Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Biden për atentatin ndaj Trump: Nuk ka vend për dhunë politike në SHBA

By: Re Nato

Presidenti amerikan, Joe Biden dënoi tentativën për vrasje ndaj ish-presidentit Donald Trump dhe dënoi dhunën politike.

Biden, duke folur në Konferencën Kombëtare të Javës HBCU në Philadelphia, përgëzoi Shërbimin Sekret për “trajtimin e tij ekspert” të situatës dhe tha se kreu në detyrë i agjencisë, Ronald Rowe, është në Florida “duke përcaktuar nëse duhet bërë ndonjë rregullim të mëtejshëm për të siguruar sigurinë e ish-presidentit tonë”.

“Nuk ka vend për dhunë politike në Amerikë – asnjë. Zero. … Në Amerikë, ne e zgjidhim dallimin tonë në mënyrë paqësore në kutinë e votimit, jo në fund të armës”, tha Biden.

“Atentati nuk zgjidh asgjë. Thjesht e copëton vendin. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta parandaluar”, shtoi presidenti Biden./abcnews.al

“Brezi i ri ndodhet përpara një sfide të re”, Dragoti: Ligj për internetin? E vështirë, rrjetet sociale janë nevojë komunikimi

By: Xhen Sila

Profesori Edmond Dragoti thotë se brezi i ri ndodhet përpara një sfide të vështirë duke marrë parasysh zhvillimin e internetit dhe rreziqet që sjell. Në një intervistë për emisionin “Real Story” , ai thotë se është e vështirë që interneti dhe përmbajtjet që ofrohen të mund të kontrollohen nëpërmjet një legjislacioni të ri.

“Natyrisht paralajmërimi nuk është një zgjidhje përfundimtare, thjesht një përpjekje sepse shikoni rastin e duhanit. Nuk është ulur përqindja e njerëzve që përdornin duhanin thjesht duke lexuar ato fjalë. Por rrjetet sociale sa kohë janë një nevojë për breza të caktuar ato nuk ndalohen dot. Duhen orientuar të përdoren në kohën dhe rastin e duhur dhe në nivelet e nevojshme. Ajo që dëmton më shumë është përmbajtja e tyre eksplicite, e cila tërheq vëmendjen por në drejtime rreziku, dëmi të mundshëm, sidomos për fëmijët.

Por edhe në aspektin tjetër, rrjetet sociale konsumojnë të gjithë kohën e individit. Koha është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën tonë dhe kur ke kontakte të shumta që ndihmojnë në suksesin tënd shoqëror, mungesa e kohës është problemi më i madh. Dhe si me thënë ato të konsumojnë shumë kohë por nga ana tjetër, një nga dëmet më të mëdha në aspektin e shëndetit mendor, është varësia ndaj tyre. Kjo e bën individin që të injorojë dhe të zhvlerësojë të gjithë mundësitë e tjera për komunikim dhe informacion. Megjithatë, kap elementët informativë më të lehtë, të sipërfaqshëm dhe që spikasin më shumë rrezikun.

Brezi i ri është përpara një sfide të re, një tendence të rëndësishme të zhvillimit. Nuk është një tendencë mode thjesht për të kaluar kohën, por nevojë zhvillimi edhe prania e rrjeteve sociale. Problemi është a i kontrollojmë apo menaxhojmë. Në rast se na dalin nga dora, mundësia për të pasur probleme të shëndetit mendor është e madhe. Legjislacioni është i vështirë në aspektin se rrjetet sociale janë nevojë zhvillimi, janë komunikim. Komunikimi është ai që i jep atij mundësinë që të njohë veten, të njohë të tjerët, të krahasojë veten me të tjerët, të kërkojë të realizohet ndryshe, pra e ngre gradualisht në piramidat më të larta të zhvillimit njerëzor. Dhe duke qenë një nevojë komunikimi, individi ka braktisur komunikimin ballë për ballë sepse kërkon kohë, përpjekje, është i pasigurt në shumë aspekte pavarësisht se është më interesant.”, u shpreh profesori./abcnews.al

“Festival” golash në “Ennio Tardini”, Udinese siguron me përmbysje kreun e Serie A

Ishte padyshim një përballje spektakolare dhe kjo shihet që nga rezultati, 2-3.

Parma dhe Udinese kanë mahnitur të pranishmit “Stadio Ennio Tardini” të Parmës, në sfidën e vlefshme për javën e katërt të Serie A, me “Bardhezinjtë”, që përmbysën vendasit, duke vazhduar kështu ecurinë spektakolare, të tre fitoreve radhazi.

Vendasit e Parma u hodhën menjëherë në sulm dhe arritën t’i ndëshkonin dy herë miqtë fillimisht në minutën e 2’-të, me anë të Del Prato e më pas në të 43’-tën, falë talentit francez Ange-Yoan Bonny.

Të gjendur në disavantazhin e dy golave, “Bardhezinjtë” e Udinese u hodhënë mënjeherë në sulm dhe vetëm 4 minuta pas nisjes së fraksionit të dytë të lojës ngushtuan diferencën me anë të sulmuesit italian Lorenzo Luça, ndërsa për të përmbysur rezultatin në 3 me 2 mendoi francezi, Florian Thauvin me dopietën e tij në  minutat 68’ e 77’.

Kështu, siç theksuam edhe më sipër Udinese siguroi fitoren e tretë radhazi, në vetëm 4 javët e para të kampionatit, teksa tashmë renditet në vendin e parë të tabelës, me 10 pikë, 1 më shumë se Napoli e 2 më shumë se Inter e Juventus. /i.m /abcnews.al

Interneti dhe keqpërdorimi i tij/ Hazizaj: Të verifikohet mosha. Kallanxhi: Një person nën 18 vjeç nuk mund të verifikojë llogarinë

By: Re Nato

Altin Hazizaj, nga qendra e Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri thotë se duhet të verifikohet mosha përpara se të hysh në rrjetet sociale, të cilat kërkojnë përdorimin e internetit.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Hazizaj u shpreh se ka disa zgjidhje për këtë çështje dhe nga diskutimet në nivele të Bashkimit Evropian, mund të ketë direktivë të re.

Ndërsa eksperti Tomi Kallanxhi deklaroi se personat nën 18 vjeç nuk mund të verifikojnë një llogari në internet. Sipas tij, një person shikon deri në 200 video në një orë, në platformën sociale Tik Tok.

Pjesë nga diskutimi

Tomi Kallanxhi: Është e pamundur. Duke qenë se ka shumë prodhues telefonash, shumica e tyre janë aziatike, shumica e tyre janë android. Ndoshta, kjo gjë, mund të vendosej një tabelë. Është shumë e vështirë.

Altin Hazizaj: Ka disa zgjidhje. Zgjidhja që po ndiqet në nivel evropian, duke filluar nga britanikët vitin e kaluar, dhe tashmë diskutohet në nivele të Bashkimit Evropian, unë them që të paktën vitin tjetër do të ketë një direktivë të re. Ajo që po diskutohet, është çështja e verifikimit të moshës. Para se ti të hysh në internet, do duhet të verifikosh moshën.

Tomi Kallanxhi: Si do ta bëjmë verifikimin? Ka një problem te çështja e verifikimit, që iu kërkua Facebook-ut. Një nga problement e security që iu kërkua Facebook-ut, ishte, nëse Facebook-u hakerohet, gjithë ajo social number i fëmijëve nga 13-16 vjeç mund të bëhej publike. Këta njerëz që mund të bëjnë verify janë persona mbi 18 vjeç, nuk janë nën 18 vjeç. Dhe ti nëse je nën 18 vjeç nuk mund të bësh verify një account. Unë do të them një statistikë të vogël. A e di sesa video shikon një njeri në një orë në Tik Tok? 200 video. Në 6 orë 1200 video, në një vit, i thonë 430 mijë video. Diskutimet që bëjnë me njëri-tjetrin janë të lindura nga social media. Opinioni jonë varet nga social media dhe ne pastaj befasohemi, themi, ai e gjeti atë që unë mendoja.

Kompania që qëndron mbas Tik Tok është By Dance, zotëron një nga softwerët më të fuqishëm të inteligjencës artificiale, që të parashikojë çfarë do të klikosh ti në bazë të sjelljes tënde të mëparshme. Deri në fund të 2021, algoritmi i Tik Tok e përcaktonte nga personazhi që po shfaqej në video, nëse video jote do të bëhej virale apo jo. Algoritmi i Tik Tok ka një problem që nuk e njeh gjuhën shqipe. Tik Tok ka 1 miliard view në ditë, të shikimit të videos dhe Shqipëria mban vendin e parë në Ballkan, me 56 milion view në ditë, të videove në Tik Tok./abcnews.al

Zyrtarja e DASH takohet me Dumanin: Mbështesim SPAK dhe institucionet e pavarura

By: Xhen Sila

Drejtuesja e Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA, Colleen Hyland është takuar me kreun e SPAK, Altin Dumani. Ambasada amerikane, në një postim në rrjete sociale ka zbardhur diskutimet, ku Hyland ka përsëritur sërish mbështetjen e SHBA për institucionet e drejtësisë.

“Gjatë vizitës së saj sot në Tiranë, Colleen Hyland, Drejtuese e Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA, u takua me Drejtuesin e SPAK, Altin Dumani. Znj. Hyland përsëriti mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për SPAK dhe institucionet e pavarura të Shqipërisë, duke theksuar rolin kyç të reformës në drejtësi në përparimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt aspiratave të saj euroatlantike.”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.

/abcnews.al

Mashtrimet në internet/ Hazizaj: Prindërit duhet të bëjnë kujdes me fëmijët. Eksperti: Mos paguani asnjëherë, i bëni bllok

By: lia rda

Mashtrimet në internet janë bërë virale kohët e fundit, pasi pre e tyre kanë rënë të miturit.

Lidhur me këtë është folur në emisionin ‘Real Story’, ku drejtori i qëndrës për të drejtat e fëmijëve, Altin Hazizaj ka zbuluar se dy djemë kanë shkuar në qendër për të denoncuar, pasi një grup nga Nigeria i ka presionuar për të publikuar fotot e tyre intime. Prandaj, ai i ka bërë thirrje prindërve që të bëjnë kujdes me fëmijët.

Ndërsa, eksperti i IT, Tomi Kallanxhi ka këshilluar që nuk duhet të paguajnë dhe t’i bëjnë bllok menjëherë.

“Na kanë qëlluar rastet e dy djemve, një 13 dhe një 15 vjeç në mos gaboj, kishin ndarë përmbajtjet e tyre erotike dhe që më pas ishin grupe nga Nigeria që i thoshin ‘unë dua 2 mijë euro për këtë gjë’. Djali kishte hyrë në pazar dhe i kishin ulur çmimin në 200 euro. Kishte marrë kartën e të atit dhe i kishte bërë pagesën, me shpresën që do mbyllej aty. Në fund fare i erdhi fatura të atit.

 Ndërkohë, na merr ne në telefon dhe thotë si t’ia them babait që çfarë ka ndodhur. Prindi duhet të bëjë diskutime me fëmijët që në internet në qoftë se ndan gjëra personale, mund të biesh pre dhe në qoftë se mund të ndodhi kjo gjë, hajde te unë”, u shpreh Hazizaj.

“Kur bien pre më të rriturit që mua më vijnë herë pas here, imagjino fëmijët. Nuk duhet të paguajnë asnjëherë, minimumi duhet t’i bësh bllok të gjithëve dhe mos të kthesh asnjëherë përgjigje.

Nigeria ka të ardhura nga mashtrimet në internet 100 miliardë dollarë në vit, domethënë sa 5-fishi i GDP tonë”, tha Kallanxhi./abcnews.al

Mahniti të mëdhenjtë e Bundesliga, “fantazisti” i “Pancerave” më i kërkuari në Gjermani

Padyshim një nga skuadrat më surprizuese të këtij sezoni janë edhe gjermanët e Stuttgart, të cilët kanë zhvilluar një sezon të magjishëm, teksa aktualisht pozicionohen në vendin e tretë në një prej kampionatëve më elitar të botës, Bundesliga.

Mirëpo, jo vetëm dy të mësipërmit kanë shkëlqyer këtë sezon, te Stuttgart, me anësorin e krahut të majtë të sulmit, Chris Fuhrich, i cili ka zhvilluar paraqitje të shkëlqyera këtë sezon, paraqitje që kanë vënë pas tij tre “gjigantë” të futbollit gjerman, “Demat” e RB Leipzig, “Verdhekuqtë” e Borussia Dortmund dhe “Aspirinat” e Bayer Leverkusen.

Sipas raportimeve më të fundit të mediave gjermane, deri më tani më të favorizuarit duket të jenë kryesuesit e këtij sezoni të Bundesliga, Bayer Leverkusen, me teknikun, Xabi Alonso, që i kërkuar me patjetër drejtuesve të klubit që ta blejnë, teksa beson së në rast fitimit të titullit kampion do ta kenë më të lehtë ta bindin lojtarin që t’i bashkohet ekipit të tij në sezonin e ardhshëm. /i.m /abcnews.al

Rreziku nga interneti/ Gazetarja: Prindërit po iu drejtohen psikologëve të shqetësuar për sjelljet e fëmijëve të tyre

By: Xhen Sila

Interneti ka transformuar jetën moderne, duke ofruar komunikim të shpejtë dhe qasje të pakufizuar në informacione. Mirëpo, interneti ka krijuar mundësi të reja për keqpërdoruesit, sidomos ndaj fëmijëve, të cilët përballen me rreziqe si Cyber bullying, pornografia apo materiale të tjera të dëmshme.

Për rreziqet me të cilat përballen fëmijët në internet po diskutohet mbrëmjen e së hënës në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, me të ftuar Altin Hazizaj, drejtues i qendrës për të drejtat e fëmijëve, ekspertin e IT Tomi Kallanxhi dhe gazetaren e ABC News për çështjet sociale Ajgena Korbi.

Eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi thotë se është e rëndësishme që të trajnohen prindërit në mënyrë që ata të kuptojnë se si mund të kontrollojnë fëmijët dhe çfarë bëjnë ata në internet. Gazetarja Ajgena Korbi foli për fëmijë që kanë shfaqur probleme si ankth, depresion për shkak të internetit.

Pjesë nga diskutimi:

Altin Hazizaj: Ka një problem, e para nuk është interneti por çfarë hidhet në internet. Interneti është “tubi i ujit” ku pimë ujë të gjithë. Nëse dikush përzien këto ujëra dhe hedh diçka në këtë pellgun e ujit që konsumojmë të gjithë padiskutim, shikojmë se fillon dhe bëhet dëm. E dyta, kur është ndërtuar gjithë çështja e internetit, nuk është ndërtuar për fëmijët por për të rriturit. Qëllimi kryesor është që njerëzit komunikojnë me shpejtësinë e dritës. Deri këtu jemi në rregull. Ajo çfarë ndodh është që ekosistemi që kemi krijuar, që përdor internetin për të na shfaqur imazhe dhe informacion, këtu fillon dhe bëhet dëmi. Problemi në vetvete nuk është interneti. Ne kemi faqen tonë, këto përbëjnë ekosistemin. Me daljen e rrjeteve sociale, ka filluar problemi që të shtohet dhe agravohet sepse rrjetet sociale u ndërtuan për të rritur, automatikisht gjejnë veten edhe fëmijët. Pikëpyetja është nëse duhen lejuar fëmijët që të kenë akses në rrjetet sociale që është vetëm një ndër platformat që sot gjen në këtë ekosistemin e madh të komunikimit.

Tomi Kallanxhi: Ndoshta duhet të trajnojmë edhe pak prindërit. Të gjithë aplikacionet e social medias kanë një mjet që quhet supervision, që shumë pak prindër e dinë se si përdoret. Të gjithë smartphonet, iphonet kanë një digital wellbeing, shohin sa orë rri fëmija rri në aplikacion dhe kam dyshimet e mia që prindërit i kontrollojnë këtë gjë. Në momentin që prindi e lidh account-in e vet me atë të fëmijës, ai e kontrollon në kohë reale kë ka bërë follow e tjerë me radhë. Dhe në momentin që fëmija bën 18 vjeç, account-i shkëputet automatikisht por që duhet të fillojnë nga prindërit këtë gjë dhe të mos e shohim këtë gjë si një drogë. Këta gjenerata alfa që janë fëmijë, nuk janë njerëz të social media. Rrinë nëpër virtual stores, virtual games. Kanë një avatar. Ka ndryshuar mënyra, gjenerata që po rritet nuk rri fare në social media.

Ajgena Korbi: Për vetë faktin se kë kontaktojnë në rrjete sociale, është edhe ajo sa qëndrojnë në rrjete sociale. Duke qëndruar gjatë, mjekë, psikiatër dhe psikologë kanë ngritur shqetësimin se shëndeti mendor po vihet në ngërç. Po krijohen shqetësime të tilla si ankth, depresion, fëmijë të irrituar, që mbyllen në vetvete dhe nuk shoqërohen në jetën reale. Ky është shqetësimi kryesor në SHBA, ku ka studime por edhe nga kontakti që kam pasur me mjekë në Shqipëri. Te mjekët, psikiatër dhe psikologë, janë paraqitur prindër të shqetësuar për sjelljen e fëmijëve të tyre. Thonë që duke pasur një realitet ndryshe, ai që shikon në rrjetë sociale, nga ai që mund të jetojë, fëmija përjeton ankth, shqetësim. Mund të bëhet nervoz, të ndryshojë sjelljen./abcnews.al

Ukraina fton OKB-në dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar në Kursk të Rusisë

By: Re Nato

Ukraina tha të hënën se i ka kërkuar Kombeve të Bashkuara dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) t’u bashkohen përpjekjeve humanitare në rajonin Kursk të Rusisë, në të cilin forcat ukrainase e kryen një inkursion në gusht.

Ushtria ukrainase tani ka nën kontroll rreth 100 vendbanime në rajonin e Kurskit një muaj pasi e nisi inkursionin befasues, sipas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat ruse i kanë rimarrë nën kontroll edhe dy fshatra të tjera në këtë rajon.

Heqja e mbishkrimeve shqip nga tabelat, Mickoski: Pjesë e planit për destabilizimin nga strukturat kriminale

By: Xhen Sila

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski thotë se tabela pa mbishkrimin shqip në pikën kufitare Bllacë është pjesë e planit për destabilizim. Ai theksoi se përgjegjësia për këtë veprim nuk bie te institucionet por te strukturat kriminale që për vite me radhë janë pasuruar në dëm të qytetarëve.

“Cili institucion është nuk e di, mendoj se nuk është institucion, por se është pjesë e atij planit për destabilizim të atyre strukturave kriminale që në vitet e kaluara u pasuruan në kurriz të qytetarëve. Të atyre kriminelëve politik që pak nga pak kanë luajtur me institucionet, kanë dhënë licenca për videolotari të joligjore, lotari online dhe kështu me radhë. Mendoj se ata tani janë të frikësuar sepse e dinë, marrin informacione se si ngadalë hetimi afrohet drejt tyre dhe ata të frikësuar tani reagojnë në këtë mënyrë, tentojnë ta destabilizojnë shtetin por, nuk kanë sukses“, tha Mickoski.

Nga ana tjetër, Arben Taravari nga Vlen u shpreh se ngjarja është dramatizuar dhe se kishte për qëllim shmangien e vëmendjes nga vendimi i Gjykatës së Apelit që t’i kthejë vulat e partisë, krahut të Taravarit.

Të shtunën opozita shqiptare reagoi për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe nga vendkalimet kufitare dhe zëvendësimimin e tyre me të reja, të cilat ishin vetëm në gjuhën maqedonase, angleze dhe frenge. Tabelat u hoqën dhe u kthyen përsëri me mbishkrim shqip./abcnews.al

Shtëpia e Bardhë: Plani i paqes nuk duhet t’i imponohet Ukrainës nga jashtë

By: Re Nato

Qeveria ukrainase duhet të udhëheqë rrugën në lidhje me mënyrën se si do të përfundojë lufta në Ukrainë, ka thënë Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.

“Unë mendoj se çdo plan paqeje që synon të imponojë në thelb paqen mbi popullin e Ukrainës,… nuk është i drejtë ose i qëndrueshëm”, ka thënë Sullivan përmes një lidhjeje video gjatë një konference në Kiev.

Kujtojmë se iniciativa të ndryshme janë paraqitur për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë që kur presidenti rus Vladmir Putin filloi pushtimin e tij gjithëpërfshirës në vitin 2022, duke përfshirë “misionet e paqes” të vetëshpallura nga kryeministri hungarez Viktor Orbán.

Por vetëm formula e paqes e propozuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përfshin kthimin e të gjitha territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia.

“Kemi solidaritet në familje”, Berisha: Argita administron edhe paratë tona

By: Xhen Sila

Ish-kryeministri Berisha ka buxhetin e vet por thotë se ai nuk e administron atë. Ky ishte shpjegimi që dha Berisha për faktin se SPAK në dosjen me dyshimet për korrupsion, evidenton  se shumë prej shpenzimeve të tij, për mbulim shëndetësor apo të tjerë, i ka mbuluar ndër vite vajza dhe dhëndri i tij.

Sali Berisha ka kursimet e veta, të deklaruara qindarkë për qindarkë në ILDKPI. Nuk është marrë kurrë me administrimin e tyre, edhe të miat edhe të Lilit, i administron vajza jonë, Argita Malltezi.”, u shpreh ai.

Në konferencën e dytë që mbajti nga shtëpia, Berisha tregoi në vijim si menaxhohen paratë në familjen e tij dhe si paratë nga dalë nga buxheti i vajzës dhe dhëndrit, që njëkohësisht është i pandehur për korrupsion aktiv.

“Lidhur me shërbimet shëndetësore. Po ju rrëfej një sekret. Në të gjitha rastet në mënyrë absolute ajo ka marrë një porosi nga unë; këto shpenzime do ti marrësh nga kursimet e mi. Ajo nuk e ka zbatuar këtë porosi. Ajo ka gjykuar se këto shpenzime ti përballojë me kursimet e saj. Dhe unë i jam shumë mirënjohës për këtë, asaj, Abit dhe cilido që ka kontribuar. Ne jemi një familje me solidaritet të madh familjar, si çdo familje shqiptare.”

Por Berisha duket se nuk i frikësohet fakteve në dosje, me pretendimin se çdo transaksion ka qenë konform ligjeve.

“E rëndësishmja është kjo; nga vijnë këta para? Dhe Argita e Jamarbër Malltezi i kanë të gjitha të deklaruara qindarkë për qindarkë në ILDKPI. Aq të deklaruara dhe të sakta i ka, sa mercenarët e Skapit duke mos pasur kërkund të kapen, shkojnë e nxjerrin transaksione të 30 viteve më parë, mes Abi Malltezit që në atë kohë merrje me real estate dhe biznesmenit Damir Fazlliç.” 

 

Bjellorusi/ Lukashenko fal 37 persona të burgosur për ekstremizëm

By: Re Nato

Udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko nënshkroi të hënën një dekret për faljen e 37 personave të dënuar për krime në lidhje me “ekstremizmin”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Belta.

Njoftimi, në prag të festës kombëtare, e rrit në 115 numrin total të personave të burgosur për veprimtari opozitare që Lukashenko ka falur që nga fillimi i korrikut.

Belta citoi shërbimin për shtyp të Lukashenkos të thoshte se në mesin e atyre që do të liroheshin ishin gjashtë gra, së bashku me një numër të paspecifikuar pensionistësh, personash me aftësi të kufizuara dhe atyre që vuajnë nga sëmundje kronike. Nuk u dha emrat.

Reformë Shërbimit Sekret të Sigurisë/ Biden: I propozova Kongresit shtimin e personelit

By: Xhen Sila

Pas dy atentateve në dy muaj ndaj ish presidentit Donald Trump, kandidat në garën presidenciale të nëntorit, Shtëpia e Bardhë propozon një reformë të Shërbimit Sekret të Sigurisë. Në një deklaratë të shkurtër, presidenti Joe Biden kërkoi nga kongresi të rishikojë shtimin e personelit të këtij shërbimi.

“Shërbimi ka nevojë për më shumë mbështetje. Mendoj se Kongresi duhet të shqyrtojë mundësinë për të rritur shërbimet. Ne duhet të diskutojmë nëse është e nevojshme të rritet numri i personelit. Ata duhet të vendosin nëse kanë vërtet nevojë për më shumë staf”, tha Trump.

Ndryshe nga atentati i mëparshëm në Pensilvani ndaj Trump, në incidentin e fundit, duket se Shërbimi Sekret ka vepruar shpejt, duke e kapur të dyshuarin. Por, megjithatë niveli i mbrojtjes që u jepet kandidatëve presidencialë në SHBA vlen të diskutohet.

Pas ngjarjes të së dielës, fushata e Trumpit mund të përpiqet ta ripërqendrojë debatin në çështjet që lidhen me ligjin dhe rendin, si dhe në kërcënimet për dhunë politike, ndoshta edhe duke u përpjekur të fajësojë kundërshtarët për përgjegjësi në nxitjen e armiqësive.

Por rivalja demokrate e Trump Kamala Harris shkroi në një reagim pas ngjarjes se dhuna nuk duhet të ketë vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jam thellësisht e shqetësuar nga atentati i kryer për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump. Ndërsa mbledhim të gjitha faktet mbi këtë çështje, dua të jem e qartë, unë e dënoj këtë dhunë politike. Ne të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë për të siguruar që ky incident të mos çojë në përshkallëzim të dhunës.”, tha ajo.

Vetë Trump falenderoi Shërbimet Sekrete Amerikane për mbrojtjen e ofruar, ndërsa deklaroi se kur një politikan është i dashur nga populli, kriminelët do të qëllojnë. Që pas debatit presidencial me Harris, kur demokratja dukshëm doli fituese, disa deklarata të Trumpit si ajo për emigrantët nga Haiti hanë kafshë shtëpiake në Ohio nxitën komente negative nga shumë amerikanë./abcnews.al

 

 

 

 

“Xhaçka, PS t’i hapte rrugë drejtësisë”/ Frrok Çupi: Komisioni i Venecias nuk dikton mandatin e deputetes

By: Re Nato

Analisti Frrok Çupi thotë se Partia Socialiste duhet t’i hapte rrugë drejtësisë, në lidhje me mandatin e deptuetes Olta Xhaçka.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Çupi u shpreh se Komisioni i Venecias, nuk dikton mandatin e deputetes.

“Është shumë e çudtishme sesi kjno mazhorancë, vjen një moment që kundërshton hapur Gjykatën Kushtetuese, për një arsye që është legjislative dhe politike. Kjo që po ndodh tani, duket si e pabesueshme, sepse në të gjitha rrethanat, edhe sikur të zbriste perëndia dhe të thoshte, një ish ministre, ish deputete është pa faj, Partia Socialiste duhet t’i hapte rrugë drejtësisë. Fajësinë e një deputeti, nuk e vërteton thjesht gjykata. PS me këtë rast, realisht po e paguan me një kosto shumë të lartë, do vërë në pikëpyetje shumë të madhe mbi dy standardet që po tregohet në raport me ligjin dhe Gjykatën Kushtetuese. Komisioni i Venecias është vënë në lëvizje shumë vonë. Këto ishin punë që i përkisnin Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese ishte në Shqipëri, jo në Bruksel. Komisioni i Venecias, nuk hyn në këtë, t’i heqim mandatin apo jo një deputeti”, theksoi ai./abcnews.al

“Krimet e Berishës, kosto për opozitën”/ Analisti Çupi: PD merr goditjen përfundimtare

By: Re Nato

Krimet dhe korrupsioni i kryer nga ish kryeministri Sali Berisha, ka një kosto të madhe për opozitën, sipas analistit Frrok Çupi.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Çupi u shpreh se Partia Demokratike po merr goditjen përfundimtare.

Kostoja që po merr opozita është shumë e lartë. Rrënohet përfundimisht një parti që u bë mbështetje e shpresave të shqiptarëve, por edhe aleatëve. Meer goditjen përfundimtare ideja se në vitin 1990 u bë një gjë e mirë këtu. Për arsye të një njeriu. Berisha ka dhënë sinjale, për PD, pyeta Lirinë, ta bëjmë apo mos ta bëjmë? Donte ta tundte pulsin nëse do e pranonte publiku se e ka themeluar partinë. Fati i saj do jetë si ai bossi i ndërmarrjes që zbulohet dhe bie në burg. Ky është fati i kësaj ndërmarrjeje. Ministrate tij janë të inkriminuar, por janë njerëz me interesa kriminale dhe mafioze, e mbajnë atë grupim të Berishës, në mbrojtje kundër ligjit. Kemi të bëjmë me një faj shumë të madh, është ndërmarrje politike kundër perëndimit dhe kundër ligjit”, theksoi ai./abcnews.al

Fantastik në mesfushë, “gjigantët” e Evropës pas “yllit” të Real Sociedad

Prej një “jete” është pjesë e “Baskëve” të Real Sociedad, mirëpo situata mund të ndyrshojë gjatë merkatos së verës, me “gjigantët” e kampionatit anglez të futbollit, Premier League, Arsenal e Liverpool, që janë vënë pas tij. Bëhet fjalë për “shkatërruesin” spanjoll, Martin Zubimendi, i cili po shkëlqen prej disa sezonesh, tashmë, në La Liga.

Sipas raportimeve më të fundit, të tabloideve britanike, “Topçinjtë” e Arsenal dhe “Katalanasit” e Barcelona do të garojnë edhe për shërbimet e Zubimendi, me të dyja këto skuadra që kërkojnë përforcim të ri e me shumë kualitet, në repartin më të tërhequr të mesfushës.

Autor i 4 golave e 1 asistimi, në 44 përballjet e zhvilluara sezonin e kaluar, mes kampionatit, Copa del Rey e UEFA Champions League vlerësohet në shifrën e 50 milionë eurove, sipas specialistëve të “Transfermarkt”, megjithatë me kontratën që skadon në verën e vitit 2027 pritet që çmimi të rritet lehtësisht në shifrat e 70-80 milionë eurove. /i.m /abcnews.al

Dosja 500 faqe e SPAK/ Frrok Çupi: Provat që tregojnë korrupsionin e Berishës. Familja e tij, organizatë kriminale

By: Re Nato

Analisti Frrok Çupi thotë se dosja me 500 faqe e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për ish kryeministrin Sali Berisha, tregon provat që vërtetojnë korrupsionin e kryer prej tij.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Çupi u shpreh se familja Berisha, është organizatë kriminale.

“Është një shans shumë i mirë për publikun, ja ku janë provat. Deri më sot, Berisha thoshtë nuk ka prova. Është një vlerë që ka sot. Me këto vlera monetare dhe me këto shpenzime, është vetëm maja e ajsbergut. Berisha dhe familja Berisha kanë menaxhuar para shumë të mëdha, kanë shuma të jashtëzakonshme. Deklaratat e Berishës janë dredharake. Ai ka pranuar një gjë, që ka solidaritet në familje, për arsye kriminale bëhen vetëm në organizatat kriminale mafioze, solidariteti është për vepra kriminale. Ka përdorur postin shtetëror.

Këto janë vepra kriminale, në krye të bandës qëndron bossi dhe ai i menaxhon të gjitha këto. Berisha ndërtoi strategjinë e organizatës kriminale në familje. Partia është për ta mbështetur, për ta mbrojtur. E keqja është përdorimi i fëmijëve dhe inkrimimi i tyre. Secili kishte detyrën e tij, e bija kishte detyrën e mbulimit të punëve juridike dhe të bankave. I biri kishte autoritetin e shfrytëzimit të qeverisë dhe vendimeve qeveritare.

Në krye të piramidës qëndron Liria. Do të shikojmë që e tëra do të zbërthehet. Ai është tinëzar në familjen e tij. I pari që ra viktimë ishte dhëndri i tij. Zonja Berisha ka qenë e besueshme për fëmijët, në raportet e tyre, i ati nuk ishte aq i besueshëm për fëmijët, Liria shiti fytyrën e saj ëngjëllore, realisht, ajo ishte një menaxhere shumë e mirë, edhe me mbështetje jashtë, në organizata të tyre, të ashtuquajtura humane”, theksoi ai./abcnews.al

❌