Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 October 2024Main stream

Bashkia kthen Klubin Tirana në qendër sportive, PD: Duan të shndërrojnë ‘Selman Stërmasin’ në kullë betoni

9 October 2024 at 11:11

Nga Gazeta Si- Bashkia e Tiranës ka vendosur që të kthejë Klubin sportiv dhe shumësportëshin Tirana në një qendër sportive OJF.

Sipas kryetarit Erion Veliaj, Tirana u bë temë e ditës sepse tre mundësit që garuan në Paris, dy prej të cilëve sollën medalje olimpike për herë të parë, jo vetëm për Klubin e Tiranës, por edhe për Shqipërinë.

“Kjo solli më shumë vëmendje te Klubi i Tiranës. Shumë prej klubeve kanë bërë kalimin në shoqatë, si mundësi për të marrë financime nga kompani private dhe sponsorë komercialë, prandaj po bëjmë të njëjtën gjë me Klubin e Tiranës”, tha Veliaj.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur se të gjitha asetet dhe pasuritë e përdorura nga Klubi Sportiv “Tirana” do të transferohen te qendra e re.

Në projektvendim shkruhet se godina ekzistuese e futbollit “Selman Stërmasi” do kthehet në qendër multifunksionale për të rritur efikasitetin funksional dhe për të kontribuar në vlerë të shtuar në jetën sociale dhe në ekonomi.

“Kjo do të arrihet përmes shtimit të aktiviteteve të biznesit në zonën e zhvilluar. Hapësirat e reja, së bashku me infrastrukturën e përmirësuar dhe eco-friendly, do të krijojnë një mjedis më tërheqës për të gjithë. Gjithashtu, me rritjen e pritshme në numrin e bizneseve të reja që do të zhvillohen, do të shtohen sipërmarrjet dhe zhvillimi i koncepteve të reja ekonomike. Kjo do të sigurojë hapësira dinamike dhe tërheqëse për rezidentët aktuale dhe vizitorët që pritet të vijnë në zonë”.

Për këtë lajm ka reaguar anëtarja e këshillit bashkiak Alba Kepi e cila e cilëson këtë si një akt kriminal dhe një veprim që merret për të kthyer Selman Stërmasin në një kullë.

“Bashkia e Tiranës e Kryetari i saj Erjon Veliaj po kryejnë krimin e radhës në qytet. Klubi Sportiv e shumësportëshi Tirana do kthehen në një Qendër Sportive Ojq e korporatë biznesi drejtuar nga një Bord Drejtorësh. Është një tjetër akt kriminal ndaj qytetit për ta shndërruar dhe sportin e skuadrën autoktone në një biznes e aferë kompanie me borde drejtorësh si 3D, 4D, 5D, 6D, Djegësat e me radhë”, shkruan Kepi, duke shtuar se gjithçka kryhet në kundërshtim katërcipërisht me ligjin e sportit i cili përcakton se asnjë klub sportiv nuk mund të drejtohet nga një bord drejtorësh por nga një Asamble ekzekutive anëtarësh.

Sipas Kepit, gjithçka është bërë pa informuar Klubin e Futbollit i cili është ortak bashkë me Bashkinë e që “stadiumin po ia shndërrojnë në korporatë kulle betoni. Klubi i Tiranës i duhet për riciklimin e parave të pista, për stadiumin Selman Stermasi, që duan ta bëjnë kullë e për të fundosur historinë bardhë e blu”, përfundon Kepi.

The post Bashkia kthen Klubin Tirana në qendër sportive, PD: Duan të shndërrojnë ‘Selman Stërmasin’ në kullë betoni appeared first on Gazeta Si.

Stërvitja për sfidën ndaj Çekisë, Kombëtares i bashkohen Bajrami, Laçi e Hoxha

9 October 2024 at 10:16

Nga Gazeta Si- Kombëtarja shqiptare ka kryer pasditen e të martës seancën e radhës stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, në kuadër të ndeshjeve ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë.

Me grupin janë bashkuar edhe Nedim Bajrami, Arbër Hoxha e Qazim Laçi, ndërsa Kristjan Asllani e Myrto Uzuni kanë pasur probleme muskulore dhe u stërvitën të diferencuar. Të dy lojtarët janë në monitorimin e stafit mjekësor të Kombëtares ndërkohë që për Uzunin është vendosur se nuk do të luajë në asnjërën prej ndeshjeve.

Përsa i përket pjesës tjetër të grupit, të gjithë lojtarët u stërvitën normalisht dhe morën ngarkesën e plotë. Stërvitja nisi me punën në palestër e më pas trajneri Silvinjo së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje dhe ana taktike.

Seanca e radhës stërvitore e Kombëtares do të zhvillohet sot në “Shtëpinë e Futbollit”.

The post Stërvitja për sfidën ndaj Çekisë, Kombëtares i bashkohen Bajrami, Laçi e Hoxha appeared first on Gazeta Si.

Uzuni humbet sfidat me Çekinë e Gjeorgjinë për shkak dëmtimi, ftohet sulmuesi Indrit Tuci

9 October 2024 at 09:59

Nga Gazeta Si- Tjetër ndryshim në listën e Kombëtares shqiptare në prag të ndeshjeve të Nations League ndaj Çekisë dhe Gjoergjisë.

FSHF bën me dije se sulmuesi Myrto Uzuni ka pasur një problem muskulor në ndeshjen e fundit me klubin, por u paraqit në Kombëtare për t’iu nënshtruar analizave mjekësore. Dje futbollisti bëri një rezonancë magnetike që evidentoi një dëmtim në muskujt e pulpës së djathtë.

Për këtë arsye, lojtari nuk mund të jetë i disponueshëm për ndeshjet e Kombëtares në tetor dhe do të kthehet në klubin e tij për të vazhduar programin e rikuperimit.

Trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë në vendin e tij sulmuesin Indrit Tuci, i cili pritet të mbërrijë sot në Tiranë për t’iu bashkuar ekipit në përgatitjet për dy transfertat e rëndësishme.

The post Uzuni humbet sfidat me Çekinë e Gjeorgjinë për shkak dëmtimi, ftohet sulmuesi Indrit Tuci appeared first on Gazeta Si.

Vranësira dhe reshje shiu, temperaturat shkojnë deri në 26 gradë

9 October 2024 at 09:49

Orët e paradites do të mbizotërohen nga vranësira të shpeshta të cilat herë pas here do të gjenerojnë rrebeshe shiu, më të theksuara shirat paraqiten në zonat veriperëndimore dhe Jugperëndimor.

Pjesa e dytë e ditës do të vijojë më vranësira dhe reshje, por në sasi të pakta. Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës të ketë përmirësim gradual të kushteve atmosferike në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 9°C vlera më e ulët deri në 26°C vlera më e lartë në rang territori.

Era do të fryjë e fortë si në tokë dhe në det me shpejtësi mbi 60 km/h nga drejtimi jugor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim deri në 6 ballë.

The post Vranësira dhe reshje shiu, temperaturat shkojnë deri në 26 gradë appeared first on Gazeta Si.

A duhet të mbyllen programet e padëshiruara në Universitetet e rretheve?

9 October 2024 at 09:45

Nga Gazeta Si – Në programin biologji kimi në Universitetin e Gjirokastrës ka vetëm 2 studentë të regjistruar, Histori-Gjeografi 1 student, menaxhim digjital 3 të regjistruar. Biologjia në Vlorë ka vetëm 1 student dhe dega “Udhërrëfyes turistik për rajonin e jugut” ka 3 studentë. E njëjtë paraqitet situata edhe në Universitetin e Shkodrës, Elbasanit dhe Korçës ku degë të ndryshme kanë numër të ulët regjistrimesh, më pak se 5 studentë.

Rënia drastike e regjistrimeve në rrethe ka nisur prej vitesh dhe duket se nuk po mbaron.

Universiteti i Elbasanit ka një rënie të studentëve me 56.4 për qind nga 2017, ai i Korçës 47.7 për qind, i Shkodrës 54 për qind, i Gjirokastrës 15.4 për qind ndërsa i Vlorës, 60 për qind më pak.

Por, pse nuk preferohen Universitetet dhe a duhet të rishikohen programet që prej vitesh kanë numër të ulët regjistrimesh?

“Situata e universiteteve të rretheve patjetër që është një shqetësim i madh dhe është alarm. Gjatë viteve është vënë re një trend shumë negativ dhe vit pas viti humbasin student”, thotë Gevio Tabaku nga “Qëndresa Qytetare”.

Ai tregon për Gazetasi.al se numri i ulët i studentëve, aq sa lidhet me tregun e punës, aq lidhet edhe me faktin e sigurisë së punës në këto degë.

“Nëse një student futet në një degë që është prioritet kombëtar dhe merr bursën prej 40 mijë lekësh në muaj, për shembull, pse duhet të futet në atë degë kur rroga pasi të mbarojë studimet do jetë pak më shumë se kaq”, thotë Tabaku.

Arsyeja ka të bëjë tërësisht me emigrimin masiv të të rinjve por edhe me përzgjedhjen e degëve që të sigurojnë emigrim, thotë Tabaku.

Si shembull kemi degët e infermierisë dhe mamisë ku kuotat plotësohen thuajse plotësisht pikërisht sepse diploma e tyre shërben si pasaportë për tu larguar nga vendi.

Gjithashtu, sipas Tabakut, është edhe cilësia e universiteteve kur të Tiranës shihen nga studentët si më të mirë në krahasim me të rretheve.

“Universitetet e rretheve janë pothuajse njësoj në programe studimi dhe në esencë, e mira do ishte që të krijohen universitete rajonale”, sqaron Tabaku, duke shtuar më tej se këto universitete rajonale të jenë më të profilizuar dhe t’u ofrojnë studentëve shqiptare një zgjidhje më të volitshme.

Kështu, në Shqipëri nuk do të kishte 2 studentë biologjie në Gjirokastër dhe 1 student në Vlorë!

The post A duhet të mbyllen programet e padëshiruara në Universitetet e rretheve? appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 8 October 2024Main stream

Inaugurohet të enjten Xhamia e Namazgjasë, reagon për herë të parë KMSH: Do administrohet nga një bord me drejtues Myftiun e Tiranës

8 October 2024 at 19:28

Nga Gazeta Si- Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk ishte njoftuar për inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë deri në mesditë të së martës, ndërkohë, pasditen e të njëjtës ditë, KMSH ka reaguar duke thënë se do jetë pjesë e inaugurimit. Ky është reagimi i parë zyrtar nga KMSH, ku ndër të tjera dha lajmin se inaugurimi do të bëhet më 10 tetor, edhe pse data është dhënë prej një jave tashmë.

KMSH shkruan se xhamia është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Erdogan dhe po ashtu falë financimit të Qeverisë Shqiptare.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se KMSH do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.

Reagimi i plotë:

Të dashur motra dhe vëllezër, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kënaqësinë t’ju njoftojë për evenimentin e madh që do të mbahet ditën e enjte në Tiranë, siç është inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë.

Kjo xhami është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Presidentit të Republikës së Turqisë, SH.T.Z, Recep Tayyip Erdoğan. Po ashtu Xhamia e madhe e Namazgjasë nuk do ishte bërë sot realitet pa mbështetjen e madhe administrative po edhe financiare të Qeverisë Shqiptare, që falë vullnetit të Kryeministrit Edi Rama i hapi rrugë konsolidimit të pronësisë sonë mbi truallin e Namazgjasë.

Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në cenermoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.

Ne falenderojmë popullin turk dhe presidentin Erdoğan, si edhe kryeministrin e Shqipërisë që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Këtu veçojmë gjithashtu ndërveprimin e shkëlqyer të qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ndërveprim i cili ka qenë deçiziv në realizimin e kësaj vepre madhështore për popullin dhe kryeqytetin shqiptar. Një falenderim vëllazëror u shkon të gjithë atyre që e ndërtuan Xhaminë tonë të Madhe me mendjet e duart e tyre të arta.

Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.

Falenderojmë Zotin që bëri të mundur arritjen e kësaj dite të shënuar!

Inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë do të bëhet ditën e enjte, 10 tetor 2024!

The post Inaugurohet të enjten Xhamia e Namazgjasë, reagon për herë të parë KMSH: Do administrohet nga një bord me drejtues Myftiun e Tiranës appeared first on Gazeta Si.

E rëndë në Tiranë / Nëna shfaq komplikacione pas humbjes së foshnjës në bark! Nga materniteti u dërgua në QSUT, por nuk arriti të mbijetonte

8 October 2024 at 18:17

Nga Gazeta Si- Një grua 36 vjeçare ka humbur jetën në reanimacionin e QSUT nga hemoliza e gjakut, e lidhur me problemet autoimune.

Kjo patologji e shfaqur gjatë shtatzënisë e komplikoi gjendjen shëndetësore të gruas çka solli dhe lindjen e foshnjës pajetë këtë të shtunë. Edhe pas kësaj, gruaja vazhdoi të kishte probleme dhe është dërguar nga Materniteti tek reanimacioni i QSUT-së.

Gruaja vazhdonte të kishte hemolizë të rruazave të gjakut ( probleme me rruazat e kuqe të gjakut) dhe u shtrua në reanimacion ku biluribina vazhdonte të ishte e lartë, çka bëri që pas foshnjës të humbte jetën edhe nëna 36 vjeçare.

The post E rëndë në Tiranë / Nëna shfaq komplikacione pas humbjes së foshnjës në bark! Nga materniteti u dërgua në QSUT, por nuk arriti të mbijetonte appeared first on Gazeta Si.

Dhjetëra persona paraqiten me simptoma helmimi në spitalin e Peshkopisë, mes tyre të mitur

8 October 2024 at 15:04

Nga Gazeta Si – Rreth 30 persona raportohet se janë paraqitur mesditën e sotme me simptoma helmimi në spitalin e Peshkopisë.

Policia e Dibrës në një njoftim paraprak, bën me dije se mes personave që kanë shfaqur shenja helmimi ka edhe disa të mitur.

“Komisariati i Policisë Dibër, ka marrë njoftim se disa shtetas (mes tyre dhe disa të mitur), banorë të bashkisë Dibër, ishin paraqitur në spitalin rajonal të qytetit të Peshkopisë, për ndihmë mjekësore me simptoma si ata të helmimit. Me marrjen e njoftimit, është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit”, njoftojnë autoritetet.

Pritet sakaq që në përfundim të hetimeve nga policia të ketë edhe informacion më të detajuar për atë çfarë e ka shkaktuar helmimin masiv në Dibër.

The post Dhjetëra persona paraqiten me simptoma helmimi në spitalin e Peshkopisë, mes tyre të mitur appeared first on Gazeta Si.

‘Nuk jemi informuar’ / Komuniteti Mysliman s’përfillet në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë nga Erdogan. A është caktuar edhe një imam turk?

8 October 2024 at 12:23

Nga Gazeta Si- Xhamia e Namazgjasë do të inaugurohet më 10 tetor por pa dijeninë e Komunitetit Mysliman në Shqipëri.

Me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan do të inaugurojë edhe Xhaminë e Namazgjasë me anë të një ceremonie për të cilën KMSH nuk ka ende një lajmërim zyrtar.

“Ne komunikimet i mbajmë me protokoll, sepse kështu kemi funksionuar gjithmonë dhe deri më tani nuk kemi asnjë njoftim zyrtar”, thonë për Gazetasi.al burime nga KMSH.

Burimet tregojnë gjithashtu se në rrugë jo zyrtare, janë informuar se do të ketë inaugurim, edhe pse ende nuk dihet më shumë as për ceremoninë e as për Imamin që do të drejtojë Xhaminë.

Ditën e djeshme, ishte Imami turk Enes Bastur i cili ka bërë me dije se është caktuar Imam i Xhamisë së Namazgjasë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale ai ka njoftuar se i është besuar drejtimi i Xhamisë Qendrore Namazgja në Tiranë.

“Të dashur miq, me udhëzimet e Drejtorisë tonë të çështjeve Fetare më caktuan te faltorja e madhe e Xhamisë qendrore Namazgja në Tiranë”, shkruan ai.

Ky lajm mohohet nga burimet pranë KMSH, të cilët thonë se Imami dhe stafi emërohen vetëm nga KMSH dhe ky ka qenë thjesht një status i dikujt nga Turqia që tashmë edhe e ka fshirë. Ndërkohë mbetet e paqartë edhe nga ana e KMSH se pse një person duhej të deklarohej si drejtues i Xhamisë së Namazgjasë 3 ditë para inaugurimit dhe nëse është e vërtetë, çfarë do të bëjë KMSH?

“Ne njoftohemi nga protokolli turk dhe deri më tani nuk na është thënë asgjë për një drejtues turk”.

Pavarësisht se është lënë mënjanë edhe pse ceremonia do të mbahet për dy ditë, KMSH e ‘justifikon’ këtë duke thënë se vizitat në këtë nivel mbahen sekrete për çështje sigurie.

“Kam përshtypjen se kjo është. Mund të njoftohemi dhe në momentet e fundit”, thanë burimet për Gazetasi.al.

Kur nisi puna me ndërtimin e Xhamisë, në maj të 2015, ishte i pranishëm edhe Erdogan ndërkohë që u tha se do të ishte gati në më pak se 3 vite dhe vetë presidenti turk do të kthehej për ta inauguruar.

Por prej atëherë, Xhamia ka qenë peng.

Edhe pse ka përfunduar prej vitesh, Xhamia e Namazgjasë vazhdon të qëndrojë e mbyllur për shkak të përplasjes mes Erdogan dhe gulenistëve dhe kushteve që ai ka vënë për dy drejtuesit e fundit të KMSH ( i akuzon si të lidhur me Gylen) ndërsa besimtarët falen në sheshin kryesor të Tiranës gjatë festave fetare.

LEXO EDHE:
Erdogan shmang sërish Namazgjanë! A po e mbajnë ‘peng’ gylenistët përurimin e Xhamisë?

Në 2016 u fol për një grusht shteti në Turqi dhe plasën me mijëra arrestime. Erdogan akuzoi armikun e tij Fetulla Gylen si autor dhe shpalli FETO si organizatë terroriste. Të gjitha institucionet që financoheshin nga Gylen u mbyllën dhe u arrestuan të gjithë mbështetësit. Ai kërkoi që të merren masa dhe në shtetet e tjera ku ata qëndrojnë, ndër to edhe në Shqipëri.

Duke qenë se Xhamia është ndërtuar me fonde nga komuniteti turk, Erdogan ka vendosur kushtin që të merren masa kundër lëvizjes së Gylen.

KMSH është i bazuar në vetë organizim dhe në vetëqeverisje dhe inaugurimi i xhamisë së madhe është një çështje që nuk e vendos qeveria e Shqipërisë sepse Xhamia e Madhe është ndërtuar me kontributet e Komitetit Mysliman turk dhe janë ata që në marrëveshje me komunitetin Mysliman shqiptar e vendosin se kur duhen hapur dyert, por kjo, të paktën deri më tani, nuk po ndodh!

The post ‘Nuk jemi informuar’ / Komuniteti Mysliman s’përfillet në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë nga Erdogan. A është caktuar edhe një imam turk? appeared first on Gazeta Si.

Kthjellime dhe vranësira të lehta kalimtare, s’ka reshje

8 October 2024 at 09:43

Orët e paradites do të dominohen nga moti i kthjellët dhe vranësira të lehta e kalimtare në të gjithë territorin e vendit, ku më të theksuara kthjellimet do të paraqiten përgjatë vijës bregdetare. Parashikohet që pjesa e dytë e ditës të sjellë vranësira disi më të dukshme në të gjithë vendin, por mundësia për reshje është thuajse zero.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në mëngjes por rriten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 7°C vlera më e ulët deri në 27°C vlera maksimale në rang territorit.

Era do të fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi kryesisht jugor duke sjellë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim 3 ballë.

The post Kthjellime dhe vranësira të lehta kalimtare, s’ka reshje appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Ministrja premton se s’do mbyllet asnjë program, universitetet e rretheve: Do rishikojmë vazhdimësinë e disa prej tyre

7 October 2024 at 15:40

Nga Gazeta Si – Më pak regjistrime edhe këtë vit vijojnë të kenë degët e gjuhëve të huaj si dhe ato të mësuesisë, pavarësisht se ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu nga Politekniku tha se ato nuk rrezikojnë të mbyllen.

“Jo, nuk rrezikojnë degë të mbyllen, kemi rijetëzim të degëve nga viti në vit, mbyllen disa, të tjera hapen”, tha Manastirliu.

Por situata duket ndryshe në universitete, ku vetë rektorët shprehen se do të kenë mbledhje të senateve për të vendosur për degë që prej vitesh tashmë nuk preferohen nga studentët.

“Më pak studentë kanë programet që lidhen me një master të mësimdhënies. Matematikat janë në shifra të ulëta, një pakicë te Frëngjishtja. Dega e Ekonomiks është e sigurt që mbyllet sepse sipas ligjit kur disa vite ka zero regjistrime, i takon senatit akademik të marrë vendim. Nesër do të mblidhet senati. Ka programe që janë me nga pak studentë, për këto do të merret një vendim se si do të veprohet me to”, tha rektori Lorenc Ekonomi.

Ndërkohë, edhe në Universitetin e Shkodrës ka degë që kanë pasur numër të ulët regjistrimesh, me fizikën me vetëm 1 regjistrim.

Rektori Tonin Gjuraj tha se gjithashtu nesër do të mblidhet senati për të vendosur se çfarë do të bëhet me degët nuk preferohen tashmë nga studentët.

Në Gjirokastër duan të studiojnë nga Afrika dhe Azia

Në Gjirokastër, Universiteti “Eqrem Çabej” ndërsa thith çdo vit e më pak studentë vendas, këtë vit akademik ka risi numrin e lartë të kërkesave që vijnë nga kontinente të largëta si Afrika apo Azia për të studiuar në këtë universitet.

“Ka mjaft kërkesa nga vendet e treta sic janë Afrika dhe Azia e largët të cilët kërkojnë më ngulm që të bëhen pjesë e universitetit tonë. Për këtë ne kemi ende pengesa ligjore pasi ligji u kërkon që të pajisen me vizë qëndrimi për të vijuar më tej me studimet”, tha rektori Jaho Cana.

The post Ministrja premton se s’do mbyllet asnjë program, universitetet e rretheve: Do rishikojmë vazhdimësinë e disa prej tyre appeared first on Gazeta Si.

Pritet rritje rastesh me viroza, nis vaksinimi kundër gripit

7 October 2024 at 14:50

Nga Gazeta Si – Nisi sot vaksinimi kundër virozave respiratore që shkaktohen nga virusi i gripit.

Janë 280.000 doza vaksine që janë shpërndarë në të gjithë vendin dhe të vijojë të kryhet për grupet e riskut sipas një kalendari të përcaktuar nga strukturat e shëndetësisë.

Grupet për të cilët rekomandohet kryerja e vaksinës kundër gripit janë fëmijët 6 muaj -12 vjeç, punonjësit e shëndetësisë, mësuesit, efektivët e policisë, personat që vuajnë nga sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe qytetarët mbi 60 vjeç.

Vaksina e gripit e jep efektin rreth 2 javë pasi kryhet dhe kjo është arsyeja pse nis shpërndarja në tetor.

Deri më tani, në vend nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar me grip ndërkohë që javën e kaluar janë raportuar mbi 10 mijë raste virozash dhe infeksione të tjera respiratore.

Mjekët pranë ISHP-së kanë konfirmuar se rastet kanë pësuar rritje nga java në javë dhe piku pritet të arrihet në muajt e dimrit, ku të gjitha grupmoshat janë të rrezikuara por më shumë të moshuarit.

The post Pritet rritje rastesh me viroza, nis vaksinimi kundër gripit appeared first on Gazeta Si.

Historike në NBA, baba e bir LeBron dhe Bronny James luajnë në të njëjtin ekip

7 October 2024 at 14:48

LeBron James dhe Bronny James bënë historinë e NBA-së duke u bërë dyshja e parë babë-bir që luajnë së bashku në të njëjtin ekip gjatë ndeshjes parasezonale të Los Angeles Lakers kundër Phoenix Suns.

Asnjëherë më parë një baba dhe i biri nuk kishin luajtur në një lojë NBA të çfarëdo lloji në të njëjtën kohë.

“Uau, kjo ishte surreale,” shkroi LeBron në X pas ndeshjes.

Duke folur për gazetarët, ai shtoi: “Ne qëndruam pranë njëri-tjetrit. Thjesht nuk ndihej e vërtetë. Por ishte e mrekullueshme të kaloje ato momente.”

LeBron shënoi 19 pikë në mbrëmje, me katër asistime dhe pesë kërcime. Bronny përfundoi pa shënuar gjatë vrapimit të tij 13-minutësh, duke përfunduar me dy kërcime dhe katër përmbysje.

Bronny iu bashkua Lakers si një grumbullim i raundit të dytë nga Universiteti i Kalifornisë Jugore në qershor.

LeBron, 39, është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në NBA dhe katër herë fitues i NBA.

Ai nënshkroi një marrëveshje të re dyvjeçare me Lakers pas ardhjes së Bronny.

The post Historike në NBA, baba e bir LeBron dhe Bronny James luajnë në të njëjtin ekip appeared first on Gazeta Si.

Ishte surpriza e formacionit, Pajaziti: Jam gati për Kombëtaren, objektivi im është Botërori

7 October 2024 at 12:45

Nga Gazeta Si- Mesfushori i Shqipërisë, Adrion Pajaziti është thirrur për herë të parë nga trajneri Silvinjo për tu bërë pjesë e formacionit zyrtar të Kombëtares në dy ndeshjet që luan Shqipëria në tetor.

Ai ka dalë në një konferencë për mediat ku iu është përgjigjur disa pyetjeve të gazetarëve.

“Besoj që jam shumë gati pasi jam në formë të mirë, kam pasur një parasezon shumë të mirë dhe kam luajtur çdo ndeshje në Kroaci, kam shumë besim tek vetja dhe jam gati. Jam mesfushor ofensiv, kudo që trajneri mendon që mund të bëj impakt aty do të luaj”, tha Pajaziti, duke shtuar se gjëja e parë që bëri pasi mori ftesën ishte të fliste me mamin.

“Fola me mamin direkt kur mora vesh për ftesën, kanë qenë të gjithë të lumtur dhe krenar në atë moment. Duhet të pyes trajnerin për të ditur arsyen pse më zgjodhi, formën që jam duke kaluar por edhe për golat”.

Pajaziti tha se ëndrra e tij është që të bëhet si legjenda e futbollit shqiptar Sulejman Demollari.

“E kam shikuar pak Demollarin i cili është legjendë e Shqipërisë, do të tentoj dhe unë të bëhem një legjendë si ai. Në Kombëtare më pëlqen Asllani dhe Bajrami, mund të kombinohemi mirë, kanë pasur shumë sukses”, tha Pajaziti.

Ndërsa jashtë kombëtares i pëlqen Modriç.

“Nuk do të jetë e lehtë por jam gati dhe cilësi e vetëbesim, djemtë më kanë ndihmuar që të jem rehat dhe me zor po pres stërvitjen. Unë dua gjithmonë të tregoj veten dhe të thirrem gjithmonë jo vetëm njëherë, dhe për tu kualifikuar në Botëror. Jam gati për çdo moment që trajneri do të vendosë për mua”, deklaroi Pajaziti.

The post Ishte surpriza e formacionit, Pajaziti: Jam gati për Kombëtaren, objektivi im është Botërori appeared first on Gazeta Si.

Çmimin Nobel në Mjekësi e marrin shkencëtarët Victor Ambros dhe Gary Ruvkun, zbuluan mikroARN që rregullon aktivitetin e gjeneve

7 October 2024 at 12:20

Nga Gazeta Si- Çmimi Nobel në Mjekësi u është dhënë Victor Ambros dhe Gary Ruvkun, dy biologë molekularë amerikanë të cilët kanë zbuluar mikroARN-në dhe rolin e saj në rregullimin e gjeneve.

Njoftimi u bë nga Asambleja Nobel në Institutin Karolinska në Stokholm, Suedi.

Ambros, profesor i shkencave natyrore në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Masaçusets, kreu studimin që i dha atij çmimi në Universitetin e Harvardit. Ruvkun kreu kërkimin e tij në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts dhe është profesor i gjenetikës në Shkollën Mjekësore të Harvardit.

Në punën e tyre të hershme, dyshja studiuan përbërjen gjenetike të një krimbi të vogël të rrumbullakët 1 milimetër të gjatë. Pavarësisht nga madhësia e tij e vogël, ky krimb posedon shumë lloje të specializuara qelizash, të tilla si qelizat nervore dhe muskulore, të cilat gjenden gjithashtu te kafshët më të mëdha dhe më komplekse, duke e bërë atë një model të dobishëm për të hetuar se si indet zhvillohen dhe piqen në organizmat shumëqelizorë. MicroARN luan një rol kritik në rregullimin e aktivitetit të gjeneve. Hulumtimi i tyre ka dhënë njohuri themelore mbi mënyrën se si organizmat zhvillohen dhe funksionojnë.

Vitin e kaluar, çmimi iu dha Katalin Karikó dhe Drew Weissman për punën e tyre në vaksinat MRNA, një mjet vendimtar në frenimin e përhapjes së Covid-19.

The post Çmimin Nobel në Mjekësi e marrin shkencëtarët Victor Ambros dhe Gary Ruvkun, zbuluan mikroARN që rregullon aktivitetin e gjeneve appeared first on Gazeta Si.

Rekordet botërore të Saimir Stratit që ruhen në magazina

7 October 2024 at 11:20

Ka thyer 11 rekorde Guinness në fushën e mozaikut dhe refuzon çdo ftesë që i vjen nga disa shtete të botës, sepse dëshiron që rekordin e 12-të ta realizojë dhe ekspozojë në Shqipëri.

Saimir Strati, artist i mozaikëve, tregon për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë krijon, e po ashtu merr ftesa për ekspozita dhe për të realizuar vepra të tjera, por shprehet i prekur që arti që bën, “nuk vlerësohet” në vendin e tij.

Një nga punimet e Saimir Stratit në studion e tij.

“Nëse ka një ftesë serioze, jam gati ta bëj rekordin e 12-të. Kam refuzuar shumë ftesa, sepse dua që ky rekord të shënohet në Shqipëri. Por, nuk do të bëj një vepër që të magazinohet dhe të ruhet diku fshehur dhe më pas të prishet”, thotë Strati.

Me keqardhje, ai thotë se shtatë rekordet që ka thyer me veprat që ka realizuar në Shqipëri, nuk kanë marrë vlerësimin që ka pritur.

Nuk është realizuar asnjë ekspozitë me to dhe nuk është marrë asnjë vendim për ta vlerësuar punën dhe veprën e tij, siç ka ndodhur në disa shtete ku ai ka realizuar vepra të tilla.

Asnjë ekspozitë në Shqipëri

“Veprat janë të ekspozuara te miqtë e mi, disa në magazina duralumini, apo në magazina të marangozëve, i mbështjellim, i fusim nëpër cepa. E turpshme është, por ç’të bëjmë”, thotë Strati.

Ai thotë se nuk ka mundësi të gjejë një sipërfaqe rreth 200 metra katrorë për vendosjen e veprave të veta, por shprehet i bindur se po ta gjente, ajo do të kthehej në një atraksion për turistët.

Një nga punimet e Saimir Stratit.

“… sepse është gjë e rrallë. Me 11 rekorde Guinness nuk ka asnjë tjetër në fushën e mozaikut – 7 vepra të realizuara në Shqipëri, asnjë e ekspozuar”, thotë artisti nga Vlora.

“T’ju jap vetëm një shembull: në Kanada u bë lëmshi më i madh. U vendos vepra në një qendër ndërkombëtare kulturore. Duhej paguar 110 dollarë për ta parë dhe kishte dyndje për ta parë”, tregon ai.

Strati shprehet i zhgënjyer me politikën. Thotë se prej vitit 2006, kur ka shënuar rekordin e parë Guinness, ka bërë thirrje përmes medias për vlerësimin e artistëve, kryesisht atyre të artit figurativ.

I pyetur se përse nuk ka ekspozitë në Shqipëri, ai përgjigjet thjesht: sepse nuk ka ftesë.

“Kur shkon pa u ftuar, e gjen pashtruar – është thënie e urtë e popullit dhe duhet ta dëgjojmë”, thotë artisti 58-vjeçar.

Keqardhje shpreh edhe për faktin se në Shqipëri nuk ka ndonjë galeri arti, që t’i ketë hapësirat e veçanta për artistët e vjetër, për ata të rinj të talentuar dhe për artistë me aftësi të kufizuara, të cilat, siç thotë, i gjen në vende të ndryshme të botës.

“Sa metër kub beton ka në Tiranë? Po ngrihen kulla për të shkuar shumë lart, ndoshta te Zoti… Po t’i pyesësh se ku janë veprat e artit në këto kulla, nuk ka”, shprehet Strati.

Vlerësime në disa vende të botës

Përtej zhgënjimit në Shqipëri, Strati thotë se është ndjerë shumë i vlerësuar dhe i lumtur për duartrokitjet që ka marrë në Kosovë, Portugali, Turqi etj.

Në Kosovë ai ka realizuar portretin e Nënë Terezës, që menjëherë pas certifikimit është vendosur në Muzeun Kombëtar të Kosovës, dhe me vendim të Parlamentit të vendit është cilësuar “trashëgimi kulturore”.

Mozaiku i Nënës Terezë i punuar nga Strat në Prishtinë.

“Vizitohet, mirëmbahet, pra është vlerësuar. Po kështu në Portugali, sa u certifikua vepra, portreti i shkrimtarit Jose Saramago, realizuar me tapa, u mor në mbrojtje nga shteti dhe u fut brenda 24 orësh në guidën turistike. Është mozaiku më i madh i realizuar me tapa”, thotë Strati.

“Sapo jam kthyer nga një ceremoni fantastike për 10-vjetorin e kësaj vepre. Kam marrë duartrokitje pafund dhe jam përlotur, sepse veprat janë si fëmijët”, thotë artisti.

Në Turqi ai ka realizuar portretin e udhëheqësit të dikurshëm, Kemal Ataturk. Kujton se në fillim kishte shumë mosbesues.

“I dëgjoja të thoshin se ky artist shtatshkurtër do ta bëjë Ataturkun e madh?! Por, në ceremoninë pas certifikimit, edhe prej tyre mora vlerësime të larta. Vepra është vendosur në Kapadokia, në një nga qendrat më të mëdha turistike, dhe mora çelësin e artë të qytetit”, tregon Strati.

Artisti Strati pozon pranë mozaikut të krijuar nga ai, teksa mban në duar certifikatën e rekordit Guinness

Sipas tij, të gjithë thonë se sekreti i të bërit mozaik është durimi, por për veten thotë se është i paduruar, andaj “nuk e ndjen lodhjen.

“Ka gjithmonë një motiv, në aspektin personal, estetik etj.”, thotë ai.

Ceremonia në Portugali e 10-vjetorit të krijimit të vepërs nga Strati për shkrimtarin Jose Saramago.

Në dhjetor tregon se do të jetë në Itali për një ekspozitë me teknika të reja. Thotë se ka zgjedhur ta pasqyrojë detin duke krijuar mozaik me guaska.

Ëndrra e tij: Një Guinness për Skënderbeun

Ëndërr e tij thotë se është që Guinnessin e 12-të ta marrë për portretin e Skënderbeut.

“Kam shumë dëshirë ta bëj, por do të doja të zinte vend diku. Ndaj, duhet një ftesë, jo vetëm përmes shtetit, të jetë një ftesë serioze nga dikush që ka mundësi, hapësirë…”, thotë Strati.

Mozaik i zambakut të ujit. Vepër e Aurora Stratit.

“Jam gati edhe për një rekord tjetër, edhe pse një pjesë të atyre që i kam, shpesh i harroj, ngase nuk janë të ekspozuara. Të vetmen dëshirë kam këtë: nuk ka lidhje me elementin monetar, por kur bëhet fjalë për diçka të veçantë në botë, të trajtohet si e tillë”, thotë ai.

“Aurora” e Stratit

Një nga punimet me të cilat mburret, është edhe portreti i bashkëshortes së tij, Aurorës, me të cilën jeton prej 35 vitesh.

Portreti i saj, sipas tij, përmbledh dëshirën dhe ëndrrën e një artisti.

“Ka brenda dëshirën për ta bërë këtë portret për njeriun më të dashur në 35 vjet – nuk ka qenë lehtë, përmban histori, ndjesi – dhe dëshirën që çdo artist ka të bëjë një kryevepër”, thotë 58-vjeçari.

“Titullohet ‘Aurora’ – agimi i mëngjesit, i bukur, i shndritshëm. Përmban një portret dhe një sfond të shndritshëm dhe një vorbull drite që nuk preket dot, sado që të kesh dëshirë të madhe. Është ajo që kam dashur gjithnjë: veprën ta shikosh, ta shijosh, por mos ta prekësh dot, sepse ajo duhet të jetojë përtej kohës”, thotë ai për mozaikun me të cilin e ka befasuar bashkëshorten pak kohë më parë.

Prej disa vitesh, edhe Aurora i është përkushtuar mozaikut, por thotë se ky pasion ka qenë brenda saj shumë kohë më parë.

“Arti e dashuria për të kanë ekzistuar brenda meje. Njohja me Saimirin e zbuloi atë pasionin dhe talentin që e kisha. Duhej njeriu i duhur për ta nxjerrë në pah”, shprehet Aurora për Radion Evropa e Lirë.

Ajo ka bërë disa punime dhe më të veçantin që zbulon, është ai me të cilin do të marrë pjesë në një ekspozitë në Gjilan më 7 tetor, në kuadër të “muajit rozë”.

“Jam e lumtur që do të jem pjesë e ekspozitës së arteve figurative në Gjilan. Në zhanrin e mozaikut do të jem vetëm unë. Një nga arsyet pse e pranova ftesën, është shprehja e shkrimtarit William Shakespeare: ‘Brishtësi ke emrin grua’. Brishtësinë e kam sjellë me siluetën e një gruaje fine dhe elegante dhe përballë saj është një pasqyrë, për të kuptuar refleksionin e çdo gruaje kur ta shohë mozaikun – të kuptojë që përbri saj mund të jetë një grua e prekur nga kanceri i gjirit”, thotë Aurora.

Çifti, prej kohësh, ka hapur një studio, ku u mëson fëmijëve artin e të bërit mozaik.

Saimir Strati duke mësuar fëmijët se si të bëjnë mozaik

Ata e morën këtë vendim edhe për faktin se asnjëri prej dy djemve të tyre nuk e ka trashëguar këtë pasion, por edhe kanë dashur që leksionet që japin në vende të ndryshme të botës, të marrin vlerë edhe në Shqipëri.

Ata thonë se ka shumë fëmijë të interesuar që të krijojnë diçka të bukur nga duart e tyre.

*Marrë nga REL

The post Rekordet botërore të Saimir Stratit që ruhen në magazina appeared first on Gazeta Si.

Nations League / Gjimshiti humbet dy ndeshjet e tetorit me Kombëtaren

7 October 2024 at 10:30

Nga Gazeta Si- Kapiteni Berat Gjimshiti nuk do të jetë i gatshëm për Kombëtaren në sfidat e radhës në UEFA Nations League ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë. Kjo për shkak dëmtimi.

Mbrojtësi kuqezi pësoi një dëmtim në ndeshjen e Champions League, Shakhtar Donetsk – Atalanta dhe pas përfundimit të pjesës së parë nuk zbriti më në fushë. Gjimshiti nuk ishte i grumbulluar me Atalantën edhe në ndeshjen e fundjavës në kampionat ndaj Genoa.

Stafi mjekësor i Kombëtares shqiptare ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me atë të Atalantës dhe është vendosur që Gjimshiti të mos rrezikojë, që të rikuperohet sa më parë dhe të rikthehet sa më shpejt në fushën e lojës.

Lista përfundimtare e Kombëtares është me 23 futbollistë pasi trajneri Silvinjo dhe stafi teknik kanë vendosur që të mos thërrasin tjetër lojtar në mungesë të Gjimshitit.

The post Nations League / Gjimshiti humbet dy ndeshjet e tetorit me Kombëtaren appeared first on Gazeta Si.

Nis viti i ri akademik / Rreth 60% e kuotave janë plotësuar, ekonomiku bojkoton

7 October 2024 at 10:26

Nga Gazeta Si- Rreth 20 mijë studentë të rinj nisin sot vitin e ri akademik ndërsa vijon procesi i regjistrimeve nëpër universitete.

Deri më tani, rreth 60 për qind e kuotave janë realizuar në universitete ndërkohë që numri më i madh i vendeve të paplotësuara është në programet që lidhen me shkenca ekonomike, juridike, sociale dhe degët që lidhen me mësuesinë.

E nëse degët e Mjekësisë, Informatika dhe Inxhinieritë u plotësuan që në ditët e para të regjistrimeve, degët prioritare dhe veçanërisht mësuesia kanë numër shumë të ulët studentësh, me vetëm rreth 30 për qind të kuotave të realizuara.

Ndërkohë, në rrethe situata është edhe më kritike pasi ka degë që kanë shumë pak studentë të regjistruar, me degë si Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Shkodrës me vetëm 5 studentë të regjistruar.

Ekonomiku e nis vitin akademik me bojkot

Ndërkohë, viti i ri akadamik për studentët e ekonomikut ka nisur ndryshe këtë vit. Studentë kanë vendosur të bojkotojnë nisjen e vitit akademik për shkak të konfliktit mes Profesorit Mirdaim Axhami dhe koleges së tij Liljana Billa, ngjarje e ndodhur në korrik të këtij viti.

Disa studentë kanë dalë me pankarta në hyrje të këtij fakulteti por edhe në brendësi të fakultetit, ku shkruhej se profesor Axhami duhet të ishte në burg për dhunën e ushtruar dhe jo në auditore.

“Larg dhuna nga tempulli i dijes”, shkruhet në pankarta.

Shefi i departamentit të marketingut u arrestua në korrik të këtij viti pasi kolegia e tij e denoncoi për dhunë, duke thënë se e ka goditur me grushta në ambientet e fakultetit.

The post Nis viti i ri akademik / Rreth 60% e kuotave janë plotësuar, ekonomiku bojkoton appeared first on Gazeta Si.

Si ndikuan kufizimet e Covid-19 në shëndetin e të moshuarve në të gjithë Evropën

6 October 2024 at 12:55

Pandemia e Covid-19 solli mjaft stres për të gjithë, por veçanërisht për të moshuarit në mbarë botën. Midis dhjetorit 2019 dhe marsit 2020, 32% e të infektuarve u shtruan në spital, 2.4% zhvilluan sëmundje akute që kërkonin shtrim në spital dhe 1.5%,  më shumë se 50,000 njerëz vdiqën.

Një vit e gjysmë pas shpërthimit, shkalla e vdekshmërisë në të gjithë Evropën ndryshonte ndjeshëm. Ndërsa vende si Suedia dhe Polonia raportuan më pak se 0.1 vdekje për milion banorë, Spanja dhe Britania e Madhe panë që normat të rriteshin në dy për milion. Qeveritë në mbarë botën u përballën me një dilemë të vështirë: A duhet t’i japin përparësi mbrojtjes së të cenuarve dhe zvogëlimit të vdekjeve të lidhura me viruset, apo të fokusohen në ekonomi dhe ruajtjen e lirive individuale?

Përveç rreziqeve të drejtpërdrejta shëndetësore të shkaktuara nga virusi, kufizime të tilla si mbylljet, mbylljet e shkollave dhe vendeve të punës dhe urdhrat e qëndrimit në shtëpi prishën në mënyrë drastike jetën e përditshme. Këto masa kufizuan aksesin në kujdesin rutinë shëndetësor, rritën ndjenjat e vetmisë dhe kontribuan në një rritje të ankthit dhe depresionit. Edhe këtu, politikat në të gjithë Evropën ndryshonin ndjeshëm: vende si Greqia dhe Italia miratuan urdhra të rreptë të qëndrimit në shtëpi dhe mbyllje të vendeve të punës, ndërsa Suedia dhe Estonia kufizuan vetëm madhësitë e grumbullimit dhe udhëtimet ndërkombëtare. Kjo pabarazi ofron një shans për të vlerësuar se si ashpërsia e kufizimeve preku individët e moshës 50 vjeç e lart, duke marrë parasysh dallimet kulturore, ekonomike dhe të shëndetit publik.

Punimi i fundit i ‘The Conversation’ shqyrtoi se si njerëzit i perceptonin kufizimet më të spikatura dhe se si këto perceptime ndikuan në shëndetin e tyre. Vlerësimi u bazua në një pyetje të vetme: “Në përgjithësi, si është shëndeti juaj: I shkëlqyer, shumë i mirë, i mirë apo i dobët?” Ky vetëvlerësim jo vetëm që kap trajektoret shëndetësore, por shërben gjithashtu si një parashikues i nevojave dhe shpenzimeve të ardhshme të kujdesit shëndetësor.

Vendosja e një ekuilibri midis mbrojtjes dhe dëmtimit

Një pyetje kyçe që ekspertët kërkuan t’i përgjigjen ishte nëse kufizimet e vendosura nga qeveritë evropiane shiheshin si mbrojtëse apo të dëmshme për shëndetin e grupeve vulnerabël. Gjithashtu hulumtuan nëse kontraktimi me Covid-19 ndikoi në këto perceptime. Hipoteza ishte se ata që ishin infektuar me virusin mund të ishin më të gatshëm të ndiqnin masa të rrepta, duke lehtësuar potencialisht ndikimet negative në mirëqenien e tyre të shkaktuara nga kufizimet.

Për të hetuar, ekspertet analizuan të dhënat nga Anketa e Plakjes, Shëndetit dhe Pensionimit në Evropë, e cila gjurmon shëndetin, statusin socio-ekonomik dhe rrjetet familjare të evropianëve të moshës 50 vjeç e lart në 27 vende, që shtrihen nga tetori 2019 deri në gusht 2021.

Gjetjet zbulojnë një marrëdhënie të nuancuar midis rreptësisë së politikave dhe perceptimeve shëndetësore. Në nivele më të ulëta të rreptësisë, masat më të rrepta ndërprenë jetën e përditshme, aksesin e kufizuar në shërbimet thelbësore dhe rritën izolimin social, duke çuar në një rënie të mirëqenies. Megjithatë, sapo politikat u bënë më të rrepta, perceptimet shëndetësore filluan të përmirësoheshin, pasi të moshuarit filluan t’i shihnin këto masa si të nevojshme për mbrojtjen e tyre.

Kjo marrëdhënie tregon se ndikimi i kufizimeve nuk është uniform. Të kuptuarit e pikës së kthesës, ku kufizimet kalojnë nga perceptimi si i rëndë në mbrojtës, është çelësi për aplikimin e politikave që shmangin shqetësimet e panevojshme.

Një nga gjetjet më interesante është se si përvoja personale me Covid-19 ndikon në qëndrimet ndaj kufizimeve. Ata që kishin kontraktuar virusin dukeshin më të hapur ndaj masave më të rrepta, me gjasë sepse kishin përjetuar drejtpërdrejt ashpërsinë e sëmundjes dhe i shihnin kufizimet si një mjet efektiv parandalues.

Megjithatë, ndikimi i kufizimeve ndryshonte edhe në bazë të shëndetit fillestar të personave të moshuar. Politikat më të rrepta dukej se mbronin ata me shëndet të shkëlqyer ose shumë të mirë, ndërsa efektet e tyre te njerëzit me shëndet më të dobët ishin më pak të qarta. Veçanërisht, ata me shëndet “të mirë” përjetuan efekte negative kur kufizimet u bënë shumë të rrepta.

Një ndarje nga vendi në vend

Këto efekte të ndryshme bazuar në gjendjen shëndetësore janë thelbësore kur merren parasysh dallimet midis vendeve. Ndërsa pika kryesore e identifikuar në studim zbatohet në të gjithë Evropën, ndikimi i politikave më të rrepta varet nga profili i përgjithshëm shëndetësor i një vendi.

Në vende si Danimarka dhe Suedia, ku më pak se 20% e të moshuarve raportojnë se janë me shëndet të dobët ose jo shumë mirë, masat më të rrepta kishin më shumë gjasa të jenë mbrojtëse. Në të kundërt, në Letoni, ku vetëm 30% e popullsisë së moshuar raportoi se ishte me shëndet të shkëlqyer ose shumë të mirë përpara pandemisë, politikat më të rrepta dëmtuan shëndetin e një pjese të madhe të popullsisë, veçanërisht atyre me shëndet të dobët. Për vende si Franca apo Gjermania, me një status shëndetësor më të shpërndarë në mënyrë të barabartë, është jetike të vlerësohet se si nëngrupe të ndryshme mund të preken nga masat e rrepta.

The post Si ndikuan kufizimet e Covid-19 në shëndetin e të moshuarve në të gjithë Evropën appeared first on Gazeta Si.

❌
❌