32 gola në 9 ndeshjet e mbrëmjes në Champions League me një tërmet 7 ballësh të shkaktuar nga Borussia Dortmund, një manita të Barcelonës e tre pokera të Manchester City, Inter e Brest. Asnjë ndeshje nuk përfundoi pa gola, ndërsa Arsenal triumfoi në përballjen e madhe kundër PSG 2-0. Fundoset Milan në Leverkusen i dënuar nga një gol i Boniface.
BONIFACE FUNDOS MILAN
Në ditën e dytë të Champions League, Bayer Leverkusen mposhti Milan 1-0 në shtëpi falë golit të Boniface në fillim të pjesës së dytë. Kuqezinjtë, të cilët u shfaqën nën ton për pjesën më të madhe të pjesës së parë, dolën përpara pas disavantazhit dhe iu afruan disa herë barazimit. Në fund Theo Hernandez goditi një traversë sensacionale, që mund të kishte evituar humbjen e dytë radhazi për të besuarit e teknikut Fonseca. Milan, ende në 0 pikë, pëson kështu humbjen e dytë pas disfatës në shtëpi ndaj Liverpool. Në anën tjetër, Leverkusen arriti suksesin e dytë radhazi dhe mbeti me pikë të plota.
INTER SHUMË I FORTË PËR ZVEZDA
Inter mposhti pa asnjë problem Crvena Zvezda me rezultatin 4-0. Në San Siro, nën një shi të imët, të besuarit e Simone Inzaghi nuk gabuan dhe e përballuan praktikën serbe pa probleme të mëdha. Goditja e lirë e Calhanoglu (11′), Arnautovic (59′), Lautaro (71′) dhe penalltia e Taremi (81′) ishin golat që i dhanë suksesin zikaltërve, të cilët u ngjitën në vendin e 4-të të renditjes. Katër pikë për Inter, pas barazimit në transfertën me City, ndërsa Zvezda mbeti ende në kuotën 0.
BORUSSIA DORTMUND ME PARRULLA E GOLEADË
“UEFA mafia”, ishte koreografia që ekspozoi sektori ultras i Borussia Dortmund para fillimit të ndeshjes së Champions League kundër Celtic në Westfalenstadion. “Nuk të intereson sporti, vetëm paratë” është pankarta e shfaqur menjëherë më poshtë nga tifozët verdhezi, ndërsa në fushë skuadra shkatërroi skocezët me një tërmet 7 ballë, që shembi çdo tentativë të Celtic për të mos u turpëruar. Adeyemi shënoi një tris, ndërsa Guirassy (dygolësh), Emre Can, Nmecha iu bashkuan festës. E të mendosh që Maeda (9′) barazoi vetëm dy minuta pas avantazhit fillestar të gjermanëve.
Lexo më tej: Video/ Koreografia e Borussia Dortmund: “Uefa mafia, mendon vetëm për para”
BARCELONA, ‘MANITA’ NDAJ YOUNG BOYS
Katalanasit e mbyllën ndeshjen pas më pak se një gjysmë ore lojë: në minutën e 8′, në fakt, Raphinha shërbeu për Lewandowski golin e 1-0, që erdhi pas një aksioni spektakolar. Më pas në minutën e 34′ ishte vetë braziliani që shënoi golin e dytë, praktikisht me portë bosh pas një tentative të Pedri të bllokuar nga mbrojtja zvicerane. Kaluan vetëm tre minuta dhe Pedri sërish nga goditja e dënimit gjeti saktësisht Martinez, që me kokë realizoi golin e tretë. Në pjesën e dytë, Lewandowski shënoi sërish dhe e bëri rezultatin 4-0, ndërsa në finale pati vend edhe për autogolin e Camara, për të fiksuar rezultatin 5-0. Edhe goli i nderit i zviceranëve u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje të Monteiros. Kjo ishte fitorja e parë për Barcelonën e Flick.
League Stage Champions League
RB Salzburg 0-4 Brest
VfB Stuttgart 1-1 Sparta Prague
Arsenal 2-0 Paris Saint-Germain
Barcelona 5-0 Young Boys
Bayer Leverkusen 1-0 AC Milan
Borussia Dortmund 7-1 Celtic
Inter 4-0 FK Crvena Zvezda
PSV Eindhoven 1-1 Sporting CP
Slovan Bratislava 0-4 Manchester City
The post Video/ Cunami golash në Champions: Dortmund bën shtatë, Barça pesë, poker i City e Inter appeared first on Lapsi.al.