Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Dhuna në Kuvend, Xhixho: Do përballem me akuzat e SPAK, s’pres gjë nga kjo drejtësi

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho tha se do të përballet me akuzat e ngritura nga policia për të dhe 22 deputetët e tjerë të opozitës për ngjarjet e një dite më parë në Kuvend.

Në një intervistë për Euronews Albania ajo u shpreh se drejtësia po përdoret për të burgosur deputetë të opozitës, kështu që nuk ka asnjë pritshmëri nga kjo drejtësi.

Ajo tregoi se situata e një dite më parë në Kuvend erdhi pas dënimit politik të një deputeti të opozitës vetëm pse denoncoi një skandal të qeverisë.

“Jemi në një front opozitar. Jemi në koordinim dhe komunikim me PD, do mendohet forma më e mirë për të hyrë në zgjedhje, kemi kërkuar gjithmonë koalicionet parazgjedhore edhe pse u hoqën nga Rama. Kishim dje një mbledhje kryesie, u diskutua aksioni opozitar, sot kemi mbledhje të këshillit drejtues ku do të diskutohet data 7, ku çdo qytetar ka një arsye për të protestuar, nuk është vetëm çështja e Salianjit, është përdorimi i pushtetit për të mbyllur gojën e qytetarëve, është një kauzë që i ka prekur të gjithë”, tha ajo.

The post Dhuna në Kuvend, Xhixho: Do përballem me akuzat e SPAK, s’pres gjë nga kjo drejtësi appeared first on Euronews Albania.

“Territor i pastër”, asgjësohen 2532 bimë kanabisi në Shkodër

Policia e Shkodrës në kuadër të operacionit antikanabis “Territor i pastër”, ka asgjësuar 2532 bimë kanabisi dhe 23.5 kg kanabis në proces tharjeje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territorin e njësisë administrative Shllak dhe asgjësuan 1115 bimë cannabisi, si dhe 23.5 kg cannabis (pjesë bimësh) në proces tharjeje;

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësive administrative Pult, Shalë dhe Postribë, dhe asgjësuan 1118 bimë cannabisi;

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën në territorin e njësisë administrative Kastrat dhe asgjësuan 122 bimë cannabisi;

Shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë Arrëz gjetën në territorin e njësive administrative Fierzë dhe asgjësuan 177 bimë cannabisi”, bëri me dije policia.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Territor i pastër”, asgjësohen 2532 bimë kanabisi në Shkodër appeared first on Euronews Albania.

Xi zotohet për ‘ribashkim’ ​​me Tajvanin në ditëlindjen e 75-të të Kinës komuniste

Udhëheqësi kinez Xi Jinping përsëriti zotimin e tij për të arritur “ribashkimin” me Tajvanin në prag të ditëlindjes së 75-të të Kinës komuniste, ndërsa Pekini përkuli fuqinë e tij ushtarake në prag të festës kombëtare.

Në një banket shtetëror që festonte themelimin e Republikës Popullore të hënën, Xi përdori fjalimin e tij për të nënvizuar vendosmërinë e tij për të arritur “ribashkimin e plotë të atdheut”.

“Është një prirje e pakthyeshme, një shkak i drejtësisë dhe aspiratës së përbashkët të njerëzve. Askush nuk mund ta ndalë marshimin e historisë,” u tha ai mijëra të pranishmëve në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua.

Partia Komuniste në pushtet e Kinës pretendon Tajvanin si të sajin, pavarësisht se nuk e ka kontrolluar kurrë dhe është zotuar të “ribashkohet” me demokracinë vetëqeverisëse, me forcë nëse është e nevojshme.

Por shumë njerëz në ishull e shohin veten si tajvanezë dhe nuk kanë dëshirë të jenë pjesë e Kinës komuniste.

Të dyja palët janë qeverisur nga qeveri të veçanta që nga viti 1949, pas përfundimit të luftës civile kineze. Komunistët morën pushtetin në Pekin dhe themeluan Republikën Popullore të Kinës më 1 tetor 1949, ndërsa nacionalistët e mundur u larguan në Tajvan, duke zhvendosur selinë e Republikës së Kinës nga kontinenti në Taipei.

Udhëheqësit e njëpasnjëshëm kinezë janë zotuar se një ditë do të marrin kontrollin e Tajvanit, por Xi, lideri më këmbëngulës i Kinës në dekada, ka rritur retorikën dhe agresionin kundër ishullit demokratik – duke nxitur tensionin në të gjithë ngushticën dhe duke ngritur shqetësime për një konfrontim ushtarak.

“Tajvani është territori i shenjtë i Kinës. Gjaku është më i trashë se uji dhe njerëzit në të dy anët e ngushticës janë të lidhur me gjak”, tha Xi në banketin ku morën pjesë më shumë se 3,000 njerëz, duke përfshirë zyrtarë, liderë partish në pension dhe personalitete të huaja.

Ai gjithashtu bëri thirrje për shkëmbime më të thella ekonomike dhe kulturore përgjatë ngushticës së Tajvanit dhe promovimin e “harmonisë shpirtërore të bashkatdhetarëve në të dyja anët”.

(Ne duhet) të kundërshtojmë me vendosmëri aktivitetet separatiste të “pavarësisë së Tajvanit”, tha Xi.

Pekini e ka etiketuar Presidentin e Tajvanit Lai Ching-te një “separatist të rrezikshëm” dhe tensionet janë rritur që nga inaugurimi i Lait në maj, gjatë së cilës ai i bëri thirrje Kinës që të ndalojë frikësimin e saj ndaj Tajvanit.

Zyrtarët e Tajvanit thonë se Pekini ka intensifikuar aktivitetet ushtarake rreth ishullit në muajt e fundit, duke përfshirë stërvitjet në maj për të cilat ushtria kineze tha se ishin krijuar për të testuar aftësinë e tij për të “marrë pushtetin” mbi ishullin.

The post Xi zotohet për ‘ribashkim’ ​​me Tajvanin në ditëlindjen e 75-të të Kinës komuniste appeared first on Euronews Albania.

Dhuna e opozitës në Kuvend, reagon ambasada e SHBA

Ambasada e SHBA ka reaguar lidhur me dhunën e ushtruar një ditë më parë nga opozita në Kuvend që u finalizua me djegien e karrigeve të tyre

Përmes një njoftimi të postuar në faqen zyrtare në Facebook, ambasada e SHBA shprehet se akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik.

“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Dhuna e opozitës në Kuvend, reagon ambasada e SHBA appeared first on Euronews Albania.

Si vijon aksioni i opozitës, Noka: Më 7 tetor nis rrugëtimi drejt qeverisë teknike

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha në një intervistë për Euronews Albania se kryeministri Edi Rama me dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji i ka hapur luftë opozitës dhe të njëjtën përgjigje do të marrë.

Noka u shpreh se mosbindja civile është rruga e vetme për të larguar këtë regjim, ndërsa theksoi se më 7 tetor do të startojë rrugëtimi drejt qeverisë teknike.

“Edi Rama na ka hapur luftë dhe luftë do të ketë. Jemi në aksion që ky regjim të mos qëndrojë më në pushtet se shqiptarët nuk e meritojnë dhe ne jemi gati të bëjmë gjithçka, aksioni është mosbindja civile, revolta popullore. Mosbindja civile është rruga e vetme për të larguar këtë regjim. Pas protestës së 7 tetorit do të japim datat e protestave të tjera. Rrugëtimi drejt qeverisë teknike do startojë në datë 7 tetor. Po ta shihnin veten si rrogëtare do ishim mjeranë, ne jemi misionarë”, tha Noka.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Si vijon aksioni i opozitës, Noka: Më 7 tetor nis rrugëtimi drejt qeverisë teknike appeared first on Euronews Albania.

Tetori rozë, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

Tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje.

Ai organizohet çdo vit dhe synon të shpërndajë informacion në lidhje me shëndetin e gjirit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë globin.

Një nga shenjat e para që mund të vërehet është një ndryshim i papritur në madhësinë ose formën e gjinjve. Kjo përfshin ënjtjen, rënien ose asimetri të papritur. Gratë duhet të jenë të vetëdijshme për çdo ndryshim të tillë dhe të konsultohen me mjekun e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

Prania e një gungë ose një mase në gjoks ose në zonën e sqetullës është një tjetër shenjë alarmante.

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një reagimi në Facebook, bën thirrje për ndërgjegjësim për të gjitha gratë dhe vajzat për t’u kujdesur për veten duke bërë mamografinë falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale në vend.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Tetori rozë, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit appeared first on Euronews Albania.

Merr flakë autobusi i shkollës në Bangkok, dyshohet për 25 të vdekur

Të paktën 16 persona u shtruan në spital dhe 25 dyshohet se kanë vdekur sot në Tajlandë kur një autobus shkollor që transportonte rreth 44 nxënës dhe mësues u dogj në periferi të Bangkok, njoftuan agjencitë.

Ministri i Brendshëm Anutin Charnvirakul tha se numri i saktë i të vdekurve nuk mund të konfirmohet ende, sepse hetimi nuk ka përfunduar, por bazuar në numrin e të mbijetuarve, ai tha se kishte frikë se 25 persona kishin vdekur, raportoi AP.

Ai tha gjithashtu se autobusi ishte ende “shumë i nxehtë” që ekipet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit të hynin të sigurt.

Agjencia Reuters bëri të ditur se ende nuk është bërë e ditur gjendja e pasagjerëve të tjerë.

Gjashtëmbëdhjetë studentë dhe tre mësues u dërguan në spital për trajtim, tha Ministri i Transportit i Tajlandës Surya Jungrungruengkit, duke shtuar se shkaku i përplasjes po hetohet, megjithëse një punonjës shpëtimi tha se zjarri ka të ngjarë të ketë filluar pasi njëra prej gomave shpërtheu.

Autobusi po transportonte 44 pasagjerë nga provinca qendrore e Utai Thani në Ayutthaya në një udhëtim shkollor kur zjarri shpërtheu rreth mesditës në provincën Pathum Thani, një periferi veriore e kryeqytetit, u tha ministri gazetarëve.

 

The post Merr flakë autobusi i shkollës në Bangkok, dyshohet për 25 të vdekur appeared first on Euronews Albania.

Dhuna në Kuvend, reagon BE: E papranueshme, të ulen tensionet

Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë Silvio Gonzato ka reaguar lidhur me dhunën e deputetëve të opozitës në seancën e ditës së djeshme në Kuvend, që u finalizua me djegien e karrigeve të tyre.

Në një deklaratë për mediat ambasadori i BE tha se është për të ardhur keq që disa deputetë e shprehin kundërshtimin ndaj një ideje duke përdorur dhunë ndërsa bëri thirrje që të ulë tensionet.

Ai tha më tej se është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Shqipërisë të luajë rolin e duhur në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtar i BE në një demokraci funksionale.

“Është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në kuvend. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin. Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin, deputetët e kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë… Është shumë e rëndësishme që parlamenti duhet të luajë rolin e duhur në fund të fundit kjo ka të bëjë me objektivin madhor që ka Shqipëria që është integrimi në BE, objektiv që e duan shumica dërrmuese e shqiptarëve”, tha ambasadori i BE.

 

The post Dhuna në Kuvend, reagon BE: E papranueshme, të ulen tensionet appeared first on Euronews Albania.

Djegia e karrigeve nga PD në Kuvend, ministri i Brendshëm: E referojmë në SPAK

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka reaguar pas dhunës një ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë nga ana e opozitës që u finalizua me djegien e karrigeve në hyrje të Kuvendit.

Përmes një njoftimi për mediat Hoxha e cilëson akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi sjelljen e opozitës.

Hoxha shprehet se “𝐏𝐞𝐧𝐠𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐮𝐬𝐡𝐭𝐫𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞 𝐟𝐮𝐧𝐤𝐬𝐢𝐨𝐧𝐞𝐯𝐞 𝐤𝐮𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐮𝐞𝐬𝐞, h𝐞𝐪𝐣𝐚 𝐦𝐞 𝐝𝐡𝐮𝐧𝐞 𝐞 𝐭𝐞 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭𝐞𝐬 𝐬𝐞 𝐟𝐣𝐚𝐥𝐞𝐬, g𝐨𝐝𝐢𝐭𝐣𝐚 𝐩𝐞𝐫 𝐬𝐡𝐤𝐚𝐤 𝐭𝐞 𝐝𝐞𝐭𝐲𝐫𝐞𝐬, r𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐣𝐞𝐭𝐞𝐬 𝐬𝐞 𝐝𝐞𝐩𝐮𝐭𝐞𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐝𝐮𝐤𝐞 𝐢 𝐠𝐨𝐝𝐢𝐭𝐮𝐫 𝐦𝐞 𝐦𝐣𝐞𝐭𝐞 𝐭𝐞 𝐟𝐨𝐫𝐭𝐚, s𝐡𝐤𝐚𝐭𝐞𝐫𝐫𝐢𝐦𝐢 𝐦𝐞 𝐳𝐣𝐚𝐫𝐫 𝐢 𝐩𝐫𝐨𝐧𝐞𝐬 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐞, ishin akte të rënda dhune dhe vandalizmi”.

“Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit. Zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare, ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese.
Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta, që kanë deputetët”, shprehet Hoxha.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Djegia e karrigeve nga PD në Kuvend, ministri i Brendshëm: E referojmë në SPAK appeared first on Euronews Albania.

Koreja e Jugut shfaq raketën që mund të shkatërrojë bunkerët nëntokësorë të Veriut

Koreja e Jugut ka shfaqur raketën e saj më të fuqishme balistike dhe disa armë të tjera që synojnë Korenë e Veriut.

Këto armë u shfaqën në ceremoninë e organizuar në Ditën e Forcave të Armatosura më 1 tetor, teksa presidenti korean-jugorë paralajmëroi regjimin e Veriut se do të kolapsojë nëse tenton të përdorë armë bërthamore.

Shfaqja e armëve të reja dhe paralajmërimi ndaj Koresë së Veriut erdhi pasi rivali verior i Seulit së fundi ka rritur armiqësitë rajonale, duke zbuluar një ndërtesë për pasurimin e uraniumit dhe ka testuar raketa para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale amerikane në nëntor.

“Nëse Koreja e Veriut tenton të përdorë armë bërthamore do të përballet me një përgjigje të fuqishme nga ushtria jonë dhe nga aleanca mes Koresë së Jugut dhe SHBA-së”, tha presidenti Yoon Suk Yeol para mijëra trupave që u mblodhën në një aeroport ushtarak pranë Seulit. “Ajo ditë do të jetë fundi i regjimit të Koresë së Veriut”.

“Regjimi i Koresë së Veriut duhet të heqë dorë nga iluzioni se armët bërthamore do t’i mbrojnë”, tha Yoon.

Gjatë ceremonisë, ushtria e Koresë së Jugut shfaqi rreth 340 pajisje ushtarake dhe sisteme armësh. Në mesin e tyre ishte edhe raketa më e fuqishme balistike e saj, Hyunmoo-5, e cila sipas vëzhguesve është e aftë të mbajë një koke konvencionale bërthamore prej rreth 8 tonësh, dhe mund të depërtojë thellë në tokë dhe të shkatërrojë bunkerët nëntokësorë në Korenë e Veriut. Kjo është hera e parë që Koreja e Jugut ka shfaqur këtë raketë.

SHBA-ja fluturoi bombarduesit B-1B gjatë ceremonisë, që me gjasë është demonstrim i angazhimit të saj të sigurisë për aleaten aziatike. Koreja e Jugut po ashtu fluturoi disa nga avionët e saj më të avancuar luftarakë.

Që kur ka marrë detyrën më 2022, Yoon, politikan konservator, ka lidhur një aleancë më të fortë ushtarake me SHBA-në dhe ka përmirësuar raportet trepalëshe Seul-Uashington-Tokio sa i përket bashkëpunimit të sigurisë, që është në qendër të politikës të tij të sigurisë për t’u përballur me programin e avancuar bërthamor të Koresë së Veriut.

Viteve të fundit, Koreja e Veriut ka kryer testime provokuese të raketave dhe ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore në konfliktet e mundshme me Korenë e Jugut dhe SHBA-në.

Muajin e kaluar, shqetësimet për programin e bombave të Koresë së Veriut u rritën edhe më shumë, pasi Pheniani publikoi fotografi të një ndërtese sekrete për pasurimin e uraniumit për armë bërthamore. Kjo ishte hera e parë që Veriu publikoi pamje të ndërtesës së saj për pasurimin e uraniumit, pasi kishte publikuar pamje të kompleksit të saj kryesor bërthamor në Jongbon më 2010.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Koreja e Jugut shfaq raketën që mund të shkatërrojë bunkerët nëntokësorë të Veriut appeared first on Euronews Albania.

Rutte në krye të NATO-s! Premtimi i madh për Aleancën dhe mesazhi për armiqtë

Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte, mori sot, në një ceremoni të mbajtur në Bruksel, udhëheqjen e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Në një konferencë të përbashkët me paraardhësin e tij, Jens Stoltenberg, Rutte u zotua të bëjë gjithçka për NATO, ndërsa theksoi se prioritet i mandatit të tij do të jetë lufta në Ukrainë.

Zyrtarët e NATO-s dhe diplomatët presin që Rutte të vazhdojë prioritetet e Stoltenbergut për aleancën që përbëhet nga 32 anëtarë: të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, të shtyjë shtetet anëtare që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje dhe të mbajë Shtetet e Bashkuara të angazhuara në sigurinë evropiane.

Por, ka pasiguri edhe sa i përket luftës në Ukrainë dhe të mbështetjes në të ardhmen të SHBA-së për NATO-n dhe Kievin, pasi Donald Trump – skeptik i NATO-s – është në garë të ngushtë zgjedhore me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris.

“NATO është tani më e madhe, më e bashkuar, do bëj gjithçka që NATO të vazhdojë të qëndrojë si shkëmb i fortë, e bashkuar. Janë 3 prioritet të vështira për t’u ndarë, është Ukraina në krye të listës, duhet të investojmë më shumë; duhet të rindërtojmë partneritetin e NATO, por Ukraina mbetet prioritet”, tha Rutte.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rutte në krye të NATO-s! Premtimi i madh për Aleancën dhe mesazhi për armiqtë appeared first on Euronews Albania.

“Anka 3” i shpëton radarëve – Turqia teston superavionin

Turqia ka ngritur në fluturim një nga sistemet më të avancuara të avionëve pa pilotë, duke testuar të pagëzuarin si ‘Anka-3’ me sistemet e reja të armëve.

Avioni, i cili kombinon një motor reaktiv dhe tipare te fshehta ” për t’i shpëtuar radarëve, me sistemin e brendshëm të lëshimit armëve, është bërë një nga sistemet më të avancuara të këtij lloji në botë.

Sipas Industrive të Hapësirës Ajrore Turke (TAI), ‘Anka-3 u testua me sukses në lëshimin e raketës Teber-82.

Teber-82 është një kombinim i bombës ajrore standarde 500lb Mk82 dhe kompletit Teber, duke ofruar një rreze goditëse deri në 30 km, në varësi të lartësisë së rënies.

Sistemi i drejtimit të ‘Anka-3’ bazohet në navigimin inercial me mbështetje GPS dhe kur kërkohet, synon goditjet me një rreze lazer në fazën e fundit të kursit të tij.

Gjatë testeve të fundit u përdor edhe raketa e drejtuar Tolun me përmasa të vogla, prodhuar nga Aselsan. Për të bërë lëshimin e suksesshëm të raketave, ‘Anka-3’ përdor asamblenë e sensorit elektro-optik të Aselsan Aselflir 500 dhe është në gjendje të mbajë një ngarkesë prej mbi një ton.

Pavarësisht shpejtësisë së tij aktuale nënsonike, ka plane për të përmirësuar motorin e tij për të arritur performancën supersonike. ‘Anka-3’ do të përdoret për qëllime zbulimi, vëzhgimi dhe inteligjence, si dhe për sulme.

Ky avion do të jetë në gjendje të mbajë 650 kilogramë municion në secilin nga dy stacionet e krijuara në trupin e tij, 650 kilogramë municion në secilin nga stacionet e brendshme të krahëve dhe 100 kilogramë municion në secilin prej stacioneve të jashtme.

Gjuajtjet e para të raketave nga ‘Anka-3’ goditën objektivin 12 herë, duke bërë bujë sidomos në Greqinë fqinje, marrëdhëniet e Ankarasë me të cilën nuk janë fort pozitive.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Anka 3” i shpëton radarëve – Turqia teston superavionin appeared first on Euronews Albania.

SHBA dërgojnë disa mijëra ushtarë shtesë në Lindjen e Mesme: Mbrojmë forcat tona

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë “disa mijëra” ushtarë shtesë në Lindjen e Mesme për të shtuar sigurinë dhe për t’u përgatitur për të mbrojtur Izraelin nëse është e nevojshme, njoftoi Pentagoni të hënën.

Forcat shtesë do të përbëhen nga pjesëtarë të disa njësiteve të aeroplanëve luftarakë, tha zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh.

Ky vendim vjen pas sulmeve të fundit në Liban dhe vrasjes së drejtuesit të Hezbollahut Hassan Nasrallah, një përshkallëzim i rëndësishëm i luftës në Lindjen e Mesme, kësaj radhe ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.

Trupat shtesë do të përfshijnë pjesëtarë nga njësitet e aeroplanëve luftarakë F-15E Strike Eagle, F-16, A-10 dhe F-22 dhe ekipet shoqërues për të mbështetur ata. Aeroplanët luftarakë pritej të zëvendësonin njësitet që tashmë janë të vendosura në Lindje të Mesme. Por tani ato që janë atje dhe njësitet e reja do të qëndrojnë së bashku për të dyfishuar fuqinë luftarake ajrore në këtë rajon.

Të dielën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin gjithashtu njoftoi se do të zgjasë përkohësisht qëndrimin e aeroplanmbajtëses amerikane “USS Abraham Lincoln” dhe njësiteve shoqëruese në rajon.

Aeroplanët nuk janë atje për të ndihmuar me evakuimet e mundshme, tha zëdhënësja Singh, por “janë atje për të mbrojtur forcat amerikane”.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post SHBA dërgojnë disa mijëra ushtarë shtesë në Lindjen e Mesme: Mbrojmë forcat tona appeared first on Euronews Albania.

Mark Rutte merr sot udhëheqjen e NATO-s

Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte, më 1 tetor merr udhëheqjen e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Ai merr postin e shefit të NATO-s me detyrën që ta mbajë bashkë aleancën, teksa lufta në Ukrainë është në një moment kritik dhe zgjedhjet e rëndësishme presidenciale amerikane po afrohen.

Në ceremoninë që do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel, Rutte do të marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm, që deri më tani është mbajtur nga norvegjezi Jens Stoltenberg. Stoltenberg ka qenë në krye të aleancës gjatë një dekade turbulente, që mbi të gjitha është shënuar me pushtimin e Ukrainës të nisur nga Rusia më 2022.

Zyrtarët e NATO-s dhe diplomatët presin që Rutte të vazhdojë prioritetet e Stoltenbergut për aleancën që përbëhet nga 32 anëtarë: të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, të shtyjë shtetet anëtare që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje dhe të mbajë Shtetet e Bashkuara të angazhuara në sigurinë evropiane.

Por, ka pasiguri edhe sa i përket luftës në Ukrainë dhe të mbështetjes në të ardhmen të SHBA-së për NATO-n dhe Kievin, pasi Donald Trump – skeptik i NATO-s – është në garë të ngushtë zgjedhore me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris.

 

The post Mark Rutte merr sot udhëheqjen e NATO-s appeared first on Euronews Albania.

Mbyllet epoka e Stoltenberg, 10 vitet në krye të NATO

10 vitet e Jens Stoltenberg si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s ishin disa nga vitet më të trazuara në historinë e Aleancës. Ish-kryeministri norvegjez mori detyrën menjëherë pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në 2014. Vitet në vijim panë sulme të mëdha terroriste në vendet aleate, trazira politike që tronditën Aleancën dhe një pandemi globale një herë në shekull – dhe kjo ishte e gjitha përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, duke sjellë luftë në kufijtë e NATO-s.

Gjatë gjithë kësaj dekade të stuhishme, Jens Stoltenberg ishte një konstant. Me duar të qëndrueshme dhe një kokë të ftohtë, ai e drejtoi Aleancën përmes krizës pas krize, duke mbetur i fokusuar në atë që NATO mund të bënte për të adresuar sfidat me të cilat përballej. Ai e mbajti Aleancën së bashku, duke përdorur aftësitë e tij diplomatike për të lundruar mosmarrëveshjet dhe për të mbajtur një numër në rritje të aleatëve në të njëjtën faqe. Ai i shtyu aleatët të vazhdonin ndërtimin e forcës së tyre ushtarake për mbrojtjen kolektive, duke përgatitur gjithashtu NATO-n për një të ardhme të pasigurt duke vënë në axhendë ndryshimin e klimës, inteligjencën artificiale dhe Kinën. Nuk është çudi që aleatët ranë dakord unanimisht për të zgjatur mandatin e tij katër herë të paprecedentë.

Përtej jetës së përditshme në Bruksel, Stoltenberg udhëtoi gjerësisht, duke u takuar me krerët e shteteve dhe qeverive nga aleatët dhe partnerët e NATO-s. Ai ishte Sekretari i parë i Përgjithshëm që bëri vizita zyrtare në Maltë dhe Arabinë Saudite, madje ai vuri këmbën në Korenë e Veriut (megjithëse në sallën e konferencave të Kombeve të Bashkuara që përshkon vijën e Zonës së Çmilitarizuar). Ai ishte gjithashtu Sekretari i parë i Përgjithshëm i NATO-s që bëri udhëtime të përbashkëta me një udhëheqës të Bashkimit Evropian, duke udhëtuar me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Letoni dhe Lituani në 2021, dhe një platformë norvegjeze të gazit natyror në 2023. Dhe ai bëri një pikë për të vizituar Utøya në Norvegji çdo korrik, për të përkujtuar sulmet terroriste që ndodhën atje në vitin 2011 kur ai ishte kryeministër.

Udhëtimet e Stoltenberg përfshinin shumë vizita në Uashington DC, vendlindja e NATO-s. Për 70-vjetorin e NATO-s në 2019, Stoltenberg u bë Sekretari i parë i Përgjithshëm që foli në një sesion të përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Me rastin e 75-vjetorit të Aleancës në 2024, ai mori Medaljen Presidenciale të Lirisë nga Presidenti i SHBA Joe Biden në të njëjtën dhomë ku u nënshkrua Traktati i Atlantikut të Veriut.

Gjatë udhëtimeve të tij, Stoltenberg mbajti stilin e jetës së tij aktive. Shëtitjet e tij të shpejta shpesh i lanë punonjësit të përpiqeshin për të vazhduar, duke përfshirë Alpet Zvicerane, Kopshtet e Pallatit Imperial të Tokios dhe Qendrën Kombëtare të Uashingtonit. Përtej qëndrimit në formë, ai gjeti gjithashtu kohë për të përjetuar kuriozitete lokale sa herë që ishte e mundur. Gjatë një vizite zyrtare në Australi, për shembull, ai kërkoi që ekipi i tij të dilte nga autostrada për të parë disa kangurë në natyrë (për argëtimin e detajeve të tij të sigurisë australiane).

Stoltenberg vrapon me stafin në Central Park gjatë një vizite në qytetin e Nju Jorkut për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, shtator 2016

Mbështetje për Ukrainën

Asnjë çështje e vetme nuk ndikoi në mandatin e Stoltenberg më shumë sesa lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Në muajt para pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë më 24 shkurt 2022, Stoltenberg mbajti shumë konferenca shtypi duke thirrur në ngritjen masive ushtarake të Rusisë përgjatë kufijve të Ukrainës, duke deklasifikuar sasi të paprecedentë të inteligjencës së NATO-s për të ofruar prova dhe për t’iu kundërvënë gënjeshtrave të Kremlinit. Ai megjithatë u përpoq të ruante dialogun me Rusinë dhe të de-përshkallëzohej, duke përfshirë edhe kryesimin e Këshillit NATO-Rusi në janar 2022.

Gjatë gjithë luftës, Stoltenberg punoi pa u lodhur për të siguruar që aleatët po i jepnin Ukrainës mbështetjen që i duhej për të mbijetuar dhe për të mbizotëruar. Në samitet e NATO-s në Madrid (2022), Vilnius (2023) dhe Uashington DC (2024), ai ndihmoi aleatët të arrinin konsensus mbi premtimet e ndihmës afatgjatë dhe të qëndrueshme për Ukrainën – dhe pohimet e përsëritura se ajo është në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në NATO .

Sigurisht, Stoltenberg punoi gjithashtu për t’u siguruar që NATO ishte e përgatitur për të mbrojtur territorin e saj në rast të një konflikti më të madh. Pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në 2014, ai i shtyu aleatët të forconin aftësitë e tyre ushtarake dhe të rrisin parandalimin dhe mbrojtjen e territorit të NATO-s, duke përfshirë ngritjen e grupeve luftarake shumëkombëshe përgjatë krahut lindor të NATO-s. Kjo siguroi që NATO ishte në gjendje të nxiste planet e saj të mbrojtjes brenda disa orësh nga pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt 2022. Të nesërmen, Stoltenberg kryesoi samitin e parë virtual të NATO-s, ku udhëheqësit aleatë diskutuan masat mbrojtëse dhe u zotuan për mbështetjen e tyre në Ukrainë.

Një Aleancë në rritje

Ndërsa Stoltenberg nuk ishte Sekretari i Përgjithshëm për të mirëpritur shumicën e vendeve në NATO (ky nder i takon Jaap de Hoop Scheffer, i cili solli shtatë aleatë të rinj gjatë zgjerimit të ‘Big Bang’ në 2004 dhe dy të tjerë në 2009), ai megjithatë mbikëqyri shumica e raundeve të zgjerimit të NATO-s, duke mirëpritur Malin e Zi (2017), Maqedoninë e Veriut (2020), Finlandën (2023) dhe Suedinë (2024).

Stoltenberg punoi veçanërisht shumë për të marrë konsensus për pranimin e Finlandës dhe Suedisë. Në prag të Samitit të Madridit të vitit 2022, ai kaloi orë të tëra duke negociuar me liderët e Finlandës, Suedisë dhe Turqisë, duke dalë me një marrëveshje të natës vonë që hapi rrugën drejt anëtarësimit të tyre. Bisedimet zgjatën aq shumë sa Stoltenberg dhe gruaja e tij duhej të humbnin darkën zyrtare në Pallatin Mbretëror Spanjoll, duke u vendosur për një birrë me stafin që kishte punuar për marrëveshjen.

Të katër zgjerimet ishin zhvillime historike për NATO-n, por Stoltenberg u prek veçanërisht nga integrimi i vendeve të tij fqinje nordike, veçanërisht Suedisë, në Aleancë. Menjëherë pas pranimit të Suedisë, Stoltenberg bëri shaka me kolegët se vendi jo vetëm që kishte lënë mënjanë 200 vjet neutralitet për t’u bashkuar me NATO-n – me shumë vështirësi, ai kishte lënë mënjanë rivalitetin e tij shekullor me Norvegjinë. Në të vërtetë, hera e fundit që Norvegjia ishte në luftë, ishte me Suedinë!

 

 

 

 

The post Mbyllet epoka e Stoltenberg, 10 vitet në krye të NATO appeared first on Euronews Albania.

Shangai, 3 të vdekur dhe 15 të plagosur pas sulmit me thikë në një supermarket

Tre persona vdiqën dhe 15 të tjerë u plagosën pasi një burrë sulmoi me thikë brenda një supermarketi Walmart në Shangai të hënën mbrëma.

Policia kineze tha se arrestoi një burrë 37-vjeçar me emrin Lin në vendngjarje, duke shtuar se ai kishte ardhur në Shangai për të “shfryrë zemërimin e tij për shkak të një mosmarrëveshjeje ekonomike personale”. Hetimet e mëtejshme po vazhdojnë.

Incidenti ndodhi në një qendër tregtare në Songjiang, një lagje me popullsi të dendur në jugperëndim të qytetit, e cila është gjithashtu shtëpia e disa universiteteve.

Policia tha se tre personat që vdiqën u nënshtruan plagëve të marra në spital. Të tjerët “nuk kanë marrë plagë kërcënuese për jetën” dhe nuk besohet se janë në rrezik.

Diskutimet rreth incidentit tani duket se janë censuruar në mediat sociale kineze.

Supermarketi ishte i hapur për punë të martën por me siguri shtesë.

Armët e zjarrit janë të ndaluara në Kinë, por vendi ka parë një sërë sulmesh me thika muajt e fundit.

Muajin e kaluar, një nxenes japonez 10-vjeçar vdiq një ditë pasi u godit me thikë pranë shkollës së tij në Kinën jugore.

 

The post Shangai, 3 të vdekur dhe 15 të plagosur pas sulmit me thikë në një supermarket appeared first on Euronews Albania.

Izraeli nis operacionin tokësor kundër Hezbollahut në Libanin jugor

Izraeli filloi një sulm të kufizuara tokësor të hënën kundër Hezbollahut, thanë zyrtarët, duke shpallur tre nga komunitetet e tij veriore si një “zonë të mbyllur ushtarake”, gjë që dukej se sinjalizonte se më shumë forca mund të dërgohen së shpejti në Liban për të luftuar militantët e mbështetur nga Irani.

Ushtria izraelite tha përmes një deklarate se objektivat e saj ndodheshin në fshatrat afër kufirit që përbënin “një kërcënim të menjëhershëm për komunitetet izraelite në Izraelin verior”. Në deklaratën e ushtrisë izraelite gjithashtu thuhet se forcat ajrore dhe artileria po mbështesnin forcat tokësore me “sulme të sakta”.

Banorët në qytetin kufitar libanez të Aita al-Shabit njoftuan për sulme me artileri të rëndë dhe zhurmë helikopterësh dhe dronësh.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se Izraeli informoi Shtetet e Bashkuara për sulmet. Ai tha se ato u konsideruan si “operacione të kufizuara të përqëndruara në infrastrukturën e Hezbollahut pranë kufirit”.

Nuk pati njoftime për përleshje të drejtpërdrejta midis trupave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut në territorin libanez. Hera e fundit që Izraeli u angazhua në operacione tokësore kundër militantëve të Hezbollahut brenda Libanit ishte një luftë një mujore në 2006.

Një diplomat perëndimor në Kajro, vendi i të cilit është i përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se një operacion tokësor izraelit në Liban pritet “të ndodh së shpejti”. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Izraeli i kishte ndarë planet e tij me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë dhe tregoi se operacioni do të jetë “i kufizuar”.

Presidenti amerikan Joe Biden bëri thirrje për një armëpushim mes njoftimeve se Izraeli po përgatitet të kryejë një operacion të kufizuar tokësor në Liban, që ka në shënjestër militantët e Hezbollahut.

“Ne duhet të kemi një armëpushim tani”, tha zoti Biden.

Kur u pyet të hënën nëse ai ishte i kënaqur me raportet në lidhje me përgatitjet e Izraelit, Presidenti Biden u përgjigj: “Do të jem i kënaqur me ndalimin e tyre”.

 

The post Izraeli nis operacionin tokësor kundër Hezbollahut në Libanin jugor appeared first on Euronews Albania.

“Do sulmojmë nga toka, deti, ajri” – Paralajmërimi i ministrit izraelit të Mbrojtjes

Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka takuar trupat pranë kufirit libanez, duke u thënë atyre se do të kthejnë banorët e zhvendosur të Izraelit verior me “të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”.

Yoav Gallant u thotë trupave se “eliminimi i liderit të Hezbollahut Nasrallah është një hap shumë i rëndësishëm, por nuk është gjithçka”, shkruan BBC.

Në një video të shkurtër, ai shihet duke u thënë trupave se “ne do të përdorim të gjitha aftësitë që kemi dhe nëse dikush nga ana tjetër nuk e kupton se çfarë do të thotë të gjitha aftësitë – janë të gjitha aftësitë.

“Dhe ju jeni pjesë e kësaj përpjekjeje, ne ju besojmë se mund të arrini gjithçka”.

Gallant vazhdon duke thënë se “çdo gjë që duhet bërë – do të bëhet” dhe se “ne do të përdorim të gjitha forcat nga ajri, deti dhe toka”.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Do sulmojmë nga toka, deti, ajri” – Paralajmërimi i ministrit izraelit të Mbrojtjes appeared first on Euronews Albania.

Zgjedhjet në Mal të Zi, partia e ish-presidentit Gjukanoviç fiton më shumë vota

Sipas rezultateve paraprake jozyrtare të Qendrës për Tranzicionin Demokratik, numrin më të madh të votave në Podgoricë e ka fituar Partia Demokratike e Socialistëve e ish- presidentit Milo Gjukanoviç, ku mori rreth 30 për qind të votave duke fituar 19 këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës që ka 58 vende.

Rezultatet paraprake tregojnë se Lëvizja Evropa Tani e kryeministrit Milojko Spajiç dhe Demokratëve fituan 14 vende, ndërsa lista e Presidentit të Malit të Zi Jakov Milatoviç dhe Lëvizja Ura fituan 6 vende, shkruan VOA.

Partitë e ish-Frontit Demokratik pro-rus dhe Partisë Popullore Socialiste pro-serbe do të kenë 13 këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian mori 3 vende, Partia e Progresit Evropian 2 vende dhe Lëvizja “Revolucioni” 2 vende.

Për të formuar pushtetin vendor në Podgoricë nevojitet një shumicë prej të paktën 29 këshilltarësh.

Edhe pse Partia Demokratike Socialiste, e cila ishte në pushtetin e Malit të Zi për tre dekada, fitoi shumicën e mandateve, është tejet e vështirë që ata të formojnë qeverinë vendore, duke qenë se partitë që sundojnë në nivel shtetëror vazhdimisht kanë theksuar se nuk do të hyjnë në koalicion me këtë parti.

Në Podgoricë kanë votuar 56,3 për qind e votuesve të regjistruar që ësht pjesëmarrja më e ulëtë në dhjetë vitet e fundit.

Rënia e pushtetit në Podgoricë ishte pasojë e mosmarrëveshjes dhe ndarjes së partisë që mban pushtetin në Malin e Zi, Lëvizjes Evropa Tani. Partia u nda mes presidentit aktual, Jakov Milatoviç, i cili ishte një nga themeluesit e saj dhe kryeministrin dhe kryetarin të kësaj lëvizjeje, Milojko Spajiç.

Analistët i konsiderojnë të rëndësishme zgjedhjet e Podgoricës dhe i shohin si një provë për zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi, të cilat sipas disa vlerësimeve mund të ndodhin për shkak të paqëndrueshmërisë ende të theksuara politike në vend.

Zgjedhjet e mëparshme për Kuvendin e kryeqytetit u mbajtën në tetor të vitit 2022, kur pas gati tre dekadash Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviç humbi pushtetin, në nivel shtetëror dhe pastaj në kryeqytetin malazez në një valë ndryshimesh të përgjithshme politike në shtet.

Mali i Zi ka rreth 633,000 banorë, dhe rreth 180,000 prej tyre jetojnë në Podgoricë, sipas regjistrimit të vitit 2023.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Zgjedhjet në Mal të Zi, partia e ish-presidentit Gjukanoviç fiton më shumë vota appeared first on Euronews Albania.

Irani kërcënon Izraelin: Aktet kriminale nuk do të mbeten pa përgjigje

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanaani thotë se Irani nuk do të lërë pa përgjigje asnjë “akt kriminal” izraelit.

Duke folur gjatë një konference javore për shtyp – e para e tij që kur një gjeneral i lartë në Korpusin e Gardës Revolucionare të Iranit u vra nga një sulm izraelit të premten – Kanaani thotë se Irani nuk kërkon luftë, por nuk ka frikë prej saj, raporton Reuters.

Komentet e tij i bëjnë jehonë atyre të liderit suprem të Iranit Ali Khamenei, i cili tha gjatë fundjavës se veprimet e Izraelit nuk do të shkojnë “të pa hakmarrë”.

Hezbollahu – të cilin Izraeli po e synon në Liban – është një nga një numër i milicive në rajon të mbështetur dhe financuar nga Irani.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Irani kërcënon Izraelin: Aktet kriminale nuk do të mbeten pa përgjigje appeared first on Euronews Albania.

❌