të tetë duke iu bindur atij që ai e konsideron gjyq politik kriminal i stisur nga Edi Rama për të vrarë opozitën.

Nëse Berisha kërkon të shtyjë popullin në mosbindje civile duhet të japë shembullin vetë i pari: Të zbresë nga ballkoni në rrugë e t’iu prijë qytetarëve. Por ai nuk e bën këtë sepse së pari, i druhet pasojave për veten e vet dhe së dyti, ai e di shumë mirë që mosbindje nuk ka për të pasur. Nuk ka për të pasur sepse populli nuk është me të pavarësisht se i ka ardhur në majë të hundës me Edi Ramën.

Nga ana tjetër protesta e opozitës nuk ishte as civile, pasi nuk ishte as qytetare, as popullore. Pjesëmarrësit ishin militantë partie që mblidhen në mënyrë të organizuar nga struktura. PD-ja ka me dhjetëra mijëra anëtarë, prej të cilëve mbi 7500 kryetarë seksionesh dhe grup seksionesh, aq sa ç’ishin pak a shumë në bulevard. Kjo do të thotë se populli jopartiak (madje edhe vetë një pjesë e mirë e anëtarësisë së partisë) mungoi në protestë.

Protesta nuk ishte qytetare e popullore as në qëllimet dhe mënyrën e zhvillimit. Ajo nuk reflektoi qytetari në mënyrën sesi u zhvillua dhe as e përfaqësoi dot interesin e qytetarëve në motivet për të cilat u bë. Kjo nuk ishte një protestë për hallet popullit, por për hallet e një personi i cili kërkon të mos dalë para drejtësisë. Madje, edhe parrullat e protestuesve, më shumë se largimin e Ramës, kërkonin të shprehnin mbështetjen ndaj Berishës. Nga “Rama ik”, opozita ka kaluar tashmë në “Berisha rri”.

Për këto arsye zjarret e djeshme nuk e ngrohën dot shpresën për ndryshim. Njerëzit e kuptojnë se ato nuk u ndezën për të vrarë frikën nga regjimi, por për të kërcënuar me destabilizim ndërkombëtarët dhe institucionet që shtyjnë përpara hetimin e bosëve të paprekshëm të politikës. Kjo është edhe arsyeja përse kjo protestë dështoi me turp duke prodhuar indinjatë publike dhe thuajse aspak solidaritet.

Protesta e PD, reagon partia gjermane CDU: Dënojmë ashpër aktet e dhunës që inkurajohen nga Berisha

By: Java News
8 October 2024 at 17:35

Zëdhënësi i politikës evropiane për grupin parlamentar CDU/CSU, Gunther Krichbaum, ka dënuar ashpër protestat e dhunshme të mbështetësve të Berishës në Tiranë.

Në protestën e së hënës së PD-së pati dhunë duke filluar që nga sulmet me molotovë ndaj institucioneve kryesore të shtetit, selisë qendrore të PS-së, përplasjeve me policinë, si dhe shkatërrim të objekteve në rrugët e Tiranës.

Krichbaum, i cili është anëtar i zgjedhur drejtpërdrejt i Bundestagut në zonën elektorale Pforzheim/Enzkreis që nga viti 2002 dhe zëdhënës i politikave evropiane për grupin parlamentar CDU/CSU, në një deklaratë thekson se sigurisht, demonstratat paqësore kundër veprimeve të një qeverie janë normale në një demokraci.

“Megjithatë, ekseset e dhunës janë krejtësisht të papranueshme dhe jashtëzakonisht të padenjë për një kandidat të BE-së. Nëse Berisha ka ende ndonjë besueshmëri, duhet të distancohet menjëherë nga kjo lloj proteste dhe të përjashtojë nga partia autorët e dhunës. Fatkeqësisht, ka arsye për të dyshuar se Berisha ende po i inkurajon këto demonstrata.”, thuhet në deklaratën për mediat e Krichbaum.

Sipas tij, në të kaluarën, PD ishte një parti e bazuar në vlerat evropiane.

“Fatkeqësisht, njerëzit po largohen nga kjo gjithnjë e më shumë. Partia Popullore Evropiane (EPP) dhe grupi parlamentar CDU/CSU janë me të drejtë në një distancë nga kjo parti opozitare dhe në veçanti nga lideri i saj Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie. Prandaj ditët e ardhshme janë vendimtare në masën në të cilën partia ka forcën për të ripërtërirë veten,” thotë Krichbaum.

Sipas tij, në çdo rast, PD-ja ka nevojë për një personalitet me integritet në krye.

“Ashtu si çdo demokraci ka nevojë për një qeveri të fortë, ajo gjithashtu ka nevojë për një opozitë të fortë. Promovimi i koncepteve dhe argumenteve më të mira duhet të bëhet gjithmonë në mënyrë jo të dhunshme. Z. Berisha në veçanti mban një shkallë të lartë përgjegjësie për faktin se kjo nuk ka qenë e mundur deri më tani,” vazhdon Krichbaum.

“Ai nuk duhet ta portretizojë veten si qengjin e flijimit të një gjyqi gjoja të motivuar politikisht. SPAK-u, i cili e vendosi në arrest shtëpie, është për t’u qortuar. Në fund të fundit, SPAK u themelua vetëm nën presionin e Bashkimit Evropian. Nisur nga serioziteti i akuzave, zoti Berisha do të ishte vendosur në paraburgim në çdo shtet të Bashkimit Evropian dhe jo në arrest shtëpiak të rehatshëm”, përfundoi Krichbaum. Gunther Krichbaum

Kina do të vendosë masa të përkohshme antidumping ndaj brendit të BE-së

By: Java News
8 October 2024 at 17:27

Ministria kineze e Tregtisë njoftoi të martën vendosjen e masave të përkohshme antidumping ndaj brendit të importuar nga vendet e BE-së që nga 11 tetori.

Ndërkaq, lidhur me hetimet antidumping dhe kundërbalancuese për mishin e derrit, nënproduktet e derrit dhe bulmetin e importuar nga BE-ja, Kina aktualisht po kryen hetime në përputhje me ligjin. Një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë të Kinës tha se pala kineze do të mbrojë plotësisht të drejtat e të gjitha palëve të interesuara dhe do të marrë një vendim të drejtë të bazuar në rezultatet e hetimit. Në të njëjtën kohë, Kina po studion masa të tilla si rritja e tarifave për automjetet me karburant me motor me litrazh të madh. Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të industrive dhe ndërmarrjeve kineze.

SHBA padi ndaj TikTok-ut: Po dëmton shëndetin mendor të fëmijëve

By: Java News
8 October 2024 at 17:20

Më shumë se një duzinë shtetesh dhe Distrikti i Kolumbisë kanë ngritur padi kundër TikTok të martën, duke pretenduar se aplikacioni popullor i videos në formë të shkurtër po dëmton shëndetin mendor të të rinjve duke dizajnuar platformën e tij për të krijuar varësi ndaj fëmijëve.

Paditë rrjedhin nga një hetim kombëtar për TikTok, i cili u nis në mars 2022 nga një koalicion dypartiak i prokurorëve të përgjithshëm nga shumë shtete, duke përfshirë Kaliforninë, Kentakin dhe Nju Xhersin. Të gjitha ankesat janë paraqitur në gjykatat shtetërore.

Në zemër të çdo padie është algoritmi TikTok, i cili fuqizon atë që përdoruesit shohin në platformë duke mbushur furnizimin kryesor “Për ty” të aplikacionit me përmbajtje të përshtatur për interesat e njerëzve. Paditë theksojnë gjithashtu veçoritë e dizajnit që ata thonë se i bëjnë fëmijët të varur nga platforma, të tilla si aftësia për të lëvizur pafund nëpër përmbajtje, njoftimet shtytëse që vijnë me “zhurmat” e integruara dhe filtrat e fytyrës që krijojnë pamje të paarritshme për përdoruesit.

Në dosjet e tij, District of Columbia e quajti algoritmin “nxitës dopamine” dhe tha se ai u krijua për të krijuar qëllimisht varësi, në mënyrë që kompania të mund të bllokonte shumë përdorues të rinj në përdorim të tepruar dhe t’i mbante ata në aplikacionin e saj për orë të tëra. TikTok e bën këtë pavarësisht se e di se këto sjellje do të çojnë në “dëmtime të thella psikologjike dhe fiziologjike”, të tilla si ankthi, depresioni, dismorfia e trupit dhe probleme të tjera afatgjata, thuhet në ankesë.

“Po përfiton nga fakti që po i var të rinjtë në platformën e saj,” tha në një intervistë Prokurori i Përgjithshëm i Distriktit të Kolumbisë, Brian Schwalb.

Mbajtja e njerëzve në platformë është “si ata gjenerojnë të ardhura masive nga reklamat,” tha Schwalb. “Por për fat të keq, kjo është gjithashtu mënyra se si ato gjenerojnë ndikime negative të shëndetit mendor te përdoruesit.”

TikTok nuk i lejon fëmijët nën 13 vjeç të regjistrohen për shërbimin e tij kryesor dhe kufizon disa përmbajtje për të gjithë nën 18 vjeç. Por Uashingtoni dhe disa shtete të tjera thanë në dosjen e tyre se fëmijët mund t’i anashkalojnë lehtësisht ato kufizime, duke i lejuar ata të përdorin shërbimin që përdorin të rriturit pavarësisht pretendimet e kompanisë se platforma e saj është e sigurt për fëmijët.

Padia e tyre synon gjithashtu pjesë të tjera të biznesit të kompanisë.

Distrikti pretendon se TikTok po funksionon si një “ekonomi virtuale e palicencuar” duke i lejuar njerëzit të blejnë monedha TikTok – një monedhë virtuale brenda platformës – dhe të dërgojnë “Dhurata” për transmetuesit në TikTok LIVE, të cilët mund t’i arkëtojnë ato për para të vërteta. Sipas ankesës, TikTok merr një komision prej 50% për këto transaksione financiare, por nuk është regjistruar si transmetues parash në Departamentin e Thesarit të SHBA-së ose autoritetet në rreth.

Zyrtarët thonë se adoleshentët shfrytëzohen shpesh për përmbajtje seksualisht të qarta përmes funksionit të transmetimit LIVE të TikTok, i cili e ka lejuar aplikacionin të funksionojë në thelb, si një “klub strip virtual” pa asnjë kufizim moshe. Ata thonë se shkurtimi që merr kompania nga transaksionet financiare i lejon asaj të përfitojë nga shfrytëzimi.

Shumë shtete kanë ngritur padi kundër TikTok dhe kompanive të tjera të teknologjisë gjatë viteve të fundit, ndërkohë që po rritet llogaria kundër platformave të njohura të mediave sociale dhe ndikimit të tyre gjithnjë në rritje në jetën e të rinjve. Në disa raste, sfidat janë koordinuar në një mënyrë që i ngjan mënyrës sesi shtetet organizoheshin më parë kundër industrisë së duhanit dhe farmaceutike.

Javën e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit Ken Paxton paditi TikTok, duke pretenduar se kompania po shpërndante dhe shiste informacione personale të të miturve në kundërshtim me një ligj të ri shtetëror që ndalon këto praktika. TikTok, i cili kundërshton akuzat, po lufton gjithashtu kundër një padie të ngjashme federale të orientuar nga të dhënat e paraqitur në gusht nga Departamenti i Drejtësisë.

Disa shtete të udhëhequra nga republikanët, si Nebraska, Kansas, New Hampshire, Kansas, Iowa dhe Arkansas, gjithashtu e kanë paditur më parë kompaninë, disa pa sukses, mbi akuzat se po dëmton shëndetin mendor të fëmijëve, duke i ekspozuar ata ndaj përmbajtjeve “të papërshtatshme” ose duke i lejuar të rinjtë, njerëzit që do të shfrytëzohen seksualisht në platformën e saj. Arkansas ka sjellë një sfidë ligjore kundër YouTube, si dhe Meta Platforms, e cila zotëron Facebook dhe Instagram dhe është paditur nga dhjetëra shtete mbi akuzat se dëmton shëndetin mendor të të rinjve. Qyteti i Nju Jorkut dhe disa rrethe të shkollave publike kanë ngritur gjithashtu paditë e tyre.

TikTok, në veçanti, po përballet me sfida të tjera në nivel kombëtar. Sipas një ligji federal që hyri në fuqi në fillim të këtij viti, TikTok mund të ndalohet nga SHBA deri në mes të janarit nëse kompania e saj mëmë me bazë në Kinë ByteDance nuk e shet platformën deri në mes të janarit.

Si TikTok ashtu edhe ByteDance po sfidojnë ligjin në një gjykatë apeli në Uashington. Një panel prej tre gjyqtarësh dëgjuan argumentet gojore në këtë rast muajin e kaluar dhe pritet të nxjerrin një vendim, i cili mund të apelohet në Gjykatën e Lartë të SHBA.

Tragjike në Tiranë! Ndërrojnë jetë në spital nëna dhe foshnja e sapo lindur

By: Java News
8 October 2024 at 17:09

Një 37-vjeçare ka humbur jetën në mënyrë tragjike mëngjesin e ditës së djeshme në ambientet e QSUT.

Raportohet se gruaja ka qenë filimisht në maternitetin Mbretëresha Geraldinë për të lindur, ku fatkeqësisht ajo ka humbur foshnjën e saj ditën e shtunë.

Pas humbjes së foshnjës, 37-vjeçarja B. Deliu ka pasur komplikacione të rënda, duke bërë që të transferohet drejt QSUT.

Këtu ajo nuk ka mundur t’u bëjë ballë komplikacioneve dhe për pasojë ka humbur jetën.

“E kanë parë PD-në si lopë për ta mjelë”, shpërthen Murrizi: Bythecët e spurdhjakët politikë që bëjnë si parimorë e perëndimorë…

By: Java News
8 October 2024 at 17:05

Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi ka reaguar i irrituar për protestën e djeshme. Sipas tij, janë të njëjtët njerëz që protestojnë gjithmonë, pasi ata që dikur e kanë shfrytëzuar PD për të mbushur xhepat sot nuk dalin.

Në një reagim në rrjet sociale ai shprehet se partisë i kanë qëndruar besnikë atë që nuk kanë marrë asnjë kacidhe kur ajo ishte në pushtet, ndërsa ata që e “molën”, tani nuk duken.

Reagimi:

Një falenderim për demokratët e degës Kashar të pranishëm dje në protestë.

Prej 34 vitesh që është krijuar PD ka pasur “ dy” palë demokratë.

Demokratët idealistë, qëndrestarë dhe kurajozë që i kane dhënë frymë e shpirt PD kur ajo ka qenë në opozite dhe në ditët e saj më të vështira e që nuk kanë përfituar asnjë kokërr kripë në 13 vitet e pushtetit të PD.

Dhe “demokratët” e pushtetit që e kanë përdorur PD si lopë për ta mjelë kur ajo ka “qumësht” e pastaj e braktisin kur PD është në opozitë dhe nuk ka “qumësht” për këta bythec e spurdhjakë politikë që bëjnë si parimorë e perëndimorë, kur në fakt janë thjesht vemje e frymor.

Në çdo protestë, pothuajse shef të njëjtët DEMOKRATË dhe të duket sikur je takuar çdo ditë me ta sepse ngjajnë në shpirt, në kurajo, në stoizmin e tyre qëndrestare dhe modest për kontributin e çmuar dhe tolerant ndaj jo pak palaçove që e duan PD vetëm kur ajo është në pushtet.

Respekt për çdo demokrat në çdo cep të Shqipërisë.

Mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës/ Opozita nuk e lejon të flasë, Veliaj: Ne punojmë, ju shkatërroni!

By: Java News
8 October 2024 at 16:57

Është zhvilluar me diskutime mbledhja e Këshillit Bashkiak.

Ndërsa kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka mbajtur fjalën, përfaqësues së opozitës, kanë ndërhyrë duke mos e lejuar të flasë.

Ndërkohë Veliaj ka theksuar se pavarësisht shkatërrimeve apo dëmeve që i shkaktojnë qytetit, referuar edhe protestës së dhunshme të mbajtur të hënën, do të vazhdojnë të punojnë.

“Nuk e bllokoni dot Tiranën. Ju doni të bllokoni edhe shkollat e reja, edhe kreditë e buta. Ju bjerini, shkatërrojini, por ne do t’i ndërtojmë sërish më të bukura se ishin”, ka thënë Veliaj.

“Tradhtuan” Berishën? Kryebashkiakët e djathtë pjesë e takimit me Ramën, Baçi: Nuk thyen mosbindjen civile, por…

By: Java News
8 October 2024 at 16:50

Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 komentoi edhe faktin që kryebashkiakët e djathtë morën pjesë në takimin e kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive.

Baçi tha se marrja pjesë e kryebashkiakëve të djathtë në mbledhjen e Ramës nuk është thyerje e mosbindjes civile.

Sipas tij, në atë takim kryebashkiakët e djathtë thjesht kanë përmbushur disa detyra që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve e nuk nënkupton se ata kryebashkiakë s’janë pro mosbindjes civile.

‘Fakti që kryebashkiakët e djathtë kanë marrë pjesë në takimin e Ramës nuk do të thotë se këta kryebashkiakë janë kundër mosbindjes civile. Absolutisht jo. Kjo nënkupton se kryebashkiakët e djathtë thjesht përmbushin disa detyra në raport me qytetarët që përfaqësojnë’, tha Baçi.

❌
❌