Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kjo video nuk provon se Faton Hajrizi është ende gjallë

20 August 2024 at 17:00

Pretendimi: Kjo video tregon se Faton Hajrizi është gjallë.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————–

Në rrjete sociale po qarkullon një video ku pretendohet se shfaqet Faton Hajrizi, i cili u vra nga policia serbe më 19 korrik, me pretendimin se ai është ende gjallë.

videon e mësipërme duket vetëm balli i një personi, jo fytyra. Gjatë saj dëgjohet një zë që pretendohet se është Hajrizi duke thënë: “Përshëndetje shqipet e mia, ju kërkoj ndjesë për maskën se edhe që s’kam mujt mu lajmëru ma herët, po deri jam drejtu. Shumë shpejt kam me hy edhe live edhe ja u shpjegoj kejt këtë rrugëtim që ka ndodhë këto ditë. Veç dine që Faton Hajrizi është mirë e gjallë. T’ua prishi qefin do llaskucav t’mediav.”

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është një version i prerë i videos së parë që Hajrizi publikoi në TikTok më 8 korrik, pas arratisjes nga burgu i Smrekonicës.

Kolegët e hibrid.info kanë bërë krahasimin e mëposhtëm mes dy videove. “Duke u bazuar në ndriçimin e video-materialit, formën e flokëve të personit të shfaqur dhe hapësirën prapa tij” ata kanë dalë në përfundimin se janë e njejta video.

Analiza e hibrid.info

Në videon e 8 korrikut Hajrizi flet për arratisjen e tij të nëntë nga burgu, dhe nuk thotë fjalët që dëgjohen në videon e prerë. 

Faktoje nuk arriti ta identifikojë burimin e audios, por, siç tregohet në videon e mëposhtme, zërat nuk janë të njejtë.

Faton Hajrizi u arratis nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik 2024. 

Më 18 korrik, autoritetet serbe njoftuan vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri. Një ditë më pas, policia serbe lajmëroi vrasjen e një personi, dyshuar të ishte Faton Hajrizi, i cili kërkohej për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri. 

Ministria e Punëve të Jashtme kosovare konfirmoi se shenjat e gishtërinjve që janë marrë nga autoritetet serbe përputheshin me ato të Faton Hajrizit.

Avokati Arianit Koci, i autorizuar nga familja e Hajrizit, për të sjellë trupin e tij në Kosovë ka konfirmuar se trupi “është pa asnjë dyshim i Fatonit.” Sipas tij, kjo u konfirmua edhe nga e ëma e Hajrizit gjatë procedurës së identifikimit.

The post Kjo video nuk provon se Faton Hajrizi është ende gjallë appeared first on Faktoje.al.

❌
❌