Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Caktohet paneli i gjyqtarëve mbi kërkesën e Haxhi Shalës në Hagë

Kryetarja e DHSK-së Trendafilova ka caktuar Panelin e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesën e Haxhi Shalës për rishqyrtimin e vendimit të mëparshëm të Gjykatës Supreme më 9 shtator 2024.

Paneli i Gjykatës Supreme do të vendosë mbi kërkesën e Haxhi Shalës lidhur me mbajtjen e tij në objektet e paraburgimit.

Në njoftimin e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara, theksohet se “me vendimin e mëparshëm ishte hedhur poshtë kërkesa e të akuzuarit për mbrojtjen e ligjshmërisë lidhur me mbajtjen e tij në paraburgim. Paneli i njëjtë, i përbërë nga gjykatësit Ekaterina Trendafilova (kryesuese), Kristinë van den Vijngart dhe Daniel Fransen, do të vendosë lidhur me kërkesën më të fundit”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Ndërkaq, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup./Telegrafi/

The post Caktohet paneli i gjyqtarëve mbi kërkesën e Haxhi Shalës në Hagë appeared first on Telegrafi.

Në Kosovë asgjësohen 21 tonë peshk të kontaminuar me parazitë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se ka asgjësuar 21 tonë peshk të kontaminuar me parazitë të llojit ‘Anisakis’.

Sipas njoftimit, ekipet inspektuese të mjekësisë veterinare të AUV-së, gjatë kontrolleve fizike dhe organoleptike, kanë zbuluar shenja të pranisë së parazitëve në peshk të ngrirë.

Në bazë të Ligjit për Veterinarinë dhe Ligjit për Ushqimin, peshku u largua menjëherë nga tregu dhe u bllokua për analiza të mëtejshme laboratorike.

Pas konfirmimit të prezencës së parazitëve, AUV vendosi që peshku i kontaminuar duhet të kthehet në vendin e origjinës ose të asgjësohet.

“Për shkak të pamundësisë së kthimit, u asgjësuan 21,380 kg peshk i llojit merluc, i cili nuk përmbushte standardet e nevojshme për konsum publik”, thuhet në njoftim.

Procesi i asgjësimit u krye nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së, ndërsa agjencia ka deklaruar se do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e konsumatorëve duke mos lejuar produkte të papërshtatshme për tregun./Telegrafi/

The post Në Kosovë asgjësohen 21 tonë peshk të kontaminuar me parazitë appeared first on Telegrafi.

Duda Balje: Termi ‘Prindi 1’ dhe ‘Prindi 2’, shkelje e Ligjit të Familjes

Deputetja Duda Balje, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, ka thënë se termi ‘Prindi 1’ dhe ‘Prindi 2’, e përdorur në një dokument të unifikuar dhe i shpërndarë për prindërit nga shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë është shkelje e ligjit të familjes.

Ajo ka thënë se familja në Kosovë është e rregulluar me ligj dhe se askush s’ka të drejtë të bëjë definimin e saj.

“Shkelje e ligjit sepse na kemi ligj për familjen, kod për familjen dhe nuk e besoj se askush prej nivelit lokal aq më pak menaxhmenti i shkollës ka pas të drejtë këtë me bë”, ka thënë Balje në Tëvë 1.

Balje ka thënë se nga biseda që ka zhvilluar me drejtoreshën e kësaj shkolle ka kuptuar se një dokument i tillë është shpërndarë nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë edhe në shkollat tjera.
“Ata kanë thënë se është unifikim i dokumentit dhe është shpërndarë nga DKA e Prishtinës në të gjitha shkollat. Askush në Kosovë nuk ka të drejtë me definu familjen, sepse ajo është e definuar me ligj”, tha ajo.

Balje ka përmendur edhe një shembull se nëse një çift shkon dhe e regjistron fëmijën në shkollë, kush duhet të jetë prindi 1 dhe kush 2 dhe pse.

“Nuk po dua me u identiku me numër, unë jam nëna”, tha ajo.

Për këtë dokument i cili ngjalli reagime ka reaguar edhe shkolla “Elena Gjika”.

“Kjo draft-marrëveshje është hartuar nga grupe punuese të shkollave gjatë vitit 2023 dhe është në harmoni me praktikat evropiane për nënshkrim nga dy prindërit. Është vërejtur se disa prindër e kanë ndërlidhur me procese të tjera, për çka shkolla nuk ka pasur këtë qëllim. Për shkollën është e rëndësishme që dy prindërit të jenë pjesë e shkollimit dhe garantues i bashkëpunimit e ndarjes së përgjegjësisë në të mirë të fëmijëve. Ne ndajmë keqardhje për çdo shqetësim të mundshëm që kjo situatë mund të ketë shkaktuar”, u tha në një postim nga drejtoria e kësaj shkolle.

Edhe nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës e kanë quajtur një emërtim të tillë si keqkuptim.

“Ka pasur keqkuptime, ku disa prindër e kanë ndërlidhur këtë marrëveshje me procese të tjera, të cilat nuk janë objekt i këtij dokumenti. Për DKA, është thelbësore që të dy prindërit të jenë të angazhuar dhe të kontribuojnë në mënyrë të barabartë në procesin arsimor”, thuhet nga DKA.

The post Duda Balje: Termi ‘Prindi 1’ dhe ‘Prindi 2’, shkelje e Ligjit të Familjes appeared first on Telegrafi.

“Ti e di që unë s’jetoj dot pa ty”, rrëqeth me fjalët gruaja e të ndjerit Gerti Bogdani

Lajmi tronditës i ndarjes nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, në moshën vetëm 44-vjeçare, ka tronditur familjarët, miqtë dhe kolegët e tij.

Bogdani ndërroi jetë të mërkurën paradite si pasojë e një arresti kardiak.

Bashkëshortja e tij, Edlira Çepani, reagoi me fjalë prekëse në rrjetet sociale, duke i dedikuar atij një mesazh të ndjerë:

“Ti e dije që jeta ime s’ka kuptim pa ty! Ti ishe jo vetëm gjysma ime më e mirë, por jeta ime e tërë. Ti ishe shoku, dashuria, familja dhe skuadra ime! Nuk di si të jetoj pa ty… Zoti merr pranë vetes më të mirët, por ty nuk duhej të të kishte marrë. Unë, Ajra dhe Reinarti kemi nevojë për ty”, shkruan ajo.

Homazhet dhe ceremonia e lamtumirës do të mbahen të enjten, më 19 Shtator 2024, në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në 12:00.

Më pas, varrimi do të bëhet në varrezat e Sharrës.

Bogdani u gjet pa ndjenja në tualetin e një hoteli në Tiranë, pasi kishte ndjerë vështirësi në frymëmarrje ndërsa ishte duke pirë kafe me miq. Edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, mjekët nuk arritën ta shpëtonin./Telegrafi/

The post “Ti e di që unë s’jetoj dot pa ty”, rrëqeth me fjalët gruaja e të ndjerit Gerti Bogdani appeared first on Telegrafi.

Dervishi: Vdekja e papritur e Gerti Bogdanit na kujton papërsosmërinë dhe përkohshmërinë e jetës

Analisti politik Lutfi Dervishi ka reaguar pas lajmit tronditës të ndarjes së papritur nga jeta të Gerti Bogdanit, i cili ndërroi jetë pas një arresti kardiak.

Dervishi theksoi pa përsosmërinë dhe përkohshmërinë e jetës, duke nënvizuar se vdekja e Bogdanit është një kujtesë e qartë për të gjithë, duke e cilësuar: “Sot je, sot s’je.”

Një ditë më parë, Bogdani ishte parë në një studio televizive, ndërsa në mëngjesin e ndarjes së tij, ai ishte në një kafe me shokët e tij.

Vetëm një ditë më vonë, miqtë dhe të afërmit e tij do t’i japin lamtumirën e fundit.

Ai ishte vetëm 44 vjeç.

“Figura politike dhe njerëz nga të gjitha sferat e jetës, miq e kundërshtarë, shprehën keqardhjen për këtë humbje të papritur. Bogdani, një personalitet publik i angazhuar që nga mosha e re, kishte arritur suksese të rëndësishme në politikë, përfshirë postin si deputet dhe drejtues i Forumit Rinor të PD”.

Dervishi, duke reflektuar mbi vdekjen e tij, tha se ndarja e parakohshme e Bogdanit na kujton sa të pasigurt jemi për kohën që kemi në këtë botë.

Ai citoi fjalët e urta hebraike: “Nëse do ta bësh Zotin të qeshë, tregoji se çfarë planesh ke për të ardhmen.”

Më tej, Dervishi iu referua shkrimeve të shenjta, duke nënvizuar se kuptimi i vërtetë i jetës qëndron përtej suksesit dhe objektivave materiale.

Ai citoi edhe nga Kurani: “Pasha kohën! Me të vërtetë njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira” (Kurani, 103:1-3), si dhe nga Bibla: “Gjithçka ka kohën e vet… ka kohë për të lindur dhe kohë për të vdekur” (Predikuesi 3:1-2).

Në përfundim, Dervishi nënvizoi se Bogdani do të mbahet mend për mirësinë dhe fjalët e mira që la pas. “Një frymë larg e ka njeriu vdekjen, por harron,” përfundoi ai./Telegrafi/

The post Dervishi: Vdekja e papritur e Gerti Bogdanit na kujton papërsosmërinë dhe përkohshmërinë e jetës appeared first on Telegrafi.

​Haradinaj për Kurtin: Me politikën e tij shou-biz e fuqizoi Serbinë

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj kritikoi ashpër qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se me politikat e veta të shou-bizit, fotove e sukseseve të ditës e fuqizoi Serbinë dhe e dobësoi pozicionin e Kosovës par aleatëve të saj ndërkombëtarë.

Haradinaj theksoi se Kurti në veri punoi pa koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

“Kryeministri i Kosovës nuk ka dashur të ndajë meritën me aleatët për sukses, ka pasur dëshirë të jetë i vetëm që kryen punë. Tani mund të shtojmë shumë dilema përse ka vepruar kështu. Unë i kam mësuar të miat me kohë, por ai nuk ka pranuar të punojë në një plan të përbashkët me Amerikën në veri, e që sot do të rezultonte me të gjitha këto çështje të kryera në veri me rend e ligj, por edhe një pranim ndërkombëtar të sukseseve të Kosovës në veri që do të rezultonte me anëtarësim në KE, kandidaturën për BE dhe anëtarësim në NATO”.

“Kurti me politikën e vet të shou-biz, fotove e të sukseseve të ditës e fuqizoi Serbinë, e bëri si partner më serioz tek aleatët tanë dhe e dobësoi pozicionin e Kosovës deri në atë masë sa ne jemi të ndëshkuar. Nuk është çudi që Vuçiq, i cili është pasardhës i Millosheviqit, duke e parë dobësimin e Kosovës në planin ndërkombëtar inkurajohet të bëjë kërcënime e kërkesa,” deklaroi Haradinaj në Politiko të Kanal 10.

Sipas tij, arsyet pse është trimëruar Serbia, duke goditur, ashtu siç ka goditur në Banjskë, ka të bëjë me gabimet e Kurtit.

“Kurti ua ka krijuar terrenin me gabimet e veta, që ata edhe të shpresojnë që nuk do të ndëshkohen. Nuk mbahet siguria vetëm nga puna e ditore. Nëse, Serbia e di që ne i kemi marrëdhëniet shumë të fuqishme me Amerikën, nuk guxon as ëndërr ta shohë Kosovën, por ata i shfrytëzojnë dobësitë tona të na godasin. Kjo i bie që nëse Kurti vazhdon kështu, ata prapë do të inkurajohen”, tha Haradinaj.

The post ​Haradinaj për Kurtin: Me politikën e tij shou-biz e fuqizoi Serbinë appeared first on Telegrafi.

​Krimet e luftës, Çeku: Do të vazhdojmë betejën për dëmshpërblim nga Serbia

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka dorëzuar sot raportin e dokumentimit mbi krimet e luftës në Kosovë, Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës.

Ky raport është rezultat i punës së Komisionit shtetëror të formuar nga qeveria për të hetuar dhe dokumentuar krimet e kryera gjatë luftës.

Në një postim në Facebook, ministri Çeku ka theksuar vendosmërinë për të vazhduar betejën për drejtësi dhe dëmshpërblim ndaj Serbisë. Ai ka vënë theksin mbi dëmet që trashëgimia kulturore e Kosovës ka pësuar si pasojë e “projektit gjenocidal serb”, duke e cilësuar këtë si një akt kulturocidi me pasoja tronditëse.

Sipas raportit të publikuar nga Çeku, 1784 monumente janë shkatërruar, 3724 artifakte janë grabitur, 175 biblioteka janë djegur ose shkatërruar, dhe 1.7 milion libra në gjuhën shqipe janë asgjësuar.

Gjithashtu, mijëra dokumente arkivore të monumenteve janë grabitur dhe qindra vepra arti janë dëmtuar ose vjedhur gjatë luftës në Kosovë.

Ministri ka premtuar se përpjekjet për të ndriçuar të vërtetën dhe për të kërkuar drejtësi nuk do të ndalen./Telegrafi/

The post ​Krimet e luftës, Çeku: Do të vazhdojmë betejën për dëmshpërblim nga Serbia appeared first on Telegrafi.

❌