Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Posta e Kosovës paralajmëron qytetarët për mashtrime me SMS: Mos ndani të dhëna personale

Posta e Kosovës ka lëshuar një njoftim të rëndësishëm për publikun, duke paralajmëruar qytetarët që të mos bien pre e një mashtrimi që po qarkullon përmes SMS-ve.

Sipas Postës së Kosovës, palë të panjohura po dërgojnë mesazhe telefonike, duke u paraqitur në emër të institucionit, me qëllim përfitimi të paligjshëm.

“Menjëherë pasi kemi marrë informata për këtë mashtrim, kemi njoftuar organet kompetente dhe po bashkëpunojmë ngushtë me to për të ndaluar këtë aktivitet të paligjshëm,” thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.

Institucioni thekson se komunikimi i tij zyrtar bëhet vetëm përmes kanaleve të verifikuara, duke përfshirë web-faqen zyrtare dhe platformat në rrjetet sociale si Facebook, Instagram dhe LinkedIn.

Numrat e kontaktit gjithashtu janë të publikuar zyrtarisht.

“Ju lutemi mos klikoni në asnjë link që mund të merrni përmes këtyre mesazheve dhe mos bashkëpunoni me numra të paidentifikuar që nuk janë zyrtarë të Postës së Kosovës. Në asnjë rast nuk do t’ju kërkojmë të dhëna personale apo numra të kartelave bankare,” paralajmëron Posta.

Posta e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për të mbrojtur qytetarët dhe ka njoftuar se po bashkëpunon me autoritetet përkatëse për të ndjekur keqbërësit pas këtij incidenti.

Institucioni gjithashtu bëri të ditur se posta të tjera në rajon janë përballur me sulme të ngjashme nga mashtrues të panjohur. /Telegrafi/

The post Posta e Kosovës paralajmëron qytetarët për mashtrime me SMS: Mos ndani të dhëna personale appeared first on Telegrafi.

Kurti takon Von der Leyen, kërkon statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe heqjen e masave restriktive

Me ftesë të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti udhëtoi sot për në Bruksel, ku mori pjesë në drekën e punës bashkë edhe me liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit për media Kurti fillimisht uroi Von der Leyen për rizgjedhjen e saj si Presidente e Komisionit Evropian dhe u shpreh i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe integrimin evropian të Kosovës.

“Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen”, thuhet në njoftim.

Sa i përket Planit të Rritjes, Kurti u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.

“Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ai i konfirmoi mbështetjen për këtë proces, teksa shprehu angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin”, thuhet tutje në njoftim.

Çështje të tjera që u adresuan nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale. /Telegrafi/

The post Kurti takon Von der Leyen, kërkon statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe heqjen e masave restriktive appeared first on Telegrafi.

​FSK e gatshme për garën “Cambrian Patrol 2024”

Në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrje në garën “Cambrian Patrol 2024”, skuadra e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe një skuadër nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në koordinim me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe me qëllim vlerësimin e skuadrave pjesëmarrëse në garë, kanë realizuar ushtrimin fushor “ Camprep24”.

Skuadrat sipas FSK-së u testuan dhe kaluan sfidat e ngjashme që do të jenë gjatë realizimit të garës.

“Skuadrat treguan disiplinë, motiv e përkushtim të lartë, duke bërë më të mirën për të përfaqësuar vendet tona në garën më të madhe të ushtrive të botës siç është gara ‘Cambrian Patrol’, që realizohet çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar dhe me pjesëmarrjen e një numri të madhe nga të gjitha vendet e botës”, thuhet në njoftimin e FSK-së. /Telegrafi/

The post ​FSK e gatshme për garën “Cambrian Patrol 2024” appeared first on Telegrafi.

Shtetasi polak ndalohet në Zveçan për kalim ilegal të kufirit

Të mërkur në fshatin Izvor, Zveçan, njësia policore ndaloi një shtetas polak.

I njëjti dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës.

Pas ndalimit, prokurori kujdestar urdhëroi që i dyshuari të lirohet, ndërsa rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

The post Shtetasi polak ndalohet në Zveçan për kalim ilegal të kufirit appeared first on Telegrafi.

❌