Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Inaugurohet të enjten Xhamia e Namazgjasë, KMSH: Të pranishëm Rama dhe Erdogan

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njoftoi sot se ditën e enjte do të bëhet inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, KMSH njofton se inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë “është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Presidentit të Republikës së Turqisë, SH.T.Z, Recep Tayyip Erdoğan. Po ashtu Xhamia e madhe e Namazgjasë nuk do ishte bërë sot realitet pa mbështetjen e madhe administrative po edhe financiare të Qeverisë shqiptare, që falë vullnetit të Kryeministrit Edi Rama i hapi rrugë konsolidimit të pronësisë sonë mbi truallin e Namazgjasë”.

KMSH njofton se presidenti Erdoğan dhe kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në ceremoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.

“Ne falenderojmë popullin turk dhe presidentin Erdoğan, si edhe kryeministrin e Shqipërisë që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Këtu veçojmë gjithashtu ndërveprimin e shkëlqyer të qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ndërveprim i cili ka qenë deçiziv në realizimin e kësaj vepre madhështore për popullin dhe kryeqytetin shqiptar. Një falenderim vëllazëror u shkon të gjithë atyre që e ndërtuan Xhaminë tonë të Madhe me mendjet e duart e tyre të arta. Falenderojmë Zotin që bëri të mundur arritjen e kësaj dite të shënuar!”, thuhet në postimin e KMSH.

Xhamia e Namazgjasë nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks shumëfunksional, që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.

The post Inaugurohet të enjten Xhamia e Namazgjasë, KMSH: Të pranishëm Rama dhe Erdogan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjetjet në vendbanimin 8000-vjeçar të Linit revolucionarizojnë njohjen arkeologjike për Evropën Parahistorike

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka zhvilluar sot, në sallën “Akademikët”, një aktivitet shkencor në fushën e arkeologjisë, ku referoi prof. Albert Hafner.

Ai mbajti leksionin e hapur mbi zbulimet arkeologjike në vendbanimin e Linit, rezultat i ekspeditës së përbashkët shqiptaro-zvicerane, që çoi në zbulimin e vendbanimit palafit më të vjetër në Europë, i datuar mbi 8000-vjeçar.

Këto zbulime janë bërë në bazën e projektit LIN 3 në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetin e Bernës, Zvicër.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi, zëvendëskryetari i ASHSH akad. Vasil Tole, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akad. Gëzim Hoxha, drejtori i Institutit të Arkeologjisë Adem Bunguri, anëtarë të ekipit dhe studiues dhe arkeologë të njohur.

Prof. Hafner argumentoi përmes këtij leksioni të hapur se gjetjet e reja në tokën shqiptare mund ta revolucionarizojnë njohjen arkeologjike për Evropën Parahistorike, si dhe zanafillën e bujqësisë. Objektet e gjetura gjatë punës me projektin LIN 3, çuan në zbulimin e vendbanimit palafit më të vjetër në Evropë, që daton deri në 8000 vjet.

Duke marrë në konsideratë kërkimet arkeologjike nënujore të Institutit, të cilat kishin nisur nga viti 2013 në liqenin e Ohrit, prof. Hafner vendosi së bashku me kolegët shqiptarë të fillojnë projektin LIN 3, i cili mendohet të jetë ndër site-t arkeologjike më të mëdha të kësaj natyre.

Kërkimet dhe zbulimet në këtë sit arkeologjik dhanë rezultate shumë të mira për botën shkencore.

Në vitin 2023 analizat dendrokronologjike dhe ato me radiokarbon treguan që vendbanimet palafite në LIN 3 ishin më të vjetrat në Europë, 6000 para Krishtit.

Këto studime lidhin paralele edhe me vendbanimet në Dunavec, Dispilo, Maliq dhe Plloçë.

Hafner e konsideron si vendbanimin më të vjetër të këtij lloji në Evropë.

Gërmimet në sondazhet e tokës dhe ato nënujore në vitet 2021-2024 demonstrojnë që ky sit është banuar për rreth 2000 vjet. Nga 6000 para Krishtit deri në 4000 para Krishtit.

Prof. Hafner është një nga personalitetet më në zë në Evropë për studimin e vendbanimeve palafite.

Ai, në kuadër të këtij projekti të madh europian, filloi një bashkëpunim të suksesshëm në Shqipëri me Institutin e Arkeologjisë.

Pas një eksperience të gjatë kërkimesh në vendbanimet palafite alpine, prof. Hafner në bashkëpunim me studiues të tjerë, nëpërmjet projektit europian EXPLO, nga viti 2018 ka fokusuar në studimet e tij vendbanimet palafite të Ballkanit Perëndimor.

Puna është në progres dhe rezultatet janë shumë premtuese.

Rezultatet e kërkimet të viteve të mëparshme (2021, 2022 dhe 2023) dhe analizat laboratorike të kryera në Universitetin e Bernës në Zvicër, si dhe ato në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit në Angli, treguan se vendbanimi palafit (liqenor) “Lin 3” është vendbanimi më i vjetër i këtij lloji në Evropë.

Gërmimet e këtij viti ekspedita shqiptaro-zvicerane po i orienton në njohjen e mëtejshme të shtrirjes së vendbanimit, kohëzgjatjen, kulturën materiale e shpirtërore të banorëve neolitikë, kompleksitetin e ndërtimeve të këtyre vendbanimeve liqenore; si dhe në aspekte të ekonomisë bujqësore e blegtorale dhe të raporteve kulturore e kronologjike me vendbanimet e këtij lloji në trevat përreth (në pellgun e Korçës, Greqinë Veriore e Maqedoninë e Veriut).

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit po përgatit ndërkaq dokumentacionin arkeologjik të nevojshëm për vënien në mbrojtje dhe shpalljen e tij zonë arkeologjike.

The post Gjetjet në vendbanimin 8000-vjeçar të Linit revolucionarizojnë njohjen arkeologjike për Evropën Parahistorike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti takon shefin e EULEX-it: Incidentet ndëretnike janë gjithnjë e në rënie

PRISHTINË, 7 tetor /ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano.

Kryeministri Kurti vlerësoi marrëdhëniet me EULEX-in si reagues i dytë i sigurisë në vend e në këtë prizëm veçanërisht edhe atë në raport me bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti theksoi dhe gatishmërinë e vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në fushat si ajo e forenzikës përmes Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“U diskutua edhe çështja e lajmeve të rreme dhe dezinformimit, e cila u konsiderua si tejet shqetësuese”, citohet në komunikatë.

Më tej, u nënvizua se incidentet ndëretnike janë gjithnjë e në rënie të dukshme, në veçanti gjatë këtij mandati qeverisës. Të dy palët mbeten të përkushtuara në gjithëpërfshirjen e të gjitha komuniteteve dhe harmonisë sa më të gjerë ndëretnike.

Kryeministri Kurti e falënderoi shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, për takimin duke shprehur rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit.

/KosovaPress/

The post Kurti takon shefin e EULEX-it: Incidentet ndëretnike janë gjithnjë e në rënie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjermania mirëpret vendimin për hapjen e pikës kufitare për mallrat serbe

PRISHTINË, 7 tetor /ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde tha sot se e mirëpret vendimin e qeverisë për hapjen e pikës kufitare në Merdarë për mallrat që futen nga Serbia.

Ambasadori Rohde ka shkruar në X se ky vendim që shënon hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s, i cili ka thënë se Gjermania do ta përkrahë Kosovën për të siguruar plotësimin e nevojave të sigurisë dhe monitorimin e proceseve në pikën kufitare.

“E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdarë për mallrat që vijnë nga Serbia. Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do të mbështesim Kosovën për të siguruar plotësimin e nevojave të sigurisë dhe monitorimin e proceseve në pikën kufitare”, shkruan Rohde në X.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se se në pikën kufitare në Merdarë është hequr masa e sigurisë për mallrat serbe, nga kufizimi, te kontrolli i shtuar.

Ai theksoi se kjo masë është vendosur për shkaqe të sigurisë dhe jo të karakterit tregtar.

/KosovaPress/

The post Gjermania mirëpret vendimin për hapjen e pikës kufitare për mallrat serbe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: Ndryshimi i masës i mjaftueshëm që CEFTA dhe Procesi i Berlinit të kenë sukses

PRISHTINË, 7 tetor /ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se në pikën kufitare në Merdarë është hequr masa e sigurisë për mallrat serbe, nga kufizimi, te kontrolli i shtuar.

Ai tha se aty do të vazhdohet me kontroll të shtuar derisa të vijnë skanerët për t’i vendosur në të gjitha pikat kufitare me Serbinë.

I pyetur se a është koordinuar ky vendim me Gjermaninë, Kurti tha se beson se ky ndryshim i masës është i mjaftueshëm që mbledhja e CEFTA-s dhe samiti i Procesit të Berlinit të jenë të suksesshëm.

Ai tregoi edhe rëndësinë e pajisjet me skanerë që sipas tij do të tregojnë nëse maunet me mallra mund të kenë armë dhe municione.

Kurti theksoi se kjo masë është vendosur për shkaqe të sigurisë dhe jo të karakterit tregtar.

Në anën tjetër, kreu qeveritar foli edhe për marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Sipas tij qëllimi i Beogradit është të flasë për dialogun me Kosovën pa u përmendur marrëveshja e dakorduar në Bruksel gjatë shkurtit të vitit të kaluar. Kurti tha se ajo që ai insiston është që kjo marrëveshje e dakordësuar me Serbinë, të nënshkruhet dhe të ketë garanci legale për zbatimin. Ai tha se qeveria e Kosovës kërkon gjithashtu që të dorëzohen përpara drejtësisë përgjegjësit e sulmit terrorist të Banjskës dhe kriminelët e grupit paramilitar që vranë Afrim Bunjakun në shtator të vitit të kaluar, e që tani kanë edhe një aktakuzë nga Republika e Kosovës.

Pra, tri janë kërkesat e Kosovës, tha Kurti: Nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së vitit të kaluar të ish-kryeministres serbe Brnabiç dhe dorëzimi i Milan Radoiçiqit

/KosovaPress/

The post Kurti: Ndryshimi i masës i mjaftueshëm që CEFTA dhe Procesi i Berlinit të kenë sukses appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌