Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 October 2024Main stream

Zbardhen përgjimet tek “Drejtësia” në Shkodër/ Vajza: Bab, doli Senada 5, babai: Ah plehra, pse për 5 pagova unë, hajt se e gadisim mirë

By: V K
1 October 2024 at 09:19

Një dosje penale që mban Nr. 474, e cila është regjistruar në Prokurorinë e Lezhës, për ndjekjen e një rasti të prodhimit dhe shitjes së drogës, ka nxjerrë zbuluar një seri bisedash të përgjuara, që flisnin për një episod korruptiv në sistemin e Drejtësisë dhe në sistemin universitar në Shkodër.

Për shkak të kësaj situate prokurorët e Lezhës, duke vlerësuar çështjen, kanë vendosur që bisedat e përgjuara t’ia dërgojnë për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme SPAK në Tiranë.

Këto përgjime dhe të tjera të kryera më pas nga SPAK, u kthyen në gurin e themelit të një dosje penale që mban Nr. 546, ku të pandehur për korrupsion pasiv përfunduan profesorët e Fakultetit të Drejtësisë në Shkodër, si: Dekani Gasper Kokaj, shefja e departamentit të së Drejtës Ndërkombëtare, Senada Reçi dhe pedagogia pranë këtij Departamenti, Luljeta Zefi.

Nën akuzë për korrupsion aktiv, kanë përfunduar dhe Lekë Toni dhe Pëllumb Ndreca, të cilët janë prindërit e dy studenteve që kishin ngelur në provimet e “Masterit”.

Profesorët e Dekanatit, dyshohet se kanë marrë 500 mijë lekë të vjetra në këmbim për t`i vendosur nota kaluese dy studenteve që kishin ngelur në dy lëndë semestrale.

Ndërkohë, megjithëse ata janë marrë të pandehur, prokuroria e Shkodrës nuk ka kërkuar në gjykatë asnjë masë sigurimi për pezullimin e përkohshëm të tyre.

Gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka zbuluar dosjen e këtij rasti korruptiv brenda Universitetit të Shkodrës, ku një numër i lartë komunikimesh të përgjuara nga SPAK tregojnë se për të kaluar, duke arritur notën “5” në Fakultetin e Drejtësisë në Shkodër, duhet të paguaje.

SPAK ka përgjuar numrat telefonikë të Lekë Tonit,i cili diskuton për data provimesh, shuma monetare dhe pedagogë. Nga verifikimet ka rezultuar se Lekë Toni ka dy vajza, të cilat janë në moshë për të ndjekur studimet e arsimit të lartë.

Në përgjim është vendosur dhe Pëllumb Ndreca, i cili rezulton se ka një vajzë në moshë për të ndjekur studimet e larta, e cila quhet Arlinda Ndreca.

Nga konteksti i shumë bisedave të përgjuara, duket sikur këta dy persona dhe fëmijët e tyre, komunikojnë në lidhje me provimet, ku vajzat e tyre nuk kanë marrë notë kaluese dhe mundësinë që të gjejnë një zgjidhje për të kaluar, duke ofruar para tek pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë në Shkodër.

Mes shumë bisedave mund të evidentohet komunikimi i përgjuar mes studentes Fiona Toni dhe babait të saj Lek Toni, i cili është zhvilluar në datën 3 tetor 2021.

Mes të tjerave, Fiona i thotë babait se teksa kishte dhënë provimin në lëndën “E drejta Evropiane dhe legjislacionit kombëtar”, me pedagogen Senada Reçin, ajo ishte vlerësuar me notën “5”.

Por me këtë vlerësim nuk ishte dakord babai i studentes Lek Toni, i cili i shprehet se ajo (Pedagogia) është një plehrë pasi nuk ishte paguar për ta vlerësuar me “5”.

Mes tyre zhvillohet kjo bisedë si më poshtë vijon:

Fiona:Bab doli Senada, 5″.

Leka:A plehëra për pesë pagujta”!

Fiona:Po plehja. Po hajd ishalla po marr notë të mirë në temë diplome me kompensu”.

Leka:Se e gadisim mirë”.

Nisur nga kjo situatë Prokuroria ka sekuestruar procesverbalet e provimit të dhënë në sezonin e vjeshtës nga studentja Fiona Toni, e cila në 30 shtator 2021 për lëndën “E drejta e konsumatorit”, me komision i përbërë nga Luljeta Zefi dhe Merisë Rukaj, është vlerësuar me notën 9 (nëntë).

Ndërsa në provimin e datës 3 Tetor 2021, sipas bisedës së mësipërme për lëndën “E drejta Evropiane dhe legjislacioni kombëtar”, të dhënë në datën 24 shtator 2021, komisioni i përbërë nga Senada Reçi dhe Merisë Rukaj, ka vlerësuar studenten Fiona Toni me notën 5 (pesë).

Ndërkohë, me procesverbalin e datës 8 Tetor 2021 “Mbrojtje teze”, komisioni i përbërë nga: Dr. Gasper Kokaj, Senada Reçi dhe Phd. Roland Dodani, Fiona Toni është vlerësuar me notën 7 (shtatë).

Sipas Prokurorisë, në përgjigjen shkresore të përcjellë nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër, konstatohet se përputhen datat, notat e provimeve dhe emrat e pedagogëve me komunikimet telefonike dhe ato të këqyrura në “WhatsApp”.

Mbi bazën e këtyre përgjimeve dhe krahasimeve me procesverbaleve të vlerësimit të provimit me notë kaluese për dy studentet Fiona Tonij dhe Arlinda Ndreca, prokurorja e Shkodrës Besmira Vishe, ka vendosur të marrë të pandehur Dekanin e Fakultetit të Drejtësisë në Shkodër, Gasper Kokaj, duke e akuzuar këtë të fundit për akuzën e korrupsionit pasiv.

Bashkë me Dekanin e Drejtësisë, e pandehur për korrupsion është marrë dhe shefja e departamentit të së Drejtës Ndërkombëtare, Senada Reçi, pedagogia pranë këtij departamenti, Luljeta Zefi, si dhe dy prindërit e vajzave.

Tashmë që prej datës 18 shtator 2024, kjo çështje kundër 5 të pandehurve është zbritur për t’u gjykuar në gjykatën e Shkodrës, ku do jetë gjyqtarja e seancës paraprake Egla Mirashi, që do vendosë nëse dosja kundër profesorëve do kalojë për gjykim apo do kthehet sërish në prokurori për plotësim hetimesh.

The post Zbardhen përgjimet tek “Drejtësia” në Shkodër/ Vajza: Bab, doli Senada 5, babai: Ah plehra, pse për 5 pagova unë, hajt se e gadisim mirë appeared first on Albeu.com.

❌
❌