Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 September 2024Main stream

Përse na ka tronditur kaq shumë largimi i Gerti Bogdanit?

20 September 2024 at 15:52

Largimi i papritur nga jeta i Gerti Bogdanit ka shkaktuar një tronditje të thellë në skenën tonë publike. Pjesërisht si pasojë e moshës së re tij të re, që kombinuar me nje stil jetese tejet të rregullt dhe familiar e bën të pakonceptueshme dhe të papranueshme lamtumirën e tij.  

Por arësyeja kryesore e tronditjes publike që ka shkaktuar largimi i Gertit nuk është thjesht mosha e tij e re, por figura publike që ai ndërtoi në skenën tonë politike. Gerti Bogdani përfaqësonte brezin e ri të politikanëve që pas vitit 2005 filluan  ta rinovonin Partinë Demokratike dhe të djathtën duke i dhënë asaj një imazh dhe mentalitet më të freskët, më demokratik dhe më perëndimor. 

Gerti ishte përfaqësuesi më tipik i këtij brezi të ri. I shkolluar në perëndim me rezultate të shkëlqyera, inteligjent, simpatik dhe me një artikulim dhe aksion tejet qytetar ai përfaqësonte shpresën e një rinovimi perëndimor dhe cilësor të Partisë Demokratike dhe të së djathtës në përgjithësi. Jo thjesht sepse ishte shkolluar jashtë por sepse kapitali i tij politik nuk ishte dhuratë e servilizmit ndaj shefit por produkt i një profili publik të ndërtuar me aftësinë, mundin dhe djersën e tij. 

Ndaj Gerti ishte një nga ato figura publike dinjitoze që kaq shumë i mungojnë sot politikës sonë të mbushur ose me mediokritetin e ricikluar nga e kalura ose me një rini që edhe pse e shkolluar në perëndim karrierën politike e ndërton thjesht duke adhuruar shefin. Ekzistenca e tij publike, edhe pse e lënë në hije, ishte një shpresë për rinovimin kaq të domosdoshëm të politikës sonë në përgjithësi dhe të opozitës në vecanti.

Pikërisht për këtë arësye largimi nga jeta i Gerti Bogdanit ka tronditur kaq shumë opinionin tonë publik. Është një largim që nga njëra anë na kujtoi ekzistencën e një modeli politik që kaq shumë i mungon skenës sonë publike, teksa e largoi këtë model nga gjiri ynë. Ishte një godije e dyfishtë që edhe na e kujtoi, por edhe na e largoi modelin Bogdani. 

Në këto kushte është e rëndësishme që teksa shprehim dhimbjen për largimin e parakohëshëm të politikanit Gerti Bogdani mos të harrojmë ekzistencën e modelit që ai krijoi në në skenën tonë politike. Është kontributi i fundit, dhe ndoshta më i rëndësishëmi, që politikani Bogdani i bën sferës tonë publike. Edhe me largimin e tij ai na kujtoi se ekziston një model i politikanit dhe i politikës dinjtoze. Ndaj edhe nëse vdekja e mori politikanin Bogdani prej nesh, është detyra jonë që të mbajmë gjallë në kujtesën dhe sferën tonë publike modelin shpresdhënës që ai na dhuroi.

Shkruar nga Blendi Kajsiu enkas per Lapsi.al

The post Përse na ka tronditur kaq shumë largimi i Gerti Bogdanit? appeared first on Lapsi.al.

❌
❌