Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Shqipëria gati të mikpresë Samitin e NATO-s në 2027

16 September 2024 at 16:22

Qeveria shqiptare është ofruar të mirëpresë pas tre vitesh në Tiranë Samitin e NATO-s. Propozimi i është dërguar zyrtarisht Aleancës Atlantike në shkurt të këtij viti, teksa pak më vonë do të bëhej publik nga kryeministri Edi Rama, në një letër që ai, i kishte shkruar Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken.

“Unë besoj se është koha që për herë të parë në Ballkanin Perëndimor, të mbahet një takim i nivelit të Lartë të NATO-s”, shkruan zoti Rama në letrën e tij, ndërsa vë në dukje se e ka diskutuar këtë çështje dhe gjatë bisedimeve që ka patur me Sekretarin Blinken gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, më 15 shkurt.

Letra dërguar Sekretarit Antony Blinken

Mundësinë e organizimit të samitit të Natos, së fundmi, kryeministri e përmendi edhe gjatë fjalës që mbajti në hapje të Konferencës së Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, pak javë më parë.

“Shqipëria ushqeu shumë respekt, krijoi shumë besim dhe pa diskutim mori një prestigj që nuk e kishte pasur më parë dhe pikërisht ky respekt, ky besim, ky prestigj na bën sot që të jemi vendi që do të mikpresë liderët e 44 shteteve evropiane nga Britania e Madhe deri në Ukrainë apo nga Suedia dhe Norvegjia deri në Turqi vitin e ardhshëm në Samirin e Komunitetit Politik Evropian dhe po ashtu ky respekt, ky besim(…) na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATO-s në vitin 2027, …na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATO-s në vitin 2027”, deklaroi zoti Rama. 

Pak ditë më pas, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, e bëri thuajse fakt të kryer mbajtjen e Samitit. Sipas tij, Samiti i NATO-s 2027 është vendosur të organizohet në Tiranë.

‘Ne jemi në fazën e përgatitjeve të brendshme. Pra, kemi filluar identifikimin e ambienteve, fondeve, njerëzve dhe gjithë burimeve të nevojshme që bëjnë këtë të mundur.’, deklaroi Hasani.

‘Padyshim një angazhim i tillë, përveç rëndësisë së madhe të simbolikës që ka tregon dhe njëherë që Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe një aleat i domosdoshëm në gjithë përpjekjen e organizatës e Altantikut të Veriut për atë që ndodh sot dhe sidomos me fokus në zhvillimet e fundit.’, vlerësoi ai.

Çfarë thotë NATO?

Pesë muaj pas dorëzimit të ofertës nga Shqipëria, një zyrtar i NATO-s, bëri të ditur për Faktoje se për momentin është miratuar vetëm vendndodhja e dy samiteve të ardhshme të Aleancës. 

‘Samiti i NATO-s 2025 do të mbahet në Hagë, Hollandë, nga data 24 deri më 26 qershor, i ndjekur nga një samit që do të mbahet në Turqi.’, konfirmoi zyrtari i Aleancës, duke shtuar se nuk mund të thotë ende asgjë për vendndodhjen e Samitit të 2027.

Edhe në një dokument të siguruar nga Faktoje, ku përditësohen eventet kryesore të Aleancës, konfirmohet ftesa e qeverisë shqiptare për të mbajtur në Tiranë Samitin e 40 të NATO-s. 

‘Në shkurt të 2024, Shqipëria u ofrua të mirëpresë Samitin e 2027-tës. Finlanda është ofruar të mirëpresë një Samit në periudhën 2026-2028.’, shkruhet ndër të tjera në dokument.  

Për ekspertët e fushës, konfirmimi i Shqipërisë si vend pritës i Samitit të 2027 nga NATO është çështje kohe. 

Ledion Krisafi, studiues pranë Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, e sheh mikpritjen e këtij Samiti si një nga kulmet e politikës së jashtme të vendit në 3 dekadat e fundit.

“Sidomos në një periudhë të tillë me luftën në Ukraine dhe në Lindjen e Mesme, është një konfirmim i vëmendjes dhe pranisë së NATO-s në Ballkan. Fakti që është zgjedhur Shqipëria konfirmon idenë që Tirana është pika më e rëndësishme e NATO-s në Ballkanin Perëndimor të paktën, vendi më stabel dhe më konstruktiv.”, shprehet Krisafi.

Viti 2027 përkon me samitin e 40- të NATO-s dhe do të jetë hera e dytë në historinë e Aleancës që mbledhja do të mbahet në Ballkan, pas Samitit të Bukureshtit në 2008.

“Të gjitha takimet dhe Samitet që po zhvillohen dhe do zhvillohen në Tiranë e kthejnë kryeqendrën e Shqipërisë në një lloj qendre të diplomacisë perëndimore në Ballkanin Perëndimor.”, argumenton studiuesi. 

Përfundim

Samitet e NATO-s shihen si një pikë takimi e rëndësishme për udhëheqësit e vendeve anëtare të Aleancës. Ato shfrytëzohen për të prezantuar politika të reja, për të ftuar anëtarë të rinj në aleancë, për të nisur iniciativa të reja të mëdha si dhe për të ndërtuar partneritete me vendet joanëtare të NATO-s.

Samiti i fundit i NATO-s u mbajt këtë vit në Uashington të SHBA-ve nga 9 deri më 11 korrik.

The post Shqipëria gati të mikpresë Samitin e NATO-s në 2027 appeared first on Faktoje.al.

Perimetri i ‘padukshëm’ i sigurisë në plazhe

By: FAKTOJE
1 September 2024 at 12:00

Edhe këtë sezon veror autoritetet paralajmëruan dënime të ashpra ndaj shkelësve që cënojnë sigurinë e pushuesve në bregdet. Verifikimet e Faktoje tregojnë se pavarësisht disa gjobave, perimetri i sigurisë në disa plazhe shkelet, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Afrovita Hysaj

Në hyrje të sezonit veror, ish ministri i Brendshëm Taulant Balla, paralajmëroi ndëshkime të ashpra për të gjithë shkelësit e perimetrit të sigurisë në bregdet.

‘Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare janë në çdo moment në krye të detyrës për të ofruar ndihmë. Operatorët turistikë, duhet të kuptojnë që nuk mund të dalin në lundrim të pacertifikuar dhe se në çdo rast masat ndëshkimore do të jenë të ashpra dhe mjetet detare do të bllokohen sipas ligjit. Nuk mund të rrezikohet kurrësesi nga papërgjegjshmëria jeta e pushuesve’, deklaroi më 1 maj Balla, teksa përshëndeste Policinë Kufitare dhe Rojen Bregdetare për shpëtimin e 11 turistëve në det, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt.

Verifikim

Në mbyllje të muajit gusht, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim lidhur me sigurinë e pushuesve në disa plazhe. Në Vlorë, vendqendrimi i mjeteve lundruese ndodhet pranë kalatës së portit të mallrave, ndaj dhe plazhi në këtë zonë është i ndaluar.  

Por, në plazhe të tjera si ai i Karaburunit apo Sazanit, destinacione të shumicës së mjeteve lundruese nga Vlora, nuk kanë vendqendrime të përcaktuara. Në këto plazhe mjetet lundruese gjendet pranë pushuesveqë lahen në det, duke përbërë rrezik.

E njëjta panoramë të shfaqet në plazhet e Radhimës, më tej Dhërmiut dhe një pjesë të mirë të rivierës- kryesisht plazhet e mbyllura.

Pamjet më poshtë janë xhiruar në Porto Palermo, në zonën ku njihet si vendqëndrim i mjeteve lundruese, por që njëkohësisht ka leje edhe për përdorim plazhi. Kështu, pushuesit në këtë plazh duhet të notojnë pranë mjeteve lundruese, duke rrezikuar jetën.

Nga vëzhgimet në terren, krahas mungesës së vendqendrimeve për këto mjete, një tjetër problematikë lidhet me zbatimin e korridoreve për daljen e mjeteve lundruese.

Ndëshkime për shkelësit

E gjithë vija bregdetare Vlorë – Sarandë, kontrollohet nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin që dispozicion 18 mjete lundruese Jet Ski të Njësisë Policore Detare dhe 6 mjete lundruese B.P.

Nga fillimi I vitit e deri në fund të korrikit janë kontrolluar dhe verifikuar 4791 mjete lundruese, nga të cilat 133 mjete lundruese janë bllokuar dhe gjobitur- për tu liruar pas shlyerjes së gjobave. 

Policia e Kufirit ka vendosur 133 masa administrative, por nuk jep asnjë informacion mbi numrin apo personat e proceduar penalisht për shkelje të ligjit detar.

Edhe drejtoria vendore te Policisë Vlorë, në komunikatat e bëra publike për periudhën Janar- korrik tregon dhjetra raste të personave të cilët abuzojnë jo vetëm duke shkelur kufirin e lundrimit me mjete lundruese por duke rrezikuar edhe jetën e pushuesve. Mirëpo, në Prokurori nuk janë referuar të gjithë rastet.

Kullat e vrojtimit bosh

Në mungesë janë dhe vëzhguesit bregdetar, veçanërisht në plazhet publike. Ndërsa në plazhet private, zbulohet praktika e regjistrimit fiktiv (kryesisht vetë pronarët) në rolin e vëzhguesve, por kullat e vrojtimit mbeten bosh.

‘Roje nuk kam parë fare, asnjëherë nuk e kemi parë.’- thotë një pushuese në Vlorë

Referuar të dhënave nga Policia, gjatë këtij sezoni ka pasur 6 viktima në plazhe- shtetas që janë mbytur apo kanë humbur jetën për shkak të problemeve kardiake.

Leneda Halili, trajnuese e vrojtuesvë të plazheve thotë se Vlora edhe këtë vit është përballur me mungesa të theksuara të vrojtuesve.

‘Interesi nga të rinjtë e qytetit të Vlorës për të ushtruar profesionin sezonal të vrojtuesit të plazhit mbetet i ulët. Janë rreth 35 persona të cilët deri më tani janë trajnuar për të ushtruar rolin e vrojtuesit të plazhit.’

Më tej ajo shton se për këtë arsye, bizneset gjejnë zgjidhje fictive.

‘Në Vlorë vazhdon tendenca që për vrojtues plazhi trajnohen pronarët e bizneseve, subjekteve private vetëm për të plotësuar dokumentacionet e shfrytëzimit të hapësirës publike si plazh.’ – thotë Halili.

‘Shumica e vrojtuesve të trajnuar janë për punësim jashtë vendit, sepse në vendet e Bashkimit Europian ata paguhen shumë më tepër, pra marin Certifikatën dhe ikin jashtë’- argumenton ajo.

Edhe pse është një detyrim ligjor, bregdeti i Jugut në pjesën më të madhe të plazheve ka mungesë të kufizueseve të notit.

‘Nuk ka shirita, mirë do të ishte të kishte.’ – thotë një pushues në Vlorë.

Mungesa e kufizuesve të notit në det vihet re brenda në qytet por edhe në periferi të Vlorës. Verifikimet tregojnë se vetëm 40% e plazheve e respektojnë këtë detyrim.

Përfundim

Nisur nga verifikimet e kryera, deklaratën e ish ministrit të brendshëm Taulant Balla, mbi perimetrin e sigurisë në plazhe do ta kategorizojmë gjysmë të vërtetë.

The post Perimetri i ‘padukshëm’ i sigurisë në plazhe appeared first on Faktoje.al.

Baza detare në Porto Romano kërkon 366 milionë euro

22 August 2024 at 16:00

Esmeralda Topi 

Prej dy vitesh qeveria shqiptare është vetëofruar të mirëpresë në Porto Romano ndërtimin e një baze detare nga NATO – përmes një bashkëfinancimi.

‘Ky i këtushmi do të jetë, jo vetëm një port që do të impaktojë prodhimin e përgjithshëm kombëtar, por do të jetë një port që do të impaktojë sigurinë tone(…)do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake.’, – deklaroi kryeministri Edi Rama, muajin e kaluar, teksa u hap gara për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano.  

‘Në bashkëveprim me NATO-n kemi nisur prej kohësh të punojmë për financimin e zonës portuale ushtarake të Porto Romanos, çka jo vetëm do të forconte ndjeshëm dimensionin e sigurisë së Shqipërisë, por edhe rolin e vendit tonë në hapësirën e aktivitetit të NATO-s’, vijoi në të njëjtën linjë me kryeministrin edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë,  Belinda Balluku.

Qeveria shqiptare e bën fakt të kryer bazën autonome detare të Porto Romanos nga NATO, edhe pse Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk ka marrë ende një vendim.

Një zyrtar i Aleancës Atlantike rikonfirmoi për Faktoje se “nuk ka ende asnjë vendim për bazën në Porto Romano”.

“NATO-s zakonisht merr kohë për të shqyrtuar kërkesat operacionale për një pikë të tillë”- shtoi ai.

Projekt me prioritet

Teksa NATO po shqyrton mundësinë e bashkëfinancimit të bazës detare në Porto Romano, qeveria shqiptare e ka përfshirë projektin në listen unike të projekteve me rëndësi kombëtare. I klasifikuar si projekt me prioritet, baza autonome detare planifikohet të ketë një kosto prej 366 milionë eurosh.

Këmbënguljen e qeverisë shqiptare për të afruar NATO-n me një tjetër bazë në Shqipëri, studiuesi Ledion Kristafi e sheh si strategji të zgjuar nga pala shqiptare.

‘Duke qene se Shqipëria nuk ka kapacitetet financiare të plotesojë nevojat e saj ushtarake, duke i propozuar NATO-s të bëjë baza në Shqipëri, NATO investon dhe nga ky investim përfiton dhe Shqipëria’, shprehet ai.

Sipas Kristafit, baza detare në Porto Romano do të shërbejë si mbështetëse logjistike e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, por nuk ka rëndësi në sfond të zhvillimeve që po ndodhin në Ukrainë dhe Rusi.

‘NATO po ndërton një bazë gjigande në Rumani që ka vlerë të drejtpërdrejtë me luftën ne Ukrainë dhe pasojat e saj. Baza e Porto Romanos me shumë mundësi do jetë një bazë e ngjashme me atë të Kuçovës por tashme jo për ajrin por për marinën.’, thekson kristafi, duke shtuar se rëndësia e kësaj baze do të shtohej vetëm në rast të një konflikti në Ballkan.

Ndërsa kolonel Dritan Demiraj, ngritjen e një baze detare të NATO-s në Shqipëri e sheh si një përpjekje për të rritur rolin e vendit në Aleancë.

“Mendoj se ngritja e bazës ajrore bashkë me kërkesën e vazhdueshme të kryeministrit Rama për ngritjen edhe të një baze detare në mbështetje dhe me fondet e NATO-s në Durrës, rrisin rolin e Shqipërisë në aleancë dhe për rrjedhojë edhe mbështetjen e saj politike ndërkombëtare.”, pohon ish komandanti i Forcave Speciale.

Prapavijë 

Idenë për ngritjen e një baze detare të NATO-s në Shqipëri kryeministri shqiptar Edi Rama e hodhi për herë të parë publikisht korrikun e vitit 2022. 

“E vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’ju prezantuar ambicien tonë, […] duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend që jo vetëm mund të ndërtojmë, por mund ta ndërtojmë duke patur parasysh sfidat e kohës sonë […]”deklaroi Rama në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg- gjatë një vizite zyrtare në Bruksel. 

Një vit më vonë, nga Shkupi, Rama i kërkoi Aleancës së Atlantikut të Veriut të përshpejtojë procedurat lidhur me kërkesën e Shqipërisë për të bashkëfinancuar bazën e re detare.  

“Dëshiroj të theksoj edhe kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-s në Porto Romano të procedohet sa më shpejt […].”, tha Rama pas një takimi mes liderëve të vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore në Shkup. 

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e kryeministrit lidhur me bazën detare të NATO-s në Porto Romano, e kategorizojmë si gjysmë të vërtetë.

The post Baza detare në Porto Romano kërkon 366 milionë euro appeared first on Faktoje.al.

Kullë 33 kate pranë Teatrit Kombëtar 

21 August 2024 at 15:55

Një kullë 33-katëshe, me 4 kate parkim nëntokë do të ngrihet në krah të Teatrit të ri Kombëtar, pavarësisht shumë zotimeve të kryeministrit se nuk do të kishte kulla vërdallë. Godina është planifikuar të ndërtohet jashtë perimetrit të Teatrit, mirëpo artistët dhe aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ndajnë shqetësimin se mund të preket edhe territori i Teatrit të ri Kombëtar. 

Ilda Hoxha

Pas shembjes së Teatrit Kombëtar në maj të vitit 2020, kryeministri Edi Rama iu përgjigj shqetësimeve të artistëve dhe aktivistëve, duke hedhur poshte pretendimet se Teatri po “sakrifikohet” për ndërtimin e kullave. 

“Nuk ka kulla aty, nuk ka mor vëlla, nuk do ndërtohen kulla aty. Si t’a shpjegoj…Nuk ka kulla aty, brenda, jashtë, mbrapa, në të gjithë perimetrin ku kanë bërë zvarritjen imagjinare të viktimës, nuk ka kulla”, deklaroi kryeministri Edi Rama në maj të vitit 2020. 

Por, ja që kulla do të ketë.

Në maj 2023, në prag të zgjedhjeve lokale, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një vendim që i jep kompanisë “Fusha” tokë publike në zemër të kryeqytetit, për të ndërtuar një kullë të lartë dhe në këmbim Bashkia do të përfitojë 50 për qind të sipërfaqes ndërtimore. 

Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kulla do të ndërtohet tek parkimi publik mes “Torre Drin” dhe ndërtesës së “Infosoft” – pranë pedonales së Tiranës.

Një vendim i Këshillit të lartë të Territorit të datës 26 dhjetor 2023, por i nënshkruar më 10 qershor 2024, përcakton ndërtimin e një godine polifunksionale 33 kate mbitokë dhe 4 kate parkim nëntokë, ku sipërfaqja e pronës është 2480.77 m2. Vendimi për ndërtimin e kësaj godine është firmosur nga kryetari i KKT-së, zoti Edi Rama. Por, dokumentat tregojnë se godina do të jetë jashtë territorit të Teatrit Kombëtar. 

“Zonat në të cilat propozohet struktura është një zonë me destinacion rezidencial, tregtar dhe social, ku dominojnë polifunksionale dhe ato rezidenciale me shërbime. Pozicionohet pranë qendrës, në krah të pedonales ‘Murat Toptani’. Sipërfaqja e pronës është 2480.77 m2. Ndërkohë parcela kufizohet: në jug-pedonalja ‘Murat Toptani’; në veri-Sarajet e Toptanëve; në lindje-objekt shërbimesh; në perëndim-Teatri i Tiranës”, shkruhet në dokument

Aktivistë të Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit, kanë shprehur dyshimet e tyre nëse kulla që është planifikuar për ndërtim do të jetë apo jo brenda territorit të teatrit. I pyetur nga Faktoje, Neritan Liçaj, aktor dhe aktivist i Aleancës, u shpreh se frikërat e tyre tyre për ndërtimin e kullave tashmë u vërtetuan. 

“Kulla i bie që të jetë jashtë territorit të Teatrit, megjithatë këtyre prapë nuk mund t’u besosh asgjë. Gjithsesi, nëse kulla nuk do të jetë brenda territorit të Teatrit, e para njëherë do bëhej kullë, u vërtetuan fjalët tona. Ka ndryshuar vendimi, nga ato 6 kullat që do ishin mbrapa, është bërë një tani, pikërisht nga presioni që ka bërë Aleanca për Teatrin dhe si duket i druhen edhe padive e kallëzimeve që kemi bërë në SPAK”, tha Liçaj. 

Ai thekson se nëse godina 33-katëshe nuk ngrihet në territorin e Teatrit, është një fitore përgjysmë e Aleancës dhe qytetarëve.  

“Tokën publike dhe nuk mund t’ia japësh privatit si të dojë qejfi ty”, shtoi ai. 

Aktori shprehu shqetësimin se mund të preket territori i Teatrit Kombëtar. 

“Unë kam frikë që ata do hyjnë prapë në territorin e Teatrit, sepse ata ashtu deklarojnë dhe tjetër gjë bëjnë. Mbetet për t’u parë”, theksoi Neritan Liçaj. 

Verifikimi në terren

Gjatë një verifikimi që Faktoje bëri në terren më 20 gusht vumë re se punimet vijojnë në zonën ku po ndërtohet Teatri i ri Kombëtar.  Perimetri i saj është i rrethuar dhe në tabela shkruhet ‘kantier punimi’. Mirëpo, nuk kishte një tabelë që të tregonte detaje në lidhje me ndërtimin e kullës 33 katëshe. 

Vendi ku po ngrihet Teatri Kombëtar, 20 gusht 2024 

Në një artikull të publikuar në maj të këtij viti, Faktoje raportoi se në rastin më të mirë Teatri i ri Kombëtar përfundon në vitin 2026. Aktorë të skenës së teatrit bëjnë përgjegjëse institucionet shtetërore, por edhe mungesën e reagimit të shoqërisë që ende sot në vend të teatrit kombëtar kemi grumbuj dheu. 

Përfundimi

Edhe pse në vitin 2020 pas shembjes së godinës së Teatrit të ri Kombëtar, kryeministri zotohej se nuk do të kishte kulla që do të ndërtoheshin, dy vite më vonë me firmë të kryeministrit mori dritën jeshile një kullë 33-katëshe në krah të Teatrit Kombëtar. Nisur nga fakti që kulla nuk figuron në dokumente brenda territorit të teatrit, deklaratën e Ramës po e klasifikojmë si gjysmë të vërtetë.

The post Kullë 33 kate pranë Teatrit Kombëtar  appeared first on Faktoje.al.

Shkrumb e hi, 162 mijë hektarë me pyje dhe kullota 

7 August 2024 at 16:00

Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale që dënohet nga 5 deri në 20 vite burg në Shqipëri. Por ndonëse çdo verë flakët kanë shkrumbuar me mijëra hektarë pyje dhe kullota, të dhënat e përpunuara nga Faktoje tregojnë se pandëshkueshmëria ka ‘thyer’ ligjin.  Në 10 vitet e fundit janë regjistruar 225 procedime penale për shkatërrimin e pyjeve me zjarr, por pas hekurave kanë përfunduar vetëm 3 piromanë. Nga bilanci i dekadës së fundit sipërfaqja e djegur në pyje dhe kullota rezulton 162 mijë hektarë. 

Esmeralda Topi

Edhe këtë verë vendi po përballet me zjarre të shumta nga veriu në jug. Ndonëse zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale që dënohet nga 5 deri në 20 vite burg, të dhënat e përpunuara nga Faktoje mbi krimet mjedisore tregojnë se zbatueshmëria e ligjit çalon duke i lënë vend pandëshkueshmërisë. 

Në dhjetë vitet e fundit krimi ndaj mjedisit është rritur ndjeshëm, por ndëshkimi mungon. Këtë fakt e ka vënë në dukje edhe kryeministri Edi Rama. Por ai, pandëshkueshmërinë ia faturon sistemit të drejtësisë.

“Me ndryshimet që i kemi bërë vitet e fundit Kodit Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg dhe në tasin e kësaj fare të keqe prokurorësh pa atdhe, ka deri edhe disa syresh që gjatë viteve të shkuara kanë shpallur deri mosfillimin fare të çështjes penale për zjarrvënësit.” – Edi Rama, korrik 2023. 

Bilanci i dekadës së fundit tregon se ashpërsimet e kodit penal për zjarrvënien e qëllimshme apo zjarrin nga pakujdesia nuk kanë dhënë rezultat. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme në dhjetë vitet e fundit janë regjistruar 225 procedime penale për shkatërrimin me zjarr të pyjeve dhe mjedisit pyjor. 

Por nga qindra të proceduar, në gjykatë kanë shkuar si të pandehur vetëm katër persona, ndërkohë që pas hekurave si të dënuar kanë përfunduar vetëm tre piromanë. 

Nga ana tjetër, në periudhën 2013-2023 rezultojnë 76 persona të proceduar penalisht për shkatërrimin e pyjeve me zjarr nga pakujdesia. Por edhe për këtë vepër penale, ndëshkimi rezulton minimal me tre të dënuar. 

Për inxhinierin e pyjeve Abdulla Diku, pandëshkueshmëria e piromanëve është e qëllimtë. 

“Pyjet, ashtu si dhe zonat e mbrojtura, prej vitesh kanë qënë nën presion të madh. Sot janë më shumë se kurrë. Digjen e do t’i djegin për resorte turistike apo për të fshehur gjurmë të tjera krimesh mjedisore. Askush nuk do kapet e dënohet, sepse askush nuk dënon veten për një krim të bërë me gjakftohtësi. Ai që ka paranë, blen gjithçka, edhe dënuesin.”, pohon ai. 

“Si është e mundur që krimi mjedisor në Shqipëri dhe veçanërisht ai në pyje ka nivelin më të ulët të ndëshkueshmërisë në botë?! Kjo nuk do shumë mend për përgjigjen pasi dihet, kush do e ndëshkojë zjarrvënësin, ai që nuk njeh asgjë nga zanati?”, vijon më tëj inxhinieri. 

846 zjarre shkrumbuan 162 mijë hektarë me pyje dhe kullota

Në dhjetë vitet e fundit në Shqipëri janë djegur mbi 162 mijë hekatarë me pyje dhe kullota. Të dhënat nga Sistemi Evropian i Informacionit të Zjarreve në Pyje (SEIZP), tregojnë se nga viti 2014 e deri në fillimgusht të këtij viti, vendi është përfshirë nga 846 vatra zjarresh. 

Ndryshe nga një vit më parë, ku janë shënuar vetëm 35 vatra zjarresh në të gjithë vendin, deri në javën e parë të gushtit të këtij viti numri i zjarreve është dyfishuar. Për pasojë, rreth 25 mijë hekatarë sipërfaqje me pyje dhe kullota është djegur. 

“Situata vitin tjetër do jetë njëjtë, në mos më keq!” – paralajmëron inxhinier Abdulla Diku. 

“Më shumë zjarre e më shumë dëme prej tyre. Pa pajisje logjistike, pa mbështetje dhe pa personelin e kualifikuar pyjor, veçse do bëjmë statistikat e dëmeve nga zjarret në pyje.”, vijon më tej ai. 

Shifrat tregojnë se viti më i keq i dekadës së fundit është 2017, ku rreth 42 mijë hektarë pyje dhe kullota janë shkrumbuar nga flakët. Ndërkohë që në 20 vitet e fundit, në vend janë shkrumbuar rreth 450 mijë hektarë me pyje dhe kullota. 

“Çfarë ka ndodhur këto vite?! Ja, nga 200,000 hektarë me pyje të djegura tani kemi rreth 450,000 hektarë. Ka ndryshuar apo është përmirësuar gjë?! Aspak!”, përfundon inxhinieri. 

The post Shkrumb e hi, 162 mijë hektarë me pyje dhe kullota  appeared first on Faktoje.al.

❌
❌