Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Aktivizuan një lojtar me identitet fals, arbitrit i thanë se ishte shurdh-memec: humbin ndeshjen në tavolinë

By: user 2
26 September 2024 at 18:36

Voința Limpeziș, skuadra e Serisë C e Rumanisë, doli në fushë me një futbollist amerikano-jugor duke u hequr si një rumun U19 e kur arbitri pyeti lojtarin për emrin, klubi e justifikoi mungesën e përgjigjes duke thënë se ishte “shurdh-memec dhe as nuk dinte të shkruante”. U hap një hetim dhe u kuptua se ishte një sportist që luante me identitet të rremë: për këtë erdhi humbja 3-0 dhe fitorja e CSM Adjud.

Një situatë surreale për një kampionat profesionist. Lajmi u raportua nga gazeta rumune GSP.ro.

LOJTARËT ME IDENTITET TË RREMË

Më 31 gusht, data e fillimit të edicionit të ri të L3, u luajt ndeshja CSM Adjud – Voința Limpeziș dhe ajo përfundoi me një fitore të ngushtë të miqve (0-1). Vendasit, megjithatë, në pjesën e parë hodhën një akuzë shumë të rëndë ndaj kundërshtarëve të tyre duke deklaruar se një lojtar i Voința Limpeziș nuk ishte i njëjti me atë të paraqitur në formacionin zyrtar. Një shkëmbim personash, në praktikë.

Kjo hipotezë u konfirmua dhe në fillim të kësaj jave CSM Adjud fitoi 3-0 me një vendim të diktuar nga Komisioni Disiplinor i FRF. Prapa kësaj historie, megjithatë, ekziston një skenar i pabesueshëm.

Drejtori sportiv i Adjud, Ciprian Vrabie, tha për gazetën GSP.ro: “Ne kishim indikacione para ndeshjes se skuadra nga Limpeziş do të përpiqej të fuste lojtarë të tjerë përveç atyre që ishin të pranishëm në listë. Kjo ishte arsyeja pse i kërkova arbitrit për një krahasim mes dokumentave dhe identitetit të lojtarëve. Doli që gjashtë prej tyre nuk përputheshin. Arbitri i dërgoi në tribunë, e pas kësaj ndeshja rifilloi me të tjera kushte”.

SHURDH-MEMECI

Ndeshja u arbitrua nga Silviu Popa, i cili pasi largoi lojtarët e futur me ‘emra të rremë’ e la Voința me 11 titullarë dhe vetëm një rezervë.

Drejtuesi i CSM Adjud vazhdoi historinë e tij si më poshtë: “Në një moment, gjatë ndeshjes, dëgjova se lojtari me numrin 21 të Limpeziș fliste një gjuhë të huaj, por në listën e ndeshjes ishte një lojtar rumun U19, i lindur në 2005. Në interval paraqita ankimimin dhe arbitri kërkoi që lojtari të shkonte në dhomë për identifikim”.

Nuk ishte e mundur sepse zyrtarët e Voința shpjeguan se futbollisti “është shurdh-memec, kështu që nuk ishte e mundur të flisje me të”. Kur atij iu kërkua vetëm të shkruante emrin e tij në një copë letër, ata u përgjigjën duke thënë se “nuk ishte e mundur, sepse ai nuk dinte as të shkruante. Ishte vërtet një skenë qesharake, por edhe shqetësuese”.

FRF vlerësoi detajet e këtij rasti dhe vendosi: ndeshja e humbur 3-0 në tavolinë për Voința Limpeziș, gjashtë pikë më pak në renditje, gjobë prej 2200 lei dhe operacionet e merkatos të ndaluara në seancën e ardhshme.

The post Aktivizuan një lojtar me identitet fals, arbitrit i thanë se ishte shurdh-memec: humbin ndeshjen në tavolinë appeared first on Lapsi.al.

❌
❌